ARTIKULLI I STUDIMIT 23
‘Ruhu që të mos të bëjë ndokush prenë e vet!’
«Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve.»—KOLOS. 2:8.
KËNGA 96 Libri i Perëndisë: Një thesar
PËRMBLEDHJEa
1. Sipas Kolosianëve 2:4, 8, si përpiqet Satanai të na e robërojë mendjen?
SATANAI dëshiron të na kthejë kundër Jehovait. Për të arritur qëllimin e tij, përpiqet të ndikojë te mënyra si mendojmë, pra të na e robërojë mendjen dhe ta bëjë të bindur ndaj tij. Ai përpiqet të na mashtrojë ose të na mbushë mendjen që të ndjekim atë duke shfrytëzuar dëshirat tona.—Lexo Kolosianëve 2:4, 8.
2-3. (a) Pse duhet t’ia vëmë veshin paralajmërimit që gjendet te Kolosianëve 2:8? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 A jemi vërtet në një rrezik kaq të madh që të na mashtrojë Satanai? Po, jemi! Mos harro se Pavli nuk ua shkroi jobesimtarëve paralajmërimin që gjendet te Kolosianëve 2:8. Ua shkroi të krishterëve që ishin mirosur me frymë të shenjtë. (Kolos. 1:2, 5) Ata të krishterë në të kaluarën ishin në rrezik, dhe ne sot jemi në rrezik akoma më të madh. (1 Kor. 10:12) Pse? Satanai është kufizuar në afërsi të tokës dhe ka pikësynimin të mashtrojë shërbëtorët besnikë të Perëndisë. (Zbul. 12:9, 12, 17) Veç kësaj, jetojmë në një kohë kur njerëzit e ligj dhe mashtrues po bëhen «keq e më keq».—2 Tim. 3:1, 13.
3 Në këtë artikull do të shohim si i përdor Satanai ‘mashtrimet boshe’ që të ndikojë te mënyra si mendojmë. Do të zbulojmë tri ‘intriga’ ose kurthe të tij. (Efes. 6:11) Pastaj, në artikullin vijues, do të shqyrtojmë si të luftojmë çfarëdo ndikimi negativ që mund të kenë pasur taktikat e tij te mënyra si mendojmë. Por, së pari le të shohim çfarë mund të mësojmë nga mënyra si i mashtroi Satanai izraelitët pasi hynë në Tokën e Premtuar.
I TUNDOI TË KRYENIN IDHUJTARI
4-6. Sipas Ligjit të përtërirë 11:10-15, çfarë metodash të reja bujqësore iu desh të mësonin izraelitëve kur u vendosën në Tokën e Premtuar?
4 Me dinakëri, Satanai i tundoi izraelitët të kryenin idhujtari. Si e bëri këtë? Shfrytëzoi nevojën e tyre për të siguruar ushqim. Kur izraelitët hynë në Tokën e Premtuar, duhej të ndryshonin metodat si e prodhonin ushqimin. Në Egjipt, izraelitët i vaditnin arat me ujin që nxirrnin nga Nili. Mirëpo, bujqësia në Tokën e Premtuar nuk bazohej tek uji që nxirrej nga një lumë i madh, por tek uji i grumbulluar nga shirat stinorë dhe te vesa që ujiste bimësinë. (Lexo Ligjin e përtërirë 11:10-15; Isa. 18:4, 5) Prandaj izraelitët duhej të mësonin metoda të reja bujqësore. Kjo s’do të ishte e lehtë, sepse shumica e atyre që kishin ndopak përvojë në bujqësi kishin vdekur në shkretëtirë.
5 Jehovai i shpjegoi popullit të tij se rrethanat kishin ndryshuar. Pastaj shtoi këtë paralajmërim që në pamje të parë mund të dukej sikur s’kishte lidhje me bujqësinë: «Ruhuni se mos zemra juaj joshet e largoheni për të adhuruar perëndi të tjera e për t’u përkulur para tyre.» (Ligj. 11:16, 17) Pse i paralajmëroi Jehovai të mos adhuronin perëndi të rreme ndërsa po u fliste për metodat e reja bujqësore që duhej të mësonin?
