Dëshmitarët e Jehovait
Përkufizimi: Shoqëria e krishterë mbarëbotërore e njerëzve që aktivisht japin dëshmi për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij në lidhje me njerëzimin. Ata i bazojnë bindjet e tyre vetëm në Bibël.
Cilat bindje i dallojnë Dëshmitarët e Jehovait nga fetë e tjera?
(1) Bibla: Dëshmitarët e Jehovait besojnë se e gjithë Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe, në vend që t’i përmbahen një kredoje të bazuar në traditën njerëzore, ata i përmbahen Biblës si standardi i tërë bindjeve të tyre.
(2) Perëndia: Adhurojnë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë dhe flasin lirshëm me të tjerët për të e për qëllimet e tij të dashura për njerëzimin. Kushdo që dëshmon publikisht për Jehovain, zakonisht dallohet që i përket të vetmit grup që jep këtë dëshmi, pra «Dëshmitarëve të Jehovait».
(3) Jezu Krishti: Nuk besojnë se Jezu Krishti është pjesë e një Triniteti, por, siç thotë Bibla, besojnë se ai është Biri i Perëndisë, i pari nga tërë krijesat e Perëndisë; se ka ekzistuar para se të vinte në tokë si njeri dhe se jeta e tij u transferua nga qiejt në barkun e një virgjëreshe, Marisë; se jeta e tij e përsosur njerëzore, që u dha si flijim, bën të mundur shpëtimin dhe jetën e përhershme për ata që tregojnë besim; se që prej vitit 1914, Krishti po sundon si Mbret mbi tërë tokën, me autoritetin që i ka dhënë Perëndia.
(4) Mbretëria e Perëndisë: Besojnë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin; se është një qeveri reale; se së shpejti ajo do të shkatërrojë sistemin e lig të tanishëm, përfshirë edhe tërë qeveritë njerëzore, dhe se do të sjellë një sistem të ri, ku do të mbizotërojë drejtësia.
(5) Jeta qiellore: Besojnë se 144.000 të krishterë, të mirosur nga fryma, do të marrin pjesë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore dhe do të mbretërojnë bashkë me të. Nuk besojnë se qielli është shpërblimi për këdo që është «i mirë».
(6) Toka: Besojnë se, qëllimi që kishte në fillim Perëndia, do të përmbushet; se toka do të popullohet e tëra nga adhurues të Jehovait dhe se këta do të mund të gëzojnë jetën e përhershme si njerëz të përsosur; se madje edhe të vdekurit do të ngrihen e do t’u jepet mundësia që të kenë këto bekime.
(7) Vdekja: Besojnë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë; se nuk po provojnë as dhembje, as kënaqësi në ndonjë vend frymor; se ata ekzistojnë vetëm në kujtesën e Perëndisë, prandaj shpresa që ata të jetojnë në të ardhmen, varet nga ringjallja.
(8) Ditët e fundit: Besojnë se, që prej vitit 1914, po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig; se ata që e duan drejtësinë, do të mbijetojnë e do të jetojnë në një tokë të pastruar.
(9) Të ndarë nga bota: Përpiqen sinqerisht të mos jenë pjesë e botës, siç tha Jezui për ithtarët e tij. Tregojnë dashuri të vërtetë të krishterë për të tjerët, por nuk marrin pjesë në politikë ose në luftërat e ndonjë kombi. Sigurojnë gjërat e nevojshme për familjen, por shmangin rendjen pas gjërave materiale e famës dhe dhënien pas kënaqësive, që janë të zakonshme në botën e sotme.
(10) Zbatojnë këshillat e Biblës: Besojnë se është e rëndësishme të zbatojnë këshillat e Fjalës së Perëndisë në jetën e përditshme: në shtëpi, në shkollë, në punë dhe në kongregacionin e tyre. Pavarësisht nga mënyra e mëparshme e jetesës, një njeri mund të bëhet Dëshmitar i Jehovait, në qoftë se i braktis zakonet që Fjala e Perëndisë dënon dhe zbaton këshillat e saj hyjnore. Por, në rast se dikush më pas praktikon kurorëshkeljen, kurvërinë, homoseksualizmin, abuzimin me drogën, dehjen, gënjeshtrat ose vjedhjen, ai përjashtohet nga organizata.
