Një Jerusalem besnik ndaj emrit të vet
«Gëzoni përgjithmonë për atë që po krijoj. Sepse po krijoj Jerusalemin, shkak për gëzim.»—ISAIA 65:18, BR.
1. Si ndihej Ezdra për qytetin e zgjedhur të Perëndisë?
SI STUDENT i zellshëm i Fjalës së Perëndisë, prifti hebre Ezdra e kishte për zemër lidhjen që pati dikur mes Jerusalemit dhe adhurimit të pastër të Jehovait. (Ligji i përtërirë 12:5; Ezdra 7:27) Dashuria e tij për qytetin e Perëndisë zbulohet në atë pjesë të Biblës që ai shkroi i frymëzuar: 1. Kronikave, 2. Kronikave dhe Ezdra. Në këto dokumentime historike, emri Jerusalem gjendet pothuajse një të katërtën e mbi 800 herëve që shfaqet në të tërë Biblën.
2. Si e ka shkruar disa herë emrin e Jerusalemit Ezdra dhe ç’domethënie ka kjo?
2 Në hebraishten biblike, emri «Jerusalem» mund të kuptohet si i shkruar në një formë të gjuhës hebraike që quhet dyshe. Forma dyshe përdoret më shpesh për objekte që janë çift, si për shembull, sytë, veshët, duart dhe këmbët. Në këtë formë dyshe, emri Jerusalem mund të konsiderohet si një emër profetik për paqen që populli i Perëndisë do ta përjetojë në një kuptim të dyfishtë: frymësisht dhe fizikisht. Shkrimet nuk zbulojnë nëse Ezdra e kuptoi apo jo plotësisht këtë gjë. Megjithatë, si prift, ai bëri çmos që t’i ndihmonte hebrenjtë të gëzonin paqen me Perëndinë. Sigurisht, ai punoi me gjithë forcat që Jerusalemi të jetonte në lartësinë e emrit të vet, domethënë «Zotërim [ose Themel] i paqes së dyfishtë».—Ezdra 7:6, BR.
3. Sa vite kalojnë përpara se të lexojmë përsëri për aktivitetet e Ezdrës dhe në cilat rrethana e gjejmë atë?
3 Bibla nuk thotë se ku ndodhej Ezdra gjatë 12 vjetëve që ndërfuten mes vizitës së tij në Jerusalem dhe mbërritjes së Nehemisë në qytet. Gjendja e dobët frymore e kombit gjatë asaj periudhe të bën të mendosh se Ezdra nuk qe atje. Megjithatë, Ezdrën e gjejmë duke shërbyer përsëri si prift besimplotë në Jerusalem, tamam pas rindërtimit të murit të qytetit.
Ditë e mrekullueshme asambleje
4. Ç’gjë ishte domethënëse për ditën e parë të muajit të shtatë të Izraelit?
4 Muri i Jerusalemit kishte përfunduar tamam në kohë për muajin e rëndësishëm festiv të tishrit, muaji i shtatë në kalendarin fetar të Izraelit. Dita e parë e tishrit ishte një gosti e veçantë për hënën e re që quhej Festa e Rënies së Borisë. Atë ditë, ndërsa Jehovait i ofroheshin flijime, priftërinjtë u binin borive. (Numrat 10:10; 29:1) Kjo ditë i përgatiste izraelitët për Ditën vjetore të Shlyerjes që bëhej në datën 10 të muajit tishër, si dhe për Festën e gëzueshme të Grumbullimeve, që bëhej nga data 15 deri në 20 të po këtij muaji.
5. (a) Si e shfrytëzuan «ditën e partë të muajit të shtatë» Ezdra dhe Nehemia? (b) Pse qanë izraelitët?
5 «Ditën e parë të muajit të shtatë», «i gjithë populli» mblidhej. Ka të ngjarë që këtë e bënin të inkurajuar nga Nehemia dhe Ezdra. Mes tij ndodheshin burra, gra, fëmijë dhe «të gjithë ata që ishin mjaft inteligjentë për të dëgjuar». Kështu, fëmijët ishin të pranishëm dhe dëgjonin me vëmendje, ndërsa Ezdra qëndronte në një platformë dhe lexonte Ligjin «nga agimi deri në mesditë». (Nehemia 8:1-4, BR) Pas intervalesh të rregullta, levitët e ndihmonin popullin të kuptonte atë që po lexohej. Kjo gjë i bëri për të qarë izraelitët, sepse kuptuan se sa shumë nuk i ishin bindur ata dhe etërit e tyre Ligjit të Perëndisë.—Nehemia 8:5-9.
