Kapitulli 11
‘Vazhdoni të kërkoni më parë Mbretërinë’
1. (a) Përse 1.900 vjet më parë Jezui tha që të kërkohet më parë Mbretëria? (b) Çfarë pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
MBI 1.900 vjet më parë, në një fjalim të mbajtur në Galile, Jezui i nxiti dëgjuesit e tij: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e tij.» Përse? A nuk duheshin akoma edhe shumë shekuj derisa Krishti të ngjitej në fron? Po. Por Mbretëria mesianike është mjeti me të cilin do të justifikohet emri i shenjtë i Jehovait dhe qëllimi i tij i madh në lidhje me tokën do të plotësohet. Cilido që e çmon me të vërtetë rëndësinë e kësaj, po e vë Mbretërinë në vend të parë në jetën e tij. Kjo qe e vërtetë në shekullin e parë dhe sigurisht është edhe tani që Mbretëria po sundon. Mënyra jote e të jetuarit, a tregon se po kërkon më parë Mbretërinë e Perëndisë?—Mat. 6:33.
2. Cilat janë gjërat që në përgjithësi njerëzit i kërkojnë me lakmi?
2 Njerëzit në përgjithësi janë të interesuar për gjëra të tjera. Ata kërkojnë me lakmi pasuri dhe veshje, ushqim, kënaqësi dhe materiale të tjera që mund të blihen me para. (Mat. 6:31, 32) Mënyra e tyre e të jetuarit tregon se ata shqetësohen për vetveten dhe për kënaqësitë e tyre. Edhe nëse besojnë në të, Perëndia zë vendin e dytë në jetën e tyre.
3. (a) Çfarë lloj thesari i inkurajoi Jezui dishepujt e tij të kërkonin dhe pse? (b) Përse ata nuk duhej të shqetësoheshin tepër për nevojat materiale?
3 Por, dishepujt e tij Jezui i këshilloi: «Mjaft duke grumbulluar thesare mbi tokë», sepse asnjë nga këto të mira nuk do të zgjasë përgjithmonë. «Më mirë,—tha ai,—grumbulloni thesare në qiell», duke i shërbyer Jehovait. Ai i nxiti ithtarët e tij ta mbanin syrin e tyre «të thjeshtë», duke ua drejtuar vëmendjen mbi një gjë të vetme, në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. «Ju nuk mund t’i skllavëroheni edhe Perëndisë edhe Pasurisë»,—u tha atyre. Por ç’mund të themi për nevojat materiale, ushqimin, veshjen dhe strehimin? «Mos u shqetësoni»,—këshilloi Jezui. Ai ua drejtoi vëmendjen nga zogjtë, Perëndia i ushqen ata. Ai i inkurajoi ithtarët e tij të merrnin një mësim nga lulet, Perëndia i vesh ato për mrekulli. A nuk vlejnë shërbëtorët inteligjentë njerëzorë të Jehovait, më shumë se secila nga këto? «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e tij,—tha Jezui,—dhe të gjitha këto gjërat e tjera [të nevojshme] do t’ju shtohen.» (Mat. 6:19-34) A e beson ti këtë? A e tregojnë veprat e tua?
Mos lejo që e vërteta e mbretërisë të mbytet
4. Nëse një person u jep shumë rëndësi gjërave materiale, cili mund të jetë përfundimi? Ilustroje.
4 Nëse një person është i shqetësuar jashtëzakonisht për gjërat materiale, rezultatet mund të jenë shkatërrimtare. Edhe pse mendon se interesohet për Mbretërinë, duke vënë në vend të parë në zemrën e tij gjëra të tjera, e vërteta e Mbretërisë do të mbytet. (Mat. 13:18, 19, 22) Për shembull, në një rast, një i ri sundimtar i pasur, pyeti Jezuin: «Çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e përhershme?» Duke kundërvepruar ndaj përgjigjes së Jezuit, ai tregoi se bënte një jetë morale dhe i trajtonte mirë të tjerët. Por ai, ishte tepër i dhënë pas gjërave materiale. Nuk mund të ndahej prej tyre dhe të bëhej një ithtar i Krishtit. Kështu, humbi një mundësi e cila mund ta bënte atë një qeveritar me Krishtin në Mbretërinë qiellore. Në atë ngjarje Jezui tha: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!»—Marku 10:17-23.
5. (a) Me cilat gjëra Pavli e inkurajoi Timoteun të ishte i kënaqur dhe pse? (b) Si e përdor Satanai «dashurinë për para» si një grackë shkatërrimtare?
