Libri biblik numër 23—Isaia
Shkrimtari: Isaia
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: pas vitit 732 p.e.s.
Periudha përkatëse: rr. 778 p.e.s.–pas 732 p.e.s.
1. Cila ishte situata në Lindjen e Mesme, e sidomos në Izrael e në Judë, në shekullin e tetë p.e.s.?
HIJA kërcënuese e monarkut mizor asirian rëndonte mbi perandoritë e tjera dhe mbi mbretëritë më të vogla të Lindjes së Mesme. Gjithë zona ziente nga bisedat për komplote e aleanca. (Isa. 8:9-13) Shpejt, Izraeli apostat në veri do të binte viktimë e kësaj intrige shumëkombëshe, kurse mbretërit e Judës në jug po sundonin me sot për nesër. (2 Mbret., kap. 15-21) Armë të reja lufte po shpikeshin e po viheshin në veprim, duke e shtuar edhe më shumë tmerrin e atyre kohëve. (2 Kron. 26:14, 15) Nga t’i kthenin sytë njerëzit për mbrojtje e shpëtim? Edhe pse populli e priftërinjtë e mbretërisë së vogël të Judës e përmendnin me gojë emrin e Jehovait, zemra e tyre ishte tepër larg, në drejtime të tjera, së pari e kthyer nga Asiria e më pas nga Egjipti. (2 Mbret. 16:7; 18:21) Besimi në fuqinë e Jehovait ishte venitur. Edhe në ato raste kur nuk bëhej fjalë për një idhujtari të hapur, mbizotëronte një mënyrë adhurimi hipokrite, e bazuar vetëm në formalitet dhe s’kishte frikë të vërtetë nga Perëndia.
2. (a) Kush iu përgjigj thirrjes për të folur në emër të Jehovait, dhe kur ndodhi kjo? (b) Pse është domethënës emri i këtij profeti?
2 Kush do të fliste pra, në emër të Jehovait? Kush do të shpallte fuqinë e tij shpëtuese? «Ja ku jam! Më dërgo mua!»—erdhi përgjigjja e menjëhershme. Ai që foli ishte Isaia, i cili kishte profetizuar edhe më parë. Ishte koha kur vdiq mbreti i lebrosur, Uziahu, rreth vitit 778 p.e.s. (Isa. 6:1, 8) Emri Isaia do të thotë «Shpëtim nga Jehovai», dhe ka të njëjtin kuptim, edhe pse rendi i fjalëve ndryshon, me emrin Jezu («Jehovai është Shpëtim»). Nga fillimi deri në fund, profecia e Isaisë thekson këtë fakt, që Jehovai është shpëtim.
3. (a) Çfarë dihet për Isainë? (b) Gjatë cilës periudhë profetizoi ai, dhe cilët ishin disa profetë të tjerë në kohën e tij?
3 Isaia ishte biri i Amozit (që s’duhet ngatërruar me Amosin, një profet tjetër nga Juda). (1:1) Shkrimet nuk flasin për lindjen dhe për vdekjen e tij, ndonëse sipas traditës judaike ai u sharrua copë-copë nga mbreti i lig Manase. (Krahaso Hebrenjve 11:37.) Nga shkrimet e tij duket që ai u vendos në Jerusalem, bashkë me gruan e tij profeteshë dhe me të paktën dy djemtë e tij, që kishin emra profetikë. (Isa. 7:3; 8:1, 3) Ai shërbeu gjatë mbretërimit të të paktën katër mbretërve të Judës: Uziahut, Jotamit, Akazit dhe Hezekisë; dhe me sa duket e filloi rreth vitit 778 p.e.s. (kur vdiq Uziahu, mbase edhe më parë) e vazhdoi të paktën deri pas vitit 732 p.e.s. (që ishte viti i 14-të i Hezekisë), pra jo më pak se 46 vjet. S’ka dyshim që deri në këtë vit ai e kishte përfunduar edhe me shkrim profecinë e tij. (1:1; 6:1; 36:1) Profetë të tjerë në kohën e tij ishin Mikea në Judë, dhe, në veri, Hozea dhe Odedi.—Mik. 1:1; Hoz. 1:1; 2 Kron. 28:6-9.
4. Nga kuptohet që Isaia ishte shkrimtari i librit?
4 Isaia 30:8 tregon qartë që Isaia i shkroi gjykimet profetike me urdhër të Jehovait: «Tani eja, shkruaje këtë në një pllakë në prani të tyre, po, në një libër, që të shërbejë për një ditë të ardhme, si një dëshmi e përjetshme.» Rabinët e lashtë judenj e pranuan Isainë si shkrimtarin e librit, dhe e përfshinë si librin e parë të profetëve të mëdhenj (Isaia, Jeremia dhe Ezekieli).
5. Cilat dëshmi tregojnë që libri i Isaisë është një i tërë?
5 Edhe pse disa kanë pretenduar se ndryshimi i stilit të librit nga kapitulli 40 e më tej tregon që ka pasur edhe një shkrimtar tjetër, ose një «Isaia të dytë», për të shpjeguar këtë fakt mjafton të përmendim ndryshimin e argumentit. Ka shumë dëshmi që tregojnë se Isaia shkroi të gjithë librin që mban emrin e tij. Për shembull, që libri është një i tërë duket nga shprehja «I shenjti i Izraelit», që shfaqet 12 herë në kapitujt 1 deri 39, dhe 13 herë në kapitujt 40 deri 66, pra gjithsej 25 herë; është interesante se kjo shprehje shfaqet vetëm 6 herë në gjithë pjesën tjetër të Shkrimeve Hebraike. Edhe apostulli Pavël jep dëshmi për njëjësinë e librit kur citon nga të gjitha pjesët e kësaj profecie, dhe pranon se e gjithë vepra ka një shkrimtar të vetëm, Isainë.—Krahaso Romakëve 10:16, 20; 15:12 me Isainë 53:1; 65:1; 11:1.
