FILISTIA, FILISTINËT
Filistia mbulonte një zonë që shtrihej gati 80 km përgjatë Mesdheut (Da 23:31), duke filluar në afërsi të Jopës në veri deri poshtë në Gazë në jug, dhe futej rreth 24 km në brendësi. ‘Deti i filistinëve’ me sa duket ishte ajo pjesë e Mesdheut që lagte bregdetin e Filistisë. Dunat e rërës përgjatë bregut depërtojnë goxha në brendësi të vendit, disa herë deri në 6 km. Pavarësisht nga kjo, është rajon pjellor ku rriten drithëra, ullinj dhe fruta.
Gjatë pjesës më të madhe të periudhës që i referohen Shkrimet Hebraike, filistinët zinin rrafshinën bregdetare dhe ishin ndër armiqtë e betuar të izraelitëve. (Is 9:12; 11:14) Ishin të parrethprerë (2Sa 1:20) dhe politeistë (Gjy 16:23; 2Mb 1:2; shih BAAL-ZEBUBI; DAGONI). Ishin bestytë, prandaj këshilloheshin me priftërinjtë dhe fallxhorët për të marrë vendime. (1Sa 6:2; krahaso Is 2:6.) Kur shkonin në betejë, luftëtarët merrnin me vete idhuj të perëndive të tyre. (2Sa 5:21) Në vendin e tyre, që quhej Filisti (Da 15:14; Ps 60:8; 87:4; 108:9; Is 14:29, 31), gjendeshin qytetet e Gazës, Ashkelonit, Ashdodit, Ekronit dhe Gathit. Për shekuj me radhë, çdonjëri nga këto qytete qeverisej nga një sundimtar i aleancës.—Js 13:3; 1Sa 29:7; shih SUNDIMTARËT E ALEANCËS.
Historia. Filistinët mërguan në bregdetin e Kanaanit nga Kreta (që zakonisht mendohet se është Kaftori), edhe pse nuk ishin medoemos me origjinë nga ky ishull. (Jr 47:4; Am 9:7; shih KAFTORI, KAFTORIMËT; KRETA, KRETASIT.) Nuk dihet se kur filloi ky mërgim. Megjithatë, filistinët banonin në Gerar, në jug të Kanaanit, që nga koha e Abrahamit dhe e birit të tij, Isakut. Ata kishin një mbret, Abimelekun, dhe një ushtri me në krye njëfarë Fikoli.—Zn 20:1, 2; 21:32-34; 26:1-18; shih ABIMELEKU nr. 1 dhe nr. 2.
Disa nuk janë dakord me të dhënat e Zanafillës se në Kanaan banonin filistinë, duke argumentuar se ata u vendosën në atë vend vetëm në shekullin e 12-të p.e.s. Por ky kundërshtim nuk ka ndonjë bazë të fortë. Një fjalor biblik vëren: «Meqë filistinët nuk përmenden në mbishkrimet jobiblike deri në shekullin e 12-të p.e.s. dhe gjetjet arkeologjike që kanë lidhje me ta nuk shfaqen para kësaj kohe, shumë komentues mendojnë se vendosja e tyre në periudhën patriarkale është një gabim kronologjik.» (New Bible Dictionary, nga Xh. Dagllasi 1985, f. 933) Për të treguar se një arsyetim i tillë nuk qëndron, jepen prova të një shtrirjeje të madhe të tregtisë nga Egjeu që rreth shekullit të 20-të p.e.s. Vihet në dukje fakti që, edhe pse një grup etnik nuk ishte aq i shquar sa të përmendej në mbishkrimet e një kombi tjetër, kjo nuk do të thotë se nuk ekzistonte. Në këtë fjalor nxirret ky përfundim: «Mes tregtarëve të hershëm të Egjeut nuk ka pse të mos ketë pasur grupe filistine të vogla, jo aq të rëndësishme sa të tërhiqnin vëmendjen e shteteve më të mëdha.»
Kur izraelitët lanë Egjiptin në vitin 1513 p.e.s., Jehovai zgjodhi të mos i drejtonte për në Filisti (rruga më e drejtpërdrejtë nga Egjipti për në Tokën e Premtuar), se mos shkurajoheshin kur të shihnin menjëherë luftë e vendosnin të ktheheshin në Egjipt. (Da 13:17) Vështirë se filistinët do ta konsideronin afrimin e miliona izraelitëve thjesht si një kalim ndërkombëtar të zakonshëm përmes vendit të tyre. Ata ishin një popull i sistemuar mirë aty. Kurse rajoni i Sinait, ku Jehovai drejtoi Izraelin, nuk ishte shumë i populluar. Atje banonin kryesisht fise nomade, prandaj Izraeli mund të futej pa provokuar ndonjë konflikt të menjëhershëm.
