-
Vetëtima drite në kohët apostolikeKulla e Rojës—1995 | 15 Gusht
-
-
Vetëtima drite në kohët apostolike
«Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.»—PSALMI 97:11.
1. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e sotëm të Jehovait ngjajnë me të krishterët e parë?
SA SHUMË i vlerësojmë ne si të krishterë fjalët e Psalmit 97:11! ‘Drita ka dalë’ për ne vazhdimisht. Në fakt, disa prej nesh e kanë parë ndriçimin e shkëlqyeshëm të Jehovait për dekada. E gjithë kjo na sjell ndër mend Proverbat 4:18, ku lexojmë: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.» Në vlerësimin tonë për Shkrimet e jo për traditën, ne Dëshmitarët e Jehovait u ngjajmë të krishterëve të parë. Qëndrimi i tyre mund të shihet qartësisht në librat historikë të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe në letrat e tyre, të shkruara nën frymëzimin hyjnor.
2. Cilat ishin midis vetëtimave të para të dritës që morën ithtarët e Jezuit?
2 Ndërmjet vetëtimave të para të dritës që patën ithtarët e parë të Jezu Krishtit, ishin ato që kishin të bënin me Mesinë. Andrea i tha vëllait të vet, Simon Pjetrit: «E gjetëm Mesian.» (Gjoni 1:41) Disa kohë më vonë, Ati qiellor i dha mundësi apostullit Pjetër që të dëshmonte për këtë, kur ky i tha Jezu Krishtit: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.»—Mateu 16:16, 17; Gjoni 6:68, 69.
Dritë mbi detyrën e tyre të predikimit
3, 4. Pas ringjalljes, çfarë ndriçimi u dha Jezui ithtarëve të tij, në lidhje me aktivitetin e tyre të ardhshëm?
3 Pas ringjalljes, Jezu Krishti lëshoi vetëtima drite në lidhje me një detyrim që binte mbi të gjithë ithtarët e tij. Ka shumë të ngjarë që ai t’u jetë drejtuar të 500 dishepujve të mbledhur në Galile, kur tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» (Mateu 28:19, 20; 1. Korintasve 15:6) Që prej asaj kohe, të gjithë ithtarët e Krishtit duhej të ishin predikues dhe detyra e tyre e predikimit nuk kufizohej me «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mateu 10:6) Ata nuk duhej as të bënin pagëzimin e Gjonit, në simbol të pendimit për të marrë faljen mëkateve. Përkundrazi, ata duhej të pagëzonin njerëzit «në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë».
4 Para se Jezui të ngjitej në qiell, 11 apostujt e tij besnikë e pyetën: «Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Në vend se t’i përgjigjej pyetjes, Jezui dha udhëzime të mëtejshme në lidhje me detyrën e tyre të predikimit, duke thënë: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.» Deri në atë kohë, ata kishin qenë dëshmitarë vetëm të Jehovait, por tani do të ishin edhe dëshmitarë të Krishtit.—Veprat 1:6-8.
5, 6. Çfarë drite morën dishepujt e Jezuit në Rrëshajët?
5 Çfarë vetëtima të shkëlqyeshme drite morën ithtarët e Jezuit, vetëm dhjetë ditë më vonë! Ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., ata e kuptuan plotësisht domethënien e Joelit 2:28, 29: «Unë [Jehovai] do të përhap Frymën time mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.» Dishepujt e Jezuit panë frymën e shenjtë, në formën e gjuhëve të flakës, duke qëndruar mbi kokat e të gjithëve, rreth 120 burra e gra, të mbledhur në Jeruzalem.—Veprat 1:12-15; 2:1-4.
6 Gjithashtu, në ditën e Rrëshajëve, dishepujt kuptuan së pari se fjalët e Psalmit 16:10 zbatoheshin për Jezu Krishtin e ringjallur. Psalmisti kishte thënë: «Ti [Perëndi Jehova] nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.» Dishepujt e kuptuan se këto fjalë nuk mund të ishin zbatuar për mbretin David, pasi varri i tij gjendej midis tyre deri në atë kohë. Nuk habitemi që 3.000 nga ata që dëgjuan shpjegimin e kësaj drite të re, ishin aq të bindur sa u pagëzuan po atë ditë!—Veprat 2:14-41.
7. Çfarë drite të shkëlqyeshme mori apostulli Pjetër gjatë vizitës që i bëri oficerit të ushtrisë romake, Kornelit?
7 Për shumë shekuj, izraelitët kishin vlerësuar atë që kishte thënë Perëndia për ta: «Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut.» (Amosi 3:2) Prandaj, ishte me të vërtetë një vetëtimë e shkëlqyeshme drite ajo që morën apostulli Pjetër dhe ata që e shoqëronin në shtëpinë e oficerit të ushtrisë romake, Kornelit, kur për herë parë fryma e shenjtë zbriti mbi besimtarët paganë të parrethprerë. Duhet vërejtur se kjo ishte hera e vetme që fryma e shenjtë u dha para pagëzimit. Por kjo ishte e nevojshme. Përndryshe, Pjetri nuk do ta kishte ditur që ata paganë të parrethprerë ishin të kualifikuar për pagëzim. Duke e vlerësuar plotësisht domethënien e këtij fenomeni, Pjetri pyeti: «A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta [paganë] që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?» Natyrisht, asnjë nga të pranishmit nuk mund të kundërshtonte me të drejtë dhe ata paganë u pagëzuan.—Veprat 10:44-48; krahaso Veprat 8:14-17.
Fundi i rrethprerjes
8. Përse disa të krishterë të parë e kishin të vështirë të braktisnin mësimin e rrethprerjes?
8 Një tjetër vetëtimë drite e së vërtetës u shfaq në lidhje me çështjen e rrethprerjes. Praktika e rrethprerjes i pati fillimet e saj në vitin 1919 p.e.s., me besëlidhjen e Jehovait me Abrahamin. Në atë kohë, Perëndia e urdhëroi Abrahamin se ai dhe të gjithë meshkujt e shtëpisë së tij duhej të rrethpriteshin. (Zanafilla 17:9-14, 23-27) Prandaj, rrethprerja u bë një shenjë dalluese e pasardhësve të Abrahamit. Dhe sa krenarë ishin ata për këtë praktikë! Si rezultat, «i parrethprerë» u bë një shprehje përçmuese. (Isaia 52:1; 1. Samuelit 17:26, 27) Është e lehtë për t’u kuptuar se përse disa nga të krishterët e parë hebrenj donin ta ruanin këtë simbol. Disa prej tyre patën një diskutim të fortë me Pavlin e Barnabën për këtë çështje. Për ta zgjidhur atë, Pavli e të tjerë shkuan në Jeruzalem, për t’u këshilluar me trupin udhëheqës të krishterë.—Veprat 15:1, 2.
9. Çfarë drite iu zbulua trupit të parë udhëheqës, siç tregohet në Veprat, kreu 15?
9 Kësaj here, nuk ndodhi ndonjë mrekulli e dukshme që ata të krishterë të hershëm të ndriçoheshin mbi faktin se rrethprerja nuk ishte më një kërkesë për shërbëtorët e Jehovait. Përkundrazi, ata e morën këtë dritë në rritje, duke kërkuar në Shkrime, duke besuar për drejtim në frymën e shenjtë e duke dëgjuar përvojat e Pjetrit e të Pavlit në lidhje me kthimin e paganëve të parrethprerë. (Veprat 15:6-21) Vendimi u bë i njohur në një letër, në të cilën pjesërisht lexojmë: «Na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme: që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.» (Veprat 15:28, 29) Të krishterët e parë, pra, ishin të lirë nga urdhri për praktikimin e rrethprerjes dhe nga kërkesat e tjera të Ligjit të Moisiut. Prandaj, Pavli mundi t’u fliste të krishterëve galatas për «lirinë, me të cilën Krishti na liroi».—Galatasve 5:1.
