Çfarë mund të mësojmë nga krijesat «instinktivisht të mençura»
AJRI i kondicionuar, kundërngrirësi, shkripëzimi dhe ultratingujt janë shpikje që janë bërë gjerësisht të njohura për njerëzimin në shekullin e 20-të. Megjithatë, ato ekzistonin në botën e kafshëve mijëra vjet më parë. Po, njerëzit përfitojnë nga studimi i këtyre krijesave «instiktivisht të mençura». (Proverbat 30:24-28; Jobi 12:7-9) Duket se disa kafshë janë bërë kujdestarët e heshtur të njerëzimit dhe mund të jetë interesante të studiojmë veçoritë e tyre.
A mund të përfitojmë nga shqyrtimi i veçorive të disa kafshëve? Në fakt, Jezu Krishti i krahasoi ithtarët e tij me delet, me gjarpërinjtë, me pëllumbat dhe madje me karkalecat. Çfarë kishte ndër mend ai, kur i krahasoi ithtarët e vet me këto krijesa? Le të shohim.
«Delet e mia e dëgjojnë zërin tim»
Delet janë përmendur në Bibël mbi 200 herë. Siç shpjegon një fjalor, «delja është simbol i butësisë, i durimit dhe i nënshtrimit». (Smith’s Bible Dictionary) Në kreun 53 të Isaisë, vetë Jezui u krahasua në mënyrë profetike me një dele. Sa e përshtatshme ishte që Jezui do t’i krahasonte ithtarët e tij me të njëjtën kafshë! Por, cilat karakteristika të veçanta të deles kishte Jezui në mendje?
«Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin»,—tha Jezui. (Gjoni 10:27) Në këtë mënyrë, ai theksoi butësinë e dishepujve të tij dhe dëshirën e tyre të madhe për ta ndjekur. Delet e vërteta e dëgjojnë bariun e tyre dhe janë të gatshme për ta ndjekur. Edhe bariu ka një lidhje të ngushtë me kopenë.
Kur kullot, kopeja mund të jetë e shpërndarë nëpër livadh, por çdo dele mban lidhje me tufën si një e tërë. Kur ato ndihen të pasigurta dhe të frikësuara, «mund të grumbullohen së bashku me nxitim», thotë libri Gjithçka për delet (Alles für das Schaf). Kur delet largohen për t’i shpëtuar rrezikut, e bëjnë këtë në tufë, duke ndaluar nganjëherë për të vlerësuar situatën. «Ikja me ndalesa u jep mundësi qengjave dhe deleve më të dobëta për të vazhduar më tej. Edhe tufa u ofron atyre mbrojtje speciale.» Çfarë mund të mësojmë nga kjo sjellje?
Të krishterët e vërtetë sot, nuk janë shpërndarë nëpër emërtimet dhe sektet e të ashtuquajturit krishterim. Përkundrazi, ata janë mbledhur në një kope. Çdo i krishterë ndien një lidhje personale me këtë kope të Perëndisë dhe kjo gjë i kontribuon unitetit të organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait. Kurdoherë që ka ndonjë krizë, qoftë ajo sëmundje e rëndë, luftë apo shkatërrim natyror, ku kërkon drejtim dhe mbrojtje çdo adhurues? Në organizatën e Jehovait, e cila ofron siguri frymore.
Si është vënë në dispozicion këshilla e Biblës? Përmes botimeve të tilla si Kulla e Rojës dhe shoqja e saj, Zgjohuni! Këto revista dhe mbledhjet e krishtere ofrojnë, gjithashtu, ndihmë speciale për ata që kanë nevojë për kujdes të mëtejshëm, ngjashëm qengjave dhe deleve më të dobëta brenda kopesë. Për shembull, vëmendje u kushtohet prindërve beqarë dhe atyre që vuajnë nga depresioni. Prandaj, sa e mençur është të lexojmë çdo revistë, të marrim pjesë në çdo mbledhje të kongregacionit dhe të zbatojmë atë që mësojmë! Me anë të këtyre, shfaqim butësi dhe një lidhje të fortë me kopenë e Perëndisë.—1. Pjetrit 5:2.
«Të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat»
Një fjalor (Smith’s Bible Dictionary) pohon: «Kudo në Lindje, gjarpri përdorej si simbol i parimit të ligë, i frymës së mosbindjes.» Nga ana tjetër, «pëllumbi im» ishte një term dashamirësie. (Kënga e këngëve 5:2) Çfarë kishte, atëherë, në mendje Jezui, kur i inkurajoi ithtarët e tij të ishin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat»?—Mateu 10:16, BR.
Jezui po jepte udhëzime mbi predikimin dhe mësimin. Dishepujt e tij mund të prisnin reagime të favorshme dhe të pafavorshme ndaj veprës së tyre të predikimit. Disa do të tregonin interes, kurse të tjerët do ta hidhnin poshtë lajmin e mirë. Disa madje do t’i persekutonin këta shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë. (Mateu 10:17-23) Si duhej të reagonin dishepujt ndaj persekutimit?
Frits Reineker shprehet kështu në një vepër fetare, në lidhje me Mateun 10:16: «Mendjemprehtësia . . . duhet lidhur me integritetin, sinqeritetin dhe ndershmërinë, që të mos ndodhë asgjë që t’u japë armiqve arsye të justifikueshme për t’u ankuar. Ambasadorët e Jezuit janë në mes të kundërshtarëve më të pamëshirshëm, të cilët nuk kanë konsideratë për apostujt dhe i sulmojnë ata pa mëshirë edhe në rastin më të vogël. Prandaj, është e nevojshme që ashtu si gjarpërinjtë, të kemi një sy vigjilent ndaj kundërshtarëve dhe të inspektojmë situatën me sy dhe ndjenja vigjilente, ta kemi nën kontroll atë pa mashtrim e dredhi, të jemi të pastër e të vërtetë në fjalë e në veprime, e kështu të jemi ngjashëm pëllumbave.»—Das Evangelium des Matthäus.
