Përse të ruhemi nga idhujtaria?
«Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve!»—1. GJONIT 5:21.
1. Përse adhurimi i Jehovait është i shmangur nga idhujtaria?
JEHOVAI nuk është një idhull prej metali, druri ose guri. Asnjë tempull njerëzor nuk mund ta mikpresë. Atij, duke qenë Frymë e gjithëpushtetshme, i padukshëm për njerëzit, është e pamundur t’i bëhet një shëmbëlltyrë. Prandaj, adhurimi i pastër ndaj Jehovait duhet të jetë krejtësisht i shmangur nga idhujtaria.—Të Dalët 33:20; Veprat 17:24; 2. Korintasve 3:17.
2. Cilat pyetje meritojnë të konsiderohen?
2 Nëse jeni adhurues të Jehovait mund të pyesni: «Çfarë është idhujtaria? Në ç’mënyrë shërbëtorët e Jehovait kanë mundur ta shmangin atë në të kaluarën? Dhe përse duhet të ruhemi nga idhujtaria sot?»
Ç’është idhujtaria
3, 4. Si mund të përkufizohet idhujtaria?
3 Në përgjithësi idhujtaria është e shoqëruar nga ndonjë ceremoni ose rit. Idhujtaria është adhurimi i thellë, dashuria, kulti ose adhurimi i një idhulli. Por, çfarë është një idhull? Është një shëmbëlltyrë, përfytyrimi i diçkaje, ose një simbol, objekt devotshmërie. Zakonisht idhujtaria i drejtohet një qenieje më të lartë, të vërtetë ose të supozuar, së cilës i jepet një ekzistencë e vërtetë (një qenie njerëzore, një kafshë ose një organizatë). Por idhujtaria mund të ketë lidhje gjithashtu edhe me gjërat jofrymore (një forcë natyrore ose një objekt pa jetë).
4 Termat hebreje të përdorura në Shkrime për të treguar idhujt, shpesh nënvizojnë kotësinë ose shprehin përçmim. Ndërmjet këtyre janë termat «shëmbëlltyrë e skalitur» (fjalë për fjalë, diçka e gdhendur); «statujë, shëmbëlltyrë ose idhull prej metali të shkrirë» (diçka e shkrirë ose e derdhur); «idhull i tmerrshëm»; «idhull i kotë» (fjalë për fjalë, kotësi) dhe «idhull prej plehu». Termi grek èidolon është i përkthyer «idhull».
5. Përse mund të thuhet se jo të gjitha shëmbëlltyrat janë idhuj?
5 Jo të gjitha shëmbëlltyrat janë idhuj. Vetë Perëndia i urdhëroi izraelitët të bënin dy kerubimë prej ari për arkën e besëlidhjes dhe të qëndisnin përfaqësimet e krijesave të tilla frymore mbi dhjetë pëlhurat që përbënin mbulesën e brendshme të tendës së adhurimit dhe mbi perden që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta. (Të Dalët 25:1, 18; 26:1, 31-33) Vetëm priftërinjtë shërbyes shikonin këto përfaqësime, që kryesisht shërbenin si simbol i kerubimëve qiellorë. (Krahaso Hebrenjve 9:24, 25). Fakti që përfaqësimet e kerubimëve që rrinin në tendën e adhurimit nuk duhet të adhuroheshin është i dukshëm nga fakti që vetë engjëjt e drejtë refuzuan të adhuroheshin.—Kolosianëve 2:18; Zbulesa 19:10; 22:8, 9.
Çfarë mendon Jehovai për idhujtarinë
6. Çfarë mendon Jehovai mbi idhujtarinë?