Kur Josiu i moshuar ndau tokën në perëndim të Jordanit, territoret filistine akoma nuk ishin pushtuar. (Js 13:2, 3) Megjithatë, më vonë, burrat e Judës morën tri nga qytetet kryesore filistine, Gazën, Ashkelonin dhe Ekronin. Mirëpo kjo ishte vetëm një fitore e pjesshme, sepse Juda «nuk mundi t’ua merrte pronat banorëve të ultësirës, pasi ata kishin karroca lufte me kosa të hekurta».—Gjy 1:18, 19.
Në kohën e gjykatësve. Për vite të tëra paskëtaj, ekzistenca e filistinëve dhe e popujve të tjerë në Kanaan shërbeu për të vënë në provë Izraelin nëse do t’i bindej Jehovait. (Gjy 3:3, 4) Herë pas here izraelitët dështuan dhe përvetësuan adhurimin e rremë. Prandaj Jehovai i braktisi dhe i la në dorë të armiqve tyre, pra, edhe në dorë të filistinëve. (Gjy 10:6-8) Por, kur izraelitët i luteshin për ndihmë, Jehovai u jepte me mëshirë gjykatës për t’i çliruar. (Gjy 2:18) Një nga këta, Shamgari, vrau 600 filistinë vetëm me një hosten qesh. (Gjy 3:31) Vite më vonë, siç ishte thënë për të para se të lindte, Samsoni ‘mori përsipër të shpëtonte Izraelin nga duart e filistinëve’. (Gjy 13:1-5) Në fillimet e tij si gjykatës, filistinët sundonin mbi atë territor, dhe për këtë dëshmon rasti kur burrat e Judës ia dorëzuan Samsonin atyre që të shmangnin problemet.—Gjy 15:9-14.
Profeti Samuel ishte dëshmitar i shtypjes filistine dhe ndihmoi për t’i mposhtur. Kur shërbente në tabernakullin në Shiloh, nga fundi i periudhës që kryeprifti Eli gjykonte Izraelin, filistinët vranë rreth 4.000 izraelitë në zonën e Afekut dhe Ebenezerit. Atëherë izraelitët e çuan Arkën e shenjtë në fushën e betejës me mendimin se ajo do t’u sillte fitore. Filistinët e intensifikuan edhe më shumë sulmin dhe vranë 30.000 izraelitë e morën Arkën. (1Sa 4:1-11) Pastaj Arkën e çuan në tempullin e perëndisë së tyre Dagon, në Ashdod. Shëmbëlltyra e Dagonit ra dy herë me fytyrë përtokë. Herën e dytë u thye i tëri. (1Sa 5:1-5) Atëherë Arkën e kaluan nga njëri qytet filistin në tjetrin, por, kudo që e çuan, shkaktoi panik dhe sëmundje. (1Sa 5:6-12) Më në fund, shtatë muaj pasi e kishin marrë, filistinët ia kthyen Izraelit.—1Sa 6:1-21.
Gati 20 vjet më vonë (1Sa 7:2), filistinët dolën kundër izraelitëve, të cilët ishin mbledhur për të adhuruar në Mizpah nën drejtimin e Samuelit. Këtë herë Jehovai i hutoi filistinët dhe populli i tij i mundi. Më pas, «Izraelit iu kthyen qytetet që i kishin marrë filistinët, nga Ekroni deri në Gath».—1Sa 7:5-14.
Nga mbretërimi i Saulit deri në fitoret e Davidit. Megjithatë, kjo nuk u dha fund vështirësive që hiqte Izraeli nga filistinët. (1Sa 9:16; 14:47) Me sa duket, para mbretërimit të Saulit, ata kishin vënë garnizone në territorin e Izraelit. (Krahaso 1Sa 10:5; 13:1-3.) Filistinët ishin mjaft të fortë dhe i ndaluan izraelitët të kishin kovaçët e tyre, duke i lënë kështu të paarmatosur. Kjo i detyronte izraelitët të shkonin tek ata edhe për mprehur veglat bujqësore. (1Sa 13:19-22) Gjendja ishte aq e rëndë, sa disa hebrenj kaluan nga ana e filistinëve. (1Sa 14:21) Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, fushata e parë e rëndësishme e Saulit kundër filistinëve përfundoi me fitoren e Izraelit, që i goditi filistinët nga Mikmashi deri në Ajalon.—1Sa 13:1–14:31; shih MIKMAS(H)I.