6. Çfarë prove bindëse japin Rrotullat e Detit të Vdekur (a) se Bibla që kemi ne sot pasqyron shkrimin fillestar të frymëzuar, dhe (b) se tërë libri u shkrua nga një shkrimtar i vetëm, Isaia?
6 Në mënyrë interesante, që nga viti 1947 kanë dalë në dritë disa dokumente të lashta, që u zbuluan në disa shpella jo larg Kirbet Kumranit, pranë bregut veriperëndimor të Detit të Vdekur. Ato ishin Rrotullat e Detit të Vdekur, mes të cilave gjendej edhe profecia e Isaisë. Kjo profeci është shkruar bukur në një hebraishte paramasoretike, është ruajtur më së miri dhe ka një moshë 2.000 vjeçare, që nga fundi i shekullit të dytë p.e.s. Kështu teksti i saj është rreth një mijë vjet më i vjetër se dorëshkrimi më i vjetër ekzistues i tekstit masoretik, në të cilin bazohen përkthimet moderne të Shkrimeve Hebraike. Ka disa dallime të vogla ortografike dhe disa ndryshime në ndërtimin gramatikor, por, nga ana doktrinale, nuk ndryshon nga teksti masoretik. Kjo është një provë bindëse se Bibla që kemi sot, përmban mesazhin fillestar të frymëzuar të Isaisë. Për më tepër, këto rrotulla të lashta hedhin poshtë pretendimet e kritikëve për ekzistencën e dy «Isaive», pasi kapitulli 40 fillon në rreshtin e fundit të kolonës që përmban kapitullin 39, dhe fjalia e parë mbyllet në kolonën tjetër. Pra, duket qartë që kopisti nuk ishte fare në dijeni të ndonjë ndryshimi të hamendësuar të shkrimtarit apo të ndonjë ndarjeje të librit në këtë pikë.a
7. Çfarë provash të bollshme kemi për autenticitetin e Isaisë?
7 Ka prova të bollshme për autenticitetin e librit të Isaisë. Përveç Moisiut, asnjë profet tjetër nuk citohet kaq shpesh nga shkrimtarët e Shkrimeve Greke. Nga ana tjetër, ka dëshmi të pafundme historike dhe arkeologjike që provojnë vërtetësinë e tij, si për shembull dokumentet historike të monarkëve asirianë, ku përfshihet edhe prizmi gjashtëkëndor i Senakeribit, ku ai jep versionin e tij të rrethimit të Jerusalemit.b (Isa., kap. 36, 37) Pirgu i rrënojave, që përbënin një herë e një kohë Babiloninë, jep ende dëshmi të përmbushjes së Isaisë 13:17-22.c Një dëshmi e gjallë ishte edhe çdonjëri nga mijëra judenjtë që bënë rrugën e kthimit nga Babilonia, të çliruar nga mbreti Kir, emri i të cilit ishte shkruar nga Isaia pothuajse 200 vjet më parë. Ka shumë mundësi që më vonë Kirit t’ia kenë treguar këtë shkrim profetik, pasi kur liroi mbetjen e judenjve, ai tha që Jehovai e kishte ngarkuar të vepronte kështu.—Isa. 44:28; 45:1; Ezd. 1:1-3.
8. Si e provon përmbushja e profecive mesianike faktin që libri është i frymëzuar?
8 Libri i Isaisë shquhet për profecitë mesianike. Isaia është quajtur «profet ungjilltar», aq të shumta janë profecitë e përmbushura në ngjarjet e jetës së Jezuit. Kapitulli 53, që për një kohë të gjatë ishte një «kapitull i mistershëm», jo vetëm për eunukun etiopas që përmendet në kapitullin 8 të Veprave, por për të gjithë judenjtë në tërësi, e parathotë në mënyrë aq të gjallë trajtimin që do t’i bëhej Jezuit, saqë të ngjan me tregimin e një dëshmitari okular. Shkrimet e Krishtere Greke dokumentojnë përmbushjet profetike të këtij kapitulli të jashtëzakonshëm të Isaisë, siç e tregojnë edhe krahasimet vijuese: vrg. 1—Gjoni 12:37, 38; 53 vrg. 2—Gjoni 19:5-7; 53 vrg. 3—Marku 9:12; 53 vrg. 4—Mateu 8:16, 17; 53 vrg. 5—1 Pjetrit 2:24; 53 vrg. 6—1 Pjetrit 2:25; 53 vrg. 7—Veprat 8:32, 35; 53 vrg. 8—Veprat 8:33; 53 vrg. 9—Mateu 27:57-60; 53 vrg. 10—Hebrenjve 7:27; 53 vrg. 11—Romakëve 5:18; 53 vrg. 12—Luka 22:37. Kush tjetër përveç Perëndisë mund të jetë burimi i një parashikimi të tillë të saktë?
