Të rinj, Krijuesi juaj dëshiron të jeni të lumtur
‘Ai e ngop jetën tënde me të mira.’—PSAL. 103:5.
1, 2. Pse është e mençur t’ia vëmë veshin Krijuesit tonë kur zgjedhim synimet në jetë? (Shih figurat hapëse.)
NËSE je i ri, me siguri ke marrë shumë këshilla për të ardhmen tënde. Mësuesit, këshilluesit e shkollës a të tjerë, mund të të kenë nxitur të ndjekësh arsimin e lartë dhe një karrierë fitimprurëse. Mirëpo Jehovai të këshillon një udhë tjetër. Natyrisht, ai do që të përpiqesh me të gjitha forcat në shkollë, që të jesh në gjendje të mbash veten kur ta mbarosh. (Kolos. 3:23) Por, teksa vendos cilat do të jenë përparësitë e tua në jetë, ai të nxit të udhëhiqesh nga parime të mençura që marrin parasysh qëllimin e tij dhe vullnetin e tij për ne gjatë këtyre ditëve të fundit.—Mat. 24:14.
2 Gjithashtu, mos harro se Jehovai sheh tablonë e plotë, sepse e di çfarë e pret këtë botë dhe sa shpejt do t’i vijë fundi. (Isa. 46:10; Mat. 24:3, 36) Veç kësaj, ai na njeh mirë—e di çfarë na sjell kënaqësi e lumturi të vërtetë dhe çfarë na zhgënjen e na bën të palumtur. Prandaj, sado të arsyeshme të duken këshillat e njerëzve, nëse nuk marrin parasysh Fjalën e Perëndisë, nuk kanë pikë mençurie.—Prov. 19:21.
NUK KA «MENÇURI . . . KUNDËR JEHOVAIT»
3, 4. Ngaqë Adami dhe Eva ndoqën një këshillë të keqe, çfarë pasojash patën ata vetë dhe pasardhësit e tyre?
3 Këshillat e këqija e kanë origjinën që në fillimet e historisë njerëzore kur Satanai hyri në skenë. Duke kaluar caqet, ai mori me arrogancë rolin e këshilltarit dhe i tha Evës se ajo e i shoqi do të ishin më të lumtur po ta zgjidhnin vetë rrugën në jetë. (Zan. 3:1-6) Mirëpo, në të vërtetë motivet e Satanait ishin egoiste. Ai donte që Adami dhe Eva—si edhe pasardhësit që do të kishin—t’i nënshtroheshin dhe të adhuronin atë në vend se të adhuronin Jehovain. Por, çfarë kishte bërë Satanai për ta? Ishte Jehovai ai që u kishte dhënë gjithçka—njëri-tjetrin, shtëpinë e tyre të bukur parajsore dhe trupat e përsosur me potencialin për të jetuar përgjithmonë.
4 Mjerisht, Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë, e kështu u shkëputën prej tij. Siç e dimë, pasojat ishin tragjike. Ashtu siç vyshken e vdesin lulet e këputura nga bima, kështu ndodhi dalëngadalë edhe me ta. Edhe fëmijët e tyre vuajtën nga mallkimi i mëkatit. (Rom. 5:12) Prapëseprapë, shumica e njerëzve akoma zgjedhin të mos i nënshtrohen Perëndisë. Duan të jetojnë si t’u pëlqejë. (Efes. 2:1-3) Pasojat e tregojnë qartë se nuk ka «mençuri . . . kundër Jehovait».—Prov. 21:30.
5. Çfarë besimi kishte Perëndia te krijesat e tij njerëzore, dhe a ishte me vend ky besim?
5 Sidoqoftë, Jehovai e dinte se disa njerëz, ndër ta edhe shumë të rinj të shkëlqyer, do të donin ta njihnin dhe t’i shërbenin. (Psal. 103:17, 18; 110:3) Sa i çmon ai këta të rinj! A je edhe ti një prej tyre? Nëse po, pa dyshim po gëzon shumë «të mira» nga Perëndia që të mbushin me lumturi. (Lexo Psalmin 103:5; Prov. 10:22) Siç do të shohim tani, këto «të mira» përfshijnë një bollëk ushqimi të pasur që të forcon besimin, miqtë më të shkëlqyer, synime me vlerë dhe liri të vërtetë.
