«Mençuria është me modestët»
«Çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse . . . të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»—MIKEA 6:8, BR.
1, 2. Çfarë është modestia dhe si ndryshon ajo nga mendjemadhësia?
NJË apostull i shquar refuzon të tërheqë vëmendjen te vetja. Një gjykatës i guximshëm izraelit e quan veten më të voglin në shtëpinë e atit të tij. Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë e pranon se nuk ka autoritet të pakufizuar. Secili nga këta burra shfaq modesti.
2 Modestia është e kundërta e mendjemadhësisë. Personi që është modest ka një vlerësim realist për aftësitë e për vlerën e tij dhe nuk ka mendjemadhësi ose mburrje. Në vend që të jetë krenar, mburravec ose ambicioz, personi modest është gjithnjë i vetëdijshëm për kufizimet e tij. Prandaj, i respekton dhe u jep konsideratën e duhur ndjenjave dhe pikëpamjeve të të tjerëve.
3. Në ç’mënyrë mençuria është «me modestët»?
3 Bibla ka arsye të vlefshme kur thotë: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Personi modest është i mençur, sepse ndjek një drejtim që Perëndia e miraton dhe shmang frymën mendjemadhe që çon në çnderim. (Fjalët e urta 8:13; 1 Pjetrit 5:5) Mençuria e modestisë vërtetohet nga jeta e disa shërbëtorëve të Perëndisë. Le të shqyrtojmë tri shembujt që u cituan në paragrafin hyrës.
Pavli—Një ‘vartës’ dhe ‘kujdestar’
4. Cilat privilegje të pashoqe gëzonte Pavli?
4 Pavli ishte një figurë e shquar mes të krishterëve të hershëm dhe kjo është e kuptueshme. Gjatë shërbimit, ai kishte udhëtuar mijëra kilometra në det dhe në tokë, si edhe kishte formuar shumë kongregacione. Përveç kësaj, Jehovai e bekoi Pavlin me vizione dhe me dhuratën për të folur gjuhë të huaja. (1 Korintasve 14:18; 2 Korintasve 12:1-5) Ai, gjithashtu, e frymëzoi Pavlin të shkruante 14 letrat që tani janë pjesë e Shkrimeve të Krishtere Greke. Qartë, mund të thuhet se mundi i Pavlit ia kalonte atij të të gjithë apostujve të tjerë.—1 Korintasve 15:10.
5. Si e tregoi Pavli se kishte pikëpamje modeste për veten?
5 Meqë Pavli ishte në ballë të aktivitetit të krishterë, disa ndoshta pritnin që ta shihnin të kënaqej duke qenë në qendër të vëmendjes, madje, duke vënë në dukje autoritetin e vet. Por nuk ishte kështu, sepse Pavli ishte modest. Ai e quajti veten «i fundit i apostujve», duke shtuar: «Nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e persekutova kongregacionin e Perëndisë.» (1 Korintasve 15:9) Si ish-persekutues i të krishterëve, Pavli nuk harronte asnjëherë se ishte vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që ai mund të kishte qoftë edhe një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më pastaj të gëzonte privilegje të veçanta shërbimi. (Gjoni 6:44; Efesianëve 2:8) Prandaj, Pavli nuk mendonte se arritjet e jashtëzakonshme në shërbim e bënin më të lartë se të tjerët.—1 Korintasve 9:16.
6. Si tregoi Pavli modesti në marrëdhëniet me korintasit?
6 Modestia e Pavlit ishte veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet me korintasit. Me sa duket, disa prej tyre ishin të magjepsur pas atyre për të cilët mendonin se ishin mbikëqyrës të shquar, duke përfshirë Apolin, Kefën dhe vetë Pavlin. (1 Korintasve 1:11-15) Por Pavli as nuk kërkoi lavdërim nga korintasit, as nuk e shfrytëzoi admirimin e tyre. Kur i vizitoi, nuk u paraqit «me epërsi fjalësh ose mençurie». Në vend të kësaj, Pavli tha për veten dhe për bashkëpunëtorët e tij: «Njeriu le të na konsiderojë si vartës të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë.»a—1 Korintasve 2:1-5; 4:1.
