KAPITULLI 2
Bibla—Një libër nga Perëndia
1, 2. Pse Bibla është një dhuratë e veçantë nga Perëndia?
SI NDIHESH kur një mik të bën një dhuratë? Mezi pret ta hapësh dhe je i lumtur që ai ka menduar për ty. Me siguri e falënderon.
2 Bibla është një dhuratë nga Perëndia. Ajo na jep informacione që nuk i gjejmë askund tjetër. Për shembull, tregon se Perëndia krijoi qiejt, tokën, si dhe burrin e gruan e parë. Ajo përmban parime që na ndihmojnë kur lindin probleme. Gjithashtu mëson si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij për ta bërë tokën një vend më të mirë. Bibla është vërtet një dhuratë e veçantë.
3. Çfarë do të mësosh ndërsa studion Biblën?
3 Ndërsa studion Biblën, do të zbulosh se Perëndia dëshiron që të jesh miku i tij. Sa më shumë të mësosh për të, aq më e fortë do të bëhet miqësia juaj.
4. Çfarë të bën përshtypje rreth Biblës?
4 Bibla është përkthyer në rreth 2.600 gjuhë dhe janë shtypur miliarda kopje të saj. Mbi 90 për qind e njerëzve mund ta lexojnë në gjuhën e nënës. Veç kësaj, çdo javë pajisen me Bibël mbi një milion njerëz. Po, nuk ka asnjë libër tjetër si Bibla.
5. Pse themi që Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’?
5 Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’. (Lexo 2 Timoteut 3:16.) Megjithatë, disa mbase mendojnë: «Si mund të jetë Bibla një libër nga Perëndia kur e kanë shkruar njerëzit?» Vetë Bibla jep përgjigje: «Njerëzit kanë thënë mesazhin e Perëndisë, të shtyrë [ose të drejtuar] nga fryma e shenjtë.» (2 Pjetrit 1:21) Këtë mund ta krahasojmë me një drejtor që e udhëzon sekretaren të shkruajë një letër. Kush është autori i letrës? Drejtori, dhe jo sekretarja. Po kështu, Autori i Biblës është Perëndia, dhe jo njerëzit që përdori për ta shkruar. Perëndia i drejtoi këta njerëz ndërsa hidhnin me shkrim mendimet e tij. Ja pse themi që Bibla është vërtet ‘fjala e Perëndisë’.—1 Selanikasve 2:13; shiko pikën 2 të Shtojcës.
NJË LIBËR I SAKTË
6, 7. Pse themi se pjesët e Biblës janë në harmoni me njëra-tjetrën?
6 Për të shkruar Biblën u deshën më tepër se 1.600 vjet. Shkrimtarët e saj jetuan në periudha të ndryshme. Disa ishin shumë të arsimuar, të tjerë jo. Për shembull, njëri ishte mjek. Të tjerë ishin bujq, peshkatarë, barinj, profetë, gjykatës dhe mbretër. Por, ndonëse Bibla është shkruar nga njerëz të ndryshëm, pjesët e saj janë në harmoni me njëra-tjetrën. Ajo nuk thotë një gjë në një vend e të kundërtën në një tjetër.a
7 Kapitujt e parë të Biblës shpjegojnë si filluan problemet e njerëzimit, ndërsa kapitujt e fundit tregojnë se Perëndia do t’i zgjidhë këto probleme duke e kthyer tokën në parajsë. Bibla përfshin mijëra vjet të historisë së njerëzimit dhe jep prova se Perëndia e përmbush gjithmonë qëllimin e tij.
