Lavdia më e madhe e shtëpisë së Jehovait
«‘Unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi’,—ka thënë Jehovai i ushtrive.»—HAGEU 2:7, BR.
1. Si lidhet fryma e shenjtë me besimin dhe me veprat?
DUKE predikuar shtëpi më shtëpi, një Dëshmitare e Jehovait takoi një zonjë, anëtare e Kishës Pentekostale, e cila komentoi: «Ne pentekostalët kemi frymën e shenjtë, por ju jeni ata që kryeni veprën.» Me takt, asaj gruaje iu shpjegua se dikush që ka frymën e shenjtë, do të ndihet natyrshëm i nxitur për të bërë veprën e Perëndisë. Jakovi 2:17 thotë: «Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.» Me ndihmën e frymës së Jehovait, Dëshmitarët e tij kanë kultivuar një besim të fortë dhe ai e ka ‘mbushur shtëpinë e tij me lavdi’, duke i dërguar ata që të kryejnë vepra të drejta, kryesisht, ‘të predikojnë këtë lajm të mirë të Mbretërisë në të gjithë tokën e banuar, për dëshmi në të gjitha kombet’. Kur kjo vepër të jetë kryer, derisa Jehovai të jetë kënaqur, «atëherë do të vijë fundi».—Mateu 24:14, BR.
2. (a) Çfarë bekimesh do të sjellë zhytja në veprën e Jehovait? (b) Përse duhet të jemi të lumtur për çdo «vonesë» në dukje?
2 Nga këto fjalë të Jezuit, arrijmë në përfundimin që vepra jonë sot duhet të përqendrohet në predikimin e «lajmit të mirë të lavdishëm të Perëndisë së lumtur», i cili na është besuar për t’ua dhënë të tjerëve. (1. Timoteut 1:11, BR) Sa më shumë që zhytemi me lumturi në shërbim të Jehovait, aq më shpejt do të duket se po vjen fundi. Në Habakukun 2:2, 3, lexojmë fjalët e Jehovait: «Shkruaje vegimin dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet lirshëm. Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; nëse vonon prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.» Po, «vegimi» do të vërtetohet, edhe «nëse vonon». Disa mund të mendojnë se meqë jemi në vitin e 83-të të sundimit të Mbretërisë së Jezuit, gjendemi qysh tani në një periudhë vonese. Megjithatë, a s’duhet të jemi të lumtur që fundi s’ka ardhur ende? Gjatë kësaj dekade të viteve ’90, në një mënyrë që mund të ngjajë e mrekullueshme, janë hequr kufizimet mbi predikimin e lajmit të mirë në Evropën Lindore, në disa pjesë të Afrikës dhe në vende të tjera. «Vonesa» në dukje, po u jep kohë gjithnjë e më shumë «deleve» që të mblidhen prej këtyre territoreve që janë hapur kohët e fundit.—Gjoni 10:16.
3. Përse pikëpamja jonë e përditësuar mbi shprehjen «ky brez», na nxit të jepemi me urgjencë në veprën e Perëndisë?
3 «Nuk do të vonojë», thotë profeti. Jezui tha se brezi i tanishëm i lig nuk do të kalojë, derisa «të gjitha këto gjëra të ndodhin». (Mateu 24:34, BR) A do të thotë kuptueshmëria jonë e përditësuar mbi fjalët e tij, se aktiviteti ynë i predikimit nuk është edhe aq urgjent?a Faktet tregojnë se është krejt e kundërta! Brezi ynë po bie në një gjendje ligësie dhe korrupsioni, që s’ka të krahasuar në gjithë historinë e mëparshme. (Krahaso Veprat 2:40.) Duhet të jepemi pas punës sonë me urgjencë. (2. Timoteut 4:2) Të gjitha profecitë, që kanë të bëjnë me kohën e mjerimit të madh, tregojnë se ai do të vijë papritur, në çast dhe vjedhurazi, si një hajdut. (1. Selanikasve 5:1-4; Zbulesa 3:3; 16:15) «Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë, kur ju nuk mendoni.» (Mateu 24:44) Ndërsa ky brez i paperëndishëm i njerëzimit vërdalloset buzë asgjësimit, sigurisht që ne s’duhet të flakim tej shpresën tonë të çmuar të jetës së përhershme, duke u rikthyer për ‘t’u zhgërryer në llucën’ e shpërqendrimeve botërore!—2. Pjetrit 2:22; 3:10; Luka 21:32-36.
