Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Proverbave
MBRETI SOLOMON i Izraelit të lashtë «tha tre mijë proverba». (1 Mbretërve 4:32) A mund t’i lexojmë ne thëniet e tij të mençura? Po. Në librin biblik të Proverbave, i cili përfundoi rreth vitit 717 p.e.s., janë shkruar shumë proverba të Solomonit. Vetëm për dy kapitujt e fundit thuhet se i kanë shkruar shkrimtarë të tjerë: Aguri, biri i Jakehut, dhe mbreti Lemuel. Por disa mendojnë se Lemuel është një emër tjetër për Solomonin.
Thëniet e frymëzuara të mbledhura në librin e Proverbave kanë qëllim të dyfishtë: «që njeriu të njohë mençurinë dhe disiplinën». (Proverbat 1:2) Këto thënie na ndihmojnë të fitojmë mençuri, e cila është aftësia për t’i kuptuar qartë gjërat dhe për ta zbatuar njohurinë në zgjidhjen e problemeve. Nëpërmjet tyre marrim edhe disiplinë ose stërvitje morale. Po t’u kushtojmë vëmendje këtyre proverbave dhe t’u vëmë veshin këshillave të tyre, kjo mund të ndikojë në zemrën tonë, mund të na bëjë të lumtur dhe të suksesshëm në jetë.—Hebrenjve 4:12.
‘FITO MENÇURI DHE RROKE DISIPLINËN’
Solomoni thotë: «Mençuria e vërtetë bërtet fort rrugës.» (Proverbat 1:20) Pse duhet ta dëgjojmë zërin e saj të lartë e të qartë? Në kapitullin e 2-të citohen shumë dobi që vijnë kur fitojmë mençuri. Në kapitullin e 3-të shqyrtohet se si të kemi një miqësi të ngushtë me Jehovain. Më pas Solomoni thotë: «Mençuria është gjëja parësore. Fito mençuri dhe me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri. Rroke disiplinën, mos e lër të ikë.»—Proverbat 4:7, 13.
Ç’gjë do të na ndihmojë t’u rezistojmë udhëve imorale të botës? Kapitulli i pestë i Proverbave përgjigjet: të përdorim aftësinë për të menduar dhe të dallojmë metodat joshëse të botës; si dhe të shqyrtojmë çmimin e lartë që do të paguajmë nga kryerja e imoralitetit. Kapitulli vijues na paralajmëron kundër praktikave dhe qëndrimeve që vënë në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain. Kapitulli i shtatë na jep një përshkrim real se si vepron një njeri imoral. Në kapitullin e 8-të paraqitet në një mënyrë interesante vlera dhe fuqia tërheqëse e mençurisë. Kapitulli i nëntë, një përfundim nxitës për proverbat e trajtuara deri në këtë pikë, paraqitet si një ilustrim gjallërues që na nxit të ndjekim mençurinë.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:7; 9:10—Në ç’kuptim të kesh frikë nga Jehovai është «hapi i parë drejt njohurisë» dhe «hapi i parë drejt mençurisë»? Pa pasur frikë nga Jehovai nuk mund të kemi njohuri, sepse ai është Krijuesi i gjithë gjërave dhe Autori i Shkrimeve. (Romakëve 1:20; 2 Timoteut 3:16, 17) Ai është Burimi i tërë njohurisë së vërtetë. Prandaj hapi i parë drejt njohurisë është të kesh frikë me nderim nga Jehovai. Të kesh frikë nga Perëndia është edhe hapi i parë drejt mençurisë, sepse nuk mund të kemi mençuri pa njohuri. Për më tepër, dikush që nuk ka frikë nga Jehovai, çfarëdolloj njohurie që mund të ketë, nuk do ta përdorë për të nderuar Krijuesin.
5:3, BR me referime, anglisht—Pse një prostitutë ose një grua imorale quhet ‘grua e huaj’? Shënimi te Proverbat 2:16, 17 tregon se ‘grua e huaj’ është dikush që «ka harruar besëlidhjen e Perëndisë së saj». Kushdo që adhuronte perënditë e rreme ose shpërfillte Ligjin e Moisiut, përfshirë edhe një prostitutë, quhej i huaj.—Jeremia 2:25; 3:13.