PËRMBAJTJA E ISAISË
9. Si ndahen kapitujt e librit të Isaisë?
9 Gjashtë kapitujt 1-6 e parë përshkruajnë kushtet në Judë e në Jerusalem dhe tregojnë fajin e Judës para Jehovait si dhe caktimin që ka marrë Isaia. Kapitujt 7 deri 12 flasin për rrezikun e sulmeve armike dhe për premtimin se lehtësimi do të vijë nga Princi i Paqes i caktuar nga Jehovai. Kapitujt 13 deri 35 përmbajnë një varg me shpallje kundër shumë kombeve dhe parathonë se shpëtimi do të sigurohet nga Jehovai. Kapitujt 36 deri 39 përshkruajnë ngjarjet historike të mbretërimit të Hezekisë. Tema e kapitujve të fundit, Isa 40 deri 66, është çlirimi nga Babilonia, kthimi i mbetjes së judenjve dhe rivendosja e Sionit.
10. (a) Përse Isaia i bën thirrje kombit që të ndreqë gjërat? (b) Çfarë profetizon ai për ditët e fundit?
10 Mesazhi i Isaisë «për Judën dhe Jerusalemin» (1:1–6:13). Ja tek është, i veshur me copë thesi e sandale, teksa qëndron në këmbë në Jerusalem dhe bërtet: O, tiranë! O, banorë! Dëgjoni! Kombi juaj është i sëmurë nga koka te këmbët, sepse e keni lodhur Jehovain duke ngritur në lutje duart tuaja të përlyera me gjak. Ejani, ndreqini gjërat me të, që mëkatet tuaja të kuqe flakë, të bëhen të bardha si bora. Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të ngrihet lart dhe gjithë kombet do të vërshojnë atje për t’u mësuar. S’do të mësojnë më të luftojnë. Jehovai do të lartësohet e do të shenjtërohet. Por, tani për tani, Izraeli dhe Juda, edhe pse u mbollën si një vresht i zgjedhur, kanë dhënë rrush paligjshmërie. Ata e quajnë të mirën të keqe, kurse të keqen të mirë, ngaqë u duket vetja të mençur.
11. Me cilin vegim vjen caktimi i Isaisë?
11 Isaia thotë: «Pashë Jehovain të ulur në një fron të lartë e të madhërishëm.» Bashkë me këtë vegim, vjen edhe caktimi nga Jehovai: «Shko e thuaji këtij populli: ‘Dëgjoni herë pas here.’» Deri kur? «Derisa qytetet të kthehen në gërmadha.»—6:1, 9, 11.
12. (a) Si u përdorën Isaia dhe bijtë e tij si shenja profetike? (b) Ç’premtim të mrekullueshëm përmban kapitulli 9 i Isaisë?
12 Rreziku i sulmeve armike dhe premtimi i lehtësimit (7:1–12:6). Jehovai përdor Isainë dhe bijtë e tij si ‘shenja e çudi’ profetike për të treguar se aleanca e parë e Sirisë me Izraelin kundër Judës do të dështojë, por kur të vijë koha, Juda do të çohet në robëri dhe vetëm një mbetje do të kthehet. Një vashë do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë. Ç’emër do t’i vënë? Emanuel (që do të thotë «Me ne është Perëndia»). Le të mbajnë vesh armiqtë e bashkuar të Judës! «Ngjishni armët dhe do të bëheni copë e çikë!» Do të ketë kohë të vështira, megjithatë një dritë e madhe do të ndriçojë mbi popullin e Perëndisë. Sepse na ka lindur një fëmijë dhe «ai do të thirret Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes».—7:14; 8:9, 18; 9:6.
13. (a) Ç’e pret asirianin e pacipë? (b) Ç’do të sjellë sundimi i ‘degëzës’ së Jeseut?
13 «Mjerë asiriani,—thërret Jehovai,—shkopi i zemërimit tim.» Pasi ta ketë përdorur atë shkop kundër «një kombi apostat», Perëndia do të thyejë edhe vetë asirianin e pacipë. Më pas, «vetëm një mbetje . . . do të kthehet». (10:5, 6, 21) Tani del një filiz, një degëz nga cungu i Jeseut (babai i Davidit). Kjo «degëz» do të gjykojë me drejtësi dhe falë tij gjithë krijimi do të gëzojë, nuk do të ketë asnjë dëm, asnjë prishje, «sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin». (11:1, 9) Ai do të ngrihet si një sinjal për kombet, dhe një rrugë do të dalë nga Asiria për mbetjen që do të dalë. Do të ketë ngazëllim kur të mbushin ujë nga burimet e shpëtimit dhe do të këndojnë për Jehovain.
14. Ç’ulje parathuhet për Babiloninë?
14 Shpallja e mjerimit kundër Babilonisë (13:1–14:27). Isaia hedh tani vështrimin përtej periudhës së asirianëve, në kohën kur Babilonia do të jetë në kulmin e saj. Dëgjoni! Zhurma e një populli të madh, poterja e mbretërive, e kombeve të mbledhura së bashku. Jehovai i ushtrive po mobilizon forcat ushtarake. Është një ditë e errët për Babiloninë. Fytyrat e habitura janë bërë flakë të kuqe, kurse zemrat janë mpakur. Medët e pamëshirshëm do ta rrëzojnë Babiloninë, ‘stolinë e mbretërive’. Ajo do të bëhet një vend i shkretë i pabanuar dhe strofull e egërsirave «brez pas brezi». (13:19, 20) Të vdekurit në Sheol janë vënë në lëvizje për të pritur mbretin e Babilonisë. Vemjet bëhen shtrojë për të dhe krimbat mbulesë. Ç’ulje për këtë ‘që shkëlqen, për këtë bir të agimit’! (14:12) Ai synonte ta lartësonte fronin e vet, por është bërë një kufomë e flakur tutje, ngaqë Jehovai e hedh tej Babiloninë me fshesën e shfarosjes. S’ka për të pasur as emër, asnjë mbetje, as pasardhës, as breza të ardhshëm.
