Kapitulli 30
«Ra Babilonia e Madhe!»
1. Çfarë shpalli engjëlli i dytë dhe ç’është Babilonia e Madhe?
KA ARDHUR ora e gjykimit hyjnor! Ja mesazhi që vjen nga Perëndia: «Një engjëll i dytë e ndoqi dhe tha: ‘Ra! Ra Babilonia e Madhe, ajo që i bëri të gjitha kombet të pinin verën e zemërimit, verën e kurvërisë së saj!’» (Zbulesa 14:8) Kjo është hera e parë, por jo e fundit, që Zbulesa e përqendron vëmendjen te Babilonia e Madhe. Më vonë në kapitullin 17, ajo e përshkruan atë si prostitutë epshndjellëse. Kush është ajo? Siç do ta shohim, është një perandori botërore me natyrë fetare, është një sistem i shtirë që përdor Satanai për të luftuar kundër farës së gruas së Perëndisë. (Zbulesa 12:17) Babilonia e Madhe është gjithë perandoria botërore e fesë së rreme. Ajo përfshin të gjitha fetë që ndjekin praktikat dhe doktrinat fetare të Babilonisë së lashtë e që shfaqin frymën e saj.
2. (a) Si u përhap feja babilonase në çdo cep të tokës? (b) Cili segment bie më shumë në sy në Babiloninë e Madhe dhe kur doli në skenë si organizatë e fuqishme?
2 Më shumë se 4.000 vjet më parë, në Babiloni Jehovai u ngatërroi gjuhët atyre që do të ndërtonin Kullën e Babelit. Grupe me gjuhë të ndryshme, u shpërndanë në çdo cep të tokës, duke marrë me vete edhe bindjet e praktikat e tyre apostate, që janë baza e shumicës së feve deri më sot. (Zanafilla 11:1-9) Pra, Babilonia e Madhe përbën pjesën fetare të organizatës së Satanait. (Krahaso Gjonin 8:43-47.) Segmenti që bie më shumë në sy në ditët tona te kjo perandori, është krishterimi apostat që doli në skenë si një organizatë e fuqishme që shpërfill ligjin hyjnor, gjatë shekullit të katërt pas Krishtit. Kredot dhe traditat e tij nuk bazohen në Bibël, por kryesisht te feja babilonase.—2 Selanikasve 2:3-12.
3. Pse mund të thuhet se Babilonia e Madhe ka rënë?
3 ‘Përderisa feja ka ende një ndikim të madh në tokë, pse engjëlli njoftoi se Babilonia e Madhe ra?’—mund të pyetësh. Të mendojmë pak: çfarë ndodhi pas rënies së Babilonisë së lashtë në vitin 539 p.e.s.? Populli i Izraelit u çlirua, u kthye në vendlindje dhe rivendosi adhurimin e vërtetë. Kështu, fakti që në vitin 1919 Izraeli frymor u rivendos në një gjendje frymore të begatë, e cila vazhdon të rritet gjithnjë e më shumë deri në ditët tona, tregon se Babilonia e Madhe ra pikërisht atë vit. Ajo s’ka më forcë të pengojë veprën e popullit të Perëndisë dhe, për më tepër, radhët e saj përballen me vështirësi të mëdha. Që nga viti 1919, ka dalë në shesh korrupsioni, pandershmëria dhe imoraliteti i saj. Në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës, shumë pak njerëz shkojnë në kishë. E turpëruar në sytë e të gjithë atyre që duan Fjalën hyjnore të së vërtetës, Babilonia e Madhe tani pret veç «vdekjen», ditën kur Jehovai të ekzekutojë mbi të gjykimin e tij të drejtë.
Rënia e turpshme e Babilonisë
4-6. Si ‘i bëri Babilonia e Madhe të gjitha kombet të pinin verën e zemërimit, verën e kurvërisë së saj’?
4 Le të shqyrtojmë më nga afër rrethanat që çuan në rënien e turpshme të Babilonisë së Madhe. Engjëlli tha se «Babilonia e Madhe . . . i bëri të gjitha kombet të pinin verën e zemërimit, verën e kurvërisë së saj». Çfarë do të thonë këto fjalë? Kjo shprehje përdoret në lidhje me fitoret. Për shembull, Jehovai i tha Jeremisë: «Merr nga dora ime këtë kupë me verën e tërbimit tim dhe bëj që ta pinë të gjitha kombet ku do të të dërgoj. Ata duhet ta pinë e të lëkunden sa para-prapa dhe të sillen si të çmendur, për shkak të shpatës që do të dërgoj mes tyre.» (Jeremia 25:15, 16) Në shekullin e gjashtë dhe të shtatë p.e.s., Jehovai përdori Babiloninë e lashtë që t’u jepte të pinin një «kupë» shtrëngimi shumë kombeve, ku përfshihej edhe Juda apostate, e kështu populli i tij përfundoi në mërgim. Më vonë, ra edhe Babilonia, sepse mbreti i saj u ngrit kundër Jehovait, ‘Zotërisë së qiejve’.—Danieli 5:23.
