Bëj deklarim publik për shpëtim
«Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.»—ROMAKËVE 10:13, BR.
1. Përgjatë historisë, cilat paralajmërime kanë kumbuar?
HISTORIA përshkruan disa ‘ditë të Jehovait’. Përmbytja e ditëve të Noes, shfarosja e Sodomës dhe e Gomorrës, shkatërrimet e Jerusalemit në vitet 607 p.e.s. dhe 70 të e.s., ishin ditë të mëdha dhe frikësuese të Jehovait. Ato ishin ditë të zbatimit të drejtësisë mbi ata që u rebeluan kundër Jehovait. (Malakia 4:5; Luka 21:22) Gjatë atyre ditëve, shumë persona u zhdukën për shkak të ligësisë së tyre. Por disa mbijetuan. Jehovai bëri të kumbonin paralajmërime, që i njoftonin të ligjtë për kataklizmën që po u vinte rrotull dhe që u jepnin atyre me zemër të drejtë, një mundësi për të gjetur shpëtim.
2, 3. (a) Cili paralajmërim profetik u citua në Rrëshajët? (b) Që prej Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., çfarë kërkohej në thirrjen e emrit të Jehovait?
2 Shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 70 të e.s., është një shembull i shkëlqyer i kësaj. Duke e parathënë këtë ngjarje pothuajse 900 vjet më parë, profeti Joel shkroi: «Do të bëj shenjë paralajmëruese në qiell dhe në tokë, gjak, zjarr dhe kolona tymi. Vetë dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait.» Si mund ta mbijetonte kushdo një periudhë të tillë tmerruese? Nën frymëzim, Joeli shkroi: «Duhet të ndodhë që gjithkush që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jerusalem do të dalë se do të ndodhen të ikurit, tamam siç ka thënë Jehovai, dhe mes të mbijetuarve, të cilët i thërret Jehovai.»—Joeli 2:30-32, BR.
3 Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër iu drejtua një turme judenjsh dhe prozelitësh në Jerusalem dhe citoi profecinë e Joelit, duke treguar se ata që po e dëgjonin mund të prisnin një përmbushje në ditët e tyre: «Do të bëj shenja paralajmëruese lart në qiell dhe shenja poshtë në tokë, gjak, zjarr e avuj tymi; dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, përpara se të mbërrijë dita e madhe dhe e ndritur e Jehovait. Gjithkush që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Veprat 2:16-21, BR) Turmat që po dëgjonin Pjetrin, ishin të gjitha nën ligjin e Moisiut dhe prandaj e dinin emrin e Jehovait. Pjetri shpjegoi se që tani e tutje, të thërrisje emrin e Jehovait do të përfshinte diçka më shumë. Në mënyrë të spikatshme, kjo përfshinte pagëzimin në emër të Jezuit, të atij që ishte vrarë dhe pastaj ringjallur në jetë të pavdekshme qiellore.—Veprat 2:37, 38, BR.
4. Çfarë mesazhi deklaruan gjithandej të krishterët?
4 Që prej Rrëshajëve e më pas, të krishterët përhapën fjalën në lidhje me Jezuin e ringjallur. (1. Korintasve 1:23) Ata bënë të ditur se njerëzit mund të adoptoheshin si bij frymorë të Perëndisë Jehova dhe të bëheshin pjesë e një «Izraeli të Perëndisë» të ri, një kombi frymor që do të ‘deklaronte gjithandej shkëlqesitë e Jehovait’. (Galatasve 6:16; 1. Pjetrit 2:9, BR) Ata që do të qëndronin besimplotë deri në vdekje, do të trashëgonin jetën e pavdekshme qiellore, si bashkëtrashëgimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore. (Mateu 24:13; Romakëve 8:15, 16; 1. Korintasve 15:50-54) Më tepër akoma, këta të krishterë duhej të shpallnin ardhjen e ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait. Ata duhej të paralajmëronin botën judaike se do të përjetonte një mjerim, i cili do të eklipsonte çdo gjë që kishte goditur Jerusalemin dhe popullin e vetëshpallur të Perëndisë deri në atë kohë. Megjithatë, do të kishte të mbijetuar. Cilët? Ata që thërrisnin emrin e Jehovait.