4. Cila situatë ka kërkuar rritjen e furnizimeve për «ushqimin në kohën e duhur» dhe si është plotësuar kjo nevojë?
4 Në përputhje me fjalët e Jezuit, në vitin 1914 ndodhi «fillimi i dhembjeve të vuajtjeve», ndërkohë që njerëzimi hyri në «përfundimin e sistemit të gjërave». Hidhërimet, ngjarjet katastrofike dhe paligjshmëritë janë shtuar deri në ditët tona. (Mateu 24:3-8, 12, BR) Në të njëjtën kohë, Jehovai ka ngarkuar skllavin e emëruar të besueshëm dhe të matur, për të siguruar «ushqimin [frymor] në kohën e duhur» për shtëpiakët e Zotërisë së tyre, Krishtit. (Mateu 24:45-47) Që nga froni i tij në qiej, ky Mbret Mesianik po drejton tani një program të mrekullueshëm ushqimi frymor anembanë tokës.
«Furnizime ushqimore» me bollëk
5. Çfarë vëmendje i kushtohet asortimentit bazë të «ushqimit»?
5 Le të shqyrtojmë përgatitjen e «furnizimeve ushqimore». (Luka 12:42, BR) Asortimenti bazë në menunë e krishterë është Fjala e Perëndisë, Bibla. Për të mësuar Biblën me efektshmëri, një nevojë e dorës së parë është pasja e një përkthimi të lexueshëm e të saktë. Përgjatë viteve, kjo nevojë është përmbushur vazhdimisht, duke filluar sidomos në vitin 1950, kur në anglisht doli Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke. Nga viti 1961, u vu në dispozicion Përkthimi Bota e Re i tërë Biblës dhe shumë shpejt dolën botime edhe në gjuhë të tjera kryesore. Të 3 volumet që dolën gjatë vitit të shërbimit 1996, e çuan numrin e përgjithshëm në 27, nga të cilat 14 janë Bibla e plotë. Për t’u marrë me këtë punë për Biblën dhe për materialet ndihmëse, rreth 1.174 të krishterë të dedikuar po punojnë tani në kohë të plotë në përkthim, në 77 vende.
6. Si e ka përmbushur Shoqata kërkesën për botimin e Biblave?
6 Për të mbështetur punën e kësaj ushtrie përkthyesish, 24 degët tipografike të Shoqatës Watch Tower kanë prodhuar botime në një sasi gjithnjë e më të madhe. Për këtë qëllim, në degët kryesore po vazhdojnë të instalohen shtypshkronja të tjera rotative me shpejtësi të madhe. Prodhimi i revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! është rritur muaj pas muaji, duke arritur një numër të përgjithshëm prej 943.892.500 kopjesh, një rritje prej 13,4 për qind për këtë vit. Prodhimi i përgjithshëm i Biblave dhe i librave të lidhur vetëm në Shtetet e Bashkuara, Brazil, Finland, Gjermani, Itali, Japoni dhe Meksikë, është rritur reth 40 për qind nga viti 1995, me 76.760.098 kopje në 1996-n. Edhe degë të tjera kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në rritjen e përgjithshme në prodhimin e literaturës.
7. Në ç’mënyrë Isaia 54:2 merr një urgjencë më të madhe sot?
7 Një pjesë e madhe e rritjes është bërë e nevojshme gjatë viteve ’90, me heqjen e kufizimeve mbi Dëshmitarët e Jehovait në Evropën Lindore dhe në Afrikë. Urija për ushqim frymor është e madhe në këto vende. Kësisoj, fjalët e Isaisë ushtojnë me një urgjencë edhe më të madhe: «Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tua.»—Isaia 54:2.