6 Jehovai e dinte se izraelitët do të tundoheshin t’i mësonin disa teknika bujqësore të vendit nga popujt paganë përreth. Sigurisht që fqinjët e tyre kishin shumë më tepër përvojë, dhe populli i Perëndisë mund të mësonte aftësi të dobishme nga ata. Por kishte një rrezik. Mënyra si mendonin bujqit kananitë ndikohej nga besimi te Baali. Ata besonin se Baali ishte pronari i qiellit dhe ai që u jepte shiun. Jehovai nuk donte që populli i tij të mashtrohej nga bindje të tilla të rreme. Mirëpo, izraelitët zgjodhën sa e sa herë të adhuronin Baalin. (Num. 25:3, 5; Gjyk. 2:13; 1 Mbret. 18:18) Vër re si arriti Satanai t’i bënte izraelitët robër të tij.
TRI TAKTIKA TË SATANAIT PËR TË ROBËRUAR IZRAELITËT
7. Cilën sprovë besimi hasën izraelitët kur hynë në Tokën e Premtuar?
7 Cila ishte taktika e parë e Satanait? I joshi duke shfrytëzuar dëshirën normale që toka të vaditej nga shiu. Nga fundi i prillit deri në fund të shtatorit, në Tokën e Premtuar binte shumë pak shi. Jeta dhe mirëqenia vareshin nga shirat që zakonisht fillonin aty nga tetori. Satanai i mashtroi izraelitët të besonin se për të pasur begati, duhej të përvetësonin praktikat e fqinjëve paganë. Ata fqinjë besonin se duhej të bënin disa rite që perënditë e tyre të vepronin e të sillnin shiun e nevojshëm. Kush nuk besonte te Jehovai kishte bindjen se kjo ishte e vetmja mënyrë për të shmangur thatësirën, ndaj kryente rite pagane për të adhuruar perëndinë e rremë Baal.
8. Cila është taktika e dytë që përdori Satanai? Shpjegoni.
8 Satanai përdori një taktikë të dytë me izraelitët. Ai i joshi duke shfrytëzuar dëshirat imorale. Kombet pagane i adhuronin perënditë e tyre duke kryer imoralitet të pështirë. Kjo formë e degjeneruar adhurimi përfshinte prostitucionin në tempull nga femra e nga meshkuj. Homoseksualizmi dhe forma të tjera të imoralitetit seksual jo vetëm që toleroheshin, por edhe u bënë diçka normale. (Ligj. 23:17, 18; 1 Mbret. 14:24) Paganët besonin se këto rite i nxitnin perënditë e tyre ta bënin tokën pjellore. Shumë izraelitë u joshën nga ritet seksuale imorale të paganëve, e si pasojë zgjodhën t’u shërbenin perëndive të rreme. Në të vërtetë, kishin rënë pre e Satanait.
9. Sipas Hozesë 2:16, 17, si ua mjegulloi Satanai izraelitëve të vërtetën për Jehovain?
9 Satanai përdori një taktikë të tretë. Ai u mjegulloi izraelitëve të vërtetën për Jehovain. Në ditët e profetit Jeremia, Jehovai shpalli se profetët e rremë bënë që populli i Tij t’ia harronte emrin «për shkak të Baalit». (Jer. 23:27) Me sa duket, populli i Perëndisë nuk e përdori më emrin e Jehovait dhe e zëvendësoi me emrin Baal, që do të thotë «Pronar» ose «Zotëri». Kjo e mjegulloi dallimin mes Jehovait dhe Baalit në mendjen e izraelitëve, e kështu ua bëri më të lehtë të ndërthurnin ritet e adhurimit të Baalit me adhurimin e Jehovait.—Lexo Hozenë 2:16, 17 dhe shënimin.b
TAKTIKAT E SATANAIT SOT
10. Çfarë taktikash përdor Satanai sot?
