GISHTI
Zgjatim i dorës ose i këmbës; gishtat e dorës luajnë një rol të rëndësishëm në kryerjen e një pune deri në hollësitë më të vogla, kurse gishtat e këmbës janë të nevojshëm për të ruajtur ekuilibrin dhe drejtimin e trupit në ecje.
Meqë janë pjesë e dorës, në Bibël gishtat nganjëherë përdoren si sinonim i «dorës». Të dyja fjalët, «gishtat» dhe ‘duart’, përdoren në pohime paralele për të treguar se me to bëhen idhujt.—Is 2:8.
Në kuptim të figurshëm, thuhet se me «gishtin» ose ‘gishtërinjtë’ e tij Perëndia shkroi Dhjetë Urdhërimet në pllaka guri (Da 31:18; Lp 9:10), kreu mrekulli (Da 8:18, 19) dhe krijoi qiejt (Ps 8:3). ‘Gishti’ që përdori Perëndia gjatë krijimit i referohet frymës së shenjtë ose forcës së tij vepruese, dhe këtë e tregon përshkrimi i krijimit te Zanafilla, ku thuhet se forca vepruese (rúaħ, «fryma») e Perëndisë endej mbi sipërfaqen e ujërave. (Zn 1:2) Megjithatë, çelësi për të kuptuar mirë këtë përdorim simbolik gjendet në Shkrimet e Krishtere Greke. Në Ungjillin e Mateut shpjegohet se Jezui i dëboi demonët «me anë të frymës së Perëndisë» dhe në Ungjillin e Lukës thuhet se e bëri «me anë të gishtit të Perëndisë».—Mt 12:28; Lu 11:20.
Në popujt e Lindjes, gjestet janë mjaft shprehëse dhe shpesh një lëvizje e vogël është shumë domethënëse. Bibla e paraqet njeriun e pavlerë si dikë ‘që tregon me gishta’. (Pr 6:12, 13) Që të fitonin miratimin e Perëndisë, izraelitët duhej të hiqnin nga gjiri i tyre gjëra të tilla, si «gishtin që tregon të tjerët» (ndoshta për të tallur ose për të bërë akuza të rreme), bashkë me fjalët e këqija. (Is 58:9-11) Ngaqë gishtat janë gjithnjë para syve dhe të domosdoshëm për të përmbushur qëllimet, në kuptim të figurshëm shërbëtorët e Perëndisë duhej ‘t’i lidhnin në gishta urdhërimet e tij’ si përkujtues dhe udhërrëfyes të vazhdueshëm në çdo gjë që bënin.—Pr 7:2, 3; krahaso Ps 144:1.
Kur një delegacion i kërkoi mbretit Rehoboam të lehtësonte punën e rëndë që babai i tij, Solomoni, i kishte ngarkuar popullit, të rinjtë që ishin në shërbim të mbretit e këshilluan të përgjigjej se ‘gishti i tij i vogël do të ishte më i trashë se mesi i të atit’, metaforë që do të thoshte se do t’u vinte një barrë shumë më të rëndë. (1Mb 12:4, 10, 11) Rrënja e fjalës hebraike që këtu është përkthyer ‘gishti i vogël’ do të thotë «të jesh i vogël, i paktë, më i vogli».
Jezu Krishti përdori një figurë letrare të ngjashme për të ilustruar sundimin e ashpër dhe arrogant të skribëve e të farisenjve. Ai tregoi se atyre u mungonte plotësisht dëshira për t’i ndihmuar sadopak njerëzit e munduar, duke thënë se ‘lidhnin ngarkesa të rënda dhe ua vinin njerëzve mbi supe, por vetë nuk donin të luanin as gishtin për t’i lëvizur’. (Mt 23:2-4) Në një metaforë tjetër, Jezui tregoi se «i pasuri» donte që Lazari të bënte një gjë fare të vogël për të (t’i çonte vetëm pak ujë me «majën e gishtit»). Kjo kërkesë synonte ta largonte Lazarin nga pozita e privilegjuar pranë Abrahamit.—Lu 16:22, 24.
