ARTIKULLI I STUDIMIT 52
Prindër—Stërvitini fëmijët të duan Jehovain
«Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.»—PSAL. 127:3.
KËNGA 134 Fëmijët na i ka besuar Perëndia
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë u beson Jehovai prindërve?
JEHOVAI e krijoi çiftin e parë me dëshirën që të kishin fëmijë. Me të drejtë Bibla thotë: «Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.» (Psal. 127:3) Çfarë do të thotë kjo? Imagjino sikur një mik i ngushtë të lë nën kujdes një shumë të madhe parash. Si do të ndiheshe? Patjetër do të ndiheshe i nderuar që ka besim te ti. Por ndoshta ke merak si do t’ia ruash atë thesar. Jehovai, Miku ynë më i ngushtë, u lë nën kujdes prindërve diçka shumë më të çmuar se paratë. Ai u beson mirëqenien dhe lumturinë e fëmijëve të tyre.
2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Kush duhet të vendosë nëse dhe kur do të bëhet me fëmijë një çift i martuar? Dhe si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të kenë një jetë të lumtur? Të shqyrtojmë vetëm disa parime nga Fjala e Perëndisë, që mund t’i ndihmojnë çiftet e krishtere të marrin vendime të mençura.
TË RESPEKTOJMË VENDIMIN E ÇIFTIT
3. (a) Kush duhet ta vendosë nëse një çift do të ketë fëmijë? (b) Cilat parime nga Bibla duhet të mbajnë parasysh miqtë dhe familja e një çifti?
3 Në disa kultura, pritet që të sapomartuarit të bëhen sa më shpejt me fëmijë. Çiftit mund t’i bëjnë presion edhe familjarët e të tjerë që ta ndjekë këtë zakon. Xhethro, një vëlla në Azi, thotë: «Në kongregacion, disa që janë prindër, u bëjnë presion çifteve pa fëmijë që të bëjnë edhe ata fëmijë.» Xhefri, një vëlla tjetër në Azi, shprehet: «Disa u thonë çifteve pa fëmijë se nuk do të kenë njeri që të kujdeset për ta kur të plaken.» Por çdo çift duhet ta vendosë vetë nëse do të ketë fëmijë. Ky vendim u takon atyre; është përgjegjësia e tyre. (Gal. 6:5, shën., nwt) S’diskutohet, miqtë dhe familja duan që të sapomartuarit të jenë të lumtur. Por të gjithë duhet të mbajnë parasysh se vendimi në do të kenë fëmijë i përket çiftit.—1 Sel. 4:11.
4-5. Cilat janë dy çështje që duhet të diskutojë çifti, dhe kur është më e mira ta bëjnë këtë diskutim? Shpjegoni.
4 Një çift që vendos të ketë fëmijë, bën mirë të diskutojë dy çështje të rëndësishme: së pari, kur dëshirojnë të bëhen me fëmijë? Së dyti, sa fëmijë duan? Kur është momenti më i përshtatshëm që çifti të diskutojë për këtë? Pse janë kaq të rëndësishme këto dy çështje?
5 Në shumicën e rasteve, çifti duhet të bisedojë për këtë para martese. Pse? Sepse ka shumë rëndësi të jenë në një mendje për këtë çështje. Gjithashtu duhet të peshojnë nëse janë gati për këtë përgjegjësi. Disa çifte kanë vendosur që, pas martesës, të presin të paktën një a dy vjet para se të bëhen prindër, sepse pastaj do të harxhojnë shumë kohë e energji për fëmijët. Ata mendojnë se duke pritur ca, do t’i japin kohë vetes të përshtaten me jetën bashkëshortore e të afrohen më shumë me njëri-tjetrin.—Efes. 5:33.
6. Meqë jetojmë në kohë të vështira, çfarë kanë vendosur disa çifte?
6 Çifte të tjera të krishtere kanë zgjedhur të ndjekin shembullin e tre djemve të Noesë dhe grave të tyre. Ato tri çifte nuk u bënë menjëherë me fëmijë. (Zan. 6:18; 9:18, 19; 10:1; 2 Pjet. 2:5) Jezui e krahasoi kohën tonë me «ditët e Noesë», dhe nuk ka pikë dyshimi se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (Mat. 24:37; 2 Tim. 3:1) Duke mbajtur parasysh këtë, disa çifte kanë vendosur ta shtyjnë kohën kur do të bëhen me fëmijë, që t’i kushtojnë më shumë kohë shërbimit të Perëndisë.
