Pyetje nga lexuesit
Përse Përkthimi Bota e Re te 2 Pjetrit 3:13 flet për «qiej të rinj [shumës] e një tokë të re», kurse te Zbulesa 21:1 parathuhet për «një qiell të ri [njëjës] dhe një tokë të re»?
Në thelb, kjo është një hollësi gramatikore që ka të bëjë me gjuhët origjinale. Nuk duket se ka ndonjë domethënie të veçantë, për sa i përket kuptimit.
Shqyrtoni në fillim Shkrimet Hebraike. Në tekstin e gjuhës origjinale, fjala hebraike shamayim, e përkthyer «qiell(j)», është gjithnjë në numrin shumës. Fakti që është në numrin shumës duket se pasqyron, jo shumësin e madhërisë, por idenë e shumësit që përdoret për të treguar se pjesë të ndara të një të tëre shtrihen në largësi a në hapësirë ose idenë e një të tëre, të përbërë nga pjesë ose pika të ndara të panumërta. Kjo kuptohet nga fakti se qiejt fizikë shtrihen larg tokës në të gjitha drejtimet dhe përfshijnë miliarda yje. Kur fjalën shamayim e paraprin nyja shquese, Përkthimi Bota e Re pothuajse gjithnjë e përkthen «qiej», si tek Isaia 66:22. Kur fjala shamayim shfaqet pa nyjën shquese, mund të përkthehet në njëjës («qiell», si te Zanafilla 1:8; 14:19, 22; Psalmi 69:34) ose në shumës («qiej» si te Zanafilla 49:25; Gjykatësit 5:4; Jobi 9:8; Isaia 65:17).
Si tek Isaia 65:17, ashtu edhe tek Isaia 66:22 fjala hebraike për qiej është në numrin shumës dhe përkthimi konsekuent që është zgjedhur është «qiej të rinj dhe një tokë të re».
Fjala greke ouranos do të thotë «qiell» dhe shumësi ouranoi do të thotë «qiej». Është interesant fakti se përkthyesit e Septuagintës greke përdorën formën në njëjës si tek Isaia 65:17, ashtu edhe tek Isaia 66:22.
Po për dy rastet kur fraza «qiell të ri [ose qiej të rinj] dhe tokë të re» shfaqet në Shkrimet e Krishtere Greke?
Te 2 Pjetrit 3:13 apostulli përdori shumësin e greqishtes. Pikërisht përpara këtij vargu (në vargjet 7, 10, 12) ai foli për «qiejt» e tanishëm të ligj, duke përdorur numrin shumës. Prandaj ai ishte konsekuent kur përdori shumësin në vargun 13. Për më tepër, duket se ai po citonte nga origjinali i Isaisë 65:17, ku fjala hebraike është në shumës, ashtu si te 2 Pjetrit 2:22 kur citoi nga teksti hebraik i Fjalëve të urta 26:11. Kështu, Pjetri foli për ‘qiej [shumës] të rinj e një tokë të re që ne i presim sipas premtimit të tij’.
Me një dallim të vogël, te Zbulesa 21:1 apostulli Gjon me sa duket përdori përkthimin e Isaisë 65:17 në Septuagintën, e cila, siç u tha më sipër, përmbante fjalën greke për «qiell» në numrin njëjës. Prandaj, Gjoni shkroi kështu: «Pashë një qiell [njëjës] të ri dhe një tokë të re; sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar.»
Këto janë hollësi gramatikore që lidhen me përkthimin. Ia vlen të përsëritim se nuk duket që ka ndonjë ndryshim në domethënie nëse një person lexon ose flet për «qiej të rinj» apo «qiell të ri». Kuptimi me të cilin përdoren të dyja frazat është i njëjtë.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Yje: Frank Zullo