Çfarë është shpirti?
Përgjigjja e Biblës
Fjala që është përkthyer «shpirt» në Bibël, në hebraisht është néfesh dhe në greqisht psikhé. Kuptimi i mirëfilltë i fjalës hebraike është «një krijesë që merr frymë» dhe fjala greke ka kuptimin «një qenie e gjallë».a Pra, shpirti është e gjithë krijesa, jo diçka brenda nesh që mbijeton pasi trupi vdes. Shqyrto si e tregon Bibla që shpirti i njeriut është i gjithë personi:
Kur Perëndia Jehova krijoi njeriun e parë, Adamin, Bibla thotë se «njeriu u bë një shpirt i gjallë». (Zanafilla 2:7, King James Version) Adamit nuk iu dha një shpirt—ai u bë një shpirt i gjallë ose një person.
Bibla thotë se shpirti mund të punojë, të ketë dëshirë për të ngrënë, të hajë, t’u bindet ligjeve dhe të prekë një trup të vdekur. (Levitiku 5:2; 7:20; 23:30; Ligji i përtërirë 12:20; Romakëve 13:1) Për të bërë këto gjëra, duhet i gjithë personi.
A është i pavdekshëm shpirti?
Jo, shpirti vdes. Dhjetëra vargje të Biblës thonë se shpirti është i vdekshëm. Ja disa shembuj:
«Shpirti që mëkaton do të vdesë.»—Ezekieli 18:4, 20, Diodati i Ri.
Në Izraelin e lashtë, ndëshkimi për shkeljet më të rënda ishte ky: «Shpirti do të shfaroset.» (Dalja 12:15, 19; Levitiku 7:20, 21, 27; 19:8, King James Version) Ai njeri ‘duhej të vritej’.—Dalja 31:14, Bibla ECM.
Pasi dikush vdes, termi i mirëfilltë ‘shpirti i vdekur’ në disa vargje biblike i referohet kufomës. (Levitiku 21:11; Numrat 6:6) Megjithëse shumë përkthime të Biblës në këto vargje përdorin termat «trup i vdekur» ose «person i vdekur», teksti origjinal në hebraisht përdor fjalën néfesh ose ndryshe «shpirt».
«Shpirti» nënkupton edhe «jetën»
Bibla e përdor fjalën «shpirt» edhe si sinonim për «jetën». Për shembull, Jobi 33:22 përdor fjalën hebraike «shpirt» (néfesh) si ekuivalente për «jetën». Po ashtu, Bibla tregon se dikush mund ta vërë në rrezik ose ta humbë jetën ose shpirtin.—Dalja 4:19; Gjykatësit 9:17; Filipianëve 2:30.
Ky përdorim i fjalës «shpirt» na ndihmon të kuptojmë atë që thuhet në Bibël se dikush «po jepte» shpirt ose «po i dilte» shpirti. (Zanafilla 35:18, Bibla Simon Filipaj) Ky përdorim i figurshëm tregon se jeta e dikujt po mbaron. Disa versione të tjera, këtë shprehje te Zanafilla 35:18 e përkthejnë: «Ajo dha frymën e fundit.»—Good News Translation; New Jerusalem Bible.
Nga vjen besimi te shpirti i pavdekshëm?
Grupet fetare të krishtere që besojnë te një shpirt i pavdekshëm, nuk e kanë marrë nga Bibla këtë mësim, por nga filozofia e lashtë greke. Encyclopædia Britannica thotë: «Referimet biblike për shpirtin lidhen me konceptin e frymëmarrjes dhe nuk bëjnë asnjë dallim mes shpirtit të padukshëm dhe trupit fizik. Konceptet e krishtere për ndarjen e trupit nga shpirti e kanë origjinën nga grekët e lashtë.»
Perëndia nuk e toleron përzierjen e mësimeve të tij me filozofitë njerëzore, siç është besimi te shpirti i pavdekshëm. Përkundrazi, Bibla paralajmëron: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve.»—Kolosianëve 2:8.
a Shih The New Brown, Driver, and Briggs Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, faqja 659 dhe Lexicon in Veteris Testamenti Libros, faqja 627. Në shumë versione të Biblës, fjalët néfesh dhe psikhé përkthehen në mënyra të ndryshme në varësi të kontekstit, si për shembull, «shpirt», «jetë», «person», «krijesë» ose «trup».