Racat e njerëzve
Përkufizimi: Në kuptimin që përdoret këtu, racë do të thotë një grupim i madh i shoqërisë njerëzore që ka disa tipare fizike karakteristike, të cilat janë të trashëgueshme e të mjaftueshme për ta dalluar atë grup si të veçantë. Megjithatë, fakti që individë të racave të ndryshme mund të martohen mes tyre e të lindin fëmijë, përbën një provë se ata i përkasin të njëjtit «lloj» dhe të gjithë bëjnë pjesë në familjen njerëzore. Prandaj, racat e ndryshme janë thjesht shprehje e gjithë larmisë që mund të ofrojë njerëzimi.
Nga kanë ardhur racat e ndryshme?
Zan. 5:1, 2; 1:28: «Ditën kur e krijoi, Perëndia e bëri Adamin në ngjashmëri me të. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër. Ditën që i krijoi, i bekoi dhe u vuri emrin Njeri [ose Njerëzim].» «Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.’» (Pra, të gjithë njerëzit janë pasardhës të Adamit dhe Evës, çiftit të parë njerëzor.)
Vep. 17:26: «Nga një njeri i vetëm [Adami] ai [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.» (Prandaj, pavarësisht se nga cilat raca përbëhet një komb, ato kanë ardhur të gjitha nga Adami.)
Zan. 9:18, 19: «Bijtë e Noesë që dolën nga arka, ishin Semi, Kami dhe Jafeti. . . . Këta të tre ishin bijtë e Noesë dhe prej këtyre popullsia e tokës u përhap kudo.» (Pasi Perëndia shfarosi botën e paperëndishme me anë të një përmbytjeje globale në ditët e Noesë, popullsia e re e tokës, e përbërë nga të gjitha racat e njohura sot, rrodhi nga pasardhësit e tre bijve të Noesë dhe të grave të tyre.)
A ishin Adami dhe Eva personazhe të trilluara?
Kjo pikëpamje nuk gjen mbështetje në Bibël. Shih temën «Adami dhe Eva».
Ku e mori Kaini gruan, nëse atëherë ekzistonte vetëm një familje?
Zan. 3:20: «Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve.» (Kështu të gjithë njerëzit do të ishin pasardhës të Adamit dhe Evës.)
Zan. 5:3, 4: «Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në ngjashmëri me të, sipas shëmbëlltyrës së tij, dhe e quajti Set. Pas lindjes së Setit, Adami jetoi edhe tetëqind vjet. Ndërkohë i lindën bij e bija.» (Kaini ishte një nga bijtë e Adamit dhe mori për grua një nga bijat e Adamit. Në atë periudhë të historisë njerëzore, njerëzit ende kishin një forcë dhe shëndet fizik mjaft të mirë, siç tregohet nga jetëgjatësia e tyre. Ndaj edhe rreziku që të përcilleshin disa të meta fizike nga martesa me të afërm të ngushtë, nuk ishte i madh. Megjithatë, rreth 2.500 vjet më vonë, kur gjendja fizike e njerëzimit ishte përkeqësuar dukshëm, Jehovai i dha Izraelit ligje që ndalonin incestin.)
Zan. 4:16, 17: «Kaini iku nga prania e Jehovait dhe u vendos në tokën e Arratisë [ose në Nod], në lindje të Edenit. Pastaj, Kaini pati marrëdhënie me gruan e tij [«njohu të shoqen», domethënë, kreu marrëdhënie me të, Dio, DSF;] dhe ajo mbeti shtatzënë e lindi Enokun.» (Pra, shkrimi nuk thotë se Kaini e takoi gruan e tij në vendin ku shkoi, sikur ajo të ishte nga një familje tjetër. Përkundrazi, në atë vend pati marrëdhënie me të dhe i lindi një djalë.)
Si shpjegohet zhvillimi i karakteristikave të ndryshme racore?