8. Cila përgjigje bujare po ndihmon sigurimin e mbështetjes financiare?
8 Kjo ka bërë të nevojshme zgjerimin e ndërtesave në shumë prej 104 degëve të Shoqatës. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në shumicën e territoreve të sapohapura, një pjesë e madhe e shpenzimeve për këtë zgjerim është mbuluar nga kontributet për veprën mbarëbotërore në vendet me të ardhura më të mëdha. Lumturisht, kongregacionet dhe individët janë përgjigjur me gjithë zemër, në frymën e Daljes 35:21: «Kështu, tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit.» Ne përfitojmë nga ky rast, për të falënderuar të gjithë ata që kanë bërë pjesën e tyre në këtë dhënie bujare.—2. Korintasve 9:11.
9. Si po përmbushet sot Romakëve 10:13, 18?
9 Gjatë vitit 1996, botimet e Shoqatës Watch Tower kanë lavdëruar me të vërtetë emrin dhe qëllimet e Jehovait deri në skajet e tokës. Është tamam ashtu siç paratha apostulli Pavël. Duke cituar profecinë e Joelit dhe Psalmin 19, ai shkroi: «‘Kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë. Megjithatë, pyes: Ata nuk dështuan të dëgjonin, apo jo? Madje, në fakt, ‘tingulli i tyre doli në mbarë tokën dhe shprehjet e tyre deri në skajet e tokës së banuar’.» (Romakëve 10:13, 18, BR) Duke lëvduar në këtë mënyrë emrin e vyer Jehova, populli i tij ka luajtur një rol domethënës në mbushjen e shtëpisë së tij të adhurimit me lavdi. Megjithatë, si ka lulëzuar kjo shpallje veçanërisht gjatë vitit 1996? Të lutemi, shqyrto tabelën vijuese në faqet 18-21.
Korrje mbarëbotërore
10. Çfarë aspektesh të jashtëzakonshme vëren në aktivitetin e popullit të Jehovait, siç është përmbledhur në tabelën në faqet 18 deri 21?
10 Kurrë më parë, fjalët e Jezuit në Lukën 10:2 s’kanë pasur forcë më të madhe: «E korra është e madhe, kurse punëtorët janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.» A po i përgjigjesh kësaj thirrjeje? Anembanë tokës miliona vetë janë duke u përgjigjur. Këtë e vërteton edhe maksimumi i ri prej 5.413.769 lajmëtarësh të Mbretërisë, të cilët raportuan shërbimin në fushë gjatë vitit 1996. Për më tepër, u pagëzuan 366.579 vëllezër dhe motra të reja. Sa i çmojmë këto «gjëra të dëshirueshme të të gjitha kombeve», që tani kanë pjesën e tyre në ‘mbushjen e shtëpisë së adhurimit të Jehovait me lavdi’!—Hageu 2:7.
11. Përse të gjithë ne kemi arsye për të qenë tejet të gëzuar?
11 Raportet e zgjerimit në fushat e sapohapura janë të jashtëzakonshme. Mos vallë disa prej nesh janë ziliqarë për ata që tani po shohin një rritje të tillë? Përkundrazi, ne gëzojmë bashkë me ta. Të gjitha vendet kanë pasur fillime të vogla. Një profet bashkëkohës me Hageun, Zaharia, shkroi: «Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla?» (Zaharia 4:10) Jemi tejet të gëzuar që në vende ku vepra e dëshmisë është themeluar më së miri, gjenden tani miliona lajmëtarë të Mbretërisë, kurse territori mbulohet shpesh, madje çdo javë në shumë qytete të mëdha. A kemi arsye për të ndenjur duarkryq, ndërkohë që Jehovai tani po e shtrin mundësinë për shpëtim edhe në zona që dikur ishin të kufizuara? Aspak! «Ara është bota»,—tha Jezui. (Mateu 13:38) Një dëshmi e plotë duhet të vazhdojë të jepet, ashtu sikurse dishepujt e parë dhanë një dëshmi të plotë në përfundim të sistemit judaik të gjërave.—Veprat 2:40; 10:42; 20:24; 28:23.
Të shkojmë gjithnjë përpara
12. Çfarë nxitjeje kemi për të shkuar «drejt përpara»? (Shiko edhe kutinë «Duke korrur ‘në skajet e tokës’».)
