KAPITULLI TETËMBËDHJETË
«Vazhdo të më ndjekësh»
1-3. (a) Si ishte ndarja e Jezuit nga apostujt dhe pse kjo nuk ishte një ndarje lamtumire? (b) Pse duhet të dimë më shumë se çfarë ndodhi me Jezuin pasi u kthye në qiell?
NJËMBËDHJETË apostujt ishin mbledhur së bashku në një mal dhe plot admirim shihnin personin që ata e donin aq shumë. Ndonëse me pamje njeriu, para tyre qëndronte Jezui, i cili pas ringjalljes ishte sërish engjëlli më i fuqishëm i Jehovait. Jezui i kishte mbledhur apostujt në Malin e Ullinjve për t’i takuar edhe një herë të fundit.
2 Me siguri që ky vend i sillte shumë kujtime. Mali i Ullinjve ishte pjesë e një vargu kodrash gëlqerore përgjatë luginës së Kidronit, që zinin fill nga Jerusalemi. Në këto shpate ndodhej Betania, ku ai kishte ringjallur Lazarin. Aty afër ndodhej edhe Betfaga. Në këtë fshat, para disa javësh, Jezui kishte hipur mbi një kërriç dhe kishte udhëtuar për në Jerusalem, ku njerëzit e kishin mirëpritur. Ka mundësi që në Malin e Ullinjve të ndodhej edhe kopshti i Getsemanisë, ku Jezui kaloi orët e ankthshme para se ta arrestonin. Tani, në të njëjtin mal, ai po përgatitej për t’u larguar prej dishepujve, miqve të tij më të ngushtë. Pasi u tha disa fjalë të përzemërta, nisi të ngrihej nga toka. Apostujt qëndruan aty pa lëvizur, duke vështruar Zotërinë e tyre të dashur ndërsa ngjitej në qiell. Së fundi, një re ua fshehu nga sytë dhe nuk e panë më.—Veprat 1:6-12.
3 A të duket kjo skenë si një moment i trishtë, si një ndarje lamtumire? Në të vërtetë nuk është e tillë. Nga fjalët që dy engjëjt u thanë apostujve, kuptojmë se historia e Jezuit nuk mbaroi me kaq. (Veprat 1:10, 11) Në fakt, kthimi i tij në qiell ishte fillimi i disa ngjarjeve të rëndësishme, dhe Fjala e Perëndisë hedh dritë mbi atë që ndodhi më tej. Për ne është shumë e rëndësishme të dimë për jetën e Jezuit pasi u kthye në qiell. Pse? Kujto çfarë i tha ai Pjetrit: «Vazhdo të më ndjekësh.» (Gjoni 21:19, 22) Të gjithë duhet t’i bindemi këtij urdhërimi, dhe këtë duhet ta bëjmë vazhdimisht, jo thjesht me raste. Ja pse duhet të kuptojmë se çfarë po bën tani Zotëria ynë në qiell dhe çfarë caktimesh ka.
Jeta e Jezuit pas kthimit në qiell
4. Si e kishte parathënë Bibla se çfarë do të ndodhte në qiell pasi Jezui të kthehej atje?
4 Shkrimet nuk tregojnë se çfarë ndodhi kur Jezui mbërriti në qiell: për mënyrën si e mikpritën a ribashkimin e gëzuar me Atin e tij. Megjithatë, Bibla kishte parathënë çfarë do të ndodhte në qiell pak pasi Jezui të kthehej atje. Në fakt, populli jude kishte kremtuar rregullisht një ceremoni të shenjtë për më shumë se 15 shekuj. Një herë në vit, Ditën e Shlyerjes, kryeprifti hynte në Më të Shenjtën e tempullit dhe spërkaste me gjakun e flijimeve tokën para arkës së besëlidhjes. Atë ditë, kryeprifti paraqiste në mënyrë profetike atë që do të bënte Mesia në të ardhmen. Jezui e përmbushi një herë e mirë domethënien e asaj ceremonie kur u kthye në qiell. Ai hyri në vendin më të shenjtë në univers, para vetë Jehovait, dhe i paraqiti vlerën e flijimit të tij shpërblyes. (Hebrenjve 9:11, 12, 24) A e pranoi Jehovai këtë flijim?
5, 6. (a) Nga e kuptojmë se Jehovai e kishte pranuar flijimin shpërblyes të Krishtit? (b) Cilët nxjerrin dobi nga shpërblesa dhe si?