6, 7. Çfarë mund të mësojnë të krishterët nga ajo që bëri Nehemia për t’i pushuar së qari hebrenjtë?
6 Por nuk ishte koha për të qarë me vaje. Ishte festë dhe populli sapo kishte përfunduar punën për rindërtimin e murit të Jerusalemit. Prandaj Nehemia i ndihmoi të kapnin qëndrimin e duhur mendor, duke u thënë: «Shkoni, hani gjërat e yndyrshme, pini gjërat e ëmbla dhe dërgojini pjesë atij për të cilin s’është përgatitur asgjë, sepse kjo ditë është e shenjtë për Zotërinë tonë dhe mos u ndjeni të lënduar, sepse gëzimi i Jehovait është fortesa juaj.» I bindur, «i gjithë populli shkoi të hante, të pinte dhe të dërgonte pjesë e të mbante një gëzim të madh, sepse kishin kuptuar fjalët që u ishin bërë të njohura».—Nehemia 8:10-12, BR.
7 Sot, populli i Perëndisë mund të mësojë shumë nga ky tregim. Ata që kanë privilegjin të kenë pjesë nëpër mbledhje dhe asamble duhet të mbajnë parasysh atë që u tha më lart. Përveçse jepen këshilla që herë pas here janë të nevojshme, raste të tilla nxjerrin në pah dobitë dhe bekimet që vijnë kur përmbushim kërkesat e Perëndisë. Në to jepen lavdërime për veprat e shkëlqyera që janë kryer dhe sigurohet inkurajimi për të duruar. Populli i Perëndisë duhet të largohet nga këto mbledhje me gëzim zemre, sepse ka marrë udhëzime ndërtuese nga Fjala e Perëndisë.—Hebrenjve 10:24, 25.
Një mbledhje tjetër e gëzueshme
8, 9. Cila mbledhje e veçantë u bë ditën e dytë të muajit të shtatë dhe cili qe rezultati për popullin e Perëndisë?
8 Ditën e dytë të atij muaji të veçantë, «krerët e etërve të të gjithë popullit, priftërinjtë dhe levitët, u mblodhën së bashku tek Ezdra, kopisti, po, për të fituar mendjehollësi mbi fjalët e ligjit». (Nehemia 8:13, BR) Ezdra ishte më se i kualifikuar për ta drejtuar këtë mbledhje, sepse e «kishte përgatitur zemrën e tij për të konsultuar ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për t’u mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë». (Ezdra 7:10, BR) Pa dyshim, kjo mbledhje nxori në pah ato aspekte në të cilat populli i Perëndisë duhej të përputhej më shumë me besëlidhjen e Ligjit. Nevoja e ngutshme ishte ajo e bërjes së përgatitjeve të duhura për kremtimin e Festës së Kasolleve që po vinte.
9 Kjo festë që zgjaste gjatë gjithë javës u zhvillua me korrektësi dhe të gjithë njerëzit banuan nëpër streha të përkohshme të bëra me degë dhe gjethe pemësh të ndryshme. Njerëzit i ngritën këto kasolle mbi çatitë e tyre të sheshta, nëpër oborret e tyre dhe në ato të tempullit, si dhe në sheshet publike të Jerusalemit. (Nehemia 8:15, 16) Ç’rast i shkëlqyer ishte ky për të mbledhur popullin dhe për t’i lexuar nga Ligji i Perëndisë! (Krahaso Ligjin e përtërirë 31:10-13.) Kjo u bë çdo ditë, «nga dita e parë deri ditën e fundit» të festës, gjë që solli si rezultat një «gëzim shumë të madh» nga ana e popullit të Perëndisë.—Nehemia 8:17, 18, BR.
Nuk duhet të lëmë pas dore shtëpinë e Perëndisë
10. Pse ditën e 24-t të muajit të shtatë u organizua një mbledhje e veçantë?
10 Për të ndrequr mangësitë serioze mes popullit të Perëndisë, ka një kohë dhe vend të përshtatshëm. Me sa duket, duke e kuptuar se kjo ishte një kohë e tillë, ditën e 24-t të muajit të tishrit Ezdra dhe Nehemia organizuan një ditë agjërimi. U lexua përsëri Ligji i Perëndisë dhe populli rrëfeu mëkatet e veta. Pastaj levitët bënë një rishikim mbi mënyrën e mëshirshme në të cilën kishte vepruar Perëndia me popullin e tij kryeneç, i thurën shprehje të bukura lavdie Jehovait dhe vendosën një «rregullim të denjë për besim» me dëshminë e vulës së princërve të tyre, levitëve dhe priftërinjve.—Nehemia 9:1-38.