10 Satanai përdor të njëjtat taktika sot. Ai i robëron njerëzit duke shfrytëzuar dëshirat e natyrshme, duke nxitur imoralitetin seksual dhe duke u mjegulluar të vërtetën për Jehovain. Le të shohim në fillim taktikën e fundit.
11. Si e ka mjegulluar Satanai të vërtetën për Jehovain?
11 Satanai u mjegullon njerëzve të vërtetën për Jehovain. Pas vdekjes së apostujve të Jezuit, disa që pohonin se ishin të krishterë nisën të përhapnin mësime të rreme. (Vep. 20:29, 30; 2 Sel. 2:3) Këta apostatë filluan të mjegullonin identitetin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Për shembull, nuk e përdorën më emrin hyjnor në Biblat e tyre dhe preferuan në vend të tij fjalë si «Zotëri». Duke hequr emrin personal të Perëndisë dhe duke e zëvendësuar me «Zotëri», ua bënë të vështirë lexuesve të Biblës të kuptonin si ndryshon Jehovai nga ‘zotërinjtë’ e tjerë që përmenden në Shkrime. (1 Kor. 8:5) Ata përdorën të njëjtin term, «Zotëri», për Jehovain dhe për Jezuin, e kështu u bë e vështirë të kuptohej se Jehovai dhe Biri i tij janë individë të ndryshëm me pozita të ndryshme. (Gjoni 17:3) Ky konfuzion ndihmoi të zhvillohej doktrina e Trinitetit—një doktrinë që nuk mësohet në Fjalën e Perëndisë. Si pasojë, shumë veta e shohin Perëndinë si misterioz dhe besojnë se është e pamundur ta njohim. Çfarë gënjeshtre!—Vep. 17:27.
12. Çfarë ka nxitur feja e rreme, dhe cilat kanë qenë pasojat, siç shpjegon Romakëve 1:28-31?
12 Satanai i josh njerëzit duke shfrytëzuar dëshirat imorale. Në kohën e Izraelit të lashtë, Satanai përdori fenë e rreme për të nxitur imoralitetin. Sot, bën të njëjtën gjë. Feja e rreme toleron, e madje nxit sjelljen imorale. Ja pse shumë që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, i kanë braktisur normat e tij të qarta për moralin. Në letrën që u shkroi romakëve, apostulli Pavël shpjegon cilat kanë qenë pasojat. (Lexo Romakëve 1:28-31.) Ndër ‘gjërat e padenja’ janë të gjitha format e imoralitetit seksual, ku përfshihet edhe homoseksualizmi. (Rom. 1:24-27, 32; Zbul. 2:20) Sa e rëndësishme është që t’u bindemi mësimeve të qarta të Biblës!
13. Cila është një taktikë tjetër që përdor Satanai?
13 Satanai i josh njerëzit duke shfrytëzuar dëshirat e natyrshme. Ne kemi dëshirën e natyrshme të mësojmë aftësi që mund të na ndihmojnë të sigurojmë gjërat e nevojshme për veten e familjen. (1 Tim. 5:8) Shpesh, këto aftësi mund t’i fitojmë duke shkuar në shkollë e duke studiuar fort. Por duhet të bëjmë kujdes. Në shumë vende, sistemi arsimor u mëson nxënësve e studentëve jo vetëm aftësi praktike por edhe filozofi njerëzore. Ata nxiten të vënë në dyshim ekzistencën e Perëndisë dhe të mos kenë respekt për Biblën. U thuhet se teoria e evolucionit është i vetmi shpjegim inteligjent për origjinën e jetës. (Rom. 1:21-23) Mësime të tilla janë në kundërshtim me ‘mençurinë e Perëndisë’.—1 Kor. 1:19-21; 3:18-20.
14. Çfarë nxit filozofia njerëzore?