«Në ditët e fundit»
5. Cilat përmbushje të profecive kanë ndodhur sot?
5 Në shumë aspekte, kushtet e atëhershme parafytyronin atë që shohim sot. Qysh prej 1914-s, njerëzimi ka qenë duke jetuar në një periudhë kohore të veçantë, së cilës Bibla i referohet si «koha e fundit», «përfundimi i sistemit të gjërave» dhe «ditët e fundit». (Danieli 12:1, 4, BR; Mateu 24:3-8, BR; 2. Timoteut 3:1-5, 13) Në shekullin tonë, luftërat mizore, dhuna e shfrenuar, rrënimi i shoqërisë dhe i ambientit, kanë siguruar një përmbushje të spikatshme të profecive të Biblës. Këto janë të gjitha pjesë të shenjës së profetizuar nga Jezui, që tregojnë se njerëzimi është pranë përjetimit të ditës përfundimtare, vendimtare dhe frikësuese të Jehovait. Kjo e arrin pikën më të lartë në betejën e Harmagedonit, kulmi i një «mjerimi të madh, të tillë, i cili nuk ka ndodhur që prej fillimit të botës e deri tani dhe as që do të ndodhë përsëri».—Mateu 24:21, BR; Zbulesa 16:16.
6. (a) Si ka vepruar Jehovai për të shpëtuar zemërbutët? (b) Ku e gjejmë këshillën e Pavlit mbi mënyrën për të mbijetuar?
6 Ndërsa dita e shkretimit afrohet gjithnjë e më shumë, Jehovai është duke vepruar për shpëtimin e zemërbutëve. Gjatë kësaj «kohe të fundit», ai ka mbledhur personat e fundit të Izraelit frymor të Perëndisë dhe e ka drejtuar vëmendjen e shërbëtorëve të tij tokësorë, që nga vitet 30 e këtej, tek grumbullimi i «një shumice të madhe, të cilën asnjë njeri nuk [është] në gjendje ta numërojë, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Si grup, këta «dalin nga mjerimi i madh» të gjallë. (Zbulesa 7:9, 14, BR) Por si mund ta bëjë të sigurt mbijetesën e tij apo të saj çdo individ? Kësaj pyetjeje i përgjigjet apostulli Pavël. Në kapitullin 10 të Romakëve, ai jep këshilla të shkëlqyera në lidhje me mbijetesën, këshilla që aplikoheshin në ditët e tij dhe që aplikohen përsëri në ditët tona.
Një lutje për shpëtim
7. (a) Cila shpresë identifikohet në Romakëve 10:1, 2? (b) Pse tani Jehovai mund të bëjë që «lajmi i mirë» të shpallet më gjerësisht?
7 Kur Pavli shkroi librin e Romakëve, Jehovai tashmë e kishte flakur tej Izraelin si komb. Megjithatë, apostulli pohoi: «Vullneti i mirë i zemrës sime dhe përgjërimi im ndaj Perëndisë për ta, janë në fakt për shpëtimin e tyre.» Shpresa e tij ishte që individë judenj të fitonin njohurinë e saktë mbi vullnetin e Perëndisë, i cili do të çonte në shpëtimin e tyre. (Romakëve 10:1, 2, BR) Më tepër akoma, Jehovai do të dëshironte shpëtimin për ata persona në mbarë botën e njerëzimit që ushtrojnë besim, siç tregohet në Gjonin 3:16: «Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme.» (BR) Sakrifica shpërblerëse e Jezuit, hapi rrugën për atë shpëtim të madh. Ashtu si në ditët e Noes dhe në ditët e tjera të gjykimit që pasuan, Jehovai bëri të shpallej «lajmi i mirë», që tregonte rrugën e shpëtimit.—Marku 13:10, 19, 20, BR.
8. Në imitim të Pavlit, kujt ia tregojnë vullnetin e mirë të krishterët sot dhe si?
8 Duke treguar vullnetin e tij të mirë, si ndaj judenjve, ashtu dhe ndaj johebrenjve, Pavli predikoi në çdo rast. Ai «do të bindte judenj dhe grekë». Ai u tha pleqve të Efesit: «Nuk u përmbajta t’ju thosha secilën prej gjërave që ishin të dobishme e as t’ju mësoja publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi. Por u dhashë plotësisht dëshmi, si judenjve, ashtu edhe grekëve, në lidhje me pendimin ndaj Perëndisë dhe me besimin në Zotërinë tonë Jezu.» (Veprat 18:4; 20:20, 21, BR) Në mënyrë të ngjashme, sot Dëshmitarët e Jehovait e shpenzojnë veten e tyre në predikim, jo vetëm ndaj të krishterëve të vetëshpallur, por ndaj të gjithë njerëzve, madje deri «në pjesën më të largët të tokës».—Veprat 1:8, BR; 18:5.