7. Si e shfaqi Pavli modestinë, edhe kur jepte këshilla?
7 Pavli shfaqi modesti edhe kur i duhej të jepte këshilla të forta dhe udhëzime. Ai iu lut të bashkëkrishterëve «nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë» dhe «në bazë të dashurisë», në vend që ta bënte këtë me peshën e autoritetit apostolik. (Romakëve 12:1, 2; Filemonit 8, 9) Përse e bënte Pavli këtë? Sepse e konsideronte vërtet veten si një ‘bashkëpunëtor’ të vëllezërve të tij, jo si një ‘zotëri mbi besimin e tyre’. (2 Korintasve 1:24) Pa dyshim, modestia e ndihmoi Pavlin që të bëhej veçanërisht i dashur për kongregacionet e krishtere të shekullit të parë.—Veprat 20:36-38.
Një pikëpamje modeste për privilegjet tona
8, 9. (a) Përse duhet të kemi pikëpamje modeste për veten? (b) Si mund të shfaqin modesti ata që kanë një masë përgjegjësie?
8 Pavli la një shembull të shkëlqyer për të krishterët sot. Pavarësisht çfarë përgjegjësish na janë besuar, asnjëri prej nesh nuk duhet të mendojë se është më i lartë nga të tjerët. «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë,—shkroi Pavli,—gënjen veten.» (Galatasve 6:3) Përse? Sepse «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23; 5:12) Po, nuk duhet të harrojmë kurrë se të gjithë ne kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen nga Adami. Privilegjet e veçanta nuk na ngrenë nga gjendja e ulët mëkatare. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:2) Siç ishte në rastin e Pavlit, është vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që njerëzit mund të kenë qoftë edhe një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më t’i shërbejnë atij në ndonjë detyrë të privilegjuar.—Romakëve 3:12, 24.
9 Duke kuptuar këtë, një person që është modest as nuk ngazëllehet tepër për privilegjet e tij, as nuk mburret për arritjet. (1 Korintasve 4:7) Kur jep këshilla ose udhëzime, e bën këtë si një bashkëpunëtor e jo si një zotëri. Sigurisht, për ndonjë që shkëlqen në disa detyra do të ishte e gabuar të kërkonte lavdërime ose të shfrytëzonte admirimin e bashkëbesimtarëve. (Fjalët e urta 25:27; Mateu 6:2-4) I vetmi lavdërim që vlen diçka vjen nga të tjerët dhe duhet të vijë pa ua kërkuar atyre. Nëse na jepet ndonjë lavdërim, nuk duhet ta lëmë që të na bëjë të mendojmë për veten më tepër se ç’është e nevojshme.—Fjalët e urta 27:2; Romakëve 12:3.
10. Shpjegoni përse disa që mund të duken se janë njerëz të thjeshtë, mund të jenë në të vërtetë «të pasur në besim».
10 Kur na besohet një masë përgjegjësie, modestia do të na ndihmojë të mos e vëmë theksin në mënyrë të panevojshme mbi veten, duke krijuar përshtypjen se kongregacioni po lulëzon vetëm e vetëm nga përpjekjet dhe aftësitë tona. Për shembull, mund të kemi dhunti veçanërisht në mësimdhënie. (Efesianëve 4:11, 12) Gjithsesi, duke qenë modestë, duhet ta pranojmë se disa nga mësimet më të mëdha që marrim në mbledhjet e kongregacionit nuk jepen nga podiumi. A nuk inkurajohemi, për shembull, kur shikojmë atë prind të vetëm që vjen rregullisht në Sallën e Mbretërisë me fëmijët nga pas? Ose kur shikojmë atë shpirt të dëshpëruar që vjen me besnikëri në mbledhje, me gjithë ndjenjat e vazhdueshme të pavlefshmërisë? Ose të riun që bën vazhdimisht përparim frymor, me gjithë ndikimet e këqija në shkollë e gjetkë? (Psalmi 84:10) Këta individë mund të mos jenë në qendër të vëmendjes. Në përgjithësi, të tjerët nuk i vërejnë sprovat e integritetit që hasin ata. Megjithatë, këta persona mund të jenë po aq «të pasur në besim», sa edhe ata që dallohen më shumë. (Jakovit 2:5) Sidoqoftë, përfundimisht është besnikëria ajo që fiton miratimin e Jehovait.—Mateu 10:22; 1 Korintasve 4:2.
