NILI
Emri grek i lumit, pjesa veriore e luginës së të cilit përbënte Egjiptin e lashtë. Falë këtij lumi, ky vend ishte një oazë në shkretëtirë. (HARTA, vëll. 1, f. 531 në botimin anglisht) Në Shkrimet Hebraike termi i përdorur rregullisht për këtë lumë është jeʼór (disa herë jeʼóhr ). Vetë fjala do të thotë «rrëke» ose «kanal» (si te Danieli 12:5 dhe Isaia 33:21) ose «galeri që mbushen me ujë» (pus miniere, si te Jobi 28:10). Në një rast, fjala jeʼór është përdorur për lumin Tigër (Hidekel në Bibël) në Mesopotami. (Dn 12:5-7; krahaso 10:4.) Sikurse tregon konteksti, në të gjitha rastet e tjera përdoret për Nilin ose për kanalet e Nilit, kur është në shumës. (Ps 78:44; Is 7:18) Emri egjiptian ( jrv) i lumit, të paktën që nga koha e Dinastisë XVIII e këtej, ngjan shumë me emrin në hebraisht.
Rrjedha e Nilit. Në përgjithësi, Nili mbahet si lumi më i gjatë në tokë. Gjatësia e tij prej 6.671 km matet që nga burimet që zënë fill në zonat e liqeneve të Ruandës dhe të Burundit të sotëm. Këto burime derdhen në liqenin Viktoria dhe, që andej, rrjedha e lumit përfundon në liqenin Albert (liqeni Mobutu-Sese-Seko); më në veri, rrjedha njihet me emrin Nili i Bardhë. Në Hartum, Nili i Bardhë bashkohet me Nilin e Kaltër, i cili vërshon nga malet në veri të Etiopisë. Në veri të Hartumit formohet Nili i mirëfilltë, në të cilin derdhet vetëm një degë tjetër, lumi Atbara, i cili bashkohet me Nilin rreth 300 km në verilindje të Hartumit. Që andej, Nili gjarpëron përmes rrafshnaltës së shkretuar në veri të Sudanit, duke kapërcyer gjashtë shtretër të ndryshëm me shkëmb graniti të fortë, të cilët formojnë gjashtë ujëvara mes Hartumit dhe Asuanit (Sienës biblike), aty ku në kohët e lashta mbaronte Nubia dhe niste Egjipti. Së fundi, pasi ka humbur një sasi të madhe uji për shkak të avullimit nga dielli përvëlues dhe përdorimit për vaditje nga egjiptianët, Nili derdhet në detin Mesdhe, nja 2.700 km në veri të Hartumit.
Lugina e Nilit është mjaft e ngushtë pothuajse përgjatë gjithë rrjedhës së lumit. Në një pjesë të madhe të Nubisë, lumi rrjedh përmes një gryke mali, i rrethuar nga të dyja anët prej shkretëtirës. Lugina zgjerohet në veri të Asuanit, ku dikur ishte Egjipti i Sipërm, ndonëse largësia mes dy shpateve shkëmbore nuk shkon asnjëherë më shumë se rreth 20 km. Sidoqoftë, me të mbërritur në veri të Kajros së sotme, lumi ndahet në dy degë të mëdha, që tani quhen Rozeta dhe Damieta, sipas emrave që mbajnë qytetet-port të ngritura në grykat e këtyre degëve në brigjet e Mesdheut. Kjo hapje e ujërave të lumit formon deltën moçalore të Nilit. Në lashtësi, lumi kishte edhe degë të tjera; në fakt, historianët dhe gjeografët e periudhës klasike greke thonë se ishin pesë apo shtatë të tilla. Me kalimin e kohës, këto degë dhe disa kanale janë mbushur me lym, e për pasojë, ose janë zvogëluar së tepërmi, ose janë zhdukur fare.
