Pikëpamja e Biblës
A është e gabuar të hash mish?
«JA, UNË PO JU JAP ÇDO BAR QË LËSHON FARË MBI SIPËRFAQEN E MBARË TOKËS DHE ÇDO PEMË QË TË KETË FRUTA QË PËRMBAJNË FARË; KJO DO T’JU SHËRBEJË SI USHQIM.»—Zanafilla 1:29.
SUJATA, një vajzë 18-vjeçare nga një familje vegjetariane hindu, e pranoi me gatishmëri udhëzimin që Perëndia i kishte dhënë njeriut të parë, Adamit, mbi mënyrën e të ushqyerit. Por, ajo menjëherë pyeti: «Atëherë, përse njerëzit vrasin kafshët për ushqim kur ka kaq shumë gjëra të tjera për të ngrënë?»
Shumë njerëz përreth botës shprehin këto ndjenja. Qindra milionë njerëz në Lindje ndjekin një mënyrë të ushqyeri pa përbërje mishi. Përveç kësaj, numri i vegjetarianëve në Perëndim po rritet. Vetëm në Shtetet e Bashkuara rreth 12,4 milionë njerëz pohojnë se janë vegjetarianë, gati 3 milionë më shumë se sa një dekadë më parë.
Përse kaq shumë njerëz preferojnë një mënyrë të ushqyeri pa përbërje mishi? Cila është pikëpamja e duhur mbi jetën e kafshëve? A tregon ngrënia e mishit një mungesë respekti për jetën? Duke pasur parasysh atë që thuhet në Zanafillën 1:29, a është e gabuar të hash mish? Së pari, të shqyrtojmë përse disa nuk hanë mish.
Përse disa nuk hanë mish?
Për sa i përket Sujatës, mënyra e saj e të ushqyerit përfshin bindjet e saj fetare. «Unë u rrita si një hindu, duke besuar në doktrinën e rimishërimit,—shpjegon ajo.—Meqë një shpirt njerëzor mund të rikthehet përsëri si një kafshë, unë i konsideroj kafshët të barabarta me mua. Dhe në këtë mënyrë duket e gabuar t’i vrasësh ato për ushqim.» Edhe fe të tjera përkrahin një mënyrë vegjetariane të ushqyeri.
Përveç bindjeve fetare, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në zgjedhjet e njerëzve në të ngrënë. Dr. Nil Bernard, për shembull, pohon në mënyrë të prerë: «Arsyet e vetme për të ngrënë mishin janë zakoni ose padija.» Qëndrimi i tij i prerë bazohet në pikëpamjet e tij në lidhje me rreziqet shëndetësore të konsumimit të mishit, siç janë sëmundjet e zemrës dhe kanceri.a
Në Shtetet e Bashkuara, thuhet se grupi me rritje më të shpejtë të vegjetarianëve është ai i adoleshentëve. Dhe një nga arsyet është shqetësimi për kafshët. «Fëmijët i duan kafshët,—thotë Treisi Rajman, e organizatës Njerëzit për trajtimin etik të kafshëve.—Kur fillojnë të mësojnë se çfarë u ndodh kafshëve para se t’i vrasin për ushqim, kjo gjë vetëm sa ua forcon dhembshurinë që ndiejnë.»
Shumë individë të ndërgjegjshëm për ambientin bëjnë, gjithashtu, lidhjen midis mënyrës së tyre të të ushqyerit dhe kërkesës së tmerrshme që bëhet mbi burimet natyrore në rritjen e kafshëve për ushqim. Për shembull, për të prodhuar vetëm një kilogram mish lope duhen 3.300 litra ujë dhe për të marrë një kilogram mish pule duhen 3.100 litra ujë. Për disa, kjo bëhet një arsye për ta shmangur ngrënien e mishit.
Ç’mund të themi për ju? A duhet të përmbaheni nga ngrënia e mishit? Përpara se t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, shqyrtoni një pikëpamje tjetër. Siç e gjejmë në Psalmin 50:10, 11, Perëndia Jehova, Bërësi i të gjitha gjërave, thotë: «Mua më përket çdo kafshë e egër e pyllit, bishat mbi mijëra male. Unë e njoh mirë çdo krijesë me krahë të maleve dhe turmat e kafshëve të fushës së hapur janë me mua.» (BR) Meqenëse të gjitha kafshët në të vërtetë i përkasin Perëndisë, është e rëndësishme të kuptojmë se si ndihet Krijuesi për jetën e kafshëve dhe përdorimin e tyre nga njeriu si ushqim.
A është e gabuar të vrasësh kafshët?