7:1, 2—Çfarë përfshijnë frazat «fjalët e mia» dhe «urdhërimet e mia»? Përveç mësimeve të Biblës, këto përfshijnë rregullat familjare që vendosin prindërit për të mirën e pjesëtarëve të familjes. Të rinjtë duhet t’i pranojnë këto, njësoj si mësimet biblike që marrin nga prindërit.
8:30—Kush është ‘kryemjeshtri’? Mençuria e personifikuar e quan veten kryemjeshtër. Ky personifikim nuk përdoret vetëm si një figurë letrare për të shpjeguar karakteristikat e mençurisë, por i referohet në mënyrë të figurshme Birit të parëlindur të Perëndisë, Jezu Krishtit, në ekzistencën e tij paranjerëzore. Shumë kohë para se të lindte si njeri në tokë, atë ‘e bëri Perëndia dhe ai është fillimi i aktivitetit të Tij’. (Proverbat 8:22) Si «kryemjeshtër» ai punoi me Atin për krijimin e të gjitha gjërave.—Kolosianëve 1:15-17.
9:17—Çfarë janë «ujërat e vjedhura» dhe pse janë «të ëmbla»? Meqë Bibla e krahason kënaqësinë që provohet nga intimiteti seksual brenda martesës me pirjen e ujit të freskët të nxjerrë nga një pus, ujërat e vjedhura përfaqësojnë marrëdhëniet seksuale imorale e të fshehta. (Proverbat 5:15-17) Ideja e marrjes së diçkaje pa u zbuluar, i bën këta ujëra si të ëmbla.
Mësime për ne:
1:10-14. Duhet të ruhemi nga mëkatarët që të mos na joshin me premtimet e tyre për pasuri e të ecim në udhët e tyre të këqija.
3:3. Duhet të vlerësojmë shumë dashamirësinë dhe vërtetësinë e t’i shfaqim ato në mënyrë të dukshme, siç do të bënim me një gjerdan të çmuar. Gjithashtu duhet t’i skalitim këto cilësi në zemër, duke i bërë pjesë përbërëse të vetes sonë.
4:18. Kuptueshmëria frymore është progresive. Që të mbetemi në dritë duhet të vazhdojmë të shfaqim përulësi dhe zemërbutësi.
5:8. Duhet të rrimë larg nga tërë ndikimet imorale, edhe nëse vijnë nëpërmjet muzikës, zbavitjes, Internetit ose librave dhe revistave.
5:21. A do ta shkëmbente një adhurues i Jehovait marrëdhënien e mirë që ka me Perëndinë e vërtetë, me pak çaste kënaqësi? Patjetër që jo! Nxitja më e fortë për të ruajtur pastërtinë morale është dijenia se Jehovai i sheh udhët tona dhe do të na kërkojë llogari.
6:1-5. Çfarë këshille të shkëlqyer kemi në këto vargje që ‘të mos dalim garant’ ose të mos marrim një angazhim financiar jo të mençur për të ndihmuar të tjerët! Nëse veprimi që kemi marrë na duket jo i mençur, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, pa vonesë duhet ‘ta mbytim tjetrin’ me kërkesa të vazhdueshme dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndrequr gjërat.
6:16-19. Këtu ka shtatë kategori kryesore që përfshijnë pothuajse çdo lloj keqbërjeje. Duhet të zhvillojmë urrejtje për to.
6:20-24. Në rast se një individ rritet sipas ligjeve biblike, kjo mund ta mbrojë që të mos ngecë në grackën e imoralitetit. Prindërit nuk duhet të jenë të pakujdesshëm për sa i përket dhënies së kësaj stërvitjeje.
7:4. Duhet ta duam mençurinë dhe kuptueshmërinë.
PROVERBA PËR TË NA UDHËHEQUR
Pjesa tjetër e proverbave të Solomonit janë thënie të përmbledhura, të veçuara nga njëra-tjetra. Ato paraqiten kryesisht si kontraste, paralele e krahasime dhe përçojnë mësime të fuqishme për sjelljen, të folurit dhe qëndrimin.
