KAPITULLI 18
«Mua do të më ndizet një tërbim i madh»
NË KËTË KAPITULL: Sulmi i Gogut ndez zemërimin e Jehovait; Jehovai mbron popullin e tij në luftën e Armagedonit
1-3. (a) Çfarë do të ndodhë kur Jehovai të shfryjë ‘tërbimin e tij të madh’? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?
NJË grup me burra, gra e fëmijë po këndojnë së bashku një këngë Mbretërie. Pastaj, një plak kongregacioni bën një lutje të ndier dhe i përgjërohet Jehovait për mbrojtje. Ndonëse pjesëtarët e kongregacionit janë të bindur se Jehovai do t’i mbrojë, prapëseprapë kanë nevojë të marrin zemër e siguri. Jashtë, dëgjohen zhurmat shurdhuese të njerëzve që luftojnë: Armagedoni ka filluar!—Zbul. 16:14, 16.
2 Në luftën e Armagedonit, Jehovai do t’i ekzekutojë njerëzit me ‘tërbim të madh’. (Lexo Ezekielin 38:18.) Ai nuk do ta derdhë zemërimin e zjarrtë mbi një ushtri a një komb të vetëm, por mbi njerëz të panumërt anembanë globit. Atë ditë, të vrarët nga Jehovai «do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin».—Jer. 25:29, 33.
3 Pse do të veprojë me ‘tërbim të madh’ Jehovai, Perëndia i dashurisë, që përshkruhet si «i mëshirshëm dhe i dhembshur» e që «nuk zemërohet shpejt»? (Eks. 34:6; 1 Gjon. 4:16) Përgjigjja e kësaj pyetjeje na jep shumë zemër, na mbush me guxim dhe na motivon të vazhdojmë veprën e predikimit.
Çfarë e provokon ‘tërbimin e madh’ të Jehovait?
4, 5. Si ndryshon zemërimi i Perëndisë nga ai i njerëzve të papërsosur?
4 Fillimisht duhet të kuptojmë që zemërimi i Jehovait ndryshon nga ai i njerëzve të papërsosur. Kur njerëzit ziejnë nga zemërimi dhe e shfryjnë tërbimin, janë të pakontrolluar dhe pasojat rrallëherë janë të mira. Për shembull, Kaini, i parëlinduri i Adamit, «u nxeh» sepse Jehovai e hodhi poshtë blatimin e tij, por miratoi dhuratën e Abelit. Rezultati? Kaini e vrau vëllanë e tij të drejtë. (Zan. 4:3-8; Hebr. 11:4) Të mendojmë edhe për Davidin, një njeri siç ia donte zemra Jehovait. (Vep. 13:22) Ky njeri i mirë për pak sa nuk kreu një krim të tmerrshëm, kur Nabali, një pronar i pasur tokash, e ofendoi atë dhe burrat e tij. Në zemërim e sipër, Davidi me ushtarët e vet «ngjeshën shpatat» që të vrisnin jo vetëm Nabalin mosmirënjohës, por edhe çdo mashkull të shtëpisë së tij. Shyqyr që Abigaila, gruaja e Nabalit, arriti t’i bindte që të mos hakmerreshin. (1 Sam. 25:9-14, 32, 33) Jo më kot Jehovai e frymëzoi Jakovin të shkruante: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.»—Jak. 1:20.
Jehovai e kontrollon gjithmonë zemërimin dhe i bën të qarta arsyet pse zemërohet
5 Në kontrast me njerëzit, Jehovai e kontrollon gjithmonë zemërimin dhe i bën të qarta arsyet pse zemërohet. Edhe kur ndien tërbim të madh, ai vepron me drejtësi. Kur lufton kundër armiqve, nuk e shfaros kurrë «të drejtin bashkë me të ligun». (Zan. 18:22-25) Për më tepër, Jehovai nuk zemërohet kurrë pa arsye të vlefshme. Le të flasim për dy arsye dhe për mësimet që nxjerrim prej tyre.
