Libri biblik numër 33—Mikea
Shkrimtari: Mikea
Vendi ku u shkrua: Judë
Shkrimi përfundoi: para 717 p.e.s.
Periudha përkatëse: rr. 777 p.e.s.–717 p.e.s.
1. Ç’lloj njeriu ishte Mikea?
MENDO pak për një njeri të pjekur që ka kaluar shumë vite duke i shërbyer besnikërisht Jehovait. Mendo për një njeri guximtar që mund t’u thotë sundimtarëve të kombit të vet: «Ju e urreni të mirën dhe doni të keqen. . . . Ju keni ngrënë mishin e popullit tim dhe u keni rrjepur lëkurën.» Mendo për një njeri të përulur, që ia jep gjithë meritën për shpalljet e tij Jehovait, nëpërmjet frymës të të cilit foli. A nuk do të të pëlqente ta njihje një njeri të tillë? Sa informacione të pasura e këshilla të shëndetshme mund të japë ai! Profeti Mikea ishte një njeri i tillë. Këshillat e tij të vyera mund t’i gjejmë ende në librin që mban emrin e tij.—Mik. 3:2, 3, 8.
2. Çfarë dihet për Mikenë dhe për sa kohë profetizoi ai?
2 Ashtu si dhe për shumë profetë të tjerë, libri i Mikesë flet shumë pak për atë vetë; rëndësi kishte mesazhi. Emri Mikea është një shkurtim i Mikael (që do të thotë «Kush është si Perëndia?») ose i Mikajah (që do të thotë «Kush është si Jehovai?»). Ai shërbeu si profet gjatë mbretërimit të Jotamit, Akazit dhe Hezekisë (777 p.e.s.-717 p.e.s.), duke qenë kështu bashkëkohës i profetëve Isaia dhe Hozea. (Isa. 1:1; Hoz. 1:1) Nuk dihet me siguri se për sa kohë profetizoi, por tekeshumta nja 60 vjet. Profecitë e tij për rrënimin e Samarisë mund të jenë bërë para shkatërrimit të qytetit në vitin 740 p.e.s., dhe gjithë shkrimi duhet të ketë përfunduar pa mbaruar mbretërimi i Hezekisë, në vitin 717 p.e.s. (Mik. 1:1) Mikea ishte një profet nga fshati Moreshet i rajonit pjellor të Shefelahut, në jugperëndim të Jerusalemit. Ai e njihte shumë mirë jetën e fshatit dhe kjo duket nga ilustrimet që përdori për t’i bërë të kuptueshme pikat e shpalljeve të tij.—2:12; 4:12, 13; 6:15; 7:1, 4, 14.
3. Gjatë cilave kohë domethënëse profetizoi Mikea dhe përse e caktoi si profet Jehovai?
3 Mikea jetoi në kohë të rrezikshme e plot domethënie. Ngjarje që zhvilloheshin me të shpejtë, paralajmëronin fundin tragjik të mbretërive të Izraelit e të Judës. Degjenerimi moral dhe idhujtaria ishin përhapur në Izrael, dhe kjo solli shkatërrimin e kombit nga Asiria, me sa duket kur Mikea ishte gjallë. Gjatë mbretërimit të Akazit rebel, Juda e braktisi udhën e drejtë që ndiqte gjatë mbretërimit të Jotamit dhe imitoi ligësinë e Izraelit, por e mori përsëri veten gjatë mbretërimit të Hezekisë. Jehovai ngriti Mikenë që t’i jepte një paralajmërim të fortë popullit të Tij për atë që Ai po përgatitej të sillte mbi ta. Profecitë e Mikesë shërbyen për të vërtetuar ato të Isaisë e të Hozesë.—2 Mbret. 15:32–20:21; 2 Kron. kap. 27-32; Isa. 7:17; Hoz. 8:8; 2 Kor. 13:1.
4. Ç’prova kemi për autenticitetin e librit të Mikesë?
