A është celibati kërkesë për shërbëtorët e krishterë?
DISA fe anembanë botës, si Kisha Katolike e Romës, kishat e ndryshme ortodokse, budizmi dhe të tjera, kërkojnë që krerët e tyre fetarë dhe klerikët të mos martohen. Nga ana tjetër, shumë njerëz mendojnë se celibati është arsyeja kryesore e valës së skandaleve të fundit seksuale ku janë përfshirë klerikë të feve të ndryshme.
Prandaj, natyrshëm lind pyetja: a është celibati kërkesë biblike për shërbëtorët e krishterë? Për këtë, le të shqyrtojmë si ka filluar beqaria e detyruar, si ka ardhur deri në ditët tona dhe ç’mendon Perëndia për të.
HISTORIA E CELIBATIT
Sipas një enciklopedie, celibat do të thotë «të mos martohesh e, si rrjedhojë, të mos kryesh marrëdhënie seksuale, kryesisht për shkak të funksionit fetar ose të përkushtimit ndaj fesë». (Encyclopædia Britannica) Duke folur para Kurias Romake në vitin 2006, papa Benedikti XVI e lidhi beqarinë e detyruar me «një traditë që daton nga një periudhë afër kohës së Apostujve».
Por, celibati nuk ishte zakon fetar ndër të krishterët e shekullit të parë. Në fakt, apostulli Pavël, që jetoi në shekullin e parë, i paralajmëroi besimtarët se disa do të përhapnin ‘shprehje të frymëzuara mashtruese’ dhe ‘do të ndalonin martesën’.—1 Timoteut 4:1-3.
Celibati filloi të praktikohej në shekullin e dytë në kishat «e krishtere» që më vonë formuan Kishën Katolike Romake. Sipas një libri, kjo ndodhi «paralel me valën e re të kufizimeve seksuale që filloi në Perandorinë Romake».—Celibacy and Religious Traditions.
Në shekujt më pas, këshillat e kishës dhe të ashtuquajturit etër të kishës nxitën celibatin ndër klerikët. Ata mendonin se marrëdhëniet seksuale e ndotnin njeriun dhe binin ndesh me detyrat e klerikëve. Megjithatë, Encyclopædia Britannica thekson se «deri në shekullin e 10-të shumë priftërinj, madje dhe disa peshkopë, ishin të martuar».
Celibati u bë i detyrueshëm për klerikët gjatë Këshillave Lateranë që u mbajtën në Romë më 1123 e 1139, dhe ky ka qenë qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike të Romës deri më sot. Kështu, kisha nuk humbiste pushtetin dhe të ardhurat kur priftërinjtë e martuar u linin trashëgimi fëmijëve pronat e saj.
PIKËPAMJA E ZOTIT PËR CELIBATIN
Pikëpamja e Zotit për celibatin shprehet qartë në Fjalën e tij, në Bibël. Aty gjejmë fjalët e Jezuit për ata që mbeten beqarë ashtu si ai, «për hir të mbretërisë së qiejve». (Mateu 19:12) Po kështu, apostulli Pavël foli për të krishterët që vendosnin të mbeteshin beqarë si ai «për hir të lajmit të mirë».—1 Korintasve 7:37, 38; 9:23.
Por, as Jezui e as Pavli nuk po i urdhëronin shërbëtorët fetarë të mos martoheshin. Jezui tha se beqaria ishte ‘dhuratë’ që nuk e kishin të gjithë dishepujt e tij. Edhe pse Pavli pohoi se beqaria ishte gjë e mirë, pranoi me sinqeritet: «S’kam asnjë urdhër nga Zotëria, por po jap mendimin tim.»—Mateu 19:11; 1 Korintasve 7:25.
Për më tepër, Bibla tregon se shumë shërbëtorë të krishterë në shekullin e parë ishin të martuar, përfshirë apostullin Pjetër. (Mateu 8:14; Marku 1:29-31; 1 Korintasve 9:5) Në fakt, për shkak të përhapjes së imoralitetit në territorin romak të asaj kohe, Pavli shkroi se, nëse një mbikëqyrës i krishterë ishte i martuar, duhej të ishte «burrë i një gruaje të vetme» dhe duhej të kishte ‘fëmijë të nënshtruar’.—1 Timoteut 3:2, 4.
Këto nuk ishin martesa celibate, sepse Bibla thotë hapur se «burri [duhet] të plotësojë detyrimin që ka ndaj gruas së vet» dhe se të martuarit ‘nuk duhet t’ia mohojnë njëri-tjetrit’ intimitetin seksual. (1 Korintasve 7:3-5) Është e qartë, celibati nuk është kërkesë nga Perëndia dhe nuk është i detyrueshëm për shërbëtorët e krishterë.
PËR HIR TË LAJMIT TË MIRË
Nëse celibati nuk është i detyrueshëm, pse Jezui dhe Pavli folën në favor të beqarisë? Sepse beqaria të krijon më shumë mundësi t’u japësh lajmin e mirë të tjerëve. Beqarët mund të japin më tepër nga vetja ngaqë nuk kanë ankthet që kalojnë të martuarit.—1 Korintasve 7:32-35.
Për shembull, Dejvidi vendosi të linte punën me rrogë të mirë në qytetin e Meksikos dhe u transferua në periferi të Kosta-Rikës për t’u folur të tjerëve për Biblën. A e ndihmoi fakti që ishte beqar? Ai thotë: «Absolutisht që po! Ishte e vështirë të përshtateshe me një kulturë të re dhe me kushte jetese të tjera, por meqë duhej të kujdesesha vetëm për veten, u përshtata më kollaj.»
Klaudia, një e krishterë beqare që u transferua për të predikuar në vende ku ka nevojë, shprehet: «Më pëlqen t’i shërbej Perëndisë. Më forcohet besimi dhe marrëdhënia me Zotin kur shoh si kujdeset për mua.»
«Nuk ka rëndësi nëse je i martuar a beqar; lumturia vjen kur i jep më të mirën Perëndisë Jehova.»—Klaudia
Beqaria s’ka pse të jetë barrë. Klaudia shton: «Nuk ka rëndësi nëse je i martuar a beqar; lumturia vjen kur i jep më të mirën Perëndisë Jehova.»—Psalmi 119:1, 2.