Jehovai është një Perëndi i shpirtgjerësisë
«Jehovai, Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi.»—DALJA 34:6, BR.
1, 2. (a) Cilët në të kaluarën nxorën dobi nga shpirtgjerësia e Jehovait? (b) Çfarë do të thotë fjala «shpirtgjerësi»?
NJERËZIT në ditët e Noesë, izraelitët në udhëtim përmes shkretëtirës bashkë me Moisiun, judenjtë e kohës kur ishte Jezui në tokë—që të gjithë jetonin në rrethana të ndryshme. Por, që të gjithë nxorën dobi nga e njëjta cilësi e këndshme e Jehovait: shpirtgjerësia. Për disa, kjo cilësi nënkuptoi që të vazhdonin të jetonin. Edhe për ne, shpirtgjerësia e Jehovait mund të nënkuptojë të vazhdojmë të jetojmë.
2 Çfarë është shpirtgjerësia? Kur e shfaq Jehovai këtë cilësi dhe përse? «Shpirtgjerësia» përcjell idenë e qëndrueshmërisë me durim ndaj së ligës ose provokimit, e ndërthurur me mospranimin për të hequr dorë nga shpresa për përmirësimin e një marrëdhënieje të acaruar. Pra, kjo cilësi ka një qëllim. Ajo interesohet veçanërisht për mirëqenien e atij që shkakton një gjendje jo të pëlqyeshme. Megjithatë, të jesh shpirtgjerë nuk do të thotë të mbyllësh sytë para gabimeve. Kur arrihet qëllimi për të cilin tregohet shpirtgjerësi ose kur nuk ka kuptim ta durosh më një situatë, shpirtgjerësia mbaron.
3. Cili ka qenë qëllimi i shpirtgjerësisë së Jehovait dhe cili është kufiri i saj?
3 Ndonëse njerëzit mund të jenë shpirtgjerë, Jehovai është shembulli më i lartë i kësaj cilësie. Në vitet që kaluan nga çasti kur mëkati prishi marrëdhënien ndërmjet Jehovait dhe krijesës së tij njerëzore, Krijuesi ynë ka treguar qëndrueshmëri me durim dhe ka siguruar mjetin me anë të të cilit njerëzit e penduar mund ta përmirësojnë marrëdhënien me të. (2 Pjetrit 3:9; 1 Gjonit 4:10) Por, kur shpirtgjerësia e tij t’ia arrijë qëllimit për të cilin tregohet, Perëndia do të ndërmarrë veprime kundër keqbërësve të vullnetshëm, duke sjellë fundin e sistemit të tanishëm të lig.—2 Pjetrit 3:7.
Në përputhje me cilësitë kryesore të Perëndisë
4. (a) Si shprehet në Shkrimet Hebraike ideja e shpirtgjerësisë? (Shih edhe shënimin.) (b) Si e përshkruan profeti Naum Jehovain dhe çfarë zbulon kjo për shpirtgjerësinë e Jehovait?
4 Në Shkrimet Hebraike, koncepti i shpirtgjerësisë shprehet me dy fjalë hebraike që fjalë për fjalë kanë kuptimin «gjatësi e flegrave të hundës» dhe në Përkthimin Bota e Re përkthehen «i ngadalshëm në zemërim».a Duke folur për shpirtgjerësinë e Perëndisë, profeti Nahum tha: «Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun.» (Naumi 1:3) Kështu, shpirtgjerësia e Jehovait nuk është shenjë dobësie dhe nuk është pa kufij. Fakti që Perëndia i plotfuqishëm është njëherësh edhe i ngadalshëm në zemërim, edhe i madh në pushtet, tregon që shpirtgjerësia e tij vjen për shkak se ai përmbahet me një qëllim. Ai e ka pushtetin për të ndëshkuar, por qëllimisht përmbahet dhe nuk e bën këtë menjëherë, për t’i dhënë keqbërësit mundësinë që të ndryshojë. (Ezekieli 18:31, 32) Prandaj, shpirtgjerësia e Jehovait është shprehje e dashurisë së tij dhe tregon mençurinë në përdorimin e pushtetit që ka.