«Të gjithë njerëzit sot i përkasin një lloji të vetëm, Homo sapiens, dhe e kanë prejardhjen nga një trung i përbashkët. . . . Ndryshimet biologjike që vërehen mes qenieve njerëzore, shpjegohen me ndryshimet në natyrën e trashëgimisë gjenetike dhe me ndikimin e mjedisit në këtë potencial gjenetik. Në pjesën më të madhe të rasteve, këto ndryshime ekzistojnë falë ndërveprimit të këtyre dy faktorëve. . . . Shpesh janë më të spikatshme ndryshimet mes individëve të së njëjtës racë ose të së njëjtës popullsi, se ndryshimet mes racave ose popullsive të ndryshme.»—Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh të mbledhur nga UNESCO, sipas Deklaratës për racën (Nju-Jork, 1972, bot. III), Ashli Montagu, f. 149, 150.
«Me racë nënkuptojmë thjesht një nga grupimet gjenetike pjesërisht të veçuara, në të cilat u ndanë njerëzit gjatë dhe pas shtrirjes së tyre të hershme gjeografike. Duke folur në vija të trasha, në secilën nga pesë zonat e mëdha kontinentale të tokës u zhvillua nga një racë. . . . Faktikisht, gjatë kësaj periudhe të historisë, njerëzimi u degëzua gjenetikisht, dhe ne mund t’i njohim e studiojmë rezultatet e këtij degëzimi falë asaj që ka mbetur deri më sot nga racat e hershme, sipas ndarjeve gjeografike. Siç mund të presim, duket se larmia e racave e përftuar nga ky degëzim, është në raport me shkallën e veçimit. . . . Në kohën kur u formuan racat nëpër kontinente dhe u izoluan mijëra popullsi nëpër grupime gjenetike të veçuara në mbarë botën, u përcaktuan edhe ndryshimet që shohim sot në shpeshtësinë e gjeneve. . . . Paradoksi me të cilin përballemi, është se nga jashtë shohim ndryshime te çdo grup njerëzish, por pas këtyre ndryshimeve ka ngjashmëri thelbësore.» (Heredity and Human Life, Nju-Jork, 1963, H. L. Karsën, f. 151, 154, 162, 163) (Prandaj, në fillimet e historisë njerëzore, kur individët e një grupi njerëzish veçoheshin nga të tjerët dhe martoheshin brenda për brenda grupit, te pasardhësit e tyre spikatnin disa tipare të veçanta gjenetike.)
A mëson Bibla se zezakët janë të mallkuar?
Ky mendim bazohet në një interpretim të gabuar të Zanafillës 9:25, ku citohen fjalët e Noesë: «Mallkuar qoftë Kanaani! Qoftë skllavi më i ulët i vëllezërve të tij!» Po të lexohet me vëmendje, kuptohet qartë se këtu nuk thuhet asgjë për ngjyrën e lëkurës. Ky mallkim u dha, sepse Kanaani, i biri i Kamit, duhej të kishte bërë ndonjë veprim të mbrapshtë, që meritonte mallkimin. Por, kush ishin pasardhësit e Kanaanit? Jo zezakët, por një popullsi me ngjyrë lëkure më të çelët, që jetonin në lindje të Detit Mesdhe. Për shkak të praktikave të tyre të shthurura, të riteve demonike, idhujtarisë dhe flijimit të fëmijëve, kananitët u gjykuan nga Perëndia, i cili ia dha Izraelit vendin që këta zotëronin. (Zan. 10:15-19) Jo të gjithë kananitët u shfarosën, përkundrazi, në përmbushje të këtij mallkimi, disa prej tyre iu nënshtruan punës së detyruar.—Jos. 17:13.
Nga cili prej pasardhësve të Noesë erdhën zezakët? «Bijtë e Kushit [njëri nga djemtë e tjerë të Kamit] ishin: Seba, Havilahu, Sabtahu, Raamahu dhe Sabtekai.» (Zan. 10:6, 7) Referime të mëvonshme biblike për Kushin përkojnë me Etiopinë. Më vonë, Seba përdoret kur bëhet fjalë për një popull tjetër të Afrikës Lindore që, me sa duket, ishte fqinj me Etiopinë.—Isa. 43:3, shënimi në botimin me referime i BR, anglisht.
A janë të gjithë njerëzit bij të Perëndisë?
Për shkak të papërsosmërisë sonë, ne nuk jemi bij të Perëndisë që nga lindja. Megjithatë, që të gjithë jemi pasardhës të Adamit, i cili ishte «bir i Perëndisë», sepse u krijua i përsosur.—Luka 3:38.
