Bekimi i Jehovait na bën të pasur
«Bekimi i Jehovait, ky të bën të pasur dhe ai nuk shton me të asnjë dhembje.»—PROVERBAT 10:22, BR.
1, 2. Përse lumturia nuk lidhet me pasurinë materiale?
SYNIMET materialiste drejtojnë jetën e miliona njerëzve sot. Por, a i bëjnë të lumtur gjërat materiale? «S’më kujtohet ndonjë periudhë tjetër kur njerëzit të kenë qenë kaq të zymtë për shortin e tyre në jetë»,—thuhet në The Australian Women’s Weekly. Aty shtohet: «Është një paradoks. Thuhet se Australia është në formë të shkëlqyer nga ana ekonomike, se jeta nuk ka qenë kurrë më e mirë se tani. . . . Megjithatë, kombin e ka pushtuar pesimizmi. Si burrat, ashtu edhe gratë e ndiejnë se diçka mungon në jetën e tyre, por nuk janë në gjendje ta përcaktojnë se çfarë është.» Sa të vërteta janë Shkrimet, kur tregojnë se as lumturia, as jeta nuk na vjen nga gjërat që zotërojmë!—Predikuesi (Eklisiastiu) 5:10; Luka 12:15.
2 Bibla mëson se lumturia më e madhe vjen kur kemi bekimin e Perëndisë. Lidhur me këtë, te Proverbat (Fjalët e urta) 10:22 thuhet: «Bekimi i Jehovait, ky të bën të pasur dhe ai nuk shton me të asnjë dhembje.» (BR) Shpesh, dhembja vjen si pasojë e grumbullimit me lakmi të pasurive materiale. Në mënyrë të përshtatshme, apostulli Pavël paralajmëroi: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»—1 Timoteut 6:9, 10.
3. Përse shërbëtorët e Perëndisë hasin sprova?
3 Nga ana tjetër, bekime pa dhembje i zënë të gjithë ata që ‘vazhdojnë ta dëgjojnë zërin e Jehovait’. (Ligji i përtërirë 28:2, BR) Por, disa mund të pyesin: ‘Nëse bekimit të Jehovait nuk i shtohet asnjë dhembje, përse shumë shërbëtorë të Perëndisë vuajnë?’ Bibla zbulon se Perëndia i lejon sprovat tona, por ato, në të vërtetë, e kanë zanafillën te Satanai, te sistemi i tij i lig dhe te natyra jonë e papërsosur. (Zanafilla 6:5; Ligji i përtërirë 32:4, 5; Gjoni 15:19; Jakovit 1:14, 15) Jehovai është burimi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’. (Jakovit 1:17) Kështu që bekimet e tij nuk shkaktojnë kurrë dhembje. Pra, le të shqyrtojmë disa nga dhuratat e përsosura të Perëndisë.
Fjala e Perëndisë—Një dhuratë që s’ka të çmuar
4. Çfarë bekimi dhe dhurate që s’ka të çmuar gëzon populli i Jehovait gjatë kësaj ‘kohe të fundit’?
4 Lidhur me ‘kohën e fundit’, në profecinë e Danielit thuhet: «Njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.» Megjithatë, kjo kufizohej nga fjalët: «Asnjë prej të ligjve nuk do të kuptojë, por ata që kanë mendjehollësi do të kuptojnë.» (Danieli 12:4, 10, BR) Përfytyroni pak! Fjala e Perëndisë, e sidomos profecitë, shprehet me një mençuri të tillë hyjnore, që të ligjtë nuk mund ta kapin kuptimin e vërtetë të saj, ndonëse populli i Jehovait arrin ta bëjë këtë. «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës,—u lut Biri i Perëndisë,—sepse ti i ke fshehur me kujdes këto gjëra nga të mençurit e intelektualët dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Luka 10:21) Çfarë bekimi është të kemi Fjalën e shkruar të Perëndisë, Biblën, këtë dhuratë që s’ka të çmuar dhe të jemi ndër ata të cilëve Jehovai u ka dhënë mendjehollësi frymore!—1 Korintasve 1:21, 27, 28; 2:14, 15.
5. Çfarë është mençuria dhe si mund ta fitojmë atë?