4 Ka prova të bollshme që tregojnë autenticitetin e librit të Mikesë. Judenjtë e kanë pranuar gjithnjë si pjesë të kanunit hebraik. Jeremia 26:18, 19 u referohet drejtpërdrejt fjalëve të Mikesë: «Sioni do të lërohet si të ishte një arë, ndërsa Jerusalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash.» (Mik. 3:12) Kjo profeci u përmbush me saktësi në vitin 607 p.e.s., kur mbreti i Babilonisë e rrafshoi Jerusalemin, «derisa u rrënua gjithçka». (2 Kron. 36:19) Në mënyrë të ngjashme u përmbush edhe një profeci për Samarinë, sipas së cilës ajo do të bëhej «një grumbull gërmadhash». (Mik. 1:6, 7) Samaria u rrënua nga asirianët në vitin 740 p.e.s., kur ata robëruan mbretërinë veriore të Izraelit. (2 Mbret. 17:5, 6) Ajo u pushtua më vonë nga Aleksandri i Madh në shekullin e katërt p.e.s., dhe u shkretua nga judenjtë e drejtuar nga Gjon Hirkani I në shekullin e dytë p.e.s. Për këtë shkatërrim të fundit të Samarisë, një fjalor thotë: «Fitimtari e shembi, duke u përpjekur të fshinte çdo provë që dëshmonte se në atë kodër kishte ekzistuar ndonjëherë një qytet i fortifikuar.»—The New Westminster Dictionary of the Bible, 1970, faqja 822.
5. Si dëshmon arkeologjia për përmbushjen e profecive të Mikesë?
5 Edhe arkeologjia thotë fjalën e saj në mbështetje të përmbushjes së profecive të Mikesë. Në analet asiriane përmendet shkatërrimi i Samarisë nga asirianët. Për shembull, mbreti asirian Sargoni mburrej: «E rrethova dhe e pushtova Samarinë (Sa-me-ri-në).»a Megjithatë, në të vërtetë ka mundësi që pushtimin ta ketë përfunduar Shalmaneseri V, që zuri vendin e Sargonit. Një kronikë babilonase thotë për Shalmaneserin: «Ai e batërdisi Samarinë.»b Pushtimi i Judës gjatë mbretërimit të Hezekisë, siç paratha Mikea, ishte regjistruar më së miri në kronikat e Senakeribit. (Mik. 1:6, 9; 2 Mbret. 18:13) Në murin e pallatit të tij në Ninevi kishte një reliev të madh prej katër panelesh, ku përshkruhej pushtimi i Lakishit. Në prizmin e tij prej argjile ai thotë: «Rrethova 46 nga qytetet e tij të forta . . . Dëbova (prej tyre) 200.150 veta . . . Atë vetë e burgosa në Jerusalem, në rezidencën e tij mbretërore, si një zog në kafaz.» Pastaj ai rendit edhe haraçin që i paguante Hezekia, edhe pse e stërmadhon shumën. Ai nuk thotë asnjë fjalë për dërrmën që morën trupat e tij.c—2 Mbret. 18:14-16; 19:35.
6. Cila profeci nuk lë vend për të dyshuar që libri i Mikesë është i frymëzuar?
6 Profecia e jashtëzakonshme e Mikesë 5:2, e cila parathotë vendlindjen e Mesisë, nuk lë vend për të dyshuar që libri është i frymëzuar. (Mat. 2:4-6) Ka edhe vargje që janë paralele me disa pohime të bëra në Shkrimet e Krishtere Greke.—Mik. 7:6, 20; Mat. 10:35, 36; Luka 1:72, 73.
7. Ç’mund të themi për forcën shprehëse të Mikesë?
7 Edhe pse mund të ishte nga fshatrat e Judës, Mikesë nuk i mungonte aspak aftësia për t’u shprehur. Në librin e tij gjenden disa nga shprehjet më të bukura të Fjalës së Perëndisë. Kapitulli 6 është shkruar në formën e një dialogu mbresëlënës. Kalime të papritura mbërthejnë vëmendjen e lexuesit, teksa Mikea kalon rrufeshëm nga një pikë në tjetrën, nga mallkime në bekime, e anasjelltas. (Mik. 2:10, 12; 3:1, 12; 4:1) Ka me bollëk figura të gjalla letrare: kur Jehovai të dalë, «malet kanë për t’u shkrirë poshtë tij dhe ultësirat do të treten si dylli nga zjarri, si ujëra që derdhen në rrëpirë».—1:4; shih edhe 7:17.