Pas ca kohësh, me të marrë veten nga kjo goditje, filistinët mblodhën ushtrinë që të luftonin prapë kundër Izraelit. Të dyja ushtritë u rreshtuan ballë për ballë në të dyja anët e ultësirës së Elahut, në Judë. Për 40 ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, nga kampi filistin dilte një luftëtar me emrin Goliad, i cili e sfidonte Izraelin t’i jepte një burrë që të matej me të në dyluftim. (1Sa 17:1-10, 16) Kësaj sfide iu përgjigj bariu David, që me një hobe e një gur e shembi përtokë Goliadin. Pastaj i mori shpatën dhe e vrau. (1Sa 17:48-51) Atëherë izraelitët i ndoqën filistinët që po ia mbathnin dhe i goditën deri në qytetet e Gathit e të Ekronit.—1Sa 17:52, 53.
Paskëtaj Davidi vazhdoi të korrte fitore të tjera kundër filistinëve. Kur kthehej nga betejat, gratë thoshin ndërsa festonin: «Sauli ka vrarë mijëra, e Davidi dhjetëra mijë.» (1Sa 18:5-7; shih edhe 1Sa 18:25-27, 30; 19:8.) Nga kjo Sauli u bë aq xheloz, sa Davidit iu desh t’ia mbathte për të shpëtuar jetën. Ai iku në qytetin filistin të Gathit. (1Sa 18:8, 9; 20:33; 21:10) Atje duket se shërbëtorët e mbretit Akish kërkuan ta vritnin, por Davidi u hoq si i çmendur dhe arriti të dilte nga qyteti shëndoshë e mirë. (1Sa 21:10-15) Ca kohë më pas, edhe pse Sauli e përndiqte ende, Davidi shpëtoi qytetin e Kejlahut në Judë nga zhvatësit filistinë. (1Sa 23:1-12) Një mësymje tjetër e filistinëve në territorin izraelit e detyroi Saulin të mos e ndiqte përkohësisht Davidin.—1Sa 23:27, 28; 24:1, 2.
Ngaqë Sauli nuk po i ndahej, Davidi vendosi përsëri të strehohej në territorin filistin. Atje e mikpriti Akishi, mbreti i Gathit, i cili i dha Davidit qytetin e Ziklagut. (1Sa 27:1-6) Një a dy vjet më vonë, kur filistinët po përgatiteshin të luftonin kundër forcave të Saulit, mbreti Akish mendonte se Davidi ishte bërë «i pështirë për popullin e tij, Izraelin», prandaj e ftoi të shkonte me të. Mirëpo sundimtarët e tjerë të aleancës filistine nuk kishin besim te Davidi dhe këmbëngulën që ai e burrat e tij të ktheheshin në Filisti. Në betejën që u zhvillua më pas kundër Izraelit, filistinët korrën një fitore vendimtare dhe Sauli e tre bijtë e tij u vranë.—1Sa 27:12; 28:1-5; 29:1-11; 31:1-13; 1Kr 10:1-10, 13; 12:19.
Kur Davidi më në fund u miros si mbret i gjithë Izraelit, filistinët mësynë në ultësirën e Refaimit (në jugperëndim të Jerusalemit), por pësuan një humbje poshtëruese. (2Sa 5:17-21; 1Kr 14:8-12) Një mësymje tjetër e filistinëve përfundoi përsëri me fitoren e Izraelit. (2Sa 5:22-25; 1Kr 14:13-16) Gjatë mbretërimit të tij, Davidi luftoi edhe në shumë beteja të tjera kundër filistinëve dhe arriti t’i bënte zap, megjithëse në një rast gati sa nuk e vranë.—2Sa 8:1; 21:15-22; 1Kr 18:1; 20:4-8.
