Të rinj, ju mund të keni një jetë të bukur
«Ti do të më njohësh me shtegun e jetës.»—PSAL. 16:11.
1, 2. Çfarë ndryshimesh mund të bëjë dikush, siç e tregon përvoja e një nxënësi të shkollës së mesme?
NJË nxënës që quhej Toni, kishte ndër mend të linte shkollën e mesme. Ai ishte rritur pa baba, nuk i interesonte fort shkolla dhe fundjavët i kalonte nëpër kinema ose me shoqërinë. Nuk ishte i dhunshëm dhe nuk merrte drogë. Thjesht nuk kishte asnjë qëllim në jetë dhe kishte dyshime për ekzistencën e Perëndisë. Një ditë takoi një çift Dëshmitarësh dhe foli me ta për dyshimet dhe pyetjet që kishte. Ata i dhanë dy broshura—Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh dhe A u krijua jeta?
2 Kur çifti u kthye, Toni kishte ndryshuar qëndrim. I kishte studiuar broshurat aq shumë, sa faqet e tyre ishin të palosura e të rrudhosura. Ai tha: «Duhet të ketë patjetër një Zot.» Pranoi një studim biblik dhe dalëngadalë pikëpamja e tij për jetën ndryshoi. Gjithashtu, nga nxënës i dobët u bë një ndër më të mirët e shkollës. Edhe drejtori, që dinte diçka për besimin e ri të Tonit, kishte mbetur pa fjalë. Ai tha: «Ke bërë goxha përmirësime në qëndrim dhe në nota. Mos është ngaqë shoqërohesh me Dëshmitarët e Jehovait?» Toni i tha «po» dhe i dha një dëshmi të shkëlqyer. E mbaroi me sukses shkollën e mesme dhe sot shërben si pionier i rregullt e shërbëtor ndihmës. Gjithashtu, është i lumtur që tani ka një Atë të mrekullueshëm, Jehovain.—Psal. 68:5.
BINDJU JEHOVAIT DHE DO TË KESH SUKSES
3. Cilën udhë u rekomandon Jehovai të rinjve?
3 Përvoja e Tonit na kujton se Jehovai interesohet thellë për ju të rinj mes nesh. Ai dëshiron që të gëzoni një jetë vërtet të suksesshme e të bukur. Ja pse e këshillon secilin prej jush: «Kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë [e rinisë] sate.» (Ekl. 12:1) Në botën e sotme, kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Ama, nuk është aspak e pamundur. Me ndihmën e Perëndisë, mund të kesh sukses, jo vetëm në rini por gjatë gjithë jetës. Për ta ilustruar, të ndalemi te një mësim që mund të nxjerrim nga pushtimi i Tokës së Premtuar prej izraelitëve dhe nga dyluftimi i Davidit me Goliadin.
4, 5. Ç’mësim me vlerë nxjerrim nga pushtimi i Tokës së Premtuar prej izraelitëve dhe nga dyluftimi i Davidit me Goliadin? (Shih figurat hapëse.)
4 Kur izraelitët iu afruan Tokës së Premtuar, Perëndia nuk i urdhëroi të zhvillonin aftësitë ushtarake ose të stërviteshin për luftë. (Ligj. 28:1, 2) Në vend të kësaj, u tha se duhej t’u bindeshin urdhrave të tij dhe të kishin besim tek ai. (Jos. 1:7-9) Nga pikëpamja njerëzore, kjo këshillë do të jetë dukur pa kuptim. Por ajo ishte këshillë e shkëlqyer, sepse Jehovai u dha fitore njëra pas tjetrës kundër kananitëve. (Jos. 24:11-13) Po, bindja ndaj Perëndisë kërkon besim, ama ky besim çon gjithmonë në sukses. Kjo e vërtetë nuk ndryshon me kalimin e kohës. Ajo vlen po njësoj edhe sot.
5 Goliadi, një luftëtar i fuqishëm, ishte 2,9 metra i gjatë dhe i armatosur gjer në dhëmbë. (1 Sam. 17:4-7) Kurse Davidi kishte dy gjëra: një hobe dhe besim te Perëndia i tij, Jehovai. Njerëzve pa besim, Davidi me siguri u dukej i marrë. Por sa gabim e kishin! I marri në atë rast ishte Goliadi.—1 Sam. 17:48-51.
6. Çfarë do të shqyrtojmë më hollësisht tani?
