IMITONI BESIMIN E TYRE | JOBI
Jehovai ia shëroi plagët
Më në fund, katër burrat heshtën. Mbase dëgjohej veçse fëshfërima e një flladi të ngrohtë që vinte nga shkretëtira e Arabisë. Jobi ishte sfilitur fare nga debati i tejzgjatur dhe s’kishte më ç’të thoshte. Imagjinoje teksa sheh tërë inat 3 shokët e tij, Elifazin, Bildadin dhe Zofarin. Ishte sikur t’u thoshte: «Keni ndonjë gjë tjetër për të thënë?» Por ata mbetën me gisht në gojë, të turpëruar e të inatosur që argumentet e tyre gjoja të mençura, «fjalët e thëna në erë» dhe akuzat mizore kishin dështuar keq. (Jobi 16:3) Ndryshe nga ç’prisnin, Jobi ishte i vendosur si asnjëherë tjetër të dilte në mbrojtje të integritetit të tij.
Mbase mund të ketë menduar se tani s’i kishte mbetur gjë tjetër, veç integritetit. Ai kishte humbur të gjitha zotërimet, të 10 fëmijët, mbështetjen dhe respektin e miqve dhe të të tjerëve, e së fundmi edhe shëndetin. Lëkura i ishte nxirë nga sëmundja, i kishte zënë dregëza e ishte mbuluar me vemje. Madje, edhe era e gojës ishte e pështirë. (Jobi 7:5; 19:17; 30:30) Gjithsesi, fjalët e atyre burrave e kishin indinjuar thellë Jobin. Ai ishte i vendosur që t’u provonte se e kishin gabim. Pasi foli Jobi, fjalët e tyre mizore që s’kishin të sosur, shteruan. Mirëpo nuk shteruan dhembjet e tij. Ai akoma kishte tmerrësisht nevojë për ndihmë.
E kuptojmë pse Jobit i ishte mjegulluar disi gjykimi. Ai kishte nevojë për ndreqje dhe drejtim. Gjithashtu, edhe për një fjalë të ngrohtë e ngushëlluese, pikërisht për ato që nuk ia siguruan dot 3 shokët. Po ti, a ke pasur ndonjëherë nevojë urgjente për drejtim dhe ngushëllim? A të ka zhgënjyer dikush që e konsideroje mik? Kur shikojmë se si Perëndia Jehova ndihmoi shërbëtorin e vet dhe si reagoi ai, mbushemi me shpresë dhe nxjerrim mësime praktike.
Një ngushëllues i mençur dhe i mirë
Më pas tregimi për Jobin na surprizon. Aty afër ishte edhe një burrë më i ri se të tjerët i quajtur Elih. Ai kishte qenë aty gjithë kohës dhe në heshtje kishte dëgjuar tërë debatin e burrave. Dhe vështirë të jetë kënaqur me gjithë sa kishte dëgjuar.
Elihu ishte mërzitur me Jobin. Atij i vinte keq teksa shikonte Jobin ‘ta shpallte veten më të drejtë se Perëndia’ për shkak të provokimeve të tyre. Prapëseprapë, Elihu i kuptonte ndjenjat e Jobit të sinqertë. Ai po vuante jashtë mase dhe kishte nevojë urgjente për ngushëllim dhe për këshilla. Ndaj, s’çuditemi që Elihut i humbi durimi me ata 3 ngushëllues koti. Ai e kishte parë teksa e akuzonin Jobin, duke i ulur dinjitetin e duke u përpjekur t’i minojnë besimin dhe integritetin. Edhe më keq akoma, arsyetimet e tyre të shtrembëruara i vishnin Jehovait cilësi të këqija. Elihu mezi po përmbahej!—Jobi 32:2-4, 18.
Ai tha «Unë jam i ri në moshë kurse ju të moshuar. Ndaj u përmbajta dhe druhesha t’ju tregoja njohurinë time.» Por s’mund të rrinte më në heshtje. Më tej vazhdoi: «Nuk janë të mençur vetëm ata që kanë pasur ditë të gjata, dhe nuk dinë të gjykojnë vetëm ata që janë të moshuar.» (Jobi 32:6, 9) Pastaj, e vërtetoi këtë me gjërat që tha. Krejt ndryshe nga Elifazi, Bildadi dhe Zofari, Elihu e siguroi Jobin që nuk do ta përbuzte e nuk do ta rëndonte me fjalët e tij. Gjithashtu i dha dinjitet duke i folur me emër dhe duke e pranuar që të tjerët e kishin përçmuar.a Me respekt i tha: «E tani, o Job, dëgjoji fjalët e mia.»—Jobi 33:1, 7; 34:7.
