Njihe Jehovain nëpërmjet Fjalës së tij
«Kjo do të thotë jeta e përhershme, që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe mbi atë që ti ke dërguar, Jezu Krishtin.»—GJONI 17:3, NW.
1, 2. (a) Cila është domethënia e termave «njoh» dhe «njohuri» sipas përdorimit të tyre në Shkrime? (b) Çfarë shembujsh ilustron kjo domethënie?
TË NJOHËSH dikë në kuptimin që thjesht të dish se kush është ose të kesh një njohuri sipërfaqësore për diçka, nuk mjafton për të dhënë kuptimin me të cilin janë përdorur termat «njoh» dhe «njohuri» në Shkrime. Në Bibël ato përfshijnë «njohurinë nga përvoja», një njohuri që shpreh «një lidhje besimi midis njerëzve». (The New International Dictionary of New Testament Theology) Kjo përfshin njohjen e Jehovait nëpërmjet disa veprave të tij të veçanta, si rastet e shumta që janë përshkruar në librin e Ezekielit në të cilin Perëndia, në kryerjen e gjykimeve të tij kundër shkelësve, shpalli: «Dhe do të njihni se unë jam Jehovai.»—Ezekieli 38:23.
2 Mënyrat e ndryshme ku mund të përdoren termat «njoh» dhe «njohuri», mund të ilustrohen me disa shembuj. Jezui, shumicës prej atyre që pohonin se kanë vepruar në emër të tij, u tha: «Nuk ju kam njohur kurrë»; duke dashur të thotë se nuk kishte pasur kurrë asnjë lidhje me ta. (Mateu 7:23, NW) Në 2. Korintasve 5:21 është thënë se Krishti «nuk njohu mëkat». Kjo nuk do të thotë se ai nuk dinte se çfarë ishte mëkati, por që personalisht nuk kishte rënë kurrë në të. Në mënyrë të gjashme fjalët e Jezuit: «Kjo do të thotë jeta e përhershme, që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe mbi atë që ti ke dërguar, Jezu Krishtin», përfshinin më shumë sesa thjesht njohjen e diçkaje në lidhje me Perëndinë dhe Jezu Krishtin.—Krahaso Mateu 7:21.
3. Cila është një veti e veçantë e Perëndisë së vërtetë dhe si e manifeston Jehovai?
3 Shumë atribute të Jehovait mund të njihen nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Një prej këtyre është aftësia e Tij për të profetizuar me saktësi. Kjo aftësi është një veti e posaçme e Perëndisë së vërtetë: «Paraqisni dhe lajmëroni gjërat që do të ndodhin. Deklaroni gjërat e para—ato që ishin—me qëllim që t’ju shtrojmë zemrën dhe të njohim të ardhmen. Ose na bëni të dëgjojmë edhe gjërat që do të ndodhin. Na lajmëroni gjërat që do të vijnë pastaj, me qëllim që të njohim se jeni perëndi.» (Isaia 41:22, 23) Jehovai në Fjalën e tij deklaron gjërat e para në lidhje me krijimin e tokës dhe të jetës mbi të. Shumë më përpara se të ndodhnin, ai lajmëroi gjëra që efektivisht u verifikuan. Madje edhe tani ai «bën të dëgjojmë edhe gjërat që do të vijnë», veçanërisht ato që do të ndodhin në këto «ditë të fundit».—2. Timoteut 3:1-5, 13; Zanafilla 1:1-30; Isaia 53:1-12; Danieli 8:3-12, 20-25; Mateu 24:3-21; Zbulesa (Apokalipsi) 6:1-8; 11:18.
4. Si e ka përdorur Jehovai fuqinë e tij dhe si do ta përdorë akoma?
4 Një atribut tjetër i Jehovait është fuqia. Është e dukshme në qiej ku yjet veprojnë si furra të mëdha të zjarrta që rrezatojnë dritë dhe ngrohtësi. Kur njerëz dhe engjëj kryengritës sfidojnë sovranitetin e Jehovait, ai përdor fuqinë e tij si «një luftëtar trim», duke mbrojtur emrin e tij të mirë dhe normat e tij të drejta. Në raste të tilla ai nuk ngurron të çlirojë një fuqi shkatërruese, si në Përmbytjen e ditëve të Noesë, në shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorrës dhe për lirimin e Izraelit në Detin e Kuq. (Të Dalët 15:3-7; Zanafilla 7:11, 12, 24; 19:24, 25) Pas pak Perëndia do të përdorë fuqinë e tij «për të shkatërruar Satanain nën këmbët tuaja».—Romakëve 16:20.