Dritë në ungjijtë
10. Cilat ishin disa vetëtima drite që u zbuluan në ungjillin e Mateut?
10 Nuk ka dyshim që ungjilli i Mateut, i shkruar rreth vitit 41 të e.s., përmban shumë vetëtima drite në dobi të lexuesve të tij. Të krishterët e shekullit të parë që kishin dëgjuar personalisht Jezuin tek paraqiste mësimet e tij, ishin relativisht pak. Në veçanti, ungjilli i Mateut thekson se tema e predikimit të Jezuit ishte Mbretëria. Sa fort e kishte theksuar Jezui rëndësinë e nxitjes nga motive të drejta! Sa dritë hodhi ai në Predikimin e tij në Mal, në shëmbëlltyrat e tij (si ato që gjenden në kreun 13) dhe në profecinë e tij të madhe në kreun 24 dhe 25! E gjithë kjo u soll në vëmendjen e të krishterëve të parë falë tregimit të ungjillit të Mateut, i shkruar afërsisht vetëm tetë vjet pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s.
11. Çfarë mund të thuhet mbi përmbajtjen e ungjijve të Lukës e të Markut?
11 Gati 15 vjet më vonë, Luka shkroi ungjillin e tij. Edhe pse shumë prej tij ngjan me tregimin e Mateut, 59 për qind janë informata shtesë. Luka regjistron gjashtë nga mrekullitë e Jezuit e më shumë se dyfishin e shumë ilustrimeve të Tij që nuk përmenden nga shkrimtarët e ungjijve të tjerë. Me sa duket, Marku e shkroi ungjillin e tij vetëm pak vjet më vonë, duke e vënë theksin mbi Jezu Krishtin si një njeri i veprimit, si një bërës i mrekullive. Edhe pse Marku në përgjithësi kujtoi ngjarje të shkruara më parë nga Mateu e Luka, ai regjistroi një shëmbëlltyrë që ata nuk e përmendën. Në atë shëmbëlltyrë, Jezui e krahasoi Mbretërinë e Perëndisë me farën që mbin, rritet e sjell fryt gradualisht.a—Marku 4:26-29.
12. Deri në ç’masë siguroi ndriçim të mëtejshëm ungjilli i Gjonit?
12 Më pas erdhi ungjilli i Gjonit, i shkruar më shumë se 30 vjet pasi Marku kishte shkruar tregimin e tij. Sa dritë hodhi Gjoni mbi shërbimin e Jezuit, veçanërisht me anë të referimeve të shumta në lidhje me ekzistencën e Tij paranjerëzore! Vetëm Gjoni përmban tregimin e ringjalljes së Lazrit dhe vetëm ai na jep shumë informata të shkëlqyeshme që Jezui u dha apostujve të tij besnikë, si edhe lutjen e tij prekëse natën në të cilën u tradhëtua, siç gjendet në kapitujt 13 deri 17. Në fakt, është thënë se 92 për qind e ungjillit të Gjonit është e veçantë.
Vetëtima drite në letrat e Pavlit
13. Përse disa e shohin letrën e Pavlit drejtuar romakëve, si të ishte një ungjill?
13 Apostulli Pavël u përdor veçanërisht për të sjellë dritat e së vërtetës për të krishterët që jetuan në kohët apostolike. Për shembull, le të marrim letrën që Pavli u drejtoi romakëve, e shkruar rreth vitit 56 të e.s., afërsisht në të njëjtën kohë kur Luka shkroi ungjillin e tij. Në këtë letër Pavli nënvizon faktin se drejtësia jepet falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë dhe nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin. Theksi që i ka dhënë Pavli këtij aspekti të lajmit të mirë, ka bërë që disa ta shohin letrën e Romakëve si të ishte një ungjill i pestë.
14-16. (a) Çfarë drite hodhi Pavli mbi nevojën për unitet, në letrën e tij të parë drejtuar korintasve? (b) Çfarë drite të mëtejshme në lidhje me sjelljen përmban Letra e Parë e Korintasve?
14 Pavli shkroi edhe në lidhje me disa çështje që shqetësonin të krishterët në Korint. Letra e tij drejtuar korintasve përfshin shumë këshilla të frymëzuara, të cilat u kanë sjellë dobi të krishterëve deri në ditët tona. Për të filluar, atij iu desh të ndriçonte korintasit se po gabonin, duke ngritur kultin e personit rreth disa individëve. Apostulli i korrigjoi, duke u thënë me guxim: «Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.»—1. Korintasve 1:10-15.
15 Në kongregacionin e krishterë të Korintit po tolerohej një imoralitet i rëndë. Një burrë kishte marrë gruan e të atit, duke praktikuar kështu «një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë». Në mënyrë të hapur, Pavli shkroi: «Nxirreni të ligun nga vetja juaj.» (1. Korintasve 5:1, 11-13) Kjo ishte diçka e re për kongregacionin e krishterë, përjashtimi. Një çështje tjetër mbi të cilën kongregacioni i krishterë kishte nevojë të ndriçohej, lidhej me faktin se disa nga pjesëtarët e tij po i nxirrnin vëllezërit e tyre frymorë nëpër gjyqet e botës, për të zgjidhur padrejtësitë. Pavli i qortoi ata me forcë për këtë.—1. Korintasve 6:5-8.
16 Një çështje tjetër që kishte hapur plagë në kongregacionin e Korintit kishte të bënte me marrëdhëniet seksuale. Në 1. Korintasve, kreu 7, Pavli tregoi se për shkak të mbizotërimit të imoralitetit seksual, do të ishte mirë që çdo burrë të kishte gruan e tij dhe çdo grua burrin e saj. Pavli shpjegoi, gjithashtu, që edhe pse të pamartuarit janë në gjendje t’i shërbejnë Jehovait me më pak pengesa, jo të gjithë e kanë dhuratën e beqarisë. E nëse burri i ndonjë gruaje vdiste, ajo do të ishte e lirë për t’u martuar përsëri, por «vetëm në Zotërinë».—1. Korintasve 7:39, BR.
17. Çfarë drite hodhi Pavli mbi mësimin e ringjalljes?
17 Sa dritë hodhi Zotëria, me anë të Pavlit, mbi ringjalljen! Me çfarë trupi do të ngriheshin të krishterët e mirosur? «Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror», shkroi Pavli. Asnjë trup mishor nuk do të merret në qiell, sepse «mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». Pavli shtoi se jo të gjithë të mirosurit do të bien në gjumin e vdekjes, por gjatë pranisë së Jezuit disa do të ngrihen në jetën e pavdekshme, menjëherë pas vdekjes.—1. Korintasve 15:43-53.
18. Çfarë drite në lidhje me të ardhmen përmban letra e parë e Pavlit drejtuar selanikasve?
18 Në letrën e tij drejtuar të krishterëve në Selanik, Pavli u përdor për të hedhur dritë mbi të ardhmen. Dita e Jehovait do të vinte si një hajdut natën. Pavli shpjegoi, gjithashtu: «Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri”, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.»—1. Selanikasve 5:2, 3.
19, 20. Çfarë vetëtimash drite morën të krishterët në Jeruzalem e në Jude, nga letra e Pavlit për hebrenjtë?
19 Duke u shkruar hebrenjve, Pavli ndriçoi të krishterët e parë në Jeruzalem e në Jude. Me sa forcë e tregoi ai superioritetin e sistemit të krishterë të adhurimit, mbi sistemin e adhurimit të vendosur nga Moisiu! Në vend se të ndiqnin Ligjin e transmetuar nga engjëjt, të krishterët kishin besim në një shpëtim mbi të cilin foli për herë të parë Biri i Perëndisë, i cili është shumë më superior se ata lajmëtarë engjëllorë. (Hebrenjve 2:2-4) Moisiu ishte vetëm një shërbëtor në shtëpinë e Perëndisë. Përkundrazi, Jezu Krishti kryeson mbi të gjithë shtëpinë. Krishti është një kryeprift sipas rendit të Melkisedekut, duke pasur një pozitë shumë më të lartë se priftëria e Aaronit. Pavli, gjithashtu, theksoi se izraelitët nuk kishin mundur të hynin në prehjen e Perëndisë, për shkak të mungesës së besimit e të bindjes, por të krishterët hynë aty, për shkak të besnikërisë e bindjes së tyre.—Hebrenjve 3:1–4:11.
