Magjepsja: Lavdërim njeriut apo lavdi Perëndisë?
«NJË sundimtar jo vetëm që duhet të jetë më i mirë se nënshtetasit e tij, por duhet edhe të ushtrojë një hipnotizim mbi ta»,—shkroi Ksenofoni, një gjeneral i famshëm grek. Sot, shumë veta do ta quanin një «hipnotizim» të tillë, magjepsje.
Sigurisht, jo të gjithë sundimtarët njerëzorë janë magjepsës. Por ata që e kanë, e përdorin këtë aftësi të tyren për të ngjallur devocion te njerëzit dhe për t’i manipuluar masat për qëllimet e veta. Ndoshta shembulli më famëkeq i kohëve të fundit ishte Adolf Hitler. «[Në vitin 1933] për shumicën e gjermanëve, Hitleri kishte, apo do të merrte pas pak, hijen e një udhëheqësi vërtet magjepsës,—shkruan Uilliam L. Shairër në librin e tij Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë.—Për 12 vjetët e stuhishëm që do të vinin, ata do ta ndiqnin verbërisht, sikur ai të zotëronte një gjykim hyjnor.»
Historia fetare është, gjithashtu, plot me udhëheqës magjepsës, që i frymëzuan njerëzit të ishin të devotshëm ndaj tyre, por që sollën shkatërrimin mbi ithtarët e tyre. «Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!—paralajmëroi Jezui.—Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: ‘Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.» (Mateu 24:4, 5) Krishtërit e rremë magjepsës nuk u shfaqën vetëm në shekullin e parë. Gjatë viteve 70, Xhim Xhons u vetëshpall «mesia i Tempullit të Popullit». Ai u përshkrua si një «klerik magjepsës» me një «pushtet të çuditshëm mbi njerëzit» dhe në vitin 1978, nxiti një prej vetëvrasjeve në masë nga më të mëdhatë në histori.a
Është e dukshme se magjepsja mund të jetë një dhuratë e rrezikshme. Megjithatë, Bibla flet për një lloj të ndryshëm dhurate, apo dhuratash, prej Perëndisë, që është në dispozicion të të gjithëve dhe për dobinë e të gjithëve. Fjala greke për këtë dhuratë është khaʹri·sma dhe në Bibël shfaqet 17 herë. Një dijetar grek e përkufizon atë si ‘një dhuratë falas dhe të pamerituar, diçka jo e fituar dhe e pamerituar që i është dhënë një njeriu, diçka që vjen prej hirit të Perëndisë dhe që kurrë nuk do të arrihej apo të zotërohej nga përpjekjet e njeriut’.
Pra, nga këndvështrimi frymor, khaʹri·sma është një dhuratë që është marrë falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Cilat janë disa prej këtyre dhuratave, që na ka dhënë me dashamirësi Perëndia? Si mund t’i përdorim për t’i sjellë atij lavdi? Le të marrim në shqyrtim tri prej këtyre dhuratave të hirshme.
Jeta e përhershme
Dhurata më e madhe nga të gjitha është pa dyshim dhurata e jetës së përhershme. Pavli i shkroi kongregacionit romak: «Paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata [khaʹri·sma] që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë sonë.» (Romakëve 6:23, BR) Vlen të vërehet se «paga» (vdekja) është diçka që e kemi fituar, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, me anë të natyrës sonë mëkatare. Nga ana tjetër, jeta e përhershme që vë në dispozicion Perëndia është diçka krejtësisht e pamerituar, të cilën nuk do të mund ta fitonim kurrë për shkak të meritave tona.
Dhurata e jetës së përhershme duhet ruajtur si thesar dhe duhet ndarë me të tjerët. Ne mund t’i ndihmojmë njerëzit të arrijnë të njohin Jehovain, t’i shërbejnë atij dhe kështu të favorizohen me dhuratën e jetës së përhershme. Zbulesa 22:17 thotë: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Kushdo që dëgjon, të thotë: ‘Eja!’ Kushdo që ka etje le të vijë; kushdo që dëshiron, le ta marrë falas ujin e jetës.»
Si mund t’i drejtojmë të tjerët te ky ujë jetëdhënës? Kryesisht, duke e përdorur me efektshmëri Biblën në shërbimin tonë. Është e vërtetë që në disa pjesë të botës, njerëzit lexojnë apo mendojnë rrallë për gjërat frymore; megjithatë, gjithmonë ka mundësi për të ‘zgjuar veshin’ e dikujt. (Isaia 50:4) Në lidhje me këtë, mund të kemi besim në forcën motivuese të Biblës, «sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebrenjve 4:12, BR) Qoftë mençuria praktike e Biblës, qoftë ngushëllimi dhe shpresa që ofron ajo, apo shpjegimi që i bën qëllimit të jetës, Fjala e Perëndisë mund të prekë zemrën dhe t’i futë njerëzit në rrugën drejt jetës.—2. Timoteut 3:16, 17.