6 Shërbëtorët e Jehovait ruhen nga idhujtaria sepse ai është kundër të gjitha praktikave të idhujtarisë. Perëndia i ndaloi izraelitët të bënin shëmbëlltyra si objekte kulti dhe t’i adhuronin. Dhjetë Urdhrat përfshinin këto fjalë: «Nuk duhet t’i bësh vetes shëmbëlltyra të gdhendura ose formë të ngjashme të asnjë gjëje që është lart në qiej apo që është poshtë mbi tokë ose që ndodhet në ujërat poshtë tokës. Nuk duhet të përkulesh përpara tyre e as të nxitesh për t’u shërbyer atyre, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkon devotshmëri të veçantë, duke ndëshkuar për gabimin e etërve mbi bijtë, mbi brezninë e tretë dhe mbi brezninë e katërt, në rastin e atyre që më urrejnë; por që ushtron dashamirësi të dashur ndaj breznisë së njëmijtë në rastin e atyre që më duan dhe mbajnë urdhrat e mia.»—Të Dalët 20:4-6.
7. Përse Jehovai është në kundërshtim me çfarëdolloj forme të idhujtarisë?
7 Përse Jehovai është kundër çdo lloj forme të idhujtarisë? Kryesisht, sepse ashtu siç tregon i dyti nga të Dhjetë Urdhrat që është përmendur më lart ai kërkon devotshmëri të veçantë. Për më tepër, nëpërmjet profetit Isaia tha: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im; dhe nuk do t’ia jap asnjë tjetri madhështinë time, as lavdinë time shëmbëlltyrave të gdhendura.» (Isaia 42:8) Qe një kohë në të cilën izraelitët ranë në kurthin e idhujtarisë deri në atë pikë, saqë «ua flijonin bijtë dhe bijat e tyre demonëve». (Psalmi 106:36, 37) Idhujtarët jo vetëm mohojnë se Jehovai është Perëndia i vërtetë, por kryejnë edhe interesat e Kundërshtarit të tij kryesor, Satanait dhe demonëve.
Besnikë në provë
8. Cila provë iu paraqit tre hebrenjve Sadrakut, Mesakut dhe Abednegut?
8 Ruhemi nga idhujtaria edhe për besnikëri ndaj Jehovait. Mund të kuptohet mirë nga një episod i treguar nga kapitulli 3 i Danielit. Mbreti Nabukodonosor, për të inauguruar një shëmbëlltyrë të madhe prej ari që kishte ngritur thirri funksionarët e perandorisë së tij. Urdhri vlente edhe për tre administratorët hebrej të vendosur në qarkun e juridiksionit të Babilonisë, Sadrakun, Mesakun dhe Abednegun. Kur të binin disa instrumenta muzikorë të gjithë të pranishmit duhej të përkuleshin përpara shëmbëllimit. Kjo ishte një tentativë e perëndisë efektive të Babilonisë, Satanait, për t’i detyruar të tre hebrenjtë që të përkuleshin përpara një shëmbëlltyre që përfaqësonte perandorinë babilonase. Përfytyroni skenën.
9, 10. (a) Çfarë pozicioni morën tre hebrenjtë dhe si u shpërblyen? (b) Çfarë inkurajimi mund të marrin Dëshmitarët e Jehovait nga sjellja e tre hebrenjve?
9 Shikoni! Të tre hebrenjtë janë në këmbë. Kujtojnë ligjin e Perëndisë që ndalon bërjen e idhujve ose shërbimin ndaj atyre ose shëmbëlltyrave të gdhendura. Nabukodonosori u jep atyre ultimatumin: përkulje ose vdekje! Por, për besnikërinë ndaj Jehovait, ata thonë: «Nëse duhet të jetë, Perëndia ynë që shërbejmë mund të na lirojë. Ai do të na lirojë nga furra me zjarr të fortë dhe nga dora jote, o mbret. Por nëse jo, të shohësh, o mbret, që ne nuk i shërbejmë perëndive të tu dhe sigurisht që nuk do të adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.»—Danieli 3:16-18.