8. Ç’përmban secila nga tri pjesët e Mikesë?
8 Libri mund të ndahet në tri pjesë, ku secila fillon me fjalën «Dëgjoni», dhe përmban qortime, paralajmërime ndëshkimi dhe premtime bekimi.
PËRMBAJTJA E MIKESË
9. Ç’ndëshkime dekretohen kundër Samarisë dhe Judës?
9 Pjesa e 1-rë (1:1–2:13). Jehovai po vjen nga tempulli i tij që të ndëshkojë Samarinë për shkak të idhujtarisë së saj. Ai ka për ta bërë «një grumbull gërmadhash» dhe ‘do t’i rrokullisë gurët e saj tatëpjetë luginës’, kurse shëmbëlltyrat e saj të skalitura do t’i bëjë copë-copë. Për të s’do të ketë shërim. Edhe Juda është me faj dhe do të pësojë një sulm deri «te porta e Jerusalemit». Ata që kurdisin të këqija, janë të dënuar e do të vajtojnë: «Na grabitën fare!»—1:6, 12; 2:4.
10. Si del në pah mëshira e Jehovait?
10 Mëshira e Jehovait del befas në pah kur profeti shpall në emër të Jehovait: «Do ta mbledh se s’bën gjithë Jakobin. . . . Do t’i mbledh në unitet, si një kope në vathë, si një tufë në mes të livadhit. Atje vendi do të gumëzhijë nga njerëzit.»—2:12.
11. (a) Ç’denoncim ngrihet tani kundër sundimtarëve të Jakobit dhe Izraelit? (b) Si e pranon Mikea burimin e guximit të tij?
11 Pjesa e 2-të (3:1–5:15). Mikea vazhdon: «Dëgjoni, ju lutem, o krerë të Jakobit dhe ju, o komandantë të shtëpisë së Izraelit!» Një denoncim therës ngrihet kundër këtyre njerëzve që shtypin popullin dhe ‘e urrejnë të mirën dhe duan të keqen’. Ata ‘u kanë thërrmuar kockat’. (3:1-3) Bashkë me ta janë edhe profetët e rremë që nuk japin asnjë drejtim të vërtetë, por e çojnë popullin e Perëndisë në rrugë të gabuar. Për të shpallur këtë mesazh, nuk mjafton vetëm guximi i një njeriu! Mirëpo Mikea thotë me besim: «Unë, përkundrazi, jam plot fuqi, falë frymës së Jehovait, plot drejtësi e forcë, që t’i tregoj Jakobit rebelimin e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.» (3:8) Denoncimi që u bën ai sundimtarëve që mbajnë faj gjaku, arrin një kulm therës: «Krerët e tij gjykojnë për të marrë ryshfet, priftërinjtë e tij mësojnë me pagesë, ndërsa profetët e tij merren me fall për para.» (3:11) Prandaj, Sioni do të lërohet si të ishte një arë dhe Jerusalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash.
12. Ç’profeci madhështore bëhet për «ditët e fundit»?
12 Profecia bën një tjetër kontrast të papritur dhe flet për «ditët e fundit», duke dhënë një përshkrim madhështor e prekës të rivendosjes së adhurimit të Jehovait në malin e tij. (4:1) Shumë kombe do të ngjiten për të mësuar udhët e Jehovait, sepse ligji dhe fjala e tij do të dalë nga Sioni dhe nga Jerusalemi. Ata nuk do të mësojnë më të luftojnë, por kanë për t’u ulur secili nën hardhinë dhe nën fikun e vet. Askush nuk do t’i trembë. Popujt le të ndjekin secili perëndinë e vet, porse adhuruesit e vërtetë do të ecin në emër të Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe ai ka për të mbretëruar mbi ta si Mbret, përgjithmonë. Sidoqoftë, fillimisht Sioni duhet të shkojë në mërgim në Babiloni. Vetëm kur ai të rivendoset, Jehovai do t’i bëjë pluhur e hi armiqtë e tij.
