Kapitulli 14
Autoritetin e kujt duhet të njohësh?
1, 2. A janë të dëmshme të gjitha format e autoritetit? Shpjego.
«AUTORITET» është një fjalë e pakëndshme për shumë njerëz. Kjo është e kuptueshme, sepse autoriteti shpërdorohet shpesh: në vendin e punës, në familje dhe nga qeveritë. Në mënyrë realiste Bibla thotë: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Eklisiastiu 8:9) Po, shumë persona kanë sunduar mbi të tjerët, duke vepruar në një mënyrë tiranike dhe egoiste.
2 Por jo çdo autoritet është i dëmshëm. Për shembull, mund të themi se trupi ynë ushtron autoritet mbi ne. Ai na «urdhëron» të marrim frymë, të hamë, të pimë dhe të flemë. A është shtypëse kjo? Jo. Pajtimi me këto kërkesa është për të mirën tonë. Edhe pse nënshtrimi ndaj nevojave tona trupore mund të jetë i pavullnetshëm, ekzistojnë forma të tjera autoriteti që kërkojnë nga ne nënshtrim të vullnetshëm. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
AUTORITETI SUPREM
3. Përse me të drejtë Jehovai quhet «Zoti Sovran»?
3 Mbi 300 herë në Bibël, Jehovai është quajtur «Zoti Sovran». Sovran është ai që zotëron një autoritet suprem. Nga e merr Jehovai të drejtën për këtë pozitë? Zbulesa 4:11 përgjigjet: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.»
4. Si zgjedh Jehovai për të ushtruar autoritetin e tij?
4 Si krijuesi ynë, Jehovai ka të drejtë ta ushtrojë autoritetin e tij në mënyrën që ai do. Kjo mund të duket e frikshme, veçanërisht kur shqyrtojmë se Perëndia zotëron një «bollëk të energjisë dinamike». Ai quhet «Perëndi i Plotfuqishëm», term që në hebraisht jep idenë e një fuqie të jashtëzakonshme (Isaia 40:26, BR; Zanafilla 17:1) Megjithatë, Jehovai e tregon fuqinë e tij në mënyrë dashamirëse, sepse cilësia e tij kryesore është dashuria.—1. Gjonit 4:16.
5. Përse nuk është e vështirë për t’iu nënshtruar autoritetit të Jehovait?
5 Megjithëse Jehovai paralajmëroi se do të sillte ndëshkimin mbi shkelësit e papenduar, Moisiu e njihte atë kryesisht si «Perëndi i së vërtetës, Perëndi besnik, që e ruan besëlidhjen dhe dashamirësinë e dashur, ndaj atyre që e duan dhe që i mbajnë urdhërimet e tij». (Ligji i përtërirë 7:9, BR) Vetëm imagjino! Autoriteti suprem i universit nuk na detyron t’i shërbejmë. Në vend të kësaj, ajo që na tërheq tek ai është dashuria e tij. (Romakëve 2:4; 5:8) Nënshtrimi ndaj autoritetit të Jehovait është madje një kënaqësi, sepse ligjet e tij veprojnë gjithmonë për dobinë tonë të përhershme.—Psalmi 19:7, 8.
6. Si u ngrit çështja e autoritetit në kopshtin e Edenit dhe me çfarë rezultati?
6 Prindërit tanë të parë e hodhën poshtë sovranitetin e Perëndisë. Ata donin të vendosnin vetë se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. (Zanafilla 3:4-6) Si rezultat, ata u përzunë nga shtëpia e tyre parajsore. Pas kësaj, Jehovai i lejoi njerëzit të krijonin strukturat e autoritetit, gjë që do t’u jepte mundësinë për të jetuar në një shoqëri të rregullt, edhe pse të papërsosur. Cilat janë disa nga këto autoritete dhe deri në ç’masë pret Perëndia që t’u nënshtrohemi atyre?
‘PUSHTETET E SIPËRME’
7. Kush janë «pushtetet e sipërm» dhe si lidhet pozita e tyre me autoritetin e Perëndisë?
7 Apostulli Pavël shkroi: «Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë.» Fjalët e Pavlit në vargjet e mëposhtme tregojnë se «pushtetet e sipërm» janë qeveritë njerëzore. (Romakëve 13:1-7; Titit 3:1) Jehovai nuk i krijoi këta sundimtarë, por ata ekzistojnë sepse ai i lejoi. Kështu, Pavli mundi të shkruante: «Pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.» Çfarë tregon kjo në lidhje me autoritetin tokësor? Që është i varur, apo inferior ndaj autoritetit të Perëndisë. (Gjoni 19:10, 11) Prandaj, kur ekziston një konflikt midis ligjit të Perëndisë dhe ligjit të njerëzve, të krishterët duhet të udhëhiqen nga ndërgjegjja e tyre e bazuar në Bibël. Ata ‘duhet t’i binden Perëndisë më shumë se sa njerëzve’.—Veprat 5:29.