Elihu i dha Jobit disa këshilla të sinqerta: «Në vesh më erdhën fjalët e tua: . . . Jam i kulluar, s’kam bërë asnjë shkelje; jam i pastër e s’kam asnjë faj. Por ai gjen rast të më kundërvihet.» Elihu i shkoi problemit në rrënjë duke e pyetur Jobin: «A je kaq i bindur që ke të drejtë të thuash: ‘Jam më i drejtë se Perëndia.’» I riu Elih nuk mund të lejonte që Jobi të arsyetonte kështu. Ai tha: «Por këtu nuk ke të drejtë.» (Jobi 33:8-12; 35:2, nwt) Elihu e dinte që Jobi ishte mbushur me mllef për shkak të tragjedive që pësoi dhe keqtrajtimit të shokëve të rremë. Ama e paralajmëroi Jobin: «Por ki kujdes se mos nga tërbimi të mbushet zemra me ligësi.»—Jobi 36:18, nwt
Elihu nxjerr në pah mirësinë e Jehovait
Mbi të gjitha, Elihu foli në mbrojtje të Perëndisë Jehova. Me fjalët e tij të thjeshta, por me peshë, përmblodhi një të vërtetë thelbësore: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi! . . . I Plotfuqishmi nuk e shtrembëron drejtësinë.» (Jobi 34:10, 12) Elihu e ndihmoi Jobin të shihte sa i mëshirshëm dhe i drejtë është Jehovai, kur i kujtoi që nuk u ndëshkua, pavarësisht fjalëve të rrëmbyera dhe pa respekt që tha. (Jobi 35:13-15) Gjithashtu, në vend se të fliste sikur i kishte të gjitha përgjigjet, Elihu me përulësi pranoi: «Perëndia është shumë më i lartësuar nga sa dimë ne.»—Jobi 36:26.
Elihu foli hapur, ama gjithmonë me dashuri. Ai i foli për një shpresë të mrekullueshme: një ditë, Jehovai do t’i kthente shëndetin Jobit. Perëndia do të thoshte për shërbëtorin e tij besnik: «Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë.» Një shprehje tjetër e mirësisë së Elihut ishte kur, në vend se t’i bënte leksion, e ftoi Jobin të shprehej: «Fol, se jam kënaqur nga drejtësia jote.» (Jobi 33:25, 32) Por Jobi nuk iu përgjigj. Ndoshta nuk e ndiente të nevojshme të mbrohej nga këto këshilla të dashura e inkurajuese. Ndoshta, kjo e ka prekur aq shumë sa ka shpërthyer në lot.
Mund të mësojmë shumë nga këta dy burra besnikë. Nga Elihu mësojmë si të këshillojmë dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë. Edhe kur nuk është e lehtë, një mik i vërtetë ta thotë hapur nëse ke filluar të ndjekësh një rrugë të gabuar a nëse ke një të metë serioze. (Proverbat 27:6) Duam të jemi miq të tillë, të dashur dhe inkurajues edhe kur na thonë fjalë të nxituara. Gjithashtu, kur ne vetë kemi nevojë për këshilla, shembulli i Jobit na kujton që t’i pranojmë me përulësi në vend se të bëjmë një vesh shurdh. Të gjithë kemi nevojë për këshilla dhe për ndreqje. Ato mund të na shpëtojnë jetën.—Proverbat 4:13.
Jehovai përgjigjet nga stuhia
Shpesh Elihu përmendi erën, retë, bubullimat dhe vetëtimat. Ai tha për Jehovain: «Dëgjojeni me vëmendje uturimën e zërit të tij.» Pak më vonë foli për një shtrëngatë. (Jobi 37:2, 9) Duket se, ndërsa fliste, po vinte një shtrëngatë që po bëhej gjithnjë e më e fuqishme. Kur shtrëngata arriti pikën kulmore, ndodhi diçka tepër e jashtëzakonshme. Jehovai foli.—Jobi 38:1.
A ka privilegj më të madh se sa të ndjekësh një leksion për natyrën nga vetë Krijuesi i universit?
Sa i lehtësuar ndihesh kur fillon të lexosh fjalët e këndshme të Jehovait drejtuar Jobit! Ato janë si një stuhi që flak tej të gjitha fjalët boshe dhe të rreme të Elifazit, Bildadit dhe Zofarit. Si fillim, Jehovai as që u mor fare me ta, se meraku i tij kryesor ishte Jobi. Ai e korrigjoi shërbëtorin e tij të dashur siç do të bënte një atë me të birin.
Jehovai e kuptonte dhembjen e Jobit dhe i therte në zemër për të. Këto ndjenja provon Jehovai sa herë që fëmijët e tij të dashur vuajnë. (Isaia 63:9; Zakaria 2:8) Ama Jehovai dinte edhe se Jobi e kishte përkeqësuar situatën duke folur «pa njohuri». Prandaj, Jehovai e ndreqi Jobin duke i bërë pyetje njëra pas tjetrës: «Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? Thuama nëse ke kuptueshmëri». Në fillimin e krijimit, «yjet e mëngjesit», pra bijtë engjëllorë të Perëndisë, brohoritnin tërë ngazëllim për mrekullitë e krijimit. (Jobi 38:2, 4, 7) Patjetër që Jobi nuk i dinte këto.