5. Në ç’mënyrë shpirtgjerësia e Jehovait është në përputhje me drejtësinë e tij?
5 Shpirtgjerësia e Jehovait është në përputhje edhe me drejtësinë e tij. Ai ia zbuloi veten Moisiut si «Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim [ose shpirtgjerë] dhe i bollshëm në dashamirësi e në të vërtetë». (Dalja [Eksodi] 34:6, BR) Vite më vonë, Moisiu i këndoi lavde Jehovait: «Në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.» (Ligji i përtërirë 32:4) Po, mëshira, shpirtgjerësia dhe drejtësia e Jehovait bashkëveprojnë që të gjitha në mënyrë të harmonishme.
Shpirtgjerësia e Jehovait para Përmbytjes
6. Cilën dëshmi të jashtëzakonshme të shpirtgjerësisë ka shfaqur Jehovai ndaj pasardhësve të Adamit dhe të Evës?
6 Rebelimi i Adamit dhe i Evës në Eden e prishi përgjithmonë marrëdhënien e çmuar që kishin ata me Krijuesin e tyre të dashur, Jehovain. (Zanafilla 3:8-13, 23, 24) Kjo ndarje preku edhe pasardhësit e tyre, të cilët trashëguan mëkatin, papërsosmërinë dhe vdekjen. (Romakëve 5:17-19) Ndonëse burri dhe gruaja e parë ishin mëkatarë të vullnetshëm, Jehovai i lejoi të kishin fëmijë. Më vonë, me dashuri ai siguroi mjetin me anë të të cilit pasardhësit e Adamit dhe të Evës mund të pajtoheshin me të. (Gjoni 3:16, 36) Apostulli Pavël shpjegoi: «Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Aq më tepër, pra, meqë tani jemi shpallur të drejtë me anë të gjakut të tij, nëpërmjet tij do të shpëtojmë prej zemërimit. Sepse, nëse u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij kur ishim armiq, aq më tepër tani që jemi pajtuar, do të shpëtojmë me anë të jetës së tij.»—Romakëve 5:8-10.
7. Si tregoi shpirtgjerësi Jehovai para Përmbytjes dhe përse shkatërrimi i brezit para Përmbytjes ishte i justifikuar?
7 Shpirtgjerësia e Jehovait u pa në ditët e Noesë. Më shumë se një shekull para Përmbytjes, «Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij». (Zanafilla 6:12) Megjithatë, për një kohë të kufizuar Jehovai tregoi shpirtgjerësi ndaj njerëzimit. Ai tha: «Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet.» (Zanafilla 6:3) Ato 120 vjet i dhanë kohë Noesë besnik që të krijonte familje dhe, kur u njoftua për dekretin e Perëndisë, të ndërtonte një arkë e të paralajmëronte bashkëkohësit e tij për Përmbytjen që po vinte. Apostulli Pjetër shkroi: «Durimi [një cilësi që lidhet me shpirtgjerësinë] i Perëndisë priste në ditët e Noes, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën pak njerëz, domethënë, tetë shpirtra, shpëtuan nëpërmjet ujit.» (1 Pjetrit 3:20) Vërtet, ata që nuk bënin pjesë në rrethin e ngushtë familjar të Noesë «nuk [i] kushtuan vëmendje» predikimit të tij. (Mateu 24:38, 39) Por, duke lënë që Noeja të ndërtonte arkën dhe të shërbente ndoshta për disa dhjetëvjeçarë si «predikues i drejtësisë», Jehovai u dha bashkëkohësve të Noesë mundësi të mjaftueshme që të pendoheshin për rrugët e tyre të dhunshme dhe të ktheheshin e t’i shërbenin Atij. (2 Pjetrit 2:5; Hebrenjve 11:7) Shkatërrimi që erdhi përfundimisht mbi atë brez të lig ishte plotësisht i justifikuar.