5 Vite më vonë, apostulli Pavël i shkroi Timoteut, që në atë kohë ndodhej në Efes, një qendër e pasur tregtare. Ai i kujtoi atij: «Sepse në këtë botë nuk prumë asgjë me vete dhe prej saj asgjë nuk do të marrim me vete. Këndej, në qoftë se kemi çfarë të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.» Të punosh për të siguruar gjërat e nevojshme «për të ngrënë e për të veshur», për veten dhe për familjen tënde është e drejtë. Por Pavli paralajmëroi: «Ata që dëshirojnë [që kanë vendosur, BR] të pasurohen, bien në tundim, në kurthë dhe në shumë prirje të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në rrënim dhe në bjerrje.» Satanai është dinak. Në fillim mund ta joshë një person me gjëra të vogla. Kjo shpesh pasohet nga një shtypje më e madhe, ndoshta me mundësinë për një vend më të mirë pune, për një pagë më të lartë, por që të merr nga koha që më parë i kushtohej gjërave frymore. Nëse nuk qëndrojmë vigjilentë, «[dashuria për para, BR]» mund të mbysë të gjitha interesat më të rëndësishme, ato të Mbretërisë. Siç tha dhe Pavli: «Rrënja e të gjitha të këqiave, veç, është lakmimi i të hollave [dashuria për para, BR]; për arsye të tij disa e lanë fenë dhe munduan vetveten me shumë vuajtje.»—1. Tim. 6:7-10, DSF.
6. (a) Çfarë duhet të bëjmë për të mos rënë në grackë? (b) A është realiste kjo, duke parë situatën e sotme ekonomike të botës?
6 Me dashurinë e sinqertë për vëllain e tij Timoteun, Pavli e nxiti: «Iku këtyre gjërave» dhe «Lufto luftën e mirë të fesë [besimit, BR]!» (1. Tim. 6:11, 12, DSF) Nëse nuk duam të përzihemi me mënyrën e të jetuarit materialist të botës që na rrethon, është e nevojshme të bëjmë një përpjekje energjike. Por, nëse përpiqemi në harmoni me besimin tonë, Jehovai nuk do të na braktisë kurrë. Krahas çmimeve të larta dhe papunësisë së përhapur, ai do të na sigurojë çfarë na nevojitet me të vërtetë.—Hebr. 13:5, 6.
Shembulli i dishepujve të parë
7. Çfarë udhëzimesh u dha Jezui apostujve, kur i dërgoi për të predikuar në Izrael dhe pse ishin të përshtatshme ato?
7 Pasi i stërviti siç duhet dishepujt e tij, Jezui i dërgoi ata të predikonin lajmin e mirë në Izrael. «Mbretëria e qiejve është afruar.» Çfarë lajmi rrëqethës që ishte! Jezu Krishti, Mbreti mesianik ishte mes tyre. Meqë apostujt ia kishin dedikuar veten shërbimit të Perëndisë, Jezui i nxiti të kishin besim se Perëndia do të kujdesej për ta. Prandaj ai tha: «Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili të mos ketë më se dy këmisha. Në atë shtëpi që të hyni, aty rrini derisa të qëndroni në atë vend.» (Mat. 10:5-10; Luka 9:1-6, DSF; 10:4-7) Jehovai do të kujdesej për plotësimin e nevojave të tyre me anë të bashkatdhetarëve të tyre izraelitë, të cilët e kishin për zakon të mikpritnin të huajt.
8. (a) Përse pak para se të vdiste, Jezui dha udhëzime të ndryshme? (b) Megjithatë, çfarë duhej të ishte gjithmonë në vendin e parë në jetën e tyre?
8 Më vonë, pak para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi apostujt e tij se rrethanat në të cilat do të punonin do të kishin ndryshuar. Si rezultat i kundërshtimeve zyrtare, mikpritja nuk do të ishte kaq pa vështirësi në Izrael. Gjithashtu, ata së shpejti do të dërgonin lajmin e Mbretërisë në vendet pagane. Tani duhej të merrnin me vete një «strajcë» dhe «bukë». Megjithatë, ata do të vazhdonin të kërkonin më parë Mbretërinë e Jehovait dhe drejtësinë e tij, me besim se Perëndia do t’i bekonte përpjekjet e tyre për të siguruar ushqimin dhe veshjen e nevojshme.—Luka 22:35-37.
9. (a) Në ç’mënyrë Pavli e vuri Mbretërinë në vend të parë? (b) Si siguroheshin nevojat e tij fizike? (c) Çfarë këshille u dha ai të tjerëve mbi këto gjëra?