5 Edhe Babilonia e Madhe ka arritur fitore, por pjesën më të madhe tinëzisht. Ajo «i bëri të gjitha kombet të pinin verën e zemërimit», duke përdorur joshjet e një prostitute e duke u kurvëruar me to. Ajo i ka joshur krerët politikë në aleanca dhe miqësi me të. Me marifetet e saj mikluese fetare, ka thurur plane për të shtypur njerëzit në planin politik, tregtar dhe ekonomik. Për arsye krejtësisht politike dhe tregtare, ajo ka nxitur përndjekje, luftëra dhe kryqëzata fetare, si edhe konflikte kombëtare, të cilat i ka shenjtëruar duke thënë se ishin vullneti i Perëndisë.
6 Dihet botërisht se feja është përzier me luftërat dhe me çështjet politike të shekullit të 20-të. Për shembull, mund të përmendim rastin e Japonisë shintoiste, Indisë hinduiste, Vietnamit budist, Irlandës së Veriut, Amerikës Latine «të krishterë», e mjaft të tjera. S’duhet lënë pa përmendur se gjatë dy luftërave botërore priftërinjtë ushtarakë të të dyja kampeve nxitnin djemtë e rinj të vritnin njëri-tjetrin. Një shembull klasik i sjelljes së përdalë të Babilonisë së Madhe ka qenë roli që pati në luftën civile të Spanjës në vitet 1936-1939, ku humbën jetën të paktën 600.000 njerëz. Kjo gjakderdhje u provokua nga përkrahësit e klerit katolik dhe aleatët e tyre, ndër të tjera, sepse pasuria dhe pozita e Kishës kërcënohej nga qeveria legjitime e Spanjës.
7. Kë ka pasur në shënjestër Babilonia e Madhe dhe ç’metoda ka përdorur?
7 Meqenëse Babilonia e Madhe është pjesa fetare e farës së Satanait, gjithmonë ka pasur në shënjestër ‘gruan’ e Jehovait, ‘Jerusalemin lart’. Kongregacioni i të krishterëve të mirosur në shekullin e parë u identifikua qartë si fara e gruas. (Zanafilla 3:15; Galatasve 3:29; 4:26) Babilonia e Madhe u përpoq me të gjitha forcat ta vinte përfund atë kongregacion të pastër, duke e joshur të kryente kurvëri fetare. Pavli dhe Pjetri paralajmëruan se shumë nuk do t’i bënin dot ballë presionit, dhe si rezultat do të vinte një apostazi e madhe. (Veprat 20:29, 30; 2 Pjetrit 2:1-3) Nga fundi i jetës së Gjonit, Babilonia e Madhe kishte arritur të korruptonte deri në njëfarë mase shtatë kongregacione, siç tregohet nga mesazhet që u drejtoi Jezui. (Zbulesa 2:6, 14, 15, 20-23) Por Jezui e kishte bërë të qartë që më parë deri në ç’pikë do të lejohej ndikimi i saj.
Gruri dhe egjrat
8, 9. (a) Çfarë tregonte shëmbëlltyra e Jezuit për grurin dhe egjrat? (b) Çfarë ndodhi «kur njerëzit po flinin»?
8 Në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave, Jezui foli për një burrë që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por «kur njerëzit po flinin», një armik vajti e mbolli egjër nëpër të. Kështu grurin e mbuloi egjra. Jezui e shpjegoi shëmbëlltyrën kështu: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut. Ara është bota dhe fara e mirë janë bijtë e mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të ligut. Armiku që i mbolli, është Djalli.» Pastaj ai tha se gruri dhe egjrat do të liheshin të rriteshin bashkë deri «në përfundim të sistemit», kur engjëjt ‘do të mblidhnin’ egjrat simbolike.—Mateu 13:24-30, 36-43.
9 Ndodhi pikërisht si kishte parathënë Jezui, Pavli dhe Pjetri. «Kur njerëzit po flinin», ndoshta kur apostujt ranë në gjumin e vdekjes a kur mbikëqyrësit e krishterë u përgjumën e nuk vigjiluan më mbi kopenë e Perëndisë, apostazia babilonase hodhi rrënjë mu në mes të kongregacionit. (Veprat 20:31) Mjaft shpejt, egjrat u bënë shumë më tepër se gruri, aq sa ai nuk dukej më. Për disa shekuj me radhë, mund të jetë dukur sikur petku i gjerë i Babilonisë së Madhe e kishte zënë farën e gruas nën të dhe po ia zinte frymën.
10. Çfarë ndodhi duke filluar nga viti 1870 dhe cili ishte reagimi i Babilonisë së Madhe?