11. Cili qe «rregullimi i denjë për besim» për të cilin hebrenjtë e vunë veten nën detyrimin që të zbatonin?
11 Populli në përgjithësi u betua të zbatonte ‘rregullimin e shkruar të denjë për besim’. Ata do të ‘ecnin në ligjin e Perëndisë së vërtetë’. Gjithashtu, ranë dakord që të mos lidhnin aleanca martesore me «popujt e vendit». (Nehemia 10:28-30) Për më tepër, hebrenjtë e vunë veten nën detyrimin për të respektuar sabatin, për të dhënë një kontribut financiar vjetor në mbështetje të adhurimit të vërtetë, për të sjellë dru për altarin e flijimeve, për të dhënë si flijim të parëlindurit e tufave dhe kopeve të tyre, si dhe për të sjellë frytet e para të tokës së tyre në sallat e ngrënies së tempullit. Qartë, ata ishin të vendosur të ‘mos linin pas dore shtëpinë e Perëndisë së tyre’.—Nehemia 10:32-39, BR.
12. Çfarë përfshihet në moslënien pas dore të shtëpisë së Perëndisë sot?
12 Sot, populli i Jehovait duhet të ketë kujdes të mos lërë pas dore privilegjin për të ‘bërë shërbim të shenjtë’ në oborret e tempullit të madh frymor të Jehovait. (Zbulesa 7:15, BR) Kjo përfshin lutjet e rregullta nga zemra për çuarjen përpara të adhurimit të Jehovait. Mënyra e të jetuarit në harmoni me këto lutje kërkon përgatitje dhe pjesëmarrje në mbledhjet e krishtere, pjesëmarrje në rregullimet për predikimin e lajmit të mirë dhe dhënien e ndihmës të interesuarve me anë të rivizitave e, nëse është e mundur, duke drejtuar studime biblike me ta. Shumë nga ata që nuk duan ta lënë pas dore shtëpinë e Perëndisë japin kontribute financiare për veprën e predikimit dhe për mirëmbajtjen e vendeve të adhurimit të vërtetë. Ndoshta kemi mundësi që edhe ta përkrahim ndërtimin e vendeve të mbledhjeve që nevojiten urgjentisht, si dhe për t’i mbajtur ato të pastra dhe të rregullta. Një mënyrë e rëndësishme për të treguar dashuri për shtëpinë frymore të Perëndisë, është të punojmë për paqen e bashkëbesimtarëve dhe të ndihmojmë ata që janë në nevojë materialisht ose frymësisht.—Mateu 24:14; 28:19, 20; Hebrenjve 13:15, 16.
Përurim i gëzueshëm
13. Cila çështje urgjente kërkonte vëmendje përpara se të bëhej i mundur përurimi i murit të Jerusalemit dhe çfarë shembulli të shkëlqyer lanë shumë persona?
13 «Rregullimi i denjë për besim» i vulosur në ditët e Nehemisë e përgatiti popullin e lashtë të Perëndisë për ditën e përurimit të murit të Jerusalemit. Por kishte ende një çështje tjetër urgjente, së cilës i duhej kushtuar vëmendje. Tani, i mbyllur nga një mur i madh me 12 porta, Jerusalemit i duhej një popullsi më e madhe. Megjithëse atje jetonin disa izraelitë, «qyteti ishte i gjerë e i madh dhe brenda tij kishte pak njerëz». (Nehemia 7:4, BR) Për ta zgjidhur këtë problem, populli «hodhi short që nga çdo dhjetë veta të nxirrnin një për të banuar në Jerusalem, në qytetin e shenjtë». Përgjigjja e dhënë me gatishmëri për këtë rregullim, e nxiti popullin të bekonte «të gjithë burrat që dolën vullnetarë për të banuar në Jerusalem». (Nehemia 11:1, 2, BR) Ç’shembull i shkëlqyer për ata adhurues të vërtetë sot, të cilëve ua lejojnë rrethanat që të transferohen atje ku ka më shumë nevojë për ndihmën e të krishterëve të pjekur!
14. Çfarë ndodhi ditën e përurimit të murit të Jerusalemit?