8. Në ç’mënyrë mund të përfitosh nga autoritetet e larta dhe si mund të tregosh nënshtrim ndaj tyre?
8 Megjithatë, prej shumë kohësh autoritetet e larta qeveritare veprojnë si ‘shërbëtorë të Perëndisë për ne, për të mirën tonë’. (Romakëve 13:4) Në çfarë mënyrash? Mendo mbi shërbimet e shumta që sigurojnë autoritetet e larta, të tilla si shpërndarja postare, policia, mbrojtja nga zjarri, higjienizimi dhe arsimimi. «Sepse për këtë paguani edhe tatimet,—shkroi Pavli,—sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.» (Romakëve 13:6) Në lidhje me taksat apo me çdo detyrim tjetër ligjor, ne duhet «të sillemi me ndershmëri në të gjitha».—Hebrenjve 13:18, BR.
9, 10. (a) Si i përshtaten autoritetet e larta rregullimit të Perëndisë? (b) Përse do të jetë i gabuar dhe i pakuptimtë kundërshtimi i autoriteteve të larta?
9 Ndërkohë, autoritetet e larta e shpërdorojnë pozitën e tyre. A duhet të na shfajësojë kjo nga përgjegjësia që kemi për të mbetur të nënshtruar ndaj tyre? Sigurisht që jo. Jehovai i sheh aktet e shëmtuara të këtyre autoriteteve. (Proverbat 15:3) Nëse e toleron sundimin e njeriut, kjo nuk do të thotë se ai nuk e përfill korrupsionin e tij; as pret që ne të bëjmë kështu. Në të vërtetë, qëllimi i Perëndisë është që së shpejti «të copëtojë dhe të asgjësojë tërë këto mbretëri», duke i zëvendësuar ato me sundimin e qeverisë së tij të drejtë. (Danieli 2:44) Por deri sa të ndodhë kjo, autoritetet e larta shërbejnë për një qëllim të dobishëm.
10 Pavli shpjegoi: «Prandaj, ai që i kundërshton pushtetit, i kundërshton rendit të vendosur prej Hyjit.» (Romakëve 13:2, DSF) Autoritetet e larta janë «rend» i Perëndisë, në atë kuptim që ruajnë një masë të rregullit, pa të cilin do të mbretëronin kaosi dhe anarkia. Kundërshtimi i tyre do të ishte jobiblik dhe i pakuptimtë. Për ta ilustruar këtë imagjino se ke bërë një operacion dhe qepjet të kanë siguruar plagën. Megjithëse penjtë janë të huaj për trupin, ata shërbejnë për një qëllim gjatë një kohe të caktuar. Heqja e tyre përpara kohës, mund të jetë e dëmshme. Në mënyrë të ngjashme, qeveritë tokësore nuk ishin pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë. Megjithatë, derisa Mbretëria e tij të sundojë në të gjithë tokën, qeveritë tokësore e mbajnë të bashkuar shoqërinë, duke kryer një funksion që i përshtatet vullnetit të Perëndisë për kohën e tanishme. Pra, ne duhet t’u nënshtrohemi autoriteteve të larta për aq kohë sa ato shërbejnë për një qëllim të dobishëm dhe nuk kërkojnë gjëra që bien ndesh me ligjin e Perëndisë.
AUTORITETI NË FAMILJE
11. Si do ta shpjegoje parimin e kryesisë?
11 Familja është njësia bazë e shoqërisë njerëzore. Brenda saj, burri dhe gruaja mund të gjejnë shoqëri të dobishme dhe fëmijët mund të jenë të mbrojtur dhe të përgatitur për të ardhmen. (Proverbat 5:15-21; Efesianëve 6:1-4) Ky rregullim i shkëlqyer kërkon një organizim të atillë, që të mund t’i ndihmojë anëtarët e familjes të jetojnë në paqe dhe në harmoni. Mënyra e Jehovait për plotësimin e këtij rregullimi, bazohet në parimin e kryesisë, që përmblidhet me këto fjalë që gjenden në 1. Korintasve 11:3: «Kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.»
12, 13. Kush është kreu i familjes dhe çfarë mund të mësohet nga mënyra e Jezuit në të ushtruarin e kryesisë?