9 Apostulli Pavël dha një shembull të shkëlqyer se si ta aplikonin këshillën e Jezuit. Pavli e ndërtoi jetën e tij në shërbim. (Vep. 20:24, 25) Kur shkonte në territor për të predikuar, ai kujdesej edhe për nevojat e veta materiale duke prodhuar tenda. Nuk priste që të tjerët të kujdeseshin për të. (Vep. 18:1-4; 1. Sel. 2:9; 1. Kor. 9:18) Megjithatë, ai pranonte me mirënjohje mikëpritjen dhe dhuratat e atyre që dëshironin në këtë mënyrë të shprehnin dashurinë dhe çmueshmërinë e tyre. (Vep. 16:15, 34; Filip. 4:15-17) Ai nuk i inkurajoi burrat e gratë e krishtere për të lënë pas dore detyrimet e tyre familjare që të shkonin në predikim, por për më tepër, që t’i zgjidhnin në mënyrë të drejtëpeshuar përgjegjësitë e tyre të ndryshme. Ai i këshilloi ata që të punonin me duart e tyre, të ishin bujarë dhe të ndanin me të tjerët. (Efes. 4:28; 2. Sel. 3:7-12; Titit 2:3-5) Gjithashtu, ai i nxiti ata që të mos mbështeteshin në të mirat materiale, por në Perëndinë dhe ta përdornin jetën e tyre në atë mënyrë që të tregonin se e kuptonin me të vërtetë se ç’gjëra ishin më të rëndësishme në jetë. Në harmoni me mësimet e Jezuit, kjo nënkupton të kërkosh më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij.—Filip. 1:9-11.
Mbaje mbretërinë të parën në jetën tënde
10. (a) Çfarë do të thotë ‛të kërkosh më parë Mbretërinë’? (b) Por, çfarë nuk duhet të lëmë pas dore?
10 Në ç’masë marrim pjesë personalisht në dhënien e lajmit të mirë të tjerëve? Pjesërisht, kjo varet nga rrethanat tona dhe në një masë të madhe, nga thellësia e çmueshmërisë sonë. Mbaj mend se Jezui nuk tha: ‛Kërkoje Mbretërinë kur të mos kesh asgjë tjetër për të bërë.’ As nuk tha: ‛Është e mjaftueshme të flasësh mbi Mbretërinë ngandonjëherë.’ Dhe as nuk tha: ‛Në fillim trego zell për interesat e Mbretërisë; por nëse sistemi i ri duket se po vonon, vazhdo të bësh diçka në shërbim të Perëndisë, por jeto më shumë ngjashëm njerëzve të tjerë.’ Duke njohur mirë rëndësinë e Mbretërisë, ai shprehu vullnetin e Atit të tij në lidhje me këtë gjë, duke thënë: «Kërkoni vazhdimisht mbretërinë e tij.» Apo sipas referimit të apostull Mateut: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.» (Luka 12:31; Mat. 6:33) Megjithëse shumë nga ne e shohin të nevojshme të bëjnë ndonjë lloj pune që të kujdesen për nevojat e veta fizike dhe ato të familjes, nëse me të vërtetë kemi besim, jeta jonë do të përqendrohet në veprën që Perëndia na ka dhënë në lidhje me Mbretërinë e tij. Në të njëjtën kohë, nuk do të lëmë pas dore përgjegjësitë tona familjare.—1. Tim. 5:8; Prov. 29:15.
11. (a) Si e ilustroi Jezui faktin se nuk do të merrnin pjesë të gjithë në të njëjtën masë në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë? (b) Cilët faktorë ndikojnë në lidhje me këtë?
11 Disa nga ne kanë mundësi të dedikojnë në shërbimin në fushë më shumë kohë se të tjerët. Por, Jezui në shëmbëlltyrën e tij në lidhje me llojet e ndryshme të tokës, tregoi se të gjithë ata, zemra e të cilëve ishte ngjashëm tokës së mirë do të jepnin fryte. Deri në çfarë mase? Rrethanat e individëve ndryshojnë. Mosha, shëndeti dhe përgjegjësitë familjare, të gjitha këto janë faktorë që ndikojnë. Por, nëse ka çmueshmëri të sinqertë, mund të bëhen shumë gjëra.—Mat. 13:19, 23.
12. Cilin synim të shëndetshëm frymor të rinjtë janë të inkurajuar të konsiderojnë në mënyrë të veçantë?
12 Është mirë të vihen synime, që do të na ndihmojnë për ta zgjeruar pjesëmarrjen tonë në shërbim të Mbretërisë. Të rinjtë duhet të mendojnë seriozisht mbi shembullin e shkëlqyer të Timoteut, të riut të zellshëm të krishterë. (Filip. 2:19-22) Ç’mund të jetë tjetër më e mirë për ta sesa fillimi i shërbimit të plotë kohor kur mbarojnë shkollën? Gjithashtu, edhe të moshuarit do të nxjerrin dobi duke vënë synime të shëndetshme frymore.