JEHOVAI TË PLOTËSON NEVOJËN PËR T’U AFRUAR ME TË
6. Pse duhet të kujdesesh për nevojën që të afrohesh me Jehovain, dhe çfarë të siguron ai për këtë?
6 Ndryshe nga kafshët, ti ke nevojë të afrohesh me Krijuesin tënd dhe vetëm ai mund të ta plotësojë këtë nevojë. (Mat. 4:4) Kur e dëgjon me vlerësim, fiton gjykim të thellë, mençuri dhe lumturi. Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mat. 5:3) Perëndia ta plotëson këtë nevojë me anë Fjalës së tij dhe ushqimit të bollshëm që siguron nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Sa i larmishëm dhe i pasur është ky ushqim!—Isa. 65:13, 14.
7. Cilat janë disa dobi që vijnë kur përvetëson ushqimin që siguron Perëndia?
7 Falë ushqimit që siguron Perëndia do të fitosh mençuri dhe aftësi për të menduar, që mund të të mbrojnë në shumë mënyra. (Lexo Proverbat 2:10-14.) Për shembull, këto cilësi të hapin sytë që të dallosh mësimet e rreme, siç është pikëpamja se nuk ekziston një Krijues. Ato të mbrojnë nga gënjeshtra se paraja dhe gjërat materiale janë çelësi i lumturisë. Gjithashtu, të ndihmojnë të dallosh dhe t’u rezistosh dëshirave të gabuara dhe sjelljes vetëshkatërruese. Ndaj, vazhdo të kërkosh aftësinë për të menduar dhe mençurinë hyjnore, duke i parë si thesare! Teksa fiton këto cilësi të vyera, do ta provosh vetë se Jehovai të ka për zemër dhe do më të mirën për ty.—Psal. 34:8; Isa. 48:17, 18.
8. Pse duhet të afrohesh me Perëndinë tani, dhe si do të të sjellë dobi kjo në të ardhmen?
8 Së shpejti, çdo pjesë e botës së Satanait do të shembet fund e krye, dhe Jehovai do të jetë burimi ynë i vetëm i sigurisë. Vërtet, mund të vijë koha kur do të jemi të varur prej tij edhe për bukën e gojës. (Hab. 3:2, 12-19) Prandaj, tani është koha të afrohesh me Atin tënd qiellor dhe të forcosh besimin tek Ai. (2 Pjet. 2:9) Nëse bën kështu, atëherë çfarëdo që të ndodhë përreth, do të ndihesh si psalmisti David, që shkroi: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time.»—Psal. 16:8.
JEHOVAI TË JEP MIQTË MË TË SHKËLQYER
9. (a) Sipas Gjonit 6:44, çfarë bën Jehovai? (b) Pse është diçka unike kur takon Dëshmitarë të tjerë?
9 Jehovai i tërheq me butësi njerëzit me zemër të sinqertë drejt adhurimit të vërtetë dhe i lejon të bëhen pjesë e familjes së adhuruesve të tij. (Lexo Gjonin 6:44.) Kur takon për herë të parë dikë që nuk është në të vërtetën, çfarë di për të? Mbase fare pak, përveç emrit dhe paraqitjes. Nuk ndodh kështu kur takon për herë të parë dikë që njeh dhe që do Jehovain. Edhe nëse ky person vjen nga një vend, fis, kulturë a prejardhje ndryshe nga e jotja, tashmë ti di shumë për të, dhe ai për ty.
10, 11. Çfarë kanë të përbashkët adhuruesit e Jehovait, dhe si nxjerrim dobi nga kjo?
10 Për shembull, e njihni menjëherë «gjuhën» e njëri-tjetrit—‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës. (Sof. 3:9) Si rrjedhojë, secili prej jush di çfarë beson tjetri për Perëndinë, normat morale dhe shpresën për të ardhmen, sa për të përmendur disa. Dhe këto janë gjërat më të rëndësishme që duhet të dish për dikë, gjërat që forcojnë sigurinë e besimin te tjetri. Gjithashtu, ato përbëjnë themelin e miqësive të shëndetshme dhe jetëgjata.
11 Nuk e ekzagjerojmë po të themi që si adhurues i Jehovait, ke miqtë më të shkëlqyer dhe mund t’i gjesh në çdo cep të botës. Thjesht që shumicën e tyre s’i ke takuar ende. Kush tjetër përveç adhuruesve të Jehovait e gëzon këtë dhuratë të çmuar?!