Gideoni: «Më i vogli» në shtëpinë e të atit
11. Si tregoi modesti Gideoni, kur po fliste me engjëllin e Perëndisë?
11 Gideoni, një i ri i fortë nga fisi i Manaseut, jetoi gjatë një kohe të turbullt në historinë e Izraelit. Për shtatë vjet, populli i Perëndisë kishte vuajtur nën shtypjen e midianitëve. Megjithatë, tani kishte ardhur koha që Jehovai ta çlironte popullin e tij. Kështu, një engjëll iu shfaq Gideonit dhe i tha: «Zoti është me ty, o luftëtar trim!» Gideoni ishte modest, kështu që nuk u vetëkënaq nga lavdia e këtij komplimenti të papritur. Në vend të kësaj, me respekt i tha engjëllit: «Imzot, nëse Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto?» Engjëlli ia qartësoi gjërat dhe i tha Gideonit: ‘Do ta shpëtosh Izraelin nga dora e Madianit.’ Si u përgjigj Gideoni? Në vend që të përfitonte menjëherë nga ky caktim, duke e parë si një rast për ta bërë veten hero kombëtar, Gideoni u përgjigj: «O imzot [Jehova, BR], si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja familja ime është më e dobëta e Manasit dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim.» Çfarë modestie!—Gjyqtarët 6:11-15.
12. Si tregoi maturi Gideoni, kur kreu caktimin e tij?
12 Para se ta dërgonte në betejë, Jehovai e vuri në provë Gideonin. Si? Gideonit iu tha të shembte altarin që i ati i kishte ngritur Baalit dhe të rrëzonte shtyllën e shenjtë që qëndronte anash këtij altari. Ky caktim do të kërkonte guxim, por Gideoni tregoi edhe modesti e maturi në mënyrën se si e kreu. Në vend që të bënte një spektakël publik, ai punoi në errësirën e natës, kur kishte më shumë të ngjarë që të mos e vinin re. Më tej, Gideoni tregoi kujdesin e duhur për caktimin e tij. Mori me vete dhjetë shërbëtorë, ndoshta që disa prej tyre të rrinin rojë, ndërsa pjesa tjetër ta ndihmonte për të shkatërruar altarin dhe shtyllën e shenjtë.b Gjithsesi, me bekimin e Jehovait, Gideoni e kreu caktimin e tij dhe, me kohë, Perëndia e përdori për ta çliruar Izraelin nga midianitët.—Gjyqtarët 6:25-27.
Të shfaqim modesti dhe maturi
13, 14. (a) Si mund të tregojmë modesti, kur na ofrohet një privilegj shërbimi? (b) Si la vëllai A. H. Mekmilan një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e modestisë?
13 Nga modestia e Gideonit mund të mësojmë shumë. Për shembull, si reagojmë kur na ofrohet një privilegj shërbimi? A mendojmë menjëherë për spikatjen ose për prestigjin që do të vijë si rezultat? Apo me modesti dhe në lutje shqyrtojmë nëse mund t’i plotësojmë ose jo kërkesat e caktimit? Vëllai A. H. Mekmilan, i cili e mbaroi rrugën tokësore në vitin 1966, la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. C. T. Rasëlli, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower, e pyeti një herë vëllanë Mekmilan se cili mendonte që mund të merrte mbi vete përgjegjësinë e veprës në mungesë të tij. Në bisedën që pasoi, vëllai Mekmilan nuk e rekomandoi as edhe një herë veten, ndonëse do të kishte qenë më se e volitshme për të që ta bënte këtë. Në fund, vëllai Rasëll e ftoi vëllanë Mekmilan të mendohej për të pranuar këtë caktim. «Mbeta aty si i trullosur,—shkroi disa vjet më vonë vëllai Mekmilan.—U mendova vërtet shumë seriozisht dhe u luta për njëfarë kohe para se t’i thosha më në fund se do të isha i lumtur të bëja gjithçka që mundesha për ta ndihmuar.»