(Lista e mësipërme përmend shkurtimisht disa bindje të rëndësishme të Dëshmitarëve të Jehovait, por nuk përmend aspak tërë pikat ku bindjet e tyre ndryshojnë nga grupet e tjera fetare. Bazat biblike për bindjet e mësipërme mund të gjenden në Treguesin e këtij libri.)
A janë Dëshmitarët e Jehovait një fe amerikane?
Ata përkrahin Mbretërinë e Perëndisë dhe jo sistemin politik, ekonomik ose shoqëror të ndonjë kombi në këtë botë të vjetër.
Është e vërtetë se vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në ditët e sotme ka filluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se selia e tyre botërore ndodhet atje, kjo ka ndihmuar për shtypjen dhe dërgimin e literaturës biblike pothuajse në shumicën e vendeve të botës. Megjithatë Dëshmitarët nuk pëlqejnë një komb më shumë se një tjetër; ata ndodhen pothuajse në çdo komb dhe kanë zyra në shumë vise të tokës për të mbikëqyrur veprimtarinë e tyre në këto zona.
Mendoni pak: Jezui, që ishte hebre, lindi në Palestinë, por krishterimi nuk është fe palestineze, apo jo? Vendi ku lindi Jezui si njeri, nuk është faktori më i rëndësishëm që duhet marrë parasysh. Ajo që mësoi Jezui, vinte nga Ati, Perëndia Jehova, i cili i trajton me paanësi njerëzit e të gjitha kombeve.—Gjoni 14:10; Vep. 10:34, 35.
Si financohet vepra e Dëshmitarëve të Jehovait?
Nëpërmjet kontributeve vullnetare, siç bënin edhe të krishterët e parë. (2 Kor. 8:12; 9:7) Në mbledhjet e tyre nuk mblidhen para; ata kurrë nuk u kërkojnë para pjesëmarrësve. Çdo dhuratë nga personat e interesuar, përdoret për të çuar përpara veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik, që drejtohet nga Dëshmitarët.
Dëshmitarët nuk paguhen për të shkuar shtëpi më shtëpi ose për të ofruar literaturë biblike në rrugë. Dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit i motivon të flasin për masat e dashura që ka marrë Perëndia për njerëzimin.
Enti Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, i cili është një ent ligjor fetar që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait, u formua në vitin 1884, në përputhje me Ligjin për entet jofitimprurëse të Komonuelthit të Pensilvanisë, SHBA. Pra, sipas ligjit, ky ent nuk mund të jetë dhe nuk është një organizatë fitimprurëse dhe as individët nuk nxjerrin fitime nëpërmjet saj. Statuti i Shoqatës thotë: «Ajo [Shoqata] nuk ka si qëllim të nxjerrë të ardhura ose fitime monetare, qoftë rastësisht, qoftë në çdo mënyrë tjetër, për pjesëtarët, drejtuesit ose funksionarët e saj.»
A janë Dëshmitarët e Jehovait një sekt ose kult?
Disa e përkufizojnë sektin si një grup që është shkëputur nga një fe tradicionale. Të tjerë e përdorin këtë term për një grup që ndjek një udhëheqës ose mësues njerëzor. Zakonisht ky term përdoret me përçmim. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë degë e ndonjë feje, por përfshijnë njerëz të të gjitha shtresave shoqërore dhe me prejardhje të ndryshme fetare. Udhëheqësi i tyre nuk është ndonjë njeri, por, përkundrazi, Jezu Krishti.
Një kult është një fe që thuhet se është jokonvencionale ose që vë theksin te përkushtimi sipas një rituali të caktuar. Shumë kulte ndjekin një udhëheqës njerëzor të gjallë dhe shpesh anëtarët e tyre jetojnë në grupe të ndara nga shoqëria. Megjithatë, standardi për të përcaktuar diçka si konvencionale, është Fjala e Perëndisë, dhe Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen ngushtësisht Biblës. Adhurimi i tyre është një mënyrë jetese, dhe jo një përkushtim ritual. Ata as ndjekin një njeri e as veçohen nga shoqëria, por jetojnë dhe punojnë në mes njerëzve.