5 Përgjigjen e gjejmë kur shqyrtojmë çfarë ndodhi disa ditë pas ngjitjes së Jezuit në qiell. Një grup i vogël me rreth 120 të krishterë ishte mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem, kur papritur u dëgjua një zhurmë, si ajo e një ere të furishme. Mbi kokat e tyre qëndruan ca si gjuhë zjarri, dhe ata u mbushën me frymë të shenjtë e filluan të flitnin në gjuhë të ndryshme. (Veprat 2:1-4) Kjo ngjarje shënoi lindjen e një kombi të ri, Izraelit të Perëndisë, i cili tani ishte ‘populli i zgjedhur’ dhe ‘priftëria mbretërore’ e Jehovait për të kryer vullnetin e tij në tokë. (1 Pjetrit 2:9) Kjo tregonte qartë se Perëndia Jehova e kishte pranuar dhe miratuar flijimin shpërblyes të Krishtit. Derdhja e frymës së shenjtë ishte ndër bekimet e para që u bënë të mundura falë shpërblesës.
6 Që nga ajo kohë, shpërblesa e Krishtit u ka sjellë dobi dishepujve të tij në mbarë botën. Të gjithë nxjerrim dobi nga flijimi tij: qoftë ‘kopeja e vogël’ e të mirosurve, anëtarët e së cilës do të mbretërojnë me Krishtin në qiell, qoftë ‘delet e tjera’ që do të jetojnë nën qeverisjen e tij në tokë. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Ky flijim shërben si bazë për faljen e mëkateve dhe për shpresën e jetës së përhershme. Për sa kohë vazhdojmë ‘të tregojmë besim’ te shpërblesa, duke e ndjekur Jezuin dita-ditës, mund të kemi një ndërgjegje të pastër dhe një shpresë të bukur për të ardhmen.—Gjoni 3:16.
7. Ç’autoritet iu dha Jezuit pasi u kthye në qiell? Ç’mund të bësh ti për ta mbështetur Jezuin?
7 Çfarë ndodhi me Jezuin pasi u kthye në qiell? Atij iu dha shumë autoritet. (Mateu 28:18) Po, Jehovai e caktoi që të drejtojë kongregacionin e krishterë, përgjegjësi të cilën Jezui e ka përmbushur me dashuri e drejtësi. (Kolosianëve 1:13) Siç ishte parathënë, Jezui ka siguruar burra të pjekur që të kujdesen për nevojat e kopesë së tij. (Efesianëve 4:8) Për shembull, ai e zgjodhi Pavlin që të ishte «apostull i kombeve» dhe e dërgoi të përhapte lajmin e mirë në vende të largëta. (Romakëve 11:13; 1 Timoteut 2:7) Aty nga fundi i shekullit të parë, Jezui përdori apostullin Gjon për të shkruar letra që përmbanin lavdërime, këshilla dhe ndreqje për shtatë kongregacione në provincën romake të Azisë. (Zbulesa, kapitujt 2, 3) A e beson se Jezui është kreu i kongregacionit të krishterë? (Efesianëve 5:23) Që të vazhdosh ta ndjekësh, duhet të bashkëpunosh me ata që marrin drejtimin në kongregacionin tënd dhe t’u bindesh.
8, 9. Ç’autoritet iu dha Jezuit në vitin 1914 dhe si duhet të ndikojë kjo në vendimet që marrim?
8 Jezuit iu dha edhe më shumë autoritet në vitin 1914. Atë vit, ai u emërua Mbret i Mbretërisë mesianike të Jehovait. Sapo filloi të qeveriste, «në qiell shpërtheu lufta». Çfarë ndodhi si pasojë? Satanai dhe demonët e tij u hodhën poshtë në tokë, dhe kjo shënoi fillimin e një epoke mjerimi. Shtimi i luftërave, krimeve, terrorit, sëmundjeve, tërmeteve dhe mungesa e ushqimit, me të cilat po përballet njerëzimi sot, na kujtojnë se Jezui po qeveris në qiell. Satanai do të vazhdojë të jetë «sundimtari i kësaj bote» edhe për ‘një periudhë të shkurtër kohe’. (Zbulesa 12:7-12; Gjoni 12:31; Mateu 24:3-7; Luka 21:11) Megjithatë, Jezui po u jep njerëzve kudo në botë mundësinë që të pranojnë të jenë nënshtetasit e tij.