12 Po, ne duhet të mbajmë ritmin, duke shkuar «drejt përpara» me karrocën engjëllore qiellore të Jehovait. (Ezekieli 1:12) Ne mbajmë në mendje fjalët e Pjetrit: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë disa njerëz ngadalësinë, por ai është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që dikush të shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2. Pjetrit 3:9, BR) Le të na nxitë përpara zelli shembullor i vëllezërve tanë në vende të varfra ekonomikisht. Çdo vonesë në dukje për shpërthimin e Harmagedonit, po lejon që qindra e mijëra persona të mblidhen në këto vende, sikurse edhe shumë të tjerë në territoret e punuara shumë. Mos u mashtroni në këtë gjë: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sofonia 1:14, BR) Edhe ne nga ana jonë duhet të shpejtojmë, për të dhënë një dëshmi të plotë përfundimtare!
13, 14. (a) Ç’mund të themi për shpërndarjen e botimeve gjatë vitit 1996? (b) Çfarë planesh speciale mund të bëjnë kongregacionet çdo vit dhe si po përgatitesh ti për të bërë pjesën tënde?
13 Edhe pse në tabelën e shërbimit nuk shfaqen hollësira, gjatë vitit të shkuar ka pasur një rritje të dukshme në shpërndarjen e Biblave, librave dhe revistave. Për shembull, lënia e revistave kudo në botë tregon një rritje prej 19 për qind, një shumë e përgjithshme prej 543.667.923 kopjesh të shpërndara. Revistat tona lehtësojnë punën në shërbimin e shumanshëm: në rrugë, në parqe, në stacione autobusi dhe nëpër qendra biznesi. Raportet tregojnë se në disa territore të stërpunuara nga lajmëtarët e Mbretërisë, punëtorë profesionistë kanë ngelur të habitur nga cilësia e revistave tona dhe po pranojnë studime biblike.
14 Çdo vit, gjatë muajit prill, zakonisht kongregacionet organizojnë aktivitete speciale me revistat, duke programuar një fushatë njëditore nga shtëpia në shtëpi dhe në vendet publike. A do të marrë pjesë edhe kongregacioni yt në këtë vepër gjatë prillit 1997? Për muajin prill janë përgatitur numra të jashtëzakonshëm të revistave Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe paraqitja e tyre e njëkohëshme anembanë botës sigurisht do të lërë gjurmën e vet! Në ishullin e Qipros, duke pasur si parrullë «të arrijmë cilindo që mundim me mesazhin e Mbretërisë», kongregacionet kanë vazhduar çdo muaj me veprën e programuar me revistat, duke arritur një maksimum të ri me 275.359 revista të shpërndara gjatë vitit, një rritje prej 54 për qind.
Mesazhi i fundit i Hageut
15. (a) Përse Jehovai dërgoi mesazhe të tjera nëpërmjet Hageut? (b) Çfarë mësimi duhet të na përcjellë mesazhi i tretë i Hageut?
15 63 ditë pasi kishte transmetuar mesazhin e tij të dytë, Jehovai e dërgoi Hageun me një shpallje të tretë, të cilën fare mirë mund ta marrim për zemër sot. Hageu foli sikur judenjtë të ishin në atë kohë duke hedhur themelet e tempullit, gjë që ata e kishin bërë në fakt 17 vjet më parë. Edhe një herë, Jehovai e sheh të udhës të drejtojë një vepër pastrimi. Priftërinjtë dhe populli ishin bërë moskokëçarës e në këtë mënyrë ishin të papastër në sy të Jehovait. A ka mundësi që edhe sot populli i Jehovait të ketë varur duart, duke u përzier madje edhe në rrugët toleruese dhe materialiste të botës? Është urgjente që të gjithë ne, «që sot e tutje», të vëmë zemrën tonë për t’i sjellë lavdi emrit të Jehovait, të sigurt në premtimin e tij: «Që nga kjo ditë e tutje, unë do t’ju bekoj.»—Hageu 2:10-19; Hebrenjve 6:11, 12.