13. Si do të jetë sundimtari që do të dalë nga Betlehemi dhe si do të jetë «mbetja e Jakobit»?
13 Mikea profetizon tani se sundimtari i Izraelit, «prejardhja e të cilit është që nga kohët e hershme», do të dalë nga Betlehem-Efratahu. Ai do të sundojë e «do të kullotë kopenë me forcën e Jehovait», dhe do të jetë i madh jo vetëm në Izrael, por «deri në skajet e tokës». (5:2, 4) Sulmi i asirianëve do të ketë vetëm një sukses të përkohshëm, pasi do të kthehen mbrapsht dhe vendi i tyre do të shkretohet. «Mbetja e Jakobit» do të jetë mes popujve «si vesa që vjen nga Jehovai» dhe mes kombeve e guximshme si një luan. (5:7) Jehovai do të shkulë me rrënjë adhurimin e rremë dhe do të hakmerret kundër kombeve që nuk janë bindur.
14. (a) Me çfarë ilustrimi çelet pjesa e 3-të e Mikesë? (b) Ç’kërkesa të Jehovait s’ka arritur të përmbushë populli i Izraelit?
14 Pjesa e 3-të (6:1–7:20). Skena mbresëlënëse e një çështjeje ligjore paraqitet tani në formën e një dialogu. Jehovai ka «një çështje ligjore» me Izraelin dhe thërret si dëshmitarë kodrat dhe malet. (6:1) Ai e sfidon Izraelin të dëshmojë kundër tij dhe pastaj rendit gjithë veprat e drejta që ka bërë për ta. Ç’kërkon Jehovai nga njerëzit? Nuk kërkon blatime të shumta në kafshë, por veçse ‘të tregojë drejtësi, të dojë mirëdashjen dhe të jetë modest ndërsa ecën me Perëndinë [e tij]’. (6:8) Pikërisht kjo mungon në Izrael. Në vend të drejtësisë dhe mirëdashjes, ka «peshore hileqare», dhunë, gënjeshtra dhe dhelpëri. (6:11) Në vend që të ecin me modesti me Perëndinë, ata ecin sipas këshillave të këqija dhe adhurimit idhujtar të Omrit dhe Akabit që mbretëruan në Samari.
15. (a) Përse vajton profeti? (b) Ç’përfundim të përshtatshëm ka libri i Mikesë?
15 Profeti vajton për prishjen morale të popullit të tij. Ah, edhe «më i drejti ndër ta është më keq se një gardh me gjemba»! (7:4) Miqtë e ngushtë dhe familjarët tradhtojnë njëri-tjetrin. Mikenë nuk e lëshon zemra. «Unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të rri në pritje të Perëndisë së shpëtimit tim. Perëndia im do të më dëgjojë.» (7:7) Ai i paralajmëron të tjerët të mos gëzohen që Jehovai po ndëshkon popullin e vet, sepse çlirimi do të vijë. Jehovai do ta kullotë e do ta ushqejë popullin e tij dhe do t’i tregojë «gjëra të mrekullueshme», duke i bërë kombet të kenë frikë. (7:15) Teksa mbyll librin, Mikea i bën jehonë domethënies së emrit të tij, duke lavdëruar Jehovain për dashamirësinë e tij të këndshme. Vërtet, ‘cili Perëndi është si Jehovai’?—7:18.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
16. (a) Si doli e dobishme profecia e Mikesë në ditët e Hezekisë? (b) Ç’këshilla të fuqishme përmban ajo për ditët tona?
16 Më shumë se 2.700 vjet më parë, profecia e Mikesë doli shumë ‘e dobishme për të qortuar’, sepse mbreti i Judës, Hezekia, iu përgjigj mesazhit të tij, e çoi kombin në pendim dhe e drejtoi në një reformë fetare. (Mik. 3:9-12; Jer. 26:18, 19; krahaso 2 Mbretërve 18:1-4.) Sot, profecia e frymëzuar është edhe më e dobishme. Të gjithë ju që pohoni se adhuroni Perëndinë, dëgjoni paralajmërimet e qarta të Mikesë kundër fesë së rreme, adhurimit të idhujve, gënjeshtrave e dhunës! (Mik. 1:2; 3:1; 6:1) Pavli i mbështet këto paralajmërime te 1 Korintasve 6:9-11, ku thotë se të krishterët e vërtetë janë larë, dhe se askush që jepet pas praktikave të tilla nuk do të trashëgojë Mbretërinë e Perëndisë. Me thjeshtësi e qartësi, Mikea 6:8 thotë se Jehovai kërkon nga njerëzit të ecin me Të me drejtësi, mirëdashje e modesti.