20 Përveç kësaj, besëlidhja e re është shumë më e lartë se besëlidhja e Ligjit. Siç u profetizua 600 vjet më parë në Jereminë 31:31-34, ata të besëlidhjes së re i kanë ligjet e Perëndisë të shkruara në zemrat e tyre dhe gëzojnë faljen e vërtetë të mëkateve. Në vend se të kenë një kryeprift që çdo vit duhet të ofrojë sakrifica për mëkatet e tij e për ato të popullit të tij, të krishterët kanë për kryeprift Jezu Krishtin, i cili është pa mëkate dhe që njëherë e përgjithmonë ofroi një flijim për mëkatet. Në vend se të hynte në vendin e shenjtë të bërë me dorë, për të paraqitur flijimin e tij, ai hyri në vetë qiellin, për t’u shfaqur përpara personit të Jehovait. Për më tepër, flijimet e kafshëve nën Ligjin e Moisiut nuk mund të hiqnin plotësisht mëkatet, përndryshe nuk do të flijoheshin çdo vit. Por sakrifica e Krishtit, e ofruar njëherë e përgjithmonë, i heq mëkatet. E gjithë kjo hedh dritë mbi tempullin e madh frymor, në oborret e të cilit mbetja e mirosur dhe «delet e tjera» shërbejnë sot.—Gjoni 10:16; Hebrenjve 9:24-28.
21. Çfarë ka treguar ky diskutim për sa i përket përmbushjes së Psalmit 97:11 dhe Proverbave 4:18 në kohët apostolike?
21 Hapësira nuk lejon të japim më shumë shembuj, si për shembull, drita që hidhet në letrat e apostullit Pjetër dhe në ato të dishepujve Jakov dhe Juda. Por sa kemi thënë më lart duhet të mjaftojë për të treguar se Psalmi 97:11 dhe Proverbat 4:18 kanë pasur një përmbushje të jashtëzakonshme në kohët apostolike. E vërteta filloi të përparonte nga tipet dhe hijet, drejt përmbushjeve dhe realitetit.—Galatasve 3:23-25; 4:21-26.
22. Çfarë ndodhi pas vdekjes së apostujve dhe ç’do të tregojë artikulli vijues?
22 Pas vdekjes së apostujve të Jezuit dhe depërtimit të apostazisë së parathënë, drita e së vërtetës u zbeh shumë. (2. Selanikasve 2:1-11) Megjithatë, në përputhje me premtimin e Jezuit, pas shumë shekujsh Zotëria u kthye dhe gjeti «skllavin besnik e të matur», duke u dhënë «shtëpiakëve» ushqimin e tyre në kohën e duhur. Si rrjedhojë, Jezu Krishti e caktoi atë skllav «mbi të gjitha pronat e tij». (Mateu 24:45-47, BR) Cilat ishin vetëtimat e dritës që e pasuan? Për këtë do të flitet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Toka këtu i referohet ambientit ku i krishteri zgjedh të kultivojë cilësitë e personalitetit.—Shiko Kulla e Rojës, 15 qershor 1980, faqe 18-19, angl.
-
-
Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 1)Kulla e Rojës—1995 | 15 Gusht
-
-
Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 1)
«Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.»—PROVERBAT 4:18.
1. Përse e vërteta është zbuluar gradualisht?
ËSHTË provë e mençurisë hyjnore që, në përputhje me Proverbat 4:18, zbulimi i të vërtetave frymore ka ndodhur gradualisht, me anë të vetëtimave të dritës. Në artikullin paraprak pamë se si u përmbush ky shkrim në kohët apostolike. Sikur e gjithë e vërteta e Shkrimeve të ishte zbuluar përnjëherësh, do të kishte qenë sa verbuese aq edhe çorientuese, pak a shumë si efekti i daljes nga një zgavër e errët në dritën e fortë të diellit. Për më tepër, e vërteta e zbuluar gradualisht forcon besimin e të krishterëve në mënyrë të vazhdueshme. Ajo e bën edhe më të shkëlqyeshme shpresën e tyre dhe më të qartë shtegun nëpër të cilin duhet të kalojnë.
«Skllavi besnik e i matur»
2. Siç tregoi Jezui, kë do të përdorte ai për të ndriçuar frymësisht ithtarët e tij dhe nga cilët përbëhet ky instrument?
2 Në kohët apostolike, Jezu Krishti zgjodhi për të përdorur mjete mbinatyrore për t’u dhënë ithtarëve të tij vetëtimat e para të dritës. Kemi dy shembuj të kësaj: Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe kthimin e Kornelit në vitin 36 të e.s. Më vonë, Krishti e pa me vend të përdorte një përfaqësues njerëzor, ashtu siç kishte parathënë: «Cili është në të vërtetë skllavi besnik e i matur, të cilin zotëria i tij e caktoi mbi shtëpiakët e vet, për t’u dhënë ushqimin e tyre në kohën e duhur? Lum ai skllav nëse i zoti kur të vijë, ta gjejë duke bërë kështu. Me të vërtetë po ju them, Ai do ta vendosë mbi të gjitha pronat e tij.» (Mateu 24:45-47, BR) Ky skllav nuk mund të ishte vetëm një individ, pasi duhej të siguronte ushqim frymor qysh nga fillimet e kongregacionit të krishterë në Rrëshajët e deri sa Zotëria, Jezu Krishti, të vinte për të bërë llogaritë. Faktet tregojnë se kjo klasë e skllavit besnik e të matur përfshin të gjithë të krishterët e mirosur si grup mbi tokë, në çfarëdo kohe.
3. Cilët ishin midis pjesëtarëve të parë të klasës së skllavit?
3 Cilët ishin përfshirë midis pjesëtarëve të parë të klasës së skllavit besnik e të matur? Njëri ishte apostulli Pjetër, i cili dëgjoi urdhrin e Jezuit: «Kulloti delet e mia.» (Gjoni 21:17) Ndër pjesëtarët e tjerë të parë të klasës së skllavit përfshiheshin edhe Mateu, i cili shkroi ungjillin që mban emrin e tij, Pavli, Jakovi dhe Juda, të cilët shkruan letra të frymëzuara. Edhe apostulli Gjon, i cili shkroi librin e Zbulesës, ungjillin dhe letrat e tij, ishte pjesëtar i klasës së skllavit besnik e të matur. Këta burra shkruan në përputhje me urdhrin e Jezuit.
4. Cilët janë «shtëpiakët»?
4 Nëse të gjithë të mirosurit si grup, pavarësisht nga vendi se ku jetojnë mbi tokë, janë pjesëtarë të klasës së skllavit, cilët janë «shtëpiakët»? Janë po ashtu të mirosurit, por të parë nga një këndvështrim tjetër, si individë. Po, si individë, ata janë pjesëtarë të «skllavit» ose «shtëpiakë», në varësi të faktit nëse përgatisin ushqim frymor apo ushqehen prej tij. Le ta ilustrojmë: sipas 2. Pjetrit 3:15, 16, apostulli Pjetër u referohet letrave të Pavlit. Duke lexuar ato, Pjetri ishte një prej shtëpiakëve, duke u ushqyer me ushqimin frymor që siguroi Pavli si përfaqësues i klasës së skllavit.
5. (a) Çfarë ndodhi me skllavin gjatë shekujve pas apostujve? (b) Çfarë zhvillimesh ndodhën në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të?