Sa e vjetër është feja e Dëshmitarëve të Jehovait?
Sipas Biblës, linja e dëshmitarëve të Jehovait shkon deri te besniku Abel. Hebrenjve 11:4–12:1 thotë: «Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit. . . . Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie. . . . Me anë të besimit, Abrahami, kur u thirr, u bind të shkonte në një vend që do ta merrte si trashëgimi. . . . Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit. . . . Prandaj, meqenëse na rrethon një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht, e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»
Në lidhje me Jezu Krishtin, Bibla shprehet: «Kështu thotë Amini, dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë, fillimi i krijimit të Perëndisë.» Dëshmitar i kujt ishte ai? Jezui tha vetë se ua shfaqi emrin e Atit njerëzve. Ai ishte dëshmitari i parë i Jehovait.—Zbul. 3:14; Gjoni 17:6.
Është interesant fakti që disa judenj pyetën nëse veprimtaria e Jezu Krishtit përfaqësonte ‘një mësim të ri’. (Mar. 1:27) Më vonë, disa grekë menduan se apostulli Pavël po paraqiste ‘një mësim të ri’. (Vep. 17:19, 20) Ishte i ri për veshët e atyre që po e dëgjonin, por rëndësi ka që ishte e vërteta, në përputhje të plotë me Fjalën e Perëndisë.
Në ditët e sotme, historia e Dëshmitarëve të Jehovait nisi me formimin e një grupi për studimin e Biblës në Allegeni të Pensilvanisë, SHBA, në fillim të viteve 1870. Fillimisht ata njiheshin vetëm si Studentët e Biblës, ndërsa në vitin 1931 morën emrin biblik Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10-12) Bindjet dhe praktikat e tyre nuk janë të reja, por janë një rivendosje e krishterimit të shekullit të parë.
A besojnë Dëshmitarët e Jehovait se feja e tyre është e vetmja fe e drejtë?
Bibla nuk është dakord me mendimin e sotëm se ka shumë mënyra të pranueshme për të adhuruar Perëndinë. Efesianëve 4:5 thotë se ka «një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm». Jezui tha: «E ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë. . . . Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.»—Mat. 7:13, 14, 21; shih edhe 1 Korintasve 1:10.
Vazhdimisht Shkrimet e quajnë tërësinë e mësimeve të vërteta të krishtere si ‘e vërteta’ dhe krishterimi quhet «udha e së vërtetës». (1 Tim. 3:15; 2 Gjon. 1; 2 Pjet. 2:2) Meqë Dëshmitarët e Jehovait i bazojnë tërë bindjet, normat e sjelljes dhe procedurat organizative në Bibël, ky besim te Bibla si Fjala e Perëndisë i bën të jenë të bindur se kanë të vërtetën. Pra, qëndrimi i tyre nuk është mburracak, por tregon se janë të sigurt që Bibla është standardi i drejtë për të vlerësuar një fe. Nuk janë egoistë, por janë gati të flasin me të tjerët për bindjet e tyre.
A nuk e ndjekin Biblën edhe fe të tjera?