5. Përveç fuqisë, çfarë cilësie tjetër zotëron Jehovai?
5 Megjithatë, Perëndia, krahas tërë fuqisë së tij të pakufizuar, është i përulur. Psalmi 18:35, 36 thotë: «Pikërisht përulësia jote do të më bëjë të madh. Do të bësh një vend mjaft të gjerë për hapat e mia poshtë meje.» Falë përulësisë së tij Perëndia «pranon të shikojë në qiell dhe mbi tokë, duke ngritur të mjerin nga vetë pluhuri; ngre të varfërin nga vetë gropa e hirit».—Psalmi 113:6, 7.
6. Çfarë cilësie jetëshpëtuese ka Jehovai?
6 Mëshira me të cilën Jehovai e trajton njeriun është jetëshpëtuese. Sa i mëshirshëm qe ndaj Manaseut duke e falur, megjithëse kishte bërë mizori të tmerrshme! Jehovai deklaron: «Kur unë i them të ligut: ‘Me siguri do të vdesësh’, dhe ai tërhiqet me të vërtetë nga mëkati i tij dhe ndjek të drejtën dhe drejtësinë, asnjë nga mëkatet e tij me të cilat ai ka mëkatuar nuk do të kujtohet kundër tij.» (Ezekieli 33:14, 16; 2. Kronikat 33:1-6, 10-13) Jezui po pasqyronte Jehovain kur nxiti të falet 77 herë, edhe 7 herë në ditë!—Psalmi 103:8-14; Mateu 18:21, 22; Luka 17:4.
Një Perëndi me ndjenja
7. Cili është njëri nga aspektet që e dallon Jehovain nga perënditë greke dhe çfarë privilegji të madh kemi?
7 Filozofët grekë, si epikuerianët, megjithëse besonin tek perënditë i konsideronin ato tepër larg nga toka që të interesoheshin në ndonjë mënyrë për njeriun ose të prekeshin nga ndjenjat e tij. Sa ndryshon marrëdhënia ndërmjet Jehovait dhe Dëshmitarëve të tij besnikë! «Jehovai ndjen kënaqësi në popullin e tij. (Psalmi 149:4) Përpara Përmbytjes, të ligjtë e bënë të ndiejë hidhërim dhe «i shkaktuan dhimbje zemrës së tij». Izraeli me pabesnikërinë e tij i shkaktoi Jehovait vuajtje dhe dhimbje. Të krishterët, nëse nuk binden, mund ta hidhërojnë frymën e Jehovait; por nëse janë besnikë, mund Ta gëzojnë. Sa e çuditshme është kur mendon se këta njerëz të vegjël mbi tokë mund t’i shkaktojnë dhimbje ose ta gëzojnë Krijuesin e universit! Duke parë gjithë këtë që ai bën për ne, ta gëzosh është një privilegj i madh dhe i mrekullueshëm!—Zanafilla 6:6; Psalmi 78:40, 41; Proverbat 27:11; Isaia 63:10; Efesianëve 4:30.
8. Si e përdori Abrahami lirinë e tij të fjalës për të folur me Jehovain?
8 Fjala e Perëndisë tregon se dashuria e Jehovait na lejon të kemi «liri fjale» të madhe. (1. Gjonit 4:17) Vërej çfarë bëri Abrahami kur Jehovai erdhi të shkatërrojë Sodomën. Abrahami i tha Jehovait: «Me të vërtetë do të fshish nga faqja e dheut të drejtin me të ligun? Le ta zëmë se ndodhen pesëdhjetë të drejtë në mes të qytetit. A do t’i fshish pra nga faqja e dheut dhe nuk do t’ia falësh vendit për dashuri të pesëdhjetë të drejtëve që janë brenda? . . . Është e pamendueshme nga ana jote. A nuk do të bëjë Gjykatësi i të gjithë tokës atë që është e drejtë?» Çfarë fjalësh për t’iu drejtuar Perëndisë! Megjithatë, Jehovai pranoi ta shpëtojë Sodomën nëse do të kishin qenë 50 të drejtë. Abrahami vazhdoi dhe pati rezultat të ulë numrin nga 50 në 20. Në këtë pikë pati dyshim se e kishte tepruar pak dhe tha: «Të lutem, Jehova mos u ndiz në zemërim, por më lër të flas këtë herë vetëm: Le ta zëmë se atje gjenden dhjetë.» Edhe një herë Jehovai pranoi dhe tha: «Nuk do t’i çoj në shkatërrim për shkak të të dhjetëve.»—Zanafilla 18:23-33.