JEHOVAI TË JEP SYNIME ME VLERË
12. Cilat synime të bukura mund të vësh në adhurimin e Perëndisë?
12 Lexo Eklisiastiun 11:9–12:1. A po punon për një a më shumë synime në adhurimin e Perëndisë? Ndoshta po përpiqesh të lexosh çdo ditë një pjesë të Biblës. A mbase po punon të përmirësosh aftësitë e tua në oratori dhe mësimdhënie. Sido që të jetë, si ndihesh kur sheh rezultate pozitive, ose kur të tjerët i shohin dhe të lavdërojnë? Patjetër që gëzohesh dhe ndien se ke arritur diçka. E kështu duhet të ndihesh, mbi të gjitha sepse po vë vullnetin e Perëndisë para tëndit, ashtu si Jezui.—Psal. 40:8; Prov. 27:11.
13. Krahasuar me synimet në botë, çfarë e bën unik shërbimin ndaj Perëndisë?
13 Gjithashtu, kur përqendrohesh te synimet në shërbimin e Perëndisë, merr pjesë në një vepër që të jep vërtet kënaqësi, sepse nuk është aspak e kotë. Apostulli Pavël shkroi: «Bëhuni të palëkundur e të patundur. Kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.» (1 Kor. 15:58) Krahasuar me këtë, një jetë që përqendrohet tek ambiciet dhe synimet në botë, edhe kur duket goxha e suksesshme, tekefundit është një jetë e çuar kot. (Luka 9:25) Dikush që ia vërtetoi këtë vetes—dhe neve—ishte mbreti Solomon.—Rom. 15:4.
14. Çfarë mund të mësosh nga eksperimenti i Solomonit për gëzimet e jetës?
14 Solomoni, që kishte pasuri përrallore dhe pushtet të madh, bëri një eksperiment ‘duke provuar gëzimin e duke parë të mira’. (Ekl. 2:1-10) Ai ndërtoi shtëpi, projektoi kopshte e parqe dhe u dha pas çdo gjëje që i deshi zemra. Si u ndie pastaj? I kënaqur? I realizuar? I lumtur? S’ka pse të hamendemi. Vetë Solomoni na e tregoi. Ai shkroi: «U ktheva të vështroja të gjitha punët që kishin bërë duart e mia . . . dhe ja, çdo gjë ishte kotësi . . . s’kishte asnjë përfitim.» (Ekl. 2:11) Ç’mësim i fuqishëm! A do të tregohesh i mençur duke ia vënë veshin këtij mësimi?
15. Pse është i rëndësishëm besimi, dhe ç’dobi sjell ai siç tregon Psalmi 32:8?
15 Jehovai do që të të kursejë dhembjen që vjen kur nxjerr mësime duke e pësuar në kurrizin tënd. Kuptohet, të duhet besim që t’i bindesh Perëndisë dhe të vësh në vend të parë në jetë vullnetin e tij. Ky besim s’ka të çmuar dhe nuk çon kurrë në zhgënjim. Po, Jehovai nuk do ta harrojë kurrë ‘dashurinë që tregove për emrin e tij’. (Hebr. 6:10) Ndaj, puno pa u lodhur që të ndërtosh një besim të fortë, e kështu të provosh vetë se Ati yt qiellor do me gjithë zemër të mirën tënde.—Lexo Psalmin 32:8.
PERËNDIA TË JEP LIRI TË VËRTETË
16. Pse duhet ta çmosh lirinë dhe ta përdorësh me mençuri?
16 Pavli shkroi: «Atje ku është fryma e Jehovait, është liria.» (2 Kor. 3:17) Po, Jehovai e do lirinë, dhe dashurinë për të e vuri edhe në zemrën tënde. Por, njëkohësisht ai do që ta përdorësh lirinë tënde në mënyrë të përgjegjshme, dhe kjo është mbrojtje për ty. Mbase njeh të rinj që shohin pornografi ose që kryejnë imoralitet seksual, që rrezikojnë jetën në sporte ekstreme a që abuzojnë me alkoolin e drogën. Vërtet, ata mund të gëzojnë pak momente kënaqësie dhe emocionesh të forta. Ama, shpesh kostoja është e lartë, ndoshta sëmundje, varësi, madje edhe vdekje. (Gal. 6:7, 8) Është e qartë se «liria» e tyre është një vetëmashtrim mizor.—Titit 3:3.
