MESI
Pjesa e trupit të njeriut që përfshin kryqet dhe ijët. Fjala hebraike mothnájim zakonisht përkthehet «mes», «brez» dhe «ijë», ndonëse në hebraisht ka një fjalë tjetër që tregon më specifikisht «ijët».—Shih IJËT.
Zakonisht në mes ose në brez mbahej një rrip në të cilin, sidomos ushtarët, ngjishnin millin e shpatës ose të kamës. (2Sa 20:8; Ne 4:18) Sekretari e mbante kallamarin në brez poshtë rripit ose qemerit. (Ezk 9:2) Izraelitët ngjishnin rreth mesit një copë thesi si shenjë zie.—Am 8:10.
Para se të ndërmerrte ndonjë aktivitet energjik, një njeri ‘ngjishte rrobën në mes’ duke kaluar mes këmbëve pjesën e fundit të veshjes së gjerë e të derdhur e duke e ngecur poshtë rripit. Kur ishin në Egjipt, izraelitët e hëngrën Pashkën me rrobën të ngjeshur në mes, gati për të ikur. Edhe Elija bëri të njëjtën gjë kur vrapoi para karrocës së Akabit.—Da 12:11; 1Mb 18:46.
Përdorimi i figurshëm. Muskujt në pjesën e mesit luajnë një rol të rëndësishëm kur ngremë dhe mbajmë pesha të rënda. Prandaj te Psalmi 66:11 thuhet me të drejtë: «Na e këpute mesin me barrë të rënda.» Për ata që dobësoheshin nga frika, vuajtja ose humbja në betejë thuhej se u dridhej mesi.—Ps 69:23; Ezk 21:6; 29:7.
Jehovai tha se shtëpia e Izraelit dhe e Judës kishin qenë si një rrip në mesin e tij, aq afër i kishte mbajtur, që të bëheshin lëvdim për të dhe diçka e bukur. (Jr 13:11) Për Jezu Krishtin është thënë në mënyrë profetike se do të mbretërojë me drejtësinë si brez në mes dhe me besnikërinë si brez në ijë. Kjo mund të tregojë se kur i ushtron fuqitë e tij, ai mbështetet ngushtësisht te drejtësia dhe besnikëria. Ashtu si rripi të mban fort, cilësia morale e drejtësisë e forcon atë si Gjykatësi i emëruar nga Jehovai.—Is 11:1, 5.