10 Duke filluar nga viti 1870, të krishterët e mirosur nisën përpjekjet me të gjitha forcat për të lënë pas praktikat imorale të Babilonisë së Madhe. Ata braktisën doktrinat e rreme që kishte marrë krishterimi apostat nga paganizmi dhe e përdorën me guxim Biblën për të shpallur se kohët e johebrenjve do të përfundonin në vitin 1914. Vegla kryesore e Babilonisë së Madhe, kleri i krishterimit apostat, iu kundërvu kësaj lëvizjeje për rivendosjen e adhurimit të vërtetë. Gjatë Luftës I Botërore, ai shfrytëzoi histerinë e provokuar nga lufta, në përçapje për ta zhdukur atë grup të vogël të krishterësh besnikë. Në vitin 1918, u duk sikur Babilonia e Madhe ia kish arritur qëllimit, pasi aktiviteti i tyre pothuaj ishte ndalur. Në pamje të parë, dukej sikur ajo kishte fituar.
11. Çfarë erdhi nga rënia e Babilonisë së lashtë?
11 Siç e thamë edhe më lart, në vitin 539 p.e.s., qyteti krenar i Babilonisë përjetoi një rënie katastrofike. Atëherë u dëgjua thirrja: «Ra! Ra Babilonia!» Selia madhështore e kësaj perandorie botërore kishte rënë në duart e ushtrive medo-perse, të cilave u printe Kiri i Madh. Ndonëse pas këtij pushtimi qyteti mbijetoi, Babilonia nuk kishte më pushtet. Rënia e saj çoi në lirimin e robërve judenj, të cilët u kthyen në Jerusalem për të rivendosur adhurimin e pastër.—Isaia 21:9; 2 Kronikave 36:22, 23; Jeremia 51:7, 8.
12. (a) Si mund të thuhet në kohën tonë se Babilonia e Madhe ka rënë? (b) Ç’gjë tregoi se Jehovai e kishte hedhur poshtë plotësisht krishterimin apostat?
12 Thirrja që lajmëronte rënien e Babilonisë së Madhe është dëgjuar edhe në kohën tonë. Suksesi i përkohshëm që pati krishterimi me origjinë babilonase në vitin 1918, befas u shndërrua në dështim në vitin 1919, kur mbetja e të krishterëve të mirosur, klasa e Gjonit, u rivendos falë ringjalljes frymore. Babilonia e Madhe kishte rënë, në kuptimin që nuk e mbante më të burgosur popullin e Perëndisë. Vëllezërit e mirosur të Krishtit dolën nga humnera si mori karkalecash, gati për t’u hedhur në veprim. (Zbulesa 9:1-3; 11:11, 12) Ata ishin «skllavi i besueshëm dhe i matur» i ditëve tona, dhe Zotëria i emëroi mbi të gjitha zotërimet e veta në tokë. (Mateu 24:45-47) Fakti që Jehovai i përdori në këtë mënyrë, tregonte se e kishte hedhur poshtë plotësisht krishterimin apostat, pavarësisht se ai thoshte që ishte përfaqësues i Perëndisë në tokë. Adhurimi i pastër u rivendos dhe u hap rruga që të përfundonte vulosja e mbetjes së 144.000 të mirosurve, domethënë e anëtarëve të fundit të farës së gruas, armikes shekullore të Babilonisë së Madhe. Të gjitha këto ngjarje sinjalizuan humbjen dërrmuese të kësaj organizate fetare satanike.
Kërkohet qëndrueshmëri nga të shenjtët
13. (a) Ç’mesazh shpalli engjëlli i tretë? (b) Si do t’i gjykojë Jehovai ata që kanë damkën e bishës?
13 Më pas, engjëlli i tretë tha: «Një engjëll i tretë i ndoqi dhe tha me zë të fortë: ‘Nëse dikush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj, dhe merr një damkë mbi ballë ose mbi dorë, do të pijë edhe verën e zemërimit të Perëndisë, e cila është derdhur e paholluar në kupën e zemërimit të tij.’» (Zbulesa 14:9, 10a) Te Zbulesa 13:15-17 tregohej qartë se ata që nuk do të adhuronin shëmbëlltyrën e bishës gjatë ditës së Zotërisë, do të vuanin, madje do të vriteshin. Kurse në këtë varg kuptojmë se Jehovai ka vendosur t’i gjykojë ata që ‘kanë damkën, emrin e bishës ose numrin e emrit të saj’. Ata do të detyrohen të pinë ‘kupën [e hidhur] të zemërimit’ të Jehovait. Çfarë do të thotë kjo për ta? Në vitin 607 p.e.s., kur Jehovai e detyroi Jerusalemin të pinte «kupën e tërbimit të tij», qyteti ‘u plaçkit e u rrafshua, vuajti nga uria e nga shpata’ në duart e babilonasve. (Isaia 51:17, 19) Po ashtu, edhe idhujtarët e fuqive politike në tokë dhe të shëmbëlltyrës së tyre, Kombeve të Bashkuara, do të përjetojnë tragjedi kur të pinë kupën e zemërimit të furishëm të Jehovait. (Jeremia 25:17, 32, 33) Ata do të shkatërrohen plotësisht.
