MEDËT, MEDIA
Medët ishin arianë, pra vinin nga trungu jafetik dhe, me sa duket, ishin pasardhës të Madaiut, birit të Jafetit. (Zn 10:2) Lidheshin ngushtë me persët për nga raca, gjuha dhe feja.
Medët si popull nuk shfaqen në historinë biblike deri në shekullin e tetë p.e.s., kurse në dokumentet ekzistuese jobiblike përmenden për herë të parë në epokën e mbretit asirian Shalmaneseri III, bashkëkohës i mbretit Jehu (rr. 904-877 p.e.s.). Nga provat arkeologjike dhe nga dëshmi të tjera, mendohet se kanë jetuar në rrafshnaltën iraniane, pak a shumë që nga mesi i mijëvjeçarit të dytë p.e.s.
Gjeografia. Edhe pse kufijtë e saj patjetër që ndryshonin hera-herës, Media e lashtë shtrihej kryesisht në perëndim e në jug të detit Kaspik, nga brigjet e të cilit e ndante vargmali Elburs. Në veriperëndim duket se shkonte matanë liqenit Urmia deri në luginën e lumit Arakses, kurse në kufirin perëndimor, malet Zagros krijonin një pengesë ndërmjet Medisë, Asirisë dhe ultësirave të lumit Tigër; në lindje ndodhej një rajon i shkretë i madh dhe në jug Elami.
Pra, toka e medëve ishte kryesisht rrafshnaltë malore, 900 deri në 1.500 m mbi nivelin e detit. Një pjesë e mirë e asaj zone është stepë e thatë, zakonisht me reshje të pakta, por ka edhe disa rrafshina pjellore që japin prodhime të mbara. Shumica e lumenjve rrjedhin drejt shkretëtirës së madhe qendrore, ku ujërat e tyre humbasin nëpër moçale e këneta, që thahen nga vapa zhuritëse e verës dhe kthehen në depozita kripe. Falë pengesave natyrore, s’ishte shumë vështirë të mbrohej vendi. Vargmali perëndimor është më i larti dhe ka shumë maja me lartësi mbi 4.270 m, por maja më e lartë, mali Damavand (5.771 m), gjendet në vargmalin Elburs, pranë detit Kaspik.
Punët kryesore. Dikur, ashtu si sot, pjesa dërrmuese e popullsisë me sa duket banonte në fshatra të vogla ose bënte jetë nomade, dhe një nga punët kryesore ishte mbarështimi i gjësë së gjallë. Kjo tablo përshkruhet edhe në dokumentet me shkrim kuneiform që flasin për mësymjet e asirianëve në Medi, ku tregohet se kuajt e shkëlqyer të racës që rritnin medët, ishin ndër trofetë kryesorë që synonin sulmuesit. Gjithashtu, në çairet e mira lart në lugina, kullotnin tufa me dele, dhi, gomarë, mushka dhe lopë. Në basorelievet asiriane, nganjëherë medët paraqiten të veshur me guna prej lëkure deleje mbi tunika dhe me çizme të gjata lidhur me gjalmë—pajime të domosdoshme për barinjtë e rrafshnaltave, ku dimri sillte borë e acar të hidhur. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se medët ishin mjeshtra të punimit të bronzit e të arit.
Historia. Medët nuk lanë pas thuajse asnjë dokument të shkruar; ajo çka dihet për ta vjen nga Bibla, nga dokumentet asiriane dhe nga shkrimet e historianëve të lashtë grekë. Siç duket, medët ndaheshin në mbretëri të shumta të vogla, që i drejtonin prijës fisesh. Në rrëfimet e tyre, perandorët asirianë Shamshi-Adadi V, Tiglath-Pileseri III dhe Sargoni II mburren për fitoret mbi disa prijës qytetesh të vendit të largët të medëve. Pas fitores së asirianëve mbi mbretërinë e Izraelit në vitin 740 p.e.s., izraelitët u çuan në mërgim në Asiri dhe «në qytetet e medëve», disa prej të cilave ishin asokohe vasale të Asirisë.—2Mb 17:6; 18:11.
Orvatjet e asirianëve për të bërë zap «medët e pagjunjëzuar» vazhduan edhe gjatë sundimit të mbretit asirian Esar-Hadoni, bir i Senakeribit dhe, me sa duket, bashkëkohës i mbretit Manase të Judës (716-662 p.e.s.). Në një nga mbishkrimet e tij, Esar-Hadoni flet për «një krahinë në kufi të shkretëtirës së kripur që gjendet në vendin e largët të medëve, rrëzë malit të Biknit, mali i lazuritit, . . . [për] prijës të fuqishëm që nuk i ishin nënshtruar zgjedhës sime; ata vetë, bashkë me popullin e tyre, me kuaj shale, me gjedhë, dhen, gomarë e deve (baktriane)—një plaçkë të stërmadhe—i çova në Asiri. . . . U vura çdo vit haraçin dhe taksën time mbretërore».—Ancient Records of Assyria and Babylonia, nga D. D. Lukenbilli, 1927, vëll. II, f. 215, 216.