5 Në lidhje me këtë, një libër thoshte: «Për të përcaktuar se si ekzistoi dhe shërbeu klasa e ‘skllavit besnik e të matur’ gjatë shekujve pas vdekjes së apostujve të Zotërisë Jezu Krisht, ne nuk kemi ndonjë kuadër historik të qartë. Me sa duket, çdo brez i klasës së ‘skllavit’ ushqeu brezin që vinte më pas. (2. Timoteut 2:2) Por në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kishte persona me frikë Perëndie, të cilëve u pëlqente ushqimi frymor i Biblës së Shenjtë e që dëshironin të ushqeheshin me të . . . Klasa për studimin e Biblës . . . u formuan dhe përparuan në kuptueshmërinë e të vërtetave themelore të Shkrimeve të Shenjta. Individët e sinqertë altruistë midis këtyre studentëve të Biblës, ishin të etur për të ndarë me të tjerët këto pjesë jetësore të ushqimit frymor. Ata kishin frymën besnike të ‘skllavit’ të caktuar për t’u dhënë ‘shtëpiakëve’ ushqimin e nevojshëm frymor ‘në kohën e duhur’. Ata ishin ‘të matur’ për të kuptuar se ishte tamam koha e duhur dhe cilat ishin mënyrat më të mira për të shërbyer ushqimin. Ata u përpoqën për ta shërbyer atë.»—God’s Kingdom of a Thousand Years Has Approached, faqe 344-345.a
Vetëtimat e para të dritës në kohët moderne
6. Cili fakt spikat në mënyrë të dukshme në lidhje me zbulimin gradual të së vërtetës?
6 Një fakt që spikat në mënyrë të dukshme në lidhje me ata që Jehovai përdori për të sjellë këtë rritje graduale të dritës frymore, është se ata nuk ia dhanë meritën vetvetes. Qëndrimi i C. T. Russell, kryetar i parë i Shoqatës Watch Tower, ishte se Zotërisë i pëlqente të përdorte talentet e tyre të përuluara. Për sa u përket epiteteve që përdornin armiqtë e tij, vëlla Russell bëri të ditur me forcë se ai nuk kishte takuar kurrë ndonjë «ruselit» dhe se nuk ekzistonte aspak diçka e tillë si «ruselizmi». E gjithë merita i shkonte Perëndisë.
7. Çfarë dëshmie dhanë vëllai Russell dhe bashkëpunëtorët e tij se po shoqëroheshin vërtet me klasën e skllavit besnik e të matur?
7 Duke gjykuar nga rezultatet, nuk mund të ketë dyshime se fryma e shenjtë e Jehovait po i drejtonte përpjekjet e vëllait Russell dhe të atyre që shoqëroheshin me të. Ata dhanë dëshmi se shoqëroheshin me skllavin besnik e të matur. Edhe pse shumë klerikë të kohës pohonin se besonin që Bibla ishte Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe se Jezui ishte Biri i Perëndisë, ata pranonin doktrina të rreme babilonase, të tilla si Triniteti, pavdekësia e shpirtit të njeriut dhe mundimi i përjetshëm. Në harmoni me premtimin e Jezuit, ishte vërtet meritë e frymës së shenjtë që përpjekjet e përulura të vëllait Russell e të shokëve të tij, bënë që e vërteta të shkëlqente si kurrë më parë. (Gjoni 16:13) Ata Studentë të mirosur të Biblës dhanë prova se ishin me të vërtetë pjesë e klasës së skllavit besnik e të matur, detyra e të cilit është të sigurojë ushqim frymor për shtëpiakët e Zotërisë. Përpjekjet e tyre ishin një ndihmë e madhe në mbledhjen e të mirosurve.
8. Cilat fakte themelore në lidhje me Jehovain, Biblën, Jezu Krishtin dhe frymën e shenjtë, kuptuan qartësisht Studentët e Biblës?
8 Është e jashtëzakonshme të vërejmë se sa shumë i favorizoi Jehovai, me anë të frymës së shenjtë, ata Studentë të parë të Biblës me vetëtima drite. Sa për të filluar, ata provuan me forcë se Krijuesi ekziston dhe se ai ka emrin e veçantë, Jehova. (Psalmi 83:18; Romakëve 1:20) Ata kuptuan se Jehovai ka katër cilësi kryesore: fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. (Zanafilla 17:1; Ligji i përtërirë 32:4; Romakëve 11:33; 1. Gjonit 4:8) Ata të krishterë të mirosur treguan qartësisht se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe e vërteta. (Gjoni 17:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Më tej, ata mbështetën se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, ishte krijuar dhe se ai dha jetën si shpërblim për të gjithë njerëzimin. (Mateu 20:28; Kolosianëve 1:15) Fryma e shenjtë, në vend se të jetë një person i tretë i Trinitetit, u kuptua se është forca aktive e Perëndisë.—Veprat 2:17.
9. (a) Çfarë të vërtetash kishin të qarta Studentët e Biblës, në lidhje me natyrën e njeriut dhe me shpresat që përmban Bibla? (b) Cilat të vërteta të tjera kuptuan qartësisht shërbëtorët e Jehovait?
9 Studentët e Biblës e kuptuan qartësisht se njeriu nuk ka një shpirt të pavdekshëm, por është një shpirt i vdekshëm. E kuptuan se «paga e mëkatit është vdekja», jo mundimi i përjetshëm dhe se nuk ekziston një vend i tillë si ferri i zjarrtë. (Romakëve 5:12; 6:23; Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Për më tepër, ata e kuptuan qartësisht se teoria e evolucionit jo vetëm që është kundër Shkrimeve, por tërësisht pa asnjë bazë faktike. (Zanafilla, kreu 1 dhe 2) Me mendjehollësi, ata kuptuan se Bibla jep dy shpresa: atë qiellore për të 144.000 ithtarët e mirosur që ndjekin hapat e Krishtit dhe një tokë parajsore për «një turmë të madhe» të panumërt të «deleve të tjera». (Zbulesa 7:9; 14:1; Gjoni 10:16) Studentët e parë të Biblës pranuan se toka do të mbetet përgjithmonë dhe nuk do të shpërthejë, siç mësojnë shumë fe. (Eklisiastiu 1:4; Luka 23:43) Ata mësuan, gjithashtu, se kthimi i Krishtit do të ishte i padukshëm dhe se atëherë ai do të ekzekutonte gjykimin mbi kombet e do t’i hapte rrugën parajsës tokësore.—Veprat 10:42; Romakëve 8:19-21; 1. Pjetrit 3:18.
10. Çfarë të vërtetash mësuan Studentët e Biblës në lidhje me pagëzimin, me dallimin klerikë-laikë dhe me Përkujtimin e vdekjes së Krishtit?
10 Studentët e Biblës mësuan se pagëzimi biblik nuk konsiston në spërkatjen e fëmijëve, por, në harmoni me urdhrin e Jezuit në Mateun 28:19, 20, është zhytja e besimtarëve të mësuar. Filluan të kuptonin se nuk ka asnjë bazë biblike për një ndarje në klerikë e laikë. (Mateu 23:8-10) Përkundrazi, të gjithë të krishterët duhet të jenë predikues të lajmit të mirë. (Veprat 1:8) Studentët e Biblës e kuptuan se Përkujtimi i vdekjes së Krishtit duhej mbajtur vetëm një herë në vit, më 14 nisan. Për më tepër, ata e panë se Pashkët janë një festë pagane. Përveç këtyre, ata të mirosur kishin aq shumë besim që Perëndia po mbështeste veprën e tyre, saqë kurrë nuk mblodhën ndihma në para. (Mateu 10:8) Qysh në fillim, ata e kuptuan se të krishterët duhet të jetojnë sipas parimeve të Biblës, gjë që përfshin kultivimin e fryteve të frymës së shenjtë.—Galatasve 5:22, 23.