5 Nuk do të mund të kishim fare mendjehollësi frymore, po të mos ishte për ‘mençurinë nga lart’. (Jakovit 3:17) Mençuria është aftësia që ta përdorim njohurinë dhe kuptueshmërinë për të zgjidhur problemet, për të shmangur a për të parandaluar rreziqet, për të arritur synimet ose për të dhënë këshilla të shëndosha. Si e fitojmë mençurinë hyjnore? Te Fjalët e urta 2:6 thuhet: «Zoti jep diturinë [mençurinë, BR]; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.» Po, nëse vazhdojmë të lutemi me ngulm për mençurinë, Jehovai do të na bekojë duke na e dhënë atë, ashtu siç i dha mbretit Solomon «një zemër të mençur e me kuptueshmëri». (1 Mbretërve 3:11, 12, BR; Jakovit 1:5-8) Për të fituar mençuri, duhet, gjithashtu, të vazhdojmë ta dëgjojmë Jehovain duke e studiuar rregullisht dhe duke e zbatuar Fjalën e tij.
6. Përse është e mençur t’i zbatojmë ligjet dhe parimet e Perëndisë në jetën tonë?
6 Shembuj të shkëlqyer të mençurisë hyjnore i gjejmë në ligjet dhe parimet e Biblës. Këto na sjellin dobi në çdo anë: fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe frymësisht. Në mënyrë të përshtatshme, psalmisti këndoi: «Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë të pastra dhe ndriçojnë sytë. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar.»—Psalmi 19:7-10; 119:72.
7. Çfarë vjen si pasojë kur shpërfillen normat e drejta të Perëndisë?
7 Nga ana tjetër, ata që i shpërfillin normat e drejta të Perëndisë nuk gjejnë lumturinë dhe lirinë që kërkojnë. Herët a vonë, zbulojnë se Perëndia nuk vihet në lojë, pasi një person do të korrë atë që mbjell. (Galatasve 6:7) Miliona veta që i shpërfillin parimet e Biblës po korrin pasoja të tilla tragjike, si: shtatzëni të padëshiruara, sëmundje të neveritshme ose varësi shkatërrimtare. Nëse nuk pendohen e nuk ndryshojnë drejtimin e tyre në jetë, përfundimisht rruga që kanë marrë do t’i çojë në vdekje e ndoshta në shkatërrim nga Perëndia.—Mateu 7:13, 14.
8. Përse ata që e duan Fjalën e Perëndisë janë të lumtur?
8 Megjithatë, ata që e duan dhe e zbatojnë Fjalën e Perëndisë do t’i zënë bekime të mëdha tani e në të ardhmen. Me të drejtë, ligji i Perëndisë i bën që të ndihen të liruar, ata janë vërtet të lumtur dhe e presin me padurim kohën kur do të lirohen nga mëkati e nga pasojat e tij vdekjeprurëse. (Romakëve 8:20, 21; Jakovit 1:25) Kjo shpresë është e sigurt, sepse mbështetet në dhuratën më të dashur që Perëndia i ka bërë njerëzimit: flijimin shpërblyes të Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; Romakëve 6:23) Një dhuratë e tillë e shkallës më të lartë vërteton thellësinë e dashurisë që ka Perëndia për njerëzimin dhe siguron bekime të pafundme për të gjithë ata që vazhdojnë ta dëgjojnë Jehovain.—Romakëve 8:32.
Mirënjohës për dhuratën e frymës së shenjtë
9, 10. Si nxjerrim dobi nga dhurata e frymës së shenjtë që na bën Jehovai? Jepni një shembull.
9 Një dhuratë tjetër e dashur e Perëndisë, për të cilën duhet të jemi mirënjohës, është fryma e tij e shenjtë. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër e nxiti turmën që ishte e pranishme në Jerusalem: «Pendohuni e secili nga ju le të pagëzohet në emrin e Jezu Krishtit për faljen e mëkateve tuaja dhe do të merrni dhuratën falas të frymës së shenjtë.» (Veprat 2:38) Sot, Jehovai u jep frymë të shenjtë shërbëtorëve të tij të dedikuar që luten për ta pasur atë dhe që dëshirojnë të bëjnë vullnetin e tij. (Luka 11:9-13) Në kohët e lashta, kjo forcë, më e fuqishmja në univers—fryma e shenjtë ose forca vepruese e Perëndisë—u dha fuqi burrave dhe grave me besim, duke përfshirë edhe të krishterët e hershëm. (Zakaria 4:6; Veprat 4:31) Ajo mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne, ndonëse mund të hasim pengesa ose sfida shumë të mëdha, duke qenë në popullin e Jehovait.—Joeli 2:28, 29.