Shpirtgjerësi shembullore ndaj Izraelit
8. Si shfaqi shpirtgjerësi Jehovai ndaj kombit të Izraelit?
8 Shpirtgjerësia e Jehovait ndaj Izraelit zgjati shumë më tepër se 120 vjet. Gjatë më shumë se 1.500 vjetëve të historisë së tyre si populli i zgjedhur i Perëndisë, ishin relativisht të pakta periudhat kur izraelitët nuk e sprovuan përtej kufijve shpirtgjerësinë e Perëndisë. Vetëm disa javë pas çlirimit të mrekullueshëm nga Egjipti, ata iu rikthyen adhurimit të idhujve, duke treguar një mungesë flagrante respekti për Shpëtimtarin e tyre. (Eksodi 32:4; Psalmi 106:21) Gjatë dhjetëvjeçarëve që pasuan, izraelitët u ankuan për ushqimin që u siguroi me anë të një mrekullie Jehovai në shkretëtirë; murmuritën kundër Moisiut dhe Aaronit; folën kundër Jehovait dhe kryen kurvëri me paganët, madje u përzien edhe në adhurimin e Baalit. (Numrat 11:4-6; 14:2-4; 21:5; 25:1-3; 1 Korintasve 10:6-11) Me të drejtë Jehovai mund ta kishte shfarosur popullin e tij, por, në vend të kësaj, ai tregoi shpirtgjerësi.—Numrat 14:11-21.
9. Si tregoi Jehovai se ishte një Perëndi shpirtgjerë gjatë kohës së gjyqtarëve dhe gjatë monarkisë?
9 Gjatë kohës së gjyqtarëve, izraelitët binin vazhdimisht në idhujtari. Kur vepronin kështu, Jehovai i braktiste në duart e armiqve të tyre. Por, kur pendoheshin dhe i thërritnin për ndihmë, ai tregonte shpirtgjerësi dhe ngrinte gjyqtarë për t’i çliruar. (Gjyqtarët 2:17, 18) Në periudhën e gjatë të monarkisë, pak mbretër treguan devocion ekskluziv për Jehovain. Madje, edhe nën mbretërit besnikë, populli shpesh e përziente adhurimin e vërtetë me atë të rremë. Kur Jehovai ngrinte profetë që të paralajmëronin kundër pabesnikërisë, populli zakonisht parapëlqente të dëgjonte priftërinjtë e korruptuar dhe profetët e rremë. (Jeremia 5:31; 25:4-7) Në të vërtetë, izraelitët i përndoqën profetët besnikë të Jehovait e, madje, vranë disa prej tyre. (2 Kronikave 24:20, 21; Veprat 7:51, 52) Prapëseprapë, Jehovai vazhdoi të tregonte shpirtgjerësi.—2 Kronikave 36:15.
Shpirtgjerësia e Jehovait nuk u shua
10. Kur e arriti kufirin e vet shpirtgjerësia e Jehovait?
10 Gjithsesi, historia tregon se shpirtgjerësia e Perëndisë e ka një kufi. Në vitin 740 p.e.s., ai i lejoi asirianët që të rrëzonin mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit dhe t’i çonin banorët e saj në mërgim. (2 Mbretërve 17:5, 6) Pastaj, në fund të shekullit që pasoi, i lejoi babilonasit që të pushtonin mbretërinë prej dy fisesh të Judës dhe të shkatërronin Jerusalemin, si edhe tempullin e tij.—2 Kronikave 36:16-19.
11. Si tregoi Jehovai shpirtgjerësi edhe kur po ekzekutonte gjykimet?
11 Megjithatë, edhe kur ekzekutonte gjykimet e tij kundër Izraelit dhe Judës, Jehovai nuk harroi të ishte shpirtgjerë. Nëpërmjet profetit të tij Jeremia, Jehovai paratha rivendosjen e popullit të tij të zgjedhur. Ai tha: «Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t’ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend. Unë do të bëj që ju të më gjeni . . . dhe do t’ju kthej nga robëria juaj; do t’ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë.»—Jeremia 29:10, 14.
12. Si u duk që rikthimi i një mbetjeje judenjsh në Judë ishte nën drejtimin hyjnor, duke pasur parasysh ardhjen e Mesisë?
12 Një mbetje e judenjve të mërguar u kthye vërtet në Judë dhe e rigjallëroi adhurimin e Jehovait në tempullin e rindërtuar në Jerusalem. Në përmbushjen e qëllimeve të Jehovait, kjo mbetje do të bëhej si «vesë e dërguar nga Zoti», e cila sjell freskim dhe begati. Do të ishte, gjithashtu, e guximshme dhe e fortë si «një luan midis kafshëve të pyllit». (Mikea 5:7, 8) Kjo shprehje e fundit mund të jetë përmbushur gjatë periudhës së makabenjve, kur judenjtë e drejtuar nga familja e makabenjve, dëbuan armiqtë nga Toka e Premtuar dhe ridedikuan tempullin, i cili ishte ndotur. Kështu, toka dhe tempulli u ruajtën, me qëllim që një tjetër mbetje besnike të ishte në gjendje të mirëpriste Birin e Perëndisë, kur të shfaqej atje si Mesia.—Danieli 9:25; Luka 1:13-17, 67-79; 3:15, 21, 22.