17. Ç’inkurajim u jep Mikea atyre që i shërbejnë Perëndisë nën përndjekje apo vështirësi?
17 Mikea e shpalli mesazhin e tij mes një populli aq të përçarë, saqë ‘armiqtë e njeriut ishin ata të shtëpisë së tij’. Shpesh, të krishterët e vërtetë predikojnë në rrethana të ngjashme, madje disa tradhtohen e përndiqen egërsisht nga vetë familjarët e tyre. Atyre u duhet të presin gjithnjë me durim Jehovain, ‘Perëndinë e shpëtimit të tyre’. (Mik. 7:6, 7; Mat. 10:21, 35-39) Sido që të jenë, të përndjekur apo përballë caktimeve të vështira, ata që mbështeten me guxim në vullnetin e Jehovait, ashtu si Mikea, ‘do të jenë plot fuqi, falë frymës së Jehovait’ teksa shpallin mesazhin e Tij. Mikea profetizoi se një guxim i tillë do të ishte i dukshëm veçanërisht te «mbetja e Jakobit». Ajo ‘do të bëhej ndër kombet, mes shumë popujve, si një luan’ dhe, njëkohësisht, si vesa freskuese dhe shirat nga Jehovai. Këto cilësi ishin sigurisht të dukshme te ‘mbetja e Izraelit (Jakobit)’, të cilët u bënë pjesëtarë të kongregacionit të krishterë në shekullin e parë.—Mik. 3:8; 5:7, 8; Rom. 9:27; 11:5, 26.
18. Cila profeci e Mikesë lidhet me sundimin e Mbretërisë së Perëndisë nëpërmjet Krishtit Jezu?
18 Lindja e Jezuit në Betlehem, duke përmbushur kështu profecinë e Mikesë, nuk vërteton vetëm se libri është i frymëzuar nga Perëndia, por tregon edhe se konteksti i vargut profetizon ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë të drejtuar nga Krishti Jezu. Jezui është ai që vjen nga Betlehemi (Shtëpi e Bukës) me dobi jetëdhënëse për të gjithë ata që ushtrojnë besim në flijimin e tij. Është ai që «do të kullotë kopenë me forcën e Jehovait», që do të bëhet i madh e do të sjellë paqe deri në skajet e tokës për kopenë e rivendosur e të bashkuar të Perëndisë.—Mik. 5:2, 4; 2:12; Gjoni 6:33-40.
19. (a) Ç’inkurajim që të frymëzon besim marrin ata që jetojnë «në ditët e fundit»? (b) Si e lartëson Mikea sovranitetin e Jehovait?
19 Inkurajim të madh marrim nga profecia e Mikesë për «ditët e fundit», kur «shumë kombe» do të kërkojnë të mësohen nga Jehovai. «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë. Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.» Duke braktisur çdo lloj adhurimi të rremë, ata pohojnë bashkë me Mikenë: «Ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» Vërtet, profecia e Mikesë të frymëzon besim, sepse jep një vegim paraprak të këtyre ngjarjeve të rëndësishme. Ajo është e jashtëzakonshme edhe sepse lartëson Jehovain si Sovranin dhe Mbretin e përjetshëm. Sa emocionuese janë këto fjalë: «Jehovai ka për të mbretëruar mbi ta në malin e Sionit, tani e përgjithmonë.»—Mik. 4:1-7; 1 Tim. 1:17.
[Shënimet]
a Ancient Near Eastern Texts, botuar nga Xhejms B. Priçard, 1974, faqja 284.
b Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsën, 1975, faqja 73.
c Ancient Near Eastern Texts, 1974, faqja 288; Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 894, 895, anglisht.