9. Përse Jehovai e lejoi Abrahamin të fliste në atë mënyrë dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
9 Përse Jehovai i lejoi Abrahamit një liri të tillë fjale, domethënë që t’i flasë në këtë mënyrë? Para së gjithash Jehovai ishte i ndërgjegjshëm mbi shqetësimin që provonte Abrahami. E dinte që në Sodomë banonte nipi i tij Loti dhe që Abrahami ishte i shqetësuar për sigurinë e tij. Përveç këtyre Abrahami ishte mik i Perëndisë. (Jakovi 2:23) Kur dikush na flet në mënyrë të ashpër, a përpiqemi të kuptojmë çfarë ndjenjash fshihen pas fjalëve të tij dhe a i krijojmë rrethana lehtësuese, veçanërisht nëse kemi të bëjmë me një mik që në ndonjë mënyrë është nën presion nga ana emocionale? A nuk është ngushëlluese të dimë se Jehovai do të tregojë mirëkuptim për përdorimin që i bëjmë lirisë sonë të fjalës, siç e tregoi në rastin e Abrahamit?
10. Si na ndihmon liria e fjalës në lutje?
10 Dëshirojmë shumë ta kemi këtë liri fjale që të mund t’ia hapim zemrën tonë, veçanërisht kur i drejtohemi atij si «Dëgjuesi ynë i lutjes», kur jemi thellësisht të brengosur dhe të trazuar nga ana emocionale. (Psalmi 51:17; 65:2, 3) Edhe kur nuk gjejmë fjalët e duhura, «vetë fryma ndërhyn për ne me rënkime të pashprehura» dhe Jehovai dëgjon. Ai i njeh mendimet tona: «E ke konsideruar mendimin tim që nga larg. Sepse as dhe një fjalë nuk ka në gjuhën time, por ja, o Jehova, tashmë ti njeh gjithçka.» Përveç kësaj, duhet të vazhdojmë të pyesim njëlloj, të kërkojmë dhe të trokasim.—Romakëve 8:26; Psalmi 139:2, 4; Mateu 7:7, 8.
11. Çfarë tregon se Jehovai interesohet me të vërtetë për ne?
11 Jehovai kujdeset. Ai siguron gjërat për jetën që ka krijuar. «Tek ty shikojnë sytë e të gjithëve me shpresë dhe atyre ti u jep ushqimin e tyre në kohën e vet. Hap dorën tënde dhe ngop dëshirën e çdo gjallese.» (Psalmi 145:15, 16) Jemi të ftuar të vërejmë se si ai i ushqen zogjtë e fushës. Shikojini zambakët e fushës, si i vesh me bukuri. Jezui shtoi se Perëndia do të bëjë të njëjtën gjë si edhe më shumë për ne. Prandaj, përse duhet të shqetësohemi? (Ligji i përtërirë 32:10; Mateu 6:26-32; 10:29-31) Në 1. Pjetrit 5:7 gjejmë ftesën që «të hedhim mbi të të gjithë shqetësimin tonë, sepse ai kujdeset për ne».
«Paraqitje e saktë e vetë qenies së tij»
12, 13. Përveç shikimit të Jehovait nëpërmjet krijimit të tij dhe veprave të tij të shkruara në Bibël, në çfarë mënyre tjetër mund ta shohim dhe dëgjojmë?
12 Mund ta shohim Perëndinë Jehova nëpërmjet krijimit të tij; mund ta shohim duke lexuar veprat e tij në Bibël; mund ta shohim edhe nëpërmjet fjalëve dhe veprave të Jezu Krishtit që janë shkruar. Vetë Jezui tha tek Gjoni 12:45: «Kush më shikon mua shikon edhe atë që më ka dërguar.» (NW) Dhe akoma tek Gjoni 14:9: «Kush më ka parë mua ka parë edhe Atin.» (NW) Kolosianëve 1:15 thotë se Jezui «është shëmbëlltyrë e Perëndisë së padukshëm». (NW) Hebrenjve 1:3 deklaron: «[Jezui] është reflektimi i lavdisë [së Perëndisë] dhe paraqitje e saktë e vetë qenies së tij.»
13 Jehovai dërgoi Birin e tij jo vetëm për të siguruar një shpërblim, por edhe që të linte një shembull për të imituar, qoftë në fjalë ashtu edhe në vepra. Jezui deklaronte fjalët e Perëndisë. Tek Gjoni 12:50 tha: «Gjërat që them, ashtu si Ati m’i ka thënë, kështu i them.» (NW) Nuk vepronte sipas iniciativës së tij, por bënte gjëra që Perëndia i thoshte të bënte. Tek Gjoni 5:30 tha: «Unë nuk mund të bëj as edhe një gjë të vetme me iniciativën time.»—Gjoni 6:38, NW.