Kapitujt 10 deri 24 theksojnë vlerën e frikës me nderim nga Jehovai. Proverbat në kapitujt 25 deri 29 i mblodhën «njerëzit e Hezekisë, mbretit të Judës». (Proverbat 25:1) Këta proverba na mësojnë që të mbështetemi te Jehovai, si edhe mësime të tjera shumë të rëndësishme.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
10:6—Në ç’mënyrë «goja e të ligjve mbulon qëllimet e tyre të dhunshme»? (Shih edhe BR me referime, anglisht) Mund të jetë kështu në kuptimin që nëpërmjet të folurit të tyre të ëmbël, të ligjtë mbulojnë qëllimin e tyre të ligë për t’u bërë keq të tjerëve. Ose ndoshta, meqë të ligjtë në përgjithësi trajtohen me armiqësi, qëndrimi armiqësor që shfaqin të tjerët ndaj tyre i bën ata të heshtin.
10:10—Në ç’kuptim «kush shkel syrin» sjell dhembje? «Njeriu i pavlerë» mund të përdorë jo vetëm «një të folur dredharak», por edhe të përpiqet të fshehë motivet e veta me anë të gjesteve, si për shembull, «duke shkelur syrin». (Proverbat 6:12, 13) Ky lloj mashtrimi mund të bëhet burim i një vuajtjeje të madhe mendore për viktimën.
10:29—Çfarë është «udha e Jehovait»? Këtu bëhet fjalë për udhën ose mënyrën se si Jehovai vepron me njerëzit, dhe jo për udhën e jetës që duhet të ndjekim. Mënyra se si vepron Jehovai me njerëzit do të thotë siguri për njeriun e paqortueshëm, por rrënim për të ligun.
11:31—Pse i ligu duhet të marrë më shumë shpërblim se i drejti? Këtu fjala shpërblim është disiplina që merr secili prej tyre. Kur i drejti gabon, shpërblimi që ai merr për gabimet është disiplina. I ligu mëkaton me dashje dhe nuk pranon të kthejë rrugë e të bëjë të mirën. Prandaj meriton dhe merr një ndëshkim të ashpër.
12:23—Si «e mbulon njohurinë» një njeri? Të mbulosh njohurinë nuk do të thotë që një njeri nuk e shfaq fare atë. Përkundrazi do të thotë që e shfaq me maturi, jo me bujë duke u mbajtur me të madh.
14:17—Në ç’kuptim «njeriu që ka aftësi për të menduar, urrehet»? Shprehja hebraike e përkthyer «aftësi për të menduar» mund të ketë kuptimin ose aftësi dalluese, ose të menduarit e lig. Sigurisht që njeriun me ide të liga e urrejnë. Por, po njësoj urrejnë edhe njeriun me aftësi dalluese që tregon aftësi për të menduar dhe vendos të ‘mos jetë pjesë e botës’.—Gjoni 15:19.
18:19—Në ç’kuptim «një vëlla, kundër të cilit është bërë një shkelje, është më i pathyeshëm se një qytet i fortë»? Ashtu si një qytet i fortë nën rrethim, një njeri i tillë me vendosmëri mund të mos pranojë të falë gabimin. Grindjet midis tij dhe atij që ka bërë shkeljen mund të bëhen lehtë një pengesë si «shuli i një kulle banimi».
Mësime për ne:
10:11-14. Që fjalët tona të ndërtojnë, mendja jonë duhet të jetë e mbushur me njohuri të saktë, zemra duhet të jetë e nxitur nga dashuria, dhe mençuria duhet t’i drejtojë gjërat që dalin nga goja jonë.
10:19; 12:18; 13:3; 15:28; 17:28. Të mendohemi para se të flasim dhe të mos flasim tepër.
11:1; 16:11; 20:10, 23. Jehovai do që të jemi të ndershëm në marrëdhëniet e biznesit.
11:4. Është marrëzi të ndjekësh pasurinë duke lënë pas dore studimin personal, mbledhjet, lutjen dhe shërbimin.
13:4. Nuk mjafton vetëm ‘të dëshirojmë’ një pozitë përgjegjësie në kongregacion ose jetën në botën e re. Duhet të jemi të palodhur dhe të bëjmë përpjekje të zellshme për të plotësuar kërkesat.
