Të ruajmë miqësitë në një botë pa dashuri
«Këto gjëra po ju urdhëroj, pra që ta doni njëri-tjetrin.»—GJONI 15:17.
1. Pse të krishterët e shekullit të parë duhej të mbeteshin miq të ngushtë?
NATËN e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui i nxiti dishepujt besnikë të mbeteshin miq me njëri-tjetrin. Pak më herët, po atë mbrëmje, ai tha se dashuria që do të shfaqnin për njëri-tjetrin do t’i identifikonte si dishepuj të tij. (Gjoni 13:35) Apostujt duhej të mbeteshin miq të ngushtë, që t’u bënin ballë sprovave që do të hasnin dhe të kryenin veprën që do t’u caktonte pas pak Jezui. Në të vërtetë, të krishterët e shekullit të parë u bënë të njohur për përkushtimin e tyre të pathyeshëm ndaj Perëndisë dhe njëri-tjetrit.
2. (a) Çfarë jemi të vendosur të bëjmë, dhe përse? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Ç’kënaqësi është sot të shoqërohemi me një organizatë mbarëbotërore, anëtarët e së cilës ndjekin modelin që lanë ata të krishterë të shekullit të parë! Jemi të vendosur t’i bindemi urdhrit të Jezuit që të shfaqim dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve të fundit, njerëzit në përgjithësi janë të pabesë dhe nuk tregojnë përzemërsi të natyrshme. (2 Tim. 3:1-3) Miqësitë që lidhin, shpesh janë të cekëta dhe për arsye egoiste. Që të ruajmë identitetin tonë si të krishterë të vërtetë, duhet të bëjmë çmos që të mos ndikohemi nga këto qëndrime. Pra, le të shqyrtojmë sa vijon: cili është themeli i miqësive të mira? Si të bëjmë miq të mirë? Kur mund të lindë nevoja që t’i japim fund një miqësie? Si të mbajmë miqësi ndërtuese?
Cili është themeli i miqësive të mira?
3, 4. Cili është themeli i miqësive më të forta, dhe përse?
3 Miqësitë më të forta e kanë themelin te dashuria për Jehovain. Mbreti Solomon shkroi: «Nëse dikush mund të mposhtë një të vetëm, dy së bashku mund t’i bëjnë ballë. Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh.» (Ekl. 4:12) Nëse Jehovai është litari i tretë në një miqësi, ajo do t’i qëndrojë kohës.
4 Është e vërtetë se edhe ata që nuk e duan Jehovain mund të lidhin miqësi të kënaqshme. Po kur njerëzit i afron dashuria reciproke për Perëndinë, miqësia e tyre do të jetë e patundur. Nëse lindin keqkuptime, miqtë e vërtetë e trajtojnë njëri-tjetrin në atë mënyrë që i pëlqen Jehovait. Nëse kundërshtarët e Perëndisë përpiqen të shkaktojnë përçarje, zbulojnë se miqësitë mes të krishterëve të vërtetë janë të pathyeshme. Gjatë gjithë historisë, shërbëtorët e Jehovait kanë treguar se janë gati që më mirë të vdesin, sesa të tradhtojnë njëri-tjetrin.—Lexo 1 Gjonit 3:16.
5. Pse ishte kaq e qëndrueshme miqësia mes Ruthës dhe Naomit?
5 Pa dyshim, miqësitë më të kënaqshme që mund të kemi, janë ato me njerëzit që duan Jehovain. Shqyrtoni shembullin e Ruthës dhe Naomit. Këto gra lidhën një miqësi që është ndër më të bukurat të dokumentuara në Bibël. Pse ishte kaq e qëndrueshme miqësia e tyre? Arsyen e zbuloi Rutha kur i tha Naomit: «Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im. . . . Kështu ma bëftë Jehovai, madje edhe më keq, nëse nga ti më ndan gjë tjetër veç vdekjes!» (Rutha 1:16, 17) Është e qartë se Rutha dhe Naomi kishin të përbashkët dashurinë e thellë për Perëndinë dhe lejuan që kjo dashuri të ndikonte në mënyrën si trajtonin njëra-tjetrën. Si rezultat, të dyja u bekuan nga Jehovai.
Si të bëjmë miq të mirë?