Shtohen vetëtimat e dritës
11. Cila dritë shkëlqeu mbi urdhrin që kishin të krishterët dhe mbi shëmbëlltyrën e Jezuit për delet dhe cjeptë?
11 Veçanërisht prej 1919-ës, shërbëtorët e Jehovait janë bekuar me një shtim të vetëtimave të dritës. Çfarë vetëtime e shkëlqyeshme drite ndriçoi në kongresin e Sedar Pointit, në 1922-shin, kur J. F. Rutherford, kryetari i dytë i Shoqatës Watch Tower, theksoi me forcë se detyrimi kryesor i shërbëtorëve të Jehovait është të ‘lajmërojnë, lajmërojnë, lajmërojnë, Mbretin dhe mbretërinë e tij’! Një vit më pas, drita shkëlqeu mbi shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve. U kuptua se kjo profeci do të përmbushej në ditën e pranisë së Zotërisë, në të ardhmen gjatë Mijëvjeçarit, jo siç ishte mësuar më parë. Gjatë Mijëvjeçarit vëllezërit e Krishtit nuk do të ishin as të sëmurë, as të burgosur. Për më tepër, në fund të Mijëvjeçarit gjykimin do ta kryente Perëndia Jehova e jo Jezu Krishti.—Mateu 25:31-46.
12. Cila vetëtimë drite ndodhi për sa i përket Harmagedonit?
12 Në vitin 1926, një tjetër vetëtimë e shkëlqyeshme drite zbuloi se lufta e Harmagedonit nuk do të ishte një revolucion shoqëror, siç mendonin dikur Studentët e Biblës. Përkundrazi, do të ishte një luftë në të cilën Jehovai do të tregonte aq qartë fuqinë e tij, sa të gjithë njerëzit do të bindeshin se ai është Perëndia.—Zbulesa 16:14-16; 19:17-21.
Krishtlindjet: një festë pagane
13. (a) Çfarë drite u hodh mbi festimin e Krishtlindjeve? (b) Përse nuk u festuan më ditëlindjet? (Përfshi shënimin.)
13 Pak më pas, një vetëtimë drite bëri që Studentët e Biblës të mos festonin më Krishtlindjet. Përpara kësaj kohe, Krishtlindjet ishin festuar gjithmonë nga Studentët Biblikë në të gjithë botën dhe festimi i tyre në selinë qendrore në Bruklin ishte një rast me të vërtetë festiv. Por në atë kohë, u kuptua me mendjehollësi se festimi i 25 dhjetorit ishte në fakt diçka pagane dhe ishte zgjedhur nga i ashtuquajturi krishterim apostat për të lehtësuar kthimin e paganëve në të krishterë. Për më tepër, u pa se Jezui nuk mund të kishte lindur në dimër, pasi në kohën e lindjes së tij barinjtë ishin duke kullotur kopetë e tyre në fushë, gjë që nuk mund ta kenë bërë natën në fund të dhjetorit. (Luka 2:8) Përkundrazi, Shkrimet tregojnë se Jezui kishte lindur aty nga 1 tetori. Studentët e Biblës kuptuan, gjithashtu, se të ashtuquajturit njerëz të ditur që vizituan Jezuin gati dy vjet pas lindjes së tij, ishin magjistarë paganë.b
Një emër i ri
14. Përse emri Studentë të Biblës nuk ishte i drejtë për popullin e Jehovait?
14 Në vitin 1931, një vetëtimë drite e së vërtetës, u zbuloi Studentëve të Biblës një emër të përshtatshëm sipas Shkrimeve. Populli i Jehovait e kishte kuptuar se nuk mund të pranonte asnjë nga nofkat që u kishin ngjitur të tjerët, të tilla si ruselitë, njerëzit e agimit të mijëvjeçarit dhe «të paferrët».c Por, filluan të mendonin edhe se emri që ata vetë kishin vënë, Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, nuk ishte i drejtë. Ata ishin shumë më tepër se studentë të Biblës. Për më tepër, kishte edhe shumë të tjerë që studionin Biblën, por që s’kishin asgjë të përbashkët me Studentët e Biblës.
15. Cilin emër adoptuan Studentët e Biblës në vitin 1931 dhe përse është i përshtatshëm?
15 Si ndodhi që Studentët e Biblës morën një emër të ri? Për vite Kulla e Rojës i kishte dhënë rëndësi të madhe emrit të Jehovait. Prandaj, ishte më se e përshtatshme që Studentët e Biblës duhej të adoptonin emrin e gjendur në Isainë 43:10: «Ju jeni dëshmitarët e mi,—është shprehja e Jehovait,—dhe shërbëtori im të cilin e kam zgjedhur, në mënyrë që të dini e të keni besim tek unë e që të mund të kuptoni që unë jam i njëjti. Përpara meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje vazhdoi të mos kishte asnjë.»—BR.
Shfajësim dhe «shumica e madhe»
16. Përse profecitë e përtëritjes nuk mund të zbatohen për kthimin e hebrenjve natyrorë në Palestinë, por për cilët zbatohet?
16 Në volumin e dytë të librit Vindication, botuar në anglisht nga Shoqata Watch Tower në 1932, një vetëtimë drite zbuloi se profecitë e përtëritjes që gjenden tek Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe në profetë të tjerë, nuk zbatohej (siç mendohej më parë) për hebrenjtë natyrorë, të cilët po ktheheshin në Palestinë pa besim e me motive politike. Përkundrazi, këto profeci të përtëritjes, që patën një përmbushje më të vogël kur hebrenjtë u kthyen nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s., e patën përmbushjen e tyre më të madhe në çlirimin dhe përtëritjen e Izraelit frymor, duke filluar në 1919-ën dhe në lulëzimin që pasoi në parajsën frymore që gëzojnë sot shërbëtorët e vërtetë të Jehovait.
17, 18. (a) Me kohë, nëpërmjet një vetëtime drite, cili u tregua se ishte qëllimi kryesor i Jehovait? (b) Çfarë drite erdhi në 1935-ën, në lidhje me Zbulesën 7:9-17?
17 Me kohë, vetëtimat e dritës zbuluan se qëllimi kryesor i Jehovait nuk ishte shpëtimi i krijesave, por shfajësimi i sovranitetit të tij. Tema më e rëndësishme e Biblës dukej se nuk ishte shpërblimi, por Mbretëria, pasi ajo do të shfajësonte sovranitetin e Jehovait. Çfarë drite që ishte kjo! Tanimë, shqetësimi kryesor i të krishterëve të dedikuar nuk ishte vajtja e tyre në qiell.
18 Në 1935-ën, një vetëtimë drite zbuloi se shumica e madhe e përmendur në Zbulesën 7:9-17, nuk ishte një klasë qiellore dytësore. Ishte menduar se ata që përmenden në këto vargje ishin disa nga të mirosurit që s’kishin qenë plotësisht besnikë e kështu qëndronin përpara fronit e jo të ulur nëpër frone, duke mbretëruar si mbretër e priftërinj me Jezu Krishtin. Por, e thënë thjesht, nuk ekziston ndonjë gjë e tillë si të qenët besnikë pjesërisht. Dikush mund të jetë besnik ose jobesnik. Prandaj, u kuptua se kjo profeci kishte të bënte me shumicën e madhe të panumërt që tani po mblidhen nga të gjitha kombet dhe për shpresën e tyre tokësore. Ata janë «delet» e Mateut 25:31-46 dhe «delet e tjera» të Gjonit 10:16.
Kryqi nuk është një simbol i krishterë
19, 20. Përse kryqi nuk mund të jetë një simbol i krishterimit të vërtetë?
19 Për shumë vite Studentët e Biblës i dhanë rëndësi kryqit si një simbol i krishterë. Kishin madje edhe një kapëse me kryqin dhe me një kurorë. Sipas King James Version, Jezui u tha ithtarëve të tij që të mbanin «kryqin» e tyre dhe shumë veta filluan të besonin se ai ishte ekzekutuar mbi një kryq. (Mateu 16:24; 27:32) Për dekada ky simbol u shfaq edhe në kapakun e revistës Kulla e Rojës.