13:24; 29:15, 21. Një prind i dashur nuk e llaston fëmijën e vet ose nuk i mbyll sytë para gabimeve të tij. Përkundrazi babai ose nëna merr masa për t’i ndrequr këto gabime, që të mos përsëriten më e të mos zënë rrënjë.
14:10. Meqë ndjenjat tona më të brendshme nuk mund të shprehen gjithmonë në mënyrë të saktë dhe as mund t’i kuptojnë gjithnjë të gjithë, ngushëllimi emocional që mund të na japin të tjerët ka kufizimet e veta. Mund të na duhet t’i durojmë disa vështirësi duke u mbështetur vetëm te Jehovai.
15:7. Nuk duhet t’ia themi menjëherë dikujt gjithçka që dimë, ashtu si bujku nuk i hedh tërë farat në një vend. I mençuri e shpërndan njohurinë e tij pak nga pak sipas nevojës.
15:15; 18:14. Ruajtja e një qëndrimi optimist do të na ndihmojë të gjejmë gëzim edhe në rrethana stresuese.
17:24. Ndryshe nga ‘budallai’, mendja dhe sytë e të cilit enden në vend që të përqendrohen në gjëra të rëndësishme, duhet të kërkojmë kuptueshmëri, që të veprojmë me mençuri.
23:6-8. Të mos shfaqim mikpritje me hipokrizi.
27:21. Lëvdatat mund të zbulojnë se çfarë jemi. Nëse lëvdatat na bëjnë të pranojmë se i jemi borxhlinj Jehovait dhe na inkurajojnë që të vazhdojmë t’i shërbejmë atij, ato zbulojnë se jemi të përulur. Kur lëvdatat ushqejnë ndjenjën e superioritetit, ato zbulojnë mungesën e përulësisë.
27:23-27. Duke përdorur një skenë baritore, këta proverba theksojnë sa e vlefshme është të gjejmë kënaqësi duke bërë një jetë të thjeshtë që vjen duke punuar me zell. Ata duhet të na ngulitin sidomos nevojën që të varemi nga Perëndia.a
28:5. Nëse e ‘kërkojmë’ Jehovain me anë të lutjes dhe studimit të Fjalës së tij, ‘mund të kuptojmë gjithçka’ që na nevojitet për t’i shërbyer atij në mënyrë të pranueshme.
‘MESAZHE ME PESHË’
Libri biblik i Proverbave përfundon me dy ‘mesazhe me peshë’. (Proverbat 30:1; 31:1) Nëpërmjet krahasimeve që të vënë në mendime, mesazhi i Agurit ilustron sa e pangopur është lakmia dhe tregon sa të pazbulueshme janë mënyrat që përdor një burrë për të joshur një vashë.b Gjithashtu na paralajmëron që të mos e lartësojmë veten dhe të ruhemi nga të folurit me zemërim.
Mesazhet me peshë që Lemueli mori nga e ëma përmbajnë këshilla të vlefshme për përdorimin e verës dhe të pijeve dehëse, si edhe për gjykimin me drejtësi. Përshkrimi i një gruaje të mirë përfundon me deklaratën: «Jepini frytin e duarve të saj dhe veprat e saj le ta lëvdojnë!»—Proverbat 31:31.
Të fitojmë mençuri, të pranojmë disiplinën, të zhvillojmë frikën nga Perëndia, të mbështetemi te Jehovai. Çfarë mësimesh të vlefshme na mësojnë proverbat e frymëzuara! Le t’i zbatojmë medoemos këshillat e tyre, sepse kështu do të përjetojmë lumturinë e njeriut «që ka frikë nga Jehovai»!—Psalmi 112:1.
[Shënimet]
a Shih Kullën e Rojës, 1 gusht 1991, faqja 31, anglisht.
b Shih Kullën e Rojës, 1 korrik 1992, faqja 31, anglisht.
[Figurat në faqen 16]
Jehovai është Burimi i gjithë njohurisë së vërtetë
[Figura në faqen 18]
Çfarë do të thotë ‘të shpërndash njohuri’?