Sipas historianit grek Herodotit (I, 96), medët formonin një mbretëri të bashkuar, nën një sundimtar me emrin Dejosis. Disa historianë të sotëm janë të mendimit se Dejosisi ishte sundimtari që në mbishkrime quhet Dajauku. Pas një sulmi të asirianëve në rajonin e Medisë, atë e zuri rob Sargoni II dhe e degdisi në Hamath. Gjithsesi, shumica e studiuesve mendojnë se vetëm në kohën e Siaksaresit (ose Kiaksaresit, nip i Dejosisit sipas Herodotit [I, 102, 103]) mbretërit e Medisë nisën të bashkoheshin nën një sundimtar të vetëm. Madje edhe atëherë, ka shumë të ngjarë që të kenë qenë si mbretërit e vegjël të Kanaanit, të cilët hera-herës luftonin nën komandën e një mbreti, por prapëseprapë ishin goxha të pavarur nga njëri-tjetri.—Krahaso Js 11:1-5.
Pavarësisht nga sulmet e asirianëve, medët sa vinin e fuqizoheshin, derisa u bënë rivali më i rrezikshëm i Asirisë. Kur Nabopolasari i Babilonisë, i ati i Nabukodonosorit, ngriti krye kundër Asirisë, medi Siaksares lidhi aleancë me babilonasit. Pasi medët pushtuan Ashurin në vitin e 12-të të mbretërimit të Nabopolasarit (634 p.e.s.), Siaksaresi (i quajtur Ú-ma-kis-tar në dokumentet babilonase) u takua me Nabopolasarin pranë qytetit të pushtuar dhe «bënë marrëveshje diplomatike». (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, 1975, f. 93) Berosi (i njohur nëpërmjet Polihistorit dhe Abidenit, të cituar që të dy nga Eusebi) thotë se biri i Nabopolasarit, Nabukodonosori, u martua me bijën e mbretit med, e cila quhej Amitisë (ose Amuhea, sipas Abidenit). (Eusebi, Chronicorum liber prior, nga A. Shëne, Berlin, 1875, kol. 29, rreshtat 16-19, kol. 37, rreshtat 5-7) Mirëpo, historianët nuk janë në një mendje nëse Amitisa ishte bija e Siaksaresit apo e birit të tij, Astiagjit.
Bashkë me babilonasit mposhtin Asirinë. Më në fund, pas betejash të tjera kundër asirianëve, në vitin e 14-të të mbretërimit të Nabopolasarit (632 p.e.s.), ushtritë aleate të medëve dhe babilonasve pushtuan Ninevinë. (So 2:13) Asirianët u tërhoqën në Haran, (rreth 360 km) në perëndim, ku bënë qëndresë. Por, ndonëse u erdhën përforcime nga Egjipti, orvatja e tyre për të mbajtur sundimin shkoi kot; Perandoria Asiriane u nda mes medëve dhe babilonasve. (Na 2:8-13; 3:18, 19) Siç duket, medët morën pjesën veriore të territorit, kurse babilonasit morën pjesën jugore dhe jugperëndimore, ku përfshiheshin Siria dhe Palestina. Paskëtaj, Siaksaresi depërtoi në Azinë e Vogël, deri në lumin Halis, ku luftimet me Lidinë mbetën në vend-numëro, e kështu Halisi u bë kufiri më i largët perëndimor i Perandorisë Mede. Kjo perandori përfshinte tani pjesën më të madhe të rrafshnaltës iraniane, Mesopotaminë Veriore, Armeninë dhe Kapadokinë.
Humbin epërsinë para persëve. Në atë epokë, medët, me kryeqytet Ekbatanën (Ezd 6:2), kishin epërsi mbi persët, të cilët kishin pushtuar zonën në jug të Medisë. Të dy historianët grekë, Herodoti (I, 107, 108) dhe Ksenofoni (Kiropedia, I, ii, 1), tregojnë se pasuesi i Siaksaresit, Astiagji (i quajtur Ishtumegu në dokumentet me shkrim kuneiform), i kishte dhënë për grua të bijën, Mandanen, monarkut pers Kambis, e nga ajo martesë kishte lindur Kiri (II). Si u bë mbret i provincës perse të Anshanit, Kiri bashkoi forcat ushtarake perse dhe u përpoq të hiqte qafe zgjedhën e Medisë. Në Kronikën e Nabonidit lexojmë se «ushtria e Ishtumegut [Astiagjit] u rebelua» dhe, pasi «e lidhën me vargonj», ia dorëzuan Kirit, i cili pushtoi pastaj kryeqytetin e Medisë. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 305) Që nga ai moment e tutje, medët u shkrinë me persët dhe u formua Perandoria Medo-Perse. Pra, krahasimi i fuqisë dyshe medo-perse me një dash me dy brirë në vegimin e profetit Daniel, është shumë i goditur. Në atë vegim, briri më i lartë «doli më pas», duke përfaqësuar kështu ngritjen në pushtet të persëve dhe epërsinë e tyre në perandori gjer në fund të ekzistencës së saj.—Dn 8:3, 20.