15. Për çfarë shkretimesh ndërkombëtare profetizon Isaia?
15 Shkretime ndërkombëtare (14:28–23:18). Jehovai i drejtohet tani Filistisë përgjatë Detit Mesdhe dhe pastaj Moabit në juglindje të Detit të Vdekur. E drejton profecinë e tij përtej kufijve veriorë të Izraelit, në Damask të Sirisë, futet thellë në jug, deri në Etiopi, dhe ngjitet lart lumit Nil, në Egjipt. Gjykimet e Jehovait mbjellin shkretim gjatë gjithë rrugës. Tregon për mbretin asirian Sargonin, pararendësin e Senakeribit, që dërgon tartanin, ose kryekomandantin, kundër qytetit filistin të Ashdodit, në perëndim të Jerusalemit. Në këtë kohë Isaisë i thuhet të zhvishet e të endet lakuriq e këmbëzbathur për tre vjet. Në këtë mënyrë, ai tregon se sa e kotë është të besosh tek Egjipti dhe Etiopia, të cilët, «vithezhveshur», do të merren robër nga asirianët.—20:4.
16. Ç’gjëma shihen për Babiloninë, Edomin, për poterexhinjtë e Jerusalemit dhe për Sidonin e Tirin?
16 Një vrojtues në kullën e rojës sheh rënien e Babilonisë e të perëndive të saj, si dhe gjëma për Edomin. Pastaj Jehovai u drejtohet njerëzve poterexhinj të Jerusalemit që thonë: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» ‘Do të vdisni’,—u thotë Jehovai. (22:13, 14) Edhe anijet e Tarshishit do të ulërijnë dhe Sidonit do t’i vijë turp, sepse Jehovai ka dhënë një vendim kundër Tirit se do «të trajtojë me përçmim gjithë të nderuarit e dheut».—23:9.
17. Çfarë gjykimi dhe çfarë rivendosjeje parathuhet për Judën?
17 Gjykim dhe shpëtim nga Jehovai (24:1–27:13). Por, le të shohim Judën tani. Jehovai po e boshatis vendin. Populli dhe priftërinjtë, shërbëtorët dhe zotërinjtë e tyre, blerësit dhe shitësit—të gjithë duhet të ikin, sepse kanë shpërfillur ligjet e Perëndisë dhe kanë shkelur besëlidhjen e përjetshme. Por, me kalimin e kohës, do t’u kushtojë vëmendje të burgosurve e do t’i mbledhë. Ai është kala dhe strehë. Do të shtrojë një gosti në malin e tij, do të përpijë vdekjen përgjithmonë e do të fshijë lotët nga çdo fytyrë. E do të thuhet: «Ky është Perëndia ynë! Ky është Jehovai!» (25:9) Juda ka një qytet, që ka shpëtimin si mure. Ka paqe të vazhdueshme për ata që besojnë te Jehovai, «sepse Jah Jehovai është Shkëmbi i përjetshëm». Kurse i ligu «nuk do ta mësojë drejtësinë». (26:4, 10) Jehovai do t’i vrasë kundërshtarët e tij dhe do të rivendosë Jakobin.
18, 19. (a) Ç’mjerime shpallen për Efraimin dhe ç’gëzime për Sionin? (b) Nga cilat pozita do të shpëtojë e do të qeverisë popullin e tij Jehovai?
18 Indinjata dhe bekimet e Perëndisë (28:1–35:10). Mjerë pijanecët e Efraimit, sepse ‘lulja e zbukurimit’ të tyre do të vyshket! Kurse Jehovai «do të bëhet si një kurorë stolie dhe si një kurorë e bukur me lule» për ata që mbeten nga populli i tij. (28:1, 5) Megjithatë, mburracakët e Jerusalemit kanë si strehë gënjeshtrën, në vend të gurit të themelit të sprovuar e të çmuar në Sion. Një përmbytje do t’i fshijë tej. Profetët e Jerusalemit i ka zënë gjumi dhe për ta libri i Perëndisë është i vulosur. Me buzë afrohen, por zemrat janë shumë larg. Megjithatë, do të vijë dita kur të shurdhrit do t’i dëgjojnë fjalët e librit. Të verbrit do të shohin e zemërbutët do të gëzojnë.
19 Mjerë ata që zbresin në Egjipt për t’u strehuar! Ky popull kokëfortë dëshiron vegime të buta e të rreme. Ata do të shkatërrohen, por Jehovai do të rivendosë një mbetje. Këta do të shohin Mësuesin e tyre të Madh, kurse shëmbëlltyrat do t’i flakin e për to do të thonë: «Ç’ndyrësi!» (30:22) Jehovai është Mbrojtësi i vërtetë i Jerusalemit! Një mbret do të sundojë me drejtësi, bashkë me princat e tij. Ai do të sjellë paqe, qetësi e siguri përgjithmonë. Për shkak të pabesisë, lajmëtarët e paqes do të qajnë me hidhërim, kurse për popullin e vet, i Madhërishmi, Jehovai, është Gjykatës, Ligjdhënës dhe Mbret, e ai vetë do t’i shpëtojë. Asnjë banor nuk do të thotë: «Jam sëmurë.»—33:24.
