Deri ku arrin dashuria juaj?
«Duhet ta duash të afërmin si vetveten.»—MATEU 22:39.
1. Nëse e duam Jehovain, përse duhet të duam edhe të afërmin tonë?
KUR e pyetën cili është urdhërimi më i madh, Jezui u përgjigj: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Pastaj citoi një urdhërim të dytë, të ngjashëm me të parin: «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten.» (Mateu 22:37, 39) Po, dashuria për të afërmin është shenjë dalluese e të krishterëve. Në fakt, nëse duam Jehovain, duhet të duam edhe të afërmin tonë. Përse? Sepse dashurinë për Perëndinë e tregojmë duke iu bindur Fjalës së tij dhe Fjala e tij na urdhëron të duam të afërmin. Prandaj, nëse nuk i duam vëllezërit dhe motrat, dashuria jonë për Perëndinë nuk mund të jetë e sinqertë.—Romakëve 13:8; 1 Gjonit 2:5; 4:20, 21.
2. Çfarë lloj dashurie duhet të kemi për të afërmin?
2 Kur tha se duhet të duam të afërmin tonë, Jezui po fliste për diçka më të madhe se miqësia. Po i referohej një dashurie që është ndryshe nga ajo që ekziston në mënyrë të natyrshme brenda familjeve ose midis një burri e një gruaje. Po fliste për llojin e dashurisë që ka Jehovai për shërbëtorët e tij të dedikuar dhe të asaj që kanë ata për të. (Gjoni 17:26; 1 Gjonit 4:11, 19) Një skrib jude, i cili, siç e kuptoi Jezui, po fliste me zgjuarsi, ishte dakord me Jezuin se dashuria për Perëndinë duhej të ishte «me gjithë zemër, me gjithë kuptueshmërinë e me gjithë forcën». (Marku 12:28-34) Ai kishte të drejtë. Dashuria që kultivojmë ne të krishterët për Perëndinë dhe për të afërmin përfshin ndjenjat dhe intelektin tonë. Është një dashuri që e ndiejmë në zemër dhe që është e udhëhequr nga mendja.
3. (a) Në ç’mënyrë Jezui e mësoi «një njeri që e njihte mirë Ligjin» se duhej të kishte një pikëpamje më të gjerë se kush ishte i afërmi i tij? (b) Si zbatohet për të krishterët sot ilustrimi i Jezuit?
3 Siç raportoi Luka, kur Jezui tha se duhet të duam të afërmin, «një njeri që e njihte mirë Ligjin» e pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui iu përgjigj me një shëmbëlltyrë. Një njeri e rrahën, e grabitën dhe e lanë gjysmë të vdekur në anë të rrugës. Andej kaluan së pari një prift, pastaj një levit. Që të dy bënë sikur s’e panë. Së fundi, kaloi një samaritan, e pa njeriun e plagosur dhe veproi me shumë mirëdashje ndaj tij. Cili nga të tre ishte i afërmi i njeriut të plagosur? Përgjigjja ishte e qartë. (Luka 10:25-37) Ai njeri që e njihte mirë Ligjin mund të jetë tronditur kur ka dëgjuar Jezuin të thotë se një samaritan mund të ishte i afërm më i mirë se një prift e një levit. Qartë, Jezui po e ndihmonte atë njeri të donte të afërmin e tij në një mënyrë më të gjerë. Edhe të krishterët duan në një mënyrë të tillë. Shqyrtoni tërë ata persona që përfshin dashuria e tyre.
Dashuria brenda familjes
4. Ku ushtron së pari dashuri një i krishterë?
4 Të krishterët i duan familjarët e tyre: gratë duan burrat, burrat duan gratë, prindërit duan fëmijët. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:9; Efesianëve 5:33; Titit 2:4) Është e vërtetë që lidhjet e dashurisë natyrore ekzistojnë në shumicën e familjeve. Megjithatë, raportet për martesa të prishura, për abuzim ndaj bashkëshortit dhe për fëmijë të lënë pas dore ose me të cilët është abuzuar tregojnë se sot familja është nën presion dhe ndjenjat e natyrshme familjare mund të mos mjaftojnë për ta mbajtur të bashkuar një familje. (2 Timoteut 3:1-3) Për ta bërë vërtet të suksesshme jetën e tyre familjare, të krishterët kanë nevojë të ushtrojnë atë lloj dashurie që kanë Jehovai dhe Jezui.—Efesianëve 5:21-27.
