Sipas Mateut
27 Kur zbardhi dita, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit u mblodhën për të komplotuar kundër Jezuit që ta vritnin.+ 2 Pasi e vunë në vargonj, ata e morën dhe ia dorëzuan Pilatit, guvernatorit.+
3 Atëherë Judën, që e tradhtoi, e breu ndërgjegjja kur pa se Jezui u shpall fajtor, prandaj u ktheu krerëve të priftërinjve e pleqve 30 monedhat e argjendit+ 4 e u tha: «Mëkatova, sepse tradhtova një njeri* të pafajshëm.» Ata ia kthyen: «Ç’na duhet neve? Punë për ty!» 5 Prandaj ai i hodhi monedhat e argjendit në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.+ 6 Por krerët e priftërinjve i morën monedhat e argjendit dhe thanë: «S’është e ligjshme t’i hedhim në thesarin e shenjtë, sepse janë çmim gjaku.» 7 Pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, i përdorën paratë për të blerë arën e poçarit si varrezë për të huajt. 8 Prandaj ara quhet deri më sot Ara e Gjakut.+ 9 Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia: «Ata morën 30 monedhat e argjendit, çmimin që ishte vënë për atë njeri, çmimin që disa nga bijtë e Izraelit kishin vënë për të, 10 dhe blenë me të arën e poçarit, sipas asaj që më kishte urdhëruar Jehovai.»*+
11 Jezui qëndroi në këmbë përpara guvernatorit, që e pyeti: «A je ti Mbreti i judenjve?» Jezui ia ktheu: «Ti vetë po thua.»+ 12 Megjithatë, kur krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzonin, ai nuk kthente asnjë përgjigje.+ 13 Atëherë Pilati e pyeti: «A nuk e dëgjon sa shumë akuza po ngrenë kundër teje?» 14 Mirëpo ai nuk iu përgjigj dhe s’tha as gjysmë fjale, prandaj guvernatori u çudit shumë.
15 Tani, në çdo festë, guvernatori e kishte zakon të lironte një të burgosur, këdo që dëshironte turma.+ 16 Pikërisht në atë kohë, në burg mbahej një i burgosur famëkeq, që quhej Baraba. 17 Kështu, kur turma u mblodh, Pilati u tha: «Cilin doni t’ju liroj, Barabën apo Jezuin që thonë se është Krishti?» 18 Në fakt Pilati e dinte mirë që ata e kishin dorëzuar nga zilia. 19 Veç kësaj, ndërsa ai rrinte ulur në fronin e gjykimit, gruaja i dërgoi fjalë: «Mos u përziej fare me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.» 20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës të kërkonin Barabën,+ kurse Jezuin ta vritnin.+ 21 Atëherë, kur guvernatori i pyeti: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?», ata thanë: «Barabën.» 22 Pilati u tha: «Ç’duhet të bëj, pra, me Jezuin që thonë se është Krishti?» Të gjithë u përgjigjën: «Vëre në shtyllë!»*+ 23 Ai tha: «Pse? Ç’të keqe ka bërë?» Mirëpo ata vazhdonin të bërtisnin edhe më shumë: «Vëre në shtyllë!»+
24 Kur pa se nuk arriti gjë, por përkundrazi, po bëhej trazirë, Pilati mori ujë, lau duart para turmës dhe u tha: «Unë jam i pafaj nga gjaku i këtij njeriu. Kjo është punë për ju.» 25 Atëherë gjithë populli iu përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!»*+ 26 Prandaj ai u liroi Barabën, kurse Jezuin urdhëroi ta rrihnin me kamxhik+ dhe ua dha ta ekzekutonin në shtyllë.+
27 Atëherë ushtarët e guvernatorit e çuan Jezuin te pallati i guvernatorit dhe mblodhën rreth tij gjithë trupën e ushtarëve.+ 28 Pasi ia hoqën rrobat, i hodhën përsipër një mantel në të kuqe të ndezur.+ 29 Thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Pastaj ranë në gjunjë para tij dhe e tallnin duke i thënë: «Tungjatjeta,* o Mbret i judenjve!» 30 E pështynë,+ morën kallamin dhe nisën ta qëllonin në kokë me të. 31 Në fund, pasi u tallën, i hoqën mantelin, i veshën përsëri rrobat e tij të sipërme dhe e çuan që ta gozhdonin në shtyllë.+