Një nga refaimët që luftoi kundër Izraelit, ishte një burrë me shtat të jashtëzakonshëm, me një anomali gjenetike: kishte gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, gjithsej 24.—2Sa 21:20; 1Kr 20:6.
Gishti i madh i dorës. Ky zgjatim i dorës së njeriut mund të lëvizë kundrejt gishtave të tjerë. Njerëzit mund të kapin gjëra e të bëjnë shumë veprime delikate që do të ishin të pamundura pa gishtin e madh të përkundërt. Në lashtësi, nganjëherë robërve u pritnin gishtat e mëdhenj të duarve e të këmbëve për t’i bërë të paaftë për shërbimin ushtarak.—Gjy 1:6, 7.
Fjala hebraike bóhen përdoret qoftë për gishtin e madh të dorës, qoftë për gishtin e madh të këmbës. Shprehjet shoqëruese, ‘të dorës’ dhe ‘të këmbës’, tregojnë se kujt i referohet fjala bóhen në secilin varg. Sa herë që në Shkrime përmendet gishti i madh i dorës, në të njëjtin varg përmendet edhe gishti i madh i këmbës.—Da 29:20; Le 14:14, 17, 25, 28.
Kur Aaroni dhe bijtë e tij u emëruan priftërinj, u ther një dash e Moisiu mori ca nga gjaku i tij dhe e vuri në llapën e veshit të djathtë të Aaronit, në gishtin e madh të dorës së tij të djathtë e në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pastaj bëri të njëjtën gjë me secilin nga bijtë e Aaronit. (Le 8:23, 24) Gjaku në gishtin e madh të dorës së djathtë tregonte në mënyrë të figurshme se ata duhej t’i kryenin detyrat priftërore sa më mirë të mundeshin.
Gishti i këmbës. Një nga zgjatimet në fund të këmbës së njeriut. Në hebraisht dhe aramaisht, termi që përmendet në Bibël për gishtin e dorës ndonjëherë i referohet edhe gishtit të këmbës. (2Sa 21:20; 1Kr 20:6; Dn 2:41, 42) Në vargje të tjera, fjala hebraike për ‘gishti i madh i dorës’ përdoret edhe për «gishtin e madh të këmbës».—Da 29:20; Le 8:23, 24; 14:14, 17, 25, 28.
Në Shkrime gishtat e këmbës përdoren në kuptimin e mirëfilltë dhe në kuptimin e figurshëm. Në rastin e emërimit të priftërinjve në Izrael (Le 8:23, 24), gjaku në gishtin e madh të këmbës së djathtë do të thoshte se ata duhej t’i drejtonin mirë hapat dhe të mos devijonin, që t’i përmbushnin sa më mirë detyrat priftërore. Jezu Krishti, Kryeprifti i madh, e përmbushi këtë model profetik kur ishte në tokë (Mt 16:21-23) dhe ata që shërbejnë si nënpriftërinj, vëllezërit e tij të lindur nga fryma, duhet të ndjekin me kujdes gjurmët e tij.—He 7:26; 1Pj 2:5, 8; Zb 20:6.
Gishti si njësi matëse. Gishti është njësia matëse më e vogël që përmendet në Bibël. Një gisht ishte baras me 1/24 e kutit (1,85 cm). Te Jeremia 52:21 thuhet se trashësia e bakrit të përdorur për shtyllat që quheshin Jakin dhe Boaz ishte katër gisht.—1Mb 7:15, 21.
Katër gisht konsiderohet si një njësi matëse më vete që korrespondon pak a shumë me gjerësinë e pëllëmbës së dorës rrëzë gishtave. Katër gisht janë baras me 7,4 cm; gjashtë herë katër gisht janë baras me një kut. (Da 25:25; 37:12; 1Mb 7:26; 2Kr 4:5; Ezk 40:5, 43; 43:13) Sipas Psalmit 39:5, Davidi tha: «Ti i ke pakësuar shumë ditët e mia»; por në tekstin masoretik del shprehja «vetëm disa gishta». (shën., NW) Krishti Jezu e përdori në mënyrë të ngjashme fjalën «kut»: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak [«një kut», NW] jetën e vet?»—Mt 6:27.