10 Këta shërbëtorë besnikë të Perëndisë i hedhin në furrën e mbinxehur. I habitur kur sheh katër persona në furrë, Nabukodonosori u bërtet tre hebrenjve që të dalin, dhe ata dalin jashtë të padëmtuar. Në atë moment mbreti thërret: «I bekuar qoftë Perëndia i Sadrakut, Mesakut dhe Abednegut që ka dërguar engjëllin e tij [personi i katërt i parë në furrë] dhe i ka liruar shërbëtorët e tij që kanë besuar në të dhe që kanë kthyer fjalën e mbretit dhe kanë lënë trupat e tyre, sepse nuk donin të shërbenin dhe nuk donin të adhuronin asnjë perëndi tjetër përveç Perëndisë së tyre. . . . Nuk ekziston një perëndi tjetër që mund të lirojë si ky.» (Danieli 3:28, 29) Integriteti i atyre tre hebrenjve është një inkurajim për Dëshmitarët e sotëm, për të qenë besnikë ndaj Perëndisë, për të mbajtur asnjanësinë dhe për të shmangur idhujtarinë.—Gjoni 17:16.
Idhujt e humbin çështjen
11, 12. (a) Çfarë shkroi Isaia në lidhje me Jehovain dhe perënditë idhujtarë? (b) Çfarë figure bënë perënditë e kombeve kur u sfiduan nga Jehovai?
11 Një arsye tjetër për t’u ruajtur nga idhujtaria është se adhurimi i idhujve është i kotë. Edhe pse disa idhuj të bërë nga njerëzit u ngjajnë të gjallëve—shpesh në fakt kanë gojë, sy dhe veshë—nuk munden as të flasin, as të shohin, as të dëgjojnë dhe nuk mund të bëjnë asgjë për të devotshmit e tyre. (Psalmi 135:15-18) Kjo gjë u tregua në shekullin e VIII-të p.e.s., kur profeti i Perëndisë përshkroi tek Isaia 43:8-28 atë që mund të quhet një çështje gjyqësore mes Jehovait dhe perëndive idhujtarë. Në të, populli i Perëndisë, Izraeli, ishte ndarë nga njëra anë dhe kombet e botës nga ana tjetër. Jehovai i ftoi perënditë e rreme të kombeve që të shpallnin «gjërat e para», d.m.th. të profetizonin saktësisht. Asnjë prej tyre nuk qe në gjendje ta bëjë. Duke iu drejtuar popullit të tij, Jehovai tha: «Ju jeni dëshmitarët e mi . . . dhe unë jam Perëndia.» Kombet nuk mund të tregonin që perënditë e tyre ekzistonin më parë se Jehovai dhe as që ishin në gjendje të profetizonin. Ndërsa Jehovai paratha shkatërrimin e Babilonisë dhe lirimin e popullit të Tij të burgosur.
12 Përveç kësaj, si përshkruhet tek Isaia 44:1-8, shërbëtorët e Perëndisë, të liruar prej tij, do të thoshin se «i përkisnin Jehovait». Ai vetë tha: «Unë jam i pari dhe unë jam i fundit dhe përveç meje nuk ka asnjë Perëndi.» Nuk u dëgjua asnjë kundërshtim nga ana e perëndive idhujtarë. «Ju jeni dëshmitarët e mi», i tha Jehovai përsëri popullit të tij, dhe shtoi: «A ekziston ndonjë Perëndi përveç meje? Jo, nuk ka asnjë Shkëmb.»
13. Çfarë zbulon idhujtaria mbi llogarinë e idhujtarëve?