12 Burri është kreu i familjes. Megjithatë, edhe ai ka një krye mbi veten, Jezu Krishtin. Pavli shkroi: «Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën [kongregacionin, BR] dhe e ka dhënë veten e vet për të.» (Efesianëve 5:25) Një burrë e pasqyron nënshtrimin e tij ndaj Krishtit, kur e trajton gruan në atë mënyrë që Jezui vazhdimisht e trajtonte kongregacionin. (1. Gjonit 2:6) Jezuit i kishin dhënë autoritet të madh, por ai e ushtroi atë me butësi të madhe, dashuri dhe arsyetueshmëri. (Mateu 20:25-28) Si burrë, Jezui nuk abuzoi kurrë me pozitën e tij autoritare. Ai ishte «zemërbutë dhe i përulur nga zemra» dhe i quante ithtarët e tij «miq» e jo «skllevër». «Unë do t’ju jap çlodhje»,—u premtoi atyre dhe kështu bëri.—Mateu 11:28, 29; Gjoni 15:15.
13 Shembulli i Jezuit i mëson bashkëshortët se kryesia e krishterë nuk është një pozitë për të sunduar me ashpërsi. Përkundrazi, është shprehje e respektit dhe e dashurisë vetëflijuese. Kjo e përjashton në mënyrë të qartë keqtrajtimin fizik apo gojor të bashkëshortes. (Efesianëve 4:29, 31, 32; 5:28, 29; Kolosianëve 3:19) Nëse një burrë i krishterë e keqtrajton gruan e tij, veprat e tjera të mira të tij do të jenë të pavlefshme dhe lutjet e tij nuk do të dëgjohen.—1. Korintasve 13:1-3; 1. Pjetrit 3:7.
14, 15. Në ç’mënyrë njohuria mbi Perëndinë e ndihmon një grua për t’iu nënshtruar burrit të saj?
14 Kur bashkëshorti imiton shembullin e Krishtit, për gruan e tij është më e lehtë të veprojë në përputhje me fjalët e shkruara në Efesianëve 5:22, 23: «Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës.» Ashtu si një burrë duhet të jetë i nënshtruar ndaj Krishtit, edhe një grua duhet të jetë e nënshtruar ndaj burrit të saj. Bibla e bën të qartë se gratë e afta meritojnë nderim dhe lavdërim për mençurinë hyjnore dhe zellin e tyre.—Proverbat 31:10-31.
15 Ashtu si bindja e një të krishteri ndaj autoriteteve të larta është relative, edhe nënshtrimi i gruas së krishterë ndaj burrit të saj është relativ. Nëse nënshtrimi në një rast të caktuar përbën një dhunim të ligjit hyjnor, duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë se njerëzve. Edhe në këtë rast, qëndrimi i patundur i gruas duhet zbutur me një frymë «të butë dhe të qetë». Duhet të jetë e dukshme se njohuria e Perëndisë e ka bërë atë një grua më të mirë. (1. Pjetrit 3:1-4) E njëjta gjë aplikohet edhe në rastin e një të krishteri, gruaja e të cilit nuk është besimtare. Pajtimi i tij me parimet e Biblës, duhet ta bëjë një bashkëshort më të mirë.
16. Si mund ta imitojnë fëmijët shembullin e Jezuit kur ishte i ri?
16 Efesianëve 6:1, shpjegon rolin e fëmijëve, duke deklaruar: «Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.» Fëmijët e krishterë ndjekin shembullin e Jezuit, i cili iu nënshtrua prindërve të tij ndërsa rritej. Si një djalë i bindur, ai «rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve».—Luka 2:51, 52.
17. Çfarë ndikimi mund të ketë mbi fëmijët, mënyra se si prindërit e ushtrojnë autoritetin?
17 Mënyra se si prindërit i trajtojnë përgjegjësitë e tyre, mund të ndikojë mbi faktin nëse fëmijët e tyre do ta respektojnë autoritetin apo do të rebelohen kundër tij. (Proverbat 22:6) Kështu, do të ishte mirë që prindërit të pyesnin veten: «A e ushtroj autoritetin me dashuri apo me ashpërsi? A toleroj?» Nga një prind i krishterë, pritet që të jetë i dashur dhe i kujdesshëm, por i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për t’iu përmbajtur parimeve hyjnore. Në mënyrë të përshtatshme, Pavli shkroi: «Etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.»—Efesianëve 6:4; Kolosianëve 3:21.