8. Jep shembuj që tregojnë se Bibla është e saktë nga ana shkencore.
8 Bibla është gjithmonë e saktë kur flet për argumente shkencore, ndonëse nuk ka si qëllim të na mësojë për shkencën. Kjo është tamam ajo që pritet prej një libri nga Perëndia. Për shembull, libri i Levitikut përmban udhëzime që Perëndia u dha izraelitëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Ky libër u shkrua shumë kohë para se njerëzit të zbulonin bakteret e viruset, dhe se si ato shkaktojnë sëmundje. Gjithashtu, Bibla tregon me saktësi se toka qëndron varur në asgjë. (Jobi 26:7) Për më tepër, kur shumica e njerëzve besonin që toka është e sheshtë, Bibla thoshte se ajo është rruzull ose sferë.—Isaia 40:22.
9. Çfarë vërteton sinqeriteti i shkrimtarëve të Biblës?
9 Edhe kur flet për historinë, Bibla është gjithnjë e saktë. Mjaft libra historie nuk janë shumë të saktë, sepse shkrimtarët e tyre nuk janë treguar të sinqertë. Për shembull, nuk i kanë dokumentuar gjithmonë rastet kur kombi i tyre pësonte disfata në luftë. Ndërsa shkrimtarët e Biblës ishin të sinqertë edhe kur kombi i tyre humbte në luftë. Madje, ata kanë shkruar edhe për gabimet e veta. Për shembull, në librin e Numrave, Moisiu tregoi se kishte bërë një gabim të rëndë dhe se Perëndia e disiplinoi. (Numrat 20:2-12) Sinqeriteti i shkrimtarëve të Biblës vërteton se ajo është Fjala e Perëndisë dhe se mund t’i besojmë.
NJË LIBËR PLOT ME KËSHILLA TË MENÇURA
10. Pse janë të vlefshme këshillat e Biblës për ditët e sotme?
10 Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme për të mësuar, për të korrigjuar dhe për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16) Këshillat e saj kanë vlerë edhe sot. Jehovai e njeh mirë natyrën njerëzore, prandaj i kupton ndjenjat dhe mendimet tona. Ai na njeh më mirë nga ç’e njohim ne veten dhe dëshiron që të jemi të lumtur. Jehovai e di se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe për ne.
11, 12. (a) Çfarë këshillash të mençura dha Jezui në kapitujt 5 deri në 7 të Mateut? (b) Çfarë tjetër na mëson Bibla?
11 Në kapitujt 5 deri në 7 të Mateut lexojmë këshillat e shkëlqyera të Jezuit për tema të tilla, si: lumturia, marrëdhëniet e mira me të tjerët, lutja dhe pikëpamja për paratë. Ndonëse ai i dha këto këshilla 2.000 vjet më parë, ato janë të efektshme e të dobishme edhe sot.
12 Me anë të Biblës, Jehovai na mëson edhe parime që na ndihmojnë të përmirësojmë jetën familjare, të jemi punëtorë të mirë dhe të jetojmë në paqe me të tjerët. Parimet e Biblës mund të na ndihmojnë në çdo rast, pavarësisht se kush jemi, ku jetojmë a çfarë problemesh kalojmë.—Lexo Isainë 48:17; shiko pikën 3 të Shtojcës.
NJË LIBËR ME PROFECI TË BESUESHME
13. Sipas Isaisë, çfarë do t’i ndodhte qytetit të Babilonisë?
13 Shumë profeci të Biblës tashmë janë plotësuar. Për shembull, Isaia kishte profetizuar se Babilonia do të shkatërrohej. (Isaia 13:19) Ai e kishte përshkruar me saktësi pushtimin e saj. Qyteti i Babilonisë mbrohej nga porta të mëdha dhe nga një lumë. Por, Isaia kishte parathënë se lumi do të thahej dhe portat do të liheshin hapur. Ushtria armike do ta pushtonte qytetin pa luftuar. Madje, Isaia kishte parathënë se Babiloninë do ta rrëzonte një burrë me emrin Kir.—Lexo Isainë 44:27–45:2; shiko pikën 4 të Shtojcës.
14, 15. Si u plotësua profecia e Isaisë?
