EDENI
[kënaqësi].
1. Rajoni ku Krijuesi mbolli një kopsht të madh që u bë vendbanimi fillestar i çiftit të parë njerëzor. Pohimi se kopshti ndodhej «në Eden, drejt lindjes», me sa duket tregon se kopshti zinte vetëm një pjesë të rajonit të quajtur Eden. (Zn 2:8) Sidoqoftë, më pas ai kopsht u quajt ‘kopshti i Edenit’ (Zn 2:15) dhe në shkrime të mëvonshme përmendet si ‘Edeni, kopshti i Perëndisë’ (Ezk 28:13) e si ‘kopshti i Jehovait’.—Is 51:3.
Në Septuagintë, fjala hebraike për «kopsht» (gan) u përkthye me fjalën greke parádeisos. Nga kjo vjen lidhja mes fjalës «parajsë» dhe kopshtit të Edenit.
Te Zanafilla 2:15 thuhet se ‘Perëndia e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit’. Kjo mund të merret sikur njeriu u krijua jashtë kopshtit; megjithatë, mund të tregojë edhe thjesht se Perëndia «e mori» njeriun në kuptimin që e formoi dhe e krijoi me elementet e tokës, e pastaj i caktoi si vendbanim fillestar kopshtin ku erdhi në jetë. Njeriu u ngarkua ta punonte e të kujdesej për atë kopsht. Në pemët dhe bimët e Edenit përfshiheshin të gjitha ato që hijeshonin peizazhin, si edhe ato që siguronin një shumëllojshmëri ushqimesh. (Zn 2:9, 15) Edhe vetëm ky fakt mjafton për të treguar se kopshti zinte sipërfaqe të madhe.
Ai gëlonte nga një larmi gjallesash. Perëndia çoi para Adamit ‘gjithë kafshët e buta, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo bishë të fushës’, pasi një nga detyrat e para të Adamit ishte t’i vinte emrin çdonjërës. (Zn 2:19, 20) Tokën e Edenit e ujiste lumi që ‘dilte nga Edeni’. (Zn 2:10) Përderisa njeriu ishte i zhveshur, klima duhet të ketë qenë mjaft e butë dhe e këndshme.—Zn 2:25.
Çfarë ishte fryti i ndaluar në Eden?
Njeriu mund të hante ‘sa të ngopej’ nga të gjitha pemët frutore të Edenit. (Zn 2:16) Vetëm pema «e njohjes të së mirës dhe të së keqes» ishte e ndaluar për çiftin njerëzor. Eva përmendi se Jehovai ia kishte ndaluar burrit të saj madje edhe ‘ta prekte’ pemën dhe se mosrespektimi e shkelja e atij ligji hyjnor do të ndëshkohej me vdekje. (Zn 2:17; 3:3) Mësimet tradicionale orvaten të japin lloj-lloj shpjegimesh për frytin e ndaluar: si simbol të marrëdhënieve seksuale, të paraqitura nga një «mollë»; thjesht si metaforë të njohjes të së drejtës dhe të së gabuarës; ose si njohuria që fitohet nga pjekuria dhe nga përvoja, njohuri që mund të përdoret për mirë ose për keq. Megjithatë, duke pasur parasysh urdhrin e Krijuesit që ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin dhe të mbushnin tokën’ (Zn 1:28), ideja se fryti i pemës përfaqësonte marrëdhëniet seksuale nuk qëndron, sepse përndryshe si do të riprodhoheshin e shumoheshin? Patjetër që fryti nuk mund të përfaqësonte as thjesht aftësinë për të dalluar të drejtën dhe të gabuarën, sepse për t’iu bindur urdhrit të Perëndisë, njeriu i përsosur duhej ta kishte këtë aftësi dalluese morale. Nuk mund të nënkuptonte as njohurinë që fitohet nga pjekuria, sepse nuk do të ishte ndonjë mëkat që njeriu të arrinte pjekurinë dhe as do të ishte logjike që Krijuesi ta detyronte të mbetej i papjekur.