6-8. (a) Si lindin miqësitë e qëndrueshme? (b) Si mund të merrni iniciativën për të bërë miq?
6 Shembulli i Ruthës dhe Naomit tregon se miqësitë e mira nuk lindin rastësisht. Themeli është dashuria e përbashkët për Jehovain. Por miqësitë e qëndrueshme duan punë të palodhur dhe vetëmohim. Edhe vëllezërit e motrat e një gjaku që adhurojnë Jehovain në familje të krishtere, duhet të punojnë për të qenë miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Si mund të bëni miq të mirë?
7 Merrni iniciativën. Apostulli Pavël i nxiti miqtë e tij në kongregacionin e Romës ‘të ndiqnin udhën e mikpritjes’. (Rom. 12:13) Të ndjekësh një udhë të mirëfilltë do të thotë të bësh një sërë hapash njërin pas tjetrit. Po kështu, të jesh mikpritës përfshin të bësh rregullisht një sërë veprimesh të vogla. Askush tjetër nuk mund të ecë në udhën e mikpritjes për ty. (Lexo Proverbat 3:27.) Një mënyrë si mund të jeni mikpritës është duke ftuar individë të ndryshëm nga kongregacioni për të ngrënë diçka të thjeshtë. A mund ta bëni pjesë të rregullt të rutinës suaj t’u tregoni mikpritje pjesëtarëve të kongregacionit?
8 Një mënyrë tjetër se si mund të merrni iniciativën për të bërë miq, është duke ftuar individë të ndryshëm që të dilni bashkë në shërbim. Kur jeni te dera e një të panjohuri dhe dëgjoni vëllanë a motrën të flasë nga zemra për dashurinë për Jehovain, do të ndiheni se s’bën më afër me të.
9, 10. Çfarë shembulli la Pavli dhe si mund ta imitojmë?
9 Zgjerohuni në përzemërsi. (Lexo 2 Korintasve 6:12, 13.) A ju është dukur ndonjëherë se në kongregacionin tuaj nuk ka asnjë me të cilin të zini miqësi? Nëse po, mos ndoshta po e kufizoni pikëpamjen tuaj se kë mund të keni mik? Apostulli Pavël la një shembull të mirë duke u zgjeruar në përzemërsi. Dikur ai s’do ta kishte menduar kurrë të lidhte miqësi të ngushta me johebrenj. E megjithatë, u bë «apostull i kombeve».—Rom. 11:13.
10 Veç kësaj, Pavli nuk i kufizoi miqësitë vetëm me ata të grup-moshës së tij. Për shembull, ai dhe Timoteu u bënë miq të ngushtë pavarësisht nga mosha dhe prejardhja e ndryshme. Edhe sot, shumë të rinj i vlerësojnë miqësitë që kanë lidhur me pjesëtarë më të mëdhenj të kongregacionit. Vanesa, që është në të 20-at, thotë: «Kam një shoqe shumë të ngushtë që është rreth 50 vjeçe. Asaj mund t’i them çdo gjë që u them edhe shoqeve të moshës sime. Më ka shumë për zemër.» Si formohen miqësi të tilla? Vanesa thotë: «Duhej ta kërkoja këtë miqësi e jo thjesht të prisja të vinte tek unë.» A jeni edhe ju të gatshëm të lidhni miqësi me ata që s’janë të moshës suaj? Jehovai do t’jua shpërblejë patjetër përpjekjet.
11. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jonatanit dhe Davidit?
11 Jini besnikë. «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira»,—shkroi Solomoni. (Prov. 17:17) Ndërsa shkruante këto fjalë, ai mund të ketë pasur ndër mend miqësinë që kishte i ati, Davidi, me Jonatanin. (1 Sam. 18:1) Mbreti Saul donte që i biri, Jonatani, të trashëgonte fronin e Izraelit. Por Jonatani e pranoi se Jehovai kishte zgjedhur Davidin për këtë privilegj. Ndryshe nga Sauli, Jonatani nuk u bë ziliqar për Davidin. Nuk u mërzit që Davidi mori lavdi dhe as e besoi shpifjen që përhapi Sauli për Davidin. (1 Sam. 20:24-34) A jemi si Jonatani? A gëzohemi kur miqtë tanë marrin privilegje? A i ngushëllojmë e i mbështetim kur hasin vështirësi? A u besojmë kollaj thashethemeve që mund të dëgjojmë për një mikun tonë? Apo e mbrojmë me besnikëri, siç bëri Jonatani?
