A ka mospërputhje në Bibël?
Përgjigjja e Biblës
Jo, e gjithë Bibla është e harmonishme. Ndonëse në disa pjesë mund të duket sikur Bibla ka mospërputhje, zakonisht ato mund të kuptohen siç duhet kur zbatojmë një ose më shumë nga parimet e mëposhtme:
Shqyrto kontekstin. Nëse fjalët nuk merren me gjithë kontekst, çdo autor mund të duket se bie në kundërshtim me veten.
Mbaj parasysh këndvështrimin e shkrimtarit. Dëshmitarët okularë mund ta përshkruajnë me saktësi një ngjarje, por mund të mos përdorin të njëjtat fjalë ose hollësi.
Ki parasysh faktet historike dhe zakonet.
Dallo gjuhën e figurshme nga ajo e mirëfilltë.
Mos harro se një veprim mund t’i atribuohet dikujt, edhe nëse nuk e ka kryer vetë ai.a
Përdor një përkthim të saktë të Biblës.
Mos u përpiq t’i harmonizosh ato që thotë Bibla me idetë ose dogmat e gabuara fetare.
Shembujt e mëposhtëm tregojnë si këto parime mund të shpjegojnë disa mospërputhje në dukje të Biblës.
Parimi 1: Konteksti
Nëse Perëndia pushoi ditën e shtatë, si ka vazhduar të punojë? Konteksti i tregimit për krijimin te Zanafilla nxjerr në pah se, kur thuhet që «ditën e shtatë [Perëndia] nisi të pushonte nga tërë puna që kishte bërë», bëhet fjalë për veprat e krijimit fizik në lidhje me tokën. (Zanafilla 2:2-4) Gjithsesi, Jezui nuk e kundërshtoi këtë kur tha se Perëndia «vazhdon të punojë deri më tani», pasi këtu e kishte fjalën për veprat e tjera të Perëndisë. (Gjoni 5:17) Këto vepra të Perëndisë përfshijnë frymëzimin e Biblës, drejtimin dhe kujdesin për njerëzimin.—Psalmi 20:6; 105:5; 2 Pjetrit 1:21.
Parimet 2 dhe 3: Këndvështrimi dhe historia
Ku e shëroi Jezui të verbrin? Libri i Lukës thotë se, «kur po i afrohej Jerikosë», Jezui shëroi një të verbër. Kurse tregimi paralel i Mateut përmend dy burra të verbër dhe thotë se kjo ndodhi ‘kur Jezui po dilte nga Jerikoja’. (Luka 18:35-43; Mateu 20:29-34) Këto dy tregime, që janë shkruar nga këndvështrime të ndryshme, faktikisht plotësojnë njëri-tjetrin. Në lidhje me numrin e burrave, Mateu tregohet më specifik dhe thotë se ishin dy, ndërsa Luka përqendrohet tek ai të cilit Jezui iu drejtua. Sa për vendin, arkeologët kanë zbuluar se në kohën e Jezuit kishte dy qytete me emrin Jeriko: qyteti i vjetër jude ishte rreth një kilometër e gjysmë larg qytetit të ri romak. Jezui mund të ketë qenë mes dy qyteteve kur bëri mrekullinë.
Parimi 4: Termat e figurshëm dhe të mirëfilltë
A do të shkatërrohet toka? Tek Eklisiastiu 1:4, Bibla thotë se «toka qëndron përjetë». Disave kjo mund t’u duket se bie në kundërshtim me pohimin se «elementet do të shkatërrohen nga nxehtësia—bashkë me tokën». (2 Pjetrit 3:10, Beck) Megjithatë, në Bibël fjala «tokë» përdoret edhe në kuptimin e mirëfilltë, kur i referohet planetit, edhe në mënyrë të figurshme, kur u referohet njerëzve që jetojnë në të. (Zanafilla 1:1; 11:1) Shkatërrimi ‘i tokës’ që përshkruhet te 2 Pjetrit 3:10 i referohet jo djegies së planetit tonë, por «shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm».—2 Pjetrit 3:7.
Parimi 5: Kujt i atribuohet veprimi
Kush ia paraqiti Jezuit në Kapernaum kërkesën e centurionit? Mateu 8:5, 6 thotë se vetë centurioni (komandant ushtarak) erdhi te Jezui, kurse Luka 7:3 thotë se centurioni dërgoi disa pleq të judenjve për t’ia bërë kërkesën. Kjo mospërputhje në dukje mund të kuptohet kështu: kërkesën e bëri oficeri romak, por dërgoi disa pleq si përfaqësues të tij.
Parimi 6: Përkthimi i saktë
A mëkatojmë të gjithë? Bibla mëson se të gjithë kemi trashëguar mëkatin nga njeriu i parë, Adami. (Romakëve 5:12) Disa përkthime duken sikur bien ndesh me këtë kur thonë se njeriu i mirë «nuk mëkaton». (1 Gjonit 3:6 Diodati i Ri; Bibla Simon Filipaj) Gjithsesi, në gjuhën origjinale, folja greke «mëkatoj» te 1 Gjonit 3:6 është në kohën e tashme, e cila në atë gjuhë normalisht tregon një veprim të vazhdueshëm. Ka dallim mes mëkatit të trashëguar, të cilin nuk mund ta shmangim, dhe mosbindjes së qëllimshme e të vazhdueshme ndaj ligjeve të Perëndisë. Kështu, disa përkthime e qartësojnë këtë mospërputhje në dukje, duke përdorur saktë fraza si «nuk e praktikon mëkatin» ose «nuk e bën zakon mëkatin».—Përkthimi Bota e Re; Phillips.
Parimi 7: Bibla nuk harmonizohet me dogmat
A është Jezui i barabartë me Perëndinë apo ka pozitë më të ulët? Njëherë Jezui tha: «Unë dhe Ati jemi një.» Kjo duket se bie ndesh me pohimin e tij: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 10:30; 14:28) Për t’i kuptuar siç duhet këto vargje, duhet të shqyrtojmë çfarë thotë vërtet Bibla për Jehovain dhe Jezuin, në vend që të përpiqemi të harmonizojmë shkrimet me dogmën e Trinitetit, e cila nuk bazohet në Bibël. Bibla tregon se Jehovai nuk është vetëm Ati i Jezuit, por edhe Perëndia i tij, Ai që vetë Jezui e adhuron. (Mateu 4:10; Marku 15:34; Gjoni 17:3; 20:17; 2 Korintasve 1:3) Jezui nuk është i barabartë me Perëndinë.
Konteksti i fjalëve të Jezuit «unë dhe Ati jemi një» tregon se ai po fliste për njëjësinë e qëllimit që kishte me Atin e tij, Perëndinë Jehova. Më vonë, Jezui tha: «Ati është në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me Atin.» (Gjoni 10:38) Jezui ishte në unitet edhe me dishepujt e tij për sa i përket qëllimit, sepse iu lut Perëndisë për ta: «U kam dhënë atyre lavdinë që ti më ke dhënë mua, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një. Unë në unitet me ta e ti në unitet me mua.»—Gjoni 17:22, 23.
a Për shembull, në një artikull të Encyclopædia Britannica, thuhet se ndërtesën Taj Mahal «e ndërtoi perandori Shah Jahān i dinastisë Mughal». Gjithsesi, atë nuk e ndërtoi vetë ai, sepse artikulli thotë se e ndërtuan «më tepër se 20.000 punëtorë».