16. Cila ‘tronditje’ është fare afër dhe cili do të jetë rezultati?
16 Po atë ditë, fjala e «Jehovait të ushtrive» iu drejtua Hageut për herë të katërt dhe të fundit. Ai bëri të ditur se çfarë përfshinte në ‘tronditjen e qiejve dhe të tokës’, duke thënë: «Sigurisht do të përmbys fronin e mbretërive dhe do të asgjësoj forcën e mbretërive të kombeve; do të përmbys edhe qerren e luftës dhe ata që i hypin, kuajt dhe kalorësit e tyre me siguri do të bien, secili nga shpata e vëllait të vet.» (Hageu 2:6, 21, 22, BR) ‘Tronditja’ do të arrijë kështu kulmin, kur Jehovai të pastrojë plotësisht tokën në Harmagedon. Në atë kohë, «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» do të kenë ardhur, për të formuar bërthamën e shoqërisë njerëzore për botën e re. Çfarë arsyesh për t’u gëzuar e për t’i dhënë lavdi Jehovait!—Hageu 2:7; Zbulesa 19:6, 7; 21:1-4.
17. Në ç’mënyrë Jezui është vendosur si një «unazë me vulë»?
17 Duke përfunduar profecinë e tij, Hageu shkruan: «‘Atë ditë, është fjala e Jehovait të ushtrive, unë do të të marr ty, o Zerobabel . . . dhe me siguri do të të vendos si një unazë me vulë, sepse ti je ai që unë kam zgjedhur’, është fjala e Jehovait të ushtrive.» (Hageu 2:23, BR) Krishti Jezu është tani Mbreti Mesianik dhe Kryeprifti antitipik i Jehovait, duke kryer së bashku në qiej detyrat që guvernatori Zerobabel dhe kryeprifti Josiu bënin veç e veç në Jerusalemin tokësor. Si një unazë me vulë zyrtare në dorën e djathtë të Jehovait, Jezui është ai që bëhet «Po» si mjet i Jehovait për të bërë realitet «të gjitha premtimet e Perëndisë». (2. Korintasve 1:20; Efesianëve 3:10, 11; Zbulesa 19:10) Gjithë mesazhi profetik i Biblës përqendrohet në masën e marrë nga Jehovai për Krishtin, si Mbret dhe Shpërblyes.—Gjoni 18:37; 1. Pjetrit 1:18, 19.
18. Në ç’mënyrë «fjala [përfundimtare] e Jehovait të ushtrive» do të ketë një përmbushje freskuese?
18 Vërtet, në ditët tona, lavdia më e madhe mund të gjendet në tempullin rrezatues frymor të Jehovait! Së shpejti, pasi Jehovai të ketë fshirë tutje të gjithë sistemin e Satanait, Hageu 2:9 do të ketë një tjetër përmbushje të kënaqshme: «‘E në këtë vend unë do të jap paqe’, është fjala e Jehovait të ushtrive.» Më në fund paqe! Një paqe universale e qëndrueshme, e garantuar nga «unaza me vulë» e Jehovait, Krishti Jezu, «Princi i Paqes», për të cilin është shkruar: «Bollëku i sundimit priftëror dhe i paqes nuk do të ketë fund . . . Vetë zelli i Jehovait të ushtrive do ta bëjë këtë.» (Isaia 9:6, 7, BR) Për gjithë përjetësinë, lavdia e shtëpisë së adhurimit të Jehovait do të pasqyrohet anembanë mbretërisë paqësore të sovranitetit të tij universal. Le të mbetemi përgjithnjë në këtë shtëpi!—Psalmi 27:4; 65:4; 84:10.
[Shënimi]
a Shiko «Të shpëtuar nga një ‘brez i mbrapshtë’» dhe «Një kohë për të qëndruar zgjuar», në broshurën me artikujt e studimit të Kullës së Rojës për vitin 1995.
A mund të shpjegosh?
◻ Në ç’mënyrë, shtëpia e Jehovait është ‘mbushur me lavdi’ sot?
◻ Përse predikimi i lajmit të mirë s’ka qenë kurrë kaq urgjent?
◻ Çfarë nxitjeje për të predikuar urgjentisht, na jep raporti për vitin e shërbimit 1996?
◻ Në ç’mënyrë Krishti po shërben si «unazë me vulë» për Jehovain?