5. Kujt i drejtohen për ndihmë prindërit që të rritin fëmijët e tyre dhe cilat kanë qenë rezultatet për shumë prindër?
5 Prindërit e krishterë i konsiderojnë fëmijët si diçka që Jehovai ua ka lënë në mirëbesim dhe i drejtohen atij që t’i ndihmojë për t’i rritur. (Psalmi 127:3-5; Fjalët e urta [Proverbat] 22:6) Në këtë mënyrë, kultivojnë dashurinë e krishterë, e cila i ndihmon t’i ruajnë fëmijët nga ndikimet korruptuese, ndaj të cilave mund të bien pre të rinjtë. Rrjedhimisht, shumë prindër të krishterë kanë provuar një gëzim të ngjashëm me atë të një nëne në Holandë. Pasi pa pagëzimin e të birit—një nga 575 personat që u pagëzuan në Holandë vitin e kaluar—ajo shkroi sa vijon: «Në këtë moment, investimi im për 20 vitet e kaluara ka dhënë rezultat. E gjithë koha dhe energjia, si edhe lëndimi, përpjekjet e brengat, tani janë harruar.» Sa e lumtur është ajo që i biri, me vullnetin e tij të lirë, zgjodhi t’i shërbejë Jehovait! Maksimumi prej 31.089 lajmëtarësh që u raportua në Holandë vitin e kaluar përfshin edhe shumë që mësuan nga prindërit e tyre të duan Jehovain.
6. Si mund të ndihmojë dashuria e krishterë për të forcuar lidhjen martesore?
6 Pavli e quajti dashurinë ‘një lidhje të përsosur bashkimi’ dhe ajo mund ta mbrojë bashkimin martesor, edhe gjatë periudhave të stuhishme. (Kolosianëve 3:14, 18, 19; 1 Pjetrit 3:1-7) Kur një burrë në Rurutu, një ishull i vogël rreth 700 kilometra larg Tahitit, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, e shoqja iu kundërvu me forcë. Në fund, ajo mori fëmijët me vete, e la burrin dhe shkoi të jetonte në Tahiti. Megjithatë, ai tregoi dashuri duke i dërguar rregullisht para dhe duke e marrë në telefon për ta pyetur nëse ajo ose fëmijët kishin nevojë për ndonjë gjë. Në këtë mënyrë, bëri më të mirën për të përmbushur detyrimet e tij të krishtere. (1 Timoteut 5:8) Lutej vazhdimisht që familja e tij të bashkohej përsëri dhe, më së fundi, e shoqja u rikthye. Kur ajo veproi kështu, ai e trajtoi me ‘dashuri, qëndrueshmëri dhe butësi karakteri’. (1 Timoteut 6:11) Burri u pagëzua në vitin 1998 dhe, më vonë, u gëzua jashtë mase kur e shoqja pranoi të studionte Biblën. Ky studim ishte një nga 1.351 studimet e drejtuara vitin e kaluar në territorin e mbikëqyrur nga dega e Tahitit.
7. Sipas një burri në Gjermani, çfarë e forcoi martesën e tij?
7 Në Gjermani, një burrë e kundërshtonte interesin e së shoqes për të vërtetën biblike dhe ishte i bindur se Dëshmitarët e Jehovait donin ta mashtronin. Por, më vonë, i shkroi Dëshmitares që foli për herë të parë me gruan e tij: «Të falënderoj që e prezantove gruan time me Dëshmitarët e Jehovait. Fillimisht, isha i shqetësuar, sepse kisha dëgjuar shumë gjëra të këqija për ta. Por, tani, pasi kam ndjekur mbledhjet së bashku me gruan, e kuptoj sa gabim e kisha. E di se po dëgjoj të vërtetën, dhe kjo na e ka forcuar shumë martesën.» Të 162.932 Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani dhe 1.773 Dëshmitarët në ishujt nën mbikëqyrjen e degës së Tahitit, përfshijnë shumë familje të bashkuara në dashurinë hyjnore.