7. Si mund ta ndihmojnë një çift parimet e Lukës 14:28, 29 dhe të Proverbave 21:5?
7 Kur vendosin nëse do të bëhen me fëmijë dhe sa fëmijë të kenë, çiftet e mençura ‘llogaritin shpenzimet’. (Lexo Lukën 14:28, 29.) Prindërit me përvojë e dinë mirë se rritja e fëmijëve kërkon jo vetëm pará, por edhe kohë e energji. Prandaj është e rëndësishme që një çift të shqyrtojë pyetje të tilla, si: «A do të na duhet të dyve të punojmë për t’i siguruar familjes gjërat bazë? A jemi në një mendje cilat janë ‘gjërat bazë’ për ne? Nëse do të na duhet të punojmë të dy, kush do të kujdeset për fëmijët? Kush do të ndikojë te mendimet dhe sjellja e tyre?» Çiftet që i diskutojnë me qetësi këto pyetje, i vënë veshin asaj që thuhet te Proverbat 21:5.—Lexoje.
8. Për cilat vështirësi duhet të mendojnë që më parë çiftet e krishtere, dhe çfarë do të bëjë një burrë i dashur?
8 Fëmija kërkon dhe meriton nga secili prind goxha kohë dhe energji. Prandaj, nëse kanë disa fëmijë që janë afër në moshë, prindërit mund ta kenë të vështirë t’i kushtojnë secilit vëmendjen e nevojshme. Disa çifte që kanë pasur disa fëmijë të vegjël, kanë pranuar se s’dinin si t’ia bënin. Mamaja mund të ndihet tërë kohës e sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. Si pasojë mund të ndodhë që të mos ketë fuqi të studiojë, të lutet dhe të dalë në shërbim rregullisht. Një vështirësi tjetër është, të përqendrohet gjatë mbledhjeve e të nxjerrë dobi. Natyrisht, një burrë i dashur do të bëjë sa ka në dorë që ta mbështetë të shoqen kur fëmijët kanë nevojë për vëmendje, si në mbledhje, edhe në shtëpi. Për shembull, mund ta ndihmojë gruan me punët e shtëpisë. Veç kësaj, baballarët e krishterë punojnë pa u lodhur që të gjithë të nxjerrin dobi nga Adhurimi i rregullt Familjar. Gjithashtu dalin rregullisht në shërbim me familjen.
SI T’I MËSONI FËMIJËT TË DUAN JEHOVAIN
9-10. Çfarë është jetësore të bëjnë prindërit për të ndihmuar fëmijët?
9 Cilat janë disa gjëra që mund të bëjnë prindërit, për t’i mësuar fëmijët ta duan Jehovain? Si mund t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet morale? Të shohim disa hapa që mund të bëjnë prindërit.
10 Lutjuni për ndihmë Jehovait. Të ndalemi te shembulli i Manoahut dhe gruas së tij, prindërit e Samsonit. Kur mori vesh se do të bëheshin me djalë, Manoahu iu përgjërua Jehovait t’u jepte drejtim si ta rritnin fëmijën.
11. Si mund ta imitojnë prindërit shembullin e Manoahut, të përmendur te Gjykatësit 13:8?
11 Nihadi dhe Alma, nga Bosnjë-Hercegovina, mësuan nga shembulli i Manoahut. Ata tregojnë: «Ashtu si Manoahu, iu përgjëruam Jehovait të na mësonte si të ishim prindër të mirë. E Jehovai iu përgjigj lutjeve tona në shumë mënyra—me anë të Shkrimeve, literaturës së bazuar në Bibël, mbledhjeve të kongregacionit dhe kongreseve.»—Lexo Gjykatësit 13:8.
12. Çfarë shembulli u lanë fëmijëve Jozefi dhe Maria?