14 Jo shumë kohë më pas, vëllai Rasëll vdiq, duke e lënë të lirë vendin e presidentit të Shoqatës Watch Tower. Meqë vëllait Mekmilan i ishte lënë përgjegjësia gjatë udhëtimit të fundit të predikimit të vëllait Rasëll, një vëlla i tha: «Mek, ti ke shumë mundësi për ta zënë këtë vend. Ti ishe përfaqësuesi i veçantë i vëllait Rasëll, kur ai nuk ishte këtu, dhe ai na tha të gjithëve që të bënim siç thoshe ti. E pra, ai iku dhe nuk u kthye më. Duket se je ti ai që do të vazhdosh.» Vëllai Mekmilan iu përgjigj: «Vëlla, nuk është kjo mënyra për ta konsideruar këtë çështje. Kjo është vepra e Zotërisë dhe i vetmi vend që zëmë në organizatën e Zotërisë është ai që Zotëria e sheh të përshtatshme të na japë. E unë jam i sigurt se nuk jam njeriu i duhur për këtë punë.» Pastaj, vëllai Mekmilan rekomandoi dikë tjetër për atë vend. Ashtu si Gideoni, ai kishte një pikëpamje modeste për veten, një pikëpamje që bëjmë mirë ta kemi edhe ne.
15. Cilat janë disa mënyra praktike për të përdorur aftësi dalluese kur u predikojmë të tjerëve?
15 Edhe ne duhet të jemi modestë në mënyrën si e kryejmë caktimin që kemi. Gideoni ishte i matur dhe u përpoq të mos i zemëronte pa qenë nevoja kundërshtarët e tij. Në mënyrë të ngjashme, në veprën tonë të predikimit, duhet të jemi modestë dhe të matur në mënyrën se si u flasim të tjerëve. Vërtet, ne jemi angazhuar në një luftë frymore për të përmbysur «gjëra të fortifikuara mirë» dhe «arsyetime». (2 Korintasve 10:4, 5) Por, nuk duhet t’u flasim me nënvlerësim të tjerëve ose të japim ndonjë shkak të vlefshëm që ata të lëndohen nga mesazhi ynë. Në vend të kësaj, duhet t’i respektojmë pikëpamjet e tyre, të theksojmë atë që mund të kemi të përbashkët dhe, pastaj, të përqendrohemi në aspektet pozitive të mesazhit tonë.—Veprat 22:1-3; 1 Korintasve 9:22; Zbulesa 21:4.
Jezui: Shembulli më i madh i modestisë
16. Si e tregoi Jezui se kishte një pikëpamje modeste për veten?
16 Shembulli më i shkëlqyer i modestisë është ai i Jezu Krishtit.c Pavarësisht nga marrëdhënia e ngushtë që kishte me Atin e tij, Jezui nuk ngurroi të pranonte se disa gjëra ishin përtej sferës së autoritetit të tij. (Gjoni 1:14) Për shembull, kur nëna e Jakovit dhe e Gjonit i kërkoi që dy bijtë e saj të uleshin afër Jezuit në mbretërinë e tij, Jezui i tha: «Kjo ulje në të djathtën dhe në të majtën time nuk është e imja që ta jap.» (Mateu 20:20-23) Në një rast tjetër, Jezui e pranoi hapur: «Unë nuk mund të bëj as edhe një gjë të vetme me nismën time. . . . Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»—Gjoni 5:30; 14:28; Filipianëve 2:5, 6.
17. Si e tregoi Jezui modestinë në marrëdhëniet me të tjerët?
17 Jezui ishte në çdo kuptim më i lartë se njerëzit e papërsosur dhe kishte një autoritet të pakrahasueshëm që ia kishte dhënë Ati i tij, Jehovai. Gjithsesi, ishte modest në marrëdhëniet me ithtarët e tij. Nuk i mbyti ata me një shfaqje mbresëlënëse njohurie. Tregoi ndjeshmëri e dhembshuri dhe i mori në konsideratë nevojat e tyre si njerëz. (Mateu 15:32; 26:40, 41; Marku 6:31) Kështu, edhe pse ishte i përsosur, Jezui nuk kishte maninë për përsosmëri. Ai nuk kërkonte kurrë nga dishepujt e tij më shumë sesa mund të jepnin dhe nuk u vuri kurrë përsipër më shumë gjëra sesa mund të mbanin. (Gjoni 16:12) Nuk habitemi që shumë veta e konsideronin freskues!—Mateu 11:29.
