Arsyeja pse ekzistojmë
BIBLA tregon se Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, nuk vepron kurrë pa ndonjë qëllim. Për shembull, të mendojmë për ciklin e qarkullimit të ujit që ka krijuar ai dhe që bën të mundur jetën në tokë. Bibla e përshkruan saktë këtë cikël: «Gjithë përrenjtë shkojnë në det, megjithatë deti nuk mbushet. Përrenjtë kthehen përsëri në vendin nga i cili dalin.»—Eklisiastiu 1:7.
Për të treguar sa të besueshme janë premtimet e Perëndisë, Bibla i krahason ato me këtë cikël. Sot dimë se nxehtësia e diellit e avullon ujin nga oqeanet, detet dhe liqenet, e më tej ai kthehet në tokë në formën e reshjeve. Jehovai na tërheq vëmendjen te ky cikël dhe shpjegon: «Po ashtu edhe fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:10, 11.
Uji i pastër zbret nga retë dhe kthehet në tokë ku bën të mundur jetën. Po njësoj, «fjala që del nga goja [e Perëndisë]» plotëson nevojën tonë shpirtërore. Është siç tha vetë Jezu Krishti: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.»—Mateu 4:4.
Duke marrë këtë ushqim shpirtëror, njohurinë për Perëndinë, mund të jetojmë në përputhje me qëllimin e tij. Gjithsesi, më parë duhet të kuptojmë ç’qëllim ka Perëndia. Për shembull, pse e krijoi ai tokën? Si ndikon te ne ky qëllim? Le ta shohim.
Qëllimi i Perëndisë për tokën
Ngaqë Perëndia dëshiron më të mirën për njerëzit, ai i vuri burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, në Eden, në një kopsht parajsor. Pastaj u tha të kishin fëmijë dhe iu drejtua me fjalët: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»—Zanafilla 1:26-28; 2:8, 9, 15.
Ç’përfundim nxjerrim nga këto udhëzime? A nuk është e qartë se Perëndia donte që mbarë toka të kthehej në një shtëpi parajsore për njerëzimin? Fjala e tij thotë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»—Psalmi 115:16.
Sidoqoftë, që të përfitojnë nga qëllimi i Perëndisë për të jetuar përgjithmonë në tokë, njerëzit duhet të nderojnë Jehovain duke iu bindur atij. A veproi kështu Adami? Jo, ai mëkatoi duke mos iu bindur Perëndisë. Cila ishte pasoja? Të gjithë pasardhësit e Adamit, përfshirë edhe ne sot, kanë trashëguar mëkatin dhe vdekjen, siç thotë Bibla: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.
Si rrjedhim, të gjithë njerëzit vdesin dhe toka ende nuk është kthyer në parajsë mbarëbotërore. Mos vallë ka ndryshuar qëllimi i Perëndisë për tokën?
Jo. Të mos harrojmë se Perëndia tha: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» Për më tepër, Perëndia premtoi: «Do të bëj çdo gjë që më pëlqen.» (Isaia 45:18; 46:10; 55:11) Perëndisë i pëlqen, pra është qëllimi i tij, që kjo tokë të bëhet anekënd parajsë e të banohet nga njerëz që i shërbejnë përgjithmonë të lumtur. Kështu do të plotësohet qëllimi që kishte qysh në fillim.—Psalmi 37:29; Isaia 35:5, 6; 65:21-24; Zbulesa 21:3, 4.
Si do të plotësohet qëllimi i Perëndisë?
Jehovai e tregoi mençurinë dhe dashurinë e tij të pashoqe kur mori një masë që njerëzit të çlirohen nga mëkati i trashëguar dhe pasojat e tij: papërsosmëria dhe vdekja. Këtë e realizoi duke bërë të mundur lindjen e një biri që nuk do ta kishte mëkatin që trashëguan gjithë të tjerët nga njeriu i parë, Adami. Kjo masë quhet shpërblesë. Ajo u sigurua që të marrë jetën e përhershme kushdo që jeton sipas normave të Perëndisë. (Mateu 20:28; Efesianëve 1:7; 1 Timoteut 2:5, 6) Si u sigurua shpërblesa?
Gabrieli, një engjëll i Jehovait, njoftoi një virgjëreshë, Marinë, se së shpejti do të lindte një fëmijë falë një mrekullie. Ai tregoi se në ç’mënyrë do të lindte fëmija, ndonëse ajo ‘s’kishte pasur kurrë marrëdhënie me një burrë’. Mrekullia që bëri Perëndia ishte se transferoi jetën e Birit të tij të parëlindur nga qielli në një qelizë vezë në mitrën e Marisë. Kështu, ajo mbeti shtatzënë falë veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë.—Luka 1:26-35.