6. Si reagon Jehovai kur përdhoset emri i tij?
6 Arsyeja e parë: përdhosja e emrit të Jehovait. Njerëzit që pohojnë se përfaqësojnë Jehovain, por nga ana tjetër bëjnë vepra të liga, prishin reputacionin e Perëndisë dhe ndezin zemërimin e tij të drejtë. (Ezek. 36:23) Siç u trajtua në kapitujt e mëparshëm, kombi i Izraelit e përbalti emrin e Jehovait. Ndaj nuk habitemi që qëndrimi dhe sjellja e tyre e zemëroi Jehovain. Ama, ai e mbajti gjithmonë nën kontroll tërbimin dhe e ndëshkoi popullin në masën e duhur, asnjë fije më shumë. (Jer. 30:11) Një herë që ndëshkimi ia arriti qëllimit, Jehovai nuk ushqeu më mëri.—Psal. 103:9.
7, 8. Ç’mësojmë nga mënyra si veproi Jehovai me izraelitët?
7 Mësime: mënyra si veproi Jehovai me izraelitët përbën një paralajmërim që na shkund. Njësoj si izraelitët e lashtë, edhe ne kemi privilegjin të mbajmë emrin e Perëndisë: quhemi Dëshmitarë të Jehovait. (Isa. 43:10) Fjalët dhe veprimet tona ndikojnë drejtpërdrejt te pikëpamja e njerëzve për Perëndinë që përfaqësojmë. S’do të donim kurrë të mëkatonim qëllimisht dhe t’i sillnim sharje emrit të Jehovait! Një sjellje e tillë ndez patjetër zemërimin e tij, dhe, herët a vonë, ai do të veprojë për të mbrojtur reputacionin e vet.—Hebr. 3:13, 15; 2 Pjet. 2:1, 2.
8 A duhet të na pengojë t’i afrohemi Jehovait fakti që ai mund të ndiejë ‘tërbim të madh’? Kurrsesi! Ne e dimë që Jehovai është i duruar dhe falës. (Isa. 55:7; Rom. 2:4) Ama, edhe na disiplinon kur është e nevojshme. Në të vërtetë, dijenia se Jehovait i ndizet zemërimi kundër mëkatarëve të papenduar dhe i heq nga populli i tij, na e thellon respektin për Të. (1 Kor. 5:11-13) Jehovai i ka bërë të qarta qëndrimet dhe veprimet që e zemërojnë. E kemi ne në dorë t’i shmangim.—Gjoni 3:36; Rom. 1:26-32; Jak. 4:8.
9, 10. Çfarë bën Jehovai kur armiqtë kërcënojnë popullin e tij? Jep shembuj.
9 Arsyeja e dytë: populli besnik i Jehovait kërcënohet. Jehovait i ndizet zemërimi kur armiqtë sulmojnë njerëzit besnikë që kërkojnë strehë dhe mbrojtje tek ai. Për shembull, pasi izraelitët ikën nga Egjipti, faraoni dhe ushtria e tij e fuqishme iu vunë pas popullit në dukje të pambrojtur, të mbledhur buzë Detit të Kuq. Por, kur i ndoqën izraelitët nëpër shtratin e tharë të detit, Jehovai u hoqi rrotat karrocave të tyre të luftës dhe i plandosi në det. «Nuk mbeti gjallë asnjë egjiptian.» (Eks. 14:25-28) Jehovait iu ndez zemërimi kundër egjiptianëve nga ‘dashuria besnike’ për popullin e tij.—Lexo Eksodin 15:9-13.
10 Dashuria për popullin e vet e nxiti Jehovain të vepronte edhe në ditët e mbretit Hezekia. Asirianët, ushtria më e fuqishme dhe më mizore e kohës, ishin gati të sulmonin Jerusalemin. Qyteti ishte i rrethuar, dhe kjo do të çonte në një vdekje të ngadaltë dhe të llahtarshme të shërbëtorëve besnikë të Jehovait. (2 Mbret. 18:27) Çfarë bëri Jehovai? Dërgoi një engjëll të vetëm, i cili vrau 185.000 ushtarë armiq brenda natës. (2 Mbret. 19:34, 35) Përfytyro pak kampin asirian të nesërmen në mëngjes: heshtat, mburojat dhe shpatat s’i ka zënë njeri me dorë; askush nuk u bie trumbetave; asnjëri nuk i urdhëron ushtarët të mblidhen. Në kamp mbretëron një heshtje e frikshme dhe ngado të zënë sytë trupa të pajetë.