Vep. 10:34, 35: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»
Gjoni 3:16: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Ne duhet të tregojmë besim të vërtetë te Jezui, që të arrijmë të kemi me Perëndinë atë marrëdhënie që humbi Adami. Këtë privilegj mund ta kenë njerëz të të gjitha racave.)
1 Gjon. 3:10: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij.» (Pra, Perëndia nuk i sheh të gjithë njerëzit si bij të tij. Në kuptimin frymor, ata që praktikojnë me qëllim gjërat që Perëndia i dënon, kanë si Atë të tyre Djallin. Shih Gjonin 8:44. Ndryshe nga këta, të krishterët e vërtetë pasqyrojnë cilësi hyjnore. Perëndia ka zgjedhur nga gjiri i tyre një numër të kufizuar që të mbretërojnë me Krishtin në qiell. Këta Perëndia i quan ‘fëmijët’ ose ‘bijtë’ e tij. Për hollësi të mëtejshme, shih temën «Lindësh përsëri (Të)».)
Rom. 8:19-21: «Krijesa po pret me një pritje të zjarrtë zbulimin e bijve të Perëndisë. . . . Edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Çlirimi i njerëzimit do të vijë kur ‘bijtë e Perëndisë’, pasi të fitojnë jetën qiellore, ‘të zbulohen’ duke ndërmarrë veprime për të mirën e njerëzimit, nën drejtimin e Krishtit. Pasi besnikët në tokë [që në këtë shkrim përmenden si «krijesa»] të kenë arritur përsosmërinë njerëzore dhe të kenë treguar besnikëri të patundur ndaj Jehovait si Sovran Universal, edhe ata do të gëzojnë një marrëdhënie të shkëlqyer me Perëndinë, duke u bërë bij të tij. Këtë mundësi do ta kenë njerëzit e të gjitha racave.)
A do të bashkohen ndonjëherë njerëzit e të gjitha racave si vëllezër e motra?
Atyre që do të ishin dishepujt e tij të vërtetë, Jezui u tha: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mat. 23:8) Më vonë, ai shtoi: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
Me gjithë papërsosmërinë njerëzore, të krishterët e parë e përjetuan vërtet këtë ndjenjë uniteti. Apostulli Pavël shkroi: «Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër, sepse ju jeni të gjithë një person në unitet me Krishtin Jezu.»—Gal. 3:28.
Vëllazëria e krishterë, e panjollosur nga dallimet racore, spikat vërtet mes Dëshmitarëve të Jehovait në kohën tonë. Një shkrimtar katolik u shpreh në një revistë: «Jam i mendimit se një nga karakteristikat më tërheqëse të [organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait] ka qenë politika tradicionale e barazisë racore.» (Uilliam Ualen për U.S. Catholic) Pasi bëri një studim të gjerë për Dëshmitarët e Jehovait në Afrikë, sociologu Brajan Uilson i Universitetit të Oksfordit tha: «Dëshmitarët ka të ngjarë të jenë grupi më i suksesshëm në ritmin me të cilin kanë shfarosur diskriminimin fisnor në radhët e anëtarëve të tyre.» Duke raportuar për një grumbullim ndërkombëtar të Dëshmitarëve nga 123 vende, një revistë mjaft e njohur tha: «Dëshmitarët lanë mbresa te njujorkezët jo vetëm me numrin e tyre të madh, por edhe me larminë që kanë (në gjirin e tyre ka njerëz të të gjitha shtresave shoqërore), me ndjenjën bujare të barazisë racore (shumë Dëshmitarë janë zezakë) dhe me sjelljen e mirë dhe të qetë.»—The New York Times Magazine.
Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë sistemin e tanishëm të paperëndishëm, duke përfshirë të gjithë ata që nuk e duan me të vërtetë Perëndinë Jehova dhe të tjerët. (Dan. 2:44; Luka 10:25-28) Fjala e Perëndisë premton që të mbijetuarit do të jenë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbul. 7:9) Të lidhur në saje të adhurimit të Perëndisë së vërtetë, të besimit në Jezu Krishtin dhe të dashurisë për njëri-tjetrin, ata do të formojnë një familje njerëzore vërtet të bashkuar.