14. Me çfarë duhet të përballen përpara shkatërrimit ata që adhurojnë bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe si e përshkroi Gjoni këtë?
14 Por, para se të ndodhë kjo, ata që kanë damkën e bishës, duhet të përballen me torturat që vijnë si pasojë e mosmiratimit të Jehovait. Engjëlli i tregoi Gjonit për ata që do të adhuronin bishën dhe shëmbëlltyrën e saj: «Ai do të mundohet me zjarr dhe squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit. Tymi i mundimit të tyre ngjitet lart në jetë të jetëve. Nuk do të ketë prehje as ditë, as natë, për ata që adhurojnë bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe për këdo që merr damkën e emrit të saj.»—Zbulesa 14:10b, 11.
15, 16. Ç’tregojnë fjalët «zjarr dhe squfur» te Zbulesa 14:10?
15 Disa e shohin përmendjen e zjarrit dhe të squfurit në këtë varg si provë të ekzistencës së ferrit të zjarrtë. Por një vështrim i shpejtë i një profecie të ngjashme tregon kuptimin e vërtetë të këtyre fjalëve në këtë kontekst. Në kohën e Isaisë, Jehovai e paralajmëroi kombin e Edomit se do të ndëshkohej për shkak të armiqësisë kundër Izraelit. Ai tha: «Përrenjtë e tij do të kthehen në katran, kurse pluhuri në squfur. Ai vend do të bëhet si katran që digjet. Nuk do të shuhet as ditën e as natën, por do të nxjerrë tym përgjithmonë. Ai do të mbetet i shkretë brez pas brezi, dhe atje s’do të shkelë këmbë njeriu në jetë të jetëve.»—Isaia 34:9, 10.
16 Mos vallë Edomi u hodh në ndonjë ferr të zjarrtë mitik që të digjej përgjithmonë? Pa dyshim, që jo. Përkundrazi, ai u zhduk për fare nga skena botërore si ta kishte përpirë krejtësisht zjarri dhe squfuri. Pasojë e ndëshkimit nuk ishte mundimi i përhershëm, por ‘boshllëku’, ‘shkretia’ dhe ‘mosekzistenca’. (Isaia 34:11, 12) Këtë e ilustron qartë tymi ‘që do të nxirrte përgjithmonë’. Kur digjet një shtëpi, nga hiri vazhdon të dalë tym edhe pasi janë shuar flakët, dhe kjo u tregon të tjerëve se ka rënë një zjarr që ka shkatërruar gjithçka. Edhe sot populli i Perëndisë nuk e harron mësimin që ka nxjerrë nga shkatërrimi i Edomit. Pikërisht në këtë kuptim Edomi ‘vazhdon të nxjerrë tym’.
17, 18. (a) Cili do të jetë fundi i atyre që kanë damkën e bishës? (b) Si mundohen adhuruesit e bishës? (c) Në ç’kuptim «tymi i mundimit të tyre ngjitet lart në jetë të jetëve»?
17 Edhe ata që kanë damkën e bishës do të shkatërrohen plotësisht si nga flakët e zjarrit. Siç tregon vazhdimi i profecisë, kufomat e tyre do të lihen të pavarrosura, që t’i hanë kafshët dhe zogjtë. (Zbulesa 19:17, 18) Pra, është e qartë se nuk do të mundohen përgjithmonë. Si atëherë ‘do të mundohen me zjarr dhe me squfur’? Kjo do të ndodhë në kuptimin që shpallja e së vërtetës do t’ua çjerrë maskën dhe do t’i paralajmërojë se në të ardhmen Perëndia do të ekzekutojë gjykimin mbi ta. Ja pse çfarë nuk shpifin për popullin e Perëndisë dhe, kur është e mundur, bindin tinëz bishën politike të përndjekë e madje të vrasë Dëshmitarët e Jehovait. Por në fund, këta kundërshtarë do të shkatërrohen si me zjarr dhe squfur. Pastaj, ‘tymi i mundimit të tyre do të ngjitet lart në jetë të jetëve’, në kuptimin që gjykimi hyjnor i ekzekutuar mbi ta do të shërbejë si gur prove ose kriter, nëse një ditë sovraniteti i ligjshëm i Jehovait sfidohet sërish. Kjo çështje do të jetë vendosur njëherë e përgjithmonë.