18. Si duhet zbatuar disiplina prindërore?
18 Prindërit duhet t’i shqyrtojnë me hollësi metodat e përgatitjes së tyre, veçanërisht nëse dëshirojnë të kenë fëmijë të bindur e kështu t’u sjellin gëzim. (Proverbat 23:24, 25) Në Bibël, disiplina është para së gjithash një formë e stërvitjes. (Proverbat 4:1; 8:33) Ajo lidhet me dashurinë dhe butësinë, jo me zemërimin apo brutalitetin. Kështu, prindërit e krishterë duhet të veprojnë me mençuri dhe të jenë të përmbajtur kur i disiplinojnë fëmijët e tyre.—Proverbat 1:7.
AUTORITET NË KONGREGACION
19. Në ç’mënyrë e ka siguruar Perëndia rregullin për dobinë e kongregacionit të krishterë?
19 Pasi Jehovai është Perëndi i rregullit, është e logjikshme që ai t’i sigurojë udhëheqje të besueshme dhe të organizuar mirë popullit të tij. Në përputhje me këtë, ai emëroi Jezuin si Kreun e kongregacionit të krishterë. (1. Korintasve 14:33, 40; Efesianëve 1:20-23) Nën udhëheqjen e padukshme të Krishtit, Perëndia ka vendosur një rregullim, sipas të cilit pleqtë e emëruar në çdo kongregacion e kullosin kopenë me dëshirë, vullnetarisht dhe me dashuri. (1. Pjetrit 5:2, 3) Shërbëtorët ndihmës i ndihmojnë ata me mënyra të ndryshme dhe bëjnë një shërbim të vlefshëm brenda kongregacionit.—Filipianëve 1:1.
20. Pse duhet t’u nënshtrohemi pleqve të emëruar të krishterë dhe çfarë dobie sjell kjo?
20 Në lidhje me pleqtë e krishterë, Pavli shkroi: «Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.» (Hebrenjve 13:17) Me mençuri, Perëndia u ka besuar mbikëqyrësve të krishterë, përgjegjësinë për t’u kujdesur për nevojat frymore të pjesëtarëve të kongregacionit. Këta pleq nuk përbëjnë një klasë klerikësh. Ata janë shërbëtorë dhe skllevër të Perëndisë që u shërbejnë nevojave të adhuruesve të tjerë në kongregacionin e tyre, ashtu si bëri Zotëria ynë, Jezu Krishti. (Gjoni 10:14, 15) Fakti që burra të kualifikuar nga ana frymore interesohen për rritjen dhe përparimin tonë frymor, na inkurajon të bashkëpunojmë me ta dhe të jemi të nënshtruar.—1. Korintasve 16:16.
21. Në ç’mënyrë pleqtë e emëruar kërkojnë që t’i ndihmojnë të bashkëkrishterët në aspektin frymor?
21 Ndërkohë, delet mund të gënjehen apo të rrezikohen nga elementët e dëmshëm botërorë. Nën udhëheqjen e Bariut kryesor, pleqtë si nënbarinj, vigjilojnë mbi ata që kanë nevojë e që ndodhen nën kujdesin e tyre dhe janë të zellshëm për t’u dhënë ndihmë personale. (1. Pjetrit 5:4) Ata i vizitojnë anëtarët e kongregacionit dhe i ndihmojnë me fjalë inkurajuese. Duke ditur se Djalli kërkon të prishë paqen e popullit të Perëndisë, pleqtë përdorin mençurinë që vjen nga lart për trajtimin e problemeve. (Jakovit 3:17, 18) Ata përpiqen shumë për të ruajtur njëjtësinë e besimit dhe unitetin, gjë për të cilën edhe vetë Jezui u lut.—Gjoni 17:20-22; 1. Korintasve 1:10.
22. Çfarë ndihme sigurojnë pleqtë në rastet e shkeljeve?
22 Ç’mund të themi nëse një i krishterë vuan nga ndonjë e keqe apo shkurajohet për shkak të kryerjes së një mëkati? Këshillat qetësuese të Biblës dhe lutjet e përzemërta të pleqve, mund ta ndihmojnë atë që të ripërtërijë shëndetin e tij frymor. (Jakovit 5:13-15) Këta burra të emëruar nga fryma e shenjtë, kanë gjithashtu autoritet të zbatojnë disiplinën dhe të qortojnë ndonjë që ndjek një rrugë të gabuar apo rrezikon pastërtinë frymore dhe morale të kongregacionit. (Veprat 20:28; Titit 1:9; 2:15) Për të ruajtur pastërtinë e kongregacionit, mund të jetë e nevojshme që individët t’i rrëfejnë gabimet serioze. (Levitiku 5:1) Nëse një i krishterë që ka kryer një mëkat të rëndë, pranon qortimin e disiplinën dhe jep dëshmi të një pendimi të sinqertë, do të ndihmohet. Sigurisht, ata që dhunojnë vazhdimisht dhe pa u penduar ligjin e Perëndisë, do të përjashtohen.—1. Korintasve 5:9-13.