14. (a) Çfarë pa Jezui që u pikëllua thellë? (b) Përse mënyra me të cilën fliste Jezui tërhiqte turma të mëdha?
14 Jezui shihte të lebrosur, sakatë, të shurdhër, të verbër, të pushtuar nga demonët dhe njerëz që qanin të vdekurit e tyre. I pikëlluar thellë, shëronte të sëmurët dhe ngjallte të vdekurit. Kur pa turmat e keqtrajtuara frymësisht dhe të katandisura si mos më keq, filloi t’u mësonte atyre shumë gjëra. Mësonte jo vetëm me fjalë të sakta, por edhe me fjalë tërheqëse që vinin nga zemra e tij dhe që arrinin drejtëpërdrejt zemrën e dëgjuesve, duke i tërhequr nga vetja dhe duke i shtyrë që të shkonin qoftë në tempull herët në mëngjes për ta dëgjuar, ashtu edhe për ta ndjekur vazhdimisht dhe për ta dëgjuar me kënaqësi. Turma të mëdha vraponin për ta dëgjuar kur fliste dhe deklaronin se «asnjë njeri tjetër nuk kishte folur si ai». Ishin të habitur me mënyrën e tij të të mësuarit. (Gjoni 7:46; Mateu 7:28, 29; Marku 11:18; 12:37; Luka 4:22; 19:48; 21:38) Dhe kur armiqtë e tij kërkonin ta zinin në gabim me pyetje, ai e përmbyste situatën dhe ua mbyllte gojën.—Mateu 22:41-46; Marku 12:34; Luka 20:40.
15. Cila ishte tema kryesore e predikimit të Jezuit dhe deri në ç’pikë tha se të tjerët do ta përhapnin?
15 Lajmëronte se «mbretëria e qiejve [ishte] afruar» dhe këshillonte dëgjuesit që «të vazhdonin të kërkonin më parë mbretërinë». Dërgoi të tjerë të predikonin se «mbretëria e qiejve [ishte] afruar», të «bënin dishepuj prej njerëzve të të gjitha kombeve», të ishin dëshmitarë «deri në pjesën më të largët të tokës». Sot, pothuajse katër milion e gjysmë Dëshmitarë të Jehovait ndjekin gjurmët e tij, duke bërë po këto gjëra.—Mateu 4:17; 6:33; 10:7; 28:19; Veprat 1:8.
16. Nën cilën provë sfilitëse qe vënë dashuria e Jehovait dhe çfarë domethënie pati kjo për njerëzimin?
16 «Perëndia është dashuri», na thuhet tek 1. Gjonit 4:8. Ky atribut i tij i shquar qe vënë nën provën më sfilitëse që mund të imagjinohet, kur dërgoi Birin e tij të vetëmlindur që të vdesë mbi tokë. Agonia e këtij Biri të dashur dhe lutjet që ai i drejtonte Atit të tij qiellor duhet t’i kenë shkaktuar shumë vuajtje Jehovait, edhe pse Jezui tregoi falsitetin e sfidës së Satanait, sipas së cilës nuk mund të ndodheshin mbi tokë persona të gatshëm për të mbajtur integritetin dhe për të qëndruar besnikë ndaj Jehovait edhe në provat më të ashpra. Gjithashtu, duhet të çmojmë madhësinë e sakrificës së Jezuit, sepse Perëndia e dërgoi këtu që të vdesë për ne. (Gjoni 3:16) Nuk qe një vdekje e lehtë, e shpejtë. Për të kuptur se sa do t’i kushtonte qoftë Perëndisë ashtu edhe Jezuit dhe kështu për të kuptuar madhësinë e sakrificës së tyre për ne, le të shqyrtojmë përshkrimin që i bën Bibla asaj që ndodhi.
17-19. Si e përshkroi Jezui provën që e priste?
17 Të paktën katër herë Jezui u tha apostujve se çfarë e priste. Vetëm pak ditë përpara se të ndodhte, kishte thënë: «Ja ku po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve fetarë dhe skribëve dhe do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve dhe do ta tallin dhe do ta pështyjnë në trup, do ta fshikullojnë dhe do ta vrasin.»—Marku 10:33, 34, NW.