Rëndësia e përmbytjeve vjetore. Një karakteristikë e veçantë e këtij lumi gjigant është ngritja e nivelit të ujit rregullisht çdo vit dhe, për pasojë, dalja nga shtrati dhe përmbytja e brigjeve të tij, përgjatë të cilave shtrihen fshatrat bujqësore. Ky fenomen shkaktohet nga shirat e rrëmbyera stinore (si dhe nga shkrirja e borës nëpër male) në Etiopi, të cilat e shndërrojnë Nilin e Kaltër në një rrjedhë të furishme që, pasi merr me vete lymin pjellor të maleve të Etiopisë, bashkohet me Nilin e Bardhë. Edhe vërshimi i Atbarës jep ndihmesën e vet në fryrjen e ujërave të Nilit. Përpara ndërtimit të digës së lartë të Asuanit, niveli i lumit në Egjipt shtohej nga qershori e këtej, arrinte kulmin në shtator dhe, më pas, binte gradualisht. Teksa tërhiqeshin, ujërat linin pas një shtresë të hollë me lym tejet pjellor.
Në një vend ku reshjet mungojnë pothuajse fare, bujqësia e Egjiptit varej e tëra nga këto përmbytje të përvitshme të ultësirave. Nëse përmbytja nuk ishte e bollshme, kishte të njëjtin ndikim si thatësira, duke shkaktuar zi buke; nga ana tjetër, përmbytjet e tepërta dëmtonin sistemin e vaditjes (si dhe shtëpitë). Nilometrat (pajisje matëse për nivelin e lumit) që janë gjetur në disa zona të lashta, tregojnë se sa të interesuar ishin egjiptianët për sasinë e duhur të përmbytjeve. Pa to, shkretëtira që përgjonte aty pranë, do të përparonte nga të dyja krahët, deri në brigjet e lumit. Sidoqoftë, ndonëse me pak përjashtime, prurjet dhe rëniet e Nilit kanë qenë kaq të rregullta, saqë gjatë gjithë historisë së vet Egjipti ka qenë i famshëm për korrjet e bollshme dhe bujqësinë e begatë.
Varësinë e plotë të ekonomisë së Egjiptit nga ujërat e Nilit e ilustron më së miri ëndrra e faraonit: shtatë lopët e majme vinin nga Nili dhe kullotnin mes barit të Nilit, mirëpo edhe shtatë lopët që ishin kockë e lëkurë vinin po nga Nili. Kjo tregonte mjaft qartë se si një prodhim i mirë mund të përpihej gjatë viteve me prodhim të paktë, si pasojë e përmbytjeve të pamjaftueshme.—Zn 41:17-21.
Dalja nga shtrati e ujërave të Nilit është përdorur për të përshkruar marshimin e ushtrive (Jr 46:7, 8; 47:2, 3), kurse ngritja dhe rënia e Nilit u përdor nga profeti Amos për të pasqyruar trazirën që do të binte mbi Izraelin e pabesë. (Am 8:8; 9:5) Profetë të tjerë e përdorën tharjen e Nilit për të ilustruar shkretimin që do të pllakoste Egjiptin për shkak të gjykimit të Perëndisë kundër këtij kombi. Shterimi i Nilit do të dobësonte jo vetëm bujqësinë dhe rritjen e bagëtive, por do të dëmtonte edhe industrinë e peshkimit dhe prodhimin e lirit.—Is 19:1, 5-10; Ezk 29:9, 10; Za 10:11.
Egjiptianët ngrinin pendë prej dheu për të formuar rezervuarë të mëdhenj, ku ruanin një pjesë të ujërave të llurbëta të përmbytjes, të cilat i përdornin më pas për vaditje gjatë stinës së rritjes. Kështu, kur Jehovai e goditi Egjiptin me plagën e parë, duke kthyer ujërat në gjak, vetë Nili, kanalet, pellgjet me kallamishte dhe ‘ujërat që kishin mbledhur’, u kthyen të gjitha në gjak.—Da 7:14-25.