Veç kësaj, literatura e bazuar në Bibël mund të na ndihmojë të themi: «Eja!» Profeti Isaia paratha se gjatë kësaj kohe të errësirës frymore, ‘Jehovai do të shkëlqente’ mbi popullin e tij. (Isaia 60:2, BR) Botimet e Shoqatës Watch Tower pasqyrojnë këtë bekim prej Jehovait dhe çdo vit drejtojnë me mijëra njerëz te Jehovai, Burimi i ndriçimit frymor. Nëpër faqet e tyre, ata që spikatin nuk janë individët. Siç e shpjegon hyrja e Kullës së Rojës, «qëllimi i Kullës së Rojës është që të lartësojë Perëndinë Jehova si Zotin Sovran të gjithësisë. . . . Nxit besim te Mbreti i Perëndisë që tashmë sundon, Jezu Krishti, gjaku i derdhur i të cilit u mundëson njerëzve të fitojnë jetën e përhershme».
Një shërbëtore e krishterë në kohë të plotë, e cila për shumë vjet ka pasur një sukses të dukshëm në shërbimin e saj, bën këtë koment mbi vlerën e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, në ndihmesën që u japin njerëzve për t’iu afruar Perëndisë: «Kur studentët e mi të Biblës fillojnë të lexojnë dhe të kënaqen me Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!, bëjnë përparim të shpejtë. Unë i konsideroj revistat si një ndihmë e paçmueshme në ndihmesën që u jepet njerëzve për të arritur të njohin Jehovain.»
Privilegjet e shërbimit
Timoteu ishte një dishepull i krishterë, të cilit iu dha një dhuratë tjetër, që meritonte vëmendje të veçantë. Apostulli Pavël i tha atij: «Mos e lër pas dore dhuratën [khaʹri·sma] që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë [trupit të pleqve, BR].» (1. Timoteut 4:14) Cila ishte kjo dhuratë? Ajo kishte të bënte me emërimin e Timoteut si mbikëqyrës udhëtues, një privilegj shërbimi, për të cilën duhet të kujdesej me përgjegjësi. Në të njëjtin fragment, Pavli e nxiti Timoteun: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Qëndro në këto gjëra, sepse duke vepruar kështu, do të shpëtosh si veten, ashtu dhe ata që të dëgjojnë.»—1. Timoteut 4:13, 16, BR.
Edhe pleqtë e sotëm duhet t’i kenë për zemër privilegjet e tyre të shërbimit. Siç nxjerr në pah Pavli, një mënyrë në të cilën mund ta bëjnë këtë, është duke i ‘kushtuar vëmendje mësimdhënies së tyre’. Në vend që të imitojnë udhëheqësit magjepsës të botës, ata e drejtojnë vëmendjen te Perëndia, jo te vetja. Jezui, Modeli i tyre, ishte një mësues i shkëlqyer, që pa dyshim pati një personalitet jashtëzakonisht tërheqës, por me përulësi ai i dha lavdi Atit të tij. «Ajo që unë u mësoj të tjerëve, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi»,—deklaroi ai.—Gjoni 5:41, BR; Gjo 7:16.
Jezui e lëvdoi Atin e tij qiellor, duke e përdorur Fjalën e Perëndisë si autoritet për atë që u mësonte të tjerëve. (Mateu 19:4-6; 22:31, 32, 37-40) Në mënyrë të ngjashme, Pavli theksoi nevojën që mbikëqyrësit t’i ‘përmbahen vendosmërisht fjalës së besueshme për sa i përket artit të tyre të mësimdhënies’. (Titit 1:9, BR) Duke i bazuar vendosmërisht fjalimet e tyre te Shkrimet, pleqtë, në fakt do të jenë duke thënë atë që tha Jezui: «Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja.»—Gjoni 14:10.
Si mund t’i ‘përmbahen vendosmërisht fjalës së besueshme’ pleqtë? Duke i përqendruar fjalimet dhe caktimet në mbledhje te Fjala e Perëndisë, si dhe duke shpjeguar dhe theksuar shkrimet që përdorin. Ilustrimet dramatike apo anekdotat zbavitëse, sidomos kur janë të tepruara, mund ta shpërqendrojnë auditorin nga Fjala e Perëndisë dhe ta tërheqin vëmendjen tek aftësia e vetë oratorit. Nga ana tjetër, janë vargjet e Biblës ato që do të arrijnë zemrën dhe do të motivojnë auditorin. (Psalmi 19:7-9; 119:40; krahaso Lukën 24:32.) Fjalime të tilla e tërheqin më pak vëmendjen te njerëzit dhe i japin më shumë lavdi Perëndisë.