10 Shqyrtoni rastin e Lorelës, e cila u sëmur me poliomielit dhe jetoi 37 vjet brenda një aparati për frymëmarrje, të quajtur mushkëri çeliku.a Me gjithë rrethanat jashtëzakonisht sprovuese, ajo i shërbeu me zell Perëndisë derisa vdiq. Gjatë viteve, Lorela pati bekimin e pasur të Jehovait. Për shembull, pati mundësi të ndihmonte 17 veta që të merrnin njohurinë e saktë të së vërtetës biblike, ndonëse ishte e ngujuar brenda atij aparati për 24 orë në ditë! Gjendja e saj na sjell ndër mend fjalët e apostullit Pavël: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Korintasve 12:10) Po, çfarëdo suksesi që mund të kemi në predikimin e lajmit të mirë nuk vjen nga aftësia ose fuqia jonë, por nga ndihma e Perëndisë me anë të frymës së shenjtë, të cilën ai ua jep atyre që vazhdojnë ta dëgjojnë zërin e tij.—Isaia 40:29-31.
11. Çfarë cilësish prodhon fryma e Perëndisë tek ata që veshin ‘personalitetin e ri’?
11 Nëse me bindje e dëgjojmë Perëndinë, fryma e tij prodhon te ne cilësinë e dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besimit, butësisë dhe të vetëkontrollit. (Galatasve 5:22, 23) Ky ‘fryt i frymës’ është pjesë e ‘personalitetit të ri’ që veshin të krishterët në vend të karakteristikave grabitqare, ngjashëm bishave, që mund t’i kenë shfaqur më parë. (Efesianëve 4:20-24; Isaia 11:6-9) Me shumë rëndësi në këtë fryt është dashuria, «një lidhje e përsosur bashkimi».—Kolosianëve 3:14.
Dashuria e krishterë—Një dhuratë e çmuar
12. Si treguan dashuri Tabita dhe të krishterë të tjerë në shekullin e parë?
12 Dashuria e krishterë është një tjetër dhuratë e bekuar nga Jehovai, një dhuratë që ne me të drejtë e çmojmë. Ajo është e drejtuar nga parimet, por ka kaq shumë përzemërsi brenda, saqë i afron besimtarët me njëri-tjetrin më shumë edhe sesa lidhjet e gjakut. (Gjoni 15:12, 13; 1 Pjetrit 1:22) Për shembull, shqyrtoni Tabitën, një të krishterë shumë të mirë në shekullin e parë. «Në mënyrë të bollshme, ajo bënte vepra të mira dhe jepte lëmosha», sidomos për vejushat që ndodheshin në kongregacion. (Veprat 9:36) Këto gra mund të kenë pasur të afërm gjaku, por Tabita donte të bënte gjithçka mundej për t’i ndihmuar e për t’u dhënë zemër këtyre vejushave. (1 Gjonit 3:18) Sa shembull të shkëlqyer la Tabita! Dashuria vëllazërore i shtyu Priskën dhe Akuilën që të ‘vinin kokën në rrezik’ për Pavlin. Gjithashtu, dashuria i shtyu Epafrain, Lukën, Onesiforin dhe të tjerë që ta ndihmonin apostullin, kur ky ishte i burgosur në Romë. (Romakëve 16:3, 4; 2 Timoteut 1:16; 4:11; Filemonit 23, 24) Po, sot të krishterët e atij lloji ‘kanë dashuri mes tyre’, një dhuratë e bekuar nga Perëndia, e cila i identifikon si dishepujt e vërtetë të Jezuit.—Gjoni 13:34, 35.
13. Si mund ta tregojmë se e vlerësojmë thellësisht vëllazërinë tonë të krishterë?
13 A e çmoni dashurinë që tregohet në kongregacionin e krishterë? A jeni mirënjohës për vëllazërinë tonë frymore, e cila gjendet kudo përreth globit? Edhe këto janë dhurata nga lart që na sjellin kënaqësi e na bëjnë të pasur. Si mund të tregojmë se i vlerësojmë ato? Duke i bërë shërbim të shenjtë Perëndisë, duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere dhe duke shfaqur dashurinë e frytet e tjera të frymës së Perëndisë.—Filipianëve 1:9; Hebrenjve 10:24, 25.
«Dhurata në njerëz»
14. Çfarë kërkohet nga një i krishterë, që të shërbejë si plak ose si shërbëtor ndihmës?