Të rrëfejmë «‘fjalën’ e besimit»
9. (a) Çfarë lloj besimi inkurajon Romakëve 10:8, 9? (b) Kur dhe si duhet ta bëjmë rrëfimin e shpresës sonë?
9 Për shpëtim, kërkohet një besim i qëndrueshëm. Duke cituar Ligjin e përtërirë 30:14, Pavli deklaroi: «‘Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde’, domethënë ‘fjala’ e besimit, që ne po predikojmë.» (Romakëve 10:8, BR) Ndërsa predikojmë këtë «‘fjalë’ të besimit», ajo gdhendet gjithnjë e më shumë në zemrën tonë. Kështu ndodhi me Pavlin, dhe fjalët e tij të mëtejshme mund ta forcojnë vendosmërinë tonë për të qenë si ai në ndarjen e besimit me të tjerët: «Nëse deklaron publikisht atë ‘fjalë në gojën tënde’, domethënë që Jezui është Zotëri, dhe ushtron besim në zemrën tënde se Perëndia e ngriti atë së vdekuri, do të shpëtosh.» (Romakëve 10:9, BR) Ky rrëfim nuk bëhet para të tjerëve vetëm në çastet e pagëzimit, por duhet të jetë një rrëfim në vazhdimësi, një dëshmi e zellshme publike rreth të gjitha aspekteve të së vërtetës. Një e vërtetë e tillë përqendrohet në emrin e vyer të Zotërisë Sovran Jehova, në Mbretin dhe Shpërblyesin tonë Mesianik, Zotërinë Jezu Krisht dhe në premtimet e mrekullueshme të Mbretërisë.
10. Në përputhje me Romakëve 10:10, 11, si duhet ta trajtojmë këtë «‘fjalë’ të besimit»?
10 Nuk ka shpëtim për asnjë që nuk pranon dhe nuk aplikon këtë «‘fjalë’ të besimit», siç vazhdon të thotë apostulli: «Me zemër një person ushtron besim për drejtësi, por me gojë bën deklarimin publik për shpëtim. Sepse Shkrimi thotë: ‘Kushdo që vendos besimin e tij në të, nuk do të zhgënjehet.’» (Romakëve 10:10, 11, BR) Ne duhet të fitojmë njohuri të saktë mbi këtë «‘fjalë’ të besimit» dhe të vazhdojmë ta ushqejmë atë në zemrat tona, që të jemi të motivuar për t’ua treguar atë të tjerëve. Vetë Jezui na kujton: «Cilitdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez tradhtie bashkëshortore dhe mëkatar, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të, kur të mbërrijë në lavdinë e Atit të tij me engjëjt e shenjtë.»—Marku 8:38, BR.
11. Sa gjerësisht duhet shpallur lajmi i mirë dhe pse?
11 Siç u paratha nga profeti Daniel, në këtë kohë të fundit, «ata që kanë mendjehollësi», janë parë duke shkëlqyer «si shndritja e shtrirjes», ndërsa dëshmia e Mbretërisë shtrihet deri në skajet e tokës. Ata «po sjellin të shumtët tek drejtësia» dhe njohuria e vërtetë është bërë në fakt e bollshme, sepse Jehovai po hedh dritë gjithnjë e më të ndritshme mbi profecitë që kanë të bëjnë me këtë kohë të fundit. (Danieli 12:3, 4, BR) Është fjala për një mesazh shpëtimi që është jetësor për mbijetesën e atyre, të cilët duan të vërtetën dhe drejtësinë.
12. Si lidhet ngushtë Romakëve 10:12 me detyrën e engjëllit të përshkruar në Zbulesën 14:6?
12 Apostulli Pavël vazhdon: «Nuk ka dallim midis judeut dhe grekut, sepse është i njëjti Zotëri mbi të gjithë, i cili është i pasur kundrejt të gjithë atyre që e thërrasin.» (Romakëve 10:12, BR) Sot, «lajmi i mirë» duhet predikuar në një shkallë globale edhe më të madhe: të gjithë popujve, deri në skajet e skajeve të tokës. Engjëlli i Zbulesës 14:6 vazhdon të fluturojë në mes të qiellit, duke na besuar «lajmin e mirë të përhershëm, për t’ia deklaruar si lajm të ri të gëzuar atyre që banojnë në tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». Si do të përfitojnë ata që do të përgjigjen?
Të thërrasim emrin e Jehovait
13. (a) Cili është shkrimi ynë i vitit për 1998-n? (b) Pse ky shkrim viti është më se i përshtatshëm sot?