6 Në artikullin e mëparshëm shqyrtuam këto katër gjëra që na sjellin lumturi e sukses në jetë: të plotësojmë nevojën për t’u afruar me Perëndinë, të vlerësojmë miqtë që na jep Ai, të vëmë synime me vlerë dhe të çmojmë lirinë tonë si adhurues të Perëndisë. Le t’i eksplorojmë më tej këto aspekte, kësaj here duke shqyrtuar disa parime që gjejmë në Psalmin 16.
PLOTËSO NEVOJËN PËR T’U AFRUAR ME PERËNDINË
7. (a) Si do ta përshkruaje një njeri që drejtohet nga fryma? (b) Çfarë ishte «pjesa» e Davidit, dhe si ndikoi kjo tek ai?
7 Një njeri që drejtohet nga fryma ka besim te Perëndia dhe mendon si Ai. Ai mbështetet te Perëndia për drejtim dhe është i vendosur t’i bindet. (1 Kor. 2:12, 13) Davidi është një shembull i mirë. Ai këndoi: ‘Jehovai është pjesa e trashëgimisë dhe e kupës sime.’ (Psal. 16:5) «Pjesa» që i takonte Davidit, përfshinte një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë, tek i cili gjente strehë. (Psal. 16:1) Cili ishte rezultati? «Gjithë qenia ime ngazëllon»,—shkroi ai. Po, asgjë nuk i falte më shumë gëzim Davidit se miqësia e ngushtë me Perëndinë.—Lexo Psalmin 16:9, 11.
8. Cilat janë disa gjëra që ta bëjnë jetën vërtet të kënaqshme?
8 Ata që e përqendrojnë jetën te kënaqësitë dhe te pasuria, nuk mund ta ndiejnë gëzimin që provonte Davidi. (1 Tim. 6:9, 10) Një vëlla në Kanada thotë: «Kënaqësia e vërtetë nuk vjen nga ajo që mund të marrim nga jeta, por nga ajo që i japim Dhënësit të çdo dhurate të mirë, Perëndisë Jehova.» (Jak. 1:17) Po, ndërsa zhvillon besim te Jehovai dhe i shërben atij, do të kesh një jetë domethënëse dhe do të provosh kënaqësi. Si mund ta forcosh besimin? Duhet të kalosh kohë me Jehovain duke lexuar Fjalën e tij, duke vëzhguar krijimin dhe duke menduar për cilësitë e tij, përfshirë dashurinë që ka për ty.—Rom. 1:20; 5:8.
9. Si mund ta lejosh Fjalën e Perëndisë të të modelojë, njësoj si Davidin?
9 Ndonjëherë Perëndia e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh duke na ndrequr, siç bën një baba i dashur. Davidi i mirëpriti këshilla të tilla të përzemërta. Ai tha: «Unë do të bekoj Jehovain, që më këshilloi. Edhe natën veshkat e mia [mendimet më të thella] më ndreqën.» (Psal. 16:7) Vërtet, ai meditonte për mendimet e Perëndisë, i bënte të vetat dhe i lejonte ta modelonin. Kur bën të njëjtën gjë me besim, edhe ty do të të shtohet dashuria për Perëndinë dhe dëshira që t’i bindesh. Veç kësaj, do të përparosh e do të bëhesh një i krishterë i pjekur. Një motër që quhet Kristina tha: «Kur bëj kërkime dhe meditoj për atë që lexoj, provoj ndjesinë se Jehovai e shkroi këtë fiks për mua.»
10. Siç tregon Isaia 26:3, cilat dobi vijnë kur mëson të mendosh si Jehovai?
10 Gjithashtu, nuk e ekzagjerojmë po të themi se kur mëson të mendosh si Jehovai do të fitosh njohuri të jashtëzakonshme dhe gjykim të thellë, e kështu do t’i shohësh botën e të ardhmen e saj me syrin e Jehovait. Pse ta jep këtë njohuri dhe gjykim të thellë Perëndia? Sepse dëshiron që të vësh përparësitë e duhura në jetë, të marrësh vendime të mençura dhe ta presësh të ardhmen me siguri të plotë. (Lexo Isainë 26:3.) Xhoshua, një vëlla që jeton në Shtetet e Bashkuara, vëren: «Kur mban një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, kjo të ndihmon ta shohësh çdo gjë tjetër nga pikëpamja e duhur.» Sa e vërtetë! Dhe sa kënaqësi ndiejmë kur e bëjmë këtë!