Shumë fe e përdorin atë në njëfarë mase. Por, a mësojnë dhe praktikojnë vërtet gjërat që përmban ajo? Për shembull: (1) Nga shumica e përkthimeve të tyre të Biblës, ato e kanë hequr me mijëra herë emrin e Perëndisë së vërtetë. (2) Doktrina e Trinitetit, koncepti që kanë për vetë Perëndinë, është huazuar nga burime pagane dhe u zhvillua në formën aktuale disa shekuj pasi kishte përfunduar shkrimi i Biblës. (3) Besimi i tyre në pavdekësinë e shpirtit të njeriut, si baza për vazhdimin e jetës, nuk është marrë nga Bibla; ai i ka rrënjët në Babiloninë e lashtë. (4) Tema e predikimit të Jezuit ishte Mbretëria e Perëndisë, dhe ai i dërgoi dishepujt që të flitnin personalisht me të tjerët për të; por sot kishat rrallë e përmendin atë Mbretëri dhe anëtarët e tyre nuk po bëjnë veprën e predikimit të ‘këtij lajmi të mirë për mbretërinë’. (Mat. 24:14) (5) Jezui tha se ithtarët e tij të vërtetë do të dalloheshin menjëherë nga dashuria vetësakrifikuese që do të kishin për njëri-tjetrin. A është e vërtetë kjo për fetë e të ashtuquajturit krishterim kur kombet përfshihen në luftëra? (6) Bibla thotë se dishepujt e Krishtit nuk do të ishin pjesë e botës dhe paralajmëron se, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë; mirëpo fetë e të ashtuquajturit krishterim dhe pjesëtarët e tyre janë zhytur thellë në çështjet politike të kombeve. (Jak. 4:4) Duke pasur parasysh këto fakte, a mund të thuhet me ndershmëri se ata po i përmbahen me të vërtetë Biblës?
Si i nxjerrin Dëshmitarët e Jehovait shpjegimet e tyre për Biblën?
Një faktor kyç është se Dëshmitarët besojnë vërtet që Bibla është Fjala e Perëndisë dhe se gjithçka që përmban ajo, është për të na mësuar. (2 Tim. 3:16, 17; Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11) Prandaj, ata nuk u drejtohen argumentimeve filozofike për t’iu shmangur pohimeve të saj të qarta për të vërtetën ose për të justifikuar mënyrën e jetesës së njerëzve që i kanë braktisur normat e saj morale.
Në lidhje me kuptimin e gjuhës simbolike në Bibël, ata i drejtohen vetë Biblës që të japë shpjegimin, në vend që të nxjerrin teoritë e tyre. (1 Kor. 2:13) Dhe tregues për kuptimin e termave simbolikë gjenden zakonisht në pjesë të tjera të Biblës. (Si një shembull shih Zbulesën 21:1; pastaj për kuptimin e fjalës ‘det’ lexo Isainë 57:20. Për të identifikuar «Qengjin» që përmendet te Zbulesa 14:1, shih Gjonin 1:29 dhe 1 Pjetrit 1:19.)
Për përmbushjen e profecive, ata ndjekin këshillën e Jezuit për të qenë syçelë ndaj ngjarjeve që përkojnë me gjërat që u parathanë. (Luka 21:29-31; krahaso 2 Pjetrit 1:16-19.) Me ndërgjegje flasin për këto ngjarje dhe e drejtojnë vëmendjen te domethënia që kanë ato sipas Biblës.
Jezui tha se do të kishte në tokë ‘një skllav të besueshëm dhe të matur’ (ithtarët e tij të mirosur, të marrë si një grup i vetëm), nëpërmjet të cilit ai do t’u siguronte ushqim frymor pjesëtarëve të familjes së besimit. (Mat. 24:45-47) Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë këtë organizim. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ata i drejtohen trupit udhëheqës të klasës së ‘skllavit’ për të zgjidhur çështje të vështira—jo duke u bazuar në mençurinë njerëzore, por duke përdorur njohurinë e tyre për Fjalën e Perëndisë dhe mënyrën si vepronte Ai me shërbëtorët e tij, si edhe ndihmën e frymës së Perëndisë, për të cilën luten me ngulm.—Vep. 15:1-29; 16:4, 5.
Pse gjatë viteve ka pasur ndryshime në mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait?
Bibla thotë se Jehovai i ndihmon shërbëtorët e vet që ta kuptojnë qëllimin e tij gradualisht. (Prov. 4:18; Gjoni 16:12) Kështu për shembull, profetët që u frymëzuan në mënyrë hyjnore të shkruanin pjesë të Biblës, nuk e kapën domethënien e çdo gjëje që shkruan. (Dan. 12:8, 9; 1 Pjet. 1:10-12) Apostujt e Jezu Krishtit ishin të vetëdijshëm se kishte mjaft gjëra që nuk i kuptonin në kohën e tyre. (Vep. 1:6, 7; 1 Kor. 13:9-12) Bibla tregon se njohuria për të vërtetën do të shtohej shumë gjatë ‘kohës së fundit’. (Dan. 12:4) Shtimi i njohurisë shpesh kërkon të ndreqet mënyra e të menduarit. Dëshmitarët e Jehovait përulësisht tregohen të gatshëm t’i bëjnë këto ndreqje.
