Të harlisur frymësisht, edhe pse flokëzbardhur
«Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jehovait, . . . do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur.»—PSALMI 92:13, 14.
1, 2. (a) Si përshkruhet shpeshherë pleqëria? (b) Ç’premtojnë Shkrimet për sa u përket pasojave të mëkatit të trashëguar nga Adami?
ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën pleqëri? Rrudhat? Dëgjimi i dobët? Gjymtyrët që dridhen? Apo ndonjë shenjë tjetër e ‘ditëve të kobshme’ që përshkruhen me hollësi tek Eklisiastiu 12:1-7? Nëse po, është e rëndësishme të mbajmë në mendje se përshkrimi që gjejmë në kapitullin e 12-të të Eklisiastiut e paraqet moshën e shkuar jo si diçka që e projektoi fillimisht Krijuesi, Perëndia Jehova, por si pasojë e mëkatit adamik mbi trupin njerëzor.—Romakëve 5:12.
2 Të arrish një moshë të madhe, në vetvete nuk është një mallkim, sepse vazhdimi i jetës nënkupton që vitet kalojnë. Në fakt, rritja dhe pjekuria janë tipare të dëshirueshme te të gjitha krijesat e gjalla. Gjithashtu, dëmet që shohim kudo, të shkaktuara nga gjashtë mijë vjet mëkat e papërsosmëri, shumë shpejt do t’i përkasin së kaluarës dhe të gjithë njerëzit e bindur do të gëzojnë jetën siç e kishte menduar Perëndia në fillim, pa dhembjet e plakjes dhe të vdekjes. (Zanafilla 1:28; Zbulesa 21:4, 5) Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Të moshuarve do t’u rikthehet ‘gjallëria e rinisë’ dhe mishi do t’u bëhet «më i freskët se në rini». (Jobi 33:25) Por, tani për tani, të gjithë duhet të luftojnë me gjendjen mëkatare që trashëguan nga Adami. E megjithatë, shërbëtorët e Jehovait janë bekuar në mënyra të veçanta ndërsa kalojnë në moshë të shkuar.
3. Në cilat kuptime të krishterët mund të vazhdojnë ‘të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur’?
3 Fjala e Perëndisë na siguron se «ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jehovait, . . . do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur». (Psalmi 92:13, 14) Me një gjuhë figurative, psalmisti shprehu të vërtetën themelore se shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të vazhdojnë të përparojnë, të lulëzojnë dhe të begatohen frymësisht, edhe nëse fizikisht fillojnë të bien. Këtë e vërtetojnë shumë shembuj biblikë e të sotëm.
«Nuk mungonte kurrë»
4. Si e tregoi profetesha e moshuar Ana përkushtimin e saj ndaj Perëndisë dhe si u shpërblye?
4 Të shohim shembullin e profeteshës Ana. Ajo ishte 84 vjeçe, por «nuk mungonte kurrë në tempull dhe bënte shërbim të shenjtë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime». I ati i Anës ishte «nga fisi i Asherit», pra nuk ishte levit, kështu që Ana s’mund të banonte në kuptim të mirëfilltë në tempull. Mendoni ç’do t’i jetë dashur për të qenë e pranishme çdo ditë në tempull, që kur bëhej flijimi i mëngjesit e deri në flijimin e mbrëmjes! Megjithatë, Ana u shpërblye shumë për përkushtimin e saj. Pati privilegjin të ishte e pranishme kur Jozefi dhe Maria sollën foshnjën Jezu në tempull për t’ia paraqitur Jehovait sipas Ligjit. Kur pa Jezuin, Ana «nisi të falënderonte Perëndinë e t’u fliste për fëmijën të gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit».—Luka 2:22-24, 36-38; Numrat 18:6, 7.
5, 6. Si po shfaqin një frymë si të Anës shumë të moshuar sot?
5 Sot, shumë të moshuar që kemi mes nesh janë si Ana, sepse vijnë rregullisht në mbledhje, bëjnë përgjërime që adhurimi i vërtetë të ecë përpara dhe kanë një dëshirë të zjarrtë për të predikuar lajmin e mirë. Një vëlla në të 80-at, i cili i ndjek rregullisht mbledhjet bashkë me të shoqen, tha: «E kemi bërë zakon të shkojmë në mbledhje. Nuk duam të jemi asgjëkundi tjetër. Duam të jemi atje ku është populli i Perëndisë. Aty ndihemi rehat.» Sa shembull inkurajues për të gjithë!—Hebrenjve 10:24, 25.