Kur i duhet dhënë fund një miqësie
12-14. Cilën vështirësi hasin disa studentë biblikë e si mund t’i ndihmojmë?
12 Një student biblik që nis të ndryshojë mënyrën e jetesës, mund të hasë vërtet vështirësi për sa u përket miqësive. Mund të ketë miq, shoqëria e të cilëve i pëlqen, por që nuk jetojnë sipas normave morale të Biblës. Në të kaluarën, ndoshta e kishte zakon të kalonte kohë në shoqërinë e tyre. Por tani e kupton se veprimtaritë e tyre mund të ndikojnë për keq tek ai dhe e ndien nevojën ta kufizojë shoqërinë me ta. (1 Kor. 15:33) Gjithsesi, mund të mendojë se, po të mos shoqërohet me ta, po i tradhton.
13 Nëse je një student biblik dhe po has këtë vështirësi, mos harro se një mik i vërtetë do të jetë i lumtur që po përpiqesh të përmirësosh jetën. Madje ai ose ajo mund të dojë të bashkohet me ty e të mësojë për Jehovain. Në anën tjetër, miqtë e rremë ‘do të të shajnë’ ngaqë nuk vrapon më me ta «drejt të njëjtit batak shfrenimi». (1 Pjet. 4:3, 4) Në këtë rast, janë këta miq që po të tradhtojnë, dhe jo anasjelltas.
14 Kur studentët biblikë mbeten pa miq, sepse ata të mëparshmit që nuk e duan Perëndinë i kanë braktisur, boshllëkun mund ta mbushin pjesëtarët e kongregacionit. (Gal. 6:10) A i njihni personalisht ata që po ndjekin mbledhjet e që po studiojnë Biblën? A keni mundësi hera-herës të shoqëroheni me ta e t’i inkurajoni?
15, 16. (a) Si duhet të reagojmë nëse një miku ynë nuk i shërben më Jehovait? (b) Si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë?
15 Po sikur një shok a shoqe në kongregacion të vendosë të largohet nga Jehovai e ndoshta të jetë e nevojshme të përjashtohet? Kjo situatë mund të jetë shumë pikëlluese. Ja si e përshkruan një motër reagimin që pati kur shoqja e saj e ngushtë e la shërbimin ndaj Jehovait: «M’u duk sikur diçka brenda meje vdiq. Mendoja se shoqja ime ishte e rrënjosur fort në të vërtetën, por ja që nuk ishte. Pyesja veten mos i kishte shërbyer Jehovait vetëm sa për t’i bërë qejfin familjes. Pastaj nisa të rishqyrtoja motivet e mia. A po i shërbeja unë Jehovait me motivet e duhura?» Si e përballoi situatën kjo motër? Ajo thotë: «Ia hodha barrën Jehovait. Jam e vendosur t’i tregoj Atij se e dua për atë që është, jo vetëm sepse më jep miq në organizatën e tij.»
16 S’mund të presim të mbetemi miq me Perëndinë, nëse marrim anën e atyre që zgjedhin të jenë miq me botën. Dishepulli Jakov shkroi: «A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Jak. 4:4) E tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke pasur besim se do të na ndihmojë ta përballojmë humbjen e një miku, po t’i qëndrojmë besnikë Atij. (Lexo Psalmin 18:25.) Motra e përmendur më lart e përmbledh kështu çështjen: «Mësova se s’mund ta detyrojmë dikë të dojë Jehovain ose të na dojë ne. Në fund të fundit, është zgjedhje personale.» Por, ç’mund të bëjmë për të mbajtur miqësi ndërtuese me ata që janë brenda kongregacionit?
Të mbajmë miqësi të mira
17. Si flasin me njëri-tjetrin miqtë e mirë?
17 Komunikimi i mirë e mban gjallë një miqësi. Ndërsa lexoni tregimet biblike për Ruthën e Naomin, Davidin e Jonatanin dhe Pavlin e Timoteun, do të vëreni se miqtë e mirë flasin me njëri-tjetrin lirisht, por me respekt. Për mënyrën se si duhet të komunikojmë me të tjerët, Pavli shkroi: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë.» Ai po i referohej veçanërisht mënyrës si duhet t’u flasim «atyre që janë jashtë», pra që nuk janë vëllezërit tanë të krishterë. (Kolos. 4:5, 6) Natyrisht, nëse jobesimtarët meritojnë t’u flasim me respekt, aq më shumë e meritojnë miqtë tanë në kongregacion!