Dashuri për vëllezërit tanë të krishterë
8, 9. (a) Kush na mëson të duam vëllezërit tanë dhe çfarë na shtyn dashuria të bëjmë? (b) Jepni një shembull se si dashuria mund t’i ndihmojë vëllezërit që të mbështetin njëri-tjetrin në mënyrë reciproke.
8 Pavli u tha të krishterëve selanikas: «Ju vetë jeni mësuar nga Perëndia që të doni njëri-tjetrin.» (1 Selanikasve 4:9) Pikërisht, ata që janë «të mësuar nga Jehovai» e duan njëri-tjetrin. (Isaia 54:13, BR) Dashuria e tyre shprehet në veprim, siç e tregoi Pavli kur tha: «Nëpërmjet dashurisë, shërbeni si skllevër për njëri-tjetrin.» (Galatasve 5:13; 1 Gjonit 3:18) Këtë e bëjnë, për shembull, kur vizitojnë vëllezërit dhe motrat e sëmura, kur inkurajojnë të ligështuarit dhe kur mbështetin të dobëtit. (1 Selanikasve 5:14) Dashuria jonë e sinqertë e krishterë i kontribuon rritjes së parajsës sonë frymore.
9 Në kongregacionin Ankón (një nga 544 kongregacionet në Ekuador), vëllezërit e treguan dashurinë në një mënyrë praktike. Një krizë financiare i la të gjithë pa punë e pa të ardhura, kështu që lajmëtarët vendosën të fitonin ca para duke u shitur ushqim peshkatarëve vendës, kur këta vinin në shtëpi pasi kishin peshkuar natën. Të gjithë bashkëpunuan, duke përfshirë edhe fëmijët. U duhej të fillonin në orën 1.00 të mëngjesit, në mënyrë që ushqimi të ishte i përgatitur në orën 4.00 të mëngjesit, kur ktheheshin peshkatarët. Paratë që fitonin, vëllezërit i ndanin mes tyre sipas nevojave që kishin. Kjo ndihmë reciproke tregoi dashurinë e sinqertë të krishterë.
10, 11. Si mund të tregojmë dashuri për vëllezërit që nuk i njohim personalisht?
10 Megjithatë, dashuria jonë nuk kufizohet vetëm te të krishterët që njohim personalisht. Apostulli Pjetër tha: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.» (1 Pjetrit 2:17) I duam të gjithë vëllezërit e motrat, sepse janë që të gjithë adhurues të Perëndisë Jehova bashkë me ne. Periudhat e krizave mund të paraqesin raste për ta treguar këtë dashuri. Për shembull, gjatë vitit të shërbimit 2000, përmbytje të rënda goditën Mozambikun dhe një luftë civile që po zhvillohej në Angolë i la shumë veta të varfër. Shumë nga 31.725 vëllezërit në Mozambik dhe nga 41.222 vëllezërit në Angolë janë prekur nga këto ngjarje. Prandaj, Dëshmitarët në Afrikën e Jugut, vend fqinj, kanë dërguar sasi të mëdha furnizimesh për të lehtësuar vështirësitë e vëllezërve të tyre në këto vende. Gatishmëria e tyre për t’ua dhënë ‘tepricën’ vëllezërve të tyre nevojtarë tregoi dashurinë e tyre.—2 Korintasve 8:8, 13-15, 24.