32 Kur po dilnin, gjetën një njeri nga Kirena, të quajtur Simon, dhe e detyruan* të mbartte shtyllën e torturës* të Jezuit.+ 33 Kur mbërritën në një vend të quajtur Gólgotha, domethënë te Vendi i Kafkës,+ 34 ata i dhanë Jezuit të pinte verë të përzier me vrer,*+ por, pasi e provoi, ai nuk pranoi ta pinte. 35 Mbasi e gozhduan në shtyllë, i ndanë rrobat e tij me short,+ 36 pastaj u ulën aty që ta ruanin. 37 Përveç kësaj, sipër kokës i vunë akuzën e shkruar kundër tij: «Ky është Jezui, Mbreti i judenjve.»+
38 Pastaj vunë në shtyllë përkrah tij edhe dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë.+ 39 Ata që kalonin andej, e shanin,+ tundnin kokën+ 40 dhe thoshin: «Shpëto veten, ti që do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë!+ Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!»*+ 41 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe pleqtë, nisën të talleshin me të e të thoshin:+ 42 «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot! Nëse është Mbret i Izraelit,+ le të zbresë tani nga shtylla e torturës,* dhe ne do të besojmë tek ai. 43 Ai e ka lënë veten në duart e Perëndisë, prandaj le ta shpëtojë Ai tani, nëse e miraton,+ sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë.’»+ 44 Edhe kusarët që ishin vënë në shtyllë përkrah tij, nisën ta poshtëronin në të njëjtën mënyrë.+
45 Nga ora e gjashtë* deri në orën e nëntë,* gjithë vendin e mbuloi errësira.+ 46 Rreth orës së nëntë, Jezui thërriti me zë të lartë: «Éli, Éli, láma sabahtháni?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?»+ 47 Kur dëgjuan këtë, disa nga ata që ishin atje, filluan të thoshin: «Ky njeri po thërret Elijan.»+ 48 Menjëherë një prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e njomi me verë të thartë, e vuri në një kallam dhe ia dha që të pinte.+ 49 Por të tjerët i thanë: «Lëre! Të shohim nëse Elija do të vijë ta shpëtojë.» 50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha frymë.*+
51 Kur ja, perdja* e shenjtërores+ u ça më dysh,+ nga maja deri në fund,+ dhe toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Varret* u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve,* që kishin rënë në gjumin e vdekjes, dolën jashtë* varreve, 53 dhe shumë veta i panë. (Pasi Jezui u ngrit nga të vdekurit, disa njerëz që po vinin nga varrezat, hynë në qytetin e shenjtë.) 54 Kur panë tërmetin dhe gjërat që ndodhën, centurioni* dhe ata që ishin me të duke ruajtur Jezuin patën shumë frikë dhe thanë: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.»+
55 Atje ishin edhe shumë gra që po shikonin nga larg, të cilat e kishin shoqëruar Jezuin nga Galilea për t’i shërbyer.+ 56 Ndër to ishte Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit dhe e Jozeut, si dhe nëna e djemve të Zebedeut.+
57 Tani, pasdite vonë, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, i quajtur Jozef, që ishte bërë dishepull i Jezuit.+ 58 Ky njeri vajti te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit,+ dhe Pilati urdhëroi t’ia jepnin.+ 59 Atëherë Jozefi e mori trupin, e mbështolli me një copë të pastër linoje cilësore+ 60 dhe e vuri në varrin e ri*+ që kishte gërmuar në shkëmb. Pasi rrokullisi një gur të madh te hyrja e varrit,* iku. 61 Por Maria-Magdalena dhe Maria tjetër qëndruan atje, të ulura përpara varrit.+
62 Të nesërmen, pas Ditës së Përgatitjes,*+ krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën para Pilatit 63 dhe i thanë: «Imzot, na kujtohet se ai mashtruesi, kur ishte ende gjallë, tha: ‘Do të ngrihem pas tri ditësh.’+ 64 Prandaj jep urdhër të ruhet varri deri ditën e tretë, që dishepujt e tij të mos vijnë ta vjedhin+ dhe t’i thonë popullit: ‘Ai u ngrit nga të vdekurit!’ Përndryshe, ky mashtrim i fundit do të jetë më i keq se i pari.» 65 Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e ruajeni sa më mirë të mundeni.» 66 Atëherë ata shkuan, vulosën gurin dhe vunë rojat te varri.