ARTIKULLI I STUDIMIT 15
Imito Jezuin dhe ruaj paqen e brendshme
«Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën.»—FILIP. 4:7.
KËNGA 113 Paqja jonë
PËRMBLEDHJEa
1-2. Pse ishte në stres të madh Jezui?
DITËN e fundit të jetës në tokë, Jezui ishte i shqetësuar. Pas pak do ta vritnin mizorisht njerëz të ligj. Por ajo që e trazonte Jezuin nuk ishte vetëm vdekja e tij e afërt. Ai e donte nga thellësia e zemrës Atin e tij dhe dëshironte ta kënaqte. Jezui e dinte se po të qëndronte besnik në sprovën e vështirë që e priste pas pak, do të ndihmonte të shfajësohej emri i Jehovait. Gjithashtu, Jezui i donte njerëzit dhe e dinte se shpresa jonë për të jetuar përgjithmonë do të varej nga përfundimi me sukses i jetës së tij në tokë.
2 Edhe pse kishte një stres të jashtëzakonshëm, Jezui ishte në paqe. Ai u kishte thënë apostujve: «Po ju jap paqen time.» (Gjoni 14:27) Jezui kishte ‘paqen e Perëndisë’, atë qetësi që buron nga marrëdhënia e çmuar me Jehovain. Ajo paqe i qetësonte mendjen dhe zemrën Jezuit.—Filip. 4:6, 7.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Asnjë nga ne nuk do të përjetojë ndonjëherë atë lloj presioni që iu desh të duronte Jezuit, ama të gjithë ata që ndjekin Jezuin do të hasin sprova. (Mat. 16:24, 25; Gjoni 15:20) Dhe ashtu si Jezui, do të ketë raste që do të ndihemi të shqetësuar. Ç’mund të bëjmë që ankthi të mos na vërë poshtë e të na grabitë paqen mendore? Le të shqyrtojmë tri gjëra që bëri Jezui gjatë shërbimit të tij në tokë dhe të shohim si mund ta imitojmë kur kalojmë sprova.
JEZUI LUTEJ PARESHTUR
4. Duke pasur parasysh 1 Selanikasve 5:17, jepni shembuj që tregojnë se Jezui u lut shpesh ditën e fundit të jetës në tokë.
4 Lexo 1 Selanikasve 5:17. Jezui u lut shpesh gjatë gjithë ditës së fundit të jetës së tij në tokë. Kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, u lut për bukën e për verën. (1 Kor. 11:23-25) Para se të largoheshin nga vendi ku mbajtën Pashkën, u lut bashkë me dishepujt. (Gjoni 17:1-26) Kur shkoi atë natë me dishepujt në Malin e Ullinjve, Jezui u lut mjaft herë. (Mat. 26:36-39, 42, 44) Dhe fjalët e fundit që tha para se të vdiste, ishin një lutje. (Luka 23:46) Me anë të lutjeve, Jezui e përfshiu Jehovain në çdo ngjarje të rëndësishme të asaj dite vendimtare.
5. Pse iu mpak guximi apostujve?
5 Një arsye pse Jezui i bëri ballë sprovës, ishte se u mbështet me besim në lutje tek Ati i tij. Kurse apostujt nuk ngulmuan në lutje atë natë. Si pasojë, kur erdhi ora e sprovës, iu mpak guximi. (Mat. 26:40, 41, 43, 45, 56) Kur na bien sprova, do të qëndrojmë besnikë vetëm nëse imitojmë shembullin e Jezuit dhe ‘lutemi vazhdimisht’. Për çfarë mund të lutemi?
6. Si do të na ndihmojë besimi të ruajmë paqen e brendshme?
6 Mund të lutemi që Jehovai ‘të na japë më shumë besim’. (Luka 17:5; Gjoni 14:1) Kemi nevojë për besim, sepse Satanai do t’i sprovojë të gjithë ata që ndjekin Jezuin. (Luka 22:31) Si do të na ndihmojë besimi të ruajmë paqen e brendshme edhe kur na godasin probleme njëri pas tjetrit? Pasi të kemi bërë gjithë sa kemi në dorë për të përballuar një sprovë, besimi do të na shtyjë ta lëmë çështjen në duart e Jehovait. Ne kemi besim se ai mund t’u japë rrugë gjërave ku e ku më mirë se ne, e kjo na jep paqe në mendje dhe në zemër.—1 Pjet. 5:6, 7.
7. Çfarë mësove nga komentet e Robertit?
7 Lutjet na ndihmojnë të ruajmë paqen e brendshme pavarësisht nga sprovat që na bien. Mendo për shembullin e Robertit, një plak besnik që tani është në të 80-at. Ai thotë: «Këshilla te Filipianëve 4:6, 7 më ka ndihmuar përmes shumë sprovave në jetën time. Përballova probleme ekonomike. Dhe humba përkohësisht privilegjin për të shërbyer si plak.» Çfarë e ka ndihmuar Robertin të ruajë paqen e brendshme? Ai shpjegon: «Lutem sapo filloj të ndiej ankth. Mendoj se sa më të shpeshta e më të zjarrta të jenë lutjet e mia, aq më shumë më pushton paqja.»
