Të presim të lumtur Jehovain
A KENI ngrënë ndonjëherë një frutë të papjekur? Pa dyshim që mbetët të zhgënjyer nga shija e saj. Frutat duan kohë të piqen, por sigurisht që ia vlen të presësh. Ka edhe rrethana të tjera në të cilat ia vlen të presësh. Në Bibël thuhet: «Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin nga Jehovai.» (Vajtimet 3:26; Titit 2:13) Si duhet ta presin të krishterët Jehovain? Si mund të nxjerrim dobi duke e pritur atë?
Të presim Perëndinë: Çfarë do të thotë?
Si të krishterë, ‘e presim dhe e mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Presim çlirimin kur ai të sjellë ‘shkatërrimin e njerëzve të paperëndishëm’. (2 Pjetrit 3:7, 12) Vetë Jehovai dëshiron shumë t’i japë fund ligësisë, por po tregon vetëpërmbajtje, me qëllim që t’u sjellë shpëtimin të krishterëve në një mënyrë që do të lartësojë emrin e tij. Në Bibël thuhet: «Perëndia, edhe pse kishte vullnetin që ta shfaqte zemërimin e vet e ta bënte të njohur fuqinë e tij, i toleroi me shumë shpirtgjerësi enët e zemërimit, që ishin bërë të përshtatshme për shkatërrim, me qëllim që të bënte të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës.» (Romakëve 9:22, 23) Ashtu siç bëri në ditët e Noesë, edhe sot Jehovai e di kur është koha e duhur për ta shpëtuar popullin e tij. (1 Pjetrit 3:20) Prandaj, të presim Perëndinë do të thotë të presim kohën e tij kur do të veprojë.
Ndërsa presim ditën e Jehovait, ndonjëherë mund të trazohemi teksa shohim se normat morale të botës përreth nesh bien gjithnjë e më shumë. Në çaste të tilla, është mirë të shqyrtojmë fjalët e Mikesë, profetit të Perëndisë, i cili shkroi: «Besniku është zhdukur nga faqja e dheut dhe mes njerëzve nuk ka më asnjë të drejtë.» Më pas tha: «Por unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të rri në pritje të Perëndisë së shpëtimit tim.» (Mikea 7:2, 7) Çfarë do të thotë ‘të rrimë në pritje’? Meqë shpesh të presësh nuk është gjë e këndshme, si mund të gjejmë gëzim ndërsa presim Perëndinë?
Të presim të lumtur
Mund të mësojmë nga Jehovai se si të presim. Ai gjithnjë ka qenë ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Është i lumtur teksa pret, sepse vazhdon të punojë drejt përmbushjes së qëllimit të tij për t’i bërë të përsosur njerëzit që e duan, siç kishte ndër mend kur krijoi njerëzimin. (Romakëve 5:12; 6:23) Nga puna e tij, ai sheh rezultate të kënaqshme—miliona njerëz janë afruar tek adhurimi i vërtetë. Jezui tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17) Të bësh gjëra për të tjerët është thelbësore për të qenë i lumtur. (Veprat 20:35) Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e vërtetë nuk po presin duarkryq. Përkundrazi, vazhdojnë të punojnë që t’i ndihmojnë të tjerët të mësojnë cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit.
Njerëzit besnikë gjithnjë kanë qenë të kënaqur të lëvdonin Perëndinë ndërsa pritnin kohën kur do të vepronte. Të marrim si shembull psalmistin David. Atë e përndoqi mbreti i tij, e tradhtoi një shok i ngushtë dhe iu kthye kundër biri i vet. A mund të ishte i lumtur Davidi në secilën nga këto rrethana, ndërsa priste çlirimin në kohën e duhur të Jehovait? Në Psalmin 71, që me sa duket e shkroi Davidi, thuhet: «Unë do të pres vazhdimisht dhe do të të lavdëroj edhe më shumë. Me gojën time do të tregoj drejtësinë tënde, veprat e shpëtimit tënd gjithë ditën.» (Psalmi 71:14, 15) Në vend që të priste i pakënaqur, Davidi shprehu gëzim sepse ishte i zënë duke lëvduar Jehovain dhe duke i forcuar të tjerët në adhurimin e vërtetë.—Psalmi 71:23.