20. Ç’indinjatë do të shpërthejë kundër kombeve, por ç’bekime e presin mbetjen e rivendosur?
20 Indinjata e Jehovait ka për të shpërthyer kundër kombeve. Kufomat do të lëshojnë erë të qelbur dhe malet do të shkrijnë nga gjaku. Edomi ka për t’u shkretuar. Kurse për të riblerët nga Jehovai, rrafshina e shkretë do të lulëzojë dhe do të shfaqet ‘lavdia e Jehovait, shkëlqimi i Perëndisë tonë’. (35:2) Të verbrit, të shurdhrit e të pagojët do të shërohen dhe Udha e Shenjtërisë do të hapet për të riblerët nga Jehovai që do të kthehen në Sion me gëzim.
21. Si e sfidojnë asirianët Jerusalemin?
21 Jehovai e bën Asirinë të tërhiqet në ditët e Hezekisë (36:1–39:8). A është me vend nxitja e Isaisë për t’u mbështetur te Jehovai? A mund t’i bëjë ballë sprovës? Vitin e 14-të të mbretërimit të Hezekisë, Senakeribi i Asirisë kosit tejpërtej Palestinën dhe me një pjesë të trupave, përpiqet të frikësojë Jerusalemin. Rabshakehu, zëdhënësi i tij që fliste hebraisht, u lëshon disa pyetje sfiduese njerëzve që ishin rreshtuar te muret e qytetit: ‘Ku e gjeni këtë siguri? Tek Egjipti? Është si një kallam i thyer! Te Jehovai? S’ka asnjë perëndi që t’ju shpëtojë nga duart e mbretit të Asirisë.’ (36:4, 6, 18, 20) Populli i bindet mbretit dhe s’i kthen asnjë përgjigje.
22. Si i përgjigjet Jehovai lutjes së Hezekisë dhe si e përmbush profecinë e Isaisë?
22 Hezekia i lutet Jehovait që t’i shpëtojë për hir të emrit të Tij, dhe nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë se do t’i vërë një grremç në hundë asirianit e do ta kthejë andej nga kishte ardhur. Një engjëll godet për vdekje 185.000 asirianë, kurse Senakeribi ia mbath me të katra për në shtëpi, ku, më vonë, bijtë e vet e vrasin në tempullin e tij pagan.
23. (a) Me ç’rast Hezekia kompozon një psalm për Jehovain? (b) Ç’gjë të pamatur bën mbreti dhe ç’profetizon Isaia me këtë rast?
23 Hezekia sëmuret për vdekje. Megjithatë, Jehovai në mënyrë të mrekullueshme bën që hija e diellit të kthehet mbrapsht, si shenjë se Hezekia do të shërohet, dhe jetës së mbretit i shtohen edhe 15 vjet të tjerë. Në shenjë mirënjohjeje, Hezekia kompozon një psalm të bukur lavdie për Jehovain. Kur mbreti i Babilonisë dërgon lajmëtarë, gjoja për të uruar Hezekinë që ishte shëruar, ky pa maturi u tregon atyre thesaret mbretërore. Kështu, Isaia profetizon se çdo gjë që ndodhet në shtëpinë e Hezekisë, një ditë do të çohet në Babiloni.
24. (a) Ç’lajm të mirë e ngushëllues shpall Jehovai? (b) A mund të përngjasohet madhështia e Jehovait me perënditë e kombeve, dhe ç’dëshmi kërkon ai?
24 Jehovai ngushëllon dëshmitarët e tij (40:1–44:28). Fjalët e para të kapitullit 40—«ngushëlloni»—përshkruajnë më së miri pjesën e mbetur të librit të Isaisë. Një zë thërret në shkretëtirë: «Pastroni udhën e Jehovait.» (40:1, 3) Ka lajme të mira për Sionin. Jehovai e kullot kopenë e tij dhe i mban në gji qengjat e vegjël. Që nga qiejt e lartë, ai sheh poshtë rruzullin e tokës. Me kë do të përngjasohet madhështia e tij? Ai u jep energji dinamike e fuqi të lodhurve dhe ata që s’kanë forcë shpresojnë tek ai. Ai shpall se shëmbëlltyrat e derdhura të kombeve janë erë dhe kotësi. I zgjedhuri i tij do të shërbejë si një besëlidhje për popujt dhe si një dritë për kombet, që të hapë sytë e verbër. Jehovai i thotë Jakobit: «Unë të kam dashur.» Pastaj, i thërret lindjes, perëndimit, veriut e jugut: ‘Dorëzoji! Silli bijtë dhe bijat e mia.’ (43:4, 6) Kur gjyqi hapet, ai i sfidon perënditë e kombeve që të sjellin dëshmitarë për të provuar se janë perëndi. Si një popull, izraelitët janë dëshmitarë të Jehovait, shërbëtori i tij, që dëshmojnë se ai është Perëndi dhe Çlirimtar. Jeshurunit («I drejtë», Izraeli) i premton se do t’i japë frymën e tij, kurse bërësit e shëmbëlltyrave që nuk shohin gjë e nuk dinë gjë, i mbulon me turp. Jehovai është Riblerësi i popullit të vet; Jerusalemi do të banohet sërish dhe tempulli i tij do të rindërtohet.