[Kutia në faqen 15]
Duke korrur «nga skajet e tokës»
NË Isainë 43:6, lexojmë urdhrin e Jehovait: «Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës.» Ky shkrim po pëson sot një përmbushje të paparë në Evropën Lindore. Të marrim, për shembull, një nga ish-vendet komuniste, Moldavinë. Atje, ka disa fshatra, ku më shumë se gjysma e popullsisë janë tashmë Dëshmitarë. Ata duhet të bëjnë udhëtime të gjata, për të gjetur territore për të predikuar, por megjithatë po përpiqen! Shumë lajmëtarë në këto kongregacione janë pasardhës të prindërve që u syrgjynosën në Siberi, në fillim të viteve ’50. Tani, familjet e tyre po përhapin veprën e korrjes. Nga të 12.565 lajmëtarët, 1.917 u pagëzuan vitin që shkoi. Dyzetë e tre nga kongregacionet kanë rreth 150 lajmëtarë secili dhe vitin e ri të shërbimit qarqet u rritën nga katër në tetë.
E jashtëzakonshme është edhe përhapja në Shqipëri. Në këtë vend, një grusht Dëshmitarësh plot besim duruan për gati 50 vjet një nga diktaturat më të egra. Disa prej tyre u vranë. Kjo na sjell në mendje premtimin e Jezuit: «Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, Djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni . . . Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» (Zbulesa 2:10; shiko edhe Gjonin 5:28, 29; 11:24, 25.) Çfarë shohim tani në Shqipëri? Një përmbushje vërtet të dukshme të premtimit të Jehovait, që gjejmë në Isainë 60:22: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe»! Në vitin 1990, vetëm një lajmëtar raportoi shërbimin në fushë në Shqipëri. Megjithatë, më shumë «punëtorë» nga Italia dhe vende të tjera iu përgjigjën thirrjes së Jezuit: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga . . . popujt, duke i pagëzuar.» (Mateu 28:19; Luka 10:2) Në kohën e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit në vitin 1996, 773 lajmëtarë ishin aktivë në fushë dhe këta mblodhën 6.523 persona në mbledhjet e Përkujtimit, më shumë se tetëfishi i numrit të lajmëtarëve! Një prani e habitshme u raportua nga disa zona të izoluara. Edhe pse pa asnjë lajmëtar lokal, qytetet e Kukësit dhe Divjakës kishin respektivisht 192 dhe 230 të pranishëm. Kruja, vetëm me një lajmëtar, pati 212 të pranishëm. Në Korçë, 30 lajmëtarët morën me qera një lokal për më shumë se 300 veta. Pasi ky numër ishte ngjeshur në auditor, 200 të tjerë u detyruan të ktheheshin nga erdhën, pasi nuk kishte më vend. Vërtet, një fushë e pjekur për korrje!
Nga Rumania erdhi ky raport: «Ndërsa po shkonim në veprën nga shtëpia në shtëpi, takuam një person që na tha se ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe banonte në një qytezë të vogël, në të cilën, me sa dinim ne, nuk kishte asnjë Dëshmitar. Ai na tha se përveç tij, kishte edhe 15 të tjerë që për shumë vjet mbanin mbledhje të enjteve e të dielave dhe kishin nisur të predikonin shtëpi më shtëpi. Ditën tjetër shkuam në atë qytezë. Të mbledhur në dy dhoma, na pritnin 15 burra, gra e fëmijë, të cilët pranuan 20 libra dhe 20 nga revistat e fundit. U treguam atyre se si të drejtonin studime biblike. Kënduam së bashku dhe iu përgjigjëm pyetjeve të tyre më urgjente. Ai që merrte drejtimin në grup, pranoi: ‘Disa ditë më parë, iu luta Jehovait me lot në sy që të na dërgonte një bari dhe lutja ime u dëgjua.’ Ishim tejet të lumtur dhe në momentin e ndarjes, si një jetim që më në fund kishte gjetur babanë, ai tha: ‘Ju lutemi, mos na harroni. Ejani e na shikoni përsëri!’ Ne vepruam ashtu dhe tani, në atë qytezë drejtohen shtatë studime biblike. Në shumë territore të virgjëra, vepra fillon për mrekulli me literaturën biblike, e cila vlerësohet shumë dhe kjo gjë tregon se vepra ka burim hyjnor.»
[Tabela në faqet 18-21]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1996
(Shiko botimin)
[Figurat në faqet 16, 17]
«Gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» po mblidhen në ishujt e detit (1), në Amerikën e Jugut (2), në Afrikë (3), në Azi (4), në Amerikën e Veriut (5) dhe në Evropë (6)