12 Mësojini me anë të shembullit. Ajo që thoni, ka rëndësi; por ajo që bëni, ka shumë mundësi të ndikojë më thellë te fëmija. Mund të jemi të sigurt se Jozefi dhe Maria u lanë një shembull të shkëlqyer fëmijëve të tyre, përfshirë Jezuin. Jozefi punonte pa përtuar që të mbante familjen. Gjithashtu i nxiste pjesëtarët e familjes ta çmonin adhurimin e Jehovait. (Ligj. 4:9, 10) Ndonëse në Ligj nuk kërkohej ta merrte familjen me vete në Jerusalem «vit për vit» për Festën e Kalimit, Jozefi e bënte këtë. (Luka 2:41, 42) Disa baballarë në atë kohë ndoshta mendonin se, të udhëtonin me gjithë familjen, ishte e parehatshme dhe harxhonte shumë kohë e pará. Por Jozefi e çmonte adhurimin e Jehovait dhe i mësonte fëmijët të bënin njësoj. Veç kësaj, Maria i njihte mirë Shkrimet. Pa dyshim që me fjalë e vepra u mësonte fëmijëve ta donin Fjalën e Perëndisë.
13. Si e ndoqi një çift shembullin e Jozefit dhe Marisë?
13 Nihadi dhe Alma, të përmendur më sipër, donin të ndiqnin shembullin e Jozefit dhe Marisë. Si i ndihmoi kjo t’i ushqenin djalit dashurinë për Perëndinë e për shërbimin e tij? Ata thonë: «Me mënyrën si jetonim, përpiqeshim t’i tregonim djalit sa mirë është të jetosh sipas parimeve të Jehovait.» Nihadi shton: «Ji ai lloj njeriu që dëshiron të bëhet fëmija yt.»
14. Pse është e nevojshme që prindërit të dinë me kë shoqërohen fëmijët?
14 Ndihmojini fëmijët të zgjedhin shoqëri të mira. Që të dy prindërit duhet të dinë me kë shoqërohen fëmijët dhe çfarë bëjnë. Kjo përfshin të dinë edhe me kë komunikojnë në mediat sociale dhe në celular. Këto shoqëri mund të ndikojnë te mënyra si mendojnë e sillen fëmijët.—1 Kor. 15:33.
15. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga shembulli i Xhesit?
15 Ç’mund të bëjnë prindërit nëse nuk dinë shumë për kompjuterët ose pajisjet elektronike? Xhesi, një baba në Filipine, thotë: «Nuk e njihnim shumë teknologjinë. Por kjo nuk na pengoi t’u mësonim fëmijëve rreziqet e mundshme të pajisjeve elektronike.» Xhesi nuk ua ndaloi fëmijëve t’i përdornin ato pajisje thjesht ngaqë nuk dinte t’i përdorte mirë vetë. Ai shpjegon: «I inkurajoja fëmijët t’i përdornin pajisjet elektronike që të mësonin një gjuhë të re, të studionin për mbledhje dhe të lexonin Biblën çdo ditë.» Nëse je prind, a i ke lexuar dhe diskutuar me fëmijët këshillat e ekuilibruara për komunikimin me mesazhe dhe postimin e fotove online te pjesa «Adoleshentët» në jw.org®? A i ke diskutuar me ta videot Kush e ka kontrollin—Ti apo pajisja elektronike? dhe Rrjetet sociale: Tregohu i zgjuar?b Këto materiale mund të jenë një ndihmë e madhe ndërsa i mëson fëmijët si t’i përdorin me mençuri pajisjet elektronike.—Prov. 13:20.
16. Çfarë kanë bërë shumë prindër, dhe cili ka qenë rezultati?
16 Shumë prindër bëjnë çmos t’u krijojnë mundësi fëmijëve të shoqërohen me ata që lënë një shembull të mirë në shërbimin e Perëndisë. Për shembull, Ndeni dhe Bomina, një çift në Bregun e Fildishtë, ftonin shpesh mbikëqyrësin qarkor që të rrinte në shtëpinë e tyre. Ndeni tregon: «Kjo ndikoi goxha mirë te djali ynë. Ai filloi shërbimin si pionier dhe tani shërben si zëvendësmbikëqyrës qarkor.» A mund të krijosh mundësi që edhe fëmijët e tu të gëzojnë shoqëri të tilla?
17-18. Kur duhet të fillojnë t’i stërvitin prindërit fëmijët?
17 Filloni t’i stërvitni fëmijët sa më herët. Sa më herët ta fillojnë prindërit stërvitjen e fëmijëve, aq më mirë është. (Prov. 22:6) Të mos harrojmë rastin e Timoteut, që udhëtoi me apostullin Pavël. Mamaja, Eunika, dhe gjyshja, Loida, e kishin stërvitur Timoteun «që nga foshnjëria».—2 Tim. 1:5; 3:15.