13 Ruhemi nga idhujtaria edhe sepse atij që e praktikon i mungon dituria. Me një pjesë të pemës që ka zgjedhur, idhujtari bën një perëndi për ta adhuruar dhe me tjetrën ndez një zjarr mbi të cilin gatuan ushqim. (Isaia 44:9-17) Çfarë marrëzie! Si ai që fabrikon idhuj, ashtu edhe ai që i adhuron turpërohet edhe sepse nuk është në gjendje të japë një dëshmi bindëse të hyjnisë së tyre. Por Hyjnia e Jehovait nuk diskutohet, sepse ai jo vetëm paratha lirimin e popullit të tij nga Babilonia, por bëri të mundur që të ndodhte. Jeruzalemi u popullua përsëri, qytetet e Judës u rindërtuan dhe «ujërat mbrojtëse të humnerës» së Babilonisë—lumi Eufrat—u thanë. (Isaia 44:18-27) Gjithashtu, siç kishte parathënë Perëndia, Kiri i Persisë pushtoi Babiloninë.—Isaia 44:28–45:6.
14. Çfarë do të provohet një herë e përgjithmonë në Korteun Suprem të universit?
14 Perënditë idhujtarë e humbën çështjen mbi hyjninë. Dhe ajo që ndodhi në Babiloni do të ndodhë pashmangshmërisht mbi palën tjetër moderne, Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. Së shpejti ajo dhe të gjithë perënditë e saj, orenditë e shenjta dhe objektet idhujtare të kultit do të zhduken përgjithmonë. (Zbulesa 17:12–18:8) Në Korteun Suprem të universit atëherë do të provohet një herë e përgjithmonë që Jehovai është Perëndia i vetëm i gjallë dhe i vërtetë dhe që plotëson Fjalën e tij profetike.
Flijime demonëve
15. Çfarë treguan fryma e shenjtë dhe trupi udhëheqës në shekullin e parë në lidhje me popullin e Jehovait dhe idhujtarinë?
15 Populli i Jehovait ruhet nga idhujtaria edhe sepse është i udhëhequr nga fryma dhe nga organizata e Perëndisë. Në shekullin e parë trupi udhëheqës i shërbëtorëve të Jehovait u tha të bashkëkrishterëve: «Sepse i uduk e-pëlqyerë Frymës’ së-Shënjtëruarë edhe neve, të mos u vëmë juve më tjetërë barrë përveç këtyreve që janë të-nevojshime. Të hiqni dorë nga kurbanët’ e idhujvet, edhe nga gjaku, edhe nga gjëj’ e-mbyturë, edhe nga kurvëria; nga këto ndë ruajçi vetëhenë t’uaj, dotë bëni mirë. Qofshi me shëndet.»—Veprat 15:28, 29, BK.
16. Si do ta përmblidhnit me fjalët tuaja atë që tha Pavli rreth gjërave të flijuara idhujve?
16 Shmangia e demonizmit është një arsye tjetër për t’u ruajtur nga idhujtaria. Duke folur mbi Darkën e Zotërisë apostulli Pavël u tha të krishterëve të Korintit: «Hiqni dorë nga idhujtaria. . . . Kupa e bekimit që ne bekojmë, a nuk është një pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është një pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ka një bukë të vetme, ne, megjithëse shumë, jemi vetëm një trup, përderisa marrim pjesë të gjithë në këtë bukë të vetme. Shikoni se çfarë është Izraeli sipas mishit: Ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës me altarin? Çfarë të them, pra? Që ajo që i është flijuar një idhulli është diçka, apo që një idhull është diçka? Jo; por them se gjërat që flijojnë kombet ia flijojnë demonëve, dhe jo Perëndisë; dhe unë nuk dua që të merrni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Jehovait dhe kupën e demonëve; nuk mund të merrni pjesë në ‘tryezën e Jehovait’ dhe në tryezën e demonëve. Ose ‘a e nxitim Jehovain në xhelozi’? Ne nuk jemi më të fortë se ai, apo jo?»—1. Korintasve 10:14-22, NW.