6 «Nëse më del një rast që ka të bëjë me adhurimin e vërtetë dhe mund të marr pjesë në të, dua të shkoj.» Kjo është motoja e Xhinit, një e ve e krishterë në të 80-at. «Natyrisht, kam edhe unë çaste kur jam e trishtuar,—vazhdon ajo,—por pse duhet të jetë i trishtuar edhe kushdo që më rrethon, në ato çaste?» Me sy tërë shkëlqim, ajo tregoi sa e gëzuar ishte që kishte vizituar vende të tjera për të marrë pjesë në disa raste ndërtuese frymore. Në një udhëtim që bëri kohët e fundit, u tha shokëve të udhëtimit: «Nuk dua të shoh më kështjella, dua të dal në shërbim!» Edhe pse nuk e dinte gjuhën e atij vendi, Xhini arriti t’u ngjallte interes njerëzve për mesazhin e Biblës. Veç kësaj, për disa vjet ajo shërbeu në një kongregacion që kishte nevojë për ndihmë, edhe pse iu desh të mësonte një gjuhë tjetër dhe të udhëtonte dy orë vajtje-ardhje për në mbledhje.
E mbajnë mendjen aktive
7. Si shprehu Moisiu në moshë të shkuar dëshirën për të forcuar marrëdhënien e tij me Perëndinë?
7 Përvoja e jetës vjen me kalimin e kohës. (Jobi 12:12) Kurse përparimi frymor nuk vjen vetvetiu me moshën. Prandaj, në vend që të mbështeten vetëm te ajo njohuri që kanë grumbulluar në të kaluarën, shërbëtorët besnikë të Perëndisë përpiqen ‘ta shtojnë diturinë’ me kalimin e viteve. (Proverbat 9:9) Kur e caktoi Jehovai në detyrë, Moisiu ishte 80 vjeç. (Dalja 7:7) Në kohën e tij, me sa duket konsiderohej e pazakontë të jetoje deri në atë moshë, pasi ai shkroi: «Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë.» (Psalmi 90:10) Gjithsesi, Moisiu nuk mendoi kurrë se ishte tepër i moshuar për të mësuar. Pasi i kishte shërbyer Perëndisë për disa dhjetëvjeçarë dhe kishte pasur shumë privilegje e përgjegjësi të mëdha, Moisiu iu lut Jehovait: «Të lutem, . . . bëmë të njoh udhët e tua, që të të njoh.» (Dalja 33:13) Moisiu e kishte gjithnjë dëshirën për të forcuar marrëdhënien e tij me Jehovain.
8. Si e mbante mendjen aktive Danieli edhe kur ishte në të 90-at, e me cilat rezultate?
8 Edhe pse mund të ishte në të 90-at, profetin Daniel e gjeje duke shqyrtuar shkrimet e shenjta. Gjërat që ai dalloi nga studimi i «librave», ndoshta i Levitikut, Isaisë, Jeremisë, Hozesë dhe Amosit, e shtynë të kërkonte Jehovain në lutje të zjarrtë. (Danieli 9:1, 2) Në përgjigje të asaj lutjeje, atij iu dhanë informacione të frymëzuara për ardhjen e Mesisë dhe për të ardhmen e adhurimit të pastër.—Danieli 9:20-27.
9, 10. Çfarë kanë bërë disa për ta mbajtur mendjen aktive?
9 Ashtu si Moisiu e Danieli, ne mund të përpiqemi ta mbajmë mendjen aktive duke u përqendruar te gjërat frymore për aq kohë sa të mundemi. Shumë veta po bëjnë pikërisht kështu. Uorthi, një plak kongregacioni në të 80-at, përpiqet të jetë i përditësuar me ushqimin frymor që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Ai thotë: «Kam rënë kokë e këmbë në dashuri me të vërtetën dhe më bëhet zemra mal kur shoh dritën e së vërtetës që ndriçon gjithnjë e më shumë.» (Proverbat 4:18) Po kështu, Fredit, i cili ka kaluar më shumë se 60 vjet në shërbim të plotkohor, i duket motivuese nga pikëpamja frymore të fillojë biseda biblike me bashkëbesimtarët. Ai thotë: «Më duhet ta mbaj të gjallë në mendje Biblën. Nëse arrin ta bësh Biblën të jetojë, pra t’i japësh kuptim, e nëse arrin ta harmonizosh atë që mëson me ‘modelin e fjalëve të shëndosha’, atëherë nuk ke thjesht copëza informacioni. Mund të shohësh se si çdonjëri prej tyre shkëlqen në vendin e vet.»—2 Timoteut 1:13.