JEZUI PREDIKONTE ME ZELL
8. Siç tregon Gjoni 8:29, cila është një arsye tjetër pse Jezui kishte paqe të brendshme?
8 Lexo Gjonin 8:29. Edhe kur e përndiqnin, Jezui kishte paqe të brendshme se e dinte që po bënte të lumtur Atin e tij. Ai vazhdonte t’i bindej Jehovait edhe kur s’e kishte aspak të lehtë. Veç kësaj, ngaqë e donte Atin e tij, shërbimi i Jehovait ishte boshti i jetës së Jezuit. Për shembull, para se të vinte në tokë, ai ishte ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë. (Prov. 8:30) Dhe kur ishte në tokë, u mësonte plot zell të tjerëve për Atin e tij. (Mat. 6:9; Gjoni 5:17) Ajo vepër i jepte Jezuit një gëzim të pakufishëm.—Gjoni 4:34-36.
9. Kur jemi të zënë me veprën e predikimit, si na ndihmon kjo të ruajmë paqen e brendshme?
9 Mund ta imitojmë Jezuin duke iu bindur Jehovait dhe ‘duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’. (1 Kor. 15:58) Kur jemi ‘tërësisht të zënë’ me veprën e predikimit, kjo na ndihmon t’i shohim në dritën e duhur problemet tona. (Vep. 18:5) Për shembull, ata që takojmë në shërbim, shpesh hasin probleme më të rënda se tonat. Por, kur mësojnë të duan Jehovain dhe zbatojnë këshillat e tij, jeta e tyre përmirësohet dhe janë më të lumtur. Çdo herë që e shohim këtë, ndihemi akoma më të sigurt se Jehovai do të kujdeset për ne. Dhe kjo bindje na ndihmon të ruajmë paqen e brendshme. Një motër që ka luftuar tërë jetën me depresionin dhe me ndjenjat e theksuara të pavlefshmërisë, provoi sa e vërtetë është kjo. «Kur zhytem te shërbimi,—thotë ajo,—jam më stabël nga ana emocionale dhe më e lumtur. Them se kjo vjen ngaqë kur jam në shërbim, ndihem më afër se kurrë me Jehovain.»
10. Çfarë mësove nga komentet e Brendës?
10 Të shohim edhe shembullin e një motre që quhet Brenda. Ajo dhe e bija vuajnë nga skleroza e shumëfishtë. Brendës i duhet të lëvizë me karrige me rrota dhe ka pak energji. Ajo predikon shtëpi më shtëpi kur mundet, por kryesisht jep dëshmi duke shkruar letra. Brenda thotë: «Pasi e pranova nga ana mendore dhe emocionale se sëmundja ime nuk ka shërim në këtë sistem, arrita të përqendrohesha plotësisht te shërbimi. Të them të drejtën, shërbimi ma heq mendjen nga ankthet e mia. Më detyron të përqendrohem te ndihma që mund t’u jap njerëzve në territorin e kongregacionit tonë. Dhe më sjell në mendje vazhdimisht shpresën që kam për të ardhmen.»
JEZUI PRANONTE NDIHMËN E MIQVE
11-13. (a) Si treguan apostujt dhe të tjerë se ishin miq të vërtetë për Jezuin? (b) Si ndikonin te Jezui miqtë e tij?
11 Gjatë gjithë shërbimit sfidues të Jezuit, apostujt besnikë treguan se ishin miqtë e tij të vërtetë. Ata ishin shembuj të gjallë të proverbit: «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» (Prov. 18:24) Jezui i çmonte miq të tillë. Asnjë nga vëllezërit e gjakut të Jezuit nuk tregoi besim tek ai gjatë shërbimit të tij. (Gjoni 7:3-5) Madje në një rast, të afërmit menduan se kishte luajtur mendsh. (Mar. 3:21) Në kontrast me këtë, natën para se të vdiste, Jezui mund t’u thoshte me plot gojën apostujve besnikë: «Ju keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia.»—Luka 22:28.
12 Kishte raste që apostujt e zhgënjenin Jezuin, por ai shihte përtej gabimeve të tyre dhe vërente se kishin besim tek ai. (Mat. 26:40; Mar. 10:13, 14; Gjoni 6:66-69) Natën e fundit me ta para ekzekutimit, Jezui u tha atyre burrave besnikë: «Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithçka që kam dëgjuar nga Ati im.» (Gjoni 15:15) Pa dyshim, miqtë e Jezuit ishin burim i madh inkurajimi për të. Ndihma që i jepnin ata në shërbim ia mbushte zemrën me gëzim.—Luka 10:17, 21.