13 Duke cituar Joelin 2:32, Pavli deklaron: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Romakëve 10:13, BR) Sa e përshtatshme është që këto fjalë janë zgjedhur si shkrimi i vitit i Dëshmitarëve të Jehovait për 1998-n! Kurrë më parë nuk ka qenë më e rëndësishme se sot që të shkojmë përpara me besim në Jehovain, duke bërë të njohur emrin e tij dhe qëllimet e mëdha që përfaqëson ai! Ashtu si në shekullin e parë, edhe në ditët e fundit të sistemit të tanishëm të korruptuar të gjërave, ushton thirrja kumbuese: «Shpëtoni nga ky brez dredharak.» (Veprat 2:40, BR) Është një ftesë si tingull borie për të gjithë njerëzit me frikë Perëndie anembanë botës, që të thërrasin Jehovain, për t’u dhënë shpëtimin atyre dhe personave që dëgjojnë deklarimin publik të lajmit të mirë që bëjnë ata.—1. Timoteut 4:16, BR.
14. Cilin Shkëmb duhet të thërrasim për shpëtim?
14 Çfarë do të ndodhë kur dita e Jehovait të shpërthejë në këtë tokë? Shumica nuk do t’i drejtohet Jehovait për shpëtim. Njerëzimi në përgjithësi do të «vazhdojë t’u thotë maleve dhe masave shkëmbore: ‘Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e Atij të ulur në fron dhe nga zemërimi i Qengjit’». (Zbulesa 6:15, 16, BR) Shpresa e tyre do të jetë në organizatat dhe institucionet ngjashëm maleve, të këtij sistemi gjërash. Por sa më mirë do të ishte sikur të besonin në Shkëmbin më të madh nga të gjithë, në Perëndinë Jehova! (Ligji i përtërirë 32:3, 4, BR) Për të, mbreti David tha: «Jehovai është shkrepi im, fortesa ime dhe Siguruesi i ikjes sime për shpëtim.» Jehovai është «Shkëmbi ynë i shpëtimit». (Psalmi 18:2; 95:1, BR) Emri i tij është «një kështjellë e fortë», e vetmja «kështjellë» mjaft e fortë për të na mbrojtur gjatë krizave që do të vijnë. (Proverbat [Fjalët e urta] 18:10, BR) Pra, është jetësore që sa më shumë të jetë e mundur prej pothuajse gjashtë miliardë njerëzve sot të gjallë, të mësohen të thërrasin emrin e Jehovait me besim të plotë dhe sinqeritet.
15. Çfarë tregon Romakëve 10:14 në lidhje me besimin?
15 Në mënyrë të përshtatshme, apostulli Pavël vazhdon të pyesë: «Megjithatë, si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë vendosur besimin?» (Romakëve 10:14, BR) Janë të shumtë ata që ende mund të ndihmohen ta bëjnë të tyren «‘fjalën’ e besimit», që të thërrasin Jehovain për shpëtim. Besimi është jetësor. Në një letër tjetër, Pavli thotë: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqejmë [Perëndisë], sepse ai që i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell.» (Hebrenjve 11:6, BR) Por, si do të arrijnë miliona të tjerë më shumë, ta vendosin besimin tek Perëndia? Në letrën drejtuar romakëve, Pavli pyet: «Nga ana e tyre, si do ta vendosin besimin në atë, për të cilin nuk kanë dëgjuar?» (Romakëve 10:14, BR) A e ka siguruar Jehovai mjetin që ata të dëgjojnë? Të jesh i sigurt se po! Dëgjo fjalët vijuese të Pavlit: «Si do të dëgjojnë ata, nga ana e tyre, pa pasur dikë që t’u predikojë?»
16. Në rregullimin hyjnor, pse predikuesit janë thelbësorë?
16 Nga argumentimi i Pavlit, është e qartë si kristali se nevojiten predikues. Jezui tregoi se do të ishte kështu, tamam «deri në përfundim të sistemit të gjërave». (Mateu 24:14, BR; 28:18-20) Predikimi është një pjesë thelbësore e rregullimit hyjnor për të ndihmuar njerëzit të thërrasin emrin e Jehovait, që të shpëtojnë. Edhe në të ashtuquajturin krishterim, shumica nuk bën asgjë për të nderuar emrin e vyer të Perëndisë. Shumë prej tyre e kanë bashkuar në mënyrë të koklativur Jehovain me dy identitete të tjera, në një dogmë të pashpjegueshme Triniteti. Gjithashtu, shumë futen në klasën, për të cilën flitet në Psalmin 14:1 dhe 53:1: «I marri ka thënë në zemër të tij: ‘Nuk ka Jehova.’» Ata duhet ta dinë se Jehovai është Perëndia i gjallë dhe duhet të kuptojnë të gjithë se emri i tij përfaqëson faktin nëse ata do të shpëtojnë apo jo në mjerimin e madh që është te dera.