11 Dashuria shihet edhe kur vëllezërit në shumë vende kontribuojnë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të Sallave të Asambleve në vendet më pak të begata. Një shembull është në Ishujt Solomon. Me gjithë trazirat e shumta, vitin e kaluar Ishujt Solomon patën një rritje me 6 për qind në numrin e lajmëtarëve, me një maksimum prej 1.697 lajmëtarësh. Ata planifikuan të ndërtonin një Sallë Asamblesh. Ndonëse shumë ishullarë po iknin nga vendi, nga Australia erdhën vullnetarë për të ndihmuar në ndërtim. Së fundi, vullnetarëve iu desh të largoheshin, por ndërkohë ata i kishin stërvitur vëllezërit vendës që të përfundonin themelet. Struktura e sallës, e cila ishte e parafabrikuar dhe prej çeliku, u dërgua me anije nga Australia dhe përfundimi i kësaj ndërtese të bukur për adhurim, në një kohë kur shumë kantiere ndërtimi në atë vend janë braktisur, do të jetë një dëshmi e shkëlqyer për emrin e Jehovait dhe për dashurinë e vëllezërve.
Ashtu si Perëndia, e duam botën
12. Si e imitojmë Jehovain në qëndrimin ndaj atyre që nuk janë të besimit tonë?
12 A kufizohet dashuria jonë vetëm për familjen dhe për vëllazërinë? Jo, nëse jemi «imitues të Perëndisë». Jezui tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Efesianëve 5:1; Gjoni 3:16) Ashtu si Perëndia Jehova, ne veprojmë me dashuri ndaj të gjithëve, duke përfshirë edhe ata që nuk janë të besimit tonë. (Luka 6:35, 36; Galatasve 6:10) Këtë e bëjmë veçanërisht duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë dhe duke u folur të tjerëve për aktin e madh të dashurisë së Perëndisë për ta. Kjo mund të sjellë si rrjedhojë shpëtimin e të gjithë atyre që dëgjojnë.—Marku 13:10; 1 Timoteut 4:16.
13, 14. Cilat janë disa përvoja të vëllezërve që treguan dashuri ndaj personave që nuk janë Dëshmitarë, edhe pse nuk ishte fare e volitshme për ta?
13 Shqyrtoni katër pionierë specialë në Nepal. Këta u caktuan në një qytet në jugperëndim të vendit dhe për pesë vitet e fundit kanë treguar dashurinë e tyre duke dhënë dëshmi me durim në qytet dhe në fshatrat përreth. Për të mbuluar territorin, shpesh udhëtojnë shumë orë me biçikletë, në temperatura të larta më shumë se 40 gradë Celsius. Dashuria dhe ‘qëndrueshmëria e tyre në veprën që është e mirë’ solli rezultate të shkëlqyera kur në një nga fshatrat u formua një grup i studimit të librit. (Romakëve 2:7) Në mars të vitit 2000, erdhën 32 veta për të dëgjuar fjalimin publik të mbajtur nga mbikëqyrësi qarkor. Vitin e kaluar, Nepali pati një maksimum me 430 lajmëtarë, një rritje prej 9 për qind. Duket qartë se Jehovai po e bekon zellin dhe dashurinë e vëllezërve në atë vend.
14 Në Kolumbi, pionierët specialë të përkohshëm shkuan t’u predikonin indianëve të fisit uaju. Për të bërë këtë, iu desh të mësonin një gjuhë të re, por interesi i tyre i dashur u shpërblye kur, me gjithë rrebeshin e madh, 27 veta ndoqën një fjalim publik. Zelli i shtyrë nga dashuria, si ky që treguan këta pionierë, i kontribuoi një rritjeje prej 5 për qind në Kolumbi dhe një maksimumi me 107.613 lajmëtarë. Në Danimarkë, një motër e moshuar donte të ndante lajmin e mirë me të tjerët, por ishte invalide. Pa u sprapsur, ajo mori kontakte me personat e interesuar duke u shkruar letra. Tani, ka korrespondencë me 42 veta dhe drejton 11 studime biblike. Ajo bën pjesë në maksimumin e 14.885 lajmëtarëve që raportuan në Danimarkë vitin e kaluar.