ZËR MIQ TË VËRTETË
11. Sipas Davidit, cili është sekreti për të zënë miq të vërtetë?
11 Lexo Psalmin 16:3. Davidi e dinte cili është sekreti për të gjetur miq të vërtetë. Ai provonte «shumë kënaqësi» në shoqërinë e atyre që e donin Jehovain. Këta miq, që ai i quajti ‘të shenjtët’, ishin të pastër moralisht, të virtytshëm. Një psalmist tjetër ndihej njësoj për zgjedhjen e miqve. Ai shkroi: «Jam shok me gjithë ata që të frikësohen dhe me ata që zbatojnë urdhrat e tu.» (Psal. 119:63) Siç e pamë në artikullin e kaluar, edhe ti mund të gjesh miq të mirë mes atyre që i frikësohen dhe i binden Jehovait. E patjetër, ata mund të jenë të moshave të ndryshme.
12. Cili ishte themeli i miqësisë mes Davidit dhe Jonatanit?
12 Psalmisti David nuk e kufizoi rrethin e miqve te moshatarët e tij. A të kujtohet emri i një ‘të lavdishmi’ që u bë miku i tij i ngushtë? Ai quhej Jonatan. Në fakt, miqësia e tyre ishte një ndër më të bukurat që është dokumentuar në Shkrime. Por, a e dije se Jonatani ishte rreth 30 vjet më i madh se Davidi? Atëherë cili ishte themeli i miqësisë së tyre? Besimi te Perëndia, respekti dhe vlerësimi për cilësitë e bukura të njëri-tjetrit, si guximi që tregonin teksa luftonin armiqtë e Perëndisë.—1 Sam. 13:3; 14:13; 17:48-50; 18:1.
13. Si mund ta zgjerosh rrethin e miqve? Jepni një shembull.
13 Ashtu si Davidi dhe Jonatani, edhe ne mund të provojmë «shumë kënaqësi» kur i duam ata që duan Jehovain dhe që tregojnë besim tek Ai. Kira, që i ka shërbyer Perëndisë për vitet të tëra, thotë: «Kam lidhur miqësi me njerëz nga vende të ndryshme të botës, me prejardhje e kultura nga më të larmishmet.» Kur zgjeron rrethin e miqve, edhe ti do të shohësh prova të qarta të fuqisë që kanë Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij për të na bashkuar.
NDIQ SYNIME ME VLERË
14. (a) Çfarë mund të të ndihmojë të vësh synime me vlerë në jetë? (b) Si ndihen disa të rinj për synimet e tyre teokratike?
14 Lexo Psalmin 16:8. Jeta e Davidit ishte e përqendruar te shërbimi i Perëndisë. Edhe ti do të gëzosh një jetë vërtet të bukur nëse mban në qendër të saj shërbimin e Jehovait dhe vë synime duke pasur Atë në mendje. Një vëlla që quhet Stivën tha: «Provoj kënaqësi kur punoj për një synim, e arrij dhe pastaj mendoj për përmirësimet që kam bërë.» Një vëlla i ri nga Gjermania që tani shërben në një vend tjetër tha: «Nuk dua që kur të plakem e të kthej kokën pas, të shoh se çdo gjë që bëra, ishte vetëm për leverdinë time.» Shpresojmë që edhe ti ndihesh njësoj. Nëse po, përdori aftësitë dhe talentet e tua që të nderosh Perëndinë dhe të bësh gjëra për të tjerët. (Gal. 6:10) Vër synime teokratike dhe lutju për ndihmë Jehovait që t’i arrish. Ai u përgjigjet plot kënaqësi lutjeve të tilla.—1 Gjon. 3:22; 5:14, 15.
15. Cilat synime mund të vësh? (Shih kutinë «Disa synime praktike».)
15 Cilat synime mund të vësh? Për shembull, mund të synosh të komentosh me fjalët e tua në mbledhje, të nisësh shërbimin si pionier a të shërbesh në Bethel. Ose mund të përpiqesh të mësosh një gjuhë tjetër me qëllim që të shërbesh në një fushë të gjuhës së huaj. Baraku, një i ri që shërben në kohë të plotë, thotë: «Të zgjohem çdo mëngjes duke ditur se po i jap gjithë forcën time Jehovait, është një ndjenjë që s’ta fal dot asnjë aktivitet tjetër.»
ÇMOJE LIRINË QË TË JEP PERËNDIA
16. Si ndihej Davidi për normat e drejta të Jehovait, dhe pse?
16 Lexo Psalmin 16:2, 4. Siç e pamë në artikullin e kaluar, ligjet dhe parimet e drejta të Perëndisë na bëjnë të lirë duke na ndihmuar të zhvillojmë dashuri për atë që është e mirë dhe urrejtje për atë që është e keqe. (Amo. 5:15) Në tekstin origjinal, ajo që tha psalmisti David kishte kuptimin se Jehovai ishte Burimi i tij i mirësisë. Fjala biblike e përkthyer «mirësi» përfshin idenë e virtytit, ose shkëlqimit moral. Davidi përpiqej me të gjitha forcat që të imitonte Perëndinë e tij, pra të pasqyronte mirësinë e Jehovait. Gjithashtu, Davidi zhvilloi urrejtje për atë që është e keqe në sytë e Perëndisë. Këtu përfshihet idhujtaria, një praktikë që e degradon njeriun dhe i grabit Jehovait lavdinë që i takon.—Isa. 2:8, 9; Zbul. 4:11.