11. Si na ngushëllon e na jep guxim mënyra si ka vepruar Jehovai kur popullin e tij e kanë kërcënuar?
11 Mësime: këta shembuj tregojnë si reagon Jehovai kur populli i tij kërcënohet. Gjithashtu u përcjellin këtë paralajmërim të fortë armiqve: ‘Është e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë’, kur i ndizet zemërimi. (Hebr. 10:31) Ndërsa për ne, këta shembuj janë burim ngushëllimi e guximi. Na jep zemër dijenia se armiku ynë kryesor, Satanai, do të dështojë. Së shpejti, ‘periudha e shkurtër’ e sundimit të tij do të marrë fund. (Zbul. 12:12) Deri atëherë mund t’i shërbejmë Jehovait plot guxim, të sigurt se asnjë njeri, organizatë apo qeveri s’do të na pengojë dot kurrë të bëjmë vullnetin e tij. (Lexo Psalmin 118:6-9.) Apostulli Pavël shprehu të njëjtën siguri me këto fjalë të frymëzuara: «Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?!»—Rom. 8:31.
12. Pse Jehovait do t’i ndizet tërbimi gjatë shtrëngimit të madh?
12 Gjatë shtrëngimit të madh që po afron, Jehovai do të na mbrojë, siç bëri me izraelitët kur egjiptianët i zunë në kurth, apo me judenjtë kur asirianët rrethuan Jerusalemin. Kur armiqtë të përpiqen të na shkatërrojnë, Jehovait do t’i ndizet tërbimi, ngaqë na do shumë. Ata që do të jenë aq të marrë sa të na sulmojnë, në të vërtetë do të prekin bebëzën e syrit të Jehovait. Kundërpërgjigjja e tij do të jetë e menjëhershme dhe përfundimtare. (Zak. 2:8, 9) E gjithë kjo do të sjellë si rezultat një kasaphanë të paparë ndonjëherë. Megjithatë, armiqtë e Perëndisë s’do të kenë asnjë arsye të vlefshme të çuditen kur Jehovai të shfryjë zemërimin mbi ta. Pse jo?
Çfarë paralajmërimesh ka dhënë Jehovai?
13. Çfarë ka paralajmëruar Jehovai?
13 Jehovai «nuk zemërohet shpejt» dhe ka paralajmëruar kushedi sa herë se do t’i shkatërrojë ata që i kundërvihen dhe që kërcënojnë popullin e tij. (Eks. 34:6, 7) Ai ka përdorur profetë, si Jeremia, Ezekieli, Danieli, Jezu Krishti dhe apostujt Pjetër, Pavël e Gjon për të paralajmëruar ardhjen e një lufte të madhe vendimtare.—Shih kutinë «Jehovai paralajmëron ardhjen e një lufte të madhe».
14, 15. Çfarë ka bërë Jehovai dhe pse?
14 Jehovai i ka ruajtur këto paralajmërime në Fjalën e tij. Gjithashtu ka bërë të mundur që Bibla të jetë libri më i përkthyer dhe më i shpërndarë në histori. Anembanë tokës, ai ka mbledhur një ushtri me vullnetarë që t’i ndihmojnë njerëzit të bëhen miq të Perëndisë dhe të paralajmërojnë ardhjen e ‘ditës së madhe të Jehovait’. (Sof. 1:14; Psal. 2:10-12; 110:3) Ai e ka nxitur popullin e tij të përkthejë në qindra gjuhë botime për studimin e Biblës dhe të shpenzojë qindra miliona orë çdo vit për të folur rreth premtimeve dhe paralajmërimeve të Fjalës së tij.