14 Pak kohë më pas filluan përgatitjet e rëndësishme për ditën e madhe të përurimit të murit të Jerusalemit. Nga qytetet përreth Judës u mblodhën muzikantë dhe këngëtarë. Këta formuan dy kore të mëdha që falënderonin Jehovain dhe secili prej tyre ndiqej nga një procesion. (Nehemia 12:27-31, 36, 38) Koret dhe procesionet fillonin nga një pikë e murit, e cila ishte më larg tempullit, ndoshta nga Porta e Luginës, dhe marshonin në drejtime të kundërta derisa takoheshin te shtëpia e Perëndisë. «Atë ditë, ata vazhduan të flijonin flijime të mëdha dhe të gëzonin, sepse vetë Perëndia i vërtetë i bëri të gëzonin me gëzim të madh. Edhe gratë dhe vetë fëmijët gëzuan, kështu që gëzimi i Jerusalemit mundi të dëgjohej shumë larg.»—Nehemia 12:43, BR.
15. Pse dedikimi i murit të Jerusalemit nuk qe shkak për gëzim të përhershëm?
15 Bibla nuk e jep datën e këtij kremtimi të gëzueshëm. Pa dyshim që ai ishte një moment i rëndësishëm, për të mos thënë kulmi, i restaurimit të Jerusalemit. Sigurisht, brenda qytetit duheshin bërë ende shumë ndërtime. Me kalimin e kohës, qytetarët e Jerusalemit e humbën qëndrimin e tyre të shkëlqyer frymor. Për shembull, kur Nehemia vizitoi qytetin për herë të dytë, vuri re se shtëpia e Perëndisë po lihej përsëri pas dore dhe se izraelitët po martoheshin përsëri me gra pagane. (Nehemia 13:6-11, 15, 23) Të njëjtat kushte të këqija vërtetohen edhe nga ato që shkroi profeti Malakia. (Malakia 1:6-8; 2:11; 3:8) Kështu që dedikimi i murit të Jerusalemit nuk ishte shkak për gëzim të përhershëm.
Shkak për gëzim të përhershëm
16. Cilat ngjarje kulmore po pret me padurim populli i Perëndisë?
16 Sot, populli i Jehovait mezi pret kohën kur Perëndia do të triumfojë mbi të gjithë armiqtë e tij. Ky triumf do të fillojë me shkatërrimin e «Babilonisë së Madhe», një qytet figurativ që përfshin të gjitha format e fesë së rreme. (Zbulesa 18:2, 8) Shkatërrimi i fesë së rreme do të shënojë fazën e parë të mjerimit të madh që po vjen. (Mateu 24:21, 22) Para nesh shtrihet edhe një ngjarje vërtet shumë e rëndësishme: martesa qiellore e Zotërisë Jezu Krisht me nusen e tij prej 144.000 qytetarësh të «Jerusalemit të Ri». (Zbulesa 19:7; 21:2) Nuk mund ta themi me saktësi se kur do të jetë i plotë ky bashkim qiellor, por kjo do të jetë patjetër një ngjarje e gëzueshme.—Shiko Kullën e Rojës, 15 gusht 1990, faqet 30-31, anglisht.
17. Çfarë dimë për plotësimin e Jerusalemit të Ri?
17 Ajo që dimë është se plotësimi i Jerusalemit të Ri është shumë pranë. (Mateu 24:3, 7-14; Zbulesa 12:12) Ndryshe nga qyteti tokësor, ai nuk do të jetë kurrë një shkak për zhgënjim. Kjo është e vërtetë, sepse të gjithë qytetarët e saj janë ithtarë të Krishtit, të mirosur nga fryma, të sprovuar dhe të rafinuar. Në bazë të besnikërisë së tyre deri në vdekje, secili nga ata do të ketë provuar se do t’i mbetet përjetësisht besnik Sovranit Universal, Perëndisë Jehova. Kjo ka një domethënie kuptimplotë për pjesën tjetër të njerëzimit, për të gjallët dhe për të vdekurit!
18. Pse duhet të ‘ngazëllojmë dhe të gëzojmë përgjithmonë’?
18 Vëre se ç’do të ndodhë kur Jerusalemi i Ri ta drejtojë vëmendjen nga njerëzit që ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Jezuit. «Ja,—shkroi apostulli Gjon,—tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë popujt e tij. Perëndia vetë do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as mbajtje zi, as klithma dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:2-4, BR) Për më tepër, Perëndia do ta përdorë këtë rregullim që i ngjan një qyteti, për ta ngritur njerëzimin në përsosmërinë njerëzore. (Zbulesa 22:1, 2) Ç’arsye të mrekullueshme janë këto për të ‘ngazëlluar dhe për të qenë përgjithmonë të gëzuar për atë që po krijon tani Perëndia’!—Isaia 65:18, BR.