18 Kush e shpall sot këtë mesazh që mundon? A të kujtohet se «karkalecave», për të cilët folëm disa kapituj më parë, iu lejua të mundonin njerëzit që nuk kishin vulën e Perëndisë në ballë? (Zbulesa 9:5) Me sa duket, këta «karkaleca» që drejtohen nga engjëjt, janë ata që mundojnë. Këmbëngulja e tyre është aq e madhe sa ‘nuk ka prehje as ditë, as natë, për ata që adhurojnë bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe për këdo që merr damkën e emrit të saj’. Në fund, pasi këta idhujtarë të jenë shkatërruar, do të provohet katërçipërisht se sovraniteti i Jehovait është shfajësuar, dhe «tymi i mundimit të tyre» do të ngjitet lart në jetë të jetëve. Qëndroftë klasa e Gjonit deri ditën kur Jehovai të shfajësohet plotësisht! Në fakt engjëlli përfundoi me këto fjalë: «Këtu kërkohet qëndrueshmëri nga të shenjtët, që mbajnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin te Jezui.»—Zbulesa 14:12.
19. Pse kërkohet qëndrueshmëri nga të shenjtët dhe cilat fjalë të Gjonit u japin forcë?
19 Shprehja «kërkohet qëndrueshmëri nga të shenjtët», do të thotë se ata duhet ta adhurojnë Jehovain duke iu përkushtuar vetëm atij nëpërmjet Jezu Krishtit. Mesazhi i tyre nuk pranohet nga shumica e njerëzve. Atyre u duhet të përballen me kundërshtimin, përndjekjen, e madje me vdekjen si martirë. Por ata marrin forcë nga fjalët që tha Gjoni më pas: «Dëgjova një zë nga qielli që tha: ‘Shkruaj: lum ata që vdesin në unitet me Zotërinë, që tani e tutje! Po, thotë fryma, le të prehen nga mundimet e tyre, sepse veprat që bënë, shkojnë menjëherë pas tyre.’»—Zbulesa 14:13.
20. (a) Si përkon premtimi i shkruar nga Gjoni me profecinë e Pavlit për praninë e Jezuit? (b) Ç’privilegj i veçantë u është premtuar të mirosurve që vdesin pas dëbimit të Satanait nga qielli?
20 Ky premtim përkon shumë mirë me profecinë e Pavlit për praninë e Jezuit: «Ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët. Më pas, ne të gjallët që mbijetojmë [të mirosurit që janë gjallë gjatë ditës së Zotërisë], do të rrëmbehemi së bashku me ta në re, për të takuar Zotërinë në ajër.» (1 Selanikasve 4:15-17) Pas dëbimit të Satanait nga qielli, ata që kishin vdekur në unitet me Krishtin, u ngritën të parët. (Krahaso Zbulesën 6:9-11.) Kurse të mirosurve që vdesin më vonë, gjatë ditës së Zotërisë, u është premtuar një privilegj i veçantë: ata ringjallen në jetën frymore në qiell brenda një çasti «sa hap e mbyll sytë». (1 Korintasve 15:52) Çfarë mrekullie! Për më tepër, veprat e tyre të drejta do t’i shoqërojnë në qiell.
Korrja e tokës
21. Çfarë tha Gjoni për «të korrat e tokës»?
21 Sipas fjalëve të Gjonit, në ditën e gjykimin përfitojnë edhe të tjerë: «Pastaj pashë një re të bardhë, dhe në re rrinte ulur dikush që i ngjante një biri njeriu, me një kurorë të artë mbi krye dhe me një drapër të mprehtë në dorë. Një engjëll tjetër [i katërti] doli nga shenjtërorja e tempullit, duke iu drejtuar me një zë të fortë atij që rrinte ulur në re: ‘Vër draprin dhe korr, sepse erdhi ora e korrjes, dhe të korrat e tokës janë plotësisht të pjekura.’ Dhe ai që rrinte ulur në re, i vuri draprin tokës, dhe toka u korr.»—Zbulesa 14:14-16.
22. (a) Kush ishte ai që kishte një kurorë të artë dhe rrinte ulur në renë e bardhë? (b) Kur arrin kulmin korrja dhe si?
22 Nuk ka asnjë fije dyshimi se kush ishte ai që rrinte ulur në renë e bardhë. Përderisa rrinte ulur në një re të bardhë, i ngjante një biri njeriu dhe kishte një kurorë të artë, është më se e qartë se ai ishte Jezui, Mbreti mesianik që pa në vegim edhe Danieli. (Danieli 7:13, 14; Marku 14:61, 62) Por për ç’korrje flet këtu profecia? Kur ishte në tokë, Jezui e krahasoi veprën e bërjes së dishepujve me korrjen e arës që përfaqëson botën e njerëzimit. (Mateu 9:37, 38; Gjoni 4:35, 36) Kjo korrje arrin kulmin ditën e Zotërisë, pasi Jezui kurorëzohet Mbret dhe ekzekuton gjykimin në emër të Atit të tij. Kështu, koha e mbretërimit të tij, që ka filluar në vitin 1914, është edhe koha e gëzueshme e korrjes.—Krahaso Ligjin e përtërirë 16:13-15.