Jehovai vazhdoi duke folur për veprat e krijimit. Ishte sikur po i jepte Jobit një leksion për ato që sot njihen si shkencat e natyrës siç janë, astronomia, biologjia, gjeologjia dhe fizika. Në veçanti, Jehovai përshkroi disa kafshë që gjendeshin në atë pjesë të tokës që jetonte Jobi: luanin, korbin, dhinë e malit, gomarin e shkretëtirës, demin, strucin, kalin, fajkoin, shqiponjën, behemothin (me sa duket hipopotami) dhe leviathanin (me shumë gjasa krokodili). A ka privilegj më të madh se sa të ndjekësh një leksion për natyrën nga vetë Krijuesi i universit?b
Mësime për përulësinë dhe dashurinë
Cila ishte pika? Jobi kishte nevojë të menjëhershme për një dozë përulësie. Ai po ankohej se Jehovai po tregohej i padrejtë me të. Kjo veçse ia shtonte vuajtjet dhe e largonte nga Ati i tij i dashur. Prandaj, Jehovai e pyeti Jobin për të disatën herë, se ku ishte kur gjithë këto gjëra të mrekullueshme erdhën në ekzistencë dhe nëse mund të ushqente dhe të zbuste kafshët e krijuara prej Tij. Nëse Jobi s’kontrollonte dot as gjërat e krijuara nga Jehovai, si pretendonte të gjykonte Krijuesin? A nuk ishin udhët dhe mendimet e Jehovait shumë herë më të larta se këndvështrimet e kufizuara të Jobit?
Jobi nuk debatoi me Jehovain dhe nuk e justifikoi veten
Dashuria e Jehovait për Jobin ishte themeli i çdo gjëje që i tha. Ishte sikur t’i thoshte: «Biri im, nëse unë mund të krijoj gjithë këto gjëra dhe të kujdesem për to, a nuk do të kujdesem edhe për ty? Vërtet do të të braktisja dhe do të të rrëmbeja fëmijët, të mirat e shëndetin? A nuk jam i vetmi Person që mund të të kthejë çdo gjë që ke humbur dhe të shëroj dhembjen tënde të tmerrshme?»
Jobi iu përgjigj pyetjeve zhbiruese të Jehovait vetëm në dy raste. Ai nuk debatoi dhe nuk e justifikoi veten. Me përulësi, pranoi sa pak dinte dhe u pendua për fjalët e tij të rrëmbyera. (Jobi 40:4, 5; 42:1-6) Këtu dallojmë sa i jashtëzakonshëm ishte besimi i Jobit. Pas gjithë gjërave që duroi, besimi te Jehovai nuk iu venit. Jobi e pranoi ndreqjen nga Jehovai dhe veproi në përputhje me të. Ndaj mund të meditojmë për pyetjen: «A jam aq i përulur sa të pranoj korrigjimin dhe këshillat?» Të gjithë kemi nevojë për ndihmë. Kur i pranojmë këshillat dhe korrigjimin, po imitojmë besimin e Jobit.
«Nuk thatë të vërtetën për mua»
Tani Jehovai vepron për t’ia qetësuar dhembjen Jobit. Ai i drejtohet Elifazit, më të moshuarit nga tre ngushëlluesit e rremë, me fjalët: «M’u ndez zemërimi kundër teje dhe kundër dy shokëve të tu, se nuk thatë të vërtetën për mua, siç bëri Jobi, shërbëtori im.» (Jobi 42:7) Mendo pak për këto fjalë. A po thoshte Jehovai se të gjitha fjalët që thanë tre burrat ishin të rreme kurse çdo fjalë e Jobit e drejtë? Patjetër që jo.c Gjithsesi, kishte goxha diferencë midis Jobit dhe akuzuesve të tij. Jobi ishte zemërthyer, i mbytur nga pikëllimi dhe i lënduar thellë nga akuzat e rreme. Prandaj e kuptojmë pse me raste foli pa u menduar. Ndërsa Elifazi me shokët e tij nuk i kishin hequr në kurriz këto gjëra. Ata ishin njerëz arrogantë dhe pa besim, prandaj nxorën nga goja fjalë mizore me qëllim për ta lënduar. Jo vetëm që sulmuan një njeri të pafajshëm, por edhe nxorën përfundime të gabuara për Jehovain, sikur Ai ishte i ashpër, e madje i lig.