Disa që, ngjashëm Sujatës, i konsiderojnë kafshët si të barabarta me njeriun kanë një ndjenjë të fortë lidhur me faktin se marrja e jetës së një kafshe për çfarëdo qëllimi është e gabuar, vrasja e tyre për ushqim aq më shumë. Megjithatë, Shkrimet tregojnë se Perëndia bën dallim midis jetës së njerëzve dhe asaj të kafshëve dhe e lejon vrasjen e kafshëve për arsye të ndryshme. Në Izrael një kafshë mund të vritej, për shembull kur përbënte një kërcënim për jetën njerëzore apo për bagëtinë.—Eksodi 21:28, 29; 1. Samuelit 17:34-36.
Që nga kohët më të hershme, Perëndia e aprovonte ofrimin e kafshëve si flijime në adhurim. (Zanafilla 4:2-5; 8:20, 21) Ai i udhëzoi, gjithashtu, izraelitët që të përkujtonin daljen e tyre nga Egjipti, duke kremtuar çdo vit Pashkën, e cila përfshinte flijimin e një qengji apo të një cjapi dhe ngrënien e mishit të tij. (Eksodi 12:3-9) Dhe nën Ligjin e Moisiut, kishte raste të tjera ku bëheshin oferta në kafshë.
Duke e lexuar Biblën për herë të parë, një grua hindu 70-vjeçare mbeti e pakënaqur nga mendimi i flijimeve në kafshë. Por, ndërsa përparoi në njohurinë e Shkrimeve, ajo mundi të shihte se flijimet e urdhëruara nga Perëndia kishin një qëllim. Ato përfaqësonin në mënyrë profetike flijimin e Jezu Krishtit, i cili duhej të përmbushte kërkesën ligjore për faljen e mëkateve. (Hebrenjve 8:3-5; 10:1-10; 1. Gjonit 2:1, 2) Në shumë raste ofertat shërbyen edhe si ushqim për priftërinjtë dhe disa herë për adhuruesit. (Levitiku 7:11-21; 19:5-8) Perëndia, të cilit i përket çdo krijesë e gjallë, mund të vendoste me të drejtë një rregullim të tillë për një qëllim. Sigurisht, pasi vdiq Jezui, flijimet e kafshëve nuk kërkoheshin më në adhurim.—Kolosianëve 2:13-17; Hebrenjve 10:1-12.
Përdorimi i kafshëve për ushqim
Çfarë mund të themi, atëherë, për vrasjen e kafshëve për ushqim? Është e vërtetë se mënyra fillestare e të ushqyerit të njeriut ishte vegjetariane. Por, më vonë Jehovai e zgjeroi atë për të përfshirë edhe mishin e kafshëve. Rreth 4.000 vjet më parë, në ditët e Noes së drejtë, Jehovai shkaktoi një përmbytje globale dhe i solli fundin ligësisë që ekzistonte atëherë mbi tokë. Noeja, familja e tij dhe krijesat e gjalla që ai i mori me vete në arkë, mbijetuan nga Përmbytja. Pasi dolën nga arka, Jehovai për herë të parë tha: «Çdo gjë [kafshë, BR] që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë po ju jap tërë këto gjëra; ju jap dhe barin e gjelbër.» (Zanafilla 9:3) Megjithatë, në të njëjtën kohë, Perëndia dha ligjin: «Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij.» (Zanafilla 9:6) Qartë, Perëndia nuk i vendosi kafshët në të njëjtin nivel me njerëzit.
Faktikisht, bindja e Sujatës rreth kafshëve ishte e bazuar në besimin e saj në doktrinën e rimishërimit. Në lidhje me këtë, Bibla shpjegon se, megjithëse njerëzit dhe kafshët janë shpirtra, shpirti nuk është i pavdekshëm. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4, 20; Veprat 3:23; Zbulesa 16:3) Si shpirtra, njerëzit dhe kafshët vdesin dhe pushojnë së ekzistuari. (Predikuesi 3:19, 20) Por, njerëzit kanë një shpresë të mrekullueshme për ringjallje në botën e re të Perëndisë.b (Luka 23:43; Veprat 24:15) Edhe kjo tregon se kafshët nuk janë të barabartë me njeriun.
«Prapëseprapë, përse ndryshoi mënyra e të ushqyerit?»—donte të dinte Sujata. Për shkak të Përmbytjes, me sa duket klima e tokës i ishte nënshtruar ndryshimeve drastike. Bibla nuk na thotë nëse Jehovai e ndërfuti ngrënien e mishit në mënyrën e të ushqyerit të njeriut, sepse i parapriu nevojës së brezave të ardhshëm që do të jetonin në zona ku bimësia do të ishte e pakët. Por, Sujata mund ta pranonte se Pronari i të gjitha gjërave të gjalla kishte të drejtën të ndërfuste një ndryshim.