Të duam armiqtë
15, 16. (a) Siç tha Jezui, deri ku duhet të arrijë dashuria jonë? (b) Si e trajtuan me dashuri vëllezërit përgjegjës një individ që kishte bërë akuza të rreme kundër Dëshmitarëve të Jehovait?
15 Jezui i tha njeriut që e njihte mirë Ligjin se një samaritan mund të konsiderohej si i afërm. Në Predikimin në Mal, Jezui shkoi edhe më tej, kur tha: «Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duhet ta duash të afërmin tënd dhe ta urresh armikun tënd.’ Megjithatë, unë po ju them: Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju persekutojnë; që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:43-45) Edhe kur dikush na kundërshton, përpiqemi të ‘vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’. (Romakëve 12:19-21) Nëse është e mundur, ndajmë me të gjënë më të shtrenjtë që kemi, të vërtetën.
16 Në Ukrainë, një artikull në gazetën Kremenchuk Herald fliste për Dëshmitarët e Jehovait si për një sekt të rrezikshëm. Kjo ishte e rëndë, sepse në Evropë disa flasin për Dëshmitarët e Jehovait në këtë mënyrë, me qëllim që t’i bindin njerëzit se aktivitetet e Dëshmitarëve duhen kufizuar ose ndaluar. Prandaj, vëllezërit iu afruan botuesit të gazetës dhe i kërkuan të botonte një komunikatë për shtyp, duke korrigjuar artikullin. Ai pranoi, por, së bashku me komunikatën, botoi një deklaratë se artikulli origjinal bazohej në fakte. Kështu, vëllezërit përgjegjës iu afruan përsëri, duke i dhënë më shumë informacione. Së fundi, botuesi e kuptoi se artikulli origjinal ishte i gabuar dhe botoi një përgënjeshtrim. Mënyra e dashur për të zgjidhur situatën ishte të flitnin hapur e me mirëdashje me atë person dhe kjo dha rezultat të mirë.
Si mund ta kultivojmë dashurinë?
17. Ç’gjë e tregon se mund të mos jetë gjithnjë e lehtë të veprojmë me dashuri ndaj të tjerëve?
17 Kur lind një foshnjë, prindërit dashurohen menjëherë pas saj. T’i trajtosh me dashuri të rriturit nuk është gjithnjë kaq instinktive. Ndoshta kjo është arsyeja që Bibla në mënyrë të vazhdueshme na thotë ta duam njëri-tjetrin. Është diçka për të cilën duhet të punojmë. (1 Pjetrit 1:22; 4:8; 1 Gjonit 3:11) Kur tha që duhet ta falim vëllanë tonë «deri në shtatëdhjetë e shtatë herë», Jezui e dinte se dashuria jonë do të vihej në provë. (Mateu 18:21, 22) Edhe Pavli na nxiti që të ‘vazhdojmë të durojmë njëri-tjetrin’. (Kolosianëve 3:12, 13) Nuk habitemi që na është thënë: «Ndiqni dashurinë!» (1 Korintasve 14:1) Si mund ta bëjmë këtë?
18. Çfarë do të na ndihmojë të kultivojmë dashuri për të tjerët?
18 Së pari, mund të mbajmë gjithnjë në mend dashurinë që kemi për Perëndinë Jehova. Kjo dashuri është një nxitje e fortë që të duam të afërmin tonë. Përse? Sepse kur veprojmë kështu, kjo e nderon Atin tonë qiellor dhe i sjell lavdi e lëvdim atij. (Gjoni 15:8-10; Filipianëve 1:9-11) Së dyti, mund të përpiqemi t’i shohim gjërat siç i sheh Jehovai. Çdo herë që mëkatojmë, ne mëkatojmë kundër Jehovait e, megjithatë, në mënyrë të vazhdueshme ai na fal dhe vazhdon të na dojë. (Psalmi 86:5; 103:2, 3; 1 Gjonit 1:9; 4:18) Nëse zhvillojmë pikëpamjen e Jehovait, do të jemi të prirur t’i duam të tjerët dhe t’ua falim shkeljet që na bëjnë. (Mateu 6:12) Së treti, mund t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç duam të na trajtojnë ata. (Mateu 7:12) Duke qenë se jemi të papërsosur, kemi nevojë shpesh të na falin. Për shembull, kur themi gjëra që lëndojnë të tjerët, shpresojmë që ata të mos e harrojnë se të gjithë mëkatojnë me gjuhën herë pas here. (Jakovit 3:2) Nëse duam që të tjerët të na trajtojnë me dashuri, edhe ne duhet t’i trajtojmë me dashuri.