Imitoni shembullin e modestisë që la Jezui
18, 19. Si mund ta imitojmë modestinë e Jezuit në (a) mënyrën si e konsiderojmë veten dhe (b) mënyrën si i trajtojmë të tjerët?
18 Nëse njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë tregoi modesti, sa më shumë duhet të tregojmë ne. Njerëzit e papërsosur, shpesh, mezi e pranojnë që, thjesht, nuk kanë autoritet absolut. Por, duke imituar Jezuin, të krishterët përpiqen të jenë modestë. Ata nuk janë tepër krenarë, sa të mos u japin përgjegjësi atyre që janë të kualifikuar për ta marrë atë, as nuk janë fodullë dhe jo të gatshëm për të pranuar drejtim nga ata që janë të autorizuar për ta dhënë. Duke treguar një frymë bashkëpunimi, ata lënë që çdo gjë në kongregacion të bëhet «siç ka hije dhe me rregull».—1 Korintasve 14:40.
19 Gjithashtu, modestia do të na shtyjë të jemi të arsyeshëm në atë që presim nga të tjerët dhe të marrim në konsideratë nevojat e tyre. (Filipianëve 4:5) Mund të kemi disa aftësi dhe pika të forta që të tjerët ndoshta nuk i kanë. Por, nëse jemi modestë, nuk do të presim gjithnjë që të tjerët të veprojnë ashtu siç do të donim ne. Duke e ditur se çdo person ka kufizimet e tij, me plot modesti do të marrim parasysh mangësitë e të tjerëve. Pjetri shkroi: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»—1 Pjetrit 4:8.
20. Çfarë mund të bëjmë për të kapërcyer ndonjë prirje ndaj mungesës së modestisë?
20 Siç e kemi mësuar, mençuria është vërtet me modestët. Por, ç’të themi nëse kuptoni se keni prirje ndaj mungesës së modestisë ose ndaj mendjemadhësisë? Mos u shkurajoni. Në vend të kësaj, ndiqni shembullin e Davidit, i cili u lut: «Ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit [nga veprat e mendjemadhësisë, BR] dhe bëj që ato të mos më sundojnë.» (Psalmi 19:13) Duke imituar besimin e burrave si Pavli, Gideoni dhe, mbi të gjithë, si Jezu Krishti, do të përjetojmë personalisht vërtetësinë e fjalëve: «Mençuria është me modestët.»—Proverbat 11:2, BR.
[Shënimet]
a Fjala greke e përkthyer «vartës» mund t’i referohet një skllavi që ulej në radhën e fundit të vozitësve në një anije të madhe. Në kontrast, ‘kujdestarëve’ mund t’u besoheshin më shumë përgjegjësi, ndoshta kujdesi për një pronë. Gjithsesi, për shumë pronarë, kujdestari ishte njësoj në shërbim si edhe skllavi që voziste në anije.
b Maturia dhe kujdesi që tregoi Gideoni nuk duhen keqinterpretuar si shenjë burracakërie. Përkundrazi, guximi i tij konfirmohet te Hebrenjve 11:32-38, ku Gideoni përfshihet ndër ata që «u bënë të fuqishëm» dhe që «u bënë trima në luftë».
c Meqenëse modestia përfshin vetëdijen për kufizimet që ka një person, për Jehovain nuk mund të thuhet me të drejtë se është modest. Megjithatë, ai është i përulur.—Psalmi 18:35.
A ju kujtohet?
• Çfarë është modestia?
• Si mund ta imitojmë modestinë e Pavlit?
• Çfarë mund të mësojmë për modestinë nga shembulli i Gideonit?
• Si la Jezui shembullin më të madh të modestisë?
[Figura në faqen 15]
Modestia e bëri Pavlin të dashur për të bashkëkrishterët
[Figura në faqen 17]
Gideoni përdori maturi për të kryer vullnetin e Perëndisë
[Figura në faqen 18]
Jezui, Biri i Perëndisë, tregon modesti në gjithçka që bën