20 Libri Pasuri (Riches), i botuar nga Shoqata në 1936-ën, e bëri të qartë se Jezu Krishti nuk ishte ekzekutuar mbi një kryq, por mbi një dru apo shtyllë të drejtë. Sipas një autoriteti, fjala greke (stau·rosʹ) e përkthyer kryq në King James Version, «përcakton, kryesisht, një hu apo një shtyllë të drejtë. [Duhet] dalluar nga forma kishtare e një kryqi me dy krahë. . . . Ky i fundit e pati origjinën në Kaldean e lashtë dhe përdorej si simbol i perëndisë Tamuz». Në vend se të kthehet në një idhull, instrumenti në të cilin u var Jezui duhet parë me neveri.
21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 Ka edhe shembuj të tjerë për vetëtimat e mëdha të dritës dhe për ato që mund të konsiderohen të vogla. Për këtë, të lutemi të shikosh artikullin vijues.
[Shënimet]
a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Me kohë u kuptua se meqë lindjet më të rëndësishme që kanë ndodhur nuk janë festuar, ne nuk duhet të festojmë asnjë ditëlindje. Përveç kësaj, as izraelitët, as të krishterët e parë nuk i festonin ditëlindjet. Bibla përmend vetëm dy ditëlindje, atë të faraonit dhe atë të Herod Antipës. Secila prej tyre shoqërua nga një ekzekutim. Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet, sepse këto festa kanë origjinë pagane dhe priren për të lavdëruar atë që ka ditëlindjen.—Zanafilla 40:20-22; Marku 6:21-28.
c Ky ishte një gabim që bënë disa fe të të ashtuquajturit krishterim. Luteranë ishte një nofkë që armiqtë e Martin Luterit u vunë ithtarëve të tij, të cilët e adoptuan. Ngjashëm, baptistët adoptuan nofkën që të tjerët u vunë, për shkak se ata predikonin pagëzimin me zhytje. Në mënyrë pak a shumë të ngjashme, metodistët adoptuan një emër që ua dha një i huaj. Duke shqyrtuar se si Shoqata e Miqve filloi të quhej Kuakerët një enciklopedi thotë: «Fjala kuaker [nga anglishtja quaker (që dridhet)] u përmend fillimisht si një sharje kundër Foksit [themeluesit], i cili i tha një gjyqtari anglez që ‘të dridhej nga Fjala e Zotërisë’. Gjyqtari e quajti Foksin ‘quaker’ [që dridhet].»—The World Book Encyclopedia.
-
-
Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 2)Kulla e Rojës—1995 | 15 Gusht
-
-
Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 2)
«Me anë të dritës sate ne shohim dritën.»—PSALMI 36:9.
1. Cila ishte përpjekja e parë për të kuptuar simbolizimin e librit të Zbulesës?
LIBRI biblik i Zbulesës i ka tërhequr të krishterët që prej kohëve të hershme. Ai na jep një shembull se si drita e së vërtetës shkëlqen edhe më shumë. Në 1917-ën, populli i Jehovait botoi një shpjegim të Zbulesës në librin Fundi i misterit (The finished Mystery). Ai demaskonte pa frikë fetë e të ashtuquajturit krishterim dhe krerët politikë, por shumë prej shpjegimeve të tij ishin marrë nga burime të ndryshme. Megjithatë, Fundi i misterit shërbeu për të vënë në provë besnikërinë e Studentëve të Biblës ndaj kanalit të dukshëm që Jehovai po përdorte.
2. Çfarë drite hodhi artikulli «Lindja e kombit» mbi librin e Zbulesës?
2 Një vetëtimë e jashtëzakonshme drite ndriçoi mbi librin e Zbulesës me botimin e artikullit «Lindja e kombit», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1925. Më parë mendohej se kreu 12 i Zbulesës përshkruante një luftë midis Romës pagane dhe Romës së papës, ku fëmija mashkull përfaqësonte papatin. Por artikulli tregoi se Zbulesa 11:15-18 kishte lidhje me domethënien e kreut 12, duke treguar se kishte të bënte me lindjen e Mbretërisë së Perëndisë.
3. Cilat botime hodhën dritë më të madhe mbi Zbulesën?
3 E gjithë kjo çoi në një kuptueshmëri më të qartë të Zbulesës, e cila u botua me dy volume, në librin Dritë (Light), në vitin 1930. Rregullime të tjera u shfaqën në librat «Babilonia e Madhe ra!» Mbretëria e Perëndisë sundon! (“Babylon the Great Has Fallen!” God’s Kingdom Rules!, 1963) dhe «Mbaroi, pra, misteri i Perëndisë» (Then Is Finished the Mystery of God”, 1969). Gjithsesi, kishte ende për të mësuar në lidhje me librin profetik të Zbulesës. Po, një dritë më e madhe shkëlqeu mbi të në vitin 1988, me botimin e librit Zbulesa: fundi i saj madhështor është afër! (Revelation—Its Grand Climax At Hand!) Kyçi i këtij ndriçimi progresiv mund të thuhet se është fakti që profecia e Zbulesës zbatohet në «ditën e Zotërisë», e cila filloi në 1914-ën. (Zbulesa 1:10) Libri i Zbulesës, pra, do të kuptohej edhe më qartë ndërsa ajo ditë shkonte përpara.
Identifikohen «pushtetet e sipërm»
4, 5. (a) Si e kuptonin Studentët e Biblës Romakëve 13:1? (b) Siç u kuptua më vonë, cili ishte pozicioni biblik në lidhje me «pushtetet e sipërm»?
4 Një vetëtimë e madhe drite u pa në vitin 1962 në lidhje me Romakëve 13:1, ku thuhet: «Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm [‘autoriteteve më të larta’, New World Translation].» Studentët e parë të Biblës e kuptuan se «pushtetet e sipërm» që përmenden këtu janë autoritetet botërore. Ata kujtuan se domethënia e këtij shkrimi ishte që nëse një i krishterë thirrej në luftë, ai ishte i detyruar të vishte uniformën, të merrte armën në krahë e të shkonte në front, në transhe. Megjithatë, pasi një i krishterë nuk mund të vrasë një njeri, mendonin se ai duhej të qëllonte në ajër nëse ishte i detyruar.a
5 Kulla e Rojës e 15 nëntorit dhe 1 dhjetorit 1962, hodhi dritë të qartë mbi argumentin, duke shqyrtuar fjalët e Jezuit në Mateun 22:21: «Jepni . . . Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» Ishin me vend edhe fjalët e apostujve në Veprat 5:29: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» Të krishterët janë të nënshtruar ndaj Çesarit, «pushtetit të sipërm», vetëm derisa ky nuk kërkon që i krishteri të shkojë kundër ligjit të Perëndisë. U kuptua se nënshtrimi ndaj Çesarit është relativ, jo absolut. Të krishterët i japin Çesarit vetëm atë që nuk bie ndesh me kërkesat e Perëndisë. Sa gëzim që kishin një kuptueshmëri të qartë mbi këtë çështje!
Vetëtima drite mbi çështjet organizative
6. (a) Cilat parime u përdorën, për t’u larguar nga struktura hierarkike që mbizotëronte në të ashtuquajturin krishterim? (b) Çfarë u kuptua më në fund në lidhje me mënyrën e saktë të zgjedhjes së mbikëqyrësve nëpër kongregacione?
6 Ekzistonte edhe çështja se cilët duhej të shërbenin si pleq dhe dhjakë nëpër kongregacione. Për të shmangur strukturën hierarkike që mbizotëronte në të ashtuquajturin krishterim, u arrit në përfundimin se ata duhej të zgjidheshin në mënyrë demokratike, nga votat e pjesëtarëve të secilit kongregacion. Por drita në rritje, e ardhur nëpërmjet Kullës së Rojës, në numrat e 1 shtatorit dhe 15 tetorit 1932, tregoi se Shkrimet nuk jepnin asnjë bazë për pleqtë e zgjedhur në mënyrë elektorale. Prandaj, zgjedhjet u zëvendësuan nga një komitet shërbimi dhe Shoqata zgjodhi një drejtor shërbimi.