14 Filozofia njerëzore shpërfill ose shkon kundër normave të drejta të Jehovait. Ajo nuk nxit cilësitë e frytit të frymës së Perëndisë, por «veprat e mishit». (Gal. 5:19-23) Ushqen krenarinë dhe arrogancën, e si pasojë njerëzit bëhen «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:2-4) Këto cilësi janë e kundërta e zemërbutësisë dhe e qëndrimit të përulur që inkurajohen të kenë shërbëtorët e Perëndisë. (2 Sam. 22:28) Mendja e disa Dëshmitarëve që kanë ndjekur universitetin është modeluar nga mënyra si mendojnë njerëzit, jo nga mënyra si mendon Perëndia. Le të shohim vetëm një shembull se ç’mund të ndodhë po ta shpërfillim këtë rrezik.
15-16. Çfarë të mëson përvoja e një motre?
15 Një motër që ka mbi 15 vjet në shërbimin e plotkohor, thotë: «Si Dëshmitare e pagëzuar, kisha lexuar e dëgjuar për rreziqet që sjell ndjekja e universitetit, por s’ua vura veshin paralajmërimeve. Mendoja se këshillat nuk zbatoheshin për mua.» Çfarë problemesh hasi? Ajo pranon: «Studimi më merrte aq shumë kohë dhe përpjekje, sa isha tepër e zënë që të lutesha gjerë e gjatë si më parë, tepër e sfilitur që të shijoja biseda rreth Biblës në shërbim dhe tepër e lodhur që të përgatitesha mirë për mbledhjet. Shyqyr që e kuptova se po dëmtoja marrëdhënien me Jehovain duke u dhënë pas arsimimit të lartë dhe m’u bë e qartë se duhej ta lija. Dhe ashtu bëra.»
16 Si ndikoi arsimimi i lartë te mënyra si mendonte ajo motër? Ja çfarë thotë ajo: «Më vjen turp ta pranoj se arsimimi i lartë më mësoi të isha kritike ndaj të tjerëve, sidomos ndaj motrave e vëllezërve të mi, të pritja tepër prej tyre dhe të veçohesha. M’u desh goxha kohë ta çrrënjosja atë mënyrë të menduari. Ajo periudhë e jetës sime më tregoi sa e rrezikshme është të shpërfillim paralajmërimet që na jep Ati ynë qiellor nëpërmjet organizatës së tij. Jehovai më njihte më mirë se ç’njihja veten. Ah sikur ta kisha dëgjuar!»
17. (a) Për çfarë duhet të jemi të vendosur? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Ji i vendosur të mos bëhesh kurrë rob i botës së Satanait «nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe». Ruhu vazhdimisht nga taktikat e Satanait. (1 Kor. 3:18; 2 Kor. 2:11) Mos e lejo kurrë të ta mjegullojë mendjen që të harrosh të vërtetën për Jehovain. Jeto sipas normave të larta morale të Jehovait. Dhe mos e lejo Satanain të të mashtrojë që të shpërfillësh këshillat e Jehovait. Po ç’të bësh nëse dallon se tashmë je ndikuar nga mënyra si mendon bota? Në artikullin tjetër do të shohim si mund të na ndihmojë Fjala e Perëndisë të përmbysim edhe mendime e zakone «të fortifikuara mirë».—2 Kor. 10:4, 5.
KËNGA 49 Ia gëzojmë zemrën Jehovait
a Satanai është ekspert për t’i mashtruar njerëzit. Ai ua ka prishur mendjen shumë vetave që të besojnë se janë të lirë, ndonëse në të vërtetë i ka bërë pre ose robër të tij. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa taktika që përdor Satanai për të mashtruar njerëzit.
b Shprehja që në vargun 16 është përkthyer «Zotëria im», mund të përkthehet edhe «Baali im».
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Izraelitët që shoqërohen me kananitët, po tundohen të përfshihen në adhurimin e Baalit dhe të bëjnë imoralitet.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një poster nga një kishë që toleron homoseksualizmin.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e re ka hyrë në universitet. Atë dhe studentët e tjerë i bën për vete ideja e pedagoges se shkenca dhe teknologjia mund të zgjidhin gjithë problemet e njerëzimit. Më vonë, në Sallën e Mbretërisë, ajo është indiferente dhe kritike.