Çfarë mund të mësojnë shërbëtorët e Perëndisë në ditët moderne nga fjalët e Jezuit, që gjenden në Mateun 10:16? Sot, reagimi i njerëzve ndaj lajmit të mirë është shumë i ngjashëm me atë të shekullit të parë. Kur ndeshin persekutime, të krishterët e vërtetë duhet të lidhin mendjemprehtësinë e gjarprit me dëlirësinë e pëllumbit. Të krishterët nuk përdorin kurrë mashtrimin ose pandershmërinë, por janë të pakorruptueshëm, të sinqertë dhe të ndershëm në shpalljen e mesazhit të Mbretërisë ndaj të tjerëve.
Për ta ilustruar: Kolegët në punë, të rinjtë në shkollë dhe madje anëtarët e familjes mund të bëjnë vërejtje thumbuese për bindjet e tua si Dëshmitar i Jehovait. Reagimi i atypëratyshëm mund të jetë përgjigjja njësoj therëse për bindjet e tyre. Por, a është e pafajshme kjo gjë? Vështirë se po. Nëse kritikat e tua nxjerrin në pah se komentet e tyre nuk ndikojnë mbi sjelljen tënde të pëlqyeshme, ata edhe mund të mos bëjnë më vërejtje të tilla. Atëherë do të jesh edhe mendjemprehtë, edhe i pafajshëm, ‘i kujdesshëm si gjarpri dhe i pafajshëm si pëllumbi’.
«Pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë»
Revista GEO raporton se në vitin 1784, Afrika Jugore u godit nga «një mizëri [karkalecash] që nuk ishte regjistruar kurrë më parë në histori». Mizëria mbuloi një zonë prej 5.200 km2, përmasa e së cilës është gati sa pesë herë Hong Kongu. Një fjalor biblik thotë se karkalecat «dëmtojnë në mënyrë të tmerrshme bimësinë e vendeve që vizitojnë».
Në zbulimin që i dha Perëndia për gjërat që do të ndodhnin gjatë «ditës së Zotërisë», Jezui përdori një vizion me një mizëri karkalecash. Në lidhje me ta, u tha: «Pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë.» (Zbulesa 1:1, 10; 9:3-7) Cila ishte domethënia e këtij simboli?
Dëshmitarët e Jehovait kanë kuptuar prej kohësh se karkalecat e kreut 9 të Zbulesës portretizojnë shërbëtorët e mirosur të Perëndisë në tokë gjatë këtij shekulli.a Këtyre të krishterëve u është caktuar një detyrë e veçantë: predikimi i lajmit të Mbretërisë në mbarë tokën dhe bërja e dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Kjo gjë kërkon prej tyre që të kapërcejnë pengesat dhe të qëndrojnë në veprën e tyre. Ç’gjë mund ta ilustronte më mirë këtë, sesa karkaleci i pamposhtur?
Me një gjatësi pak më shumë se 5 cm, karkaleci përshkon zakonisht nga 100 deri në 200 km. Karkaleci i shkretëtirës mund ta shtrijë këtë distancë deri në 1.000 km. Revista GEO shpjegon se «krahët e tij rrotullohen 18 herë në sekondë dhe për 17 orë në ditë, diçka që asnjë insekt tjetër nuk mund ta bëjë». Një punë vërtet e madhe për një krijesë kaq të vogël!
Si grup, Dëshmitarët e Jehovait janë të patundur në përhapjen e lajmit të mirë. Tani ata predikojnë në mbi 230 vende. Këta shërbëtorë të Perëndisë kapërcejnë shumë vështirësi, për të marrë pjesë në përmbushjen e kësaj vepre. Cilat probleme ndeshin ata? Paragjykimi, kufizimet ligjore, sëmundjet, shkurajimi dhe kundërshtimi nga të afërmit, janë vetëm disa prej këtyre problemeve. Por asgjë nuk ka mundur të pengojë përparimin e tyre. Ata përmbushin veprën që u ka dhënë Perëndia.
Vazhdo të tregosh cilësi të krishtere
Po, Jezui i krahasoi ithtarët e tij me dele, gjarpërinj, pëllumba dhe karkaleca. Kjo është vërtet e përshtatshme për ditën në të cilën jetojmë. Përse? Sepse fundi i këtij sistemi gjërash është i pashmangshëm dhe problemet na rëndojnë më shumë se kurrë më parë.
Duke sjellë në mendje fjalët ilustruese të Jezuit, të krishterët e vërtetë qëndrojnë të lidhur ngushtë me kopenë e Perëndisë dhe e pranojnë me butësi këshillën nga organizata e Jehovait. Ata qëndrojnë syhapur dhe janë të zgjuar ndaj situatave që mund të pengojnë aktivitetin e tyre të krishterë, ndërkohë që mbeten të paqortueshëm në të gjitha gjërat. Përveç kësaj, ata ngulmojnë në kryerjen e vullnetit të Perëndisë, kur gjenden përballë pengesave. Për më tepër, vazhdojnë të mësojnë nga disa krijesa «instiktivisht të mençura».
[Shënimi]
a Shiko Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., kapitulli 22.