10 Edhe në moshë të shkuar, nuk është e thënë që njerëzit nuk mësojnë dot më koncepte të reja e të vështira. Njerëz në moshën 60, 70 e madje edhe 80-vjeçare kanë kapërcyer analfabetizmin ose kanë mësuar një gjuhë të huaj. Edhe disa Dëshmitarë të Jehovait kanë mësuar një gjuhë të huaj, që t’u japin lajmin e mirë njerëzve të kombësive të ndryshme. (Marku 13:10) Herri dhe gruaja e tij ishin afër të 70-ave kur vendosën të ndihmonin në fushën portugeze. Herri thotë: «Të jemi të sinqertë, çfarëdo projekti bëhet më i vështirë me kalimin e moshës.» Gjithsesi, me përpjekje dhe këmbëngulje, arritën të drejtonin studime biblike në gjuhën portugeze. Tani ka shumë vjet që Herri mban edhe fjalime nëpër kongrese krahinore në këtë gjuhë të re që ka mësuar.
11. Pse duhet të shqyrtojmë se ç’kanë arritur disa të moshuar besnikë?
11 Natyrisht, jo të gjithë kanë shëndetin ose kushtet e duhura për të marrë përsipër sfida të tilla. Po atëherë, pse duhet të shqyrtojmë ç’kanë arritur disa të moshuar? Sigurisht jo për të sugjeruar që të gjithë duhet të përpiqen të arrijnë të njëjtat gjëra. Përkundrazi, ky shqyrtim bëhet në frymën e fjalëve që apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrenj lidhur me pleqtë besnikë të kongregacionit: «Ndërsa shqyrtoni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.» (Hebrenjve 13:7) Kur shqyrtojmë me kujdes shembuj të tillë të zellshëm, nxitemi të imitojmë besimin e fortë që i shtyn këta të moshuar t’i shërbejnë Perëndisë. Herri, që tani është 87 vjeç, shpjegon se çfarë e motivon: «Do të doja t’i përdorja me mençuri vitet që më mbeten dhe të isha sa më i dobishëm në shërbim të Jehovait.» Fredi, që e përmendëm më parë, gjen shumë kënaqësi duke plotësuar caktimin e tij në Bethel. Ai thotë: «Duhet të gjesh se si mund t’i shërbesh sa më mirë Jehovait dhe të ndjekësh atë rrugë.»
Të përkushtuar pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave
12, 13. Si shfaqi përkushtim hyjnor Barzilai, edhe pse i kishin ndryshuar rrethanat?
12 Përshtatja me ndryshimet fizike dhe pranimi i tyre mund të jetë i vështirë. Gjithsesi, mund të shfaqim përkushtim hyjnor pavarësisht nga këto ndryshime. Galaditi Barzilai është një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim. Në moshën 80-vjeçare, ai i tregoi mikpritje të jashtëzakonshme Davidit dhe ushtrisë e tij, duke u siguruar ushqim e strehim gjatë rebelimit të Absalomit. Kur Davidi po kthehej në Jerusalem, Barzilai e përcolli deri në lumin Jordan. Davidi i propozoi Barzilait të bëhej oborrtari i tij në oborrin mbretëror. Si u përgjigj ai? «Sot jam tetëdhjetë vjeç. . . . A mund ta shijojë shërbëtori yt atë që ha dhe pi? A mund ta dëgjoj ende zërin e këngëtarëve e të këngëtareve? . . . Ja ku është shërbëtori yt, Kimhami. Le të kalojë ai me zotërinë tim, mbretin, dhe bëj me të si të të duket më mirë.»—2 Samuelit 17:27-29; 19:31-40.
13 Megjithëse i kishin ndryshuar rrethanat, Barzilai bëri ç’mundi për të mbështetur mbretin e emëruar nga Jehovai. Edhe pse e pranoi që shqisat e tij të shijes e të dëgjimit nuk ishin më si më parë, ai nuk ishte i hidhëruar. Përkundrazi, pa asnjë fije egoizmi, Barzilai sugjeroi që, dobitë që iu propozuan, t’i merrte Kimhami, duke treguar kështu se ç’lloj njeriu ishte në zemër. Ashtu si Barzilai, shumë të moshuar sot shfaqin frymën e altruizmit e të bujarisë. Bëjnë ç’munden për të mbështetur adhurimin e vërtetë, duke ditur se «Perëndia kënaqet me flijime të tilla». Ç’bekim është të kemi mes nesh të moshuar besnikë!—Hebrenjve 13:16.
14. Si i bën më domethënëse fjalët e Psalmit 37:23-25 mosha e shkuar e Davidit?
14 Edhe rrethanat e Davidit ndryshuan shumë herë gjatë viteve, por ai mbeti i bindur se kujdesi i Jehovait për shërbëtorët e tij besnikë nuk ndryshon kurrë. Aty nga fundi i jetës së tij, Davidi kompozoi këngën që sot njihet si Psalmi 37. Përfytyroni Davidin tek rri i menduar dhe, nën melodinë e harpës, këndon këto fjalë: «Jehovai i bën të sigurt hapat e njeriut, dhe gjen kënaqësi në udhën që ndjek ai. Edhe nëse bie, ai nuk do të shembet përtokë, sepse Jehovai e mban për dore. Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psalmi 37:23-25) Jehovait iu duk e përshtatshme që në këtë psalm të frymëzuar të përfshinte një referim për moshën e Davidit. Sa shumë ndjenjë u shton kjo atyre fjalëve të përzemërta!