9 Është jetësore të marrim anën e Mbretit mesianik. Për çdo vendim që marrim, duhet të kërkojmë miratimin e tij, jo të kësaj bote të korruptuar. Ndërsa ky «Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve» heton njerëzimin, zemra e tij e drejtë ndien indinjatë, por ama edhe gufon nga gëzimi. (Zbulesa 19:16) Pse?
Zemërimi dhe gëzimi i Mbretit mesianik
10. Çfarë natyre ka Jezui, por pse me të drejtë ndihet i zemëruar?
10 Bibla thotë se Jehovai është i lumtur, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Zotërinë tonë. (1 Timoteut 1:11) Kur ishte në tokë, Jezui nuk kishte natyrë kritikuese dhe as nuk ishte tepër kërkues. Megjithatë, gjërat që ndodhin sot në botë, me të drejtë i shkaktojnë zemërim. S’ka dyshim që është i indinjuar me të gjitha organizatat e rreme fetare që pretendojnë se e përfaqësojnë. Në fakt ai e kishte parathënë këtë: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, . . . a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ E megjithatë unë do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni vepra të paligjshme!’»—Mateu 7:21-23.
11-13. Pse Jezui është i zemëruar me ata që thonë se kanë bërë «shumë vepra të fuqishme» në emër të tij? Ilustroje.
11 Shumë njerëz sot, që e quajnë veten të krishterë, mund të çuditen me këto fjalë. Mbase nuk e kuptojnë pse Jezui do të hidhte poshtë njerëz që thonë se kanë bërë «shumë vepra të fuqishme» në emër të tij. Kishat e krishterimit kanë kryer bamirësi, kanë ndihmuar të varfrit, kanë ndërtuar spitale e shkolla dhe kanë bërë shumë gjëra të tjera. Por, për të kuptuar pse Jezui është i zemëruar me ta, le të shqyrtojmë një ilustrim.
12 Mendo për dy prindër që u duhet të bëjnë një udhëtim. Ngaqë s’i marrin dot fëmijët me vete, punësojnë një dado që të kujdeset për ta. Ajo që i kërkojnë, është shumë e thjeshtë: «Kujdesu për fëmijët tanë. Ushqeji dhe sigurohu që të jenë të pastër e të mos vriten.» Mirëpo kur kthehen, prindërit tronditen sepse shohin që fëmijët e tyre janë të uritur, të palarë, të sëmurë, pra vërtet në një gjendje të mjeruar. Qajnë për t’i tërhequr vëmendjen dados, por ajo as që ua hedh sytë. Pse? Se ka hipur në majë të shkallëve e po lan dritaret. Të zemëruar në kulm, prindërit i kërkojnë llogari. Dadoja përgjigjet: «Por shikoni pak gjithë këto gjëra që kam bërë! A s’janë të pastra dritaret? Madje kam riparuar disa gjëra në shtëpi. Dhe të gjitha i kam bërë veç për ju!» A do t’i bënte kjo prindërit të ndiheshin më mirë? Sigurisht që jo! Ata as që ia kishin kërkuar t’i bënte këto punë, thjesht donin që ajo të kujdesej për fëmijët. Normale që ndihen të zemëruar, pasi ajo s’i ka zbatuar porositë e tyre.
13 Kishat kanë vepruar si kjo dado. Jezui u kërkoi dishepujve t’u mësonin njerëzve të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë dhe t’i ndihmonin ta adhuronin Jehovain në mënyrën e duhur. (Gjoni 21:15-17) E megjithatë, këto kisha, që duhej të përfaqësonin Jezuin, i kanë shpërfillur në mënyrë flagrante udhëzimet e tij. Ato nuk u kanë mësuar njerëzve asgjë për Perëndinë dhe për të vërtetat që gjenden në Bibël, përkundrazi i kanë mbytur me gënjeshtra. (Isaia 65:13; Amosi 8:11) Edhe pse mund të kenë bërë disa gjëra për të përmirësuar këtë botë, këto përpjekje nuk e justifikojnë mosbindjen e tyre të pacipë. Fundja, kjo botë e ligë është si një shtëpi që i ka rënë plani të shembet. Fjala e Perëndisë e bën të qartë se bota e Satanait do të shkatërrohet së shpejti.—1 Gjonit 2:15-17.
14. Çfarë e bën të lumtur sot Jezuin dhe pse?