Një mënyrë tjetër në të cilën pleqtë mund të bëhen mësues më të efektshëm, është duke mësuar nga njëri-tjetri. Ashtu si Pavli ndihmoi Timoteun, kështu një plak mund të ndihmojë një tjetër. «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Fjalët e urta 27:17; Filipianëve 2:3) Pleqtë përfitojnë nga shkëmbimi i ideve dhe i sugjerimeve me njëri-tjetrin. Një plak i emëruar kohët e fundit, shpjegoi: «Një plak me përvojë mori kohë për të më treguar se si e ndërtonte një fjalim publik. Gjatë përgatitjes së tij, ai përfshinte pyetje retorike, ilustrime, shembuj ose përvoja të shkurtra, si dhe fragmente biblike që i kishte kërkuar me kujdes. Prej tij kam mësuar se si t’ua shtoj larminë fjalimeve të mia, që të shmang një të folur të mërzitshëm dhe monoton.»
Të gjithë ne që gëzojmë privilegje shërbimi, qofshim pleq, shërbëtorë ndihmës apo pionierë, duhet ta ruajmë si thesar dhuratën tonë. Pak para vdekjes së tij, Pavli e kujtoi Timoteun ‘të rigjallëronte si zjarrin dhuratën [khaʹri·sma] e Perëndisë që ishte në të’, e cila në rastin e Timoteut përfshinte njëfarë dhurate të veçantë të frymës. (2. Timoteut 1:6, BR) Në shtëpitë izraelite, shpesh zjarri ishte thjesht me thëngjij përvëlues qymyri. Ishte e mundur që ata t’i ‘rigjallëroje’, që të lëshonin flakë dhe më shumë nxehtësi. Pra, jemi të inkurajuar që në caktimet tona të vendosim zemrën dhe energjinë tonë, duke rigjallëruar si zjarrin çfarëdo dhurate frymore që të na jetë besuar.
Dhurata frymore që duhen ndarë
Dashuria që kishte për vëllezërit e tij në Romë, e shtyu Pavlin të shkruante: «Unë dëshiroj fort t’ju shoh, për t’ju dhënë ndonjë dhuratë [khaʹri·sma] frymore, që të bëheni të vendosur, apo, më shumë, që të ketë një shkëmbim inkurajimi mes jush, secili nëpërmjet besimit të tjetrit, si tuajit, ashtu dhe timit.» (Romakëve 1:11, 12, BR) Pavli e konsideronte aftësinë tonë për të forcuar besimin e të tjerëve duke u folur, si një dhuratë frymore. Shkëmbimi i dhuratave të tilla frymore do të rezultonte në një mbështetje të besimit dhe në inkurajim të dyanshëm.
Sigurisht që kjo është diçka që nevojitet. Në këtë sistem të lig në të cilin jetojmë, në një mënyrë a në një tjetër të gjithë ndeshim strese. Por, një shkëmbim i rregullt inkurajimi mund të na ndihmojë për të ngulmuar. Ideja e shkëmbimit, si duke dhënë, ashtu dhe duke marrë, është e rëndësishme për të mbajtur forcën frymore. Vërtet, të gjithë ne kemi nevojë që herë pas here të na japin zemër, por po ashtu të gjithë ne mund ta ndërtojmë njëri-tjetrin.
Nëse jemi syhapur për të vërejtur bashkëbesimtarët që i ka lëshuar zemra, mund të jemi ‘në gjendje t’i ngushëllojmë ata që janë në çfarëdolloj mundimi me ngushëllimin, me të cilin ne vetë ngushëllohemi nga Perëndia’. (2. Korintasve 1:3-5, BR) Fjala greke për ngushëllim (pa·raʹkle·sis), fjalë për fjalë do të thotë «një thirrje për në anën e një personi». Nëse, kur është e nevojshme, ndodhemi në krah të vëllait apo motrës sonë, për t’i ofruar një dorë ndihmuese, pa dyshim që ne vetë do të marrim të njëjtën përkrahje të dashur, kur të jemi në nevojë.—Predikuesi 4:9, 10; krahaso Veprat 9:36-41.
Të një dobie të madhe janë, gjithashtu, vizitat e dashura baritore të pleqve. Megjithëse ka raste kur bëhen vizita për të dhënë këshilla biblike mbi një çështje që kërkon vëmendje, shumica e vizitave baritore janë raste për inkurajim, një ‘ngushëllim zemrash’. (Kolosianëve 2:2) Kur mbikëqyrësit bëjnë vizita të tilla, që forcojnë besimin, ata janë duke dhënë vërtet një dhuratë frymore. Ashtu si Pavli, ata do të vërejnë se kjo formë unike dhënieje është shpërblyese dhe do të zhvillojnë një ‘dashuri të fortë’ për vëllezërit e tyre.—Romakëve 1:11.
