Kur kërkojmë drejtësinë, jemi të mbrojtur
«Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë . . . drejtësinë e Perëndisë.»—MATEU 6:33.
1, 2. Cilin vendim mori një e re e krishterë dhe përse?
NJË e re e krishterë nga Azia punonte sekretare në një zyrë shtetërore. Ishte shumë e ndërgjegjshme, shkonte shpejt në punë dhe bënte gjithçka pa përtim. Por, meqë vendi i saj i punës nuk ishte i përhershëm, erdhi koha të bëhej një vlerësim. Shefi i tha vajzës se do t’i siguronte një vend të përhershëm e madje do ta ngrinte në përgjegjësi, nëse ajo do të kishte një lidhje imorale me të. Por vajza e refuzoi prerazi, edhe pse kjo do të thoshte se do të humbte punën.
2 A po tregohej jorealiste ajo e re e krishterë? Jo, po zbatonte me përpikëri fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë . . . drejtësinë e Perëndisë.» (Mateu 6:33) Për të ishte më e rëndësishme të ndiqte parimet e drejta, sesa të fitonte diçka me anë të imoralitetit seksual.—1 Korintasve 6:18.
Rëndësia e drejtësisë
3. Çfarë është drejtësia?
3 «Drejtësia» nënkupton t’u përmbahesh normave morale dhe të jesh i ndershëm. Në Bibël, fjalët greke dhe hebraike të përdorura për të, përcjellin kuptimin e të qenët «i drejtë» ose «korrekt». Nuk do të thotë ta shpallësh veten të drejtë, domethënë ta gjykosh veten sipas normave të tua. (Luka 16:15) Do të thotë të jesh i drejtë sipas normave të Jehovait. Ka të bëjë me drejtësinë e Perëndisë.—Romakëve 1:17; 3:21.
4. Pse drejtësia është e rëndësishme për një të krishterë?
4 Pse është e rëndësishme drejtësia? Sepse Jehovai, ‘Perëndia i drejtë’, u jep hir shërbëtorëve të tij kur veprojnë drejt. (Psalmi 4:1; Proverbat 2:20-22; Habakuku 1:13) Asnjë që bën padrejtësi nuk mund të ketë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Proverbat 15:8) Ja pse apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Ik nga dëshirat karakteristike rinore, dhe ndiq më mirë drejtësinë» bashkë me cilësi të tjera të rëndësishme. (2 Timoteut 2:22) Kjo është po ashtu arsyeja pse Pavli përfshiu «parzmoren e drejtësisë» kur renditi pjesët e armaturës sonë frymore.—Efesianëve 6:14.
5. Si mund ta kërkojnë drejtësinë krijesat e papërsosura?
5 Sigurisht, asnjë njeri nuk është i drejtë në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjithë kanë trashëguar papërsosmërinë nga Adami dhe të gjithë janë mëkatarë, të padrejtë, që kur lindin. E megjithatë, Jezui tha se duhet të kërkojmë drejtësinë. Si është e mundur kjo? Është e mundur, sepse Jezui dha jetën e tij të përsosur si shpërblesë për ne dhe, nëse tregojmë besim te ky flijim, Jehovai është i gatshëm të na i falë mëkatet. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; Romakëve 5:8, 9, 12, 18) Mbi këtë bazë, ndërsa mësojmë normat e drejta të Jehovait dhe bëjmë çmos t’i zbatojmë ato—duke u lutur për ndihmë që të kapërcejmë dobësitë tona—Jehovai e pranon adhurimin tonë. (Psalmi 1:6; Romakëve 7:19-25; Zbulesa 7:9, 14) Sa mendim ngushëllues!
Të drejtë në një botë të padrejtë
6. Pse bota ishte një vend i rrezikshëm për të krishterët e hershëm?
6 Kur morën detyrën për të qenë dëshmitarë të Jezuit «deri në skajin më të largët të tokës», dishepujt e tij hasën një situatë të vështirë. (Veprat 1:8) I gjithë territori që u ishte caktuar, ‘dergjej nën pushtetin e të ligut’, Satanait. (1 Gjonit 5:19) Bota ishte e infektuar nga fryma e ligësisë që nxit ai, dhe të krishterët do të ishin të ekspozuar ndaj ndikimit të saj ndotës. (Efesianëve 2:2) Për ta, bota ishte vend i rrezikshëm. Vetëm duke kërkuar në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, do ta ruanin të paprekur integritetin e tyre. Shumica arritën të qëndronin, por disa u larguan nga ‘shtegu i drejtësisë’.—Proverbat 12:28; 2 Timoteut 4:10.