23. (a) Kush e dha urdhrin që të niste korrja? (b) Cila korrje është bërë nga viti 1919 deri më sot?
23 Ndonëse është Mbret dhe Gjykatës, Jezui pret urdhër nga Jehovai, Perëndia i tij, para se të nisë korrjen. Ky urdhër erdhi nga «shenjtërorja e tempullit» nëpërmjet një engjëlli, dhe Jezui iu bind sa e dëgjoi. Fillimisht, duke nisur nga viti 1919, ai i vuri engjëjt të përfundonin veprën e korrjes së 144.000 të mirosurve. (Mateu 13:39, 43; Gjoni 15:1, 5, 16) Pas kësaj, nisi korrja ose mbledhja e shumicës së madhe të deleve të tjera. (Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9) Historia dëshmon se mes viteve 1931 deri 1935, filloi të shfaqej një numër mjaft i madh i këtyre deleve të tjera. Në vitin 1935, Jehovai i hapi sytë klasës së Gjonit që të dallonte identitetin e vërtetë të shumicës së madhe që përmendej te Zbulesa 7:9-17. Që nga ajo kohë, është vënë shumë theksi te mbledhja e këtij grupi. Në vitin 2005, numri i anëtarëve të shumicës së madhe i kaloi gjashtë milionët dhe vazhdon të rritet. Me siguri, ai që i ngjante birit të njeriut ka pasur të korra të bollshme e të gëzueshme gjatë kohës së fundit.—Krahaso Daljen 23:16; 34:22.
Shtypja e hardhisë së tokës
24. Çfarë kishte në dorë engjëlli i pestë dhe çfarë i tha me zë të fortë engjëlli i gjashtë?
24 Me të mbaruar korrja e shpëtimit, do t’i vinte koha një korrjeje tjetër. Gjoni tha: «Një tjetër engjëll [i pesti] doli përsëri nga shenjtërorja e tempullit, që gjendet në qiell. Edhe ai kishte një drapër të mprehtë. Një tjetër engjëll [i gjashti] doli nga altari, dhe kishte autoritet mbi zjarrin. Ai i thirri me zë të fortë atij që kishte draprin e mprehtë dhe i tha: ‘Vër draprin e mprehtë dhe vil bistakët e hardhisë së tokës, sepse rrushi i saj është pjekur.’» (Zbulesa 14:17, 18) Ushtrive të engjëjve u është besuar një vepër e madhe korrjeje gjatë ditës së Zotërisë, ndarja e të mirëve nga të ligjtë.
25. (a) Ç’tregon fakti që engjëlli i pestë vinte nga shenjtërorja e tempullit? (b) Pse ishte me vend që urdhri për të filluar vjeljen të vinte nga një engjëll që «doli nga altari»?
25 Engjëlli i pestë vinte nga prania e Jehovait në shenjtëroren e tempullit. Pra, edhe korrja përfundimtare bëhet sipas vullnetit të Perëndisë. Ky engjëll mori urdhrin t’ia niste punës me anë të një mesazhi që i erdhi nga një engjëll tjetër që «doli nga altari». Kjo është shumë domethënëse, pasi shpirtrat besnikë rrëzë altarit kishin kërkuar: «Deri kur, o Zotëri Sovran i shenjtë dhe i vërtetë, do të përmbahesh dhe nuk do t’i gjykosh e të marrësh hak për gjakun tonë ndaj atyre që banojnë në tokë?» (Zbulesa 6:9, 10) Kjo thirrje për hakmarrje do të marrë përgjigje, kur të vilet hardhia e tokës.
26. Çfarë është ‘hardhia e tokës’?
26 Por, çfarë është ‘hardhia e tokës’? Në Shkrimet Hebraike kombi judaik është quajtur vreshti ose rrushi i Jehovait. (Isaia 5:7; Jeremia 2:21) Edhe Jezu Krishti dhe ata që do të shërbejnë bashkë me të në Mbretërinë e Perëndisë janë quajtur hardhi. (Gjoni 15:1-8) Në këto metafora, karakteristika më e rëndësishme është se hardhia prodhon fryt dhe hardhia e vërtetë e krishterë ka prodhuar fryt me bollëk në lavdi të Jehovait. (Mateu 21:43) Kështu, ‘hardhia e tokës’ duhet të jetë një imitim i Satanait, dhe jo hardhia e vërtetë. Duhet të jetë sistemi i tij i dukshëm dhe i korruptuar për të sunduar mbi njerëzimin, me anë të ‘bistakëve’ të ndryshëm të saj, fryteve demonike të prodhuara gjatë shekujve. Babilonia e Madhe, dhe në veçanti krishterimi apostat, ka ushtruar ndikim të madh te kjo hardhi helmuese.—Krahaso Ligjin e përtërirë 32:32-35.