13. Edhe pasi judenjtë kishin vrarë Birin e tij, si vazhdoi Jehovai t’u tregonte atyre shpirtgjerësi?
13 Edhe pasi judenjtë i kishin vrarë të Birin, Jehovai vazhdoi t’u tregonte shpirtgjerësi për një periudhë prej tri vjet e gjysmë, duke ua dhënë vetëm atyre mundësinë që të thirreshin për t’u bërë pjesë e farës frymore të Abrahamit. (Danieli 9:27)b Përpara dhe pas vitit 36 të e.s., disa judenj e pranuan këtë thirrje e kështu, siç e tha Pavli më vonë, ‘u gjend një mbetje, sipas zgjedhjes falë dashamirësisë së pamerituar’.—Romakëve 11:5.
14. (a) Në vitin 36 të e.s., kujt iu ofrua privilegji për t’u bërë pjesë e farës frymore të Abrahamit? (b) Si i shprehu Pavli ndjenjat e tij për mënyrën në të cilën Jehovai zgjedh anëtarët e Izraelit frymor?
14 Në vitin 36 të e.s., privilegji për t’u bërë pjesë e farës frymore të Abrahamit iu ofrua për herë të parë atyre që nuk ishin as judenj, as prozelitë. Ata që u përgjigjën, morën gjithashtu nga Jehovai dashamirësi të pamerituar e shpirtgjerësi. (Galatasve 3:26-29; Efesianëve 2:4-7) Duke shprehur çmueshmëri të thellë për mençurinë dhe qëllimin që qëndron pas shpirtgjerësisë që tregon Jehovai me mëshirë, me anë të së cilës ai formon numrin e plotë të atyre që janë thirrur për të kompletuar Izraelin frymor, Pavli thirri: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pahulumtueshme janë udhët e tij!»—Romakëve 11:25, 26, 33; Galatasve 6:15, 16.
Shpirtgjerësi për hir të emrit të tij
15. Cila është arsyeja kryesore që Perëndia shfaq shpirtgjerësi dhe cila çështje kërkonte kohë për t’u zgjidhur?
15 Përse shfaq Jehovai shpirtgjerësi? Kryesisht për të madhëruar emrin e tij të shenjtë dhe për të shfajësuar sovranitetin e tij. (1 Samuelit 12:20-22) Çështja morale që ngriti Satanai lidhur me mënyrën në të cilën e përdor Jehovai sovranitetin e Tij, kërkonte kohë që të zgjidhej në mënyrë të mjaftueshme para gjithë krijimit. (Jobi 1:9-11; 42:2, 5, 6) Kështu, kur populli i tij ishte i shtypur në Egjipt, Jehovai i tha faraonit: «Unë të kam ruajtur që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe kështu të flitet për emrin tim mbi mbarë tokën.»—Eksodi 9:16, DSF.
16. (a) Në ç’mënyrë shpirtgjerësia e Jehovait bëri të mundur përgatitjen e një populli për emrin e tij? (b) Si do të shenjtërohet emri i Jehovait dhe si do të shfajësohet sovraniteti i tij?
16 Fjalët që Jehovai i tha faraonit u cituan kur apostulli Pavël shpjegoi rolin e shpirtgjerësisë së Perëndisë në lartësimin e emrit të Tij të shenjtë. Më pas, Pavli shkroi: «Tani, nëse Perëndia, ndonëse duke pasur vullnetin që ta shfaqte zemërimin e vet e ta bënte të njohur fuqinë e tij, i toleroi me shumë shpirtgjerësi enët e zemërimit që ishin bërë të përshtatshme për shkatërrim, me qëllim që të bënte të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat i përgatiti që më parë për lavdi, domethënë, ne, që na thirri jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet, çfarë pastaj? Ashtu sikurse thotë ai edhe në Hozenë: “Ata që nuk janë populli im, do t’i quaj ‘populli im’.”» (Romakëve 9:17, 22-25) Duke qenë se tregoi shpirtgjerësi, Jehovai pati mundësi të nxirrte nga kombet «një popull për emrin e tij». (Veprat 15:14) Nën Kreun e tyre, Jezu Krishtin, këta «të shenjtë» janë trashëgimtarë të Mbretërisë që do të përdorë Jehovai për të shenjtëruar emrin e Tij të madh dhe për të shfajësuar sovranitetin e Tij.—Danieli 2:44; 7:13, 14, 27; Zbulesa 4:9-11; 5:9, 10.