Shkrimet nuk thonë gjë se për ç’lloj peme bëhej fjalë. Sidoqoftë, kuptohet qartë se pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes simbolizonte të drejtën hyjnore dhe privilegjin që i takon vetëm Krijuesit të njeriut për të përcaktuar ç’është ‘e mirë’ dhe ç’është ‘e keqe’ për krijesat e tij, e pastaj të kërkojë me të drejtë që ta bëjnë atë që e ka shpallur si të mirë dhe të rrinë larg asaj që ka përcaktuar si të keqe, që të vazhdojnë të kenë miratimin e Perëndisë, Sundimtarit Sovran. (Shih PEMËT.) Edhe ndalimi, edhe shpallja e mëpasshme e dënimit për çiftin e pabindur, theksojnë faktin se mëkati i parë ishte akti i mosbindjes që kryen ata kur hëngrën frytin e ndaluar.—Zn 3:3.
Ndonëse disa kritikëve të sotëm nuk u pëlqen thjeshtësia e tregimit të Edenit, është e qartë se një provë e thjeshtë ishte shumë e përshtatshme në rrethanat e atëhershme. Jeta e burrit dhe e gruas së sapokrijuar ishte e thjeshtë, e pandërlikuar dhe e parënduar nga gjithë problemet e ngatërruara, hallet e pështjellimet që i ka sjellë njerëzimit mosbindja ndaj Perëndisë. Prapëseprapë, me gjithë thjeshtësinë e saj, ajo provë shpreh përmbledhtas e shkëlqyeshëm të vërtetën universale të sovranitetit të Perëndisë, si edhe të varësisë së njeriut nga Perëndia e të detyrimit që ka ndaj Tij. Gjithashtu duhet thënë se historia e ngjarjeve të Edenit, paçka se e thjeshtë, i paraqit çështjet në një nivel jashtëzakonisht më të lartë se teoritë sipas të cilave njeriu nuk e pati zanafillën në një kopsht, por në një shpellë, dhe që e përshkruajnë si qenie të pagdhendur, injorante e pa pikë ndjenje morale. Thjeshtësia e provës së Edenit ilustron parimin që tha mijëra vjet më vonë Biri i Perëndisë: «Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.».—Lu 16:10.
Megjithatë është e qartë se ajo pemë e ndaluar nuk ishte vënë në Eden për t’iu bërë si gjemb në mish çiftit njerëzor, as për të ngritur ndonjë çështje a për të ndezur debate. Sikur Adami dhe Eva ta kishin pranuar vullnetin e Perëndisë në lidhje me atë pemë dhe t’i kishin respektuar udhëzimet e tij, kopshti ku jetonin do të kishte mbetur i pacenuar, një vend që u sillte kënaqësi e ëndje. Bibla tregon se ishte Kundërshtari i Perëndisë ai që ngriti çështje e debate rreth pemës dhe që e tundoi njerëzimin të shkelte ligjin e Perëndisë. (Zn 3:1-6; krahaso Zb 12:9.) Si krijesa me vullnet të lirë, Adami dhe Eva zgjodhën të rebeloheshin kundër sovranitetit të ligjshëm të Perëndisë, e kështu humbën Parajsën dhe bekimet që gëzonin brenda saj. Një pasojë edhe më e rëndë ishte se humbën mundësinë të hanin frytin e një peme tjetër të Edenit, e cila përfaqësonte të drejtën e jetës së përhershme. Në fakt, tregimi biblik thotë se Jehovai «e dëboi njeriun, dhe në lindje të kopshtit të Edenit vuri kerubinët e një shpatë flakëruese, e cila rrotullohej vazhdimisht, për të ruajtur udhën për te pema e jetës».—Zn 3:22-24.
Vendndodhja e Edenit. Vendi ku ndodhej në fillim kopshti i Edenit mbetet objekt hipotezash. E dhëna kryesore për të përcaktuar vendndodhjen gjeografike është përshkrimi i Biblës për lumin që ‘dilte nga Edeni’, i cili ndahej pastaj në katër «degë», duke formuar lumenjtë Eufrat, Hidekel, Pishon dhe Gihon. (Zn 2:10-14) Eufrati (heb., Peráth) është i mirënjohur dhe «Hidekel» është emri i lumit Tigër në mbishkrimet e lashta. (Krahaso edhe Dn 10:4.) Mirëpo dy lumenjtë e tjerë, Pishoni dhe Gihoni, nuk janë identifikuar.—Shih KUSHI nr. 2; HAVILAHU nr. 1.