7. Çfarë përmirësimesh sollën vetëtimat e dritës, në mënyrën e emërimit të shërbëtorëve në kongregacion?
7 Kulla e Rojës e 1 dhe 15 qershorit 1938, përmbante vetëtima drite, duke treguar se shërbëtorët në kongregacion nuk duheshin zgjedhur, por emëruar, d.m.th. të caktuar në mënyrë teokratike. Në vitin 1971, një vetëtimë tjetër drite tregoi se secili kongregacion nuk duhej drejtuar vetëm nga një shërbëtor i kongregacionit. Përkundrazi, secili duhej të kishte një trup pleqsh apo mbikëqyrësish, të emëruar nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Pra, me shtimin e dritës në pothuajse 40 vjet, u bë e qartë se pleqtë dhe dhjakët, të njohur tani si shërbëtorë ndihmës, duhet të emërohen nga «skllavi besnik e i matur», nëpërmjet Trupit të tij Udhëheqës. (Mateu 24:45-47) Kjo ishte në përputhje me atë që ndodhte në kohët apostolike. Burra si Timoteu dhe Titi ishin emëruar si mbikëqyrës nga trupi udhëheqës i shekullit të parë. (1. Timoteut 3:1-7; 5:22; Titit 1:5-9) E gjithë kjo është në përputhje të plotë me Isaian 60:17: «Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.»
8. (a) Çfarë përmirësimesh solli rritja e së vërtetës në mënyrën se si vepronte Shoqata? (b) Cilat janë komitetet e Trupit Udhëheqës dhe cilat janë fushat e tyre respektive të aktivitetit apo të mbikëqyrjes?
8 Ekzistonte, gjithashtu, edhe çështja e mënyrës së të vepruarit të Shoqatës Watch Tower. Për shumë vite Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ishte identifikuar me bordin drejtues të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania dhe në pjesën më të madhe çështjet ishin në dorën e kryetarit. Siç tregon Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait, 1977 (faqe 258-259, angl.), në 1976-ën Trupi Udhëheqës filloi të funksiononte me gjashtë komitete, secili i caktuar për t’u kujdesur për disa aspekte të veprës botërore. Komiteteti i Personelit merret me çështjet që kanë të bëjnë me personelin, duke përfshirë edhe interesat e të gjithë vullnetarëve që shërbejnë në familjen ndërkombëtare Bethel. Komiteti i Botimit trajton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me botën, si edhe ato ligjore, të tilla si pronat dhe shtypjen. Komiteti i Shërbimit përqendrohet mbi veprën e dëshmisë dhe mbikëqyr punën e mbikëqyrësve udhëtues, të pionierëve dhe aktivitetet e lajmëtarëve nëpër kongregacione. Komiteti i Mësimit është përgjegjës për mbledhjet e kongregacioneve, për ditët e asambleve speciale, të asambleve qarkore, të kongreseve krahinore dhe ndërkombëtare, si edhe për shkollat e ndryshme të edukimit frymor të popullit të Perëndisë. Komiteti i Shkrimeve mbikëqyr përgatitjen dhe përkthimin e botimeve të çdo lloji, duke u siguruar se çdo gjë është në përputhje me Shkrimet. Komiteti Drejtues kujdeset për rastet e urgjencave dhe për çështje të tjera të ngutshme.b Gjithashtu, në vitet ’70 degët e zyrave të Shoqatës Watch Tower filluan të drejtoheshin nga një komitet e jo nga një mbikëqyrës.
Dritë në lidhje me sjelljen e krishterë
9. Si ndikoi drita e së vërtetës mbi marrëdhëniet e të krishterëve me qeveritë botërore?
9 Shumë vetëtima drite ka pasur në lidhje me sjelljen e krishterë. Për shembull, të shqyrtojmë çështjen e asnjanësisë. Një shkrepëtimë e veçantë drite mbi këtë çështje rrezatoi në artikullin «Asnjanësi», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1939, (angl.). Kishte ardhur tamam në kohën e duhur, menjëherë pas shpërthimit të Luftës II Botërore! Artikulli përcaktonte asnjanësinë dhe tregonte se të krishterët nuk duhet të përfshihen në politikë apo në ballafaqimet midis kombeve. (Mikea 4:3, 5; Gjoni 17:14, 16) Ky është një faktor, për shkak të të cilit ata urrehen nga të gjitha kombet. (Mateu 24:9) Betejat e Izraelit të lashtë nuk përbëjnë ndonjë precedent për të krishterët, siç e bëri të qartë Jezui në Mateun 26:52. Për më tepër, asnjë komb politik sot nuk është teokraci, i sunduar nga Perëndia, siç ishte Izraeli i lashtë.
10. Çfarë zbuluan vetëtimat e dritës mbi faktin se si duhet ta konsiderojnë gjakun të krishterët?
10 Drita shkëlqeu, gjithashtu, edhe mbi shenjtërinë e gjakut. Studentët e Biblës mendonin se ndalimi i ngrënies së gjakut në Veprat 15:28, 29, kufizohej me të krishterët hebrenj. Megjithatë, Veprat 21:25 tregojnë se në kohët apostolike ky urdhër zbatohej edhe për individët nga kombet, që u bënë besimtarë. Prandaj, shenjtëria e gjakut zbatohet për të gjithë të krishterët, siç tregonte Kulla e Rojës e 1 korrikut 1945 (angl.). Kjo nuk do të thotë vetëm të refuzosh ngrënien e gjakut të kafshëve, si për shembull në suxhukët me gjak, por edhe të përmbahesh nga gjaku i njeriut, si në rastin e transfuzioneve të gjakut.
11. Çfarë u kuptua në lidhje me pikëpamjen e krishterë mbi përdorimin e duhanit?
11 Si rrjedhojë e dritës në rritje, zakone që fillimisht vetëm nuk miratoheshin, më vonë u trajtuan me seriozitetin e duhur. Një shembull i kësaj ishte në lidhje me përdorimin e duhanit. Në Kullën e Rojës të Sionit, 1 gusht 1895, vëllai Russell e drejtoi vëmendjen mbi 1. Korintasve 10:31 dhe 2. Korintasve 7:1 dhe shkroi: «Nuk mund të kuptoj se si mund të jetë në lavdi të Perëndisë apo në dobi të vetë të krishterit, përdorimi i duhanit në çdo lloj forme.» Qysh prej vitit 1973 u kuptua qartësisht se asnjë përdorues i duhanit nuk mund të ishte Dëshmitar i Jehovait. Në 1976-ën, u qartësua se asnjë Dëshmitar nuk mund të punojë në një vend ku praktikohet bixhozi e të ketë një qëndrim të mirë me kongregacionin.
Përmirësime të tjera
12. (a) Çfarë zbuloi një vetëtimë drite mbi numrin e çelësave të Mbretërisë që iu besuan Pjetrit? (b) Cilat ishin rrethanat, kur Pjetri përdori secilin çelës?
12 U hodh dritë, gjithashtu, edhe mbi numrin e çelësave simbolikë që Jezui i dha Pjetrit. Studentët e Biblës mendonin se Pjetri mori dy çelësa, të cilët hapnin rrugën që njerëzit të bëheshin trashëgimtarë të Mbretërisë, një për hebrenjtë, i cili u përdor në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe tjetri për paganët, i cili u përdor në vitin 36 të e.s., kur Pjetri i predikoi Kornelit. (Veprat 2:14-41; 10:34-48) Me kohë, u kuptua se përfshihej edhe një grup i tretë, samaritanët. Pjetri e përdori çelësin e dytë kur u hapi atyre mundësinë e Mbretërisë. (Veprat 8:14-17) Prandaj, çelësi i tretë u përdor kur Pjetri i predikoi Kornelit.—Kulla e Rojës, 1 tetor 1979, faqe 16-22, 26, angl.