14 Nga ana tjetër, Jezui duhet të jetë shumë i lumtur kur sheh nga qiejt se miliona njerëz po përmbushin caktimin për të bërë dishepuj—caktim që ua la dishepujve të vet para se të largohej nga toka. (Mateu 28:19, 20) Sa privilegj të madh kemi që të bëjmë të lumtur Mbretin mesianik! Le të jemi të vendosur që të vazhdojmë të ndihmojmë ‘skllavin besnik dhe të mençur’. (Mateu 24:45) Ndryshe nga kleri i krishterimit, ky grup i vogël i vëllezërve të mirosur i është bindur Krishtit, duke marrë drejtimin në veprën e predikimit dhe duke i ushqyer me besnikëri delet e tij.
15, 16. (a) Çfarë mendon Jezui për mungesën e dashurisë që mbizotëron sot dhe si e dimë këtë? (b) Pse krishterimi apostat e meriton zemërimin e Jezuit?
15 Shumë njerëz sot nuk tregojnë fare dashuri për të tjerët. Jemi të sigurt se kjo e zemëron shumë Jezuin. Në një rast, kur ai ishte në tokë, farisenjtë e kritikuan ngaqë shëronte njerëzit në sabat. Ishin kaq zemërgur dhe kokëfortë, sa nuk arrinin të dallonin dot parimet që qëndronin pas ligjeve që u kishte dhënë Jehovai. Mrekullitë e Jezuit u sillnin pa masë dobi. Por, farisenjve s’u bënte fare përshtypje gëzimi, lehtësimi dhe besimi i fortë që këto mrekulli ngjallnin te njerëzit. Ç’mendonte Jezui për qëndrimin e tyre? Në një rast, ai ‘i pa të gjithë me indinjatë dhe u hidhërua për zemrën e tyre të pandjeshme’.—Marku 3:5.
16 Sot Jezui ka akoma më shumë arsye për t’u ndier «i hidhëruar». Krerët e krishterimit janë kaq të fiksuar pas traditave dhe mësimeve të tyre, sa nuk duan t’ia dinë fare që ato bien në kundërshtim me Shkrimet. Për më tepër, predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë i acaron. Në shumë pjesë të botës, kleri ka nxitur një përndjekje të ashpër ndaj atyre të krishterëve që përpiqen sinqerisht të predikojnë të njëjtin mesazh si Jezui. (Gjoni 16:2; Zbulesa 18:4, 24) Gjithashtu, këta klerikë shpesh i nxitin dishepujt e tyre të shkojnë në luftë e t’u marrin jetën të tjerëve, a thua se kjo i pëlqen Jezu Krishtit!
17. Si ia gëzojnë zemrën Jezuit dishepujt e tij të vërtetë?
17 Krejt ndryshe prej tyre, dishepujt e vërtetë të Jezuit tregojnë dashuri për të tjerët. Pavarësisht nga kundërshtimi që hasin, u japin lajmin e mirë ‘njerëzve të çdo lloji’, njësoj si Jezui. (1 Timoteut 2:4) Dashuria që tregojnë për njëri-tjetrin është e pashoqe. Ajo është shenja kryesore që i identifikon. (Gjoni 13:34, 35) Duke i trajtuar bashkëbesimtarët me dashuri, respekt dhe dinjitet, ata po e ndjekin vërtet Jezuin dhe po ia gëzojnë zemrën Mbretit mesianik.
18. Çfarë e hidhëron Zotërinë tonë, por si mund ta kënaqim?
18 Nuk duhet të harrojmë edhe se Zotëria ynë hidhërohet kur dishepujt e tij nuk u rezistojnë sprovave, duke lejuar kështu t’u ftohet dashuria për Jehovain, dhe si pasojë të mos i shërbejnë më Atij. (Zbulesa 2:4, 5) Por, Jezui kënaqet me ata që qëndrojnë besnikë deri në fund. (Mateu 24:13) Atëherë, le të bëjmë çmos që ta mbajmë gjithnjë në mend urdhërimin e Krishtit: «Vazhdo të më ndjekësh.» (Gjoni 21:19) Tani të shqyrtojmë disa bekime që do t’u japë Mbreti mesianik atyre që qëndrojnë deri në fund.
Lumë bekimesh për shërbëtorët besnikë të Mbretit
19, 20. (a) Ç’bekime kemi që tani kur ndjekim Jezuin? (b) Në ç’mënyrë Jezui mund të jetë si një atë për ne?