18 I vetëdijëshëm mbi tmerrin e fshikullimit romak, Jezui nuk mund të ishte indiferent mbi atë që e priste. Në shiritat e lëkurës së kamzhikut të përdorur për fshikullim, ishin të lidhura sfera të vogla hekuri dhe copëza kockash deleje; kështu, ndërsa fshikullimi vazhdonte shpina dhe këmbët bëheshin copa mishi që kullonin gjak. Muaj më parë, duke treguar stresin emocional që i jepte ideja e provës që do të kalonte, Jezui kishte thënë: «Në të vërtetë, kam një pagëzim me të cilin duhet të pagëzohem dhe sa po vuaj derisa të mbarojë!»—Luka 12:50, NW.
19 Me afrimin e ngjarjes, tensioni rritej. Foli me Atin e tij qiellor, duke thënë: «Tani shpirti im është i shqetësuar, e çfarë do të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Megjithatë, unë për këtë kam arritur në këtë orë.» (Gjoni 12:27, NW) Si duhet të jetë ndjerë Jehovai duke dëgjuar birin e tij të vetëmlindur t’i lutet kështu! Në Getsemani, pak orë para vdekjes së tij Jezui u shqetësua shumë dhe i tha Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit: «Shpirti im po vuan thellë, deri në vdekje.» Disa minuta më pas i bëri lutjen e tij të fundit Jehovait në lidhje me këtë, duke thënë: « ‘Atë, nëse dëshiron hiqe prej meje këtë kupë. Megjithatë, të bëhet vullneti yt dhe jo i imi.’ Por, kur ra në agoni, vazhdoi të lutet më fuqishëm; dhe djersa e tij u bë si pika gjaku që binin mbi dhe.» (Mateu 26:38; Luka 22:42, 44, NW) Mund të bëhej fjalë për atë që mjekët e quajnë hematidrozi ose djersitje hematike [gjaku]. Megjithëse i rrallë, është një fenomen që mund të ndodhë në raste emocionesh jashtëzakonisht të forta.
20. Çfarë e ndihmoi Jezuin që të kalonte provën?
20 Duke iu referuar skenës së Getsemanisë, Hebrenjve 5:7 thotë: «Në ditët e mishit të tij, Jezui i ofroi lutje si edhe kërkesa Atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, me britma të forta dhe lot dhe u dëgjua në mënyrë të favorshme për frikën e tij të shenjtë.» Meqenëse «Ai që mund ta shpëtonte nga vdekja» nuk e shpëtoi nga ajo, në çfarë kuptimi u dëgjua në mënyrë të favorshme lutja e tij? Luka 22:43 përgjigjet: «Iu shfaq një engjëll nga qielli dhe e forcoi.» Lutja u dëgjua, sepse engjëlli i dërguar prej Perëndisë e forcoi Jezuin në fakt duke i lejuar të kalonte provën.
21. (a) Çfarë tregon se Jezui doli triumfues nga prova? (b) Kur provat tona do të intensifikohen, çfarë do të mund të themi?
21 Kjo është e dukshme nga rezultati. Kur konflikti i tij i brendshëm pushoi, Jezui u ngrit, u kthye tek Pjetri, Jakovi dhe Gjoni dhe tha: «Ngrihuni, shkojmë.» (Marku 14:42, NW) Në fakt po thoshte: «Lermëni të shkoj që të tradhëtohem me një puthje, të arrestohem nga një turmë, të gjykohem paligjshmërisht, të dënohem padrejtësisht. Lermëni të shkoj për t’u tallur, mbuluar me pështyma, fshikulluar dhe gozhduar në një shtyllë mundimesh.» Për gjashtë orë qëndroi i varur në shtyllë, mes dhimbjesh të tmerrshme, duke duruar deri në fund. Disa çaste përpara se të vdiste bërtiti triumfues: «U krye!» (Gjoni 19:30) Kishte qëndruar i vendosur dhe kishte mbështetur me integritet sovranitetin e Jehovait. Kishte kryer gjithçka për të cilën Jehovai e kishte dërguar mbi tokë. Kur të vdesim ose kur të vijë Harmagedoni a mund të themi edhe ne për detyrën që na ka ngarkuar Jehovai: «U krye»?
22. Deri në ç’pikë do të përhapet njohuria e Jehovait?
22 Në çdo rast, mund të jemi të sigurt se shumë shpejt, në kohën e caktuar nga Jehovai, e gjithë «toka sigurisht do të jetë e mbushur plot me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin».—Isaia 11:9.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë do të thotë njoh dhe kam njohuri?
◻ Në ç’mënyrë Fjala e Perëndisë na bën të kuptojmë se Jehovai është i mëshirshëm dhe fal?
◻ Çfarë lirie fjale përdori Abrahami për të folur me Jehovain?
◻ Përse mund të shohim tek Jezui cilësitë e Jehovait?