15. Si la një shembull të shkëlqyer besnikërie apostulli Gjon, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave dhe nga mosha e shkuar?
15 Apostulli Gjon është një shembull tjetër i shkëlqyer besnikërie, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave dhe nga mosha e shkuar. Pasi i kishte shërbyer Perëndisë për afro 70 vjet, Gjonin e syrgjynosën në ishullin e Patmosit «ngaqë [kishte] folur për Perëndinë dhe [kishte] dhënë dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 1:9) Por puna e tij ende s’kishte mbaruar. Në fakt, të gjitha pjesët e Biblës që u shkruan nga Gjoni, i përkasin viteve të fundit të jetës së tij. Kur ishte në Patmos, atij iu dha vegimi mahnitës i Zbulesës, të cilin pastaj me kujdes e hodhi me shkrim. (Zbulesa 1:1, 2) Në përgjithësi mendohet se Gjoni u lirua nga syrgjynosja gjatë mbretërimit të perandorit romak Nerva. Pas kësaj, aty nga viti 98 i e.s., kur ishte me siguri 90 a 100 vjeç, Gjoni shkroi Ungjillin dhe tri letrat që mbajnë emrin e tij.
Shembuj qëndrueshmërie që s’veniten
16. Si mund ta tregojnë përkushtimin ndaj Jehovait ata individë që u është dëmtuar aftësia për të komunikuar?
16 Kufizimet mund të vijnë në forma të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme. Disave, për shembull, u është dëmtuar edhe aftësia për të komunikuar. Megjithatë, kanë ende kujtime të bukura të dashurisë dhe të dashamirësisë të pamerituar të Perëndisë. Edhe pse s’mund të thonë shumë me gojë, me zemër ata i thonë Jehovait: «Sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.» (Psalmi 119:97) Jehovai, nga ana e tij, e di se cilët «mendojnë thellë për emrin e tij» dhe e kupton se sa ndryshojnë nga shumica dërrmuese e njerëzimit, që nuk tregon asnjë interes për udhët e tij. (Malakia 3:16; Psalmi 10:4) Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai kënaqet edhe me meditimin e zemrës sonë!—1 Kronikave 28:9; Psalmi 19:14.
17. Çfarë gjëje vërtet të pashoqe kanë ndërtuar ata që i kanë shërbyer për shumë kohë Jehovait?
17 Nuk duhet harruar se ata që i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për dhjetëvjeçarë të tërë, kanë ndërtuar diçka vërtet të pashoqe, që nuk ndërtohet dot në asnjë mënyrë tjetër—një shembull qëndrueshmërie që s’venitet. Jezui tha: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.» (Luka 21:19) Qëndrueshmëria është thelbësore për të fituar jetën e përhershme. Ju që «keni bërë vullnetin e Perëndisë» dhe e keni treguar besnikërinë tuaj me jetën që keni bërë, mund të pritni të sigurt që të merrni «përmbushjen e premtimit».—Hebrenjve 10:36.
18. (a) Për çfarë kënaqet Jehovai lidhur me të moshuarit? (b) Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
18 Jehovai e vlerëson shërbimin që i bëni me gjithë shpirt, sado që mund të bëni. Pavarësisht se ç’ndodh me kalimin e moshës me ‘njeriun e jashtëm’, «njeriu i brendshëm» mund të ripërtërihet nga dita në ditë. (2 Korintasve 4:16) S’ka asnjë dyshim se Jehovai e vlerëson atë që keni bërë në të kaluarën, por është më se e qartë se ai vlerëson edhe atë që po bëni tani për emrin e tij. (Hebrenjve 6:10) Në artikullin vijues do të shqyrtojmë sa shumë ndikon te të tjerët kjo besnikëri.
Si do të përgjigjeni?
• Çfarë shembulli të shkëlqyer la Ana për të krishterët e moshuar sot?
• Pse mosha nuk është medoemos një faktor kufizues lidhur me atë që mund të bëjë një njeri?
• Si mund të vazhdojnë ta tregojnë përkushtimin hyjnor të moshuarit?
• Si e konsideron Jehovai shërbimin që i bëjnë atij të moshuarit?
[Figura në faqen 23]
Danieli i moshuar dalloi me anë të «librave» sa do të zgjaste mërgimi i Judës
[Figurat në faqen 25]
Shumë të moshuar janë shembullorë sepse ndjekin rregullisht mbledhjet, predikojnë me zell dhe janë të etur për të mësuar