27. (a) Çfarë ndodhi kur engjëlli me drapër në dorë voli hardhinë e tokës? (b) Cilat profeci në Shkrimet Hebraike tregojnë se deri në ç’masë kryhet vjelja?
27 Kishte ardhur koha të ekzekutohej gjykimi! «Atëherë engjëlli i vuri draprin tokës, voli hardhinë e tokës dhe e hodhi rrushin në shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë. Rrushi u shtyp jashtë qytetit, dhe nga shtypësja doli gjak, sa arriti frerët e kuajve, deri në një largësi prej një mijë e gjashtëqind stadësh.» (Zbulesa 14:19, 20) Kohë më parë Jehovai kishte lajmëruar se do ta shprehte indinjatën kundër kësaj hardhie. (Sofonia 3:8) Një profeci në librin e Isaisë e thoshte qartë se tërë kombet do të shkatërroheshin, kur të shtypej rrushi. (Isaia 63:3-6) Edhe Joeli profetizoi se «turma» të mëdha, kombe të tëra, do të shtypeshin në ‘shtypësen e rrushit’, «në ultësirën e vendimit» derisa të shkatërroheshin. (Joeli 3:12-14) Po, do të jetë një vjelje që do t’i lërë të gjithë pa mend e që s’ka për të ndodhur më kurrë! Sipas vegimit të Gjonit, rrushi jo vetëm që do të vilet, por e tërë «hardhia» do të pritet dhe do të hidhet të shtypet në shtypësen e rrushit. Pra, hardhia e tokës do të bëhet çika-çika dhe s’do të rritet dot më.
28. Cilët bënin shtypjen e hardhisë së tokës dhe çfarë nënkupton shtypja e saj «jashtë qytetit»?
28 Në vegim, shtypja bëhej nga kuajt, sepse gjaku që del nga hardhia arrin «frerët e kuajve». Përderisa fjala ‘kuaj’ lidhej zakonisht me veprime luftarake, ajo duhej të ishte kohë lufte. Ushtritë e qiejve që do të ndiqnin Jezuin në luftën përfundimtare kundër sistemit të Satanait janë parë duke shtypur «në shtypësen e rrushit të zemërimit të furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 19:11-16) Është e qartë se pikërisht këta do ta shtypin hardhinë e tokës. Rrushi «u shtyp jashtë qytetit», domethënë jashtë Sionit qiellor. Ishte më se e arsyeshme që hardhia e tokës të shtypej në tokë. Por, veç kësaj, ‘do të shtypej jashtë qytetit’, që të mos u bëhej asnjë dëm anëtarëve të mbetur të farës së gruas, që përfaqësojnë Sionin qiellor në tokë. Ata bashkë me shumicën e madhe do të fshihen e do të ruhen gjallë në gji të organizatës tokësore të Jehovait.—Isaia 26:20, 21.
29. Sa i thellë dhe i gjatë do të jetë lumi i gjakut që do të dalë nga shtypësja e rrushit dhe çfarë tregon e gjithë kjo?
29 Ky vegim mbresëlënës përkon me thërrmimin e mbretërive të tokës nga Mbretëria që simbolizohet nga guri te Danieli 2:34, 44. Do të bëhet kërdia. Nga shtypësja do të dalë një lumë gjaku që do të jetë shumë i thellë, sa do të arrijë deri te frerët e kuajve dhe do të shtrihet për 1.600 stadë.a Kjo shifër kaq e madhe, që del duke shumëzuar katrën në katror me dhjetën në katror (4 x 4 x 10 x 10), thekson me forcë se shkatërrimi do të prekë tërë tokën. (Isaia 66:15, 16) Ai do të jetë i plotë dhe përfundimtar. Hardhia e tokës e Satanait nuk do të lëshojë më rrënjë kurrën e kurrës!—Psalmi 83:17, 18.
30. Cilat janë frytet e hardhisë së Satanait dhe ç’duhet të jemi të vendosur për të bërë?
30 Meqenëse jemi zhytur thellë në kohën e fundit, vegimi i këtyre dy korrjeve ka domethënie të madhe për ne. Mjafton të hedhim sytë përreth që të shohim frytet e hardhisë së Satanait. Aborte dhe forma të tjera të vrasjes; homoseksualizëm, kurorëshkelje dhe forma të tjera të imoralitetit; pandershmëri dhe mungesë përzemërsie të natyrshme. Të gjitha këto e bëjnë këtë botë të neveritshme në sytë e Jehovait. Hardhia e Satanait lëshon «rrënjë që jep helm a pelin». Sjellja e saj e keqe dhe idhujtare çnderon Krijuesin e Madh të njerëzimit. (Ligji i përtërirë 29:18; 32:5; Isaia 42:5, 8) Ç’privilegj kemi që bashkëpunojmë me klasën e Gjonit në korrjen e fryteve të shëndetshme që po mbledh Jezui në lavdi të Jehovait! (Luka 10:2) Le të jemi të vendosur të mos ndyhemi kurrë nga hardhia e kësaj bote! Vetëm kështu nuk do të përfundojmë të shtypur bashkë me hardhinë e tokës, kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin mbi të.