25. Ç’kanë për të mësuar njerëzit nga gjykimi që do të sjellë Jehovai mbi Babiloninë dhe perënditë e saj të rreme?
25 Hakmarrje mbi Babiloninë (45:1–48:22). Për hir të Izraelit, Jehovai thërret Kirin që të pushtojë Babiloninë. Njerëzit kanë për ta mësuar se vetëm Jehovai është Perëndi, Krijuesi i qiejve, i tokës dhe i njerëzve që banojnë në të. Ai vë në lojë Belin dhe Nebon, perëndi të Babilonisë, pasi vetëm Ai mund ta thotë përfundimin qysh në fillim. Bija e virgjër e Babilonisë ka për t’u ulur në pluhur, e hequr nga froni dhe lakuriq, kurse këshilltarët e saj të shumtë do të digjen si kashta. Jehovai u thotë izraelitëve që adhurojnë idhujt, ‘që e kanë qafën të fortë si hekur dhe ballin si bakër’, se mund të kishin pasur paqe, drejtësi e begati po ta kishin dëgjuar atë, mirëpo «nuk ka paqe për të ligjtë».—48:4, 22.
26. Si do të ngushëllohet Sioni?
26 Sioni ngushëllohet (49:1–59:21). Jehovai e jep shërbëtorin e tij si dritë për kombet dhe u thërret atyre që janë në errësirë: «Dilni!» (49:9) Sioni do të ngushëllohet, shkretëtira e tij do të bëhet si Edeni, si kopshti i Jehovait, plot gëzim, hare, falënderime dhe tinguj melodie. Jehovai do t’i davaritë qiejt si tym, tokën do ta konsumojë si një rrobë dhe banorët e saj do të vdesin si harrjet. Pra, pse duhet pasur frikë nga poshtërimi i vdekatarëve? Kupa e hidhur që ka pirë Jerusalemi, do t’u jepet tani kombeve që e kanë shkelur.
27. Ç’lajm i mirë shpallet për Sionin dhe çfarë profetizohet për ‘shërbëtorin e Jehovait’?
27 ‘Zgjohu, o Sion, dhe ngrihu nga pluhuri!’ Ja lajmëtari që vrapon maleve me lajmin e mirë, dhe që i thërret Sionit: «Perëndia yt është bërë mbret.» (52:1, 2, 7) Dilni nga vendi i papastër dhe qëndroni të pastër, ju që i shërbeni Jehovait. Tani, profeti përshkruan ‘shërbëtorin e Jehovait’. (53:11) Ai është përbuzur, mënjanuar, ka marrë mbi vete sëmundjet tona, e megjithatë e kanë parë sikur Perëndia ta kishte qëlluar. E shpuan për shkeljet tona, por ai na shëroi falë plagëve të tij. Si një dele që e çojnë në thertore, ai nuk bëri asnjë dhunim dhe nga goja e tij s’doli asnjë mashtrim. Ai dha shpirtin e vet si blatim për fajin, që të mbante fajet e shumë njerëzve.
28. Si përshkruhet gjendja e bekuar që do të përjetojë Sioni dhe falë cilës besëlidhje?
28 Sikur të ishte burri i Sionit, Jehovai i thotë të lëshojë britma gëzimi, sepse është bërë pjellor. Edhe pse i munduar dhe i goditur nga shumë stuhi, Sioni do të bëhet një qytet me themele prej safiri, me bedena prej rubini dhe me porta me gurë vezullues. Bijtë e tij, të mësuar nga Jehovai, do të gëzojnë paqe të madhe dhe asnjë armë e sajuar kundër tyre nuk do të ketë sukses. «Të gjithë ju o të etur!»—thërret Jehovai. Nëse vijnë, Jehovai do të bëjë me ta ‘një besëlidhje sipas dashamirësisë që i është treguar Davidit’; ai do t’u japë një udhëheqës, një komandant, si dëshmitar për kombet. (55:1-4) Mendimet e Jehovait janë pafundësisht më të larta se mendimet e njerëzve dhe fjala e tij do të ketë patjetër sukses. Eunukët që zbatojnë ligjin e tij, pavarësisht nga ç’kombësi janë, do të marrin një emër, diçka më të mirë se bij dhe bija. Shtëpia e Jehovait do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.
29. Ç’u thotë Jehovai idhujtarëve, por ç’siguri i jep popullit të vet?
29 Si i Larti dhe i Madhërishmi, Jehovai u thotë idhujtarëve të çmendur pas seksit se ai nuk do të luftojë përgjithmonë me Izraelin. Agjërimet e tyre të devotshme janë veçse një mbulesë për ligësinë. Dora e Jehovait nuk është aq e shkurtër sa të mos shpëtojë dot, dhe veshi i tij s’është rënduar aq sa të mos dëgjojë, përkundrazi, siç thotë Isaia ‘janë fajet e tyre që kanë shkaktuar ndarje mes tyre dhe Perëndisë’. (59:2) Ja përse shpresojnë për dritë, por kërkojnë me të prekur në errësirë. Nga ana tjetër, fryma e Jehovait mbi popullin që i qëndron besnik besëlidhjes, është garanci se fjala e tij do të mbetet në gojën e tyre gjatë gjithë brezave të ardhshëm, patundshmërisht.