13. (a) Kush duhet të vendosë për atë që ti mund të bësh personalisht në shërbim të Mbretërisë? (b) Nga se është e dukshme nëse ne kërkojmë më parë Mbretërinë?
13 Në vend që të kritikojmë ata që sipas nesh mund të bënin më tepër, duhet të nxitemi nga besimi që të punojmë për t’u përmirësuar personalisht, në mënyrë që t’i shërbejmë Perëndisë në një masë të plotë, aq sa na lejojnë rrethanat tona. (Rom. 14:10-12; Gal. 6:4) Siç tregohet në rastin e Jobit, Satanai pohon se ne interesohemi kryesisht për të mirat tona materiale, për rehatinë dhe mirëqenien tonë personale dhe se arsyeja për të cilën i shërbejmë Jehovait është egoizmi. Por, nëse kërkojmë me të vërtetë më parë Mbretërinë, do të kontribuojmë për të provuar se Djalli është gënjeshtari më i madh. Ne e bëjmë të dukshme se në vend të parë në jetën tonë nuk janë të mirat materiale e as rehatia personale, por shërbimi ndaj Perëndisë. Me fjalë dhe vepra, ne provojmë kështu dashurinë tonë të thellë për Jehovain, mbështetjen tonë besnike ndaj sovranitetit të tij dhe dashurinë tonë për të afërmin.—Prov. 27:11; Jobi 1:9-11; 2:4, 5.
14. (a) Përse është e dobishme të kesh një program për shërbimin në fushë? (b) Deri në ç’masë marrin pjesë në shërbimin në fushë shumë Dëshmitarë dhe pse?
14 Një program mund të na ndihmojë të bëjmë më shumë se në çdo mënyrë tjetër. Vetë Jehovai ka «kohë të caktuara» për të zbatuar qëllimin e tij dhe ne bëjmë mirë ta imitojmë. (Të Dal. 9:5; Mar. 1:15; Gal. 4:4) Nëse është e mundur, është mirë të marrim pjesë në shërbimin në fushë një apo më shumë herë në kohën e caktuar çdo javë. Dhjetra mijëra Dëshmitarë të Jehovait anembanë botës janë regjistruar si pionierë ndihmës dhe ndihen të gëzuar duke harxhuar mesatarisht dy apo më tepër orë në ditë, në predikimin e lajmit të mirë. Disa e bëjnë këtë rregullisht; të tjerë, disa herë në vit. Mijëra e mijëra të tjerë shërbejnë si pionierë të rregullt, duke përdorur mesatarisht të paktën tri orë në ditë për të shpallur mesazhin e Mbretërisë. Të tjerë, si pionierë specialë dhe misionarë harxhojnë akoma më shumë kohë në shërbim të Mbretërisë. Dhe nëse jemi apo jo aktualisht në shërbimin në fushë, ne mund të kërkojmë mundësi për ta ndarë shpresën e Mbretërisë në çdo rast të përshtatshëm me cilindo që është i gatshëm të dëgjojë. (Krahaso Gjoni 4:7-15.) Të gjithë duhet të mendojmë seriozisht mbi atë se çfarë nënkupton kjo profeci e Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» Duhet të kemi dëshirë që të marrim pjesë sa më shumë në këtë vepër, aq sa na lejojnë rrethanat tona.—Mat. 24:14; Efes. 5:15-17.
15. Në lidhje me shërbimin tonë, përse mendon se këshilla e 1. Korintasve 15:58 është e përshtatshme?
15 Të bashkuar, Dëshmitarët e Jehovait në të gjitha pjesët e tokës, pa marrë parasysh kombin në të cilin jetojnë, po marrin pjesë aktivisht në këtë privilegj të madh shërbimi. Ata aplikojnë në vetvete këtë këshillë të frymëzuar biblike: «Të bëhemi të vendosur, të palëkundur, duke pasur gjithmonë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke ditur se puna juaj nuk është e kotë në lidhje me Zotërinë.»—1. Kor. 15:58.
Pyetje për përsëritje
● Kur Jezui tha të kërkojmë më parë Mbretërinë, çfarë tregoi se duhet të jetë në vend të dytë?
● Çfarë pikëpamje duhet të kemi në lidhje me të kujdesurit për nevojat fizike të vetes dhe të familjes? Çfarë ndihme do të na japë Perëndia?
● A ka ndonjë ndryshim në masën që ne angazhohemi në shërbim të Mbretërisë apo mjafton të marrim pjesë ndonjëherë? Përse?