17. Në shekullin e parë të e.s., një i krishterë në cilat rrethana mund të hante mish të flijuar idhujve dhe përse?
17 Një pjesë e kafshës i flijohej idhullit, një pjesë u shkonte priftërinjve dhe një pjesë e merrte adhuruesi për ta konsumuar në ndonjë banket. Megjithatë, pjesë nga mishi mund të shitej edhe në merkatë. Nuk ishte e këshillueshme që një i krishterë të shkonte në tempullin e një idhulli për të ngrënë mish, edhe nëse nuk merrte pjesë në rit, sepse diçka e tillë do të pengonte të tjerët ose do t’i bënte të binin në adhurim të rremë. (1. Korintasve 8:1-13; Zbulesa 2:12, 14, 18, 20) Fakti që një kafshë i ishte ofruar një idhulli nuk e ndryshonte natyrën e mishit, prandaj i krishteri mund ta blente atë në merkatë. Përveç kësaj nuk do të rrinte ai të informohej se nga kishte ardhur mishi i shërbyer në tryezë në shtëpinë e të tjerëve. Por nëse dikush thoshte se kishte qenë «ofertë në flijim», i krishteri nuk do ta hante për të mos penguar të tjerët.—1. Korintasve 10:25-29.
18. Ata që hanin gjëra të flijuara idhujve në ç’mënyrë mund të ishin të lidhur me demonët?
18 Ishte përhapur ideja, se pas ritit të flijimit, perëndia gjendej tek mishi dhe hynte në trupin e atyre që e hanin në banketin e adhuruesve. Pasi midis të ftuarve vendosej një lidhje bashkimi, ata që hanin kafshët e flijuara ishin pjesëmarrës në altar dhe ishin të lidhur me perëndinë demonike të përfaqësuar prej idhullit. Me atë formë idhujtarie demonët i pengonin personat që të adhuronin Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë. (Jeremia 10:1-15) Nuk është për t’u habitur nëse shërbëtorët e Jehovait duhet të vazhdonin të hiqnin dorë nga gjërat e ofruara idhujve! Të qenët besnik ndaj Perëndisë, pranimi i udhëheqjes së frymës së tij të shenjtë dhe të organizatës së tij dhe vendosmëria për të mos pasur asnjë kontakt me demonizmin, janë edhe sot nxitje të vlefshme për t’u ruajtur nga idhujtaria.
Përse duhet të rrimë në ruajtje?
19. Çfarë forme idhujtarie ekzistonte në Efesin e vjetër?
19 Të krishterët ruhen nga idhujtaria me përpikmëri sepse ajo mund të marrë shumë forma gjithashtu edhe një akt i vogël idhujtarie mund të thyej besimin e tyre. Apostulli Gjon u tha bashkëbesimtarëve të tij: «Ruhuni nga idhujt». (1. Gjonit 5:21) Kjo këshillë ishte e nevojshme, sepse ata ishin të rrethuar nga shumë forma idhujtarie. Gjoni shkruante nga Efesi, qytet ku ishin shumë të përhapura artet magjike dhe kultet e hyjnive mitologjike. Në Efes ndodhej njëra nga shtatë mrekullitë e botës antike: tempulli i Artemidës, vendstrehim kriminelësh dhe qendër e riteve imorale. Erakliti, filozofi i Efesit e krahasoi rrugën e errët të hyrjes në altarin e atij tempulli me errësirat e poshtërsisë dhe e gjykoi moralin e frekuentuesve të tempullit më të keq se atë të kafshëve. Prandaj të krishterët e Efesit duhej të qëndronin të fortë për të mos rënë në demonizëm, në imoralitet dhe në idhujtari.
20. Përse ishte e nevojshme shmangia edhe e aktit më të vogël idhujtarik?
20 Të krishterët duhej të ishin të vendosur që të shmangnin edhe aktin më të vogël të idhujtarisë, sepse një akt i vetëm adhurimi i bërë Djallit do të përkrahte sfidën e tij sipas së cilës njerëzit nuk do t’i qëndronin besnikë Perëndisë në provë. (Jobi 1:8-12) Kur i tregoi Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre», Satanai tha: «Do t’i jap të gjitha këto gjëra nëse përkulesh dhe më bën një akt adhurimi». Krishti refuzoi, duke mbështetur kështu gjyqin e Jehovait në çështjen e sovranitetit universal dhe duke treguar se Djalli është një gënjeshtar.—Mateu 4:8-11, NW; Proverbat 27:11.