13. Çfarë zbuluan vetëtimat e dritës në lidhje me vathët e deleve, të përmendura në kreun 10 të Gjonit?
13 Me një rreze tjetër drite, u kuptua se Jezui nuk foli vetëm për dy vathë, por për tre. (Gjoni, kreu 10) Ato ishin (1) vatha e hebrenjve, për të cilën Gjon Pagëzori ishte portieri, (2) vatha e trashëgimtarëve të mirosur të Mbretërisë dhe (3) vatha e «deleve të tjera», që kishin shpresë tokësore.—Gjoni 10:2, 3, 15, 16; Kulla e Rojës, 15 shkurt 1984, faqe 10-20, angl.
14. Si i sqaroi drita e mëtejshme çështjet që lidheshin me fillimin e jubileut antitipik?
14 U qartësua, gjithashtu, edhe domethënia e jubileut antitipik. Sipas Ligjit, çdo 50 vjet kishte një jubile të madh, në të cilin gjërat u ktheheshin pronarëve të tyre fillestarë. (Levitiku 25:10) Për një kohë të gjatë kishin kujtuar se kjo ishte një shëmbëlltyrë e Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit. Megjithatë, në kohë më të vona, u kuptua se jubileu antitipik filloi në fakt në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur ata që morën frymën e shenjtë të derdhur, u çliruan nga robëria e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut.—Kulla e Rojës, 1 janar 1987, faqe 18-28, angl.
Dritë më e madhe mbi terminologjinë
15. Cila dritë u hodh mbi përdorimin e fjalës «plan»?
15 «Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme; dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.» (Eklisiastiu 12:10) Këto fjalë mund të zbatohen për bukuri në temën e sotme, pasi drita ka shkëlqyer jo vetëm mbi çështje të tilla të rëndësishme, si doktrina dhe sjellja, por edhe mbi terminologjinë e krishterë dhe domethënien e saj të saktë. Për shembull, midis Studentëve të Biblës, një ndër botimet më të dashura ishte vëllimi i parë i Studime mbi Shkrimet, i titulluar Plani hyjnor i kohëve. Megjithatë, me kalimin e kohës, u kuptua se Fjala e Perëndisë thotë që vetëm njerëzit bëjnë plane. (Proverbat 19:21) Shkrimet nuk thonë kurrë se Jehovai bën plane. Ai s’ka nevojë të planifikojë. Sa herë të ketë ndonjë qëllim është e sigurt se do të ketë sukses, pasi mençuria dhe fuqia e tij janë pa mbarim, siç lexojmë në Efesianëve 1:9, 10: «Sipas pëlqimit të tij ai vuri qëllim në vetvete për një administrim të plotë të kohëve të caktuara.» (BR) U kuptua, pra, gradualisht se termi «qëllim» është më i përshtatshmi kur bëhet fjalë për Jehovain.
16. Çfarë u kuptua gradualisht mbi domethënien e saktë të Lukës 2:14?
16 Midis gjërave që kërkonin një kuptueshmëri më të qartë ishte edhe Luka 2:14. Sipas King James Version lexojmë: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij.» Mendohej se kjo nuk shprehte mendimin e saktë, pasi Perëndia nuk shpreh mirëdashje kundrejt të ligjve. Prandaj, Dëshmitarët e shikonin këtë si një çështje për njerëzit që kishin mirëdashje për Perëndinë. Pra, ata u referoheshin njerëzve të interesuar për Biblën, si persona me mirëdashje. Por më vonë u kuptua se puna ishte te mirëdashja, jo nga ana e njerëzve, por nga ana e Perëndisë. Prandaj, shënimi në përkthimin New World Translation thotë për Lukën 2:14 «njerëzit të cilët ai [Perëndia] i miraton». Të gjithë të krishterët që jetojnë në përputhje me betimin e tyre të dedikimit kanë mirëdashjen e Perëndisë.
17, 18. Çfarë do të shfajësojë Jehovai dhe çfarë do të shenjtërojë?
17 Në mënyrë të ngjashme, për një kohë të gjatë, Dëshmitarët kishin folur për shfajësimin e emrit të Jehovait. Por, a e kishte vënë në dyshim Satanai emrin e Jehovait? Në lidhje me këtë çështje, a ka vepruar në këtë mënyrë ndonjë përfaqësues i Satanait, sikur Jehovai të mos kishte të drejtë për këtë emër? Jo, aspak. Nuk ishte sfiduar emri i Jehovait, që të kishte nevojë për shfajësim. Ja, përse botimet e fundit të Shoqatës Watch Tower nuk flasin për shfajësimin e emrit të Jehovait. Ato flasin për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe për shenjtërimin e emrit të tij. Kjo është në përputhje me lutjen që na mësoi Jezui: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Vazhdimisht, Jehovai ka thënë se do të shenjtërojë emrin e tij, të cilin izraelitët nuk e kishin sfiduar, por e kishin përdhosur.—Ezekieli 20:9, 14, 22; 36:23.
18 Në mënyrë interesante, në vitin 1971, libri «Kombet do të njohin se unë jam Jehovai»: Si?, bënte këtë dallim: «Jezu Krishti . . . lufton për shfajësimin e Sovranitetit universal të Jehovait dhe për lavdinë e emrit të tij.» (Faqe 364-365, angl.) Në vitin 1973, Mbretëria Mijëvjeçare e Perëndisë është afruar, thoshte: «‘Mjerimi i madh’ që po vjen është koha kur Perëndia i Plotfuqishëm Jehova do të shfajësojë sovranitetin e tij universal dhe do të shenjtërojë emrin e tij të denjë.» (Faqe 409, angl.) Pastaj, në 1975-ën, Shpëtimi i njerëzimit nga vuajtjet e botës është afër!, pohonte: «Atëherë do të ndodhë ngjarja më e madhe në historinë universale, shfajësimi i sovranitetit universal të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij të shenjtë.»—Faqe 281, angl.
19, 20. Si mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë për vetëtimat e dritës frymore?
19 Sa të lumtur janë shërbëtorët e Jehovait që kanë gjithë këtë dritë frymore! Në kontrast të plotë, shprehje e errësirës frymore në të cilën gjenden krerët e të ashtuquajturit krishterim, është deklarata e një kleriku: «Përse ka mëkate? Përse ka vuajtje? Përse ekziston e liga? Janë pyetje që dëshiroj t’i bëj Zotërisë kur të shkoj në qiell.» Por Dëshmitarët e Jehovait mund t’i thonë atij përse: për shkak të çështjes për të drejtën e sovranitetit të Jehovait dhe për pyetjen se a do ta mbanin integritetin ndaj Perëndisë krijesat njerëzore, përballë kundërshtimit të Djallit.
20 Nëpër vite, vetëtima drite të mëdha e të vogla kanë ndriçuar shtegun e shërbëtorëve të dedikuar të Jehovait. Kjo ka qenë një përmbushje e shkrimeve të tilla si Psalmi 97:11 dhe Proverbat 4:18. Por, le të mos harrojmë asnjëherë se të ecësh në dritë do të thotë të kesh çmueshmëri për dritën në rritje dhe të jetosh në harmoni me të. Siç kemi parë, kjo dritë në rritje përfshin sjelljen tonë dhe urdhrin që kemi për të predikuar.
[Shënimet]
a Duke reaguar ndaj kësaj pikëpamjeje, Kulla e Rojës e 1 dhe 15 qershorit 1929, i interpretoi «pushtetet e sipërm» si të ishin Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Kryesisht ishte ky aspekt që u korrigjua në 1962-shin.
b Kulla e Rojës, 1 gusht 1992, lajmëroi se vëllezër të zgjedhur nga «delet e tjera» ishin caktuar për të ndihmuar komitetet e Trupit Udhëheqës, në mënyrë të ngjashme me nethinimët e kohës së Ezdrës.—Gjoni 10:16; Ezdra 2:58.
-