15 Jehovai e ka organizuar gjithë këtë vepër, «sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen». (2 Pjet. 3:9) Ç’privilegj të pashoq kemi të përfaqësojmë Perëndinë tonë të dashur e të duruar, si dhe të luajmë një rol sado të vogël në përhapjen e mesazhit të tij! Megjithatë, shumë shpejt do të dëgjohen tiktaket e fundit për ata që s’ua vënë veshin paralajmërimeve.
Kur ‘do të ndizet’ zemërimi i Jehovait?
16, 17. A e ka caktuar Jehovai ditën e luftës përfundimtare? Shpjego.
16 Jehovai e ka caktuar ditën e luftës përfundimtare. Ai e di tashmë kur do ta sulmojnë armiqtë popullin e tij. (Mat. 24:36) Por nga e di Jehovai këtë?
17 Siç e pamë në kapitullin 17, Jehovai i thotë Gogut: «Unë . . . do të të vë grremça në nofulla.» Prandaj, vetë Jehovai do t’i sjellë gjërat në atë mënyrë që kombet të sulmojnë popullin e tij. (Ezek. 38:4) Kjo nuk nënkupton që luftën do ta nisë Jehovai, apo që do t’i detyrojë armiqtë të sulmojnë, duke i privuar kështu nga vullneti i lirë. Përkundrazi, tregon se Jehovai ka aftësinë të lexojë zemrat dhe e di si do të reagojnë armiqtë e tij në rrethana të caktuara.—Psal. 94:11; Isa. 46:9, 10; Jer. 17:10.
18. Si ka mundësi që njerëzit do ta gjejnë veten duke luftuar kundër të Plotfuqishmit?
18 Atëherë, si ka mundësi që njerëzit do ta gjejnë veten duke luftuar kundër vetë të Plotfuqishmit, nëse luftën nuk do ta nisë Jehovai dhe nëse ai nuk do t’i detyrojë armiqtë të luftojnë? Një arsye është që, në këtë pikë të historisë, mund t’i kenë mbushur mendjen vetes se Perëndia nuk ekziston ose se nuk ndërhyn në punët e njerëzve. Ndoshta do të mendojnë kështu meqë do t’i kenë shkatërruar të gjitha organizatat e rreme fetare. Prandaj, mbase do të arsyetojnë se po të kishte Zot, do t’i kishte mbrojtur institucionet që pretendonin se e përfaqësonin. Nuk do ta kuptojnë se faktikisht ishte Perëndia që u shtiu në zemër t’u jepnin fund feve që i kanë sjellë sharje emrit të tij.—Zbul. 17:16, 17.
19. Çfarë mund të ndodhë pasi të shkatërrohet feja e rreme?
19 Pasi të shkatërrohet feja e rreme, ka të ngjarë që Jehovai ta nxitë popullin e tij të përhapë një mesazh goxha të fortë. Libri i Zbulesës e krahason këtë mesazh me një breshër, kokrrat e të cilit peshojnë rreth 20 kg. (Zbul. 16:21, shën.) Ky mesazh, që ka mundësi të jetë një deklaratë se sistemi politik dhe tregtar është në grahmat e fundit, do t’i torturojë aq shumë dëgjuesit, saqë do të blasfemojnë Perëndinë. Me shumë gjasa, mesazhi do t’i shtyjë kombet të ndërmarrin një sulm kundër popullit të Perëndisë që të na asgjësojnë njëherë e mirë. Në sytë e tyre do të dukemi si një kafshatë. Ç’gabim fatal!
Si do ta shprehë Jehovai tërbimin?
20, 21. Kush është Gogu dhe çfarë do t’i ndodhë?
20 Siç e studiuam në kapitullin 17, Ezekieli përdor titullin profetik «Gogu i vendit të Magogut» për t’iu referuar koalicionit të kombeve që do të na sulmojë. (Ezek. 38:2) Por lidhja mes anëtarëve të këtij koalicioni do të jetë tejet e brishtë. Nën fasadën e bashkëpunimit do të vazhdojnë të lulëzojnë rivaliteti, krenaria dhe ambiciet nacionaliste. Sa kollaj do ta ketë Jehovai ta nxitë secilin të drejtojë shpatën «kundër të vëllait»! (Ezek. 38:21) Megjithatë, kombeve nuk do t’u vijë fundi nga dora e njeriut.