21. Çfarë refuzonin të bënin të krishterët besnikë ndaj perandorit romak?
21 As ithtarët e parë të Jezuit nuk ishin të prirë të bënin ndonjë akt adhurimi që do të mbështeste Satanain në çështjen jetësore. Edhe pse kishin për detyrë të respektonin «autoritetet më të larta» qeveritare, nuk pranonin të digjnin temjan për nder të perandorit romak, edhe nëse do t’u kushtonte jetën. (Romakëve 13:1-7) Në lidhje me këtë Daniel P. Maniks shkroi: «Megjithëse në përgjithësi në arenë mbahej, për të lehtësuar një altar mbi të cilin digjej një zjarr, shumë pak të krishterë e mohuan besimin. Gjithë ajo që do të bënte një i burgosur ishte shpërndarja mbi flakë e një maje temjani, pastaj atij i jepej një Çertifikatë Flijimi dhe lirohej. Më tej i shpjegohej me kujdes se ai nuk adhuronte perandorin; thjesht njihte karakterin hyjnor të perandorit si kryetar i shtetit romak. Megjithatë, pothuajse asnjë i krishterë nuk e vlerësonte mundësinë për të ikur.» (Those About to Die, faqe 137) Nëse do të viheshe në provë në mënyrë të ngjashme, a do të refuzoje me të njëjtën vendosmëri për të mos kryer çfarëdolloj akti të idhujtarisë?
A do të ruhesh nga idhujtaria?
22, 23. Përse duhet të ruhemi nga idhujtaria?
22 Është e qartë se të krishterët duhet të ruhen nga çdo formë e idhujtarisë. Jehovai kërkon devotshmëri të veçantë. Të tre hebrenjtë besnikë dhanë një shembull të shkëlqyer duke refuzuar që të adhuronin idhullin e shëmbëlltyrës së madhe të ngritur nga mbreti babilonas Nabukodonosor. Në çështjen gjyqësore universale të përshkruar nga profeti Isaia, vetëm Jehovai rezultoi të jetë Perëndia i gjallë dhe i vërtetë. Dëshmitarët e tij të vjetër të krishterë duhet të vazhdonin të hiqnin dorë nga gjërat e flijuara idhujve. Të krishterët e shumtë që mbetën besnikë nuk ranë në presione dhe nuk kryen as edhe një akt të vetëm idhujtarie që do të nënkuptonte mohimin e Jehovait.
23 Prandaj, a je duke u ruajtur personalisht nga idhujtaria? A po kryen ndaj Perëndisë devotshmëri të veçantë? A e mbështet sovranitetin e Jehovait dhe a e lartëson si Perëndi të vetëm të gjallë dhe të vërtetë? Nëse po, duhet të jesh fortësisht i vendosur për të qëndruar i fortë kundër praktikave të idhujtarisë. Por cilat argumente biblike mund të na ndihmojnë për t’u ruajtur nga çdo formë e idhujtarisë?
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë është idhujtaria?
◻ Përse Jehovai është në kundërshtim me çfarëdolloj forme të idhujtarisë?
◻ Çfarë pozicioni morën tre hebrenjtë në lidhje me idhujtarinë?
◻ Në ç’mënyrë ata që hanin nga gjërat e flijuara një idhulli mund të ishin të lidhur me demonët?
◻ Përse duhet të ruhemi nga idhujtaria?
[Figura në faqe 24]
Të tre hebrenjtë refuzuan të bënin idhujtari, edhe pse mund t’u kushtonte jetën