19. Cila është parajsa frymore në të cilën janë mbledhur të krishterët?
19 Megjithatë, njerëzit e penduar nuk duhet të presin deri atëherë që të marrin ndihmë prej Perëndisë. Në vitin 1919, Dëshmitarët e Jehovait filluan të mblidhnin anëtarët e fundit të 144.000-ve në një parajsë frymore, ku frytet e frymës së Perëndisë, të tilla si dashuria, gëzimi dhe paqja, janë me bollëk. (Galatasve 5:22, 23) Një tipar i spikatur i kësaj parajse frymore ka qenë besimi i banorëve të saj të mirosur që, në mënyrë të mahnitshme, kanë qenë të frytshëm në përhapjen e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë në të gjithë tokën e banuar. (Mateu 21:43; 24:14) Si rezultat i kësaj, pothuajse 6 milionë «dele të tjera» që kanë shpresë tokësore, janë lejuar të hyjnë në parajsën frymore dhe të ndiejnë gëzimin e një vepre të frytshme. (Gjoni 10:16) Për këtë gjë, ata janë kualifikuar duke iu dedikuar Perëndisë Jehova mbi bazën e besimit të tyre te flijimi shpërblyes i Birit të tij, Jezu Krishtit. Shoqërimi i tyre me anëtarët e ardhshëm të Jerusalemit të Ri ka treguar se është me të vërtetë një bekim. Kështu, me anë të mënyrës në të cilën ka vepruar me të krishterët e mirosur, Jehovai ka hedhur një themel të qëndrueshëm për një «tokë të re»: një shoqëri njerëzish që druajnë Perëndinë, të cilët do të trashëgojnë sferën tokësore të Mbretërisë qiellore.—Isaia 65:17; 2. Pjetrit 3:13.
20. Si do të jetojë në lartësinë e domethënies së emrit të vet Jerusalemi i Ri?
20 Së shpejti, kushtet paqësore që tani populli i Perëndisë i gëzon në tempullin frymor, do të përjetohen në një parajsë fizike mbi tokë. Kjo do të ndodhë kur Jerusalemi i Ri të zbresë nga qielli për të bekuar njerëzimin. Populli i Perëndisë do të gëzojë në kuptim të dyfishtë kushtet paqësore që premtohen në Isainë 65:21-25. Si adhurues të bashkuar të Jehovait në parajsën frymore, ata të mirosur që ende duhet të zënë vendin e tyre në Jerusalemin e Ri qiellor dhe ata të «deleve të tjera», janë duke përjetuar tani paqen që jep Perëndia. Një paqe e tillë do të shtrihet në Parajsën fizike, kur ‘vullneti i Perëndisë të bëhet në të gjithë tokën, ashtu siç bëhet në qiell’. (Mateu 6:10) Po, qyteti i lavdishëm qiellor i Perëndisë do të provojë se është besnik ndaj emrit Jerusalem si ‘Themeli i fortë i paqes së dyfishtë’. Ai do të jetë përjetësisht një nder dhe lavdi për Krijuesin e tij të Madh, Perëndinë Jehova, dhe për Dhëndrin e tij Mbret, Jezu Krishtin.
A të kujtohet?
◻ Çfarë ishte kryer kur Nehemia mblodhi popullin në Jerusalem?
◻ Çfarë duhej të bënin hebrenjtë e lashtë, që të mos linin pas dore shtëpinë e Perëndisë dhe çfarë na kërkohet neve të bëjmë?
◻ Në ç’mënyrë përfshihet «Jerusalemi» në realizimin e gëzimit dhe paqes së përhershme?
[Harta në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PORTAT E JERUSALEMIT
Numrat paraqesin lartësinë e sotme në metra
PORTA E PESHQVE
PORTA E QYTETIT TË VJETËR
PORTA E EFRAIMIT
PORTA E CEPIT
Mur i gjerë
Sheshi publik
PORTA E LUGINËS
LAGJJA E DYTË
Mur i hershëm verior
QYTETI I DAVIDIT
PORTA E PIRGJEVE TË HIRIT
Lugina e Hinomit
Kështjellë
PORTA E DELEVE
PORTA E ROJES
Zona e Tempullit
PORTA E INSPEKTIMIT
PORTA E KUAJVE
OFELI
Shesh publik
PORTA E UJËRAVE
Burimi i Gihonit
PORTA E SHATËRVANIT
Kopshti i mbretit
En-rogel
Lugina e Tiropeonit (qendror)
Lugina e përroit të Kidronit
740
730
730
750
770
770
750
730
710
690
670
620
640
660
680
700
720
740
730
710
690
670
Shtrirja e mundshme e murit të Jerusalemit në kohën e shkatërrimit të qytetit dhe kur Nehemia mori drejtimin për rindërtimin e murit