Pas nja nëntë muajsh, Jezui lindi si njeri i përsosur, siç ishte njeriu i parë, Adami. Kur u rrit, ai dha jetën e tij të përsosur si njeri në një vdekje flijuese. Në këtë mënyrë, Jezui u bë ‘Adami i dytë’, prandaj siguroi bazën, shpërblesën, që të gjithë besnikët e Perëndisë të çliroheshin nga mëkati dhe vdekja.—1 Korintasve 15:45, 47.
Natyrisht, duhet të na prekë dashuria e madhe që ka treguar Perëndia për ne. Bibla thotë: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Çështja është: si do t’i përgjigjemi ne dashurisë së Perëndisë? A nuk duhet të tregojmë mirënjohje për dhuratën e tij? Le të shohim shembullin e disave që vepruan kështu.
Një jetë me kuptim
Denisa, e përmendur në artikullin e kaluar, e nderoi Perëndinë duke iu bindur ligjeve dhe udhëzimeve të tij, dhe kjo i dha qëllim dhe kuptim jetës së saj. Ajo thotë: «Nga Bibla mësova se Perëndia nuk ka vetëm një qëllim afatgjatë për njerëzimin, por ka edhe një vepër të veçantë për ata që e adhurojnë. S’mund të imagjinoj një jetë më të bukur sesa ta përdor vullnetin e lirë që më ka dhënë për ta lëvduar atë duke jetuar në përputhje me qëllimin e tij.»
Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne, duke mësuar cili është vullneti i Perëndisë dhe duke jetuar sipas tij. Vërtet, ende nuk kemi përfituar plotësisht nga flijimi shpërblyes falë të cilit do të gëzojmë përsosmërinë në një botë të re e të drejtë. Prapëseprapë, është urgjente që ndërkohë të plotësojmë nevojën shpirtërore që Perëndia ka vënë brenda secilit prej nesh.
Dejvi i përmendur në artikullin e parë të kësaj serie, është ndër ata që e plotësoi nevojën shpirtërore. Ai i gjeti përgjigjet e pyetjeve për kuptimin e jetës. «Kur hedh vështrimin pas,—thotë Dejvi,—shoh se jeta ime para se të mësoja qëllimin e Perëndisë ishte një varg përpjekjesh të kota. Ndonëse në atë kohë nuk e dija, ai boshllëk që ndieja vinte nga mosplotësimi i nevojës frymore. Tani nuk ndihem kurrë ashtu. E kam të qartë pse ekzistoj dhe si duhet ta jetoj jetën.»
Ndryshe nga mendimet e njerëzve të papërsosur, pikëpamja e Perëndisë për kuptimin e jetës, siç tregohet në Bibël, të kënaq vërtet. Ekzistojmë sepse Jehovai kishte këtë qëllim kur na krijoi: të lëvdojmë emrin e tij, të kemi një marrëdhënie të mirë me të, dhe kështu të plotësojmë nevojën tonë shpirtërore. Si sot, edhe për gjithë përjetësinë mund të shijojmë përmbushjen e kësaj deklarate të frymëzuar: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»—Psalmi 144:15.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
PROBLEMI I VUAJTJEVE
Vuajtja është quajtur një nga pengesat më të mëdha për të kuptuar pse ekzistojmë. Viktor Frankli tha: «Nëse jeta ka vërtet një kuptim, atëherë edhe vuajtjet duhet të kenë një kuptim. Vuajtjet janë pjesë e jetës, ashtu si fatkeqësitë dhe vdekja, e nuk çrrënjosen dot.»
Bibla shpjegon arsyen pse ka vuajtje dhe vdekje. Perëndia nuk është përgjegjës. Ato janë pasoja të vendimit katastrofik të çiftit të parë për të jetuar të pavarur nga Krijuesi. Kjo prirje mëkatare është trashëguar te të gjithë pasardhësit e tyre dhe është shkaku rrënjësor i vuajtjeve të njerëzve.
Ndonëse fakti që dimë pse ekzistojmë nuk na i zgjidh gjithë problemet e jetës, ai hedh një bazë për t’i përballuar ato. Gjithashtu kemi një shpresë për të ardhmen, një kohë kur Perëndia do të çrrënjosë përgjithmonë vuajtjet dhe vdekjen.
[Diagrami dhe figura në faqen 7]
Për të treguar sa të besueshme janë premtimet e Perëndisë, Bibla i krahason me ciklin e mrekullueshëm të ujit
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Shiu
Avullimi
Avullimi
Liqene, lumenj
Oqeane
[Figura në faqet 8, 9]
Pse jemi të sigurt se toka do të kthehet në një parajsë plot me njerëz të lumtur e të shëndetshëm?
[Figura në faqen 9]
‘S’mund të imagjinoj një jetë më të bukur sesa ta përdor vullnetin e lirë për t’i shërbyer Perëndisë.’—Denisa