‘Këmbët e bukura’ të predikuesve
17. (a) Pse është e përshtatshme që Pavli të citonte një profeci rivendosjeje? (b) Çfarë përfshihet në pasjen e ‘këmbëve të bukura’?
17 Apostulli Pavël ka edhe një pyetje tjetër jetësore: «Si do të predikojnë ata, nga ana e tyre, nëse nuk janë dërguar? Siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që deklarojnë lajmin e mirë të gjërave të mira!’» (Romakëve 10:15, BR) Këtu Pavli citon Isainë 52:7, e cila është pjesë e profecive të rivendosjes, që janë aplikuar qysh prej 1919-s. Sot, edhe një herë, Jehovai dërgon «atë që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen, që sjell lajmin e mirë të diçkaje më të mirë, që shpall shpëtimin». Në mënyrë të bindur, «rojet» e mirosura të Perëndisë dhe shokët e tyre, vazhdojnë të thërrasin me gëzim. (Isaia 52:7, 8, BR) Këmbët e atyre që sot shpallin shpëtimin mund të lodhen, madje të pluhurosen, ndërsa ecin nga shtëpia në shtëpi, por sa u rrëzëllejnë fytyrat nga gëzimi! Ata e dinë se nga Jehovai janë të ngarkuar me detyrën e shpalljes së lajmit të mirë të paqes dhe të ngushëllimit të atyre që mbajnë zi, për t’i ndihmuar që të thërrasin emrin e Jehovait, me sytë nga shpëtimi.
18. Çfarë thotë Romakëve 10:16-18 në lidhje me rezultatin final të kumbimit të lajmit të mirë?
18 Qoftë nëse njerëzit «e vënë besimin te gjëja e dëgjuar», qoftë nëse zgjedhin të mos i binden asaj, fjalët e Pavlit tingëllojnë të vërteta: «Mos vallë nuk kanë dëgjuar? Epo, në fakt, ‘tingulli i tyre doli në të gjithë tokën dhe thëniet e tyre deri në skajet e tokës së banuar’.» (Romakëve 10:16-18, BR) Ashtu si «qiejtë deklarojnë lavdinë e Perëndisë», ashtu siç shfaqet në veprat e tij të krijimit, kështu edhe Dëshmitarët e tij në tokë duhet të shpallin «vitin e vullnetit të mirë nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë sonë . . . për të ngushëlluar të gjithë ata që mbajnë zi».—Psalmi 19:1-4; Isaia 61:2, BR.
19. Çfarë do të rezultojë për ata që ‘thërrasin emrin e Jehovait’?
19 Dita e madhe dhe frikësuese e Jehovait afrohet gjithnjë e më shumë. «Sa keq për atë ditë, sepse dita e Jehovait është afër dhe si një plaçkitje nga i Plotfuqishmi do të vijë ajo!» (Joeli 1:15; 2:31, BR) Është lutja jonë që të jenë shumë e shumë më tepër ata që i përgjigjen me urgjencë lajmit të mirë, duke u mbledhur bashkë me organizatën e Jehovait. (Isaia 60:8; Habakuku 2:3) Sill ndër mend se ditët e tjera të Jehovait sollën rrënimin për të ligjtë: në ditët e Noes, në ditët e Lotit dhe në ditët e Izraelit dhe të Judesë apostate. Tani ne qëndrojmë në buzë të mjerimit më të madh nga të gjithë, kur erërat e stuhishme të Jehovait do ta fshijnë ligësinë nga faqja e kësaj toke, duke pastruar rrugën për një parajsë paqeje të përjetshme. A do të jesh një person që «thërret emrin e Jehovait» me besim të plotë? Nëse po, gëzohu! Ke premtimin e vetë Perëndisë se do të shpëtosh.—Romakëve 10:13, BR.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat gjëra të reja u shpallën pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s.?
◻ Si duhet t’i kushtojnë vëmendje «‘fjalës’ së besimit» të krishterët?
◻ Ç’do të thotë të ‘thërrasësh emrin e Jehovait’?
◻ Në ç’kuptim kanë ‘këmbë të bukura’ lajmëtarët e Mbretërisë?
[Figurat në faqen 18]
Populli i Perëndisë po deklaron shkëlqesitë e tij në Porto Riko, Senegal, Peru, Papua Guinea e Re; po, rreth e rrotull globit