18 Një çift tjetër në Bregun e Fildishtë, Zhan-Klodi dhe Pejsi, u ushqyen të gjashtë fëmijëve dashurinë për Jehovain e për shërbimin e tij. Çfarë i ndihmoi t’ia dilnin mbanë? Ndoqën shembullin e Eunikës dhe Loidës. Ata thonë: «Ua ngulitëm në zemër fëmijëve Fjalën e Perëndisë që nga foshnjëria dhe e nisëm këtë stërvitje pak pasi lindën.»—Ligj. 6:6, 7.
19. Çfarë duhet për t’ua ngulitur fëmijëve Fjalën e Perëndisë?
19 Çfarë do të thotë ‘t’u ngulitësh’ fëmijëve Fjalën e Jehovait? «Të ngulitësh» do të thotë «të mësosh dhe të skalitësh në zemër e në mendje me përsëritje të shpeshta». Që ta bëjnë këtë, prindërit duhet të kalojnë kohë rregullisht me fëmijët. Hera-herës mund të shkurajohen ngaqë u duhet t’ua përsëritin fëmijëve disa gjëra. Megjithatë, mund të përpiqen ta shohin këtë si një mundësi që t’i ndihmojnë fëmijët ta kuptojnë Fjalën e Perëndisë e ta zbatojnë.
20. Shpjegoni si ndihmon Psalmi 127:4 në rritjen e fëmijëve.
20 Tregoni aftësi dalluese. Psalmi 127 i krahason fëmijët me shigjetat. (Lexo Psalmin 127:4.) Ashtu si shigjetat që përbëhen nga materiale të ndryshme e kanë lloj-lloj përmasash, nuk ka dy fëmijë që të jenë fiks njësoj. Prandaj prindërit duhet të përcaktojnë si ta stërvitin secilin fëmijë. Një çift në Izraelin e sotëm, që ia dolën t’i rritnin dy fëmijët e tyre si shërbëtorë të Jehovait, tregojnë çfarë i ndihmoi: «Bënim studim më vete me secilin fëmijë.» Natyrisht, i takon çdo kryefamiljari të vendosë nëse është e mundur ose e nevojshme të studiohet me secilin fëmijë më vete.
JEHOVAI DO T’JU NDIHMOJË
21. Çfarë ndihme mund të presin prindërit nga Jehovai?
21 Ndonjëherë prindërit mund të ndihen të dërrmuar nga vështirësitë që hasin. Megjithatë, fëmijët janë dhuratë nga Jehovai dhe ai është gjithnjë gati t’i ndihmojë prindërit. Jehovai i dëgjon me vëmendje lutjet e tyre dhe u përgjigjet nëpërmjet Biblës, botimeve dhe shembullit e këshillave të prindërve me përvojë në kongregacion.
22. Cilat janë disa nga dhuratat më të bukura që mund t’u bëjnë prindërit fëmijëve?
22 Thuhet se të rritësh fëmijë, është një projekt 20-vjeçar, ama në realitet prindërit mbeten gjithnjë prindër. Ndër dhuratat më të bukura që mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre, janë dashuria, koha dhe stërvitja e bazuar te Bibla. Çdo fëmijë reagon ndryshe ndaj stërvitjes. Gjithsesi, shumë nga ata që i kanë rritur prindër që e duan Jehovain, ndihen si Xhoana-Mei, një motër në Azi. Ajo thotë: «Kur kujtoj si më stërvitën prindërit, u jam shumë mirënjohëse që më disiplinuan dhe më mësuan të dua Jehovain. Ata jo vetëm më dhanë jetën, por më dhanë një jetë plot kuptim.» (Prov. 23:24, 25) Miliona shërbëtorë të Jehovait mund të bashkohen me ndjenjat e saj.
KËNGA 59 Ta lëvdojmë Jah
a A duhet të ketë fëmijë një çift i martuar? Nëse vendosin të bëhen me fëmijë, sa fëmijë duhet të kenë? Dhe si mund t’i stërvitin fëmijët që ta duan Jehovain e t’i shërbejnë? Ky artikull jep shembuj nga ditët tona dhe parime nga Bibla që mund të na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift i krishterë bisedon nëse do të ketë fëmijë dhe peshon si gëzimet, edhe detyrimet.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift bën studim më vete me secilin fëmijë, për shkak të moshës dhe aftësive të fëmijëve.