Pyetje nga lexuesit
Çfarë është vulosja që përmendet te Zbulesa 7:3?
Zbulesa 7:1-3 thotë: «Pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës dhe mbanin fort katër erërat e tokës, që asnjë erë të mos frynte mbi tokë, mbi det ose mbi ndonjë pemë. Pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lindja e diellit dhe kishte një vulë të Perëndisë së gjallë. Ai u bërtiti me zë të fortë katër engjëjve, të cilëve u ishte lejuar të dëmtonin tokën dhe detin, dhe tha: ‘Mos dëmtoni as tokën, as detin, as pemët, derisa të kemi vulosur në ballë skllevërit e Perëndisë tonë.’»
Kur të lëshohen «katër erërat», rezultati do të jetë «shtrëngimi i madh», shkatërrimi i fesë së rreme dhe i pjesës tjetër të kësaj bote të ligë. (Zbulesa 7:14) «Skllevërit e Perëndisë tonë» janë vëllezërit e mirosur të Krishtit që janë në tokë. (1 Pjetrit 2:9, 16) Pra, kjo profeci tregon se vulosja e vëllezërve të Krishtit do të ketë përfunduar kur të shpërthejë shtrëngimi i madh. Megjithatë, vargje të tjera biblike tregojnë se ka një vulosje më të hershme të të mirosurve. Prandaj ndonjëherë flasim për vulosjen fillestare dhe vulosjen përfundimtare. Cili është ndryshimi mes tyre?
Të shqyrtojmë kuptimin e fjalës «vulos». Në kohët e lashta një vulë ishte një mjet që përdorej për të lënë një gjurmë në një dokument. Kjo fjalë mund t’i referohet edhe vetë gjurmës së lënë. Në ato ditë ishte e zakonshme që një dokumenti ose objekteve të tjera t’u vihej një vulë për të vërtetuar pronësinë ose origjinalitetin e tyre.—1 Mbretërve 21:8; Jobi 14:17.
Pavli e krahasoi frymën e shenjtë me një vulë kur tha: «Ai që garanton se ju dhe ne i takojmë Krishtit dhe që na ka mirosur, është Perëndia. Gjithashtu, ai na ka vënë vulën e tij dhe na ka dhënë kaparin e asaj që do të vijë, domethënë frymën, në zemrat tona.» (2 Korintasve 1:21, 22) Pra, Jehovai i miros këta të krishterë me frymën e tij të shenjtë për të treguar se ata i përkasin atij.
Sidoqoftë, ka dy faza në vulosjen e të mirosurve. Vulosja fillestare ndryshon nga vulosja përfundimtare për sa i përket (1) qëllimit dhe (2) kohës. Vulosja në kuptimin e parë shërben për të zgjedhur një pjesëtar të ri, i cili i shtohet numrit të të krishterëve të mirosur. Vulosja përfundimtare shërben për të vërtetuar se ky individ i zgjedhur dhe i vulosur e ka treguar plotësisht besnikërinë e tij. Vetëm atëherë, në vulosjen përfundimtare, i mirosuri do të vuloset «në ballë» një herë e përgjithmonë, duke u identifikuar kështu përfundimisht si ‘skllav [i sprovuar dhe besnik] i Perëndisë’. Vulosja e përmendur te kapitulli 7 i Zbulesës i referohet kësaj faze përfundimtare të vulosjes.—Zbulesa 7:3.
Në lidhje me kohën e vulosjes fillestare, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të mirosur: «Edhe ju shpresuat në të pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, lajmin e mirë për shpëtimin tuaj. Gjithashtu, me anë të tij, pasi besuat, u vulosët me frymën e shenjtë të premtuar.» (Efesianëve 1:13, 14) Në shumë raste Bibla tregon se të krishterët e shekullit të parë u vulosën vërtet pak kohë pasi dëgjuan lajmin e mirë dhe u bënë besimtarë në Krishtin. (Veprat 8:15-17; 10:44) Kjo vulosje tregonte se kishin miratimin e Perëndisë. Megjithatë, nuk tregonte miratimin përfundimtar të Perëndisë. Pse jo?
Pavli tha se të krishterët e mirosur ‘vulosen për ditën kur do të çlirohen’. (Efesianëve 4:30) Kjo tregon se pas vulosjes fillestare, duhet të kalojë një periudhë kohe, zakonisht shumë vjet. Të mirosurit duhet të qëndrojnë besnikë nga dita që vulosen me frymë të shenjtë e deri ‘ditën kur çlirohen’ nga trupat e tyre mishorë—domethënë deri në vdekje. (Romakëve 8:23; Filipianëve 1:23; 2 Pjetrit 1:10) Prandaj, vetëm në fund të jetës Pavli mundi të thoshte: «Vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë.» (2 Timoteut 4:6-8) Për më tepër, Jezui i tha një kongregacioni me të krishterë të mirosur: «Tregohu i besueshëm deri në vdekje, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.»—Zbulesa 2:10; 17:14.
Fjala ‘kurorë’ jep prova të mëtejshme se kalon një periudhë kohe nga vulosja fillestare e deri në vulosjen përfundimtare. Pse? Në kohët e lashta ishte zakon që t’i jepej një kurorë vrapuesit që fitonte një garë. Që të merrte kurorën nuk mjaftonte vetëm të hynte në garë. Duhej të vraponte gjatë gjithë garës, deri në fund. Po kështu, vetëm nëse të krishterët e mirosur qëndrojnë gjatë gjithë jetës deri në fund—nga vulosja fillestare deri në vulosjen përfundimtare—do të kurorëzohen me jetën e pavdekshme në qiell.—Mateu 10:22; Jakovi 1:12.
Kur do të bëhet vulosja përfundimtare e mbetjes së të krishterëve të mirosur që e kanë marrë vulosjen fillestare? Kushdo prej tyre që do të jetë ende gjallë në tokë, do të vuloset «në ballë» para shpërthimit të shtrëngimit të madh. Kur të lëshohen katër erërat e shtrëngimit, i gjithë Izraeli frymor do të jetë vulosur përfundimisht, megjithëse disa do të jenë gjallë në trup mishor dhe ende duhet të përfundojnë jetën e tyre në tokë.