LIBANI
[(mal) i bardhë].
Vargmali më perëndimor nga dy vargmalet e Libanit. Emrin ndoshta e mori nga ngjyra e çelët e majave dhe e shpateve shkëmbore prej guri gëlqeror ose nga fakti që shpatet e sipërme të vargmalit i mbulon bora gjatë një pjese të madhe të vitit. (Jr 18:14) Shtrihet rreth 160 km përgjatë detit Mesdhe nga veri-verilindja në jug-jugperëndim dhe është paralel me vargmalin e Anti-Libanit për rreth 100 km. Dy vargmalet i ndan një luginë e gjatë pjellore që quhet Beka (Koele-Siria), me gjerësi 10 deri në 16 km. (Js 11:17; 12:7) Nëpër luginë rrjedh drejt veriut lumi Orontes, kurse drejt jugut lumi Litani (rrjedha e tij e poshtme quhet Nahr-el-Kasimije) që i bie përqark skajit jugor të vargmalit të Libanit. Në skajin verior të vargmalit rrjedh Nahr-el-Kebiri (Eleutheri).
Me ca përjashtime tek-tuk, vargmali i Libanit nis thuajse në brigjet e detit Mesdhe, duke krijuar veç një rrafshinë bregdetare të ngushtë. Majat e vargmalit arrijnë lartësinë nga 1.800 m deri në 2.100 m, ndërsa dy prej tyre lartohen më shumë se 900 m mbi të tjerat. Edhe shpatet lindore, edhe ato perëndimore janë të thikta.
Në përgjithësi, shpatet lindore janë djerre dhe thuajse pa asnjë rrjedhë uji të rëndësishme, ndërsa shpatet perëndimore janë të ujitura mirë dhe përshkohen nga rrëke e gryka. (Krahaso Kng 4:15.) Në pjesën e poshtme të tyre ka brezare ku rriten drithë, hardhi e pemë frutore, mana, arra e ullinj. (Krahaso Ho 14:5-7.) Në truallin e pasur ranor harlisen pishat, kurse në lartësi më të mëdha të zë syri pemishte të vogla me cedra hijerëndë. Këto pemë vishnin krejt vargmalin në kohët e lashta dhe druri i tyre kishte lloj-lloj përdorimesh. (1Mb 6:9; Kng 3:9; Ezk 27:5; shih CEDRI.) Në vargmalin e Libanit rriten edhe frashëri, qiparisi e dëllinja. (1Mb 5:6-8; 2Mb 19:23; Is 60:13) Ndër kafshët që jetojnë këtyre viseve janë çakejtë, gazelat, hienat dhe ujqit. Në lashtësi, edhe pyjet ishin më të mëdha, edhe kafshët më të shumta; ky rajon ishte strofulla e luanëve dhe e leopardëve. (Kng 4:8; Is 40:16) Shprehja «aroma e Libanit» mbase nënkuptonte aromën e pyjeve të tij madhështore.—Kng 4:11.
Izraelitët e udhëhequr nga Josiu nuk e pushtuan rajonin e Libanit; ai u bë kufiri veriperëndimor i vendit të tyre. (Lp 1:7; 3:25; 11:24; Js 1:4; 9:1) Megjithatë, banorët paganë të atyre viseve shërbyen si mjet për ta vënë në provë besnikërinë e Izraelit ndaj Jehovait. (Gjy 3:3, 4) Shekuj më vonë, mbreti Solomon kishte nën juridiksion një pjesë të Libanit dhe bëri ndërtime atje. (1Mb 9:17-19; 2Kr 8:5, 6) Ndoshta një nga projektet e tij të ndërtimit ishte edhe «kulla e Libanit që shikon nga Damasku». (Kng 7:4; por disa mendojnë se këtu bëhet fjalë për një nga majat e Libanit.) Në atë kohë, mbreti i Tirit, Hirami, sundonte mbi një pjesë tjetër të Libanit, prej nga e furnizonte Solomonin me dru cedri e dëllinje.—1Mb 5:7-14.
Përdorimi i figurshëm. Shumë nga rastet kur përmendet Libani në Shkrime, lidhen me pjellorinë e tij (Ps 72:16; Is 35:2) dhe pyjet e harlisura, sidomos me cedrat e tij madhështorë. (Ps 29:5) Shpesh Libani përdoret në kuptim të figurshëm. Ai përshkruhet si i poshtëruar ndërsa i vinte keq për Judën që e kishin plaçkitur forcat asiriane. (Is 33:1, 9) Mirëpo edhe vetë ushtria asiriane do të pësonte disfatë, do të binte si pemët e Libanit. (Is 10:24-26, 33, 34) Pasojat shkatërrimtare të gjykimit nga Jehovai krahasohen me vyshkjen e lules së Libanit. (Na 1:4) Megjithatë, në një nga profecitë e rivendosjes bëhet fjalë për shndërrimin e pyllit të Libanit në pemishte të frytshme, dhe kjo ilustron një përmbysje të situatës.—Is 29:17, 18.
Me anë të Jeremisë, Jehovai tha «për shtëpinë e mbretit të Judës: ‘Ti je për mua si Galaadi, si maja e Libanit.’» (Jr 22:6) Me sa duket, ‘shtëpia’ nënkupton kompleksin e ndërtesave mbretërore. (Jr 22:1, 5) Vendi ku ngrihej pallati ishte i lartë dhe madhështor, si Libani. Për ndërtimin e atij kompleksi mbretëror ishte përdorur edhe shumë dru cedri. (1Mb 7:2-12) Edhe vetë mbreti Jehojakim, që i dëgjoi fjalët e dokumentuara te Jeremia 22:6, e kishte veshur me cedër pallatin e tij luksoz. (Jr 22:13-15) Kështu, zona e pallatit i ngjasonte një pylli madhështor me ndërtesa cedri, ndaj ishte i goditur krahasimi me Libanin e me Galaadin e veshur me pyje. Jehovai e paralajmëroi Judën se po të mos vepronin me drejtësi mbreti Jehojakim, shërbëtorët e tij dhe populli, atëherë ‘shtëpia do të bëhej gërmadhë’ (Jr 22:1-5) dhe atyre që banonin në Libanin simbolik (Jerusalem), ‘që e kishin folenë mes cedrave’, do t’u binte gjëma.—Jr 22:23; shih edhe Ezk 17:2, 3.
Po ashtu, dëshira e mbretit të Asirisë, Senakeribit, ‘që të ngjitej deri në majë të rajoneve malore, të arrinte deri në viset më të thella të Libanit’ dhe ‘të priste cedrat e tij të lartë’ me sa duket nënkuptonte synimet e tij ndaj Jerusalemit. (Is 37:21-24) Fjalët profetike për dhunën e ushtruar në Liban (Ha 2:17) mund të kishin lidhje me të keqen që e priste Jerusalemin. Megjithatë, nëse merren në kuptimin e mirëfilltë, ato ndoshta tregojnë se pyjet e Libanit do të shkretoheshin nga lufta.—Krahaso Is 14:5-8.
Profecia e Zakarisë (10:10) fliste për një kohë kur Jehovai do ta kthente popullin e vet në vendin e Galaadit e të Libanit. Në këtë rast, Libani mund të tregojë territorin në perëndim të Jordanit, ashtu si Galaadi nënkupton vendin në lindje të Jordanit.