7. Për shkak të cilave përgjegjësi, të krishterëve u duhet t’i bëjnë ballë kësaj bote me ndikimet e saj korruptuese?
7 A është sot më e sigurt bota për të krishterët? Aspak! Madje është edhe më e korruptuar nga ç’ishte në shekullin e parë. Veç kësaj, Satanai është flakur poshtë në tokë dhe po bën një luftë të ashpër kundër të krishterëve të mirosur, ‘mbetjes së farës [së gruas], të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin’. (Zbulesa 12:12, 17) Satanai sulmon edhe këdo tjetër që mbështet këtë ‘farë’. Gjithsesi, të krishterët s’mund ta shmangin plotësisht botën. Edhe pse nuk janë pjesë e botës, atyre u duhet të jetojnë në të. (Gjoni 17:15, 16) Gjithashtu, duhet të predikojnë në të, për të gjetur njerëzit me zemër të prirur ndaj së drejtës dhe për t’u mësuar si të bëhen dishepuj të Krishtit. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Prandaj, meqë të krishterët s’mund t’i shmangin krejtësisht ndikimet korruptuese të kësaj bote, duhet t’u rezistojnë atyre. Le të marrim në shqyrtim katër nga këto ndikime.
Gracka e imoralitetit
8. Pse izraelitët filluan të adhuronin perënditë e moabitëve?
8 Aty nga fundi i udhëtimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë, një numër i madh izraelitësh u larguan nga shtegu i drejtësisë. Kishin parë me sytë e tyre shumë bëma të Jehovait për t’i shpëtuar, e pas pak do të hynin në Tokën e Premtuar. Gjithsesi, në atë pikë historike, filluan t’u shërbenin perëndive të moabitëve. Po përse? Ranë pre e ‘dëshirave të mishit’. (1 Gjonit 2:16) Ja çfarë thotë Bibla: «Populli filloi të kurvërohej me bijat e Moabit.»—Numrat 25:1.
9, 10. Cila situatë e sotme na e bën të domosdoshme të mbajmë gjithnjë në mend fuqinë korruptuese të dëshirave të gabuara të mishit?
9 Ky episod vërteton se si dëshirat e gabuara të mishit mund t’i korruptojnë ata që s’janë të vëmendshëm. Duhet të nxjerrim mësim nga ky rast, sidomos meqë sot imoraliteti konsiderohet përgjithësisht si një stil i pranueshëm jetese. (1 Korintasve 10:6, 8) Në një raport nga Shtetet e Bashkuara thuhet: «Deri aty rreth vitit 1970, bashkëjetesa [kur dy njerëz të pamartuar jetojnë bashkë] ishte e jashtëligjshme në të gjitha shtetet amerikane. Tani është gjëja më normale. Më shumë se gjysma e gjithë martesave të para, paraprihen nga bashkëjetesa.» Kjo dhe praktika të tjera të shthurura morale nuk kufizohen vetëm në një vend. Ato i gjen kudo përreth botës dhe, mjerisht, disa të krishterë kanë ndjekur këtë drejtim, edhe pse kështu kanë humbur të drejtën për të qenë pjesë e kongregacionit të krishterë.—1 Korintasve 5:11.
10 Për më tepër, pothuajse ngado të hedhësh sytë, has propagandën që nxit imoralitetin. Filmat dhe programet televizive lënë të kuptohet se është krejt e pranueshme që të rinjtë të kenë marrëdhënie seksuale para martese. Lidhjet homoseksuale paraqiten si normale. Në mjaft programe televizive paraqiten gjithnjë e më tepër skena të mirëfillta e të hollësishme seksuale. Fotografi të marrëdhënieve seksuale të mirëfillta gjenden me lehtësi edhe në Internet. Për shembull, një gazetar tha se një ditë, kur u kthye nga shkolla, i biri 7-vjeçar i tregoi tërë entuziazëm se një shoku i tij në shkollë kishte parë në Internet një faqe ku tregoheshin gra lakuriq që kryenin akte seksuale. Natyrisht që i ati u trondit, por, sa fëmijë shohin të tilla faqe Interneti e s’u thonë gjë prindërve? Veç kësaj, sa prindër e dinë se çfarë përmbajnë lojërat në video me të cilat luajnë fëmijët e tyre? Shumë nga lojërat e përhapura janë plot me imoralitet të pështirë, si edhe me demonizëm e me dhunë.