19 Nëse i bindemi Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe ndjekim shembullin e tij, do të kemi jetën më fantastike të mundshme. Nuk do të na mungojnë asnjëherë gjërat për të cilat njerëzit në botë punojnë shumë për t’i pasur e nuk i arrijnë dot. Do të kemi privilegjin të marrim pjesë në një vepër që i jep kuptim e qëllim jetës sonë, do të kemi një familje me motra e vëllezër që na duan vërtet dhe do të gëzojmë ndërgjegje të pastër e paqe mendore. Me pak fjalë, do të kemi një jetë të pasur e të kënaqshme. Por nuk mbaron me kaq.
20 Jehovai e ka caktuar Jezuin të shërbejë si «Atë i Përjetshëm» për ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Jezui zëvendëson atin tonë njerëzor, Adamin, që i tradhtoi mizorisht pasardhësit e vet. (Isaia 9:6, 7) Duke e pranuar Jezuin si ‘Atin tonë të Përjetshëm’ e duke treguar besim tek ai, kemi shpresën e sigurt të jetës së përhershme. Për më tepër, afrohemi më shumë me Perëndinë Jehova. Siç e pamë, përpjekjet për ta ndjekur çdo ditë shembullin e Jezuit janë mënyra më e mirë për t’iu bindur këtij urdhërimi të frymëzuar: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.»—Efesianëve 5:1.
21. Si pasqyrojnë dishepujt e Krishtit dritë në një botë të errët?
21 Ndërsa imitojmë Jezuin dhe Atin e tij, Jehovain, kemi një privilegj të mrekullueshëm: të pasqyrojmë një lloj drite të veçantë. Në këtë botë të zhytur në errësirë, ku miliarda veta mashtrohen nga Satanai dhe imitojnë tiparet e tij, si dishepuj të Krishtit përhapim dritën më të shndritshme: dritën e të vërtetave të Biblës, dritën e cilësive të shkëlqyera të krishtere, dritën e gëzimit, të paqes dhe të dashurisë së vërtetë. Në të njëjtën kohë, afrohemi më shumë me Jehovain, dhe ky është synimi më i lartë e më fisnik i çdo krijese me aftësi për të arsyetuar.
22, 23. (a) Ç’bekime të ardhshme do të kenë ata që vazhdojnë ta ndjekin me besnikëri Jezuin? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
22 Mendo edhe për atë që Jehovai dëshiron të bëjë për ty në të ardhmen, me anë të Mbretit të tij mesianik. Së shpejti, ky Mbret do të luftojë kundër Satanait dhe sistemit të tij të lig. Fitorja e Jezuit është e sigurt. (Zbulesa 19:11-15) Më pas, do të fillojë Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit mbi tokën. Qeveria e tij qiellore do t’i ndihmojë njerëzit besnikë të gëzojnë bekimet që vijnë falë shpërblesës dhe të arrijnë përsosmërinë. Imagjino kur të gjithë të gëzojmë shëndet të plotë, të jemi gjithnjë të rinj e të fortë dhe të bashkëpunojmë të lumtur si një familje mbarëbotërore për ta transformuar tokën në parajsë! Në fund të atij Mijëvjeçari, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë Atit të tij. (1 Korintasve 15:24) Nëse vazhdon të ndjekësh me besnikëri Krishtin, do të marrësh një bekim kaq të mrekullueshëm, sa as e imagjinon dot: «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Po, të gjithë do të kemi bekimet që Adami dhe Eva i kishin, por i humbën. Si bij e bija të Jehovait këtu në tokë, do të çlirohemi një herë e mirë nga skllavëria e mëkatit adamik. Dhe më në fund, «nuk do të ketë më vdekje»!—Zbulesa 21:4.
23 Të kujtohet i riu i pasur për të cilin folëm në kapitullin e parë? Ai nuk e pranoi ftesën e Jezuit: «Eja e bëhu dishepulli im.» (Marku 10:17-22) Të mos e bëjmë edhe ne këtë gabim, por le ta pranojmë me gëzim dhe entuziazëm ftesën e Jezuit. Shpresojmë që të vazhdosh të tregosh qëndrueshmëri dhe ta ndjekësh Jezuin çdo ditë. Në këtë mënyrë, do të shohësh përmbushjen e lavdishme të qëllimit madhështor të Jehovait!