23. Çfarë sigurojnë mbikëqyrësit e krishterë për dobinë e kongregacionit?
23 Bibla paratha se nën Jezu Krishtin si Mbret, do të emërohen njerëz të pjekur frymësisht, për t’i siguruar ngushëllim, mbrojtje dhe freskim popullit të Perëndisë. (Isaia 32:1, 2) Ata do të marrin udhëheqjen si ungjillëzues, barinj dhe mësues për të siguruar rritjen frymore. (Efesianëve 4:11, 12, 16) Megjithëse mbikëqyrësit e krishterë disa herë mund të qortojnë, heqin vërejtje apo këshillojnë kongregacionin dhe anëtarët e tij, aplikimi i mësimeve të tyre të shëndetshme, të bazuara në Fjalën e Perëndisë, ndihmon që të gjithë të vazhdojnë në rrugën e jetës.—Proverbat 3:11, 12; 6:23; Titit 2:1.
PRANO PIKËPAMJEN E JEHOVAIT MBI AUTORITETIN
24. Në lidhje me cilat çështje tundohemi çdo ditë?
24 Burri dhe gruaja e parë u vunë në provë, në lidhje me çështjen e nënshtrimit ndaj autoritetit. S’është për t’u çuditur që me një provë të tillë të ngjashme ne ndeshemi çdo ditë. Satana Djalli ka nxitur një frymë rebelimi midis njerëzimit. (Efesianëve 2:2) Rruga e pavarësisë, në mënyrë mashtruese bën që të duket më e mirë se ajo e nështrimit.
25. Çfarë dobish do të kemi nëse e flakim frymën rebele të botës dhe i nënshtrohemi autoritetit që përdor dhe lejon Perëndia?
25 Por ne duhet ta hedhim poshtë frymën rebeluese të botës. Duke bërë kështu, do të shohim se nënshtrimi hyjnor sjell shpërblime të pasura. Për shembull, do të shmangim ankthet dhe zhgënjimet që janë të zakonshme për ata që i hapin vetes telashe me autoritetet botërore. Do të pakësojmë grindjen që mbizotëron në shumë familje dhe do të gëzojmë dobitë e një shoqërie të dashur e të ngrohtë me bashkëbesimtarët tanë të krishterë. Mbi të gjitha, nënshtrimi ynë hyjnor do të rezultojë në një marrëdhënie të mirë me Jehovain, Autoritetin Suprem.
PROVO NJOHURINË
Si e ushtron Jehovai autoritetin e tij?
Cilat janë ‘pushtetet e sipërme’ dhe në ç’mënyrë duhet t’u nënshtrohemi atyre?
Çfarë përgjegjësie vë parimi i kryesisë mbi çdo anëtar të familjes?
Si mund të tregojmë nënshtrim në kongregacionin e krishterë?
[Kutia në faqen 134]
TË NËNSHTRUAR, JO PËRMBYSËS
Përmes aktivitetit të tyre publik të predikimit, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë për Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë të njerëzimit për paqe dhe siguri. Por këta lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë së Perëndisë, nuk janë në asnjë mënyrë përmbysës të qeverive nën të cilat jetojnë. Përkundrazi, Dëshmitarët janë ndër qytetarët më të respektuar dhe më të bindur ndaj ligjit. «Nëse të gjitha fetë që ekzistojnë do të ishin si Dëshmitarët e Jehovait,—tha një zyrtar në një vend të Afrikës,—nuk do të kishim më vrasje, vjedhje, kriminalitet, të burgosur dhe bomba atomike. Dyert nuk do të kyçeshin kurrë.»
Duke e kuptuar këtë, zyrtarët në shumë vende kanë lejuar që vepra e predikimit e Dëshmitarëve të vazhdojë pa u penguar. Në vende të tjera, ndalimet apo kufizimet janë hequr, kur autoritetet e kanë kuptuar se Dëshmitarët e Jehovait janë një ndikim i mirë. Është ashtu siç shkroi Pavli në lidhje me bindjen ndaj autoriteteve të larta: «Bëj të mirën dhe do të fitosh lëvdata prej pushtetit!»—Romakëve 13:1, 3, DSF.