SELA
[shkrep].
1. Vend në kufi të territorit amorit pasi izraelitët shtinë në dorë Tokën e Premtuar. (Gjy 1:36) Sot nuk dihet vendndodhja. Sipas disave, ishte Sela që ndodhej në Edom (2Mb 14:7), por nuk ka asnjë dëshmi që territori amorit të jetë shtrirë ndonjëherë aq në jug, sa të arrinte deri në rajonin që zotëronin edomitët.
2. Qytet i rëndësishëm edomit që e pushtoi Amaziahu, mbreti i Judës, dhe ia ndërroi emrin në Jokthel. (2Mb 14:7) Sela ndoshta është ‘qyteti i fortifikuar’ pa emër që përmendet te Psalmi 108:10.
Disa e lidhin këtë qytet me Um-el-Bijarën, një akropol shkëmbor afro 100 km në veri-verilindje të skajit verior të gjirit të ʽAkabës. Ky vend ndodhet në qoshen perëndimore të rrafshinës ku u ndërtua më pas qyteti nabateas i Petrës. Ajo rrafshinë është e mbrojtur mirë, sepse rrethohet nga shkëmbinj ranorë të thiktë dhe atje shkohet nëpërmjet një gryke të ngushtë dredha-dredha. Rrënojat mbresëlënëse të Petrës, me tempujt, varret dhe banesat e gdhendura në shkëmb, nuk ishin pjesë e qytetit të lashtë edomit të Selës. Kohët e fundit, studiuesit kanë anuar nga ideja që Sela është Es Selaʽ, rreth 4 km në veri-veriperëndim të Bozrahut.
3. Vend i përmendur në një shpallje kundër Moabit. (Is 15:1; 16:1) Nuk është e sigurt nëse është njësoj si Sela nr. 2.