Gjithsesi, dëshmitë tregojnë se Kiri i caktoi medët në poste me pushtet e me autoritet, kështu që ata vazhduan të zinin një vend të rëndësishëm në qeverinë e tij. Në fakt, shkrimi i mistershëm në mur që profeti Daniel i interpretoi mbretit Belshazar, parathoshte se Perandoria Babilonase do të ndahej dhe do t’u jepej «medëve dhe persëve»; edhe tjetërkund në librin e Danielit, medët përmenden të parët në shprehjen ‘ligji i medëve e i persëve’. (Dn 5:28; 6:8, 12, 15) Shekullin vijues, në librin e Esterës (Es 1:3, 14, 18, 19) rendi përmbyset, me përjashtim të një rasti (Es 10:2) ku medët u paraprijnë persëve nga ana historike.
Bashkë me persët mposhtin Babiloninë. Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Isaia kishte parathënë se Jehovai do të ngrinte kundër Babilonisë ‘medët, që argjendin s’e kishin për gjë dhe që tek ari s’gjenin kënaqësi. Harqet e tyre do të bënin copë e çikë edhe të rinjtë’. (Is 13:17-19; 21:2) Këtu termi «medët» mund të përfshijë edhe persët, ashtu si historianët e lashtë grekë përfshinin shpesh në këtë term edhe medët, edhe persët. Fakti që medëve nuk u hynte në sy argjendi dhe ari tregon se në rastin e Babilonisë, motivi kryesor ishte dëshira për ta pushtuar, jo për të bërë plaçkë, ndaj nuk kishte ryshfet a haraç që t’i kandiste të hiqnin dorë nga synimi i tyre. Si për medët, ashtu edhe për persët, arma kryesore ishte harku. Ka shumë të ngjarë që harqet e drunjta, të përforcuara nganjëherë me bronz a bakër (krahaso Ps 18:34), ‘t’i kenë bërë copë e çikë të rinjtë e Babilonisë’ me breshëri shigjetash të mprehura një më një, që të depërtonin edhe më thellë.—Jr 51:11.
Vlen të përmendet se mes atyre që do të sulmonin Babiloninë, Jeremia (51:11, 28) përmend «mbretërit e Medisë» në shumës, mbase për të treguar se ndërkohë që sundonte Kiri, mund të kenë ekzistuar edhe një a disa mbretër medë më të vegjël se ai, dhe kjo situatë nuk ishte aspak e pazakontë në atë epokë. (Krahaso edhe Jr 25:25.) Po ashtu, kur Babilonia u pushtua nga ushtritë aleate të medëve, persëve, elamitëve dhe fiseve të tjera fqinje, ‘u bë mbret në mbretërinë e kaldeasve’ një med me emrin Dar, i emëruar me sa duket nga mbreti Kir i Persisë.—Dn 5:31; 9:1; shih DARI nr. 1.
Munden nga Aleksandri i Madh. Në epokën e mbretit Asuer (që mendohet se ishte Kserksi I), flitej ende për ‘ushtrinë e Persisë e të Medisë’, këshilli i mbretit përbëhej nga «shtatë princat e Persisë dhe të Medisë» dhe ligjet quheshin ende ‘ligje të Persisë dhe të Medisë’. (Es 1:3, 14, 19) Në vitin 334 p.e.s., Aleksandri i Madh korri të parën fitore vendimtare kundër forcave të Persisë, dhe në vitin 330 p.e.s. pushtoi Medinë. Pas vdekjes së tij, pjesa jugore e Medisë u përfshi në Perandorinë e Seleukajve, ndërsa pjesa veriore u bë mbretëri e pavarur. Ndonëse Media binte herë nën sundimin e partëve, herë nën sundimin e Perandorisë së Seleukajve, gjeografi grek Straboni tregon se në shekullin e parë të e.s. ekzistonte ende një dinasti mede. (Gjeografia, 11, XIII, 1) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., në Jerusalem ndodheshin medë, si edhe partë, elamitë e njerëz të kombësive të tjera. Ata u quajtën «judenj që kishin ardhur nga të gjitha kombet . . . , njerëz plot nderim për Perëndinë». Pra, ndoshta ishin pasardhës të judenjve që u çuan në mërgim në qytetet e medëve pas pushtimit të Izraelit nga Asiria ose disa mund të kenë qenë prozelitë që përqafuan fenë e judenjve.—Ve 2:1, 5, 9.
Në shekullin e tretë të e.s., medët ishin shkrirë me pjesën tjetër të kombit iranian, e kështu nuk ekzistonin më si popull më vete.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Deti Kaspik
MEDI
Lumi Arakses
Liqeni Urmia
Malet Elburs
Ekbatanë
Malet Zagros
Lumi Tigër
Babiloni
Lumi Eufrat
ELAM
Gjiri Persik
ASIRI