Pse Dëshmitarët e Jehovait predikojnë shtëpi më shtëpi?
Jezui paratha për ditët tona këtë vepër: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» Gjithashtu i urdhëroi ithtarët e vet: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mat. 24:14; 28:19.
Kur Jezui i nisi dishepujt e tij të parë, u tha që të shkonin shtëpi më shtëpi. (Mat. 10:7, 11-13) Apostulli Pavël tha për shërbimin e tij: «Nuk ndenja pa ju thënë gjithçka dobiprurëse, as pa ju mësuar publikisht dhe shtëpi më shtëpi.»—Vep. 20:20, 21; shih edhe Veprat 5:42.
Mesazhi që shpallin Dëshmitarët, ka të bëjë me jetën e njerëzve; ata duan të bëjnë kujdes që të mos lënë asnjeri pa i predikuar. (Sof. 2:2, 3) Vizitat që bëjnë te njerëzit, motivohen nga dashuria—së pari për Perëndinë, por edhe për njerëzit.
Në një konferencë të udhëheqësve fetarë në Spanjë, u tha: «Ndoshta [kishat] janë tejet neglizhente ndaj asaj që përbën shqetësimin më të madh të Dëshmitarëve—vizitat në shtëpitë e njerëzve, gjë që përfshihet në metodologjinë apostolike të kishës së hershme. Ndërkohë që kishat, jo në pak raste, kufizohen vetëm duke ndërtuar tempujt e tyre, duke u rënë kambanave për të tërhequr njerëz dhe duke predikuar brenda vendeve të tyre të adhurimit, [Dëshmitarët] ndjekin taktikën apostolike dhe shkojnë shtëpi më shtëpi e shfrytëzojnë çdo rast për të dëshmuar.»—El Catolicismo, Bogotá, Kolumbi, 14 shtator 1975, f. 14.
Por pse Dëshmitarët shkojnë vazhdimisht edhe te shtëpitë e njerëzve që nuk janë të besimit të tyre?
Ata nuk ua imponojnë mesazhin e tyre të tjerëve. Por e dinë se njerëzit ndryshojnë vendqëndrim dhe se ndryshojnë edhe rrethanat e tyre. Sot një njeri mund të jetë tepër i zënë e ndoshta nuk dëgjon; një herë tjetër mund të dëgjojë me kënaqësi. Mbase njëri pjesëtar i një familjeje nuk është i interesuar, kurse të tjerët po. Vetë njerëzit ndryshojnë; ka të ngjarë që disa probleme serioze në jetë t’i bëjnë më të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.—Shih edhe Isainë 6:8, 11, 12.
Pse përndiqen Dëshmitarët e Jehovait dhe pse flasin kundër tyre?
Jezui tha: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e veta. Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, bota ju urren.» (Gjoni 15:18, 19; shih edhe 1 Pjetrit 4:3, 4.) Bibla tregon se e gjithë bota dergjet nën kontrollin e Satanait; ai është shkaktari kryesor i përndjekjes.—1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:17.
Gjithashtu Jezui u tha dishepujve: «Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mar. 13:13) Këtu fjala ‘emër’ ka kuptimin e asaj që është zyrtarisht Jezui, pra Mbret Mesianik. Përndjekja vjen ngaqë Dëshmitarët e Jehovait i vënë urdhrat e tij përpara atyre të çdo sundimtari tokësor.
Nëse dikush thotë:
‘Pse nuk bëni gjëra që ndihmojnë për ta bërë botën (komunitetin) një vend më të mirë për të jetuar?’