Karakteristika të tjera. Përveçse siguronte ujë për bimët e për kafshët shtëpiake, për egjiptianët Nili ishte edhe burimi i ujit të pijshëm. (Da 7:18, 21, 24) Uji ishte shumë i pijshëm, me përjashtim të fazës fillestare të përmbytjes. Përgjatë kanaleve dhe pellgjeve me kallamishte të Nilit rritej me bollëk bima e papirusit, nga e cila egjiptianët përgatitnin një material ku shkruanin. Papirusi përdorej edhe në ndërtimin e anijeve. (Is 18:2) Brigjet plot kallama dhe pellgjet ishin vendbanimi i shumë zogjve të egër, të cilët ushqeheshin me bretkosa e krijesa të tjera të vogla. (Da 8:5, 9-11) Pikturat egjiptiane paraqesin skena të gjuetisë së zogjve që bëhej me varka të vogla. Ujërat e Nilit shërbenin edhe për t’u larë; faktikisht, është dokumentuar se vajza e faraonit lahej në këto ujëra. (Da 2:5) Në një pikturë egjiptiane paraqitet një skenë shumë e ngjashme, ku një grua e shtresës së lartë është duke u larë, e shoqëruar nga katër shërbëtore. Nili ishte edhe arteria kryesore e gjithë vendit. Anijet që shkonin drejt veriut, udhëtonin përgjatë rrjedhës së lumit, kurse ato që shkonin në jug (kundër rrymës) shtyheshin nga erërat e shpeshta që, nga deti Mesdhe, frynin në brendësi të vendit. Anijet tregtare nga Fenikia dhe Kreta ishin të afta të udhëtonin kundër rrymës deri në Tebë (No-Amoni biblik; Na 3:8) e madje edhe më përtej.
Nili luante një rol të rëndësishëm në sistemin mbrojtës të Egjiptit. Ujëvarat në jug i vështirësonin sulmet kundër vendit nga ana e Nubi-Etiopisë, kurse terreni moçalor përreth zonës së deltës pengonte hyrjen e ushtrive të mëdha nga ana e kontinentit aziatik. Disa studiues mendojnë se mburrja e mbretit asirian, Senakeribit, se do të thante me tabanin e këmbëve gjithë kanalet e Nilit, nënkuptonte sigurinë e tij se ishte në gjendje të kapërcente të gjitha hendeqet mbrojtëse plot me ujë të ndërtuara përreth qyteteve dhe fortesave të Egjiptit.—2Mb 19:24.
Ciklet e Nilit ishin baza e kalendarit stinor të egjiptianëve, që përbëhej nga tri stinë me katër muaj secila: ʼakhet ose përmbytja; peret, dalja (me sa duket dalja e tokës pas tërheqjes së ujërave); dhe shomu, stina e thatë (vera). Gjatë periudhës kur ujërat ishin akoma në nivele të larta, egjiptianët merreshin me ndërtim; kurse, menjëherë pas përmbytjes, ishin më shumë të zënë me punët e bujqësisë.
Në librin e Ezekielit, faraoni portretizohet si një «përbindësh i madh deti që rri shtrirë në kanalet e Nilit», dhe kjo figurë mendohet të jetë marrë nga krokodilët që kanë populluar që në lashtësi ujërat e Nilit. (Ezk 29:3-5) Të zakonshëm ishin edhe hipopotamët, të cilët, në përgjithësi, i lidhin me «behemothin» që përmendet te Jobi 40:15.
Egjiptianët e adhuronin Nilin si perëndinë e pjellorisë, me emrin Hapi. Në thelb, ky perëndi pasqyrohej si mashkull, por me gjinj të mëdhenj femre, në kokë kishte një kurorë me bimë uji, kurse përreth mesit të majmë mbante një brez peshkatari. Çdo vit, në fillim të stinës së përmbytjeve, për nder të tij mbaheshin festa të shoqëruara me flijime. Te Dalja 7:15 thuhet se faraoni doli për të vajtur në Nil, dhe, sipas disa studiuesve, kjo lidhet me një akt adhurimi në mëngjes, ndonëse ai mund të ketë shkuar thjesht për të bërë një shëtitje ose për të kontrolluar nivelin e lumit.
[Hartat]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Lumi Nil
Deti Mesdhe
DELTA
Deti i Kuq
Lumi Nil
Memfis
Tebë (No-Amon)
UJËVARA 1
Asuan (Sienë)
UJËVARA 2
UJËVARA 3
UJËVARA 4
UJËVARA 5
Lumi Atbarë
UJËVARA 6
Hartum
Nili i Kaltër
Nili i Bardhë
Liqeni Albert
Liqeni Viktoria
AFRIKË
Lumi Nil
[Figura në botimin e shtypur]
Pamje e zakonshme përgjatë Nilit në Egjipt