17, 18. (a) Çfarë tha Davidi për pasojat e adhurimit të rremë? (b) Cila është arsyeja pse njerëzit sot ‘i shtojnë dhembjet’ e tyre?
17 Në kohët biblike, adhurimi i rremë përfshinte shpesh një imoralitet seksual të pështirë. (Hoz. 4:13, 14) Sigurisht, ky lloj adhurimi ishte tërheqës për mishin mëkatar. Ama, nuk sillte lumturi jetëgjatë. Krejt e kundërta! Siç tha Davidi, ‘dhembjet e atyre që rendnin pas një perëndie tjetër, shtoheshin’. Veç kësaj, ata u shkaktonin vuajtje të papërshkrueshme sa e sa fëmijëve. (Isa. 57:5) Jehovai e urrente një mizori të tillë! (Jer. 7:31) Sikur të jetoje në atë kohë, pa dyshim do të ishe shumë mirënjohës nëse prindërit e tu besonin te Jehovai e i bindeshin atij.
18 Edhe sot adhurimi i rremë shpesh toleron imoralitetin seksual, e madje edhe homoseksualizmin. Por në realitet, pasojat që vijnë kur shijon pa fre të ashtuquajturën liri morale, nuk kanë ndryshuar që nga kohët biblike. (1 Kor. 6:18, 19) Ndoshta edhe ti mund ta kesh vërejtur se njerëzit ‘i shtojnë dhembjet’ e tyre. Prandaj, ju të rinj, dëgjojeni Atin tuaj qiellor. Mos kini pikë dyshimi se bindja ndaj tij është për të mirën tuaj. Nguliteni në zemër se dëmet e sjelljes së keqe janë ku e ku më të rënda se çdo kënaqësi e përkohshme. (Gal. 6:8) Xhoshua, që u citua më sipër, tha: «Mund ta përdorim si të duam lirinë tonë, ama keqpërdorimi i saj nuk sjell kënaqësi.»
19, 20. Çfarë bekimesh i presin të rinjtë që kanë besim te Jehovai dhe i binden?
19 Jezui u tha dishepujve: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Kjo liri përfshin lirinë nga feja e rreme, nga padija dhe nga bestytnitë. Por nuk mbaron me kaq. Siç e kemi parë, në fund ajo do të përfshijë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Shijoje këtë liri që tani duke ‘qëndruar në fjalën’ ose në mësimet e Krishtit. Në këtë mënyrë, do të arrish ‘ta njohësh të vërtetën’ jo vetëm duke e mësuar, por edhe duke jetuar sipas saj.
20 Të rinj, çmojeni lirinë që ju ka dhënë Perëndia. Përdoreni me mençuri, e kështu do të hidhni një themel të shkëlqyer për të ardhmen. Një vëlla i ri tha: «Po ta përdorësh me mençuri lirinë në rini, kjo do të të ndihmojë vërtet kur më vonë do të gjendesh para vendimeve më të rëndësishme, si për shembull të gjesh një punë të përshtatshme ose të zgjedhësh nëse do të martohesh apo do të qëndrosh beqar për njëfarë kohe.»
21. Si mund të qëndrosh në shtegun që të çon drejt ‘jetës së vërtetë’?
21 Në këtë sistem të vjetër, edhe një jetë e ashtuquajtur e mirë është gjithsesi e pasigurt dhe e shkurtër. Ne s’e dimë çfarë do të sjellë e nesërmja. (Jak. 4:13, 14) Ndaj gjëja më e mençur është të qëndrosh në shtegun që çon drejt ‘jetës së vërtetë’—jetës së përhershme. (1 Tim. 6:19) Patjetër, Perëndia nuk të detyron të ecësh në këtë shteg. Zgjedhja të takon ty. Bëje Jehovain ‘pjesën’ tënde. Çmoji ‘të mirat’ e shumta që të ka dhënë. (Psal. 103:5) Dhe ki besim se ai mund ‘të të ngopë me gëzim’ dhe të të bëjë përgjithnjë të lumtur.—Psal. 16:11.