30. Si i jep Jehovai lavdi Sionit dhe cilët janë dy emrat e rinj që e ilustrojnë këtë?
30 Jehovai i jep lavdi Sionit (60:1–64:12). «Ngrihu, o grua, e lësho dritë, sepse . . . lavdia e Jehovai shndrit.» Në dallim me këtë, një terr i zi mbështjell tokën. (60:1, 2) Në atë kohë Sioni do të ngrejë sytë lart e do të shndritë, dhe zemra do t’i brofë tek sheh pasuritë e kombeve të vijnë tek ai me një mori devesh. Si një re pëllumbash që fluturojnë, ata do të mblidhen tek ai. Të huajt do të ndërtojnë muret e tij, mbretërit do të vihen në shërbim të tij dhe portat e qytetit s’do të mbyllen kurrë. Perëndia i tij ka për t’u bërë lavdia e tij, dhe me të shpejtë, të paktin do ta bëjë një mijë dhe të voglin një komb të fuqishëm. Shërbëtori i Perëndisë shpall se fryma e Jehovait është mbi të dhe e ka mirosur që të thotë këtë lajm të mirë. Sionit i vihet një emër i ri, Kënaqësia ime (Hefziba), dhe vendi i tij quhet Gruaja ime (Beulah). (62:4, shënimi te Bibla me referime, anglisht) Pastaj del urdhri që të pastrohet rruga e kthimit nga Babilonia e të ngrihet një sinjal në Sion.
31. Kush vjen nga Edomi dhe ç’lutje bën populli i Perëndisë?
31 Nga Bozrahu i Edomit vjen dikush që është veshur me rroba në ngjyrë të ndezur. Me zemërim ai ka shtypur njerëz në koritën e rrushit, duke ua çuar gjakun çurg. Populli i Jehovait e ndien sinqerisht gjendjen e vet të papastër dhe paraqet një lutje prekëse: ‘Ti, o Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari. O Jehova, mos u zemëro shumë. Të gjithë ne jemi populli yt.’—64:8, 9.
32. Për çfarë mund të ngazëllohet populli i Jehovait në dallim nga ata që e braktisin Jehovain?
32 «Qiej të rinj dhe një tokë të re»! (65:1–66:24). Ata që e kanë braktisur Jehovain për perënditë e «Fatit të Mirë» dhe të «Riskut», do të vuajnë urie dhe do t’u vijë turp. (65:11) Kurse shërbëtorët e Perëndisë do të gëzojnë nga bollëku. Ja! Jehovai po krijon qiej të rinj dhe një tokë të re. Ç’gëzim e ngazëllim do të ketë për Jerusalemin dhe për popullin e tij! Do të ndërtojnë shtëpi e do të mbjellin vreshta, kurse ujku e qengji do të kullotin së bashku. S’do të ketë asnjë të keqe dhe asnjë dëm.
33. Ç’gëzim, lavdi e qëndrueshmëri parathuhet për ata që e duan Jerusalemin?
33 Qiejt janë froni i tij dhe toka është stoli i tij i këmbëve, prandaj, çfarë shtëpie mund t’i ndërtojnë njerëzit Jehovait? Një komb ka për të lindur brenda një dite dhe të gjithë ata që e duan Jerusalemin janë të ftuar të gëzojnë, teksa Jehovai i jep atij paqe si lumë. Ai do të dalë kundër armiqve si një zjarr—me karroca si erë shtrëngate do t’i shpaguajë gjithë njerëzit e pabindur, me zemërim të tërbuar e me flakë të zjarrta. Lajmëtarët do të shkojnë mes kombeve dhe ishujve të largët që të shpallin lavdinë e tij. Qiejt e tij të rinj dhe toka e tij e re do të jenë të qëndrueshëm. Po kështu do të qëndrojnë edhe ata që i shërbejnë atij dhe pasardhësit e tyre. Dy gjëra janë: ose kjo, ose vdekje e përhershme.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
34. Cilat janë disa ilustrime të gjalla që e përforcojnë mesazhin e Isaisë?
34 Nga çdo këndvështrim, libri profetik i Isaisë është një dhuratë mjaft e dobishme nga Perëndia Jehova. Ai pasqyron mendimet e larta e fisnike të Perëndisë. (Isa. 55:8-11) Ata që mbajnë fjalime publike për të vërtetat e Biblës, mund të nxjerrin nga libri i Isaisë, si nga një depo thesari, ilustrime të gjalla me një forcë shprehëse të njëjtë me krahasimet e Jezuit. Isaia na ngulit fuqimisht në mendje marrëzinë e një njeriu që përdor të njëjtën pemë për të bërë dru zjarri dhe një idhull për adhurim. Ai na bën të përjetojmë parehatinë e njeriut që shtrihet në një shtrat tepër të shkurtër, mbuluar me një çarçaf tepër të ngushtë, dhe na bën të dëgjojmë dremitjen e rëndë të profetëve që janë si qen të pagojë e përtojnë të lehin. Nëse, ashtu si nxit Isaia, ‘kërkojmë në librin e Jehovait dhe lexojmë me zë’, do të kuptojmë mesazhin e fuqishëm që ka Isaia për ne sot.—44:14-20; 28:20; 56:10-12; 34:16.