11. Si mund të mbrohet një familje nga imoraliteti i botës?
11 Si mund t’i bëjë ballë një familje tërheqjes së kësaj ‘zbavitjeje’ të degraduar? Duke kërkuar në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, pra duke refuzuar të përfshihet në asgjë imorale. (2 Korintasve 6:14; Efesianëve 5:3) Prindërit që mbikëqyrin mirë çfarë bëjnë fëmijët dhe që ngulitin tek ata dashurinë për Jehovain e për ligjet e tij të drejta, i forcojnë që t’i rezistojnë pornografisë, lojërave pornografike në video, filmave imoralë dhe tundimeve të tjera të padrejta.—Ligji i përtërirë 6:4-9.a
Rreziku i ndikimit nga opinioni
12. Cili problem lindi në shekullin e parë?
12 Kur ishte në Listër, në Azinë e Vogël, Pavli shëroi një njeri, me anë të një mrekullie. Tregimi thotë: «Turmat panë atë që bëri Pavli dhe thërritën në gjuhën likaonase: ‘Perënditë qenkan bërë ngjashëm njerëzve dhe paskan zbritur te ne!’ Barnabën filluan ta quanin Zeus, kurse Pavlin Hermes, meqë ai merrte drejtimin për të folur.» (Veprat 14:11, 12) Më vonë, po ato turma donin t’i vritnin Pavlin dhe Barnabën. (Veprat 14:19) Është e qartë se ata njerëz ndikoheshin shumë nga opinioni. Kur disa nga ajo zonë u bënë të krishterë, duket se nuk i braktisën prirjet e tyre besëtyte. Në letrën drejtuar të krishterëve në Kolose, Pavli paralajmëroi kundër ‘adhurimit të engjëjve’.—Kolosianëve 2:18.
13. Cilat zakone duhet të shmangë një i krishterë e si mund ta gjejë forcën për të bërë këtë?
13 Edhe sot, të krishterët e vërtetë duhet t’i shmangin zakonet e pranuara nga shumica, por që janë bazuar në ide të rreme fetare, të cilat shkelin parimet e krishtere. Për shembull, në disa vende, shumë ceremoni tradicionale për lindjen ose për vdekjen e dikujt, bazohen në gënjeshtrën se njerëzit kanë një shpirt që mbijeton pas vdekjes. (Eklisiastiu 9:5, 10) Ka vende ku është zakon që vajzave të vogla t’u bëjnë gjymtimin gjenital femëror.b Kjo është një praktikë mizore dhe e panevojshme, e cila nuk është në harmoni me kujdesin e dashur që prindërit e krishterë duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4) Si t’i rezistojnë të krishterët ndikimit të opinionit të të tjerëve e të braktisin këto praktika? Duke pasur besim të plotë te Jehovai. (Psalmi 31:6) Perëndia i drejtë do t’u japë forcë e do të kujdeset për ata që i thonë me gjithë zemër: «Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.»—Psalmi 91:2; Proverbat 29:25.
Mos e harroni Jehovain
14. Cilin paralajmërim u dha Jehovai izraelitëve, pak para se të hynin në Tokën e Premtuar?
14 Pak kohë para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Jehovai i paralajmëroi të mos e harronin Atë. I tha popullit: «Ruhu se mos harron Jehovain, Perëndinë tënd, e nuk mban urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe ligjet e tij, që po të jap sot. Se mos ha e ngopesh, ndërton shtëpi të mira e banon në to, shton bagëtitë e imëta dhe të trasha, argjendin e arin dhe gjithçka që ke, e pastaj të krenohet zemra dhe e harron Jehovain, Perëndinë tënd.»—Ligji i përtërirë 8:11-14.
15. Si mund të sigurohemi se nuk po e harrojmë Jehovain?
15 A mund të ndodhë diçka e ngjashme edhe sot? Po, nëse nuk kemi në vend të parë gjërat e duhura. Gjithsesi, në qoftë se kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, adhurimi i pastër do të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën tonë. ‘Do të blejmë kohën e duhur’, siç na nxiti Pavli, dhe do të kemi ndjenjën e urgjencës në shërbimin që bëjmë. (Kolosianëve 4:5; 2 Timoteut 4:2) Por, nëse për ne ndjekja e mbledhjeve dhe shërbimi janë më pak të rëndësishëm se çlodhja ose gjetja e zbavitjeve të ndryshme, mund ta harrojmë Jehovain në kuptimin që ta konsiderojmë si dytësor në jetën tonë. Pavli tha se, në ditët e fundit, njerëzit do të ishin «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:4) Të krishterët e vërtetë e shqyrtojnë veten rregullisht, që të sigurohen se nuk janë ndikuar nga ky lloj mendimi.—2 Korintasve 13:5.
Ruhuni nga fryma e pavarësisë
16. Cilën frymë të gabuar shfaqi Eva dhe disa të krishterë në kohën e Pavlit?
16 Në Eden, Satanai pati sukses duke joshur Evën me anë të dëshirës së saj egoiste për pavarësi. Eva donte të vendoste vetë se çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar. (Zanafilla 3:1-6) Në shekullin e parë, disa në kongregacionin e krishterë kishin një frymë të ngjashme pavarësie. Mendonin se dinin më tepër se Pavli e, me qesëndi, ai i quajti apostuj tejet të shquar.—2 Korintasve 11:3-5; 1 Timoteut 6:3-5.