[Shënimi]
a 1.600 stadë janë rreth 300 kilometra ose 180 milje.—Zbulesa 14:20, shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
[Kutia në faqen 208]
‘Vera e kurvërisë së saj’
Pjesë mjaft e rëndësishme e Babilonisë së Madhe është Kisha Katolike Romake. Kjo kishë që drejtohet nga papa i Romës, pohon se çdo papë është pasardhës i apostullit Pjetër. Ja disa fakte të botuara për këta të ashtuquajtur pasardhës:
Formosi (891-896): «Nëntë muaj pasi kishte vdekur, trupi i Formosit u nxor nga varri papnor dhe doli në gjyq përpara këshillit ‘të kufomës’, që kryesohej nga Stefani [papa i ri]. Papa i ndjerë u akuzua për ambicie të tepruar lidhur me ofiqin papnor dhe gjithë aktet e nxjerra nga ai u anuluan. . . . Kufomës iu hoq veshja papnore dhe i prenë gishtërinjtë e dorës së djathtë.»—New Catholic Encyclopedia.
Stefani VI (896-897): «Vetëm pak muaj më pas [nga gjyqi i kufomës së Formosit] një revoltë e dhunshme i dha fund pontifikatit të Stefanit; atij ia hoqën emblemën papnore, e burgosën dhe e mbytën.»—New Catholic Encyclopedia.
Sergji III (904-911): «Dy paraardhësit e tij . . . u mbytën në burg. . . . Në Romë ai gëzonte mbështetjen e familjes së Theofilatit, me një nga vajzat e të cilit, Marocinë, mendohet se ka pasur një djalë (që u bë më vonë papa Gjoni XI).»—New Catholic Encyclopedia.
Stefani VII (928-931): «Vitet e fundit të pontifikatit të tij, papa Gjoni X . . . ndezi zemërimin e Marocisë, që ishte emëruar senatore e Romës, prandaj e burgosën dhe e vranë. Marocia ia dha ofiqin e papës Leonit VI, i cili vdiq pasi ndenji në pozitë vetëm 6 muaj e gjysmë. Në vend të tij erdhi Stefani VII, i zgjedhur me shumë gjasa falë ndikimit të Marocisë. . . . Ai vazhdoi si papë për 2 vjet, por ishte pa pushtet dhe nën drejtimin e Marocisë.»—New Catholic Encyclopedia.
Gjoni XI (931-935): «Pas vdekjes së Stefanit VII . . . , Marocia, nga shtëpia e Theofilatit, vendosi si papë djalin e vet Gjonin, një djalosh pak më shumë se 20-vjeçar. . . . Në pozitën e papës, Gjoni drejtohej nga e ëma.»—New Catholic Encyclopedia.
Gjoni XII (955-964): «Nuk ishte as tetëmbëdhjetë vjeç dhe dëshmitë e kohës përputhen me faktin se ai s’kishte fare interes për gjërat fetare, se ishte i dhënë me harbutëri pas kënaqësive dhe bënte një jetë të shthurur e të shfrenuar.»—The Oxford Dictionary of Popes.
Benedikti IX (1032-1044; 1045; 1047-1048): «U bë i famshëm ngaqë i shiti ofiqin e papës kumbarit të vet e më pas kërkoi ta merrte sërish edhe dy herë të tjera.»—The New Encyclopædia Britannica.
Kështu pra, në vend që të ndiqnin shembullin e Pjetrit besnik, këta papë dhe të tjerë akoma kanë ushtruar një ndikim shumë të lig. Ata lejuan që gjakderdhja, kurvëria fizike dhe frymore, si dhe ndikimi i Jezebelës të korruptonin kishën që sundonin. (Jakovi 4:4) Në vitin 1917 libri Misteri i përfunduar, i botuar në anglisht nga Studentët e Biblës, paraqiste shumë fakte të tilla me plot hollësi. Kjo ishte një mënyrë me të cilën asokohe Studentët e Biblës ‘e goditën tokën me çdo lloj plage’.—Zbulesa 11:6; 14:8; 17:1, 2, 5.
[Figura në faqen 206]
Krishti i hipur në fron ekzekuton gjykimin me mbështetjen e engjëjve
[Figura në faqen 207]
Pasi ra Babilonia në vitin 539 p.e.s., robërit e saj u liruan