S’është çudi pra, që Jehovai u kërkoi të bënin një flijim të kushtueshëm! Ata duhet të sakrifikonin shtatë dema e shtatë desh. Kjo sakrificë e kushtueshme tregon sa i rëndë ishte mëkati i tyre, pasi më vonë, në Ligjin e Moisiut, kryeprifti duhej të flijonte një dem nëse kryente një mëkat, që për pasojë e bënte fajtor tërë kombin. (Levitiku 4:3) Në Ligjin e Moisiut, demi ishte kafsha më e kushtueshme që kërkohej si flijim. Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai tha që do t’i pranonte flijimet e akuzuesve, vetëm nëse Jobi do të lutej për ta.d (Jobi 42:8) Sa shumë duhet t’i jetë freskuar zemra Jobit, që Perëndia e shfajësoi dhe që drejtësia e Jehovait triumfoi!
«Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju.»—Jobi 42:8
Jehovai kishte besim që Jobi do të bënte siç i kërkoi, duke falur këta burra që e kishin lënduar aq shumë. Dhe ai bëri pikërisht ashtu. (Jobi 42:9) Bindja e Jobit ishte prova më e madhe e integritetit, ku e ku më e fuqishme sesa fjalët. Prandaj Jehovai e bekoi jashtë mase.
«Është shumë i dhembshur»
Jehovai ishte «shumë i dhembshur e i mëshirshëm» me Jobin. (Jakovi 5:11, nwt) Si? Ai i kthehu shëndetin. Imagjino se si u ndie kur ‘mishi iu bë më i freskët se në rini’, tamam siç kishte parathënë Elihu. Më në fund ai u rrethua nga familja e miqtë tij, të cilët ia qanë hallin dhe i bënë dhurata. Gjithashtu, Jehovai i ktheu pasurinë Jobit, madje dyfishin e gjithçkaje që kishte më parë. Po ç’të themi për plagën më të thellë të Jobit, vdekjen e fëmijëve? Ai dhe gruaja e tij u ngushëlluan disi kur u bënë me dhjetë fëmijë të tjerë. Jehovai ia zgjati jetën Jobit edhe me 140 vjet, mjaftueshëm për të parë katër breza pasardhësish. Tregimi vijon: «Në fund Jobi vdiq, i moshuar dhe i ngopur me ditë.» (Jobi 42:10-17) Por jo vetëm kaq, në Parajsë Jobi dhe gruaja e tij do të bashkohen me familjen e tyre, përfshirë edhe dhjetë fëmijët që vdiqën nga sulmi i Satanait.—Gjoni 5:28, 29.
Pse e bekoi kaq shumë Jehovai Jobin? Bibla përgjigjet: «Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit.» (Jakovi 5:11) Ai qëndroi përballë kaq shumë sprovave sa shumica prej nesh as që mund t’i imagjinojë. Fjala ‘qëndrueshmëri’ tregon se Jobi jo vetëm mbijetoi nga këto sprova, por qëndroi i palëkundur në besim dhe në dashuri për Jehovain. Në vend se të mbushej me zemërim e hidhërim, ishte i gatshëm të falte ata që e kishin lënduar me dashje. Gjithashtu nuk hoqi dorë kurrë nga shpresa e vyer dhe nga integriteti aq i çmuar për të.—Jobi 27:5.
Të gjithë kemi nevojë për qëndrueshmëri. Jemi të sigurt se Satanai do të përpiqet të na shkurajojë ashtu siç bëri me Jobin. Por nëse qëndrojmë besnikë e të përulur dhe nëse jemi të gatshëm të falim e të vendosur të mbrojmë integritetin tonë, edhe ne do të kemi një të ardhme të mrekullueshme. (Hebrenjve 10:36) S’ka asgjë tjetër që do ta acaronte më shumë Satanain e që do t’ia bënte zemrën mal Jehovait, se sa të imitojmë besimin e Jobit!
a Elifazi, Bildadi dhe Zofari folën aq shumë sa fjalët e tyre zënë 9 kapituj të Biblës, prapëseprapë, sipas Biblës, ata nuk iu drejtuan asnjëherë Jobit me emër.
b Me raste, si pa e kuptuar Jehovai kalonte nga përshkrime konkrete në përshkrime më të figurshme ose poetike. (Shiko Jobin 41:1, 7, 8, 19-21.) Në të gjitha rastet synimi i Perëndisë ishte i njëjtë—të ngjallte te Jobi nderim më të thellë për Krijuesin.
c Në fakt apostulli Pavël citoi disa nga fjalët e Elifazit si të vërteta. (Jobi 5:13; 1 Korintasve 3:19) Elifazi tha një gjë të vërtetë, por e keqinterpretoi për Jobin.
d Në Bibël nuk tregohet që Jobit t’i jetë kërkuar të bëjë të njëjtin flijim për gruan e tij.