Nga mbretërimi i Solomonit e tutje. Për vite të tëra pas kësaj nuk ka të dhëna për ndonjë luftë me filistinët. Solomoni, biri i Davidit, mbretëroi në paqe (1037-998 p.e.s.) dhe sundimi i tij u shtri deri në qytetin filistin të Gazës.—1Mb 4:21-25; 2Kr 9:26.
Rreth 20 vjet pasi u formua mbretëria dhjetëfisëshe, filistinët zunë Gibetonin, një qytet në Dan. Ndërsa Nadabi, mbreti i Izraelit, po orvatej të merrte qytetin, e vrau Baasha, që filloi të mbretëronte në vend të tij. (Js 19:40, 44; 1Mb 15:27, 28) Gibetoni ishte ende në dorë të filistinëve edhe rreth 24 vjet më vonë kur Omri, kreu i ushtrisë së Izraelit, fushoi për të luftuar kundër tij.—1Mb 16:15-17.
Kur mbretëronte Jehozafati (936-rr. 911 p.e.s.), filistinët i çonin dhurata e haraç (2Kr 17:11) dhe kjo tregon se i nënshtroheshin. Por, gjatë sundimit të të birit, Jehoramit, filistinët e arabët sulmuan Judën dhe morën shumë plaçkë nga Jerusalemi. Ata zunë rob gratë dhe bijtë e Jehoramit—të gjithë, përveç të voglit, Jehoahazit. (2Kr 21:16, 17) Dekada më vonë, Uziahu, mbreti i Judës, doli në luftë kundër filistinëve, fitoi dhe u mori Gathin, Jabnehun e Ashdodin. Madje ai ndërtoi qytete në territorin e tyre. (2Kr 26:6-8) Mirëpo, kur mbretëronte nipi i tij, Akazi, filistinët morën disa qytete izraelite që nga Negebi deri në kufirin verior të mbretërisë së Judës, dhe u vendosën në to. (2Kr 28:18) Hezekia, biri i Akazit, përmbushi profecinë që kishte shpallur Isaia (14:28, 29) dhe i goditi filistinët deri në Gazë.—2Mb 18:8.
Referime profetike. Ngaqë ua kishin shitur «bijtë e Judës e të Jerusalemit» «bijve të grekëve», profecia e Joelit tregonte se filistinët do të përjetonin të njëjtën gjë. (Jo 3:4-8) Ajo profeci me sa duket u shkrua në shekullin e 9-të p.e.s., prandaj disfatat që u shkaktuan filistinëve Uziahu (2Kr 26:6-8) dhe Hezekia (2Mb 18:8) mund të ishin pjesë e përmbushjes së saj.
Megjithatë, duhet të jetë përmbushur në një shkallë më të madhe pasi izraelitët u kthyen nga mërgimi në Babiloni. Komentuesi K. F. Kajli vëren: «Aleksandri i Madh dhe ata që e pasuan në fron, liruan në vendet e tyre shumë të burgosur lufte judenj (krahaso premtimin që mbreti Demetër i bëri Jonatanit: ‘Do t’i liroj ata judenj që i kanë burgosur dhe i kanë bërë skllevër në vendin tonë.’ Jozefi, Ant. xiii. 2, 3), dhe disa vise të Filistisë e të Fenikisë ishin për njëfarë kohe nën sundimin e judenjve.» (Commentary on the Old Testament, 1973, vëll. X, Joeli, f. 224) (Krahaso Ab 19, 20.) Gjithashtu, vlen të përmendet se Aleksandri i Madh mori qytetin filistin të Gazës. Shumë banorë u vranë, kurse ata që mbijetuan, u shitën si skllevër. Kishte edhe profeci të tjera që flitnin për ekzekutimin e hakmarrjes së Jehovait ndaj filistinëve.—Is 14:31; Jr 25:9, 20; 47:1-7; Ezk 25:15, 16; Am 1:6-8; So 2:5; Za 9:5-7; për hollësi shih ASHDODI; ASHKELONI; EKRONI; GATHI; GAZA nr. 1.
Tek Ezekieli 16:27 thuhet se «bijave të filistinëve» do t’u vinte turp nga sjellja e shthurur e Jerusalemit. (Ezk 16:2) Duket se arsyeja për këtë ishte jobesnikëria e pashoqe e Jerusalemit ndaj Perëndisë së tij, Jehovait, ndërsa filistinët dhe popujt e tjerë mbanin fort adhurimin e perëndive të tyre të rreme.—Krahaso Jr 2:10, 11.