Të tregojmë respekt për jetën e kafshëve
Megjithatë, Sujata pyeste veten: «A nuk duhet të paktën të tregojmë pak respekt për jetën e kafshëve?» Po, duhet. Vetë Krijuesi i të gjitha gjërave na ka thënë se si mund ta bëjmë këtë. «Vetëm mishin me shpirtin e tij, gjakun e tij, nuk duhet ta hani»,—thotë dekreti i tij në Zanafillën 9:4, BR. Përse ky kufizim mbi ngrënien e gjakut? «Sepse jeta e mishit është në gjak»,—thotë Bibla. (Levitiku 17:10, 11) Jehovai ka vënë si kusht: ‘Do ta derdhni gjakun e kafshës së vrarë mbi tokë siç derdhet uji.’—Ligji i përtërirë 12:16, 24.
Kjo nuk do të thotë që furnizimi për të ngrënë mish është një licensë për t’u lëshuar në derdhje të panevojshme të gjakut të kafshëve, vetëm për kënaqësinë e thjeshtë të gjuetisë apo për të treguar zotësinë personale. Me sa duket Nimrodi ka bërë kështu. Bibla e identifikon atë si «një gjahtar i fuqishëm në kundërshtim me Jehovain». (Zanafilla 10:9, BR) Edhe sot, disa mund të zhvillojnë me lehtësi entuziazmin për gjuetinë dhe për vrasjen e kafshëve. Por, një frymë e tillë lidhet ngushtë me përçmimin mizor të jetës së kafshëve dhe Perëndia nuk e aprovon atë.c
Të jemi të dhembshur ndaj kafshëve
Disa vegjetarianë kanë, gjithashtu, shqetësimin e sinqertë mbi trajtimin e kafshëve nga industria moderne e përpunimit të mishit. «Agrobiznesi nuk ka shumë interes në instinktet natyrore të kafshëve»,—komenton Manuali vegjetarian (The Vegetarian Handbook). «Të rritur në hapësira tmerrësisht të vogla dhe në ambiente jo natyrore,—vëren libri,—kafshët e ditëve të sotme shfrytëzohen në mënyrë më të plotë se ç’mund të jenë shfrytëzuar ndonjëherë më parë kafshët.»
Ndërkohë që përdorimi i kafshëve për ushqim nuk është kundër vullnetit të Perëndisë, trajtimi mizor i tyre është një shkelje. «I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij»,—thotë Bibla në Fjalët e urta 12:10. Edhe Ligji i Moisiut urdhëronte kujdesin e duhur për kafshët shtëpiake.—Eksodi 23:4, 5; Ligji i përtërirë 22:10; 25:4.
Një i krishterë, a duhet të jetë vegjetarian?
Siç është treguar më sipër, çështja nëse një person duhet të bëhet vegjetarian apo të mbesë i tillë, është krejtësisht një çështje vendimi personal. Një person mund të zgjedhë të ndjekë një regjim vegjetarian për shkak të shëndetit, ekonomisë, ekologjisë apo dhembshurisë për kafshët. Por ai duhet të pranojë preferencën e tij vetëm si një nga mënyrat e të ushqyerit. Nuk duhet të kritikojë ata që zgjedhin të hanë mish, ashtu si një person që ha mish nuk duhet të dënojë një vegjetarian. Ngrënia e mishit apo përmbajtja nga ai nuk e bën një person më të mirë. (Romakëve 14:1-17) As nuk duhet që mënyra e të ushqyerit të bëhet shqetësimi parësor në jetën e një personi. «Njeriu duhet të jetojë,—tha Jezui,—jo vetëm me bukë, po me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.»—Mateu 4:4, BR.
Sa për mizorinë ndaj kafshëve dhe keqpërdorimin e burimeve të tokës, Jehovai ka premtuar se do të sjellë fundin e këtij sistemi lakmitar dhe të korruptuar dhe do ta zëvendësojë atë me botën e tij të re. (Psalmi 37:10, 11; Mateu 6:9, 10; 2. Pjetrit 3:13) Në atë botë të re, njeriu dhe kafshët do të jenë përgjithmonë në paqe me njëri-tjetrin dhe Jehovai do të «kënaqë dëshirën e çdo gjëje të gjallë».—Psalmi 145:16, BR; Isaia 65:25.
[Shënimet]
a Shiko Zgjohuni! të 22 qershorit 1997, faqet 3-13, anglisht.
b Shiko Kullën e Rojës së 15 majit, 1997, faqet 3-8, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Shiko Kullën e Rojës së 15 majit 1990, faqet 30-31, anglisht.
[Burimi i figurës në faqen 18]
Punch