Të presim Jehovain nuk është diçka acaruese, si të presim një autobus që po vonohet. I ngjan më shumë pritjes së gëzueshme të prindërve teksa fëmija e tyre rritet dalëngadalë dhe bëhet një njeri për të cilin ndihen krenarë. Këto vite janë plot me aktivitete—stërvitje, mësimdhënie dhe disiplinë—dhe që të gjitha kanë si synim arritjen e rezultatit të dëshiruar. Në mënyrë të ngjashme, edhe ne që presim Jehovain gjejmë lumturi duke i ndihmuar njerëzit që t’i afrohen Atij. Edhe ne duam të fitojmë miratimin e Perëndisë, dhe së fundi shpëtimin.
Të mos i heqim shpresat
Të presim Jehovain do të thotë të vazhdojmë ta duam dhe t’i shërbejmë pa i hequr shpresat. Kjo mund të jetë e vështirë. Shumë shërbëtorë të Perëndisë sot jetojnë në shoqëri ku njerëzit tallen me këdo që bën një jetë të bazuar te besimi në premtimet e Perëndisë. Por shqyrtoni shembullin e izraelitëve besnikë që e mbajtën gjallë shpresën gjatë mërgimit 70-vjeçar në Babiloni. Çfarë i ndihmoi të bënin kështu? Pa dyshim, leximi i psalmeve i forcoi. Një psalm inkurajues që mund të jetë shkruar në atë kohë thotë: «Fjalën tënde pres. Shpirti im pret Jehovain më shumë se roja mëngjesin, po, më shumë se roja që pret syçelë mëngjesin. Le të presë Izraeli Jehovain.»—Psalmi 130:5-7.
Judenjtë që e mbajtën gjallë shpresën duke lexuar dhe duke folur për të, u shpërblyen kur së fundi Babilonia ra në duart e pushtuesve. Mijëra judenj besnikë u nisën menjëherë për në Jerusalem. Në lidhje me atë kohë është shkruar: «Kur Jehovai i ktheu të robëruarit e Sionit, . . . goja jonë u mbush me gaz.» (Psalmi 126:1, 2) Ata judenj nuk hoqën dorë, por vazhduan ta ushqenin besimin dhe kurrë nuk reshtën së kënduari lavde për Jehovain.
Në të njëjtën mënyrë, të krishterët e vërtetë që presin Perëndinë gjatë «përfundimit të sistemit», përpiqen gjithnjë ta mbajnë gjallë besimin. Ata studiojnë Fjalën e Perëndisë, nxitin njëri-tjetrin dhe vazhdojnë ta lëvdojnë Jehovain duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e tij.—Mateu 24:3, 14.
Të presim që të nxjerrim dobi nga disiplina
Jeremia, profeti i Perëndisë, shkroi: «Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin nga Jehovai.» (Vajtimet 3:26) Jeremia donte të thoshte se do të ishte mirë që populli i Perëndisë të mos ankohej për mënyrën se si i kishte disiplinuar Jehovai kur kishte lejuar që të shkatërrohej Jerusalemi. Përkundrazi, duhej të nxirrnin dobi nga ajo përvojë duke menduar për mosbindjen e tyre dhe për nevojën që të ndryshonin qëndrim.—Vajtimet 3:40, 42.
Mënyra se si na sjell dobi disiplina e Jehovait mund të krahasohet me mënyrën si piqet një frutë. Për disiplinën nga Perëndia, Bibla thotë: «U jep fryt paqeje, domethënë drejtësi, atyre që janë stërvitur nga ajo.» (Hebrenjve 12:11) Ashtu si një frutë do kohë që të piqet, po kështu duhet kohë që të ndryshojmë qëndrimet tona në përgjigje të stërvitjes që na jep Perëndia. Për shembull, nëse për shkak të një sjelljeje të gabuar humbim ndonjë privilegj në kongregacion, gatishmëria për të pritur Perëndinë nuk do të na lejojë të shkurajohemi e të dorëzohemi. Në rrethana të tilla, janë inkurajuese fjalët e frymëzuara të Davidit: «Zemërimi i [Perëndisë] zgjat vetëm një çast, kurse pëlqimi i tij zgjat për tërë jetën. Nata mund të kalojë duke qarë, por mëngjesi vjen me britma gëzimi.» (Psalmi 30:5) Nëse mësojmë të rrimë në pritje dhe të zbatojmë këshillat që marrim nga Fjala e Perëndisë e nga organizata e tij, do të vijë edhe për ne koha për të lëshuar «britma gëzimi».