Disa, si Kalvini dhe Deliçi, mbështetnin idenë se Edeni ndodhej diku pranë skajit të sipërm të Gjirit Persik, në Mesopotaminë e Poshtme, pak a shumë në vendin ku Tigri dhe Eufrati i afrohen njëri-tjetrit. Ata e lidhnin Pishonin dhe Gihonin me disa kanale mes këtyre lumenjve. Mirëpo, po të ishte kështu, këta lumenj do të ishin degë ushqyese të njëri-tjetrit, jo degë që ndaheshin nga një burim i përbashkët. Nga ana tjetër, teksti hebraik flet për një vend në rajonin malor në veri të rrafshinave të Mesopotamisë, zona ku janë sot burimet e lumenjve Eufrat dhe Tigër. Kështu, në një përkthim të Biblës, te shënimet e Zanafillës 2:10 thuhet: «Në heb[raisht], grykëderdhja e lumit quhet ‘skaj’ (Jos xv 5, Jos xviii 19); prandaj këtu shumësi i fjalës roʼs, ‘degë’, duhet t’i referohet rrjedhës së sipërme. . . . Për këtë përdorim të fundit dëshmon më së miri fjala e afërt në gjuhën ak[adiane], resu.» (The Anchor Bible, 1964) Fakti që sot lumenjtë Eufrat e Tigër nuk dalin nga i njëjti burim, si edhe fakti që është e pamundur të përcaktohet me siguri vendndodhja e lumenjve Pishon e Gihon, mund të kenë si shpjegim pasojat e Përmbytjes të kohës së Noesë, që pa dyshim i ndryshoi mjaft veçoritë topografike të tokës, duke mbushur shtratin e disa lumenjve e duke krijuar të tjerë.
Si vendndodhje tradicionale e kopshtit të Edenit mbahet prej kohësh një rajon malor rreth 225 km në jugperëndim të malit Ararat dhe pak kilometra në jug të liqenit Van, në lindje të Turqisë së sotme. Edeni mund të ketë qenë vërtet i rrethuar nga ndonjë pengesë natyrore, si për shembull nga male, siç mund ta tregojë fakti që kerubinët u vendosën vetëm në lindje të kopshtit, prej nga dolën Adami dhe Eva.—Zn 3:24.
Pasi Adami u dëbua nga kopshti parajsor, nuk kishte më kush «ta punonte e të kujdesej për të», prandaj mund të merret me mend që atje thjesht u rrit një mori bimësh të egra dhe banonin vetëm kafshët, derisa ujërat vërshuese të Përmbytjes e zhdukën atë vend. Pas kësaj, njeriu nuk ka ditur më gjë për të, përveç asaj që thuhet në Fjalën e Perëndisë.—Zn 2:15.
2. Vend që përmendet bashkë me Haranin e Kanehun si qendër e rëndësishme e tregtisë me Tirin, që tregtonte kryesisht veshje luksoze, qilima e litarë. (Ezk 27:23, 24) Mendohet se është një formë e shkurtuar e emrit Beth-Eden të përmendur tek Amosi 1:5. «Bijtë e Edenit» përfshihen mes banorëve të vendeve të ndryshme që i mundën forcat asiriane (2Mb 19:12; Is 37:12) dhe, sipas disave, ky Eden (Beth-Eden) ishte krahina e vogël e Bit-Adinit përgjatë rrjedhës së mesme të lumit Eufrat.—Shih BETH-EDENI.
3. Një nga levitët që iu përgjigjën thirrjes për reformë të mbretit Hezekia; pas kësaj, u caktua të punonte nën drejtimin e Koreut, që ishte «derëtar në lindje», për t’u shpërndarë kontributet e shenjta priftërinjve, sipas ndarjeve të tyre.—2Kr 29:12; 31:14, 15.