21 Para se të shkatërrohen, armiqtë do të shohin shenjën e Birit të njeriut, që ka të ngjarë të jetë një shfaqje e mbinatyrshme e fuqisë së Jehovait dhe të Jezuit. Sa do të lemerisen nga gjërat që do të shohin! Siç paratha Jezui, «njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e ankthshme se ç’do të ndodhë në tokën e banuar». (Luka 21:25-27) Të tmerruar do të kuptojnë se nuk i kishin bërë mirë llogaritë kur sulmuan popullin e Jehovait. Do të jenë të detyruar ta njohin Krijuesin në rolin e komandantit ushtarak, si Jehovai i ushtrive. (Psal. 46:6-11; Ezek. 38:23) S’ka dyshim se Jehovai do t’i përdorë ushtritë qiellore dhe forcat e natyrës për të mbrojtur shërbëtorët besnikë dhe për të asgjësuar armiqtë.—Lexo 2 Pjetrit 2:9.
22, 23. Cilët do ta mbrojnë popullin e Perëndisë dhe si do të ndihen për këtë caktim?
Për çfarë duhet të na nxitë ajo që dimë për ditën e Jehovait?
22 Përfytyro zellin e Jezuit ndërsa udhëheq sulmin kundër armiqve të Perëndisë dhe mbron ata që duan dhe i shërbejnë Atit të tij. Mendo pak edhe për ndjenjat që do të provojnë të mirosurit. Në njëfarë pike para nisjes së Armagedonit, të mirosurit që janë ende në tokë do të marrin shpërblimin qiellor, në mënyrë që të 144.000 të luftojnë përkrah Jezuit. (Zbul. 17:12-14) Patjetër që shumë prej tyre do të kenë lidhur miqësi të ngushta me pjesëtarë të deleve të tjera me të cilët kanë bashkëpunuar gjatë ditëve të fundit. Në Armagedon të mirosurit do të kenë edhe autoritetin, edhe fuqinë për të mbrojtur ata që i mbështetën aq besnikërisht gjatë sprovave.—Mat. 25:31-40.
23 Pjesë e ushtrisë qiellore të Jezuit do të jenë edhe engjëjt. (2 Sel. 1:7; Zbul. 19:14) Në të shkuarën, ata e kanë ndihmuar Jezuin të flakte nga qielli Satanain dhe demonët. (Zbul. 12:7-9) Gjithashtu kanë ndihmuar në mbledhjen e adhuruesve të Jehovait. (Zbul. 14:6, 7) Prandaj ka shumë kuptim që Jehovai t’i përdorë engjëjt për të mbrojtur besnikët. Ç’është më e rëndësishmja, e gjithë ushtria e Jehovait do të ndihet e nderuar që ka mundësi të shenjtërojë dhe të shfajësojë emrin, ose reputacionin e tij, duke asgjësuar armiqtë.—Mat. 6:9, 10.
24. Si do të reagojë shumica e madhe?
24 Me një ushtri kaq të fuqishme dhe të motivuar për t’i mbrojtur, pjesëtarët e shumicës së madhe s’do të kenë pse të mpaken nga frika. Përkundrazi ‘do të drejtojnë trupin dhe do të ngrenë kokën lart, sepse çlirimi i tyre është afruar’. (Luka 21:28) Prandaj, sa e rëndësishme është që, para se të vijë dita e Jehovait, të ndihmojmë sa më shumë njerëz ta njohin e ta duan Atin tonë të mëshirshëm që do të na mbrojë.—Lexo Sofoninë 2:2, 3.
25. Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?
25 Luftërat njerëzore lënë pas veç kaos dhe mjerim. Krejt ndryshe, pas Armagedonit në tokë do të mbretërojë rregulli dhe lumturia. Si do të jetë jeta kur tërbimi i Jehovait të fashitet, luftëtarët t’i futin shpatat në mill dhe ushtima e luftës së madhe të shuhet? Kapitulli tjetër tregon për të ardhmen e mrekullueshme që na pret.