Duhet kohë për të arritur pjekurinë
Në qoftë se je i ri në moshë ose i sapopagëzuar, ndoshta dëshiron shumë të kesh ndonjë përgjegjësi në kongregacionin e krishterë. Por duhet kohë për të arritur pjekurinë frymore që nevojitet për të mbajtur këto përgjegjësi. Prandaj, përfito nga vitet e para që të rritesh frymësisht. Për shembull, rinia është një periudhë e mirë për të lexuar të gjithë Biblën, për të zhvilluar cilësitë e krishtere dhe për të mësuar aftësinë për të bërë dishepuj. (Eklisiastiu 12:1) Në rast se rri në pritje me përulësi, do të vijë koha kur Jehovai do të të japë më shumë përgjegjësi.
Edhe të bësh dishepuj kërkon durim. Ashtu si bujku duhet të vazhdojë të ujitë derisa Perëndia ta bëjë farën të rritet, po kështu është edhe me veprën e bërjes së dishepujve. (1 Korintasve 3:7; Jakovi 5:7) Duhen muaj ose edhe vite studimi biblik me durim, që të zhvillojmë në zemrat e njerëzve besim dhe çmueshmëri për Jehovain. Të presim Jehovain do të thotë të ngulmojmë, edhe sikur në fillim studentët të mos reagojnë ndaj gjërave që mësojnë. Në qoftë se tregojnë të paktën njëfarë mirënjohjeje, kjo mund të jetë një shenjë se po reagojnë ndaj frymës së Jehovait. Me durim mund të provoni gëzimin që të shihni se si Jehovai e bën studentin tuaj të rritet e të bëhet dishepull i Krishtit.—Mateu 28:20.
Ta shprehim dashurinë duke pritur
Një shembull se si pritja mund të jetë shprehje e dashurisë dhe e besimit, është rasti i një Dëshmitareje të moshuar që jeton në një rajon të shkretë të Andeve, në Amerikën Jugore. Ajo dhe një Dëshmitare tjetër janë të vetmet Dëshmitare të Jehovait në fshatin e tyre. A mund ta përfytyroni se sa me dëshirë e presin vizitën e të bashkëkrishterëve? Një herë, një mbikëqyrës udhëtues ishte nisur t’i vizitonte ato për herë të parë, por humbi rrugën. Iu desh të kthehej mbrapsht që ta gjente prapë rrugën, prandaj u vonua disa orë. Mesnata kishte kaluar prej kohësh kur, më në fund, nga larg i zunë sytë fshatin. Meqë në atë zonë nuk kishte energji elektrike, ai u habit kur pa një dritë. Sa i lumtur ishte kur më në fund mbërriti në hyrje të fshatit dhe pa se ajo dritë vinte nga një llambë me vaj që po e mbante në dorë motra e moshuar! Ajo ishte e sigurt se ai do të vinte, prandaj po e priste.
Ne e presim të lumtur Jehovain, me të njëjtin durim si ajo motër e moshuar. Jemi të sigurt se ai do t’i mbajë premtimet. E, ashtu si mbikëqyrësi udhëtues, i çmojmë ata që na presin neve me dashuri. Nuk habitemi, pra, që Perëndia i çmon ata që e presin. Në Bibël thuhet: «Jehovait i pëlqejnë . . . ata që presin dashamirësinë e tij.»—Psalmi 147:11.
[Figura në faqen 18]
Njerëzit që janë të zënë duke lëvduar Jehovain, gjejnë gëzim duke e pritur atë