14 Burrat e krishterë që dëshirojnë t’u shërbejnë bashkadhuruesve të tyre si pleq ose si shërbëtorë ndihmës, kanë një synim të shkëlqyer. (1 Timoteut 3:1, 8) Që të kualifikohet për këto privilegje, një vëlla duhet të jetë një burrë frymor, që i njeh mirë Shkrimet dhe është i zellshëm në shërbimin në fushë. (Veprat 18:24; 1 Timoteut 4:15; 2 Timoteut 4:5) Duhet të shfaqë përulësi, modesti dhe durim, sepse bekimet hyjnore nuk zënë personat jomodestë, krenarë dhe ambiciozë. (Fjalët e urta 11:2; Hebrenjve 6:15; 3 Gjonit 9, 10) Po të jetë i martuar, duhet të jetë një kryefamiljar i dashur, që është i aftë ta drejtojë mirë shtëpinë e tij. (1 Timoteut 3:4, 5, 12) Duke qenë se i vlerëson pasuritë frymore, një burrë i tillë tërheq mbi vete bekimin e Jehovait.—Mateu 6:19-21.
15, 16. Cilët tregojnë se janë «dhurata në njerëz»? Jepni shembuj.
15 Kur ata që shërbejnë si pleq në kongregacion përpiqen fort si ungjillëzues, si barinj e si mësues, na japin arsye të vlefshme për t’i çmuar këto «dhurata në njerëz». (Efesianëve 4:8, 11) Ata që nxjerrin dobi nga shërbimi i tyre i dashur mund të mos e shprehin gjithnjë çmueshmërinë që kanë, por Jehovai e sheh gjithçka që bëjnë pleqtë besnikë. Ai nuk do ta harrojë dashurinë që tregojnë ata për emrin e tij, duke i shërbyer popullit të tij.—1 Timoteut 5:17; Hebrenjve 6:10.
16 Shqyrtoni rastin e një plaku të palodhur, i cili i bëri vizitë një vajze të krishterë që pas pak do të bënte një operacion në tru. «Ai ishte shumë mirëdashës, i gjindshëm dhe i kujdesshëm,—shkroi një mike e familjes.—Na kërkoi leje që t’i lutej Jehovait së bashku me ne. Kur ai po lutej, babai i vajzës [që nuk është Dëshmitar i Jehovait] u ngashërye dhe të gjithëve që ishin në atë dhomë spitali iu mbushën sytë me lot. Sa e përzemërt ishte lutja e atij plaku dhe sa gjë e dashur nga ana e Jehovait që na e dërgoi tamam në një kohë të tillë!» Një paciente tjetër Dëshmitare tha për pleqtë që i bënë vizitë: «Kur erdhën drejt krevatit tim në dhomën e reanimacionit, e kuptova se, pavarësisht çfarë mund të ndodhte që nga ai çast e më tej, do të arrija ta përballoja. Mora forcë dhe paqe.» A mund të arrijë ta blejë ndonjë njeri një interesim të tillë të dashur? Kurrë! Është një dhuratë nga Perëndia, dhuratë që vihet në dispozicion nëpërmjet kongregacionit të krishterë.—Isaia 32:1, 2.
Dhurata e shërbimit në fushë
17, 18. (a) Cilën dhuratë shërbimi ka vënë Jehovai në dispozicion të gjithë popullit të tij? (b) Çfarë ndihme ka siguruar Perëndia, në mënyrë që të arrijmë të kryejmë shërbimin tonë?
17 Nderi më i madh që mund t’i jepet një njeriu është që t’i shërbejë Jehovait, Më të Lartit. (Isaia 43:10; 2 Korintasve 4:7; 1 Pjetrit 2:9) Gjithsesi, privilegji për të marrë pjesë në shërbimin publik është në dispozicion për të gjithë—të rinj e të moshuar, meshkuj e femra—të cilët kanë dëshirë të vërtetë për t’i shërbyer Perëndisë. A e përdorni këtë dhuratë të çmuar? Disa mund të frenohen, sepse ndihen të papërshtatshëm, por, mos harroni se Jehovai u jep frymën e shenjtë atyre që i shërbejnë dhe ajo plotëson ndonjë mungesë që mund të kemi.—Jeremia 1:6-8; 20:11.
18 Jehovai ua ka besuar veprën e predikimit të Mbretërisë shërbëtorëve të tij të përulur, jo individëve që kanë prirjen të jenë krenarë dhe të mbështeten në aftësitë e tyre. (1 Korintasve 1:20, 26-29) Njerëzit e përulur dhe modestë i pranojnë kufizimet e tyre dhe varen nga ndihma e Perëndisë kur marrin pjesë në shërbimin në fushë. Gjithashtu, e vlerësojnë ndihmën frymore që ai siguron nëpërmjet ‘kujdestarit të besueshëm’.—Luka 12:42-44; Fjalët e urta 22:4.