35. Si përqendrohet Isaia te Mbretëria e drejtuar nga Mesia dhe te pararendësi i tij, Gjon Pagëzori?
35 Profecia përqendrohet veçanërisht në Mbretërinë e Perëndisë të drejtuar nga Mesia. Jehovai është Mbreti suprem dhe ai na shpëton. (33:22) Por, ç’të themi për Mesinë? Fjalët që engjëlli i drejtoi Marisë për fëmijën që do të lindte, tregojnë se Isaia 9:6, 7 do të përmbushej kur ai të merrte fronin e Davidit; dhe «ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund». (Luka 1:32, 33) Mateu 1:22, 23 tregon që lindja e Jezuit nga një virgjëreshë ishte përmbushja e Isaisë 7:14, dhe e identifikon atë si «Emanuel». Rreth 30 vjet më vonë, Gjon Pagëzori nisi të predikonte se «mbretëria e qiejve është afruar». Katër shkrimtarët e Ungjijve citojnë Isainë 40:3 dhe tregojnë se Gjoni ishte pikërisht ai që «thërret në shkretëtirë». (Mat. 3:1-3; Mar. 1:2-4; Luka 3:3-6; Gjoni 1:23) Kur u pagëzua, Jezui u bë Mesia, i Mirosuri i Jehovait, cungu ose rrënja e Jeseut, që do të sundojë kombet. Ato do t’i varin shpresat tek ai, në përmbushje të Isaisë 11:1, 10.—Rom. 15:8, 12.
36. Cilat përmbushje profetike domethënëse identifikojnë qartësisht Mesinë, Mbretin?
36 Ja si vazhdon ta identifikojë Isaia Mesinë, Mbretin! Jezui e lexoi caktimin e tij nga një rrotull e Isaisë, për të treguar se ai ishte i Mirosuri i Jehovait, dhe pastaj vazhdoi ‘t’u shpallte lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë’, sepse, si tha vetë ai, ‘për këtë u dërgova’. (Luka 4:17-19, 43; Isa. 61:1, 2) Katër tregimet e Ungjijve janë plot me hollësi për shërbimin tokësor të Jezuit dhe për mënyrën e vdekjes së tij, si parathuhej tek Isaia, kapitulli 53. Edhe pse e dëgjuan lajmin e mirë të Mbretërisë dhe i panë veprat e mrekullueshme të Jezuit, judenjtë nuk e kapën kuptimin për shkak të zemrave të tyre pa besim, në përmbushje të Isaisë 6:9, 10; 29:13; dhe 53:1. (Mat. 13:14, 15; Gjoni 12:38-40; Vep. 28:24-27; Rom. 10:16; Mat. 15:7-9; Mar. 7:6, 7) Jezui ishte për ta si një gur pengese, por ai u bë guri i qoshes i themelit që Jehovai vuri në Sion, dhe mbi të cilën Ai ndërton shtëpinë e tij frymore, në përmbushje të Isaisë 8:14 dhe; 28:16.—Luka 20:17; Rom. 9:32, 33; 10:11; 1 Pjet. 2:4-10.
37. Si e cituan dhe e aplikuan Isainë apostujt e Jezuit?
37 Apostujt e Jezu Krishtit vazhduan ta përdornin mirë profecinë e Isaisë edhe në shërbim. Për shembull, për të treguar që predikuesit janë të nevojshëm për të ndërtuar besimin, Pavli citoi Isainë: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!» (Rom. 10:15; Isa. 52:7; shih edhe Romakëve 10:11, 16, 20, 21.) Pjetri citoi Isainë për të treguar se lajmi i mirë do të qëndrojë përherë: «Sepse ‘çdo mish është si bari dhe gjithë lavdia e tij është si lule bari. Bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë’. E pra, kjo është ‘fjala’, ajo që ju është shpallur si lajm i mirë.»—1 Pjet. 1:24, 25; Isa. 40:6-8.
38. Cilën temë të lavdishme të Mbretërisë që përshkruan Isaia, trajtojnë më vonë edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës?
38 Isaia e përshkruan në mënyrë të lavdishme shpresën e Mbretërisë për të ardhmen! Ja, ka «qiej të rinj dhe një tokë të re» ku «një mbret do të mbretërojë për të siguruar të drejtën» dhe princat do të qeverisin për të siguruar drejtësinë. Ç’burim gëzimi e ngazëllimi! (65:17, 18; 32:1, 2) Pjetri i kthehet sërish lajmit të gëzuar të Isaisë: «Mirëpo, sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjet. 3:13) Kjo temë e mrekullueshme e Mbretërisë arrin kulmin e lavdisë së saj në kapitujt e fundit të Zbulesës.—Isa. 66:22, 23; 25:8; Zbul. 21:1-5.
39. Drejt cilës shpresë madhështore tërheq vëmendjen Isaia?
39 Kështu pra, edhe pse përmban denoncime therëse kundër armiqve të Jehovait dhe atyre që me hipokrizi pohojnë se janë shërbëtorë të tij, libri i Isaisë, me tone lavdëruese, tërheq vëmendjen drejt shpresës madhështore të Mbretërisë Mesianike, e cila do të shenjtërojë emrin e madh të Jehovait. Ai luan një rol të madh për të shpjeguar të vërtetat e mrekullueshme të Mbretërisë së Jehovait dhe për të na ngrohur zemrat teksa presim me gëzim «shpëtimin që vjen prej tij».—Isa. 25:9; 40:28-31.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 1221-1223, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 957; vëll. 2, faqet 894, 895, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 324, anglisht.