Çlirimi nga skllavëria—Dje dhe sot
Blesaa shkoi në Evropë se i premtuan që do të punonte si parukiere. Por, pasi e rrahën për 10 ditë rresht dhe e kërcënuan se do t’i bënin keq familjes që kishte lënë pas, u detyrua të punonte si prostitutë.
Blesës i duhej të fitonte 200 deri 300 euro në natë që të shlyente borxhin prej mbi 40.000 eurosh që i kërkonte tutorja.b Ajo shpjegon: «Shpesh mendoja t’ia mbathja, por kisha frikë se mos i bënin gjë familjes. Isha zënë në grackë.» Ajo është vetëm një nga 4 milionë njerëzit e skllavëruar në industrinë ndërkombëtare të seksit.
Afro 4.000 vjet më parë Jozefin adoleshent e shitën vëllezërit. Ai përfundoi si skllav te një familje egjiptiane me emër. Ndryshe nga Blesa, në fillim pronari e trajtoi mirë Jozefin. Por, kur hodhi poshtë ngacmimet seksuale të gruas së pronarit, e akuzuan padrejtësisht se kishte tentuar ta përdhunonte. E futën në burg dhe e lidhën me vargonj.—Zanafilla 39:1-20; Psalmi 105:17, 18.
Jozefi ishte skllav i antikitetit; Blesa është skllave e shekullit të 21-të. Por, të dy ranë viktima të fenomenit të lashtë të trafikimit të njerëzve, tregti që i trajton njerëzit si objekte dhe ka për qëllim vetëm përfitimin ekonomik.
LUFTA USHQEN BIZNESIN E SKLLAVËRISË
Luftërat ishin rruga më e lehtë që kombet të shtinin në dorë skllevër. Thuhet se mbreti egjiptian Tutmesi III mori me vete 90.000 robër pas një fushate ushtarake në Kanaan. Egjiptianët i shfrytëzuan në miniera, në ndërtimin e tempujve dhe në hapjen e kanaleve.
Nën Perandorinë Romake, luftërat siguruan skllevër me shumicë dhe kërkesa për ta ndonjëherë ndizte luftëra të tjera. Është përllogaritur se në shekullin e parë, afërsisht gjysma e popullsisë së qytetit të Romës përbëhej nga skllevër. Shumë skllevër egjiptianë e romakë u shfrytëzuan egërsisht. Për shembull, ata që punonin në minierat romake, jetonin vetëm rreth 30 vjet.
Skllavëria nuk u zbut me kalimin e kohës. Nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 19-të, tregtia e skllevërve mes Afrikës dhe Kontinenteve Amerikane ishte një nga bizneset më fitimprurëse në botë. Në një raport të UNESCO-s thuhet se ‘u rrëmbyen e u shitën 25-30 milionë burra, gra e fëmijë’. Mendohet se qindra mijë njerëz kanë vdekur në përpjekje për të kaluar Atlantikun. Olaudá Ekuiano, një skllav i mbijetuar, tregoi: «Klithmat e grave dhe rënkimet e atyre që po vdisnin, krijonin një skenë tmerri që s’përshkruhet dot me fjalë.»
Mjerisht, ky fenomen nuk është vetëm tragjedi e së shkuarës. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, rreth 21 milionë burra, gra dhe fëmijë punojnë ende si skllevër, në robëri, me një pagë të vogël ose pa pagesë fare. Skllevërit e ditëve moderne punojnë në miniera, fabrika tekstili, fabrika tullash, shtëpi publike e nëpër familje. Duket se kjo lloj skllavërie po rritet, ndonëse është e jashtëligjshme.
PËRPJEKJET DREJT LIRISË
Trajtimi mizor i ka shtyrë shumë skllevër të luftojnë për liri. Në shekullin e parë p.e.s. gladiatori Spartak bashkë me rreth 100.000 skllevër organizuan një kryengritje kundër Romës, por që s’pati sukses. Në shekullin e 18-të skllevërit në ishullin e Karaibeve në Hispaniola u ngritën kundër padronëve. Keqtrajtimi i tmerrshëm që përjetuan skllevërit në plantacionet e sheqerit provokoi një luftë civile 13-vjeçare dhe në fund çoi në formimin e shtetit të pavarur të Haitit më 1804.
Megjithatë, çlirimi më i suksesshëm nga skllavëria në gjithë historinë me siguri është dalja e izraelitëve nga Egjipti. Në atë rast mund të jenë çliruar rreth tre milionë njerëz, një komb i tërë. S’ka dyshim se ata meritonin të ishin të lirë. Duke folur për jetën e tyre në Egjipt, Bibla i përshkruan ‘si skllevër që u mbajtën nën tirani’. (Dalja 1:11-14) Madje, një faraon nisi një fushatë për të vrarë të sapolindurit që popullsia e Izraelit të mos shtohej.—Dalja 1:8-22.
Çlirimi i izraelitëve nga trajtimi i padrejtë në Egjipt ishte unik sepse ndërhyri vetë Perëndia. Zoti i tha Moisiut: «I di dhembjet që heqin. Prandaj, po gatitem të zbres që t’i çliroj.» (Dalja 3:7, 8) Deri më sot judenjtë kudo që ndodhen, festojnë Pashkën e përvitshme që të përkujtojnë këtë ngjarje.—Dalja 12:14.
KURRË MË SKLLAVËRI!
Bibla thotë se ‘te Jehovai, Perëndia ynë, nuk ka padrejtësi’ e po ashtu na siguron se ai nuk ka ndryshuar. (2 Kronikave 19:7; Malakia 3:6) Zoti e dërgoi Jezuin ‘t’u predikonte çlirimin robërve e të çlironte të dërrmuarit’. (Luka 4:18) A nënkuptonte kjo çlirimin e skllevërve të mirëfilltë? Me sa duket, jo. Jezui u dërgua që të çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Më vonë ai deklaroi: «E vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Edhe sot e vërteta që mësoi Jezui, i bën njerëzit të lirë në shumë mënyra.—Shih kutinë «Çlirim nga një lloj tjetër skllavërie».
Ç’është e vërteta, Zoti i ndihmoi në mënyra të ndryshme Jozefin dhe Blesën që t’i shpëtonin skllavërisë. Historinë e jashtëzakonshme të Jozefit mund ta lexosh në kapitujt 39-41 të librit biblik të Zanafillës. Jo më pak të jashtëzakonshme ishin përpjekjet e Blesës për të fituar lirinë.
Blesa shkoi në Spanjë pasi e dëbuan nga një shtet tjetër evropian. Atje takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të studionte Biblën me ta. E vendosur që ta vinte jetën në vijë, filloi një punë të ndershme dhe e bindi tutoren t’ia ulte pagesën mujore të borxhit. Një ditë, i telefonoi tutorja. I tha se do t’ia falte borxhin dhe i kërkoi të falur. Çfarë kishte ndodhur? Edhe ajo kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Blesa shprehet: «E vërteta të çliron në mënyra që as ta pret mendja.»
Perëndia Jehova u pikëllua nga trajtimi çnjerëzor i skllevërve izraelitë në Egjipt; me siguri ndihet po njësoj për padrejtësitë e sotme. Është e vërtetë se, që të marrë fund çdo lloj skllavërie, do të duhet një ndryshim rrënjësor në shoqërinë njerëzore. Ama, Perëndia premton se do ta sjellë këtë ndryshim. «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»—2 Pjetrit 3:13