Jeta e lumtur familjare—Një dhuratë e shkëlqyer
19. Cilët faktorë çojnë në sukses në rritjen e fëmijëve?
19 Martesa dhe jeta e lumtur familjare janë dhurata nga Perëndia. (Rutha 1:9; Efesianëve 3:14, 15) Edhe fëmijët janë një ‘trashëgimi [e çmuar] që vjen nga Zoti’, duke u sjellë gëzim prindërve që ia dalin mbanë me sukses të ngulitin cilësi të perëndishme tek ata. (Psalmi 127:3) Nëse jeni prindër, vazhdoni ta dëgjoni zërin e Jehovait duke i stërvitur fëmijët tuaj sipas Fjalës së tij. Ata që e bëjnë këtë, do të provojnë me siguri përkrahjen dhe bekimin e pasur të Jehovait.—Fjalët e urta 3:5, 6; 22:6; Efesianëve 6:1-4.
20. Çfarë mund t’i ndihmojë prindërit, fëmijët e të cilëve largohen nga adhurimi i vërtetë?
20 Me gjithë përpjekjet e mëdha të prindërve të perëndishëm, ndoshta disa nga fëmijët e tyre, kur rriten, zgjedhin të largohen nga adhurimi i vërtetë. (Zanafilla 26:34, 35) Kjo mund të jetë shkatërruese nga ana emocionale për prindërit. (Fjalët e urta 17:21, 25) Por, në vend që ta humbasin çdo shpresë, mund të jetë e dobishme për ta të kujtojnë ilustrimin e Jezuit për djalin plëngprishës. Ndonëse ai djalë ishte larguar nga shtëpia dhe kishte ndjekur një drejtim rebel, më vonë u kthye në shtëpinë e të atit, i cili e priti me gëzim e me dashuri. (Luka 15:11-32) Çfarëdo që të ndodhë, prindërit besnikë të krishterë mund të jenë të sigurt se Jehovai i kupton, interesohet me dashuri për ta dhe i mbështet gjithnjë.—Psalmi 145:14.
21. Cilin duhet të dëgjojmë dhe përse?
21 Pra, secili prej nesh le të vendosë çfarë është vërtet e rëndësishme në jetë! A po synojmë me lakmi bollëkun material, i cili mund të na sjellë dhembje ne dhe familjes sonë? Apo jemi duke synuar për ‘dhuratat e mira dhe gjërat e përsosura’ që vijnë nga «Ati i dritave qiellore»? (Jakovit 1:17) Satanai, «ati i gënjeshtrës» dëshiron që ne të robtohemi për të grumbulluar pasuri materiale dhe të humbasim lumturinë, si edhe jetën. (Gjoni 8:44; Luka 12:15) Gjithsesi, Jehovai ka për zemër interesat tona më të mira. (Isaia 48:17, 18) Prandaj, le të vazhdojmë ta dëgjojmë Atin tonë të dashur qiellor dhe gjithnjë ‘të gjejmë kënaqësinë tonë’ tek ai! (Psalmi 37:4) Nëse ndjekim një drejtim të tillë, dhuratat e çmuara të Jehovait dhe bekimi i tij i bollshëm do të na bëjnë të pasur, dhe kjo do të ndodhë pa asnjë dhembje.
[Shënimi]
a Shih Zgjohuni!, 22 janar 1993, faqet 18-21, anglisht.
A ju kujtohet?
• Ku mund të gjendet lumturia më e madhe?
• Cilat janë disa nga dhuratat që i jep Jehovai popullit të tij?
• Përse shërbimi në fushë është një dhuratë?
• Çfarë mund të bëjnë prindërit për të pasur bekimin e Perëndisë, kur rritin fëmijët?
[Figura në faqen 16]
A tregoni çmueshmëri për dhuratën që na ka bërë Perëndia, Fjalën e tij të shkruar?
[Figura në faqen 17]
Me gjithë rrethanat shumë të vështira, Lorel Nisbeti i shërbeu me zell Perëndisë
[Figurat në faqen 18]
Ashtu si Tabita, të krishterët e sotëm janë shumë të njohur për veprat e tyre të dashura
[Figura në faqen 19]
Pleqtë e krishterë tregojnë interesim të dashur për bashkëbesimtarët