14 Dyqind vjet pasi u shkrua kjo profeci, një ushtri iu afrua Babilonisë, gati për ta sulmuar. Kush ishte në krye të saj? Kiri, mbreti i Persisë, tamam siç ishte profetizuar. Megjithatë, a do të arrinte ushtria e Kirit ta pushtonte Babiloninë siç kishte parathënë profeti Isaia?
15 Natën që u sulmua qyteti, babilonasit po festonin. Ndiheshin të sigurt sepse ishin të mbrojtur nga muret gjigante dhe nga lumi. Jashtë qytetit, Kiri dhe ushtria e tij hapën një kanal që të ulnin nivelin e lumit. Niveli u ul aq sa ushtarët persë mund të ecnin përmes lumit. Po matanë mureve të Babilonisë, si do të kalonin? Sikurse thoshte profecia, portat e qytetit ishin lënë hapur, prandaj qyteti u pushtua pa luftë.
16. (a) Çfarë kishte profetizuar Isaia për fundin e Babilonisë? (b) Nga e dimë që profecia e Isaisë u plotësua?
16 Isaia kishte profetizuar se si përfundim Babilonia do të bëhej e pabanueshme. Ai shkroi: «Ajo s’do të banohet më kurrë, as do të popullohet më brez pas brezi.» (Isaia 13:20) A ka ndodhur vërtet kështu? Aty ku dikur gjendej Babilonia, rreth 80 kilometra në jug të Bagdadit, në Irak, ka vetëm rrënoja. Edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë e pabanuar. Jehovai e fshiu Babiloninë «me fshesën e shfarosjes [ose shkatërrimit]».—Isaia 14:22, 23.b
17. Pse mund t’u besojmë të gjitha premtimeve të Perëndisë?
17 Fakti që shumë profeci të Biblës tashmë janë plotësuar, tregon se mund t’i besojmë edhe asaj që Bibla thotë për të ardhmen. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta kthejë tokën në parajsë, siç ka premtuar. (Lexo Numrat 23:19.) Po, ne kemi «shpresën e jetës së përhershme, të cilën Perëndia, që nuk mund të gënjejë, e premtoi shumë kohë më parë».—Titit 1:2.c
BIBLA MUND TË TË NDRYSHOJË JETËN
18. Si e përshkroi Pavli ‘fjalën e Perëndisë’?
18 Kemi parë që nuk ka asnjë libër si Bibla. Pjesët e saj janë në harmoni me njëra-tjetrën, dhe kur flet për shkencën ose historinë, është gjithnjë e saktë. Gjithashtu na jep këshilla të mençura dhe përmban plot profeci që tashmë janë plotësuar. Por nuk mjaftohet me kaq. Apostulli Pavël shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» Ç’kuptim kanë këto fjalë?—Lexo Hebrenjve 4:12.
19, 20. (a) Si mund të të ndihmojë Bibla të njohësh veten? (b) Si mund ta tregosh mirënjohjen për këtë dhuratë?
19 Bibla mund të të ndryshojë jetën. Ajo mund të të ndihmojë të njohësh veten. Bibla të ndihmon të kuptosh mendimet dhe ndjenjat e tua më të thella. Për ta ilustruar: mbase mendojmë se e duam Perëndinë, por, që të tregojmë se e duam vërtet, duhet t’i zbatojmë gjërat që thotë Bibla.
20 Pa dyshim, Bibla është një libër nga Perëndia. Ai ka dëshirë që ta lexosh, ta studiosh dhe ta duash këtë libër. Tregohu mirënjohës për këtë dhuratë dhe vazhdo ta studiosh. Kështu do të kuptosh qëllimin e Perëndisë për njerëzit. Në kapitullin vijues do të mësojmë më shumë rreth këtij qëllimi.
a Disa thonë se Bibla ka mospërputhje, por kjo nuk është e vërtetë. Shiko kapitullin 7 të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Nëse dëshiron të dish më shumë për këtë profeci të Biblës, mund të lexosh faqet 27-29 të broshurës Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.