18, 19. Si duhet t’i shohim këshillat që marrim nga një mik i krishterë dhe çfarë shembulli na lanë pleqtë në Efes?
18 Miqtë e mirë i vlerësojnë mendimet e njëri-tjetrit, prandaj komunikimi mes tyre duhet të jetë sa me hir, aq edhe i drejtpërdrejtë. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Vaji dhe temjani e gëzojnë zemrën, po kështu edhe ëmbëlsia e një shoku që të këshillon me gjithë shpirt.» (Prov. 27:9) A i konsideron kështu këshillat që të jep një mik? (Lexo Psalmin 141:5.) Si reagon kur një mik të shpreh merakun e tij për ndonjë sjellje që po shfaq? A e sheh këtë si një veprim dashamirës, apo fyhesh?
19 Apostulli Pavël kishte miqësi të ngushtë me pleqtë e kongregacionit në Efes. Disa prej tyre ndoshta i njihte që kur u bënë fillimisht besimtarë. Por, në takimin e fundit që pati me ta, u dha disa këshilla të drejtpërdrejta. Si reaguan ata? Miqtë e Pavlit nuk u fyen. Përkundrazi, e vlerësuan interesimin që kishte për ta, e madje qanë kur menduan se nuk do ta shihnin më.—Vep. 20:17, 29, 30, 36-38.
20. Çfarë do të bëjë një mik i dashur?
20 Miqtë e mirë jo vetëm që i pranojnë këshillat e mençura, por edhe i japin ato. Sigurisht, duhet të dallojmë se kur është rasti ‘të shohim punët tona’. (1 Sel. 4:11) Gjithashtu, duhet ta pranojmë se gjithsecili nga ne «do t’i japë llogari Perëndisë për veten». (Rom. 14:12) Por, kur është e nevojshme, një mik i dashur ia kujton me dashamirësi normat e Jehovait shokut a shoqes së vet. (1 Kor. 7:39) Për shembull, ç’do të bësh nëse shikon se një shoqja jote e pamartuar po lidhet emocionalisht me një jobesimtar? A do të përmbahesh e të mos ia shprehësh merakun, nga frika se mos dëmton miqësinë me të? Ose, nëse shoqja jote do ta shpërfillte këshillën tënde, ç’do të bëje? Një mik i mirë kërkon ndihmën e barinjve të dashur, që ta ndihmojnë shokun a shoqen që ka marrë një hap të gabuar. Kjo kërkon guxim. Megjithatë, nëse një miqësi është e bazuar te dashuria për Jehovain, nuk do t’i vijë asnjë dëm i madh.
21. Çfarë do të bëjmë të gjithë nganjëherë, por përse është jetësore që të mbajmë miqësi të forta në kongregacion?
21 Lexo Kolosianëve 3:13, 14. Nganjëherë, do t’u japim miqve tanë «shkak për t’u ankuar» kundër nesh, e po ashtu edhe ata do të bëjnë ose thonë gjëra që na acarojnë. «Të gjithë ne pengohemi shumë herë»,—shkroi Jakovi. (Jak. 3:2) Por, miqësi e vërtetë nuk quhet kur dy njerëz nuk gabojnë kurrë ndaj njëri-tjetrit, por kur i falin plotësisht ato gabime. Sa jetësore është të ndërtojmë miqësi të forta duke komunikuar hapur e duke falur lirisht njëri-tjetrin! Po të shfaqim dashuri të tillë, ajo do të bëhet «një lidhje e përsosur bashkimi».
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund të bëjmë miq të mirë?
• Kur lind nevoja t’i jepet fund një miqësie?
• Ç’duhet të bëjmë që të mbajmë miqësi të forta?
[Figura në faqen 18]
Cili ishte themeli i miqësisë së qëndrueshme të Ruthës me Naomin?
[Figura në faqen 19]
A e ke zakon të tregosh mikpritje?