Mund të përgjigjesh: ‘Gjendja e komunitetit sigurisht që është e rëndësishme për ju, e po kështu është dhe për mua. A mund t’ju pyes se cilit problem mendoni se duhet t’i kushtohet vëmendje të parit?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Pse mendoni se ka një nevojë kaq të madhe për të? . . . Patjetër që një veprim i menjëhershëm për këtë çështje, mund të jetë i dobishëm. Megjithatë, jam i sigurt se jeni dakord që ne duam të shikojmë një përmirësim që zgjat. Kështu e shohim këtë çështje ne Dëshmitarët e Jehovait. (Shpjego se çfarë bëjmë për t’i ndihmuar njerëzit individualisht që të zbatojnë parimet biblike në jetë, me qëllim që të shkojnë në rrënjë të çështjes; shpjego edhe se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë dhe pse kjo do t’i zgjidhë përgjithnjë problemet e njerëzimit.)’
Ose mund të thuash: ‘(Pasi të kesh përmendur disa pika në përgjigjen e mëparshme . . . ) Disa njerëz ndihmojnë për të përmirësuar gjendjen e komunitetit duke dhënë para; të tjerë e bëjnë këtë duke kryer vullnetarisht disa shërbime. Dëshmitarët e Jehovait i bëjnë të dyja. Ja, t’jua shpjegoj.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Që një njeri të jetë Dëshmitar i Jehovait, ai duhet të paguajë me ndërgjegje taksat; kjo i siguron qeverisë paratë për të kryer shërbimet e nevojshme.’ (2) ‘Ne shkojmë edhe më tej, duke i vizituar njerëzit në shtëpi dhe jemi të gatshëm të studiojmë Biblën me ta, pa pagesë. Kur marrin njohuri për gjërat që thotë Bibla, ata mësojnë t’i zbatojnë parimet biblike, dhe kështu përballojnë problemet e tyre.’
Një mundësi tjetër: ‘Gëzohem që përmendët këtë çështje. Shumë njerëz nuk janë interesuar ndonjëherë të dinë se çfarë bëjnë në të vërtetë Dëshmitarët për problemet e komunitetit. Patjetër që ka mjaft mënyra për të dhënë ndihmë.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Disa japin ndihmë duke ngritur institucione—spitale, shtëpi për të moshuarit, qendra rehabilitimi për të droguarit, etj. Të tjerë mund të dalin vullnetarë për të shkuar drejtpërdrejt në shtëpitë e njerëzve dhe t’i ndihmojnë me sa kanë mundësi. Kështu veprojnë Dëshmitarët e Jehovait.’ (2) ‘Kemi vërejtur se ka diçka që mund t’ia ndryshojë krejt pikëpamjen që ka një njeri për jetën. Kjo është njohuria për atë që, sipas Biblës, është qëllimi i vërtetë i jetës dhe se çfarë presim për të ardhmen.’
Një sugjerim tjetër: ‘Gëzohem që bëtë këtë pyetje. Ne duam të shohim përmirësimin e kushteve të jetesës, apo jo? A mund t’ju pyes se çfarë mendoni për atë që bëri vetë Jezu Krishti? A do të thoshit se ishte praktike mënyra se si i ndihmonte njerëzit duke shkuar tek ata? . . . Ne përpiqemi të ndjekim shembullin e tij.’
‘Të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të Jezuit, dhe jo të Jehovait’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo është një pikë interesante. Dhe keni të drejtë kur thoni se kemi përgjegjësinë që të jemi dëshmitarë të Jezuit. Për këtë arsye, në botimet tona i jepet rëndësi rolit të Jezuit në qëllimin e Perëndisë. (Mund të përdorësh një libër ose një revistë për të treguar këtë.) Por doja t’ju tregoja diçka që ndoshta nuk ju ka shkuar ndër mend. (Zbul. 1:5) . . . «Dëshmitari i Besueshëm» i kujt ishte Jezui? (Gjoni 5:43; 17:6) . . . Jezui la një shembull që duhet ta imitojmë, apo jo? . . . Pse është kaq e rëndësishme që të njohim si Jezuin, ashtu edhe Atin e tij? (Gjoni 17:3)’