19. Si mund ta kërkojmë ndihmën e frymës së shenjtë për të kultivuar dashurinë?
19 Së katërti, mund të kërkojmë ndihmën e frymës së shenjtë, sepse dashuria është pjesë e fryteve të frymës. (Galatasve 5:22, 23) Miqësitë, ndjenjat familjare dhe dashuria romantike shpesh janë instinktive. Por, kemi nevojë për frymën e Jehovait që të kultivojmë dashurinë që ka ai, dashurinë që është një lidhje e përsosur bashkimi. Mund ta kërkojmë ndihmën e frymës së shenjtë, duke lexuar Biblën e frymëzuar. Për shembull, nëse studiojmë jetën e Jezuit, do të shohim si i trajtoi ai njerëzit dhe mund të mësojmë ta imitojmë. (Gjoni 13:34, 35; 15:12) Gjithashtu, mund t’i kërkojmë Jehovait frymën e shenjtë, veçanërisht në situata që na e bëjnë të vështirë të veprojmë me dashuri. (Luka 11:13) Së fundi, mund ta ushtrojmë dashurinë duke qëndruar afër kongregacionit të krishterë. Shoqërimi me vëllezër të dashur e motra të dashura na ndihmon të kultivojmë dashurinë.—Fjalët e urta 13:20.
20, 21. Çfarë shfaqjeje të jashtëzakonshme dashurie dhanë Dëshmitarët e Jehovait gjatë vitit të shërbimit 2000?
20 Vitin e kaluar, përreth botës pati një maksimum me 6.035.564 lajmëtarë të lajmit të mirë. Dëshmitarët e Jehovait harxhuan gjithsej 1.171.270.425 orë duke kërkuar njerëzit, me qëllim që t’u flitnin për lajmin e mirë. Dashuria i shtyu të duronin të nxehtët, shiun dhe të ftohtët, ndërsa zhvillonin këtë vepër. Dashuria i shtyu t’u flitnin shokëve të shkollës e të punës dhe t’u afroheshin të panjohurve në rrugë e në vende të tjera. Shumë nga ata që Dëshmitarët i vizituan ishin apatikë dhe disa ishin kundërshtarë. Megjithatë, disa të tjerë treguan interes, kështu që u bënë 433.454.049 rivizita dhe u drejtuan 4.766.631 studime biblike.a
21 E gjithë kjo ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e dashurisë që kanë Dëshmitarët e Jehovait për Perëndinë dhe për të afërmin e tyre. Kjo dashuri nuk do të venitet kurrë. Jemi të sigurt se gjatë vitit të shërbimit 2001 njerëzimit do t’i jepet një dëshmi edhe më e madhe. Bekimi i Jehovait vazhdoftë me adhuruesit e tij besnikë e të zellshëm, ndërsa ‘i lënë punët e tyre të bëhen me dashuri’!—1 Korintasve 16:14.
[Shënimi]
a Për hollësi të plota të raportit të vitit të shërbimit 2000, shih tabelën në faqet 18-21.
A mund ta shpjegoni?
• Kë imitojmë kur duam të afërmin tonë?
• Deri ku duhet të arrijë dashuria jonë?
• Cilat janë disa përvoja që tregojnë dashurinë e krishterë?
• Si mund ta kultivojmë dashurinë e krishterë?
[Tabela në faqet 18-21]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2000
(Shiko botimin.)
[Figurat në faqen 15]
Dashuria e krishterë mund ta mbajë të bashkuar një familje
[Figurat në faqen 17]
Dashuria na shtyn ta ndajmë shpresën tonë me të tjerët