Kjo qe e vërtetë në rastin e një plaku në Spanjë, i cili tregon përvojën vijuese: «Rikardo, një djalosh 11-vjeçar, dukej se po tregonte pak interes për mbledhjet dhe për kongregacionin në përgjithësi. Kështu që u kërkova leje prindërve të Rikardos që të vizitoja djalin e tyre, gjë për të cilën pranuan menjëherë. Ata jetojnë në malet që ndodhen rreth një orë me makinë larg shtëpisë sime. Me sa duket Rikardos iu bë qejfi kur pa interesimin që kisha për të dhe iu përgjigj menjëherë këtij interesi. Shpejt u bë një lajmëtar i papagëzuar dhe një anëtar energjik i kongregacionit. Natyra e tij e ndrojtur u zëvendësua nga një personalitet më i lumtur dhe më miqësor. Disa veta në kongregacion pyetën: ‘Ç’i ndodhi Rikardos?’ Atyre u dukej sikur po e shihnin për herë të parë. Duke reflektuar mbi atë vizitë baritore shumë të rëndësishme, mendoj se unë kam nxjerrë më shumë dobi sesa Rikardo. Kur hyn në Sallën e Mbretërisë, fytyra e tij rrezaton dhe me hapa të shpejtë vjen të më përshëndetë. Ka qenë një gëzim të shoh progresin e tij frymor.»
Pa dyshim që vizita baritore, si kjo e lartpërmendur, bekohen në mënyrë të pasur. Vizita të tilla janë në përputhje me kërkesën lutëse të Jezuit: «Ki kujdes për delet e mia.» (Gjoni 21:16) Sigurisht, pleqtë nuk janë të vetmit që mund të japin dhurata të tilla frymore. Kushdo në kongregacion mund t’i nxitë të tjerët në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera. (Hebrenjve 10:23, 24) Ashtu si alpinistët që kur ngjitin malin janë të lidhur me litar të gjithë së bashku, edhe ne jemi të bashkuar të gjithë me anë të lidhjeve frymore. Është e pashmangshme që të mos ndikojë te të tjerët ajo që bëjmë dhe themi. Një vërejtje sarkastike ose një kritikë e ashpër mund t’i dobësojë lidhjet që na bashkojnë. (Efesianëve 4:29; Jakovit 3:8) Nga ana tjetër, fjalët e zgjedhura inkurajuese dhe ndihmesa e dashur mund t’i ndihmojnë vëllezërit tanë të kapërcejnë vështirësitë e tyre. Në këtë mënyrë, do të jemi duke ndarë dhurata frymore me vlerë të qëndrueshme.—Fjalët e urta 12:25.
Të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë në një masë më të plotë
Është e qartë se çdo i krishterë ka një masë dhuratash. Ne na është dhënë shpresa e paçmueshme e jetës së përhershme. Kemi, gjithashtu, dhurata frymore që mund t’i ndajmë me njëri-tjetrin. Mund të përpiqemi t’i nxitim apo t’i motivojmë të tjerët drejt qëllimeve të drejta. Disa kanë dhurata të tjera në formën e privilegjeve të shërbimit. Të gjitha këto dhurata janë provë e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Meqenëse çdo dhuratë që mund të kemi është diçka që e kemi marrë nga Perëndia, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u mburrur.—1. Korintasve 4:7.
Si të krishterë, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A do ta përdor çdo masë të dhuratave që mund të kem, për t’i sjellë lavdi Jehovait, Dhënësit të «çdo gjëje të mirë dhe çdo dhurate të përsosur»? (Jakovit 1:17) A do ta imitoj Jezuin dhe a do t’u shërbej të tjerëve sipas aftësive dhe rrethanave të mia?’
Apostulli Pjetër përmbledh përgjegjësinë tonë në lidhje me këtë: «Në përpjestim me dhuratën [khaʹri·sma] që ka marrë gjithësecili, përdoreni atë duke i shërbyer njëri-tjetrit, si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme. Nëse ndonjë flet, le të flasë si të ishin thënie të shenjta të Perëndisë; nëse ndonjë shërben, le të shërbejë si i varur nga forca që jep Perëndia, që në çdo gjë të lavdërohet Perëndia, nëpërmjet Jezu Krishtit.»—1. Pjetrit 4:10, 11, BR.
[Shënimi]
a Ata që vdiqën ishin 913 veta, përfshirë edhe vetë Xhim Xhons-in.
[Burimi i figurës në faqen 23]
Corbis-Bettmann
UPI/Corbis-Bettmann