Shpirtgjerësia e Jehovait sjell shpëtim
17, 18. (a) Duke bërë cilën gjë do të ishim ndoshta duke kritikuar pa dashje Jehovain meqë ushtron shpirtgjerësi? (b) Si inkurajohemi ta shohim shpirtgjerësinë e Jehovait?
17 Që nga rënia katastrofike fillestare e njerëzimit në mëkat e deri tani, Jehovai e ka treguar veten se është një Perëndi shpirtgjerë. Shpirtgjerësia e tij para Përmbytjes la kohë që të jepej paralajmërimi i duhur dhe të ndërtohej një mjet për shpëtim. Por durimi i tij e arriti kufirin e vet dhe, pas kësaj, erdhi Përmbytja. Në mënyrë të ngjashme sot Jehovai po tregon shumë shpirtgjerësi dhe kjo po zgjat më shumë sesa mund ta kenë menduar disa. Megjithatë, kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar. Të bënim kështu do të ishte njësoj sikur të kritikonim Perëndinë meqë është shpirtgjerë. Pavli pyeti: «Apo e përbuz pasurinë e mirëdashjes, vetëpërmbajtjes dhe shpirtgjerësisë së tij, ngaqë nuk e di se hiri i Perëndisë po përpiqet të të çojë drejt pendimit?»—Romakëve 2:4.
18 Asnjëri prej nesh nuk mund ta dijë deri në ç’masë kemi nevojë për shpirtgjerësinë e Perëndisë, që të sigurohemi se kemi miratimin e tij për shpëtim. Pavli na këshillon që ‘të vazhdojmë të punojmë për shpëtimin e vetes sonë me frikë dhe me dridhma’. (Filipianëve 2:12) Apostulli Pjetër u shkroi të bashkëkrishterëve: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.»—2 Pjetrit 3:9.
19. Në ç’mënyrë mund të nxjerrim dobi nga shpirtgjerësia e Jehovait?
19 Prandaj, le të mos jemi të paduruar me mënyrën në të cilën Jehovai i trajton çështjet. Në vend të kësaj, le të ndjekim këshillën e mëtejshme të Pjetrit dhe ta ‘konsiderojmë durimin e Zotërisë tonë si shpëtim’. Shpëtimin e kujt? Tonin dhe, në përgjithësi, atë të shumë e shumë të tjerëve që ende duhet ta dëgjojnë ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (2 Pjetrit 3:15; Mateu 24:14) Kjo do të na ndihmojë të çmojmë se sa me bujari e shfaq shpirtgjerësinë Jehovai dhe do të na nxitë që të jemi shpirtgjerë në marrëdhëniet me të tjerët.
[Shënimet]
a Në hebraisht, fjala për «hundë» ose «flegër» (ʼaph) shpesh përdoret në mënyrë të figurshme për zemërimin. Përdoret kështu meqenëse një person i zemëruar merr frymë ose turfullon me egërsi.
b Për një shpjegim të mëtejshëm të kësaj profecie, shih librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, faqet 191-194, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund ta shpjegoni?
• Çfarë nënkupton në Bibël fjala «shpirtgjerësi»?
• Si tregoi Jehovai shpirtgjerësi para Përmbytjes, pas robërisë babilonase dhe në shekullin e parë të erës sonë?
• Cilat janë arsyet e rëndësishme që Jehovai ka shfaqur shpirtgjerësi?
• Si duhet ta shohim shpirtgjerësinë e Jehovait?
[Figura në faqen 9]
Shpirtgjerësia e Jehovait para Përmbytjes u dha njerëzve mundësi të mjaftueshme për t’u penduar
[Figura në faqen 10]
Pas rënies së Babilonisë, judenjtë nxorën dobi nga shpirtgjerësia e Jehovait
[Figura në faqen 11]
Në shekullin e parë, si judenjtë, ashtu edhe jojudenjtë nxorën dobi nga shpirtgjerësia e Jehovait
[Figurat në faqen 12]
Të krishterët sot nxjerrin dobi nga shpirtgjerësia e Jehovait