13 Përveç apostujve, Jezui kishte edhe miq të tjerë, burra e gra, që i bëheshin krah në veprën e predikimit dhe në mënyra të tjera praktike. Disa i hapnin shtëpinë që të kishte ku të hante një vakt. (Luka 10:38-42; Gjoni 12:1, 2) Të tjerë udhëtonin dhe ndanin me të pasuritë e tyre. (Luka 8:3) Jezui kishte miq të mirë ngaqë ishte edhe vetë mik i mirë për ta. Ai bënte gjëra të mira për miqtë e tij dhe ishte i arsyeshëm në atë që priste prej tyre. Ndonëse ishte i përsosur, Jezui e çmonte mbështetjen që i jepnin miqtë e papërsosur. Dhe s’ka dyshim se ata e ndihmuan të ruante paqen e brendshme.
14-15. Si mund të zëmë miq të mirë, dhe si mund të na ndihmojnë ata?
14 Miqtë e mirë do të na ndihmojnë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait. E mënyra më e shkëlqyer për të zënë miq të mirë, është të jesh një mik i mirë. (Mat. 7:12) Për shembull, Bibla na inkurajon të mos kursehemi për të ndihmuar të tjerët, sidomos ata që janë ‘nevojtarë’. (Efes. 4:28) A të vjen ndër mend dikush në kongregacion që mund ta ndihmosh? A mund t’i bësh pazarin një lajmëtari që nuk del dot nga shtëpia? A mund t’i sigurosh një vakt një familjeje që është ngushtë nga ana ekonomike? Nëse di ta përdorësh sitin jw.org® dhe aplikacionin JW Library®, a mund të ndihmosh të tjerë në kongregacion për të gjetur thesaret që përmbajnë ato? Kur përqendrohemi si të ndihmojmë të tjerët, ka më shumë të ngjarë të jemi të lumtur.—Vep. 20:35.
15 Miqtë që zëmë do të na mbështetin kur të hasim sprova e do të na ndihmojnë të ruajmë paqen e brendshme. Ashtu si Elihu që e dëgjoi Jobin tek fliste për sprovat e tij, miqtë tanë na ndihmojnë duke na dëgjuar me durim ndërsa u hapemi për shqetësimet tona. (Jobi 32:4) Nuk duhet të presim që miqtë tanë të marrin vendime që na takojnë ne, ama është e mençur t’ua vëmë veshin këshillave të tyre të bazuara te Bibla. (Prov. 15:22) Dhe ashtu si mbreti David që e pranoi me përulësi ndihmën e miqve të vet, të mos jemi tepër krenarë për të pranuar ndihmën që na ofrojnë miqtë tanë kur jemi në nevojë. (2 Sam. 17:27-29) Vërtet, këta miq të mirë janë një dhuratë nga Jehovai.—Jak. 1:17.
SI TA RUAJMË PAQEN E BRENDSHME
16. Sipas Filipianëve 4:6, 7, cila është e vetmja mënyrë si të fitojmë paqe? Shpjegoni.
16 Lexo Filipianëve 4:6, 7. Pse Jehovai na thotë se paqen që jep ai mund ta marrim «me anë të Krishtit Jezu»? Sepse paqen e palëkundur në mendje e zemër, mund ta fitojmë vetëm nëse kuptojmë dhe kemi besim te roli që përmbush Jezui. Për shembull, nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezuit, mund të na falen të gjitha mëkatet. (1 Gjon. 2:12) Sa na lehtëson ky mendim! Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do të zhbëjë çdo dëm që mund të na shkaktojë Satanai dhe sistemi i tij. (Isa. 65:17; 1 Gjon. 3:8; Zbul. 21:3, 4) Çfarë shprese të mrekullueshme na jep kjo! Dhe ndonëse na ka dhënë një caktim sfidues, Jezui është me ne dhe na mbështet gjatë gjithë ditëve të fundit të këtij sistemi. (Mat. 28:19, 20) Sa guxim na jep kjo! Lehtësim, shpresë dhe guxim—këta janë disa nga gurët e fortë të themelit mbi të cilin ndërtohet paqja jonë mendore.
17. (a) Si mund ta ruajmë paqen e brendshme? (b) Siç premtohet te Gjoni 16:33, çfarë do të arrijmë të bëjmë?
17 Si mund ta ruash, pra, paqen mendore kur je i dërrmuar nga sprova të rënda? Duke imituar mënyrën si vepronte Jezui. Së pari, lutu dhe ngulmo në lutje. Së dyti, bindju Jehovait dhe prediko me zell, edhe kur e ke të vështirë. Së treti, mbështetu te miqtë e tu për ndihmë kur kalon sprova. Atëherë paqja e Perëndisë do të ruajë mendjen dhe zemrën tënde. Dhe ashtu si Jezui, do të dalësh fitimtar në çdo sprovë.—Lexo Gjonin 16:33.
KËNGA 41 Të lutem, dëgjoje lutjen time!
a Të gjithë ne përballojmë probleme që mund të na grabitin paqen. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri gjëra që bënte Jezui e që mund t’i bëjmë edhe ne për të ruajtur paqen e brendshme, edhe kur vuajmë nga sprova të rënda.