17. Ç’duhet të bëjmë për të mos zhvilluar frymën e pavarësisë?
17 Në botën e sotme, shumë njerëz janë «kokëkrisur, të krekosur» dhe disa të krishterë janë ndikuar nga kjo mënyrë të menduari. Madje disa janë bërë kundërshtarë të së vërtetës. (2 Timoteut 3:4; Filipianëve 3:18) Kur bëhet fjalë për adhurimin e pastër, është jetësore të kërkojmë drejtim nga Jehovai e të bashkëpunojmë me ‘skllavin e besueshëm e të matur’ dhe me pleqtë e kongregacionit. Kjo është një mënyrë për të kërkuar drejtësinë dhe na mbron që të mos zhvillojmë frymën e pavarësisë. (Mateu 24:45-47; Psalmi 25:9, 10; Isaia 30:21) Kongregacioni i të mirosurve është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». Jehovai e ka siguruar që të na mbrojë e të na drejtojë. (1 Timoteut 3:15) Pranimi i rolit thelbësor të kongregacionit, do të na ndihmojë ‘të mos bëjmë asgjë nga uni’, por me përulësi t’i nënshtrohemi vullnetit të drejtë të Jehovait.—Filipianëve 2:2-4; Proverbat 3:4-6.
Jini imitues të Jezuit
18. Në cilat mënyra nxitemi të imitojmë Jezuin?
18 Bibla thotë në mënyrë profetike për Jezuin: «Ti e do drejtësinë dhe e urren ligësinë.» (Psalmi 45:7; Hebrenjve 1:9) Sa mirë është të imitojmë këtë qëndrim të shkëlqyer! (1 Korintasve 11:1) Jezui jo vetëm që i njihte normat e drejta të Jehovait, por i donte ato. Kështu, kur e tundoi Satanai në shkretëtirë, Jezui nuk ngurroi fare, por me vendosmëri refuzoi të shmangej nga ‘shtegu i drejtësisë’.—Proverbat 8:20; Mateu 4:3-11.
19, 20. Cilat rezultate vijnë, kur kërkojmë drejtësinë?
19 Është e vërtetë se dëshirat e mbrapshta të mishit mund të jenë të forta. (Romakëve 7:19, 20) Por, nëse drejtësia është e shtrenjtë për ne, kjo do të na japë forcë që t’i kundërvihemi ligësisë. (Psalmi 119:165) Dashuria e thellë për drejtësinë do të na mbrojë, kur të gjendemi përballë së keqes. (Proverbat 4:4-6) Mos harroni se, sa herë që i dorëzohemi tundimit, i japim një fitore Satanait. A s’është më e mira t’i kundërvihemi atij dhe t’ia japim fitoren Jehovait?!—Proverbat 27:11; Jakovi 4:7, 8.
20 Ngaqë kërkojnë drejtësinë, të krishterët e vërtetë, ‘falë Jezu Krishtit, japin me bollëk fryt të drejtë, në lavdi dhe lëvdim të Perëndisë’. (Filipianëve 1:10, 11) Ata veshin «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë». (Efesianëve 4:24) I përkasin Jehovait dhe jetojnë për t’i shërbyer atij, jo për të kënaqur veten. (Romakëve 14:8; 1 Pjetrit 4:2) Kjo u drejton mendimet dhe veprimet. Sa shumë ia kënaqin zemrën Atit të tyre qiellor!—Proverbat 23:24.
[Shënimet]
a Prindërit mund të gjejnë sugjerime të dobishme se si ta mbrojnë familjen nga ndikimet imorale, në librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Gjymtimi gjenital femëror më parë quhej rrethprerja e femrave.
A mund të shpjegoni?
• Pse është thelbësore të kërkojmë drejtësinë?
• Si mund ta kërkojnë drejtësinë të krishterët, edhe pse janë të papërsosur?
• Cilat janë disa gjëra në botë që një i krishterë duhet t’i shmangë?
• Si jemi të mbrojtur kur kërkojmë drejtësinë?
[Figura në faqen 26]
Për ithtarët e Jezuit, bota ishte një vend i rrezikshëm
[Figura në faqen 27]
Kur fëmijëve u mësohet ta duan Jehovain, do të kenë forcën për t’i rezistuar imoralitetit
[Figura në faqen 28]
Disa izraelitë e harruan Jehovain pasi u begatuan në Tokën e Premtuar
[Figura në faqen 29]
Ashtu si Jezui, edhe të krishterët e urrejnë padrejtësinë