17, 18. (a) Si na bën të lirë bindja ndaj Perëndisë? (b) Si ishte liria që gëzonin në fillim Adami me Evën krahasuar me lirinë që kanë njerëzit sot?
17 Në krahasim me këtë, sa njerëz njeh që janë sëmurur sepse ndoqën me besnikëri normat e Biblës? Është e qartë se bindja ndaj Jehovait na sjell dobi shëndetësore e njëkohësisht na bën të lirë. (Psal. 19:7-11) Mbi të gjitha, kur e përdor me mençuri lirinë—pra, brenda kufijve të ligjeve dhe parimeve të përsosura të Perëndisë—i tregon Perëndisë dhe prindërve se mund të të besojnë e të të japin më tepër liri. Në fakt, qëllimi i Perëndisë është që si përfundim t’u japë shërbëtorëve të tij besnikë liri të përsosur, që Bibla e përshkruan si «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—Rom. 8:21.
18 Adami dhe Eva e shijuan atë liri. Sa urdhra që i kufizonin u dha Perëndia në kopshtin e Edenit? Vetëm një. Nuk duhej të hanin frytin e një peme. (Zan. 2:9, 17) A do të të dukej ty i ashpër e shtypës ky kufizim i vetëm? Patjetër që jo! Krahasoje pak me ligjet e panumërta njerëzore që njerëzit janë detyruar t’i mësojnë e t’i zbatojnë.
19. Si na mësojnë Jehovai dhe Jezui që të bëhemi një popull i lirë?
19 Jehovai i trajton me shumë mençuri shërbëtorët e tij. Në vend që të na japë ligje pa fund, ai na mëson me durim të ndjekim ligjin e dashurisë. Ai do që të jetojmë sipas parimeve hyjnore e të urrejmë atë që është e keqe. (Rom. 12:9) Predikimi në Mal i Jezuit është një shembull i shkëlqyer i mënyrës si mëson Jehovai, sepse na ndihmon të kuptojmë shkaqet rrënjësore të veprimeve të gabuara. (Mat. 5:27, 28) Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Krishti do të vazhdojë të na arsimojë në botën e re në mënyrë që qëndrimi ynë ndaj drejtësisë dhe paligjshmërisë të pasqyrojë përsosmërisht qëndrimin e tij. (Hebr. 1:9) Gjithashtu, ai do të na çojë drejt përsosmërisë fizike dhe mendore. Imagjino pak, nuk do të përjetosh më presionin që ushtron mëkati ose pasojat e tij të tmerrshme. Pastaj, më në fund, do të gëzosh «lirinë e lavdishme» që të ka premtuar Jehovai.
20. (a) Si e përdor Jehovai lirinë e tij? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Perëndisë?
20 Sigurisht, liria jonë nuk do të jetë kurrë absolute. Ajo do të udhëhiqet nga dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët. Në fakt, Jehovai thjesht na kërkon të imitojmë atë vetë. Ai ka liri të pakufishme; e megjithatë ka zgjedhur të drejtohet nga dashuria në mënyrën si vepron me krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar. (1 Gjon. 4:7, 8) Ndaj është logjike që do të gëzojmë liri në masën më të plotë vetëm nëse liria jonë drejtohet nga një dashuri si ajo e Perëndisë.
21. (a) Si ndihej Davidi për Jehovain? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 A i çmon ‘të mirat’ e shumta që të ka dhënë Jehovai, si bollëku i ushqimit që të forcon besimin, miqtë e mirë, synimet me vlerë dhe perspektiva për të gëzuar liri të përsosur? (Psal. 103:5) Nëse i çmon, me siguri ndihesh edhe ti si Davidi që te Psalmi 16:11 u lut: «Ti do të më njohësh me shtegun e jetës. Kur jam para teje, ngopem me gëzim. Në të djathtën tënde gjithnjë gjen ëndje.» Në artikullin vijues do të shqyrtojmë disa xhevahire të tjera që gjenden te Psalmi 16. Me anë të tyre do të kuptojmë më thellë çelësat për të pasur një jetë vërtet të bukur.